denonco@transparency.com.al

Lajme

TFL hap thirrje për artikuj investigativë në fushën e shëndetësisë

Thirrja organizohet nga Shoqata Together for Life në bashkëpunim me BIRN Albania, me mbështetjen e National Endowment for Democracy

Shoqata “Together for Life” po zbaton projektin “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies në sektorin shëndetësor në Shqipëri”. Projekti synon të rrisë transparencën dhe llogaridhënien në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh pakënaqësinë në rritje të qytetarëve përkundrejt shërbimeve dhe infrastrukturës shëndetësore publike, pagesat e larta nga xhepi, financimin e ulët për sektorin, shkeljet gjatë kryerjes së kontratave me një barrë të madhe financiare për buxhetin etj.

Një nga instrumentet e propozuara nga projekti është përdorimi i gazetarisë investigative për të nxjerrë në pah disa nga çështjet më të rëndësishme lidhur me korrupsionin në sistemin shëndetësor.

Për të kontribuar në promovimin e një sistemi shëndetësor transparent, TFL në bashkëpunim me BIRN Albania hap thirrjen për 2 artikuj investigativ,

(2) gazetarë do të përzgjidhen për të prodhuar artikuj investigativë në fushën e shëndetësisë. Gazetarët aplikantë do të përzgjidhen nga një juri e pavarur e përbërë nga gazetarë me eksperiencë dhe ekspertë në fushën e medias.

Gazetarët do kenë në dispozicion një periudhë dy mujore për të përfunduar investigimin e tyre dhe përgatitjen e artikullit për publikim.

Fituesit pritet që të angazhohen dhe të përmbushin të gjitha detyrimet në lidhje me investigimin, si dhe respektimin e standardeve të gazetarisë investigative dhe etikës profesionale.

Kandidatët duhet të dorëzojnë formularin e bashkëngjitur kësaj thirrjeje. Propozimet duhet të kenë për qëllim ekspozimin e korrupsionit, abuzimit me pushtetin, abuzimi me fondet publike, pa-ndëshkueshmërinë dhe mungesës së zbatimit të ligjit në fushë e shëndetësisë.

Prioritet në përzgjedhje do i kushtohet propozimeve të cilat përfshijnë një nga temat e mëposhtme, por inkurajojmë propozimin e temave të tjera (duke patur në vëmendje 4 fjalë kyçe: transparencë; llogaridhënie; fonde publike; shëndetësi).

  • Tenderat në shëndetësi: Përputhja me ligjin, transparenca dhe abuzimet.
  • Transparenca e shpenzimeve për shëndetësinë (ndërtimin e spitaleve të reja; financimi i shërbimeve të reja; financimi për barnat; kompanitë përfituese – favorite për përfitimin nga tenderat etj.)
  • Shpenzimet për koncesionet dhe ndikimi në buxhetin e përgjithshëm të shëndetësisë

Aplikantët mund të dërgojnë më shumë se një aplikim, por vetëm një propozim për kandidat do të përzgjidhet.

Gazetarët e përzgjedhur do të kenë një suport financiar prej 1000$, me qëllim ndjekjen e problematikës së përzgjedhur në të gjitha hallkat e kërkuara.

Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë gazetarët në Shqipëri, të punësuar apo në profesion të lirë.

Kandidatëve i kërkohet që bashkë me formularin e plotësuar të aplikimit të dërgojnë një CV, dhe tre shembuj të punës së tyre me email në: info@togetherforlife.org.al

Afati për dorëzimin e aplikimeve, deri më: 10 janar 2023

Read more

Raporti: Shpenzimet për rimbursimin e barnave e pajisjeve mjekësore, nuk janë respektuar kufijtë e rimbursimit

Raporti: Shpenzimet për rimbursimin e barnave e pajisjeve mjekësore, nuk janë respektuar kufijtë e rimbursimit

Në raportin e kontrollit të lartë të shtetit “Auditimi Përputhshmërie” në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, analizohen edhe shpenzimet për rimbursimin e barnave e pajisjeve mjekësore për vitin 2021

Nga auditimi në lidhje me të dhënat e rimbursimit të përcjella nga Drejtoria Ekonomike konstatohet se nuk janë respektuar kufijtë e rimbursimit të përcaktuara në ligjin e buxhetit të vitit, të ndryshuar, ku citohet se “Fondi për rimbursimin e medikamenteve nuk tejkalon tavanin prej 10,700 milionë lekësh, përfshirë detyrimet e prapambetura, nga i cili, 200 milionë lekë përdoret për rimbursimin e medikamenteve për kurimin e COVID-19”. Të dhënat mbi rimbursimin e pranuar nga Drejtoria e Rimbursimit dhe Drejtoria e Informacionit dhe Analizës Statistikore raportojnë mbi një vlerë rimbursimi të pranuar prej 11,061 milion lekë përkundrejt planit të përditësuar prej 10,694 milion lekë. Të analizuara sipas Drejtorive Rajonale të Fondit, realizimi në krahasim me planin vjetor paraqitet sipas tabelës së mëposhtme: Plani dhe realizmin i rimbursimit sipas DRF

Sikurse evidentohet nga tabela rezulton tejkalim i planit të rimbursimit me 367 milion lekë krahasuar me planin e miratuar të ndryshuar. Sipas të dhënave të vendosura në dispozicion nga Drejtoria Ekonomike, pagesat e realizuara për ekzekutim të detyrimeve të lindura përgjatë vitit si dhe për muajin Dhjetor 2020, rezulton të jenë paguar së bashku me rimbursimin e fishave të diabetit shuma prej 10,614 milion lekë

Read more

Koncensioni i sterilizimit: Vështirësi në monitorimin e kontratës, për të njëjtën ndërhyrje kirurgjikale faturimi kryhet sipas kompleksiteteve të ndryshme

Kontrolli i lartë i shtetit ka publikuar Raport Përfundimtar “Auditimi Përputhshmërie” në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Auditimi u krye me bazë risku, për vlerësimin e saktësisë së aktiviteteve dhe transaksioneve financiare, çështjeve që lidhen me organizimin dhe funksionimin e institucionit, duke përfshirë saktësinë e paraqitjes së të ardhurat dhe shpenzimet, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore dhe me parimet e ligjit për menaxhimin financiar dhe kontrollin, vlerësimin e saktësisë së informacioneve në të gjitha aspektet materiale në përputhje me kuadrin ligjor e rregullator mbi bazën e të cilit ushtron veprimtarinë “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”, etj

Nga auditimi mbi zbatimin e kontratës koncesionare për sterilizimin, rezultoi se:

Nuk ekziston një protokoll i saktë dhe i plotë i ndërhyrjeve/seteve, numri i seteve në aneks kontratë dhe faktit sipas diagnozave të aplikuara, pasi ka një numër shumë më të madh diagnozash/ndërhyje në krahasim me numrin e seteve të përdorura. Në skedarët për përdorimin e seteve administruar nga DSHSU, janë përshkruar dy rubrika ku në njërën shënohet diagnoza dhe në tjetrën lloji ndërhyrjes;

 Është ndryshuar numri i instrumenteve në mënyrë të pa argumentuar për disa prej seteve nga viti në vit për të njëjtën diagnozë/ndërhyrje kirurgjikale;

Konfigurimi i seteve dhe ndryshimi i kompleksiteteve ka sjellë vështirësi në monitorimin e kontratës;

Ka disa raste që për të njëjtat ndërhyrje/sete janë aplikuar 2 dhe/ose 3 nivele të ndryshme kompleksiteti, me pasoja në financimin e kontratës për tavanin buxhetor përkatës dhe kufizimin e ndërhyrjeve për pacientet;

Gjithashtu nga përpunimi i të dhënave të administruara për vitin 2021 konstatohet se për të njëjtën ndërhyrje kirurgjikale, të realizuar në të njëjtin spital apo spital tjetër, faturimi kryhet sipas kompleksiteteve të ndryshme, dhe për pasojë çmime të ndryshme. Kjo mënyrë aplikimi e nivelit të kompleksitetit gjatë zbatimit të kontratës, shkakton pasoja financiare shtesë, krahasuar me efektin e përdorimit të kompleksitetit më të ulët të mundshëm, e lidhur kjo me çmimin përkatës.

Në këtë kuadër, kanë rezultuar 21,174 raste, në të cilat është klasifikuar ndërhyrja kirurgjikale si kompleksiteti i mesëm dhe për të njëjtat ndërhyrje kirurgjikale, në disa raste është faturuar edhe si kompleksitet i lartë, si dhe janë 4,725 raste në të cilat është faturuar për kompleksitet të lartë, megjithëse të paktën një herë e njëjta ndërhyrje kirurgjikale është faturuar si kompleksitet i mesëm. Në se për këto ndërhyrje do të përdorej kompleksiteti i mesëm, do të ulej financimi i kësaj kontrate për 87,318,000 lekë me TVSH.

Gjithashtu, në total paraqiten 16,710 raste në të cilat është klasifikuar ndërhyrja kirurgjikale si kompleksiteti i ulët dhe për të njëjtat ndërhyrje kirurgjikale, në disa raste është faturuar edhe si kompleksitet i lartë apo kompleksitet i mesëm. Nga auditimi konstatohet se janë 5,924 raste në të cilat është faturuar për kompleksitet i lartë dhe 8,057 raste në të cilat është faturuar për kompleksitet I mesëm megjithëse të paktën një herë e njëjta ndërhyrje është faturuar si kompleksitet i ulët. Në se për këto ndërhyrje do të përdorej niveli i ulët i kompleksitetit, financimi kësaj kontrate do të ulej me vlerën 81,214,560 lekë me TVSH.

Read more

OSHC-të në tryezë diskutimi: Keqmenaxhimi, shkak i korrupsionit në sistemin shëndetësor

Organizatat e shoqërisë civile që punojnë për përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies në sistemin shëndetësor, u mblodhën sot në Tiranë, në një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar mbi aktualitetin e këtij sektori, nivelin e bashkëpunimit të institucioneve qëndrore me organizatat e shoqërisë civile etj. Tryeza e thirrur nga shoqata ‘Together for Life’, në kuadër të projektit “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), konsultoi çështjet e lidhura me shkeljet dhe korrupsionin brenda këtij sistemi, dhe problematikat në tërësi që pengojnë ofrimin e një shërbimi cilësor ndaj pacientit.

Organizatat ndanë qëndrimet e tyre lidhur reagimin dhe angazhimin që shoqëria civile duhet të ndërmarrë, për çështje që ndikojnë tek opinioni publik, duke dakortësuar se:

Problematikat e sistemit shëndetësor vijnë për shkak të keqmenaxhimit, çka krijon mundësinë për zhvillimin e aktiviteteve/praktikave të paligjshme, duke filluar nga niveli më i lartë dhe më pas në gjithë zinxhirin e funksionimit të sistemit.

Reagimi ynë, thanë përfaqësuesit e organizatave, duhet të fokusohet te nevoja emergjente për të përmirësuar sistemin, për ta sjellë qytetarin në qendër të politikave që ndiqen, për të pas standarte në ofrimin e shërbimeve dhe për të respektuar dinjitetin e gjithësecilit, në rradhë të parë të atyre që veshin bluzën e bardhë ‘

Read more

Mjeku ishte në operacion, kolegët: U arrestua me uniformën e spitalit, ndërhynë si të ishte kriminel


Policia ka arrestuar një mjek reanimator te spitali i Traumës. Mjeku dyshohet të jetë kapur në flagrancë brenda ambienteve të spitalit duke marrë ryshfet nga pacientët. Shuma nuk është e konfirmuar!

Arrestimi i mjekut në spitalin e Traumës, konsiderohet si tepër e rëndë dhe e papranueshme nga kolegët e tij. Gazetarja e gazetës Shëndeti, Iliada Kovaçi ishte sot në spitalin e Traumës për të folur me personelin mjekësor, për rastin, ku midis të tjerash mjekët u shprehën se mjeku ishte në sallën e operacionit gjatë kohës që ka ndërhyrë policia.   

Kjo situatë ishte tepër e rëndë. Ka qenë në operacion pra, ka lënë një të sëmurë në operacion. Këta që e kanë arrestuar kanë rrezikuar jetën e atij pacientit tjetër. Mjeku doli me uniformë spitali nga zyrat e institucioneve shëndetësore që është shumë e rëndë sepse tek e fundit mjek është, nuk është as i armatosur që të kapet në flagrancë dhe tjetra që dhe në bazë të kodit penal është e kundërligjshme fakti që ai është provokuar”, u shpreh njëri nga mjekët e spitalit të Traumës

Duke e quajtur këtë ngjarje si të qëllimshme dhe jashtë ligjeve të përshkruara nga kodi penal, stafi mjekësor i mëshon faktit se fokusi duhet të jetë te mënyra e gabuar dhe e kundërligjshme që është kryer procedura e arrestimit, pa mbështetur në asnjë pikë fenomenin e gabuar të rryshfetit.

Pra, ti e provokon në mënyrë të qëllimshme: ‘na këto lekët’, sepse ashtu ka ndodhur të paktën nga informacionet që kemi ne. ‘Na këto lekët në qoftë se do më bësh këtë ekzaminimin’ dhe ai i ka pranuar.  Gabim! Pa diskutim! Unë nuk e mbroj fenomenin por tek e fundit është provokuar nga institucionet shtetërore se ai ka qenë polic i infiltruar. Policët e infiltruar punojnë vetëm për të hyrë në grupe kriminale. Tani se ku është grupi kriminal këtu …”

Pyetur mbi gjendjen shëndetësore të mjekut F.M burime për gazetën Shëndeti thanë se gjendja e tij është stabilizuar ndonëse kjo nuk është hera e parë që përballet me të tilla probleme. Disa kohë më parë ai ka qenë i shtruar në Spitalin e Traumës ku ka kryer edhe një ndërhyrje. Aktualisht për të është marrë masa e sigurisë “arrest në shtëpi” ndonëse ende nuk dihen të tjera detaje.

Gjithashtu u mësua se dy punonjësit e policisë të cilët kryen arrestimin në flagrancë të mjekut F.M janë pushuar nga puna, lajm për të cilin pritet ende një konfirmim zyrtar.

Mjekët nuk kanë pranuar të prenoncohen me emra!

Read more

Arrijnë në 16.2 mijë vdekjet shtesë në vend nga fillimi i pandemisë/ 4.7 herë më shumë se deklarimet zyrtare

Ndonëse me ritme më të ulëta se në dy vitet e mëparshme, pandemia e Covid-19 ka vijuar që të marrë jetë njerëzish edhe në tremujorin e parë të këtij viti.

INSTAT bëri të ditur se në janar-mars 2022, në vend u shënuan gjithsej 7,938 vdekje. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur pandemia kulmoi dhe u regjistrua niveli më i lartë rekord i vdekjeve në historinë e Shqipërisë, numri është 22.3% më i ulët.

Por, në raport me mesataren 2016-2019 të janar-mars, kur vendi ishte në periudhë normale, fatalitetet janë rritur me 25.3%, në një tregues që pandemia vijon të vrasë, por edhe të pasojave që ka lënë te popullata që e ka kaluar Covid-19, duke përshpejtuar rastet fatale.

Që nga prilli i vitit 2020, kur filloi pandemia, në vend janë shënuar 16.2 mijë vdekje shtesë, në raport me mesataren e 2016-2019, kur ishte një periudhë normale, sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga Monitor.

Në krahasim me vdekjet zyrtare të raportuara nga COvid-19 nga Ministria e Shëndetësisë deri në 31 mars 2022, që ishin 3,492 gjithsej, fatalitetet shtesë janë 4.7 më të larta. Nëndeklarimi në Shqipëri është më i lartë se mesatarja globale, ku sipas OBSH-së vdekjet në botë janë gati 3 herë më të larta se deklarimet.

14.6 mijë fatalitete shtesë u regjistruan vetëm për periudhën 2020-2021, sipas të dhënave të INSTAT dhe 1,603 humbje jete shtesë ishin në tremujorin e parë të këtij viti.

Për gjithë vitin 2021, në vend u shënuan gjithsej rreth 30.6 mijë (30,580) humbje jete, duke shënuar nivelin më të lartë rekord të arritur ndonjëherë në historinë e vendit. Ky është viti i dytë radhazi, kur fatalitetet në vend po rezultojnë të larta. Në vitin e parë të pandemisë, në 2020-n u regjistruan në total 27.6 mijë fatalitete, nga 21.8 mijë që ishte mesatarja e periudhës 2016-2019.

Në krahasim me mesataren e 2016-2019, kur ishte një periudhë normale, vdekjet në vitin 2021 janë rritur me 40%. Edhe në 2020-n, vdekshmëria shtesë në raport me mesataren 2016-2019 u rrit me rreth 26%.

Tremujori më fatal, që me fillimin e pandemisë ishte janar-mars 2021, kur u regjistruan 10.2 mijë humbje jete, me rritje prej 61% në krahasim me mesataren e të njëjtës periudhë 2016-2019.

Pas tij renditet tremujori i katërt 2020, me gati 9.4 mijë fatalitete, me rritje 42% në raport me mesataren përkatëse 2016-2019.

Pas marsit 2021, pasojat e pandemisë në humbjet e jetëve u reduktuan ndjeshëm, por gjithsesi deri në fund të vitit ato mbeten më të larta sesa përpara fillimit të pandemisë./Monitor.al

Read more

TFL bën ankim administrativ, KMD vendos se fëmijët me leucemi janë diskriminuar rëndë

Mungesa e barnave në Shërbimin e Onkohematologjisë, Pediatrike në QSUNT, ka sjellë si pasojë diskriminimin e fëmijëve me leucemi, e konstatuar me Vendimin Nr. 161, Datë 01/09/ 2021, nga Komisioneri për Mbrojtjen Kundër Diskriminimit (KMD).

Pas një pune të gjatë në terren, prej më shumë se 6 muajsh, me komunikime të vazhdueshme me familjarët e pacientëve të vegjël me leucemi, ku janë siguruar fatura dhe receta medikamentesh të blera jashtë spitalit, me kosto të larta, dhe pas komunikimeve zyrtare dhe jo zyrtare me institucionet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,  Shoqata “Together for Life” ka paraqitur një ankesë pranë institucionit të pavarur KMD ku ka pretenduar diskriminimin e fëmijëve të sëmurë.

Barnat e konstatuara në mungesë, shërbejnë për trajtimin me kimioterapi të fëmijëve me leucemi. Trajtimi mjekësor, në çdo rast duhet të sigurohet në sasinë, cilësinë dhe kohën e duhur. Por, këto elementë marrin një rëndësi akoma më thelbësore, për sa i përket trajtimit me kimioterapi të kësaj sëmundje. Mos marrja në dozën dhe kohën e duhur të trajtimit, në raport me vulnerabilitetin e sëmundjes, sjell pasoja të rënda në shëndetin e fëmijëve dhe ul mundësinë e tyre për t’i mbijetuar kësaj sëmundje.

Në lidhje me barnat, Metroteksat, Acid Folinic (Leucovorin) dhe Mercaptopurina, bazuar në informacionin dhe aktet e administruara gjatë shqyrtimit të ankesës, rezultoi e provuar se, gjatë vitit 2020-2021, këto barna kanë qenë në mungesë dhe nuk janë ofruar për fëmijët me leucemi që trajtohen në Shërbimin e Onkohematologjisë.

Komisioneri ka vlerësuar se, veprimet dhe mosveprimet e ndërmarra nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza në cilësinë e ofruesit të kujdesit shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në cilësinë e autoritetit më të lartë shëndetësor, e cila ka detyrimin për të organizuar dhe mbikëqyrur ofrimin e kujdesit shëndetësor, nuk kanë qenë aspak efiçente dhe efikase, parime këto që duhet të udhëheqin ofrimin e kujdesit shëndetësor. Pavarësisht nevojës emergjente për sigurimin e këtyre barnave, mungesa e të cilave sjellë pasoja shumë të rënda në shëndetin e fëmijëve të cilët vuajnë nga leucemia.

Dështimi i procedurave të prokurimit për barna kaq thelbësore për të siguruar kujdesin shëndetësor të fëmijëve me leucemi, nuk mund të shërbejë si justifikim i aryeshëm për mungesën e barnave.
Mungesa e barnave dhe pamundësia për sigurimin e tyre nga ana e familjarëve ose prindërve të fëmijëve, për shkak të gjendjes ekonomike, potencialisht ka prekur në mënyrë disproporcionale fëmijët që vijnë nga familje të varfra apo në gjendje jo të mirë ekonomike.

Leucemia është një sëmundje e rëndë e gjakut, e njohur ndryshe edhe si kanceri ose tumori i gjakut dhe konsiderohet si një nga sëmundjet e rënda të gjakut. Nga informacioni dhe aktet e administruara, rezultoi e provuar mungesa e barnave të nevojshëm për trajtimin e fëmijëve me leucemi, të cilët trajtohen në Shërbimin e Onkohematologjisë Pediatrike në QSUNT.

Burimi: Shoqata Together for Life

Read more

Auditohet spitali rajonal i Vlorës, mangësi në zbatimin e procedurave të prokurimit, dëme ekonomike dhe dokumentim formal i ngjarjeve

Spitali Rajonal Vlorë

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në kuadër të përmbushjes së funksionit të tij Kushtetues, zbatimit të Udhëzimeve dhe Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit (INTOSAI), sipas Programit të Auditimit nr.148/1, datë 28.01.2021, për periudhën nga 01.04.2017 deri më 31.01.2021 ushtroi auditim përputhshmërie në Spitalin Rajonal Vlorë.

Në përfundim, grupi i auditimit  konkludoi në një “opinion të kualifikuar të përputhshmërisë me theksim të çështjes”, si për aspektin financiar ashtu për aspektin e përputhshmërisë.

Institucioni për periudhën nën auditim paraqet të meta dhe mangësi në disa prej drejtimeve të veprimtarisë, të cilat lidhen kryesisht me veprimet dhe mosveprimet e administratës së Spitalit, nga të cilat janë konstatuar dëme ekonomike në vlerën prej 990,722 lekë dhe efekt financiar negativ në vlerën 198,853,808 lekë. Efektet e mësipërme konstatohen kryesisht në zbatimin e procedurave të prokurimit publik, mos ndërmarrja e veprimeve për të shmangur çështjet gjyqësore dhe mos likuidimi në kohë i tyre, mos ndjekja me rigorozitet e zbatimit të kontratave, mungesat e raportimeve periodike, etj.

Ndërkohë, mangësi të karakterit organizativ vihen re në përcaktimin e kritereve të kualifikimit jashtë objektit të prokurimit, mos kualifikimi i duhur i operatorëve ekonomik fitues referuar kritereve të përcaktuara, mos përdorimi dhe dokumentimi me rigorozitet i lëvizjeve brenda farmacisë dhe mos rakordimi mes përgjegjësve për këtë çështje. Shpesh proceset dhe dokumentimi i ngjarjeve bëhet në mënyrë formale, pa i kushtuar rëndësinë e duhur një detyrimi të tillë, i cili pasohet me efekte organizative apo financiare. Gjithashtu konstatohet se ka paqartësi në funksionet dhe kompetencat e strukturave drejtuese.

Me Vendimin nr.152, datë 11.10.2021 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar raporti përfundimtar, ku janë rekomanduar: 1 propozim për ndryshime apo përmirësime të kuadrit ligjor në fuqi; 47 masa organizative; 2 masa për shpërblim dëmi dhe 4 masa për eliminimin e efekteve negative financiare.

Për më hollësisht, mbi sa trajtuar më sipër, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm:

https://panel.klsh.org.al/storage/phpZDK270.pdf

Read more

Përse u ndërpre kryerja e transplanteve në QSUT, Xhani: Ka shumë pikëpyetje, i kemi të gjitha kapacitetet

Prof. Mustafa Xhani, urolog

Paketa e Transplantit Renal dhe paketa e Terapisë së Flakjes Akute të Veshkës mbulohen nga institucionet shëndetësore jopublike të kontraktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Sipas raportit vjetor të këtij institucioni për periudhën Janar – Dhjetor 2020, janë kryer gjithsej 10 transplante dhe 2 proçedura Terapi të Flakjes Akute të Veshkës. Paketa e transplantit të veshkave është njëra prej ndërhyrjeve më të kushtueshme ku është përllogaritur të ketë një kosto prej 1.2 mln lekë të reja ose 10 mijë euro për çdo ndërhyrje.

Themelet për kryerjen e transplanteve të veshkave në Shqipëri, në institucionet publike, u hodhën në vitin 2006, kohë kur nisi krijimi i infrastrukturës për realizimin e transplanteve në vendin tonë. Falë një investimi mbi 1 mln euro u ngrit salla me të gjitha parametrat, u specializuan stafet dhe u premtua se transplanti do të ishte një rutinë për QSUT-në me afërsisht 20 raste në vit. Ndërkohë në listë pritje ishin rreth 500 pacientë. Paradoksalisht sallës së transplanteve në QSUT, që ishte teknologji e fundit, iu vu kyçi. Aktualisht tranplanti i veshkës ofrohet vetëm nga spitalet private.

Pikëpyetjet për mosrealizimin e transplanteve në institucionet publike, kanë mbetur pa zgjidhje pasi asnjë përfaqësues i institucioneve shëndetësore nuk prononcohet për të dhënë përgjigje.

Në një speciale të realizuar nga Top Story, mjeku i njohur Mustafa Xhani,  i cili ka drejtuar për vite të tëra shërbimin e urologjisë, ku edhe u vendos salla e tranplanteve, shprehet se ende nuk e ka të qartë se përse u ndërprenë transplantet në QSUT.

 “Unë kam shkuar vetë tek drejtoresha që tani është edhe ministre e shëndetësisë dhe i kam thënë që ne i kemi kapacitet për ta bërë këtë ndërhyrje, ndoshta jo 20 por 10-12 në vit ne mund ti realizonim, por asgjë’ u shpreh doktori Mustafa Xhani, urolog

Sipas tij QSUT e ka të gjithë infrastrukturën dhe kapacitetet për të realizuar këtë ndërhyrje kaq delikate, por e gjitha është çështje vullneti.

Unë e kam ende një pikëpyetje se përse kjo ndërhyrje nuk realizohet në QSUT. Lekët janë hedhur, stafi është trajnuar” u shpreh Mustafa Xhani, urolog

Ironikisht në vitin 2019, teksa inspektonte aparaturat e reja të hemodializës në QSUT, Ministrja Ogerta Manastrilliu riktheu sërish premtimin për transplantin e veshkës në QSUT, por deri më tani asgjë nuk është bërë.

Maqedonia e bën transplantin rutinë. Pse të mos e bëjmë ne? Jemi më pak të Zotë? Jo!”, thotë Prof. Mustafa Xhani

Read more

Pandemia dhe shëndetësia: Covid-19 “largoi” qytetarët nga spitale, synohet zbutja e këtij hendeku

Eglantina Bardhi, drejtore ekzekutive e Shoqatës Together for Life

Pandemia zgjeroi distancën mes qytetarëve dhe kujdesit shëndetësor. Përqendrimi i institucioneve kryesisht te menaxhimi i Covid-19 bëri që shumë pacientë të detyroheshin të shkëputeshin nga nevoja për trajtim.

Problematika, efektet e së cilës janë afatgjata pranohet edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Në dokumentin e publikuar, institucioni më i lartë shëndetësor angazhohet të zbusë hendeqet e krijuara mes pacientëve dhe kujdesit shëndetësor përmes një serie reformash të shtrira në tri vite, reforma qe vlerësohen të nevojshme dhe nga studiues te fushës së shëndetësisë.

Ne parashikimet e autoriteteve shëndetësore llogaritet qe brenda vitit 2025 të përfundojë testimi dhe modernizimi i rrjetit laboratorik publik në 10 spitale rajonale dhe bashkiake, të rriten kapacitet diagnostikuese. Po ashtu sistemit pritet t’i vijë në ndihmë edhe ngritja e tre Qendrave Rajonale të Ekselencës për ofrimin e kujdesit mbi sëmundjet akute ishemike.

“Për fat të keq sistemi parësor nuk ishte shumë efektiv ndaj pacientëve. Pacientët rendën pas Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza. Sistemi shëndetësor vuan nga mungesa e personelit shëndetësor, veccanërisht në spitalet rajonale”, u shpreh Eglantina Bardhi drejtore e shoqatës Together for Life, që ka ndjekur zhvillimet në sistemin shëndetësor përgjatë gjithë periudhës së pandemisë.

Qeveria duhet të ngrejë në mënyrë emergjente programe, për të parë mundësinë e rikthimit të mjekëve që janë larguar drejt Gjermanisë, apo në vendet e tjera të Europës. Imagjinoni një spital rajonal pa anestezist!”, përmbylli Bardhi.

Shoqata Together for life aktualisht po punon për nxjerrjen e raporteve që do të hedhin dritë mbi pasojat ekonomike që covid-19 pati dhe do të ketë në afatgjatë në sistemin shëndetësor.

Read more
sqAlbanian