denonco@transparency.com.al

Lajme

Qytetarët për transparencë: Kundër korrupsionit në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri

Në kuadër të iniciativës “Qytetarët për Transparencë: Kundër Korrupsionit në Sektorin e Shëndetësisë”, grant i dhënë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, mbështetur  financiarisht nga Bashkimi Evropian, Shoqata Together for Life organizoi një forum me qytetarët në qytetin e Elbasanit, si pjesë e një procesi gjithëpërfshirës për fuqizimin e zërit të komunitetit në luftën kundër korrupsionit ne sektorin e shëndetësisë.

Interesit për të marrë pjesë në forum iu bashkuan qytetarë të ndryshëm, përfaqësues të grupeve vulnerabël dhe anëtarë të komuniteteve të margjinalizuara, të cilët patën mundësinë të ndanin përjetimet e trye personale lidhur me sfidat e korrupsionit në sektorin e shëndetësisë. Ata përcollën  shqetësime mbi mungesën e transparencës dhe padrejtësitë në aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore si dhe referuan ide të ndryshme për instrumentalizimin e mekanizmave të llogaridhënies dhe monitorimit publik.

Qytetarët referuan se, në disa raste, nuk kanë marrë shërbimin mjekësor të nevojshëm pa dhënë më parë ryshfet, ose në disa raste janë orientuar në klinika private ose në farmacitë me të cilat mjekët e spitalit kanë marrëveshje. Njëkohësisht u referua se proceset burokratike të përfitimit të shërbimeve mjekësore, përbëjnë shkak për demoralizimin e tyre për t’iu drejtuar institucioneve shëndetësore. 

Nga ana e përfaqësuesve të TFL, u prezantuan gjithashtu gjetjet kryesore nga raporti mbi perceptimin e publikut për korrupsionin në sektorin e shëndetësisë duke referuar kështu edhe mënyrat konkrete të raportimit të abuzimeve.

Një ndër pikat kyçe të këtij takimi, ishte promovimi i platformës  www.transparency.com.al, një mjet online i thjeshtë dhe i sigurt për denoncimin anonim të rasteve korruptive. Pas referimit të kësaj platforme e cila mundëson trajtimin e ankesave për rastet e korrupsionit, në mënyrë të shpejtë, efikase, të paanshme dhe të pavaruar, u vu re një interes i shtuar për përdorimin e saj. Për rrjedhojë, stafi i TFL, asistoi një qytetare në plotësimin e një ankese online e cila do të trajtohet nga stafi përgjegjës, në mënyrën e duhur dhe brenda një afati të arsyeshëm.

Disclaimer:

Ky aktivitet u organizua në kuadër të iniciativës “Qytetarët për Transparencë: Kundër Korrupsionit në Sektorin e Shëndetësisë”, grant i dhënë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, financuar nga Bashkimi Evropian. Përgjegjësia për përmbajtjen dhe diskutimet i takon vetëm Together for Life dhe pjesëmarrësve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH)-së apo partnerëve të projektit.

Read more

Qasje e barabartë në kujdes shëndetësor: Roli i Parlamentit institucioneve qendrore dhe lokale

Në qytetin e Elbasanit u organizua një forum gjithëpërfshirës me fokus politikat shëndetësore dhe përgjegjësitë e institucioneve për garantimin e aksesit të barabartë në shërbime cilësore për të gjithë qytetarët. Në këtë aktivitet morën pjesë znj. Zheni Gjergji, deputete e Kuvendit të Shqipërisë për qarkun e Elbasanit dhe njëherazi Kryetare e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, përfaqësues të pushtetit vendor, si edhe studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave Mjekësore të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.

Diskutimet në forum u përqendruan në sfidat aktuale me të cilat përballet sistemi shëndetësor në vend, në kontekstin e mungesës së një buxheti të denjë dhe të përshtatshëm për nevojat e sektorit.

“Shëndetësia është një nga sektorët më të rëndësishëm dhe për përmirësimin e të cilit duhet të angazhohemi të gjithë, përtej bindjeve dhe qëndrimeve politike,” u shpreh znj. Gjergji në fjalën e saj, duke vënë theksin te nevoja për konsensus dhe përgjegjësi të përbashkët institucionale dhe qytetare.

Deputetja Gjergji u ndal gjithashtu tek situata aktuale e sistemit shëndetësor, duke nënvizuar se buxheti nën 3% të GDP-së, më i ulëti në Rajon, ka sjellë pasoja serioze si mungesa e investimeve në infrastrukturën spitalore dhe pajisjet mjekësore, çka ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve ndaj pacientëve.

Të pranishmit ndanë shembuj konkretë nga zona të ndryshme të Elbasanit, ku qendrat shëndetësore rurale janë të painvestuara, mungon stafi mjekësor dhe pajisjet bazë, duke detyruar banorët të udhëtojnë drejt qytetit për të marrë shërbime shëndetësore, një kosto shtesë për familjet dhe shpesh një vonesë kritike për trajtimin shëndetësor.

Studentët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore ngritën pyetje dhe kërkuan informacion më të thelluar mbi politikat publike në fushën e shëndetësisë, rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve qendrore dhe vendore në hartimin dhe zbatimin e këtyre politikave, si dhe përfshirjen e të rinjve profesionistë në proceset vendimmarrëse.

Forumi i organizuar nga shoqata Together for Life (TFL), me mbeshtetjen e National Endowment for Democracy – NED, shërbeu si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të dialogut ndërmjet institucioneve dhe komunitetit, duke theksuar nevojën për një sistem shëndetësor më të përgjegjshëm, të aksesueshëm dhe me cilësi për çdo qytetar, pavarësisht vendbanimit apo statusit socio-ekonomik

Read more

KORRUPSIONI QË VRET NË HESHTJE – Historia e një sistemi që nuk funksionon

Korrupsioni është ndër plagët më të rënda që po e gërryen shoqërinë shqiptare, duke ndikuar thellësisht në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve publike. Nga sistemi i drejtësisë te tenderat publikë, nga arsimi te shërbimet shëndetësore, perceptimi i publikut se për të marrë një shërbim duhet të paguash nën dorë është i përhapur. Edhe pse korrupsioni ka prekur shumë sektorë, sektori i shëndetësisë mbetet një ndër më të ndjeshmet, jo vetëm sepse lidhet drejtpërdrejt me shëndetin dhe jetën e njeriut, por para së gjithash pasi ai është një nga sektorët ku qytetarët përballen më shpesh dhe më personalisht me shërbimet publike.

Një studim me pjesëmarrjen e 1000 qytetarëve nga të gjitha qarqet e vendit, realizuar nga shoqata Together for Life, ofron një tablo të zymtë të realitetit: korrupsioni në sistemin shëndetësor nuk perceptohet si një fenomen i rastësishëm, por si një pjesë e përditshmërisë, sistematike, e rrënjosur dhe e pranuar. Vetë qytetarët nuk e shohin më ryshfetin si një devijim, por si një “rregull të pashkruar” por që duhet të ndiqet për të siguruar një shërbim që duhet ta përfitosh falas.

FENOMENI SI SIMPTOMË E NJË SISTEMI QË NUK FUNKSIONON

Tetë në dhjetë qytetarë shqiptarë besojnë se sistemi shëndetësor publik është i korruptuar, një përqindje tronditëse që nuk mund të reduktohet vetëm në “perceptim”, por që pasqyron përvojat e drejtpërdrejta të individëve apo të afërmve të tyre me një nga hallkat e këtij sistemi. Kjo shifër dëshmon për një krizë të thellë besimi dhe për mungesën e ndjeshme të barazisë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore publike në Shqipëri.

Veçanërisht shqetësuese është që ky perceptim është konstant në të gjitha grupmoshat dhe në të dyja gjinitë, duke arritur nivelin më të lartë (85%) te grupmosha 35–54 vjeç, e cila është njëkohësisht edhe grupi që përbën bazën më aktive të përdoruesve të sistemit. Kjo tregon se korrupsioni nuk është një përjashtim, por një përvojë e përsëritur dhe e përhapur, që ndikon drejtpërdrejt në aksesin, barazinë dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor.

Korrupsioni është I përhapur në të gjithë sistemin dhe ka prekur të gjitha nivelet e sektorit të shëndetësisë, megjithatë në disa nivele dhe institucione konstatohet një nivel më I lartë korrupsioni. Spitalet universitare dhe rajonale perceptohen nga publiku si qendrat kryesore të përhapjes së korrupsionit në shërbimet shëndetësore. Mbi 80% e qytetarëve të pyetur mendojnë se spitalet universitare janë “shumë të prekura”, ndërsa 76% thonë të njëjtën gjë për spitalet rajonale. Ky perceptim reflekton nivelin e lartë të varësisë nga pagesat informale të pacientëve në raste të rënda, mungesën e alternativave për marrjen e shërbimeve pa pagesë, si dhe përvojat e përditshme me abuzime të pushtetit profesional.

Megjithatë, edhe në nivelet më të ulëta, si spitalet bashkiake, qendrat e specialiteteve dhe qendrat shëndetësore, perceptimi për korrupsion mbetet i pranishëm, ndonëse më i ulët. Vetëm 7% e të anketuarve mendojnë se qendrat shëndetësore nuk janë aspak të prekura nga korrupsioni, një tregues se edhe instancat më bazike të sistemit nuk gëzojnë besim të plotë.

Korrupsioni në sistemin shëndetësor manifestohet në shumë forma, nga ryshfeti për shërbime që në teori janë falas, tek vonesat e qëllimshme për të nxitur pagesa informale, përzgjedhja preferenciale e pacientëve në bazë të lidhjeve personale ose ndikimit, dhe deri te praktika abuzive në furnizimin me barna apo pajisje. Këto forma dëmtojnë drejtpërdrejt cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe zbehin parimet themelore të barazisë dhe drejtësisë sociale.

Në një sistem ku qytetarët duhet të paguajnë “nën dorë” për të marrë një shërbim bazë, ndodh një zhvendosje e qartë nga koncepti i shërbimit publik drejt një modeli klientelist, ku kujdesi shëndetësor trajtohet si një mall që blihet dhe jo si një e drejtë themelore. Kjo jo vetëm që minon profesionalizmin dhe etikën e stafit shëndetësor, por gjithashtu ul ndjeshëm cilësinë e përgjithshme të kujdesit, sepse përparësi nuk ka më nevoja mjekësore, por aftësia për të paguar apo për të ndërhyrë.

KORRUPSIONI THELLON PABARAZITË DHE RREZIKON JETËN E MË TË PAMBROJTURVE

Efektet e korrupsionit në sistemin shëndetësor nuk janë neutrale dhe nuk prekin të gjithë në mënyrë të njëjtë. Përkundrazi, ato godasin më rëndë pikërisht ata individë dhe komunitete që ndodhen në pozita të pafavorshme ekonomike, sociale apo gjeografike. Të moshuarit me pensione minimale, familjet me të ardhura të ulëta, banorët e zonave të thella rurale, personat me aftësi të kufizuara dhe gratë kryefamiljare përballen me pengesa të shumëfishta kur kërkojnë të marrin shërbime shëndetësore bazë. Për këta qytetarë, një pagesë informale ose një refuzim i heshtur i shërbimit mund të mos jetë thjesht një padrejtësi, por një çështje jete a vdekjeje.

Një e moshuar që frekuenton një qendër ditore sociale në Tiranë rrëfen historinë tronditëse të një shoqeje të saj:

“Shoqja jonë humbi jetën para disa muajsh, sepse nuk kishte para të paguante për të vendosur stentë në zemër. Nuk e mori asnjë mjek përsipër në QSUT. E kuptuan se ajo nuk kishte as mundësi të paguante dhe nuk kishte askënd të kujdesej për të. Ishte vetëm 67 vjeç.”

Kjo dëshmi e dhimbshme nuk është e vetme. Në shumë raste, vendimet për trajtim mjekësor, urgjencë apo vëmendje më të madhe varen më shumë nga aftësia për të paguar “nën dorë” sesa nga gjendja klinike e pacientit. Kur mungon mbështetja financiare apo njohjet personale, pacientët rrezikojnë të injorohen, të shtyhen në radhë ose të mbeten pa trajtim adekuat.

Për më tepër, shumë individë nga grupet më të rrezikuara nuk kanë njohuritë, fuqinë apo mjetet institucionale për të ngritur zërin, për të raportuar ose për të kërkuar drejtësi. Frika nga hakmarrja, mungesa e besimit tek autoritetet dhe paaftësia për të naviguar një sistem burokratik dhe shpesh armiqësor i bën ata të heshtin dhe të pranojnë fatin. Një familjar pacienti në Spitalin Onkologjik e shpreh qartë këtë realitet:

“Sigurisht që paguajmë sa herë vijmë këtu. Nuk flasim. Nuk ankohemi. Ku të ankohemi? Përsëri këtu do të përplasemi për të marrë shërbim.”

Ky fatalizëm dhe pasivitet i detyruar nuk janë produkt i mungesës së vullnetit, por i një kulture të përhapur mosbesimi, ku çdo përpjekje për të kërkuar ndihmë perceptohet si e kotë ose edhe e rrezikshme. Kjo gjendje krijon një cikël të mbyllur padrejtësie dhe përjashtimi, ku korrupsioni riprodhon vetveten dhe sistemi largohet gjithnjë e më shumë nga ata që kanë më shumë nevojë për të.

Në këtë kontekst, korrupsioni nuk mund të shihet vetëm si një çështje morale apo ligjore – ai është një faktor që amplifikon ndarjen sociale, duke ndarë popullsinë në ata që “munden” dhe ata që “nuk munden”. Shëndetësia, që në thelb duhet të jetë një e drejtë universale dhe një instrument barazie, shndërrohet në një mjet që forcon privilegjet dhe thellon pabarazitë. Ata që kanë para, lidhje ose ndikim, marrin kujdes më të mirë dhe më të shpejtë, ndërsa të tjerët mbeten në pritje, në heshtje, shpesh me pasoja fatale.

Ndaj, lufta kundër korrupsionit nuk është thjesht një përpjekje për të vendosur rregull në administratë – është një betejë për dinjitetin dhe jetën e atyre që nuk kanë zë, dhe për të rikthyer qëllimin themelor të sistemit shëndetësor: kujdesin të barabartë për të gjithë qytetarët.

Disclaimer:Ky artikull është përgatitur nga Together For Life në kuadër të projektit “Qytetarët për transparencë: Luftimi i korrupsionit në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, nën-granti i dhënë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), si pjesë e projektit “Shoqëria civile kundër korrupsionit, nga një sfidë vendase në një përgjigje Evropiane”, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Përgjegjësia për përmbajtjen i takon vetëm Together For Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH)-së apo partnerëve të projektit.”

Read more

Transplanti i veshkave në Shqipëri – një shërbim jetik që i është lënë peng sektorit privat

“Së shpejti, sëmundjet e veshkave do të zënë vendin e katërt si shkak vdekjeje për njeriun”, ngre alarmin mjeku nefrolog, Prof. Dr.Alket Karoshi.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit rreth 1.2 milionë njerëz në mbarë botën humbin jetën si pasojë e drejtpërdrejtë e sëmundjes kronike të veshkave. Deri në vitin 2040, kjo shifër pritet të rritet në 4 milionë, duke përfaqësuar më shumë se trefishim të numrit të vdekjeve të lidhura me këtë sëmundje.

Veshkat konsiderohen si organe jetësore në trupin e njeriut, që kryejnë funksione thelbësore për mirëfunksionimin e tij. Veshkat janë përgjegjëse për filtrimin e gjakut dhe largimin e mbetjeve toksike përmes urinës, rregullimin e balancës së lëngjeve dhe elektroliteve, kontrollin e tensionit të gjakut, prodhimin e eritropoetinës që stimulon krijimin e qelizave të kuqe të gjakut, si dhe aktivizimin e vitaminës D për përthithjen e kalciumit. Në rast të dëmtimit të rëndë të veshkave, këto funksione jetike dështojnë dhe organizmi nuk arrin të pastrojë vetë gjakun, duke çuar në grumbullimin e toksinave dhe lëngjeve në trup. Në këto raste, pacienti ka nevojë për dializë, një trajtim mjekësor që zëvendëson përkohësisht funksionin e veshkave duke kryer filtrimin e gjakut jashtë trupit. Dializa është thelbësore për mbijetesën e pacientëve me pamjaftueshmëri të rëndë renale.

Për herë të parë shërbimi i dializës në Shqipëri është ofruar që në vitin e largët 1985. Prof. Dr.Alket Koroshi kujton se për herë të parë, së bashku me kolegun Prof.Dr. Myftar Barbullushi, ngritën në vitin 1985 Qendrën e Hemodializës në spitalin civil “Nënë Tereza”, pas specializimit të kryer në Itali. “E ngritëm në një terren të panjohur, sepse ne nuk kishim as infermierë të kualifikuar, as inxhinierë, as teknikë që të mirëmbante skedat teknike të aparaturës së hemodializës”, tregon doktor Koroshi. “Ngritëm një qendër hemodialize me tre aparatura dhe 12 pacientë dhe ky ishte një sukses i madh për atë kohë, sepse kjo ishte zanafilla që çoi në krijimin e një eksperiencë dhe u përgatiten mjekët më të rinj, duke bërë të mundur të hapen pas disa vitesh shumë qendra hemodialize në vendin tonë dhe praktikisht në çdo qytet kemi nga një qendër hemodialize sot.”

Sot në Shqipëri janë 1,477 pacientë që trajtohen me hemodializë çdo muaj, të cilët, mes zhurmës së aparaturave presin në heshtje një transplant që do u shpëtonte jetën. Por shpresa për ta është minimale, pasi ky shërbim nuk është funksional në sistemin e shëndetit publik, në Shqipëri.

Sëmundjet e veshkave: Një kërcënim i heshtur që prek cilësinë e jetës

Sëmundjet e veshkave janë në rritje në mbarë botën dhe mbeten një alarm për shëndetin publik. Një epidemi e qetë që po përhapet, ndërkohë ndërgjegjësimi për pasojat mbetet i ulët.

Për mjekun Koroshi: “Sëmundjet e veshkave janë shumë të përhapura, por shumica e njerëzve që vuajnë nga sëmundja e veshkave, nuk e dinë, sepse nuk kanë bërë asnjë ekzaminim. Për të konstatuar, që një individ ka sëmundje të veshkave mjafton që të analizën e keratinemisë në gjak dhe një analizë urine, sepse veshkat mund të preken nga sëmundjet metabolike si diabeti dhe pikërisht diabeti është shkaku kryesor i sëmundjeve të veshkave. Në qendrat e dializës rezulton se gjysma e pacientëve janë diabetikë. Gjithashtu, hipertensioni arterial, sëmundjet kardiovaskulare, infeksionet, sëmundejet që bllokojnë rrugët urinare, siç janë gurët,(neuropatitë obstruktive), sëmundjet e trashëguara të veshkave (veshka policistike , sëmundjet imulogjike, mbeten kërcënim për veshkat.”

Insuficienca renale, që në popull njihet si sëmundja e azotemisë është një sëmundje që në stadet e para trajtohet me terapi medikamentoze dhe në stadin e pestë trajtohet me dializë ose me kryerjen e transplantit renal. Shumë pacientë kryejnë dializën për një periudhë të gjatë kohore me intervale të caktuara zakonisht me regjim 3 herë në javë kohëzgjatje 4 orë deri në fund të jetës së tyre.

Hemodializa është shumë e mirë, por e mban pacientin lidhur dhe shpesh është vetëm një zgjidhje provizore dhe jo-afatgjatë për ata me dështim të veshkave. Sa më gjatë merr trajtim me hemodializë aq më i lartë është rreziku i ndërlikimeve të tjera shëndetësore përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, infeksionet dhe përkeqësimin e cilësisë së jetës.

Shërbimi i hemodializës financohet nga buxheti i shtetit dhe ofrohet si në sistemin publik nëpërmjet QSUNT dhe spitaleve rajonale ne të gjithë vendin, ashtu edhe atë privat nëpërmjet kontratës koncesionare të partneritetit publik-privat.

Bazuar në të dhënat e ofruara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vihet re se rreth 60% e pacientëve (874 pacientë) i kryejnë seancat e dializës në sektorin privat, ndërsa pjesa tjetër në sektorin publik.

Mjeku nefrolog Altin Koroshi analizon avantazhet dhe disavantazhet e tre mënyrave të trajtimit të problemeve të renda renale: “Hemodializa është shumë e mirë, por e mban pacientin lidhur. Një herë në dy-tre ditë duhet të shkosh në spital dhe të kryesh procedurën, që zgjat 4-5 orë, dhe të shoqërohesh nga një familjar. E gjithë familja mbetet e ngazhuar dhe pacienti ka jetesë jo -cilësore. Një zgjidhje tjetër është dializa peritoneale, ku pacienti nuk ka nevojë të shkojë në spital, si filtër shërben membrane peritoneale që ndodhet në bark. Këtë trajtim pacienti e merr në shtepi, por ka edhe mangësitë e veta, sepse mundësia e marrjes së një infeksioni është më e madhe dhe mund të krijohen komplikacione të tjera. Mënyra e tretë është transplanti, është më e mirë se dy të parat, sepse i sëmuri nuk e ka të nevojshme të shkojë në spital, por edhe jetëgjatësia dhe rikuperimi është më i mirë. Po të ndiqet mirë dhe me ilaçet e nevojshme mund të jetojë shumë vite dhe të jetë i aftë të kryejë nevojat e tij personale dhe te jete aktiv në shoqëri.”

Mundësia për një jetë të re, por jo për të gjithë

T.L (pacient): “Kur je në një listë pritjeje, ky është vendi më i keq, sepse rreziku rritet çdo ditë. Të fusin gjilpërat në krah dhe rri ulur në një karrige për katër orë. Kjo është rutina çdo dy ditë. Dhe kështu do të jetë, ndoshta deri në fund të jetës sime”

Mjekët nënvizojnë se hemodializa dhe transplanti i veshkave sigurojnë cilësi të ndryshme jetese, sidomos për femrat dhe moshat e reja që janë aktive. Një pacient i transplantuar merr një trajtim të vazhdueshëm prej 2-3 medikamentesh dhe mund të vazhdojë aktivitetin e tij normal. Sidomos për gratë në hemodializë është shumë e vështirë të planifikojnë shtatzëni, ndërkohë që pas kryerjes së trasplantit të veshkave një grua mund të sjellë në jetë fëmijë pa problem. 

Në vitet ’90, pas rënies së sistemit dhe hapjes së kufijve, shumë shqiptarë të dëshpëruar dhe të lënë pa zgjidhje, shqiptarët udhëtonin drejt Pakistanit për të blerë organe, kryesisht veshka. Veshkat ofroheshin nga njerëz që jetonin në varfëri ekstreme, kundrejt një pagese prej 2-3 mijë euro. Pacientët shqiptare pas sigurimit të organit në mënyrë të paligjshme dhe që shpesh bëheshin pre e grupeve kriminale ndërkombëtare, u nënshtroheshin ndërhyrjeve kirurgjikale të fshehta, të paligjshme dhe shpesh të rrezikshme. Disa prej atyre që kaluan nëpërmjet këtij kalvari ia arritën t’ia dilnin të mbijetonin. Të tjerë u mashtruan, u lanë rrugëve, e nuk u kthyen më.

Ndërtimi i një sistemi modern transplanti në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT) u reklamua me bujë në vitin 2005, por vrulli u shua shpejt.

Mjeku Koroshi sjell në kujdesë premtimin e bërë 20 vite më parë:“Në vitin 2005, qeveria nisi një iniciativë dhe krijoi një komision të përbërë nga 5-6 anëtarë, i cili do të kishte për detyrë kualifikimin e mjekëve dhe përgatitjen e terrenit dhe kushteve për realizimin e transplantit. Në fillim, ky proces nisi me shumë vrull, por më pas ky entuziazëm u shua në praktikë dhe përfundoi me një rezultat modest. “U mbars mali dhe polli një mi”, thotë populli. U realizua vetëm një transplant në Spitalin Civil “Nënë Tereza”, dhe ai u krye nga një ekip me mjekë turq. Në vitin pasardhës u krye një tjetër ndërhyrje, por iniciativa e transplantit nuk arriti të zhvillohej siç ishte planifikuar.”

Pas 20 vitesh, asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim. Transplanti i veshkave nuk ofrohet ende në sistemin publik ndërsa, kohë pas kohe, institucionet përgjegjëse i rikthehen premtimit të dikurshëm që vazhdon të mbetet veçse premtim.

Aktualisht transplanti i veshkës ofrohet vetëm nga spitalet private pas aplikimit të një pakete shëndetësore në vitin 2015, që mbulon 100% të kostos së ndërhyrjes kirurgjikale nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).

Ky shërbim ofrohet që prej nëntorit të vitit 2007 në Spitalin Amerikan nga ekipe me mjek turq dhe shqiptarë, dhe prej 2007-ës e deri më tani në këtë spital janë kryer rreth 250 transplante renale.

Paketa e shërbimit të transplantit të veshkës (me dhurues të gjallë) e mbuluar nga shteti përfshin ekzaminimet para transplantit si për marrësin edhe për dhuruesin si analizat biokimike, imunologjike, markuesit tumoralë, dhe imazheri virologjike. Po ashtu është miratuar dhe zbatohet edhe një protokoll i ndjekjes së pacientit pas kryerjes së transplantin që përfshin ekzaminimet për marrësin e dhuruesin, si dhe terapinë e induksionit dhe imunosupresoret (dozimi në gjak) vetëm për marrësin .

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale përgjigjen e dhënë ndaj kërkesës për informacion drejtuar në kuadër të përgatitjes së këtij shkrimi ka informuar se: “Në vitin 2024 nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor janë financuar të gjithë pacientët që plotësonin kriteret mjekësore, sipas protokollit mjekësor për të kryer transplantin. Në vitin 2024 janë realizuar në spitalet e kontraktuara nga Fondi dhe financuar 14 Paketa të Transplantit të Veshkës.”

Pra, gjatë vitit 2024 janë realizuar vetëm 14 transplante të veshkave, nga 26 të planifikuara në fillim të vitit, duke përmbushur kështu vetëm gjysmën e objektivit, dhe Ministria nuk ofron ndonjë sqarim për këtë fakt. Këto ndërhyrje janë kryer falas për pacientët në spitalet private të kontraktuara nga Fondi.

Sipas ligj nr.10454, dhurimi i veshkave lejohet kryesisht nga familjarë të afërt të pacientit, gjë që kufizon ndjeshëm bazën e dhuruesve të mundshëm. Në Shqipëri deri tani është kryer transplanti vetëm me dhurues të gjallë, të cilët kanë lidhje familjare me pacientin siç janë prindër, kushërinj të parë apo të dytë. Por, përveç dhuruesve me lidhje gjaku transplanti kryhet edhe midis bashkëshortëve, dhe vjehrrit/vjehrrës.

Doktor Koroshi sqaron se“si nëEuropë, ashtu edhe në SHBA, procedura kryesore mbetet hemodializa, sepse gjithmonë ai që do të kryejë transplantin ka nevojë për veshkë dhe ka vështirësi për gjetjen e organit. Tek ne dhurues mund të jenë vetëm të afërmit dhe dikush jo-familjar nuk mund t’i japë apo shesë veshkën dikujt. Shitja e veshkës është e ndaluar edhe në Europë. Këtu vështirësohet, pasi njeriu duhet ta dhurojë veshkën me vullnetin e plotë dhe nuk mund ta imponosh.”

Përveç vështirësisë për sigurimin e dhuruesve, mjekët thonë se ende qytetarët mendojnë se transplanti i veshkës kushton shumë dhe ende nuk janë të informuar se mund të kryhet falas edhe në Shqipëri.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale , Paketa e transplantit të veshkës paguhet sipas mënyrës “Pay per Use” dhe kostoja e saj shkon në vlerën 1,151,942 lekë (miratuar me VKM Nr.102 datë 05.02.2020). Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor ka detyrimin të mbulojë shpenzimet e plota, për çdo pacient që kryen transplantin e veshkës gjatë një viti buxhetor, pasi ka plotësuar kriteret mjekësore të përcaktuara në protokollin mjekësor.

Transplanti i veshkave nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e një organi të ri, po mbi të gjitha ka të bëjë me marrjen e një mundësie për një jetë të re, ku nga statistikat rezulton se personi që ka kryer transplant ka 90% mundësi për të punuar një vit pas operacionit.

Transplanti i veshkës nuk është thjesht një ndërhyrje mjekësore – është një mundësi për jetesë me dinjitet dhe pjesëmarrje aktive në shoqëri. Megjithatë, ky shërbim jetik vijon të mbetet i kufizuar, i centralizuar në sektorin privat dhe jashtë kapaciteteve të sistemit shëndetësor publik. Për aq kohë sa premtimet institucionale nuk përkthehen në zgjidhje konkrete, pacientët shqiptarë do të mbeten peng i listave të pritjes, pasigurisë dhe shpesh, i vuajtjeve të panevojshme. Ndërtimi i një sistemi funksional dhe të qëndrueshëm të transplantit të veshkave në spitalet publike është jo vetëm një domosdoshmëri mjekësore, por edhe një provë e vërtetë e përgjegjshmërisë shtetërore.

Read more

Historia e koncesionarit të Check-Up, një model që duhet refuzuar

Kontrata që dha garanci për fitimet e privatit dhe barrën e detyrimeve ia ngarkoi shtetit

Kontrata për ofrimin e shërbimit të kontrollit mjekësor bazë (Check-Up) është një nga rastet më të debatueshme të përdorimit të modelit të Partneritetit Publik Privat në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri. E promovuar fillimisht si një ndërhyrje e domosdoshme që do të kishte efekt të menjëhershmen dhe afatgjatë në përmirësimin e aksesit në shërbimet parandaluese, në vitin e dhjetë të implementimit askush nuk dyshon më qe kontrata ka prodhuar efektin e kundërt duke rezultuar me kosto shumë të larta dhe të pajustifikuara, me mungesë totale transparence si dhe ekspozim të lartë të buxhetit të shtetit ndaj riskut financiar.

Një proces i drejtuar pa analizë dhe jashtë kornizës ligjore

Problemet me këtë koncesion kanë filluar që në mënyrën se si është ndërtuar dhe zbatuar procedura për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit mjekësor bazë. Pavarësisht se ligji për koncesionet (Ligji nr. 125/2013) e përcakton qartë se çdo vendimmarrje për ndjekjen e modelit të partneritetit publik-privat duhet të bazohet në një studim fizibiliteti të plotë, i cili përfshin domosdoshmërisht krahasimin ndërmjet modelit PPP dhe prokurimit tradicional publik, autoriteti kontraktues, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e anashkaloi këtë kërkesë ligjore themelore. Krahasimi duhej të kishte vlerësuar se cili model ishte më i favorshëm për shtetin shqiptar në aspektin financiar, operacional dhe afatgjatë. Në vend të një analize të tillë, që do të kishte mundësuar një vendimmarrje të argumentuar, u parapëlqye një qasje e shpejtuar dhe jotransparente, në të cilën që në fillim ishte e paracaktuar që shërbimi do të ofrohej përmes një kontrate koncesionare, madje ky vendim ishte marrë edhe përpara hartimit të vetë studimit të fizibilitetit.

Dokumenti i konsideruar si Studim Fizibiliteti nuk përmban as analizë ekonomike gjithëpërfshirëse dhe as një model krahasues të bazuar në të dhëna statistikore, tregues të vlerës së parasë (value for money), qëndrueshmëri buxhetore apo risk financiar. Ai paraqitet më shumë si një manual për mënyrën e ofrimit të shërbimit, me përshkrime operative dhe teknike, sesa si një dokument i mirëfilltë vlerësimi i modelit të partneritetit, siç kërkohet nga ligji.

Në thelb, mungesa e një studimi të mirëfilltë të fizibilitetit dhe anashkalimi i krahasimit me prokurimin publik, e kthyen këtë projekt nga një mundësi për modernizim të shërbimeve shëndetësore në një model joefikas dhe të padrejtë të menaxhimit të fondeve publike, me pasoja të drejtpërdrejta për financat shtetërore dhe cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.

Mungesë konkurrencë reale dhe përzgjedhje e dyshimtë e fituesit

Po ashtu, janë evidentuar shkelje të rënda në procedurat për përzgjedhjen e operatorit fitues. Afati i njoftimit i zbatuar për dorëzimin e ofertave ishte vetëm 26 ditë, ndërkohë që ligji përcakton një afat minimal prej 52 ditësh për procedura të tilla me vlerë të lartë. Ky reduktim i afatit ligjor jo vetëm që kufizoi pjesëmarrjen, por ngushtoi artificialisht garën dhe i dha avantazh konkurrues operatorëve të informuar më herët ose të parapërzgjedhur.

Nga pesë ofertues që morën pjesë në procedurë, Autoriteti Kontraktues zgjodhi operatorin që kishte ofruar një çmim më të lartë për njësi (1,537 lekë) dhe mbulim më të kufizuar gjeografikisht, në krahasim me ofertuesin e dytë në renditje që kishte një çmim më të ulët (1,299 lekë), rrjet më të gjerë laboratorësh (26 laboratorë kundrejt 20) dhe një vlerë shumë më të lartë të riinvestimit në pajisje.

Ekspertët theksojnë se vlerësimi është bërë me kritere të paqarta dhe të vendosura në mënyrë joobjektive, në kundërshtim me kërkesat e ligjit për përdorimin e kritereve të matshme dhe me peshë minimale 50% për çmimin.

Më shqetësuese në rastin e këti koncesioni ishte mungesa e përmbushjes së kritereve themelore ligjore nga operatori i shpallur fitues. Nga verifikimi i dokumentacionit ekspertët kanë vërejtur se asnjë nga kompanitë që përbëjnë bashkimin fitues (“Marketing & Distribution” dhe “Trimed”) nuk e kishte si objekt të aktivitetit të tyre ofrimin e shërbimeve laboratorike. Për më tepër, licenca për “shërbime laboratorike” ishte marrë vetëm dy ditë përpara hapjes së garës dhe përfshinte vetëm një pjesë të kufizuar të shërbimeve të parashikuara në kontratë, ndërsa shoqëria tjetër në bashkim, “Trimed”, zotëronte një licencë për tregtim të barnave me shumicë, e cila nuk kishte asnjë lidhje funksionale me objektin e kontratës koncesionare, që kishte në fokus kontrollin mjekësor dhe shërbimet laboratorike.

Autoriteti kontraktor nuk kërkoi nga operatori fitues as dokumente të domosdoshme si: përvojë të ngjashme në projekte të të njëjtës madhësi, listë personeli të kualifikuar, apo kapacitete teknike e operacionale – kërkesa minimale për çdo kontratë publike me ndikim të ndjeshëm në shëndetin publik dhe me vlera financiare kaq të larta. Mungesa e këtyre kritereve e bëri procesin të pambështetur në ligj dhe krijoi hapësirë për përzgjedhje arbitrare dhe favorizuese.

Në mënyrë paradoksale, ndonëse ofertuesi i renditur i dytë kishte përmbushur më mirë shumicën e kritereve të vlerësimit, përfshirë aspektin ekonomik dhe teknik, ai u skualifikua duke i hapur rrugë një fituesi me çmim më të lartë, kapacitete më të dobëta dhe licenca të papërshtatshme. Kështu procedura e ndjekur në rastin e koncesionit të check-up cenoi rëndë parimin e konkurrencës së ndershme, transparencës dhe përdorimit efikas të fondeve publike, duke e kthyer një kontratë me pretendim për përmirësim të shëndetësisë në një rast tipik të vendimmarrjes së njëanshme, të pambështetur në analiza profesionale dhe në shpërfillje të qartë të ligjit.

Kontrata që garantoi fitimin për privatin dhe që rreziqet ia ngarkoi shtetit

Një ndër aspektet më të diskutueshme të kontratës së koncesionit për shërbimin e Check-Up është mekanizmi i garancisë së fitimit për operatorin privat, i cili në mënyrë të paprecedentë ka zhvendosur riskun financiar nga sektori privat tek buxheti i shtetit. Kontrata ka parashikuar që shteti shqiptar  paguan për një numër fiks përfituesish, 600 mijë kontrolle mjekësore në vit, pavarësisht nëse ky numër arrihet realisht apo jo. Nëse numri i qytetarëve që kryejnë kontrollin është më i ulët, diferenca paguhet  nga fondet publike, duke garantuar të ardhura të sigurta për koncesionarin, pa marrë parasysh performancën apo efektivitetin e shërbimit.

Ky dispozitiv kontraktual përfaqëson një shkelje të qartë të parimeve themelore të Partneritetit Publik Privat (PPP), të cilat kërkojnë që risku të shpërndahet proporcionalisht ndërmjet palëve, në përputhje me kapacitetet, përgjegjësitë dhe përfitimet që ato marrin nga projekti. Në rastin konkret, koncesionari nuk mban asnjë risk real operativ apo financiar, ndërsa shteti mbart të gjithë barrën buxhetore, madje edhe nëse shërbimi dështon të ketë efektivitet apo ndikim të pritshëm shëndetësor.

Për më tepër, në kontratë është parashikuar një vlerë fikse për çdo kontroll (1,537 lekë për kontroll), dhe në asnjë nga nenet e saj nuk duket që kjo vlerë të jetë e lidhur me cilësinë, sasinë apo rezultatet e kontrollit shëndetësor. Edhe ky parashikim duket se është përfshirë me qëllimin e vetëm për të garantuar përfitimin e privatit duke e kthyer pagesën publike në një mekanizëm të garantuar fitimi për koncesionarin.

Ekspertët po ashtu ngrejnë shqetësimin se kontrata nuk ka përfshirë asnjë klauzolë penaliteti apo përgjegjësie për dështim në ofrimin e shërbimit, siç parashikohet zakonisht në kontratat e mirëstrukturuara PPP. Përkundrazi, të gjitha dispozitat që lidhen me mospërmbushje janë të përgjithshme dhe të pafuqishme në zbatim praktik. Mungon një strukturë reale mbikëqyrjeje dhe raportimi, ndërkohë që indikatorët e performancës janë të paqarta ose të papërcaktuara fare.

Bazuar në të gjithë këtë analizë, është e qartë se kontrata e Check-Up nuk është një marrëveshje e ndershme midis shtetit dhe sektorit privat, por përfaqëson një model të deformuar të PPP-së, ku interesat privatë mbrohen me klauzola të njëanshme, ndërsa interesat publike lihen të pambrojtura. Kjo qasje e bën jo vetëm të paefektshëm projektin në raport me objektivat shëndetësorë, por edhe të dëmshëm për besimin e qytetarëve tek institucionet publike dhe menaxhimi i kujdesshëm i fondeve të taksapaguesve.

Rasti i Check-Up evidenton me qartësi se përdorimi i modelit PPP pa analiza të plota dhe pa transparencë mund të prodhojë kosto më të mëdha se përfitimet e pretenduara. Ky projekt nuk ofroi vlerë më të mirë për paratë publike, nuk siguroi konkurrencë reale dhe nuk garantoi ndarje të drejtë të riskut midis shtetit dhe privatit. Në mungesë të përgjegjshmërisë institucionale dhe reflektimit mbi këtë përvojë, ekziston rreziku real që kontrata të tilla të përsëriten në forma të tjera, duke rënduar më tej buxhetin dhe duke cenuar interesin publik.

Read more

Nga mjeku tek farmacia: Udhëtimi i detyruar i pacientit shqiptar

“Mjeku që më lëshoi recetën e ilaçeve, e fotografoi atë, duke më krijuar bindjen se ishte lidhur paraprakisht me depon farmaceutike dhe merrte përqindje nga ilaçet e përshkruara në recetë”, dëshmon një pacient i cili tregon se shumë herë është orientuar nga mjeku që t’i marrë medikamentet e përshkruara në recetë në një farmaci të caktuar.”

Ky nuk është një rast i izoluar. Sipas të dhënave të ofruara nga organizata Together for Life, bazuar në një anketë online me 1000 të anketuar në Shqipëri, evidentohet se 67% e personave kanë deklaruar se janë orientuar nga mjeku për t’i marrë medikamentet në një farmaci të caktuar, nga të cilët 48% janë orientuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe 19% në mënyrë të tërthortë. Vetëm 28% e pjesëmarrësve në anketë kanë deklaruar se nuk janë orientuar asnjëherë nga mjeku, ndërsa 4% nuk janë të sigurt ose nuk e kujtojnë.

Ky fenomen, i cili ngre pikëpyetje serioze për etikën profesionale dhe konfliktin e interesit në sistemin shëndetësor, duket se nuk është thjesht një fenomen i izoluar, por një model funksional që prodhon përfitime të njëanshme në kurriz të pacientit.

Nga përkujdesja te presioni i heshtur

Një tjetër pacient, i ardhur nga Pogradeci për të marrë shërbim në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, tregon për përvojat e tij të përsëritura me orientimin drejt një farmacie të vetme nga mjeku që e trajton prej vitesh për sëmundjen e tij:

Ne nga Pogradeci, sa herë bëjmë vizitën te doktori, na thonë ‘shko merre në filan farmaci ilaçin, mi sill t’i shoh edhe njëherë unë”. Një herë i mora medikamentet në një farmaci tjetër nga ajo që më kishte sugjeruar mjeku. Pagova për to 113 mijë lekë të vjetra. Kur shkova tek mjeku t’i tregoja medikamentet që sapo i kishte blerë, ai më tha se duhet t’i kisha marrë tek farmacia që më kishte sugjeruar sepse ato që kisha marrë nuk bënin. ‘Shko ktheji atje ku i ke marrë dhe merri tek farmacia që të kam thënë. ’ më urdhëroi. Ashtu bëra. Ishin të njëjtat medikamente, me të njëjtin paketim. ‘Nuk janë njëlloj’ – më tha mjeku, ‘mos shih kartonin, ne njohim kokrrat që ka brenda.’

Pacientët ndihen të detyruar të ndjekin udhëzimet e mjekut jo për shkak të besimit në kujdesin profesional, por për shkak të frikës se mjeku mund të refuzojë t’i trajtojë, nëse nuk ndjekin “udhëzimet” për blerjen e barnave. Në këtë kontekst, shëndeti shndërrohet në një lojë pushteti, ku mjeku mban kontrollin mbi çdo hallkë të trajtimit.

Megjithëse orientimi i pacientëve nga mjekët drejt farmacive të caktuara përbën një praktikë me pasoja të diskutueshme etike dhe ligjore, një pjesë e konsiderueshme e pacientëve e pranojnë dhe madje e justifikojnë këtë fenomen si një formë “garancie cilësie”. Sipas këtyre pacientëve, udhëzimi i mjekut nuk është i motivuar nga përfitimi personal, por nga dëshira për t’i drejtuar ata drejt farmacive të besueshme, ku mund të gjejnë barnat e duhura, efektive dhe në gjendje të mirë.

“Po, sigurisht që mjeku më ka sugjeruar farmacinë ku gjenden ilaçe cilësore. Si do të shërohem me ilaçe të skaduara? Ato që janë në rimbursim janë si gëlqere, nuk bëjnë asnjë efekt,” shprehet një pacient i moshuar, i cili shton se nuk i blen medikamentet e rimbursuara për shkak të mungesës së besimit tek cilësia e tyre. Ai thekson se çmimin e barnave e përballon me ndihmën financiare që merr nga e bija në emigracion.

Ky qëndrim, ndonëse i ndërtuar mbi përvojë personale dhe perceptime të përhapura, nuk mund të ligjërojë një praktike që cenon të drejtën e pacientit për zgjedhje të lirë dhe barazi në qasjen ndaj barnave. Mungesa e besimit në sistemin e rimbursimit dhe në kontrollin e cilësisë së barnave tregon për një dështim institucional, i cili po shfrytëzohet nga aktorë të caktuar për përfitime private. Në këtë mënyrë, orientimi “si kujdes” po shndërrohet në një normë të rrezikshme që rrit pabarazitë dhe rrezikon shëndetin publik.

Farmacistja S.G., e vetëdijshme për këtë realitet, pranon se “ky fenomen është i vjetër sa vetë bota”, dhe sugjeron që zgjidhja mund të gjendet vetëm në fuqizimin e legjislacionit për trajtimin e recetës dhe në përfshirjen e profesionistëve në tryezat vendimmarrëse.

Ndërkohë, një farmacist pranë Poliklinikës së Specialiteteve nr. 3 në Tiranë rrëfen se kjo praktikë i ka shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë në punën e tij:

“Mjekët shkojnë deri aty sa më bëjnë anti-reklamë. U thonë pacientëve se ilaçet që ndodhen në farmacinë time  janë të skaduara. Në fakt, barnat janë të njëjtat – vijnë nga e njëjta depo farmaceutike.”

Ky pohim i rrezikshëm thekson përmasat agresive të konkurrencës jo të ndershme, ku një mjek jo vetëm që orienton, por edhe dënon farmacistët që nuk janë pjesë e “marrëveshjes”.

Nevoja për rregulla dhe mbikëqyrje reale

Praktika e orientimit të pacientëve drejt farmacive të caktuara  përmes ndikimit të drejtpërdrejtë apo nënkuptuar të mjekëve përbën shkelje të rëndë të etikës profesionale dhe cenon të drejtën e pacientit për zgjedhje të lirë dhe trajtim të barabartë.

Ky fenomen nuk është thjesht një shkelje administrative apo një “marrëveshje nën rrogoz”, por pasqyrë e krizës morale në sistemin shëndetësor, ku pacienti shihet si mjet fitimi ndërsa mjeku shndërrohet në ndërmjetës tregtar.

Fenomeni nuk ka kaluar pa u vënë re nga institucionet mbikëqyrëse. Alfred Leskaj, përfaqësues i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), deklaroi gjatë një tryeze të organizuar nga TFL se po hetohet me prioritet ekzekutimi i recetave elektronike dhe organizimi i listës së barnave të rimbursueshme nga mjeku i familjes dhe farmacitë me kontratë me FDSKSH.

“Një pikë me risk të lartë është ekzekutimi i recetave elektronike pranë farmacive të kontraktuara, që nuk kontrollohet nga Fondi i Sigurimit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor,” deklaroi Leskaj.

KLSH ka rekomanduar që pacientëve t’u jepet informacion i qartë për barnat e përshkruara përmes shënimit të tyre në librezën shëndetësore, si një mënyrë për të forcuar transparencën dhe për të rritur kontrollin e qytetarit mbi trajtimin e vet.

Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, përmes këshilltares Silvana Ramadani, ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është duke u rishikuar ligji për barnat dhe shërbimin farmaceutik, me synim të qartë: lehtësimin e qarkullimit të barnave, forcimin e gjurmueshmërisë dhe rritjen e aksesit të qytetarëve ndaj medikamenteve të nevojshme.

Ky rishikim edhe pse konsiderohet një hap i rëndësishëm, është i pamjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me adresimin e plotë të fenomenit të orientimit të pacientëve drejt farmacive të caktuara, një praktikë që ka marrë përmasa shqetësuese dhe që po minon besimin në sistemin shëndetësor publik.

Vetëm përmes një qasjeje të gjithanshme dhe të thellë ndaj këtij fenomeni, që përfshin aspektet etike, ligjore, institucionale dhe njerëzore, mund të garantohet një sistem shëndetësor i drejtë dhe me integritet.

Sepse në fund të fundit, shëndeti nuk është një ‘mall tregu’, por një e drejtë dhe një përgjegjësi shoqërore.

Read more

OBSH: Shqipëria, nën mesataren e Europës për infermierët

Shqipëria renditet në vendet e para në Europë për numrin e lartë të infermierëve të diplomuar, por sërish mbetet nën mestaren europiane për shërbimin e tyre për numër popullsie.

Sipas një raporti të fundit të OBSH, vendi ynë diplomon mesatarisht 50-70 infermierë për 10 mijë banorë, por sërish larg standardit evropian, që është rreth 80 infermierë për 10 mijë banorë.

Edhe pse nga viti në vit, kuotat e pranimit në universitetin e Mjekësisë janë rritur, sërish nevojat në vend mbeten të larta. Zonat e thella malore të Shkodrës, Elbasanit dhe Vlorës kanë nevojat më të mëdha për infermierë, logoped, mami dhe fizioterapist, teksa çdo vit, afro 1 mijë persona punësohen përmes portalit Infermierë për Shqipërinë.

Sipas OBSH në kontinentin evropian shërbyen 7.2 milionë infermierë, me një densitet prej 77 për 10 mijë banorë, më i larti në botë.

Dendësia e infermierëve në Rajonin Evropian është pesë herë më e lartë se ajo në rajonet afrikane dhe të Mesdheut Lindor.

Disa shtete kanë mbi 200 infermierë për 10 mijë banorë, ndërsa të tjera janë larg këtij niveli.

Fuqia punëtore globale e infermierëve përbëhet nga 85% femra dhe relativisht moshë e re. Në këtë trend paraqitet edhe Shqipëria. Globalisht, 33% e infermierëve janë nën 35 vjeç, krahasuar me 19% që janë 55 vjeç ose më të vjetër.

Read more

Koncesioni i hemodializës/ Shërbimi më afër pacientit, por më larg llogaridhënies

Në vitin 2016, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nënshkroi një kontratë Partneriteti Publik Privat (PPP) për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë spitale rajonale: Shkodër, Lezhë, Elbasan, Vlorë dhe Korçë. Që në konceptimin e koncesionarit institucioni përgjegjës, Ministria e Shëndetësisë, deklaroi se qëllimi i tij ishte përmirësimi i aksesueshmërisë së pacientëve me insuficiencë renale kronike ndaj shërbimit jetik të hemodializës si dhe lehtësimi i barrës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) në Tiranë, i vetmi institucion në vend që e ofronte këtë shërbim deri në vitin 2016.

Kontrata e koncesionit, u lidh me një vlerë totale prej 7.2 miliardë lekësh për një periudhë 10-vjeçare dhe përfshinte pajisjen, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e qendrave të ofrimit të dializës, ofrimin e shërbimeve, si dhe analizat laboratorike mujore të pacientëve përfitues. Çmimi për një seancë dialize u përcaktua që në kontratë në vlerën e 11 mijë lekë pa TVSH.

Por ndonëse qëllimi i shpallur ishte përmirësimi i cilësisë dhe aksesit, zbatimi i kontratës ka nxjerrë në pah probleme të theksuara që shkojnë përtej menaxhimit teknik dhe lidhen ngushtësisht me eficiencën financiare dhe mbulimin real të nevojave të pacientëve.

Realiteti i shërbimit sot sipas të dhënave zyrtare

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë, për vitin 2025 deri në muajin mars  numri total i pacientëve që trajtohen me hemodializë, nëpërmjet paketës të financuar 100% nga shteti, dhe shërbimi është paguar dhe që mbështeten është 1,477, që e marrin shërbimin në institucione të ndryshme, si më poshtë:

  • Spitale publike: 108 pacientë
  • Spitale jopublike: 874 pacientë
  • Koncesionari: 495 pacientë

Kjo tregon se një pjesë e madhe e barrës së shërbimit përballohet nga institucione jo publike. Megjithatë, problematikat e identifikuara në raportin e shoqatës Together for Life tregojnë se kjo zgjidhje nuk është pa kosto.

Në vitin 2017, pagesat për dy koncesione në shëndetësi, ai i hemodializës dhe ai i sterilizimit, kapën shifrën e 9.5 milionë eurove, ose rreth 6% të totalit të shpenzimeve spitalore, kosto që, për një sistem shëndetësor si ai shqiptar, përfaqëson një përqindje jo të vogël të buxhetit të përgjithshëm.

Një tjetër shqetësim i evidentuar gjatë zbatimit të koncesionarit është mungesa e aksesit të menjëhershëm për rastet akute. Sipas raportimeve dhe informacionit zyrtar, pacientët me komplikacione të rënda nuk mund të trajtohen në qendrat koncesionare pa miratim paraprak nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH). Kjo procedurë administrative ka rezultuar në vonesa që mund të kenë pasoja serioze për shëndetin e pacientëve.

Për më tepër, QSUNT ka vazhduar të zhvillojë tendera për shërbimin e dializës, edhe pas nënshkrimit të kontratës koncesionare, duke ngritur dyshime mbi mbulimin real dhe efektivitetin e kësaj kontrate.

Raportet e auditimit në FSDKSH për vitin 2022 kanë zbuluar edhe praktika të diskutueshme në aspektin financiar ku rezulton se janë shpenzuar nga buxheti i shtetit 99 milionë lekë për 8,854 raste të dializës që nuk janë kryer, për shkak të parashikimeve të përfshira në kontratë, sipas të cilave detyrohet subjekti kontraktor, FSDKSH, që të paguajë edhe për shërbime të pakryera, në rastet kur numri i pacientëve që përfitojnë shërbim është më i vogël nga ai i parashikuar në kontratë. Nëpërmjet këtij parashikimi, duket se hartuesit e kontratës nuk janë kujdesur për interesat e shtetit, por për interesat financiare të privatit, i cili në të gjitha rastet është i mbrojtur ligjërisht, ndrësa institucioni kontraktor publik përballet me detyrime që e ngarkojnë me penalitete, dhe ashtu sikurse edhe tre koncesionet e tjera në sektorin e shëndetësisë, nuk kemi një ndarje të drejtë mes palëve (entitet kontraktor dhe entitet i kontraktuar) të rrisqeve, përgjegjësive dhe të drejtave.

Shembulli i koncesionit për hemodializën tregon se nuk mjafton vetëm transferimi i një shërbimi nga publiku tek privati për të garantuar suksesin. Ajo që mungon  në të gjitha kontratat koncesionare në sektorin e shëndetësisë është transparenca, kontrolli efektiv dhe fokusimi në interesin e pacientit dhe të sistemit.

Ndaj, vitet e fundit, nga institucionet audituese dhe ekspertët financiarë dhe shëndetësore është sugjeruar me forcë rishikimi i kontratës koncesionare me qëllim jo vetëm përmirësimin e menaxhimit financiar, por mbi të gjitha për të garantuar që pacientët të marrin trajtim cilësor, në kohë dhe pa vonesa burokratike.

Read more

Ndërtimi i politikave të shëndetit me pjesëmarrje qytetare

Kandidatët për deputetë në Vlorë dëgjojnë zërin e komunitetit

Më 2 maj 2025, në qytetin e Vlorës, shoqata “Together for Life” zhvilloi një forum publik me pjesëmarrjen e kandidatëve për deputetë të subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Në këtë aktivitet morën pjesë gjithashtu përfaqësues të komunitetit dhe organizata lokale të shoqërisë civile që veprojnë në qarkun e Vlorës, me qëllim diskutimin mbi programet elektorale që adresojnë çështjet e sistemit shëndetësor në nivel lokal dhe kombëtar.

Forumi shërbeu si një hapësirë të hapur, gjithëpërfshirëse dhe transparente për dialog të drejtpërdrejtë midis kandidatëve për deputetë dhe qytetarëve. Fokus kryesor i diskutimit ishte qasja politike ndaj sektorit të shëndetësisë për periudhën 2025–2029, duke u përpjekur të ngushtojë hendekun midis qytetarëve dhe përfaqësuesve të ardhshëm në Kuvend. Në një kohë kur sistemi shëndetësor në Shqipëri përballet me sfida të shumta, duke përfshirë që mungesat në financim, te vështirësitë në aksesim dhe cilësinë e shërbimeve, ky debat kontribuoi në ngritjen e një platforme gjithëpërfshirëse për përfshirjen qytetare në politikëbërje.

Diskutimi u përqendrua në disa çështje kyçe: prioritetet e partive politike për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore; investimet e planifikuara në nivel lokal dhe kombëtar; përfshirja e komuniteteve në hartimin e politikave të shëndetit publik; si dhe sfidat aktuale në akses, cilësi dhe barazi në kujdesin shëndetësor për të gjithë.

Gjatë takimit, qytetarët ngritën një sërë shqetësimesh konkrete që lidhen drejtpërdrejt me përvojat e tyre në marrjen e shërbimeve mjekësore. Ata kërkuan politika më të forta për garantimin e cilësisë së barnave që përfshihen në listën e rimbursueshme, duke nënvizuar rëndësinë e furnizimit të qëndrueshëm me medikamente cilësore. Një tjetër kërkesë e theksuar në takim ishte domosdoshmëria e investimeve në pajisje mjekësore moderne për Spitalin Rajonal të Vlorës, si dhe shtimi i specialiteteve të reja mjekësore, përtej 12 ekzistuese, për të shmangur dërgimin e pacientëve në spitale të tjera jashtë qarkut. Po ashtu, qytetarët kërkuan rritje të kontrollit dhe monitorimit nga strukturat përkatëse për të siguruar cilësinë dhe etikën profesionale të stafit mjekësor.

Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, kandidatët për deputetë prezantuan disa nga angazhimet dhe prioritetet e tyre politike për përmirësimin e sektorit shëndetësor. Gjatë takimit, kandidatët për deputetë prezantuan një sërë premtimesh konkrete për përmirësimin e sistemit shëndetësor në nivel lokal dhe kombëtar. Ndër kryesoret ishin rritja e buxhetit për shëndetësinë së paku në nivein e vendeve të Rajonit dhe ngritja e mekanizmave që sigurojnë përdorimin me efektivitet të buxhetit për shëndetësinë. Disa prej kandidatëve u ndalën në hapat që subjektet që ata përfaqësojnë parashikojnë të iniciojnë për të garantuara ofrimin e shërbimeve falas për shtresat vulnerabël si dhe sigurimin e medikamenteve cilësore dhe të çertifikuara në vendet e BE. Masa të veçanta u premtuan që do të ndërmerreshin  kundër korrupsionit dhe monopoleve në sektorin shëndetësor, ndërsa u theksua nevoja për krijimin e platformave për komunikim të drejtpërdrejtë mes pacientëve dhe spitaleve në të gjithë vendin. Kandidatët shprehën angazhim për rritjen e mbështetjes për fëmijët me autizëm dhe familjet e tyre përmes ndërhyrjeve ligjore e financiare, dhe premtuan se do të propozonin reformë gjithëpërfshirëse për pajisjen e qytetarëve me karta shëndetësore, që do të lehtësonte aksesin në shërbimet publike të çdo qytetari.

Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “Luftimi i Korrupsionit në Shpenzimet Publike në Sektorin e Shëndetësisë”, i mbështetur nga National Endoëment for Democracy (NED).

Brenda vitit të parë të mandatit të ri parlamentar, është parashikuar zhvillimi i një takimi të dytë mes përfaqësuesve të komunitetit dhe deputetëve të zgjedhur në Vlorë. Ky takim do të shërbejë si një mekanizëm i rëndësishëm për të vlerësuar ecurinë e zbatimit të premtimeve të dhëna gjatë fushatës dhe për të forcuar lidhjen ndërmjet qytetarëve dhe vendimmarrësve përmes llogaridhënies dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm.

Read more

Shëndetësia urgjencë kombëtare, raporti i Amnesty International ekspozon një realitet dramatik në Onkologjik, mungesë infrastrukture dhe personeli

  • Amnesty International (e njohur zakonisht si Amnesty dhe AI) është një organizatë joqeveritare e përqendruar në të drejtat e njeriut me mbi 7 milion anëtarë dhe mbështetës në gjithë botën. Qëllimi i organizatës është “të bëjnë hulumtime dhe të gjenerojë veprime për të parandaluar dhe për t’i dhënë fund abuzimeve të rënda të të drejtave të njeriut, dhe të kërkojë drejtësi për ato të drejta që janë shkelur”

Shëndetësia është vendosur në qendër të shqetësimeve të raportit vjetor të Amnesty International për Shqipërinë, duke e identifikuar si një nga fushat ku të drejtat e njeriut po shkelen rëndë dhe sistematikisht. Në një vend ku kujdesi shëndetësor duhet të jetë prioritet kombëtar dhe themel i mirëqenies sociale, raporti ekspozon një realitet dramatik: pacientë me sëmundje të rënda që detyrohen të ndjekin trajtime me pagesë në klinika private, shpesh të administruara nga vetë mjekët e spitaleve shtetërore; mungesë infrastrukture, personeli dhe akses të barabartë në shërbime, sidomos në zonat rurale.

Përveç vëzhgimeve të Amnesty International, këto problematika janë dokumentuar edhe nga organizata shqiptare si shoqata Together for Life, e cila prej vitesh monitoron sistemin shëndetësor në vend.

Në rapoprtin “MONITORIMI I STRATEGJISË KOMBËTARE TË SHËNDETËSISË 2021-2030, ARRITJET DHE SFIDAT” publikuar nga TFL konstatohet se sistemi shëndetësor në Shipëri lëngon nga:

  • mungesa e financimit
  • keqpërdorimi i fondeve
  • mungesa e transparencës

“Nga viti 2020 deri në 2023, kujdesi parësor është përballur me një rënie të vazhdueshme të mbështetjes financiare, ku përqindja e buxhetit të alokuar për këtë sektor ka rënë nga 11.4% në 9.1% të buxhetit të shëndetësisë“, citon raporti.

Po ashtu raporti i shoqatës “Together for Life” “e konsideron shqetësues mungesën e informacionit, transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve përgjegjëse në këtë sektor.

Në këtë kontekst, rikthimi i vëmendjes publike dhe institucionale tek shëndetësia nuk është thjesht kërkesë sociale — është urgjencë kombëtare.

Raporti përmbledh një panoramë të gjerë të shkeljeve që lidhen me të drejtën për shëndet, dhunën me bazë gjinore, trajtimin e të burgosurve, lirinë e shtypit, trajtimin e refugjatëve dhe diskriminimin ndaj grupeve të margjinalizuara.

Ky raport hedh dritë mbi këto çështje, duke u bazuar në raportime nga organizata si OKB-ja, Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës, Reporterët pa Kufij dhe të tjera, për të paraqitur një panoramë të paanshme dhe të thelluar mbi sfidat e të drejtave të njeriut në Shqipëri sot.

Raporti i Amnesty International për Shqipërinë:

E DREJTA PËR SHËNDET

Disa pacientë që kishin nevojë për trajtim ndaj kancerit u transferuan nga mjekët nga Spitali Shtetëror “Nënë Tereza” në Tiranë drejt klinikave private me pagesë. Mjekët u pezulluan dhe hetimet janë në vazhdim. Komiteti i OKB-së për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore shprehu shqetësime për mungesat në infrastrukturën shëndetësore, mungesën e personelit, mungesën e aksesit në shërbime të specializuara për shëndetin seksual dhe riprodhues si dhe shpërndarjen e pabarabartë të shërbimeve shëndetësore, veçanërisht në zonat rurale.

DHUNA SEKSUALE DHE ME BAZË GJINORE

Policia raportoi se, në gjashtë muajt e parë të vitit, 686 gra ishin subjekt i dhunës në familje, një rritje prej 30 rastesh krahasuar me vitin e kaluar. Një studim i publikuar në maj theksoi se mungesa e mbështetjes institucionale detyron viktimat e dhunës në familje të kthehen te abuzuesit e tyre. Komiteti i OKB-së për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore theksoi se procedura për përfitimin e ndihmës juridike falas duhet të rishikohet për të siguruar akses më të mirë për viktimat e dhunës në familje.

TRAJTIM ÇNJERZOR, POSHTËRUES APO DENIGRUES

Në janar, Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës shprehu sërish shqetësime për kushtet e jetesës së pacientëve psikiatrikë . Në objektin e përkohshëm për pacientët psikiatrikë brenda Burgut të Lezhës, Komiteti shprehu shqetësime për mbipopullimin, mungesën e stafit mjekësor dhe mungesën e infrastrukturës. Nënkomiteti i OKB-së për Parandalimin e Torturës raportoi gjithashtu një numër të lartë të personave në paraburgim dhe mungesë të aksesit të mjaftueshëm në kujdes shëndetësor për personat e ndaluar.

LIRIA E SHPREHJES

Në maj, Indeksi Botëror për Lirinë e Shtypit 2024 nga Reporterët pa Kufij konstatoi se liria dhe pavarësia e medias në Shqipëri ishte e kërcënuar nga konfliktet e interesit mes botës së biznesit dhe asaj politike, një kuadër ligjor me mangësi dhe rregullim të njëanshëm. U konstatua se gazetarët vazhduan të përballen me intimidim si nga politikanët ashtu edhe nga krimi i organizuar.

TË DREJTAT E REFUGJATËVE DHE MIGRANTËVE

Në janar, Gjykata Kushtetuese i dha dritën jeshile Parlamentit për të ratifikuar një marrëveshje me Italinë në lidhje me ndërtimin e dy qendrave të paraburgimit në Shqipëri për të mbajtur azilkërkuesit e shpëtuar nga anijet shtetërore italiane, pavarësisht shqetësimeve për paraburgim arbitrar.

Azilkërkuesit e parë të ndaluar sipas marrëveshjes, nga Bangladeshi dhe Egjipti, u kthyen në Itali pas një vendimi tjetër të gjykatës italiane në tetor; kjo u dha atyre të drejtën që kërkesat e tyre për azil të përpunohen në Itali.

DISKRIMINIMI

Në prill, Komiteti CERD theksoi sfidat e vazhdueshme për komunitetet Rome dhe Egjiptiane, përfshirë vështirësitë në regjistrimin e lindjes dhe sigurimin e dokumenteve të identitetit, si dhe aksesin në shërbimet publike. Komiteti gjeti prova për ndarje de facto dhe diskriminim të fëmijëve romë dhe egjiptianë në disa shkolla.

Personat LGBTI

Në maj, një martesë simbolike mes personave të së njëjtës gjini në Tiranë shkaktoi polemika, ndonëse nuk ishte ligjërisht e njohur. Ajo nxiti reagime të ashpra nga e djathta politike dhe grupet fetare, duke çuar në rritjen e gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI. Në korrik, Eksperti i Pavarur i OKB-së për mbrojtjen nga dhuna dhe diskriminimi për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të harmonizojnë ligjet dhe politikat me realitetet që përjeton komuniteti LGBTI, duke njohur stigmatizimin dhe diskriminimin që ata përjetojnë në arsim, kujdes shëndetësor, punësim dhe jetën e përditshme.

Read more
sqAlbanian