denonco@transparency.com.al

Lajme

Dy nga katër koncesionet në shëndetësi i shpëtojnë hetimit parlamentar të opozitës

Kërkesa e opozitës për një komision hetimor në lidhje me koncesionet e qeverisë së kryeministrit Edi Rama në sektorin e shëndetësisë përfshin vetëm dy nga katër të tilla, dy të cilat janë sakaq nën hetim nga SPAK, ku njëri i ka të pandehurit në proces. Kërkesa e miratuar është e ndryshme nga ajo që grupi i Rithemelimit bëri gjashtë muaj më parë.

Fushata e grupit të Rithemelimit në opozitë për hetimin e koncesioneve të dyshuara korruptive të qeverisë aktuale në sektorin e shëndetësisë duket se ka harruar dy nga katër koncesionet e këtij sektori, bëhet e ditur nga kërkesa e depozituar në kuvend nga grupi kryesor i opozitës parlamentare dhe i publikuar së fundmi në faqen e internetit të kuvendit.

Grupi parlamentar më i madh i opozitës, i cili drejtohet nga deputeti Gazmend Bardhi dhe që njihet gjerësisht si “Rithemelimi”, arriti një kompromis politik me maxhorancën e kryeministrit Edi Rama, në të cilën, sjellja e tyre trazuese në proceset parlamentare ndërpritej ndërsa socialistët pranonin ngritjen e dy komisioneve parlamentare, të cilat më herët ata ia kishin mohuar opozitës me mjete të dyshimta ligjore dhe në shkelje të të drejtave kushtetuese të opozitës.

Ndërsa marrëveshja mes dy grupimeve kryesore politike në vend u përshëndet si një rikthim në normalitet në proceset parlamentare në Shqipëri, shumë vëzhgues ngritën pyetjen nëse, përveç kompromiseve të njohura, marrëveshja mbart edhe kompromise të fshehta. Në veçanti, pyetje u ngritën në lidhje me arsyen se pse opozita ka zgjedhur dy komisione hetimore, nga të teta të kërkuara prej saj, të cilat janë çështje kryesisht nën hetim nga SPAK dhe me potencial jo shumë të fortë politik. Por potenciali praktik i komisionit parlamentar për koncesionet në shëndetësi pritet të bjerret edhe më tutje, nëse shihet se dy nga katër të tilla, janë lënë jashtë objektit të hetimit.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama dha në fillesat e mandatit të saj të parë dhe të dytë katër koncesione në sektorin e shëndetësisë, të cilat, i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë mbi 50 milionë euro në vit. Që në kohën e procedurave të prokurimit, media dhe shqiptarët ngritën pikëpyetje, si sa i përket logjikës së dhënies së këtyre koncesioneve, ashtu edhe procedurës së përzgjedhur apo profilit të fituesve. Të katër koncesionet janë: Kontrolli bazë i popullsisë, njohur gjerësisht si Check Up, me kosto mbi tetë milionë euro në vit; ofrimi i setit të instrumenteve kirurgjikale, i njohur më së shumti si “sterilizimi”, i cili po kushton aktualisht rreth 17 milionë euro në vit; Koncesioni i shërbimit të dializës në pesë spitale, i cili po kushton aktualisht mbi 9 milionë euro në vit, dhe; shërbimet laboratorike spitalore, i cili po kushton mbi 18 milionë euro në vit.

Ndërkohë, kërkesa e grupit parlamentar të opozitës për komision hetimor parlamentar shkruan: “Në vijim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të datës 12.03.2024 dhe detyrave të lëna në atë mbledhje, lutemi gjeni bashkëlidhur projektvendimet e dakordësuara midis maxhorancës dhe opozitës, lidhur me:

  1. Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për shërbimin publik të Sterilizimit dhe shërbimin publik të Check-Up në shëndetësi.
  2. Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit të Shqipërisë për Trajtimin e të Dënave në sitemin TIMS.”

Siç shikohet, kërkesa e opozitës nuk përfshin hetimin e koncesionit të shërbimit të dializës dhe as atë të shërbimeve laboratorike.

Dy koncesionet e përfshira janë sakaq nën hetim nga SPAK. I pari, ai i sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj. Të dy përfunduan në pranga për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe mashtrimit, ndërsa gjykata kërkoi hetim edhe për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani.

Sipas prokurorisë, Rrjepaj manipuloi kostot e shërbimit ndërsa transferoi fitimet në formën e kontratave të konsulencës te një kompani e cila ishte gjithashtu nën pronësinë e tij dhe që kishte vetëm një klient të madh, pra kompaninë koncesionare. Pasi prokurorët nuk gjetën fillimisht vepër penale nga ana e ish-ministrit Ilir Beqaj, gjykata urdhëroi hetime të mëtejshme, të cilat sollën thirrjen e tij si të pandehur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Rezultatet e hetimit për koncesionin e Check Up nuk janë ende të ditura.

Kërkesa e opozitës sot për të hetuar vetëm këto dy koncesione nga katër, është në fakt e ndryshme edhe nga kërkesa e saj e mëparshme e shtatorit 2023. Në atë kohë, Rithemelimi kërkoi në kuvend ngritjen e një komisioni për hetimin e që të katërtave koncesioneve [link kërkesa], ndryshe nga kërkesa e pas kompromisit, e cila heq dy nga katër koncesionet nga objekti i hetimit.

Koncesionet e të dyja qeverive, asaj të Partisë Demokratike, 2005-2013, por në veçanti, asaj të Partisë Socialiste pas vitit 2013 kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime, nga shqiptarët apo nga institucionet ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike ndërsa ka paralajmëruar për rrezikun për stabilitetin financiar të vendit.

Burimi: BIRN

Read more

Vazhdon Odisea e abuzimit me listën e rimbursimit të barnave

Shqipëria është vendi i vetëm në Ballkan, i cili prej tre vitesh nuk ka futur asnjë bar të ri në rimbursim edhe pse ligji e detyron qeverinë që të përditësojë listën çdo vit. Kjo jo vetëm që mban padrejtësisht kostot e larta për buxhetin, por privon qytetarët nga alternativat e reja të kurimit, që janë regjistruar gjatë tre viteve të fundit.

Ministria e Shëndetësisë vazhdon ta mbajë të bllokuar listën e barnave pa dhënë asnjë shpjegim zyrtar, ndërkohë që nën zë sipas Kapital.al justifikohet se nuk ka fonde. Por fondet po vidhen pikërisht nga bllokimi i listës dhe shpenzimi i parave për barna, të cilat paguhen padrejtësisht me çmime të larta, ndërkohë që kanë humbur patentën dhe në treg kanë dalë alternativa më efektive shumë më të lira.

Janë miliona euro që do të kurseheshin ndër vite, të cilat mund të përdoreshin për futjen e barnave te reja, për terapi të cilat nuk kanë trajtim ose e kanë atë shume të kufizuar.

Kostoja totale e rimbursimit të barnave qëndronte në nivelin mesatar prej 11 miliardë lekësh për periudhën 2020-2022 dhe ishte planifikuar në nivelin 11.6 miliardë lekë për vitin 2023. Ndërkohë që kostoja totale e rimbursimit rritet, ajo që vihet re nga të dhënat e raportuara nga FDSKSH është që numri i pacientëve përfitues është në rënie. Kjo dëshmon që kostoja e rimbursimit të barnave vijon të rritet për një pacient. Në raportet vjetore të FDSKSH argumentohet që kjo rritje e kostos, vjen për shkak të përfshirjes në listën e barnave të rimbursueshme të llojeve të reja të barnave për disa kategori sëmundjesh me prevalencë të lartë të cilat rezultojnë të kushtueshme. 1

Në një intervistë për Top Channel, Diana Toma shprehet se lista ka mbetur ajo e 2021, në të cilën nuk janë futur as barna të reja dhe as nuk është zgjeruar. Ajo vazhdon se pacientët për shkak të mungesës në listën e rimbursimit, ata që s’kishin mundësi të paguanin nuk e kanë marrë variantin e dytë, ose pacientët që e shikonin si domosdoshmëri marrjen e ilaçeve ishin të detyruar të shpenzonin një variant që nuk mbulohej 100%. 2

Gjithashtu ekziston dhe një anë tjetër e këtij problemi: inventari me tepricë i barnave dhe rimbursimi fiktiv. Sipas një artikulli te Kapitali3, një farmaci deklaron se ka blerë 100 njësi të ilaçit X dhe se ka shitur 80 njësi, për të cilat farmacia ka marrë rimbursimin përkatës nga shteti dhe rrjedhimisht duhet të kishte gjendje në inventar fizikë 20 njësi të tjera, por nga kontrolli i inventarit është konstatuar se gjendja fizike e barit në inventar është shumë më e lartë.

Nga raporti i Together For Life thuhet se në dokumentin e PBA 2022-2024 të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, raportohet që numri i barnave të planifikuara për t’u rimbursuar për vitet 2022-2024 respektivisht do të jetë rreth 605, 615 dhe 625. Në raportin e monitorimit vjetor të buxhetit për vitin 2028 të publikuar nga MSHMS nuk raportohet për numrin faktik të barnave të rimbursuara në 2022 për të bërë të munduar dhe analizën e kostos së planifikuar me atë faktike por vetëm për numër pacientësh që përfitojnë nga rimbursimi.

Por ajo që vihet re është që në dokumentin e rradhës së PBA për vitet 2023-2025 raportohet që numri faktik për 2022 është 1191 barna dhe planifikimi për periudhën afatmesme është 1200, 1210 dhe 1220 . Ndryshimi i planifikimit nga një vit në vitin tjetër me 100% më shumë tregon një inkonsistencë të lartë në planifikim dhe një mungesë të theksuar të transparencës lidhur me mënyrën e shtimit të barnave në listë në mënyrë të shumëfishuar.

Materiali krijon konfuzion pasi nuk del qartë sa është numri barnave në listën e barnave të rimbursueshme dhe si është shtuar numri i barnave me dyfish në fakt nga ato të planifikuara në dokumentin e PBA 2022-2024, duke vënë në pikëpyetje seriozitetin e raportimit të të dhënave nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale dhe FDSKSH.

“Në momentin që lista nuk ka dalë brenda afatit kohor, gjithë sistemi farmaceutik ecën me një hap më të shkurtuar. Kjo sepse lista shoqërohet me ndryshimin e përvitshëm të sistemit të barnave. Për subjektet kjo përkthehet me dëmtim, sepse stoku nuk përkon me çmimin e ri,” shprehet Diana Toma.

Ky lloj sistemi dhe shumë sisteme të tjera “mbahen kaotike në mënyrë, që të mbeten shtigje të hapura për abuzime”, pavarësisht “gjithë shpenzimet e larta dhe tenderat pafund që institucionet publike kanë bërë në fushën dixhitaleKjo është një skemë e mirëfilltë, e cila vjedh miliona euro në vit nga paratë e qytetarëve, por që askush nuk ka vullnetin ta gjurmojë deri në fund.” citon Kapital.

  1. Ky artikull është pjesë e raportit “FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR: A mbulon skema nevojat reale për kujdes shëndetësor?” zhvilluar dhe publikuar nga shoqata Together for Life në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Sektorin e Shëndetësisë” mbështetur nga NED – National Endowment for Democracy. Për më tepër: https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2024/03/Raport_A-mbulon-Skema-nevojat-reale-per-kujdes-shendetesor.pdf ↩︎
  2. https://youtu.be/ZXla83_GeuM?si=F2doeTT4V–H1hOU ↩︎
  3. https://www.kapitali.al/rikthehen-rimbursimet-fiktive-te-ilaceve-farmacite-dalin-me-teprica-fizike-barnash-te-rimbursuara/ ↩︎
Read more

Hetimi i SPAK për koncesionin e Sterilizimit, ish-ministrit Beqaj i komunikohet akuza: ‘Shpërdorim detyre’

SPAK ka përfunduar hetimet dhe i ka komunikuar akuzën për ‘shpërdorim detyre’ ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj për çështjen për koncesionin e sterilizimit. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.

Beqaj ka shkuar mëngjesin e sotëm në ambientet e SPAK, ku po vijon seanca.

Kujtojmë se ish-ministri dhe 8 persona të tjerë, mes tyre ish-zyrtarë dhe biznesmenë, janë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK për dosjen për koncesionin e sterilizimit.

Në daljet e tij mediatike, Beqaj ka mohuar akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa ka qenë i hapur për hetime.

Hetimet u përqëndruan  mbi procedurat e dhënies së koncensionit prej 100 milionë eurosh për 10 vjet, pas dyshimeve për shpërdorim detyre, mashtrime dhe falsifikim dokumentash.

Gjykata e Posaçme ka vlerësuar se ekziston dyshimi, bazuar në faktet penale, që zoti Beqaj ka konsumuar edhe elementë të falsifikimit të vulave dhe formularëve dhe se ai ka qenë në dijeni të plotë të gjithë procedurave dhe dokumentave, ku ka lejuar të pasqyrohen në studimin e fizibilitetit të dhëna të rreme lidhur me kostot e projektit dhe më pas u zgjodh koncensioni si procedurë më e favorshme se sa prokurimi publik.

Zoti Beqaj nuk i ka pranuar akuzat, ndërsa hetimet flasin për fryrje në llogaritjet e kostove të sterilizimit, për të cilat ai dyshohet se si ministër i ka toleruar dhe nuk ka ndërhyrë për t’i anulluar.

Ish ministri akuzohet  se nuk mori masa për të vënë në punë Qendrën shtetërore të sterilizimit, as nuk vlerësoi nëse funksionimi i asaj qendre, pa ia kaluar koncensionarit, do të ishte më me leverdi ekonomike se sa kontrata e Partneritetit Publik-Privat, e cila parashikon sterilizim të personalizuar të pajisjeve kirurgjikale.

Zoti Beqaj dyshohet se nuk ka vepruar për të shmangur konfliktin e interesit mes zëvendësit të tij Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj, të cilët kishin njohje prej një kohe të gjatë.

Prokuroria e Posaçme sekuestroi në shkurt disa pasuri të biznesmenit Ilir Rrapaj, 40 për qind të aksioneve të kompanisë SaniService, dy kompani ku ai është aksioner, dy llogari bankare, 13 automjete dhe një apartament banimi.

Read more

SHTYHET AFATI I THIRRJES PËR ARTIKUJ INVESTIGATIVË NË FUSHËN E SHËNDETËSISË!

Thirrja organizohet nga Shoqata Together for Life në bashkëpunim me BIRN Albania, me mbështetjen e National Endowment for Democracy

Shoqata “Together for Life” po zbaton projektin “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse në Shqipëri”. Projekti synon promovimin e përgjegjshmërisë dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh çështjet prioritare më të lakuara në ditët e sotme lidhur me shëndetësinë siç janë pakënaqësia në rritje e qytetarëve përkundrejt shërbimeve dhe infrastrukturës shëndetësore publike, pagesat e larta nga xhepi që paguajnë pacientët për të marrë shërbime shëndetësore kundrejt atyre që mbulohen nga qeveria, financimi i ulët për sektorin, shkeljet gjatë kryerjes së kontratave me një barrë të madhe financiare për buxhetin, etj.

Një nga instrumentet e propozuara nga projekti është përdorimi i gazetarisë investigative për të raportuar dhe nxjerrë në pah disa nga çështjet më të rëndësishme lidhur me korrupsionin në sistemin shëndetësor.

Për të kontribuar në promovimin e një sistemi shëndetësor transparent, TFL në bashkëpunim me BIRN Albania hap thirrjen për 2 artikuj investigativë:

(2) gazetarë do të përzgjidhen për të prodhuar artikuj investigativë në fushën e shëndetësisë. Gazetarët aplikantë do të përzgjidhen nga një juri e pavarur e përbërë nga gazetarë me eksperiencë dhe ekspertë në fushën e medias.

Gazetarët do kenë në dispozicion një periudhë dy mujore për të përfunduar investigimin e tyre dhe përgatitjen e artikullit për publikim.

Fituesit pritet që të angazhohen dhe të përmbushin të gjitha detyrimet në lidhje me investigimin, si dhe respektimin e standardeve të gazetarisë investigative dhe etikës profesionale.

Kandidatët duhet të dorëzojnë formularin e bashkëngjitur kësaj thirrjeje. Propozimet duhet të kenë për qëllim ekspozimin e korrupsionit, abuzimit me pushtetin, me fondet publike, pa-ndëshkueshmërinë dhe mungesën e zbatimit të ligjit në fushën e shëndetësisë.

Prioritet në përzgjedhje do i kushtohet propozimeve të cilat përfshijnë një nga temat e mëposhtme, por gjithashtu inkurajojmë propozimin e temave të tjera (duke patur në vëmendje 4 fjalë kyçe: transparencë; llogaridhënie; fonde publike; shëndetësi).

  • Tenderat në shëndetësi: Përputhja me ligjin, transparenca dhe abuzimet;
  • Transparenca e shpenzimeve për shëndetësinë (ndërtimin e spitaleve të reja; financimi i shërbimeve të reja; financimi për barnat; kompanitë përfituese – favorite për përfitimin nga tenderat, etj.);
  • Shpenzimet për koncesionet dhe ndikimi në buxhetin e përgjithshëm të shëndetësisë (preferohet që artikulli t’i referohet ecurisë së koncensionit/eve të vitit buxhetor 2023);
  • Niveli i shpenzimeve nga xhepi si përqindje e shpenzimeve totale të pacientëve për shëndetësinë, në Shqipëri.

Aplikantët mund të dërgojnë më shumë se një aplikim, por vetëm një propozim për kandidat do të përzgjidhet.

(2) gazetarët e përzgjedhur do të kenë një mbështetje financiare prej 1000$, me qëllim ndjekjen e problematikës së përzgjedhur në të gjitha hallkat e kërkuara.

Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë gazetarët në Shqipëri, të punësuar apo në profesion të lirë.

Kandidatëve ju kërkohet që bashkë me formularin e plotësuar të aplikimit, të dërgojnë edhe një CV dhe tre shembuj të punës së tyre me email, në: info@togetherforlife.org.al

Afati për dorëzimin e aplikimeve do të shtyhet deri më: 22 Mars 2024

Read more

Shqipëri, “autonomia spitalore” rikthehet debati për shërbimet shëndetësore

Në Shqipëri autoritetet zyrtare po prezantojnë disa elementë të autonomisë spitalore, që parashikon delegimin gradual të vendimarrjes financiare dhe administrative nga strukturat e qeverisjes së përgjithshme te spitalet. Spitalet publike që plotësojnë disa kritere, po pajisen me kartën e autonomisë menaxheriale, e cila bazohet në atë që quhet praktikë e dyfishtë, sipas së cilës qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin mjekët që duan për të marrë shërbim jashtë orarit zyrtar, kundrejt pagesës. Zyrtarët thonë se kjo reformë do të sjellë rritje të shërbimeve dhe cilësisë, ndërsa njohës të fushës së shëndetësisë mendojnë se e konceptuar në këtë mënyrë, ajo rrit edhe më tej kostot nga xhepi i qytetarëve.

“Jo vetëm praktikë e dyfishtë, por edhe rritja së brendshmi e shpërblimit të mjekëve, në bazë të meritës do të bëjë që interesi për të punuar në spitalet publike, të jetë gjithmonë e më i lartë, konkurenca të jetë gjithmonë e më e fortë dhe pastaj kush do të shkojë në Gjermani, të na marrë të keqen”.

Kështu u shpreh pak kohë më parë Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të autonomisë spitalore, vetëm një ditë pasi Gjykata Kushtetuese vendosi t’u japë të drejtë studentëve të mjekësisë që kërkuan shfuqizimin e një përkufizimi ligjor që i detyronte ata pas përfundimit të studimeve të punonin në vend për një periudhë 2, 3 dhe 5 vjeçare, para se t’u dorëzohej diploma. Me bindjen se reforma do arrijë të frenojë largimin e mjekëve nga vendi autoritetet argumentojnë se ajo u jep pavarësi spitaleve, që përmes bordeve që do të zgjidhen, të menaxhojnë burimet financiare, njerëzore, apo të lidhin kontrata me palët e treta. Zyrtarët janë të bindur se kjo praktikë do të rrisë cilësinë, shërbimet për qytetarët, dhe të ardhurat dytësore të institucioneve spitalore.

Në fund të janarit të këtij viti kartën menaxheriale të autonomisë spitalore e morën 5 spitale, 4 rajonale dhe ai Univeristar Nënë Tereza në Tiranë,(në vend janë 41 spitale publike, 6 të nivelit terciar, 11 të nivelit rajonal dhe 24 spitale bashkiake). Disa elementë të kartës u eksperimentuan prej një viti në Spitalin Memorial të Fierit.

Sot qytetarët e marrin shërbimin shëndetësor në spitalet publike përmes sistemit të referimit, pa pagesë. Ajo që po diskutohet më së shumti në kuadër të autonomies, lidhet me atë që quhet praktika e dyfishtë, sipas së cilës mjekët të cilët kërkohen nga qytetarët përtej orarit të punës, kanë mundësi të shfrytëzojnë ambientet e spitalit, fillimisht vetëm për konsulta dhe në një fazë tjetër edhe aparaturat, për të ofruar një shërbim ekstra me pagesë, ku 70% të pagesës i merr mjeku dhe 30% spitali, me kusht që pagesa e mjekut të mos tejkalojë 30% të pagës mujore të tij. Kjo ndodh kur qytetarët nuk duan të presin radhën që parashikon sistemi i referimit nga mjeku i familjes, dhe ai specialist. Por ekspertë të shëndetit publik, mendojnë se modeli i autonomisë spitalore që ofron qeveria do të rrisë kostot nga xhepi të qytetarëve për shëndetësinë.

“Kur dëgjoj shprehjen 70% e merr mjeku dhe 30 spitali, pyetja e parë që me vjen në mend është – kush i paguan këto para? I paguajnë qytetarët. Atëherë ne çfarë po bëjmë, po i kërkojmë para njerëzve t’i shtojmë shpenzimet nga xhepi. Të mos harrojmë dhe një element të rëndësishëm. Nuk është vetëm mjeku në shëndetësi. Është një ekip. Ka mjekë, ka infermierë, ndihmës, laborantë, imazheristë, teknikë imazherie, administratë, s’ka asnjë shpjegim për këtë dhe asnjë diskutim”- u shpreh për Zërin e Amerikës Ilir Alimehmeti, ekspert i shëndetit publik.

Zv. Ministrja e Shëndetësisë Entela Ramosaçaj, për Zërin e Amerikës i kundërshtoi këto argumenta dhe tha se praktika e dyfishtë ul listën e pritjes brenda sistemit të referimit, rrit cilësinë dhe shërbimet por jo kostot për qytetarët.

“Patjetër që jo. Shërbimi pranë spitaleve publike do të vijojë të ofrohet falas. Dhe për pacientët që do të duan ta marrin këtë shërbim brenda orarit të punës, brenda sistemit të referimit nuk do të ketë asnjë kosto për xhepat e qytetarëve. Kostoja do të jetë zero”- u shpreh Entela Ramosaçaj Zv .Ministre e Shëndetësisë.

Nga ana tjetër Ish-Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, i tha Zërit të Amerikës, se disa hapa të autonomisë spitalore që lidhen me menaxhimin e fondit të barnave nga vetë institucionet spitalore, investimet apo rekurtimet e personelit janë hedhur mbi një dekadë më parë dhe se në vijim kishin nevojë të përmirësoheshin. Ai merr si shembull projektin e pilot të Autonomisë Spitalore në spitalin e Durrësit që funksionoi për një kohë të gjatë. Z. Vasili është kritik me elementët e autonomisë spitalore që ofrohen sot nga qeveria ndërsa sjell në vëmendje konçensionet në sistemin shëndetësor si një praktikë centralizuese.

“Kjo është masë propagandistike, pa bazë reale që e shthur dhe e mbingarkon sistemin spitalor. Do të krijohet patjetër dhe çorganizim, do krijohen keqkuptime të brendshme, pamundësi të ndarjes ku fillon shërbimi publik dhe ai privat do përdoren të njëjtat asete. Çfarë fituam. Asgjë. Nëse i referohemi konçensioneve. A ka hapësirë një spital autonom të vendosë për një shërbim që e vendos ministria? Kjo gjë ndodh, për laboratorët dhe elementë të tjerë. Ky është autonomia?”- u shpreh Petrit Vasili, ish Ministër i Shëndetësisë.

Por drejtuesja e Spitalit memorial të Fierit, ku prej një viti u pilotuan disa elementë të kartës menaxheriale të autonomisë spitalore thotë se aktiviteti i këtij spitali u rrit me 70%, dhe për pasojë dhe aksesi i qytetarëve.

“Praktika e dyfishtë këtë bën, ul listën e pritjes, e mirmenaxhon atë, dhe i jep qytetarit të drejtë të përzgjedhë vendin e duhur aty ku është shërbimi më i mirë dhe më cilësor. Njëkohësisht krijohet dhe një marrëdhënie e re besimi mes pacientit dhe mjekut”- argumentoi Rudina Degjoni, Drejtore e Spitalit Memorial të Fierit.

Mjaft qytetarë shtrojnë pyetjen nëse e shmang korrupsionin në radhët e bluzave të bardha utonomia spitalore. Disa prej tyre e shohin pozitivisht reformën në këtë drejtim dhe mendojnë se suksesi i saj do të varet ekipet që do ta zbatojnë.

“Ekipet menaxheriale duhet të jenë në lartësinë e reformës. Nëse ne nuk vendosim autoritete drejtuese dhe një ekip menaxherial me mekanizma kontrolli dhe audituese rrezikojmë të kemi probleme që lidhen me mungesën e transparencës, me nxitjen e favorizmit të kolegëve të caktuar, dhe mund të jetë një moment që mund të na fusë në një rreth vicioz sistemin shëndetësor”- u shpreh Qamil Dika pedagog në Fakultetin e mjekësisë UMT.

Një tjetër element i reformës së autonomisë spitalore është konkurueshmëria. Zyrtarët mendojnë se spitalet publike do jenë gjithnjë e më konkuruese me ato private.

“Qytetari i cili merr një shërbim edhe më cilësor patjetër që do të sjellë një konkurencë të shëndetshme jo vetëm mes spitaleve publike por dhe me ato private”- vijoi Zv.Ministrja e Shëndetësisë Entela Ramosaçaj.

Por eksperti i shëndetit publik Ilir Alimehmeti, nuk pajtohet më këtë argument.

“Përse dikush dëshiron të punojë jashtë orarit? Do të thotë që ajo punë e parë nuk i mjafton. Parimi duhet të jetë pagë e denjë për një punë të denjë. Nëse ne dalim përtej orarit, do të thotë që ne gjatë orarit nuk garantuam asgjë. Je në konkurencë me sistemin spitalor privat. Jemi në pozita totalisht të pabarabarta. Dhe në këtë garë do fitojnë privatët sepse qofshin kushtet, metodat, kontratat të cilat përmirësohen në vijimësi janë në favor të tyre?- vijoi Ilir Alimehmeti ekspert i shëndetit publik.

Spitalet publike në Shqipëri po hyjnë në garën për autonomi, në një klimë jo shumë të favorshme sa i takon financimit të sistemit të shëndetësisë. Buxheti për këtë sektor edhe pse është rritur ndjeshëm në dekadën e fundit me mbi 80%, në raport me PBB ai është rreth 3%, dukshëm nën mesataren prej 8% të vendeve të BE. Nga ana tjetër edhe numri i mjekëve për banorë është i ulët, 188 për 100 mijë banorë, kur në vendet e BE është 374. Edhe pse pagat në shëndetësi, gjatë viteve të fundit janë rritur largimi i mjekëve nga vendi po i jep goditje të vazhdueshme sistemit.

Burimi: Zëri i Amerikës

Read more

Zheni Gjergji: Qeveria jo transparente, shqiptarët paguajnë 60% nga xhepi i tyre për shërbim dhe trajtim shëndetësor

Gjatë tryezës së diskutimeve organizuar nga  Shoqata Together for Life, ku u prezantua raporti me temën “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – A mbulon skema nevojat reale të kujdesit shëndetësor”, mbështetur nga National Endowment for Democracy, Kryetarja e e Komisionit të Shëndetësisë, Zheni Gjergji deklaron se, pavarësisht se qeveria flet për “buxhete historike”, Shqipëria është një nga vendet me buxhete më të ulëta për shëndetësinë.

 “Komisioni i Shëndetësisë analizon cdo vit buxhetet që akordon qeveria shqiptare për shëndetësinë dhe ajo që vihet re është se këto buxhete e klasifikojnë Shqipërinë si një nga vendet me buxhetet  më të ulëta, krahasuar me vendet e BE dhe ato të rajonit. Ne shkojmë diku te 30% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që vendet e rajonit dhe të Europës shkojnë tek 47-56% . Pra ne shikojmë se i gjithë kalvari i  marrjes së shërbimit shëndetësor për qytetarët shqiptarë vjen edhe nga mungesa e një buxheti që vazhdon të jetë një buxhet që nuk lëviz. Vetëm në vitin 2021 kemi pasur një rritje të lehtë të buxhetit për shkak të COVID me 7.5 %, pastaj po të shikojmë buxhetin e 2024 ka një ulje diku rreth 1.5%. Sot në vitin 2024, edhe pse dixhitalizimi dhe ashtuquajtura e qeverisë Transparenca propagandohet si e një niveli të lartë, në fakt e vuajmë edhe ne si Komision i Shëndetësisë mungesën e Transparencës. Materialet për buxhetin apo edhe për ligje të cilat kanë kaluar në komision vijnë ditën e fundit apo orën e fundit përpara se ne të shqyrtojmë buxhetin apo ligjet që kanë prekur sistemin shëndetësor, siç ka qenë ligji i autonomisë financiare, por edhe ligji për studentët që prek të ardhmen tonë,” u shpreh Gjergji gjatë tryezës së diskutimeve.

Sipas saj qytetarët shqiptarë paguajnë më shumë nga xhepi i tyre për të marrë shërbim dhe trajtim mjekësor.

“Këmbanë alarmi për komisionin ishte edhe raporti i OBSH-së, që vërtetoi dhe njëherë që shqiptarët janë qytetarët që pagujnë më shumë për sistemin shëndetësor, rreth 465 dollarë në vit, nga këto 277 dollarë paguante secili qytetar nga xhepi i vet për shërbim dhe trajtim mjekësor. Që do të thotë se skema e FSDKSH bie, nëse ti mendon se 60% çdo qytetar e nxjerr nga xhepi vet për të siguruar shërbim dhe trajtim shëndetësor,” nënvizon ajo.

Znj. Gjergji nënvizon se shëndetësia falas në Shqipëri nuk ekziston.

Ndaj edhe raportet e fondit kanë disa mangësi, sepse ndeshemi edhe me ankesat e qytetarëve, të medias, ndërkohë që është një gamë e medikamenteve të reja të cilat qarkullojnë në Shqipëri, por që nuk janë pjesë e listës së barnave të rimbursueshme. Sëmundjet Onkologjike nga 140 preparatë, vetëm 40 qarkullojnë në Shqipëri, çka do të thotë që nuk marrin protokollet e reja të miratuara nga OBSH për trajtimin e patologjive. Ky është një handikap. Lista e rimbursueshme prej tre vitesh vetëm është iniciuar, por nuk është ndryshuar dhe në fakt nuk e kisha kapur te raporti i KLSH-së, që disa barna nuk përdoren fare nga kjo listë e miratuar prej vitesh, kështu që është një alarm në fakt edhe për komisionin, i cili do të hartojë listën për 2024, që ta ketë në prioritetin e tij, që këto barna që nuk përdoren dhe kanë dalë nga protokollet e mjekimit prej vitesh, nuk duhet të jenë më pjesë e listës së barnave të rimbursueshme, apo mendikamente të një cilësie jo të mirë të pamiratuara nga FGA apo dhe kritere të tjera.”

Problematikë shfaqet edhe me personat me aftësi ndryshe.

“Një kategori shumë e prekur nga skema e kujdesit shëndetësor janë invalidët. Vetëm 1% e personave me PAK mbulohen në shërbimin shëndetësor dhe pagesa mesatare e këtyre personave për ndihmën ekonomike ka rënë nga viti i aplikimit të skemës së re për ndihmën ekonomike dhe është parë që për vitin 2023 kemi 2.8 % të të ardhurave, dhe në 2014 kemi një rritje 0.4%,” thekson Gjergji.

Lidhur me autonominë spitalore, Gjergji shprehet se, “kemi kërkuar ekspertiza dhe për ligjin e autonomisë spitalore, që në gjykimin tim nuk pati një konsulencë të qartë edhe me stafet mjekësore të spitaleve rajonale, jo vetëm të QSUT, dhe besoj se ai është një ligj që shumë shpejt do të ketë handikapet e veta madhore në dhënien e shërbimit shëndetësor për qytetarët.”

Burimi: Gazeta Shëndeti

Read more

Të zhvatësh edhe sëmundjen/ Si po vidhen shqiptarët me çmimet e ilaçeve

nga Klodian Tomorri

Nurofen për fëmijë është një medikament, i cili përdoret për të kuruar dhimbjen, inflamacionin dhe temperaturën tek të miturit nga 3 muaj deri në 9 vjeç.

Ky bar në Shqipëri tregtohet ekskluzivisht nga kompania FarmaNet dhe aktualisht një kuti kushton 605 lekë. I njëjti bar në Greqi, kushton 2.33 euro ose 240 lekë për kuti. Pra 2.5 herë më lirë në Greqi ose 2.5 herë më shtrenjtë në Shqipëri.

Ligjërisht çmimet e ilaçeve në Shqipëri janë të rregulluara me marzh fitimi të përcaktuar. Sipas ligjit, importuesve dhe shpërndarësve të shumicës u lejohet një marzh fitimi 11 për qind mbi çmimin CIF, pra koston e ardhjes së mallit deri në port. Ndërsa farmacive të pakicës u lejohet të shtojnë maksimalisht një marzh 25 për qind mbi çmimin e blerjes nga shpërndarësi i shumicës.
Ligjërisht diferenca prej 2.5 herë në çmimin e një medikamenti nuk duhet të ekzistojë. Kapitali iu drejtua kompanisë FarmaNet, mbi arsyet se pse ajo e shet Nurofenin 2.5 herë më shtrenjtë se në Greqi por nuk mori një përgjigje.

Vjedhje në shkallë industriale
Nurofen është vetëm një nga rastet. Por të tilla ka me qindra. Madje abuzimi është aq flagrant sa që edhe në tregun e brendshëm diferencat në çmime janë me fish. Gazetari Renaldo Saliani publikoi në faqen e tij në facebook rastin e një medikamenti të quajtur Bisolvon.

Në njërën farmaci, në pullën fiskale të barit ishte vendosur çmimi 286 lekë për kuti. Ndërsa në një farmaci afër të parës, në pullën e të njëjtit ilaç shkruhet çmimi 713 lekë. “Cila nga dy farmacitë mashtron pacientët dhe shtetin duke falsifikuar pullën?” pet gazetari në postim e tij, ku bashkangjitur gjenden fotot e medikamentit me dy çmime.

Një tjetër gazetar, Mentor Kikia thotë se e njëjta recetë e përshkruar nga mjeku, në Tiranë kushtonte 85 euro, ndërsa në Athinë çmimi ishte 37 euro. “Të njëjtën kurë, i njëjti prodhim dhe dozë, në Tirane 85 Euro, në Athine e mora 37 Euro,” denoncon Kikia. Provat e shumta si këto faktojnë qartë se tregu i barnave në Shqipëri është shthurur dhe në pjesën e tij më të madhe ka kaluar në paligjshmëri.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, shqiptarët shpenzojnë mesatarisht 300 milionë euro në vit për ilaçë. Por diferencat e tilla në çmime dëshmojnë se me shumë se një treg funksional, kjo është një vjedhje në shkallë industriale, e cila jo vetëm zhvat, por edhe vret njëkohësisht.

Diferencat në çmime janë vetëm njëra anë e paligjshmërisë së tregut. Ana tjetër është cilësia e medikamenteve. Shumë mjekë dashamirës, të cilët përshkruajnë receta i këshillojnë shpesh pacientët, që nëse kanë mundësi t’i blejnë ilaçet jashtë shtetit. Kjo tregon shumë.

Zhvatësi është qeveria
Gjatë kohës që ishin në opozitë, socialistët shpikën një term, i cili në atë kohë zuri vend gjerësisht në debatin politik. Termi ishte taksa e sëmundjes dhe i referohej tatimit mbi vlerën e shtuar që ish qeveria demokratike aplikonte mbi medikamente.

Asokohe, Mimi Kodheli, Ilir Beqaj, Erjon Braçe dhe shumë socialistë të tjerë e etiketonin qeverinë si të pashpirtë deri në pikën që taksonte edhe sëmundjen duke u zotuar se me ardhjen e tyre në pushtet TVSH e ilaçeve do të hiqej. Dhe në fakt ashtu ndodhi.

Qeveria e Partisë Socialiste e hoqi tvsh-në mbi barnat. Por qytetarët shqiptarë po zhvaten edhe më rëndë dhe tashmë po dënden me ilaçe, cilësia e të cilave është e dyshimtë.
Për të parën, kontrollin e çmimeve të ilaceve, përgjegjësia ligjore bie direkt mbi agjencitë qeveritare nën varësi të ministrisë së Shëndetësisë. Janë këto agjenci, përgjegjësit kryesorë se pse shqiptarët grabiten duke paguar çmime deri në 3 herë më të shtrenjta për ilaçet.

Për të dytën, atë që lidhet me cilësinë përgjegjësia është po ashtu ka direkte mbi qeverinë. Kjo qeveri ndërmorri një sërë nismash ligjore, të cilat i hapën rrugë tregtimit të ilaçeve të pakontrolluara në treg.

Ndaj ndërsa demokratën dikur taksonin sëmundjen për arkën e shtetit, edhe pse në këtë rast taksa shërbente dhe si mekanizëm për të kontrolluar abuzimin me çmimet, qeveria aktuale sëmundjen po e zhvat. Ndërsa pacientët po i vret duke e shndërruar tregun e barnave në një moçal të qelbur korrupsioni, i cili ka fuqinë të bllokojë edhe listën e barnave.

Read more

Petrit Vasili mbi autonominë spitalore: Proces i kompromentuar nga fillimi në fund / Selime Bregu: Koncensionari “zhvat” rreth 845 milonë lekë për punë të pabëra

Ish ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili vë gishtin në disa plagë që vuan sistemi ynë shëndetësor sot. Konstatimet e tij erdhën gjatë tryezës së diskutimeve organizuar nga  Shoqata Together for Life, ku u prezantua raporti me temën “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – A mbulon skema nevojat reale të kujdesit shëndetësor”, mbështetur nga National Endoëment for Democracy.

“Ajo që vjen nga qeveria është një produkt, i cili vetëm votohet,edhe kur në tavolinë vendosen mediokritete të padëgjuara në lidhje me fenomene të caktuara. Sistemi që keni marrrë në monitorim, nuk kam pse t’i kursej lëvdatat, sepse shëndetësia ka qenë gjithmonë e vështirë për t’u analizuar për shkak të komplikushmërisë së saj e karakterizuar me ca vështrime nga sipër, në kuadër pereceptimesh dhe analiza të tilla në rradhë të parë ndihmojnë ata që menaxhojnë sistemin. Mund të jenë të hidhura, por problemet këto janë. Me problemet duhet të përballesh, për t’ju ikur është shumë kollaj. Sistemi në përgjithësi vuan nga paqartësia, të cilën e ka sjellë politizimi pa kuptim në shërbim të propagandës. Sistemet kanë një gjë kokëforte, kanë nevojën dhe detyrimin e vijimësisë. Pra ndërtohen katet me shumë vështirësi, por gjithmonë hidhen kate të tjera. Ideja e rrënimit dhe bërjes nga e para është budallallëk, mungesë horizonti, në zhargon njerëz që nuk ia dinë zanatit. Ju e dini që ne kemi vuajtur idenë e “shëndetësisë falas”, të cilën po ua them haptas që edhe politikisht nuk e kam mbështetur kurrën e kurrës, sepse ishte jo realiste, solli një konfuzion të jashtëzakonshëm, gjë e cila u verifikua, nuk e  ndryshoi modelin. Të njëjtin ligj kemi këtu, ligjin e 2010, me ndryshime të  vogla, pra sistemi miks është me sigurime shëndetsore dhe kontribute nga shteti. E gjithë dogma ra, por çfarë krijoi? Konfuzion. Shëndetësia nuk e duron dot paqartësinë, kërkon një linjë shumë të qartë, së pari. Së dyti, ashtu siç thatë me ligjin e autonomisë ne hapim një epokë të re. Këto budallaliqe unë i kam dëgjuar në kohën e partisë së Punës. Pse duhet të themi fillon nga e para?! Pse s’duhet të përdorim atë që ka qenë më përpara e ta shpiem edhe më tutje? Tani e ka bërë publike dhe nuk ka pasur prononcime nga asnjë njeri”, tha Vasili.

Në lidhje me propozimin për autonomi spitalore, që parashikon delegimin gradual të vendimarrjes financiare dhe administrative nga strukturat e qeverisjes së përgjithshme te spitalet, ai shprehet se është një handikap i kompromentuar.

“Nismat për autonomi spitalore datojnë që në vitin 2000-2001 dhe duhet t’jua themi shqiptarëve, jo t’i gënjëjmë. Banka Botëror, OBSH dhe të tjera institucione në atë kohë ndërrmorën nismën në atë kohë, spitali pilot, spitali i Durrësit. Që në 2001, është nisur nga socialistët në atë kohë.

Por çfarë ndodhi më tutje, a pati thellim? Po në 2010 buxhet i parë, fondi që quhet sot të tëra paratë e administrimit spitalor i kaloi fondit dhe MSH mbante vetëm fondet minimale për programet e shëdetit publik edhe elementë të tjerë të promocionit.

Elementët e autonomisë u shtrinë deri në qendrat shëndetësore, të cilat dolën me llogari më vete dhe administronin veten e tyre, përfshirë edhe emërimin e personelit, që në atë kohë e kishte komuna, drejtori i Shëndetit Publik, drejtori i Parësorit dhe kryetari i komunës ishin njerëzit që përzgjidhnin personelin shëndetësor për t’ju përgjigjur ekzigjencave që kishte terreni. Gjithashtu, elementë të administrimit, të gjithë spitalet fondet e blerjes së barnave i bënin ata, dhe u decentralizuan. Nuk kishta më ministra që mbanin vulën e MSH dhe firmosnin barnat, por gjithë spitalet rajonale blinin vetë barnat. U rikthyen mbrapsht të gjitha dhe për më tepër u fut dhe praktika e koncensioneve. I bie që një autonomi do të bashkëjetojë me koncesione, që janë iniciativë e centralizuar, e kompromentuar fillim e mbarim.”

Sipas Vasilit, “Të thuash shëndetësi falas , mbulim universal dhe në të njëtën kohë ka edhe sigurime shëndetësore…” është një paradoks, ndërkohë që pesha e shpenzimeve nga xhepi nga 40% ka shkuar në 60%.

Ndërsa kryeaudituesja e KLSH-së Selime Bregu solli në vëmëndje problematikat kyçe të indetifikuara nga institucioni i KLSH-së.

Problematika më e fortë mbeten koncensionet, të cilit i paguhan plot 845 milonë lekë për të mbuluar popullatën me kontroll mjekësor , për një punë të pakryer.

“Ndër problematikat kryesore KLSH problematikat më të mëdha i ka konstatur në koncesione. Duke filluar që nga fillesat e tyre, ka propozuar ndryshime në formulimin e kontratave të koncensioneve, të cilat edhe janë marrë edhe nuk janë marrë në konsideratë nga Fondi dhe të gjithë aktorët që përfshijnë fondi (Ministria e shëndetësisë dhe Ministria e Financave). Duke filluar që nga koncensioni i paketës bazë që mbulon popullatën me kontrollin mjekësor, ku është evidentuar problematika në rradhë të parë ndaj rasteve të pakryera të cilat financohen totalisht nga buxheti i fondit dhe njëkohësisht përfitojnë TVSH, që do të thotë se shërbimi shëndetësor është i përjashtuar nga TVSH. Të dyja këto nuk janë korrigjuar ndër vite. Rreth 845 milonë lekë i paguhen koncensionarit, dhe për këto paketa që nuk realizohen është propozuar të financohet minimumi i tyre dhe shpenzimet fikse. Ne vazhdojmë dhe paguajmë për punë të pakryera.”

Zonja Bregu shton se, përtej kotratave të partneritetit, janë analizuar dhe kontrata të tjera si sterilizimi, dializa, dhe ajo e  analizave, që kanë të njëjat problematika si chechk up, duke mos u shërbyer pacientëve mbi moton “Shëndet për të gjithë”.

Një problematikë me “flamur të kuq” mbetet lista e barnave.

“Sa i përket listës së barnave përfshihet një gamë dhe pas një rregulloreje, ka që në 2021 që lista indeksohet dhe nuk risillet një listë e re. KLSH ka evidentur një sasi të konsiderueshme barnash të cilat nuk kanë konsum. Do të thotë që kjo listë duhet urgjent të përmirësohet dhe të rishikohen alternativat e reja, që i shërbejnë popullatës, kryesisht të sëmurëve me tumore.”

Gjithashtu, kryeaudituesja Bregu u shpreh se në auditimet e performancës së kryera në spitalin Onkologjik dhe në disa rajone vihen re problematika të theksuara me regjistrin e pacientëve, ndonëse buxheti “trumbetohet” si historik.

“Nuk ka të dhëna për të sëmurët, si kanë lëvizur, përditësimin e regjistrit, ka shumë problematika si tek onkologjiku, si tek FSDKSH dhe në tërësi. Kemi një tavan për shërbimet e rimbursimit, kjo vërtetet mund të jetë një mënyrë kontrolli, por nuk i shërben pacientëve, sepse duke u vënë një kufi shpenzimeve nuk mund të harxhojnë më shumë sesa aq. Por duke e rishikuar listën dhe duke futur alternativa të reja, duke e bërë më adekuate atëherë fondi do të mundësojë një listë të përditësuar që do të mund t’i shërbejë pacientit, si dhe duke përdorur me efektivitet fondet publike. Synimi ynë është monitorimi i skemës , të cilën në të vërttë e marrim nga kontributet tona, por që buxheti të shkojë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, sepse nëse ne nuk i përditësojmë listën e barnave , paketat shëndetësore, apo rishikimet e kontratave koncensionare, kanë kaluar nga 2015 shumë vite që themi të njëjtën gjë dhe pvarësisht se  FDSKSH pranon rekomandimet në mbi 90% nga KLSH, nuk  vepron”, përfunon Bregu fjalën e saj.

Burimi: Gazeta Shëndeti

Read more

Barra e sëmundjeve rrit importet e farmaceutikës me 14% më 2023, por po konsumohen ilaçe më të lira

Sasitë e importeve të produkteve farmaceutike panë rritje të shpejtë vitin e kaluar me rreth 14%, pas një rënie të lehtë pas pandemisë.

Të dhënat e INSTAT referojnë se vitin e kaluar u importuan 6,753 tonë ilaçe nga 5,917 tonë me 2022, por shihet një tendence e rritjes së fortë e importeve nga Turqia.

Vitin e kaluar u importuan nga ky vend 1203 tonë produkte farmaceutike, të cilat zunë 17 për qind të importeve totale të këtyre produkteve. Para pandemisë në vitin 2019 importet nga Turqia zinin vetëm 8 % të importeve totale të produkteve farmaceutikë (shiko grafikun e mëposhtëm).

Ekspertët e tregut të farmaceutikës pohojnë se fondet e ulëta të rimbursimit kanë çuar konsumin e barnave drejt alternativave të lira që vijnë kryesisht nga Turqia, ndërkohë që përfaqësitë e kompanive shumëkombëshe janë tërhequr nga Shqipëria. Nga 13 të tilla që ishin para disa vitesh, tani janë vetëm 3 prej tyre.

Në vitin 2023, vendi ynë ka importuar 26,8 miliardë lekë (255,7 mln euro) produkte farmaceutike, por vetëm rreth 12 miliardë lekë ose 44% janë mbuluar nga fondi i rimbursimit që vihet në dispozicion nga qeveria shqiptare.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se shqiptarët kanë akses të ulët te barnat kryesore që trajtojnë sëmundjet kardiovaskulare, onkologjinë, autoimunet, nervoret etj. Të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Përfaqësive Farmaceutike tregojnë se barnat e reja që kanë një trend të lartë shitje në tregjet europiane dhe ato të rajonit ende nuk kanë hyrë në tregun shqiptar.

Ato kushtojnë shumë dhe nuk janë të përballueshme për pacientët, pasi shteti nuk i rimburson. P.sh. në Shqipëri nuk janë të pranishme të tilla si Apixaban, Pembrolizumab që trajtojnë sëmundje autoimune.

Tregu shqiptar është në zhvillim e sipër, ku barnat tradicionale gjenerike dhe ato jashtë patentës përfaqësojnë 76%, ndërsa trajtimi spitalor i specializuar dhe me terapi inovative vetëm 24%.

Përfaqësuesit e tregut farmaceutik thonë se nevojat e popullsisë janë shumë më të larta se furnizimet aktuale. Por përvoja globale ka treguar se financimet publike dhe orientimi i tyre i drejtë i çon përpara sistemet shëndetësore dhe përmirëson ndjeshëm shërbimet shëndetësore për popullatën.

Nga viti 2019 deri më 2024, buxheti i FSDKSH (struktura që financon shërbimet shëndetësore publike) është rritur me rreth 40%, ndërsa zëri i rimbursimit të medikamenteve vetëm 20%, sipas të dhënave zyrtare.

Në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të FSKDSH-së, ndërsa më 2024 vetëm 20.6%./Monitor

Burimi: Shendeti.com.al

Read more

Në 2022 bizneset arritën fitime rekord falë produktivitetit të lartë të punonjësve dhe pagave të tyre të ulta

Produktiviteti i punës, i cili mat të ardhurën që merret nga një i punësuar (shifra e afarizmit për të punësuar), shënoi rritje të ndjeshme gjatë vitit 2022 sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, të cilat burojnë nga të dhënat finale të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, të publikuara së fundmi.

Burimi: INSTAT, përpunime të Monitor

Burimi: INSTAT, përpunime të Monitor

Shitjet neto për të punësuar për vitin 2022 kanë qenë 6.13 milionë lekë nga 5.11 milionë lekë në vitin 2021, duke u rritur me 20%. INSTAT referoi se, ky tregues është më i lartë tek prodhuesit e të mirave, në krahasim me prodhuesit e shërbimeve.

Në vitin 2022, shitjet e bizneseve u ndihmuan nga rritja e çmimeve, teksa shpenzimet për paga ndaj punonjësve u rritën me ritme më të ulëta. Sipas INSTAT, rritja reale e pagave (e indeksuar për inflacionin), ne 2022 ishte vetëm 1.5%.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se në nga 12 qarqe të vendit, në 9 prej tyre pagat janë rritur më pak se inflacioni, duke ndikuar që paga reale në pjesën dërmuese të vendit ka shënuar rënie në krahasim me vitin 2021.

Bizneset arritën fitime rekord

Në vitin 2022, inflacioni mesatar arriti në 6.7%, si rrjedhojë e ndërprerjeve në zinxhirin e prodhimit që shkaktoi pandemia dhe më pas efektet e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës në çmimet e mallrave.

Teksa rritja e kostove të biznesit u transferua te konsumatori final, sipërmarrjet kanë rezultuar me fitime rekord. Të dhënat e tjera nga Ministria e Financave bënë të ditur se të ardhurat nga tatim fitimi arritën rekordin prej 47.7 miliardë lekë, duke u rritur me 34% me bazë vjetore.

Edhe renditja e përvitshme e kompanive me fitime më të mëdha, që publikohet nga Monitor tregoi për rritje të ndjeshme të fitimeve.

Burimi: Ministria e Financave

Tendenca ndryshoi në 2023

Por në vitin 2023, të dhënat tregojnë për një frenim të produktivitetit të punës, për shkak se pagat si në sektorin privat dhe në atë publik panë një rritje të shpejtë. Sidomos në sektorin privat rritja e pagave u nxit nga emigracioni, i cili shkaktoi mungesë të fuqisë punëtore, duke detyruar bizneset të sakrifikonin fitimet.

Rritja e pagës mesatare në sektorin privat vazhdoi të qëndrojë në vlera dyshifrore edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023. Ajo shënoi nivelin 14.5%, nga 15.0% në tremujorin e mëparshëm.

Në terma realë, rritja e pagës në sektorin privat qëndron në nivelin 10.4%, në të njëjtën vlerë sikurse edhe në tremujorin e dytë të vitit 2023.

Kjo rriti kostot e punës për njësi me 9.9% gjatë tremujorin e tretë të vitit 2023, në përshpejtim kundrejt normës 7.1% të regjistruar një tremujor më parë. Ecuria ka pakësuar produktivitetin i punës analizoi Banka e Shqipërisë ditët e fundit.

Luhatjet e produktivitetit

Përgjatë dekadës së fundit produktiviteti i punës pati luhatje dhe shpesh pësoi ulje edhe pse ekonomia ishte në rritje. Aksionet për formalizimin e ekonomisë rriten numrin e të punësuarve të ligjshëm, të cilët edhe pse në rritje nuk kishin se si të ndikonin në prodhim.

Në Shqipëri punësimi u rrit më shumë se rritja ekonomike, për pasojë të punësuarit ndanë më pak fitime nga puna.

Zhvillimet demografike, me plakjen e popullsisë dhe reduktimin e forcës së punës po ushtrojnë presion mbi modelin ekonomik të Shqipërisë.

Ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare financiare bëjnë thirrje se Shqipëria duhet të rrisë aftësitë mësimore për të orientuar ekonominë drejtë inovacionit dhe sektorëve me produktiv.

Analizat e institucioneve të specializuara si FMN dhe Banka e Shqipërisë tregojnë se rritja e pagave pa rritur produktivitetin në ekonomik kthehet në rrezik, duke ndikuar në rritjen e çmimeve dhe jo të mirëqenies.

Praktikat e vendeve të tjera kanë treguar se produktiviteti i punës rritet duke orientuar ekonominë në teknologji, inovacion dhe në prodhime e shërbime që kanë vlerë të lartë në treg.

Por për të arritur këtë stad vendit i duhet një forcë pune e mirarsimuar dhe me aftësi.

“Revista Monitor” https://www.monitor.al/ne-2022-punonjesit-prodhuan-me-shume-por-u-paguan-me-pak-ndersa-bizneset-arriten-fitime-rekord/

Read more
sqAlbanian