Shoqata Together for Life prezantoi në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në Kuvendin e Shqipërisë gjetjet e Raportit “Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2022”, sipas të cilit edhe pse numri i të moshuarve të vetmuar që kanë nevojë për përkujdesje sociale po vjen në rritje nga viti në vit, numri i atyre që marrin shërbime në qendrat publike është minimal dhe po vjen në ulje. Gjatë vitit 2022, vit të cilit i referohet raporti i TFL, 310 të moshuar janë trajtuar me shërbime në qendrat e përkujdesit social, nga 350 të planifikuar.
Përfaqësuesja e TFL, Redina Çanaku, që mori pjesë në seancën dëgjimore të thirrur nga Komisioni me rastin e Ditës Botërore të të Moshuarve, po ashtu theksoi se ‘pjesa më e madhe e të moshuarve që vuajnë nga disa sëmundje kronike, nuk e përballojnë dot financiarisht blerjen e medikamenteve bazë (duke përfshirë ato me rimbursim) ose ekzaminimeve/mjekimeve shtesë dhe se sistemi shëndetësor nuk është i përgatitur për nevojat në rritje të të moshuarve.
Në Raportin e hartuar nga TFL me mbështetjen e NED (National Endowement for Democracy), evidentohet se shpeshherë të moshuarit, kryesisht ata në zona rurale që nuk kanë mundësi aksesi fizik në Qendrat e Kujdesit Shëndetësor Parësor ose ato që ofrohen nuk janë cilësore, kështu që detyrohen të marrin shërbime në shtëpi për të cilat duhet të paguajnë kosto shtesë ose në mënyrë informale.
Në seancën dëgjimore të thirrur nga Komisioni Parlamentar, morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare të cilat në fokus të punës së tyre kanë moshën e tretë dhe mirëqenien e tyre.
Deputet e pranishëm në sallë, duke ju referuar të dhënave të raportuara të cilat adresohen në mënyrë të përvitshme nga Shoqata Together for Life, pranuan problematikat e raportuara dhe rekomandimet e propozuara, duke theksuar nevojën për marrjen e masave konkrete në mënyrë urgjente për përmirësimin e situatës socio-ekonomike dhe shëndetësore të të moshuarve.
Sa i përket produktit “Persona që përfitojnë check-up”, theksojmë që shpenzimet janë fikse dhe paguhen sipas kushteve koncensionare bazuar në tavanin e numrit të përfituesve të vendosur në kushtet e kontratës koncensionare. Për vitin 2022, kanë përfituar nga shërbimi i check-up-it 454 828 pacientë nga 475 000 të planifikuar sipas kushteve të kontratës. Në këtë rast, pagesa e koncensionarit është bërë për 475 mijë përfitues, pavarësisht se realisht nga shërbimi kanë përfituar 454 828 pacientë, ose 20 182 pacientë më pak.
Ky fenomen po ndodh çdo vit me këtë koncesionar, i cili paguhet nga taksat e shqiptarve për shërbimet që nuk i realizon, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e shëndetësisë.
Gjithashtu duhet theksuar se PPP e check-up, tashmë është nën hetim nga SPAK, por ende nuk ka përfunduar si hetim ndaj nuk kemi rezultate për ndëshkimin e abuzuesve me këtë PPP.
Më poshtë paraqitet performanca e check-up në vlerë sasiore dhe në vlerë financiare (000/lekë) për vitin 2022.
Kodi i produktit
Emërtimi i produktit
Sasia fillestare
Plani fillestar
Sasia e rishikuar
Plani i rishikuar
Sasia faktike
Shpenzimet faktike
91303AC
“Persona që përfitojnë check up”
475,000
876,090
475,000
876,090
454,828
876,090
Këto të dhëna janë pjesë e raportit të prodhuar nga Shoqata Together for Life “Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2022” mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy).
Qeveria i alokon çdo vit spitalit Nënë Tereza një fond 2-2.5 miliardë lekë (rreth 25 mln euro) po në fakt nevojat e qendrës spitalore më të madhe në vend janë se paku 4 herë më larta.
Çdo vit kur hartohet buxheti afatmesëm entet publike raportojnë për nevojat qe kanë për financime gjatë një viti. Këto kërkesa në fund i përcillen Ministrisë së Financave që më pas miraton fondin përkatës, i cili për shumë funksione nuk mund të jetë sipas nevojave.
Kjo është e kuptueshme në rastin e investimeve publike, apo shërbimeve të tjera, por në rastin e barnave mungesa e financimit sipas nevojës përkthehet në më pak jetë ose në shpenzime të larta nga xhepi i pacientëve për tu kuruar jashtë sistemit publik.
Shefat e shërbimeve në QSUT kërkojnë çdo vit medikamente që kushtojnë rreth 10-11 miliardë lekë, por në vërtetë qeveria financon nëpërmjet Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm vetëm 1 të katërtën ose një pestën e kësaj shume. Kjo anomali është vënë në dukje edhe nga Kontrolli i Lartë i shtetit gjatë një auditimi në Qendrën Spitalore.
Për kryerjen e përllogaritjeve të nevojave të QSUNT për fonde, zhvillohet një procedurë nga shefat e shërbimeve të tilla si konsum historik i llojit të barnave, nevojat për barna sipas mjekimit, numrit të të sëmurëve në periudhat e mëparshme dhe sasinë e barnave të akorduara sipas pacientëve, etj., bazuar kryesisht në kërkesat e periudhave të mëparshme, dhe jo në alokimet reale të fondeve për barna.
“Kërkesat e përcjella nga shefat e shërbimeve janë një “wish list”, dhe nuk merren në konsideratë, për vetë vlerën e lartë të këtyre shpenzimeve, dhe fondet e akorduara bazohen në buxhetin historik të vendosur në dispozicion për këtë zë. Në vijim të kërkesave sipas shefave të shërbimit për Barna dhe materiale mjekësore, QSUNT, përcjell për MSHMS në cilësinë e Organit Qendror Blerës sasinë e barnave, duke qëndruar brenda limiteve buxhetore dhe çmimeve të publikuara, ku sasitë janë të reduktuara, duke theksuar se ky planifikim do të sjellë një pamundësi të plotësimit të nevojave për të gjithë pacientët që marrin shërbimin pranë qendrës spitalore” ka vërejtur KLSH ne auditin që ka bërë QSUT.
KLSH vërejti se buxheti për spitalin “Nënë Tereza” mbetet i pandryshuar për vite me radhë si për barnat ashtu edhe në totalin e tij, nga ana tjetër barra e sëmundjeve që kërkojnë trajtime të kushtueshme të tilla si neoplazmat dhe sëmundjet kardiovaskulare po rriten me shpejtësi nga viti në vit.
Gjatë dekadës së fundit në QSUT ka një rritje progresive të shtrimeve (nga 68,273 pacientë në 2013, në 116 mijë pacientë në vitin 2022). Ka rritje të aktivitetit në shërbimet e urgjencës, rritjen e numrit të konsultave dhe ekzaminimeve ambulatorë, rritje të procedurave invazive dhe mini invazive, rritjen e trajtimeve në onkologji, hematologji, onko-hematologji, pediatri, etj.
Ndërkohë që financimi i barnave në QSUT ka një hendek të thellë, nën anën tjetër buxheti i Qendrës Spitalore po gërryhet nga pagesat e larta për shërbime dytësore që ofrojnë privatet dhe koncesionaret. Koncesionet e laboratorit dhe sterizilimit po kanalizojnë buxhetin e “varfër” të QSUT drejt financimit të shërbimeve dytësore me kosto shumë të lartë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Gjatë periudhës nga viti 2014 deri në vitin 2022 buxheti për shëndetësinë u rrit 57% duke arritur vlerën e 65 328 milionë lekë në vitin 2022. Buxheti i dhënë për sektorin e shëndetësisë konsistoi në 10.2% të shpenzimeve të përgjithshme të Qeverisë dhe rreth 3.5% të PBB-së në vitin 2022.
Totali i investimeve publike me financim të brendshëm dhe të huaj për vitet 2014-2024 për sektorin e shëndetësisë në nivel plan është 27 713 milionë lekë (230.9 milionë euro) dhe në nivel fakt është 20 207 milionë lekë (168 milionë euro).
Tabela 1: Shpenzimet për investime publike 2014-2024 të agreguara sipas tipit të investimit
Në lekë
Periudha
2014-2024
Tipi i Investimit
Plan
Fakt
Ndertime te reja
2,844,173,503
1,968,787,455
Pajisje mjekesore
4,276,204,158
2,775,919,530
Rikonstruksione dhe pajisje
7,239,551,002
5,695,270,300
Rikonstruksione
9,520,580,625
6,056,513,396
Sisteme IT
2,445,585,433
2,393,136,263
Te tjera
1,387,693,432
1,317,863,619
Grand Total
27,713,788,153
20,207,490,563
Duke ju referuar realizimit faktik të investimeve publike sipas burimit të financimit, rezulton se:
Investimet Publike me Financim të Brendshëm (pra burimi i financimit është buxheti i shtetit) janë 11 780 milionë lekë dhe zënë 58% të totalit të investimeve publike të sektorit të shëndetësisë.
Investimet Publike me Financim të Huaj (pra burimi i financimit janë donatorët/partnerët ndërkombëtar) janë 8 427 milionë lekë dhe zënë 42% të totalit të investimeve publike të sektorit të shëndetësisë.
Referuar kategorive të investimeve, 58% e investimeve me financim të brendshëm ose 6 839 milionë lekë (56.9 milionë euro) shkojnë për ndërtime, rikonstruksione dhe rikonstruksione e pajisje.
Ndërkohë, vetëm 21% e investimeve publike me financim të brendshëm ose 2 499 milionë lekë (ose 20.8 milionë euro) shkojnë për Blerje Pajisje Mjekësore. Pjesa tjetër e investimeve publike me financim të brendshëm shkojnë për sisteme IT-je, TVSH dhe kosto lokale e projekte të vogla për blerje pajisje zyrash, printerash etj. Ndërkohë, 62% e investimeve publike me financim të huaj shkojnë për ndërtime, rikonstruksione dhe rikonstruksione e pajisje ose 5 248 milionë lekë (43.7 milionë euro) dhe vetëm 3% e fondeve të donatorëve shkojnë për blerje ekskluzivisht për pajisjesh mjekësore ose 276 milionë lekë (2.3 milionë euro).
Të analizuara në total investimet publike përgjatë periudhës 2014-2024, fokusohen në masën 60% të tyre në ndërtime dhe rikonstruksione objektesh shëndetësore (spitale, qendra shëndetësore etj), ndërkohë që vetëm 13.7% e fondeve totale përgjatë 2014-2024 shkojnë për blerjen e pajisjeve mjekësore.
Përmendim këtu projektet për ndërtim, rikonstruksione dhe pajisje me vlera të larta si vijon:
Rikonstruksioni i 300 qendrave shëndetësore
Ndërtim i spitalit të sëmundjeve interne QSUT
Rikonstruksione dhe pajisje godinash dhe qendrës së urgjencës kombëtare QSUT
Ndërtim bunkeri për instalim akseleratorësh linearë QSUT-onkologjiku
Rikonstruksion i shërbimit të reanimacionit të Spitalit Vlorë
Rikonstruksione në Spitalin Rajonal Kukës,
Rikonstruksion në Spitalin Lezhë dhe shtesë për Maternitetin Lezhë
Rikonstruksion dhe shtesë materniteti për Spitalin Berat
Rikonstruksion i pediatrisë së Spitalit Durrës
MASTER-PLANI I QSUT- kredi e CEB-it (përfundimi i dy kateve të sp.të ri të ndërtuar dhe rikonstruksioni i 6-katshit)
Rikonstruksion i godinës së Pediatrisë Spitalit Elbasan
Rikonstruksion i QKMZHRF Tiranë
Rikonstruksion i godinës se Neonatologjisë dhe Obstetrikës dhe ndërtim e dy godinave të reja në SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë
Rikonstruksion i godinës së QKT Gjakut Tiranë
Rikonstruksion i Spitalit Psikiatrik Elbasan, Rikonstruksion dhe pajisje 5 poliklinikave,
Rikonstruksioni i sistemit te ngrohje/ftohje/aspirim për godinën qendrore të SU Shefqet Ndroqi
Ndërtimi i maternitetit te ri, shtese 2kat dhe rikonstruksion i repartit Kirurgji + Patologji Spitali Sarandë
Rikonstruksion i një godine 4 kat dhe shtese anësore për zhvendosjen e Maternitetit Brenda korpusit të Spitalit Korçë
Ndërtim i Spitalit Psikiatrik Vlorë
Projekti i Bankës Botërore i cili financohet me kredi dhe ka në fokus rikonstruksion dhe pajisje të godinave të ndryshme në QSUT etj.
Mesatarisht 22% e fondeve totale për çdo vit ose 308 milionë lekë në vit8 (2.5 milionë euro), përgjatë 2014-2021 shkojnë për blerje pajisjesh mjekësore dhe pjesa më e madhe prej 55% ose rreth 1.5 miliardë lekë (12.75 milionë euro) shkojnë për studime/projektime, ndërtime dhe rikonstruksione. Për vitet 2022-2024 është planifikuar që 13% e fondeve të dedikohet për blerje pajisjesh mjekësore duke vijuar dominanca e alokimit të fondeve të investimeve publike për ndërtime dhe rikonstruksione godinash mjekësore.
Referuar ndarjes rajonale të investimeve publike, 82% e fondit total të investimeve publike 2014-2024 alokohet në qytetin e Tiranës. Përmendim këtu projektet më të mëdha si vijon:
Projekti për fuqizimin e Qendrës së Traumës – Kredia e qeverisë italiane;
Përmirësimi i sistemit të shëndetësisë- Sistem IT;
Ndërtimin e Bunkerit për instalimin e dy aksesorëve linear në Spitalit Onkologjik te QSUT;
Projekti i Bankës Botërore (i ndarë në tre komponentë si vijojnë);
Ngritja e sistemit E-PRESCRIPTION për shërbimin shëndetësor;
Rikonstruksioni i ndërtesës së ish-laboratorëve për përshtatje për qendrën e konsultave në Q.S.U. Tiranë;
Rikonstruksion dhe pajisje 5 poliklinikave;
Rikonstruksion në SU. “Shefqet Ndroqi” për sistemimet e jashtme, kanalizimet, ndriçimi dhe ashensori në godinën e administratës, etj Faza III;
Rikonstruksione të QSH-ve në njësi administrative;
MASTER-PLANI I QSUT- kredi e CEB-it (përfundimi i dy kateve të sp.të ri të ndërtua dhe rikonstruksioni i 6-katshit);
Ndërtimi i depos qendrore të barnave në QSUT;
Ndërtimi i Spitalit të Sëmundjeve Interne Q.S.U.T;
Rikonstruksion i godinës se Neonatologjisë dhe Obstetrikës dhe ndërtim e dy godinave te reja ne SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”;
Rikonstruksion i godinës se Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut Tiranë;
Godina A1, dy katet + Kati 0 QSUT FAZA 2
Ndërkohë, mesatarisht 2-2.4% e fondit total të investimeve publike 2014-2024 alokohet në qytetet Elbasan, Vlorë, Shkodër, Sarandë, Lezhë dhe Berat. Pjesa tjetër e investimeve publike është e shpërndarë në pjesën tjetër të qyteteve të Shqipërisë, me një fond minimal prej 1% e totalit të fondit të investimeve publike të marrë në analizë, dhe kjo shpërndarje është kryesisht mbi baza vjetore, për shembull Devolli ka marrë investime publike në shëndetësi vetëm në vitin 2017 ose Hasi vetëm në vitin 2016 dhe 2020. Ndërkohë, referuar dokumentit të strategjisë kombëtare të shëndetësisë 2021-2030, sikurse përmendet në të, nuk ka një plan investimesh publike për sektorin e përfshirë në të, duke na bërë të pamundur të analizojmë se mbi çfarë bazash është bërë planifikimi i investimeve publike për periudhën 2021-2024 e rrjedhimisht për vitet pasuese. Ndërkohë, referuar dokumentit të mëparshëm 2015-2020, në mënyrë sporadike gjen në brendi të dokumentit dhe në planin e veprimit disa projekte investimesh publike. Nga analiza që i është bërë arritjeve të strategjisë 2015-2020, në dokumentin e strategjisë 2021-2030 flitet vetëm për projektin e 300 qendrave shëndetësore, pa u ndaluar në zbatimin e projekteve të tjera të planifikuara e jo më në analiza të detajuara të eficiencës së tyre.
Përveç këtij rasti, mjekët e këtij reparti i thanë gazetarëve të Fiks Fare se janë rreth 400 pacientë me kancer lëkurë që rrezikojnë jetën, si pasojë e mos funksionimit të një aparature e Radioterapisë. Në redaksinë e emisionit Fiks Fare kanë mbërritur dy denoncime, ku këta pacientë kërkojnë ndihmë! Ata duhet të bëjnë trajtimin me rreze pranë pavijonit të Radioterapisë te Onkologjiku. Por, si pasojë e prishjes së aparaturës “Orthovoltazh, njëri pacient rrezikun të humbasë jetën dhe tjetri veshin.
Sipas protokollit dhe rekomandimeve të mjekëve, pacientët duhet të kryejnë rreze për 1 muaj me radhë pa ndërprerje. Fillimisht, pacientët kryejnë trajtimin me azot dhe më pas i nënshtrohen rrezeve. Megjithatë, këtë shërbim nuk e kanë marrë dot, pasi aparatura është prishur në fund të vitit 2022.
“Përshëndetje Fiksi Fare! Ju shkruaj për një problem me shërbimin e radioterapisë në QSUT, te Onkologjiku. Që në 1 nëntor 2022 nuk funksionon pajisja që kryen rrezet në sipërfaqe të lëkurës. Kemi 7 muaj në pritje. Gjendja është përkeqësuar edhe më shumë sepse u ndërpre mjekimi” ishte denoncimi i parë.
Ndërkohë, disa ditë më vonë, na vjen sërish një ankesë e njëjtë; “Përshëndetje! Dua të bëj një ankesë për te Onkologjiku. Babi filloi rrezen, bëri 5 ditë dhe pastaj i thanë është prishur aparatura. Kaluan 8 muaj dhe asnjë përgjigje, plaga sa vjen dhe bëhet më e madhe dhe shqetësimet e një pas njëshme. Kemi pyetur dhe gjithmonë na thonë që nuk është rregulluar”.
Denoncuesi i parë i shkruan Fiksit se ka pasur komunikim të vazhdueshëm me informacionin e këtij reparti. Madje, vetë punonjësit e Onkologjikut i kanë dërguar disa mesazhe se “aparatura nuk është rregulluar”, edhe pse kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga nisja e trajtimeve. Pas ankesave, gazetarët e “Fiks Fare” iu drejtuan Shërbimit të Radioterapisë te Onkologjiku.
Punonjësit e Radioterapisë pranuan se aparatura nuk është rregulluar ende. Madje, do të duhen edhe 6 muaj që të instalohet. Por koha nuk është në favorin e pacientëve, të cilët rrezikojnë edhe jetën! Onkologjiku i drejtoi pacientët sërish Ambulanca e Specialiteteve. Fiksi shkon te Ambulanca e Specialiteteve, ku takoi një mjeke onkologë.
Mjekja e Ambulancës së Specialiteteve nuk ka dijeni për rimbursimin apo edhe kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale. Sipas saj, duhet të merren mjekët e Onkologjikut. Pacientët duhet të shkojnë sërish te QSUT për të vijuar me mjekimin. Dhe, nga të gjitha këto sorollatje, ata rrezikojnë të humbasin jetën!
Gazetarët e Fiks Fare iu drejtuan sërish QSUT-së, ku biseduan me mjekun e radioterapisë që trajtoi pacienten me kancer lëkurë, që rrezikon veshin. Mjeku pranoi se, nëse pacientja do të kishte kryer terapinë me rreze, do të kishte zhdukur kancerin dhe gjendja e veshit do të ishte e mirë. Por, ai tha se pacientja duhet ti nënshtrohet operacionit për heqjen e veshit, pasi plaga është përkeqësuar. Mjeku tha se, nga mosfunksionimi i aparaturës “Orthovoltazh”, 400 pacientë nuk kanë zgjidhje tjetër përveç kirurgjisë.
Pas kësaj deklarate, familjarët iu drejtuan me një kërkesë zyrtare pranë Drejtorisë së QSUT-së. Disa ditë më pas, Spitali pohon se: “Aparati i ‘Orthovoltazhit’ që trajton kancerin e lëkurës, është instaluar në vitin 2002 dhe gjatë fundit të vitit 2022 ka pësuar një defekt të rëndë, i cili ka qenë i pamundur të riparohej, për shkak të mungesës së pjesëve të këmbimit. Pranë QSUT ka mbërritur së fundmi një pajisje e re, e cila është e një teknologjie më të avancuar, me anë të së cilët do të kryhet trajtimi i kancerit të lëkurës. Aktualisht po punohet për krijimin e një ambienti të përshtatshëm për instalimin e tij duke kryer më parë të gjitha procedurat dhe duke marrë masat e nevojshme për mbrojtjen nga rrezatimi i këtij ambienti”.
QSUT e pranon se aparati nuk punon. Por, në këtë shkresë, nuk i jep zgjidhje të paktën 400 pacientëve që vuajnë nga kanceri i lëkurës dhe që marrin shërbim te Onkologjiku. Për pasojë, shumë prej këtyre pacientëve, rrezikojnë jetën.
16 000 infermierë janë larguar nga Shqipëria në 3 vitet e fundit.
Kryetari i shoqatës së infermierëve Elson Jaçaj thotë se kryesisht kanë zgjedhur gjermaninë dhe Italinë për të punuar.
“Realisht ka qenë vetëm fasada e jashtme ajo që ka ndryshuar nëpër spitale. Por realiteti i brendshëm, i vështirësive që kanë në vendet e punës së tyre vazhdon të jetë i njëjti. Po të shikojmë pas në kohë, kemi që në periudhën e pandemisë e deri më sot mund të jenë larguar mbi 16 mijë infermierë, pasi koha e pandemisë u shfrytëzua nga të gjithë duke ndjekur kurset e gjuhës së huaj online, të cilët në momentin që u hapën të gjitha rruëgt ishin të gatshëm për t’u larguar nga Shqipëria”, shprehet Jaçaj.
Mes të larguarvve nuk mungojnë ata që kanë shumë vite eksperiencë, tha infermieri Erald Çoçka
“E vetmja gjë që mund të shtoj është që na vjen keq që po ikin dhe infermierët me eksperiencë. Këtë gjë po që mund ta them që infermierët me mbi 10 vite eksperiencë ndonjëherë zgjedhin që të largohen dhe kjo nuk është gjë e mirë”, thotë ai.
Ndërsa për Studim Hysën, sigurimi i kushteve të punës është shumë i rëndësishëm për t’i mbajtur ata në Shqipëri.
“Për të qenë një infermier sa më i vlerësuar në vendin e tij duhet që t’i ofrohen sa më shumë kushte që janë bazike në punën e infermierit”, shprehet ai.
Klaudia Hajdari është studente e vitit të parë në infermieri dhe thotë se ende nuk është e sigurt se ku do të punoj pasi të mbaroj studimet.
“S’e kam vendosur, por tani për tani këtu do qëndroj”, thotë ajo.
Në sheshin “Skënderbej”, në kuadër të ditës botërore të inermierëve u ofruan falas disa shërbime për qytetarët, të cialët pranojën se nuk janë të kujdesshëm sa duhet për shëndetin e tyre…
Në ditën kushtuar infermierëve në të gjithë botën synohet ndër të tjera edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për t’u kujdesur për shëndetin.
Ndërsa tregu farmaceutik shqiptar po dominohet gjithnjë e më shumë nga medikamente xhenerike të prodhuara në Turqi, mjekët, pacientët dhe farmacistët po e gjejnë gjithnjë e më shumë zgjidhjen te kontrabanda nga vendet e BE-së për të kuruar sëmundjet.
Elisabeta nuk di të thotë me siguri se sa herë i është dashur të blejë citostatikë jashtë QSUT-së për djalin e diagnostikuar me një sëmundje të rëndë të gjakut, por ajo e mban mend mirë ankthin për t’i siguruar me çdo kusht ato.
Gruaja tregon se medikamentet ia rekomandonte mjeku në copa letrash, pa firmë dhe vulë, ndërsa ajo nxitonte drejt farmacive private rreth e qark spitalit për t’i blerë.
“E dinim që vinin kontrabandë, por për ne ishin shpëtim i madh. Nuk i mendonim rrisqet, mbase mjekët i dinin por nuk thelloheshin me ne për këto biseda,” kujton ajo pa pranuar të thotë emrin e plotë.
Buxheti i kufizuar apo procedurat e dështuara të tenderimit kanë bërë në shumë raste që institucionet shëndetësore të mos përmbushin detyrimin për sigurimin e medikamenteve të domosdoshme për pacientët – veçanërisht në rastin e diagnozave të rënda si tumoret.
Por spitalet nuk janë të vetmit që përballen me mungesë medikamentesh.
Një vëzhgim i kryer në rrjetin e hapur të farmacive në Tiranë tregon se një numër i konsiderueshëm i barnave për kurimin e sëmundjeve kryesore mungojnë prej muajsh, ndërsa mjekët vazhdojnë t’i përshkruajnë ato në recetat e tyre dhe pacientët përpiqen t’i sigurojnë ku të munden.
Furnizimi i parregullt me barna i faturohen largimit nga tregu shqiptar të disa kompanive ndërkombëtare si pasojë e reformës së vitit 2014, që synonte uljen e kostove spitalore dhe rritjen e numrit të përfituesve përmes zëvendësimit të emrave tregtarë me barna xhenerikë.
Megjithatë, mungesa e barnave cilësore duket se ka sjellë një lulëzim të kontrabandës së ilaçeve në vend.
Diana Toma, presidente e Urdhrit të Farmacistëve thotë se tregut shqiptar i mungojnë medikamentet cilësore dhe në këto kushte, mjekët farmacistët dhe pacientët po e gjejnë gjithnjë e më shumë zgjidhjen te kontrabanda.
“Përballë kësaj mungese barnash, qytetarët i besojnë më shumë kontrabandës se sa medikamenteve të tjera alternative,” tha Toma.
Turqia dominon tregun
https://infogram.com/ilacet-1hdw2jp7n0p0p2l
Tregu farmaceutik në Shqipëri ka pësuar rritje progresive përgjatë viteve të fundit, duke arritur të qarkullojë medikamente të importuara në vlerën e 242 milionë eurove në vitin 2022, pa llogaritur ilaçet e prodhuara nga kompania vendase Profarma.
Vlera më e lartë e ilaçeve të importuara arriti gjatë periudhës së pandemisë në vitin 2021 me rreth 273 milionë euro.
Barnat importohen nga rreth 55 vende të botës, por të dhënat e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se Turqia është kthyer tashmë në aktorin kryesor të tregut të importeve.
Në vitet 2014-2015, barnat e prodhuara në Turqi kapnin vlerën e 9.6 milionë eurove dhe zinin diku te 6-7% të tregut të importeve farmaceutike në Shqipëri, ndërkohë që volumi i tyre u dyfishua në harkun kohor të gjashtë viteve.
Në vitin 2021, Turqia ishte eksportuesi më i madh i medikamenteve në Shqipëri me një vlerë prej 43.5 milionë eurosh ose gati 16% të tregut.
Pas Turqisë, vendet me eksportet më të larta të medikamenteve në Shqipëri janë Zvicra, Italia, Sllovenia dhe Hungaria – ku të pesta vendet së bashku mbulojnë më shumë se 55 për qind të tregut.
Një rritje progresive në tregun shqiptar kanë pësuar edhe importet e medikamenteve nga Serbia, të cilat nga 5.3 milionë euro në vitin 2020 janë rritur në 9 milionë euro në vitin 2022. Vendet e tjera të Ballkanit, të tilla si Maqedonia e Veriut apo Bosnja kanë mbetur thuajse në të njëjtat kuota përgjatë tre viteve të fundit.
Cilësia e barnave që qarkullojnë në tregun e hapur farmaceutik është një shqetësim i vazhdueshëm i qytetarëve shqiptarë, ndërkohë që mungojnë analizat e besueshme të institucioneve përgjegjëse.
Në këto kushte, shumë besojnë se barnat që qarkullojnë në Shqipëri nuk janë cilësore.
“Barnat që qarkullojnë në Shqipëri flasin turqisht ose sllavisht,” tha Ilir Pecnikaj, pedagog i Farmacisë në universitetin “Zonja e Këshillit të Mirë”.
“Çmimet vendosen në mënyrë klienteliste, pa publikimin e tyre si dhe të lejes së importit, këto të detyruara nga ligji në fuqi,” shtoi ai, duke ngritur pikëpyetje për efektet e ndryshimeve ligjore në vend.
Kontrabanda e ilaçeve
Ilaçe kontrabandë të sjella në Shqipëri gjatë pandemisë.
Cilësia e medikamenteve ka qenë gjithmonë një temë debati në Shqipëri, por gjatë viteve të fundit duket se besimi ka ardhur në rënie. Mjeku Ilir Allkja thotë se gjatë punës së tij has shumë pacientë që nuk kanë besim të barnat që qarkullojnë në vend.
“Të tillë pacientë sjellin shembujt e miqve të tyre që kanë mundësi të blejnë barna jashtë dhe që e kontrollojnë shumë më mirë sëmundjen e tyre. Megjithë shpjegimet e mjekëve, ka pacientë që nuk kanë besim tek barnat që tregtohen këtu,” thotë Allkja.
Në kushtet e mungesës së besimit, ndodh që disa pacientë të ndërmarrin veprime në dëm të shëndetit dhe të shtyjnë kurimin e tyre, në pritje të barnave që ndonjë i afërm mund t’ua sjellë nga jashtë.
“Unë personalisht i nxis pacientët të trajtojnë sëmundjen e tyre me mundësitë reale. Në qoftë se dikush ka mundësi t’i marrë jashtë dhe në qoftë se koha për trajtim pret, i udhëzoj ndonjëherë që t’i marrin jashtë, por përgjithësisht i këshilloj për patenta barnash të vendeve evropiane,” shtoi më tej Allkja.
Tregtimi i barnave pa pullën e sigurisë është kundravajte administrative në Shqipëri dhe dënohet me gjobë dhe konfiskimin e barnave. Në rastin e tregtimit me shumicë gjoba është 500 mijë lekë, ndërsa për tregtimin me pakicë 200 mijë lekë. Por ndonëse qarkullimi i barnave pa pullë pranohet haptazi në farmacitë e kryeqytetit, ndëshkimet në tre vitet e fundit kanë qenë minimale.
Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, AKBPM, tha përmes një përgjigje me shkrim se në tre vitet e fundit kishte 1734 inspektime dhe kishte ndërmarrë 224 masa administrative.
Nga këto, vetëm 44 masa ose 19 për qind e totalit lidhen me tregtimin e barnave pa pullën e kontrollit të lëshuar nga AKBPM, ndërsa numri më i madh i shkeljeve ka të bëjë me tregtimin e barnave pa recetën e mjekut.
Sipas farmacistëve që folën me BIRN në kushtet e anonimatit, medikamentet kontrabandë sigurohen më së shumti në Greqi dhe Itali – ku përdoren kartat e shëndetit të qytetarëve shqiptarë. Nuk mungojnë edhe rastet kur ilaçet vidhen nga qendrat shëndetësore të vendeve fqinje.
Megjithatë, të dhënat për qarkullimin e këtyre medikamenteve në tregun vendas mungojnë.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tha se në tre vitet e fundit, drejtoria e saj e Antikontrabandës kishte konstatuar vetëm 1 rast për veprën “kontrabandë e medikamenteve dhe materialeve mjekësore”, por nuk përjashtoi raste të tjera të identifikuara në doganat lokale.Në dhjetor 2021, një sasi prej 740 kilogramë barna me vlerë rreth 119 mijë euro u sekuestruan në Durrës si rezultat i këtij operacioni.
Toma nga Urdhri i Farmacistëve thotë se mungesa e medikamenteve cilësore është një katalizator i rëndësishëm i kontrabandës. Ajo bëri apel që para se të ndëshkojë farmacistët, shteti të ndërhyjë për të plotësuar kërkesat e qytetarëve për barna cilësore.
“Në pamundësi të barnave efikase, rriten edhe rastet e medikamentave kontrabandë. Çdo pacient do të lëvizë të tërë gurët, përfshi këtu edhe kontrabandën për t’u mjekuar,” tha Toma.
“Ne nuk garantojmë cilësinë e medikamenteve dhe pacienti provon çdo rrugë që favorizon fenomenin e dënueshëm të kontrabandës,” përfundoi ajo.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi se Covid-19 nuk përfaqëson më një “emergjencë globale shëndetësore”.
Deklarata përfaqëson një hap të madh drejt përfundimit të pandemisë dhe vjen tre vjet pasi OBSH deklaroi për herë të parë nivelin e saj më të lartë të alarmit mbi virusin.
Zyrtarët thanë se shkalla e vdekjes nga virusi kishte rënë nga një kulm prej më shumë se 100,000 njerëz në javë në janar 2021 në pak më shumë se 3,500 më 24 prill.
Kreu i OBSH tha se të paktën shtatë milionë njerëz vdiqën nga pandemia.
Por Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se shifra e vërtetë “ka gjasa” të jetë më afër 20 milion vdekjeve, gati tre herë më shumë se vlerësimi zyrtar, dhe ai paralajmëroi se virusi mbetej ende një kërcënim i rëndësishëm.
“Dje, Komiteti i Emergjencave u takua për herë të 15-të dhe më ka rekomanduar që të shpall të përfunduar emergjencën shëndetësore. E kam pranuar këtë këshillë.
Prandaj, me shpresë të madhe unë e shpall të përfunduar emergjencën globale shëndetësore për COVID-19”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli për herë të parë Covid një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar në janar 2020.
Rastet e para me sëmundjen COVID-19 u regjistruan për herë të parë në fund të vitit 2019 në Vuhan të Kinës. Më pas, sëmundja u përhap në mbarë botën.
Në Shqipëri nga Covid kanë humbur jetën mbi 3,600 persona.
Dhënia e tenderave pa garë dhe në kufijtë e fondit limit në sistemin shëndetësisë në fillim të këtij viti, duket se është kthyer në një proces normale. Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti janë dhënë miliona euro tendera pa u zhvilluar një proces i pastër tenderimi.
Konkretisht, Agjencia e Prokurimeve Publike ka njoftuar më datë 14 shkurt të këtij viti shpalljen e tenderit nga ana e Spitalit Gjinekologjik Koço Gliozheni për “Furnizim Vendosje te Pajisjeve Mjekësore për Shërbimin e Ri të Riprodhimit të Asistuar Mjekësor”. Vlera limit e caktuar për këtë tendër është 185 milionë lekë të vjetër. Më datë 7 mars është njoftuar edhe shpallja e fituesit. Kontratën publike e fitoi kompania Euromed SHPK. Ky tender rezulton me flamur të kuq dhe theksohet se është dhënë pa garë, një procedurë që ndiqet kryesish kur paracaktohet subjekti që do fitojë tenderin dhe vendosen detaje teknike që plotësohen nga një kompani. Vlera me të cilën është fituar tenderi nga Euromed ka një diferencë shumë të ulët në krahasim me fondin limit. Nga 185 milionë lekë që ishte fondi limit, EUROMED SHPK e ka fituar tenderin në vlerën 179 milionë lekë të vjetër.
Në fakt kompania Euromed SHPK në pronësi të Ëngjëll Hoxhës dhe Hervin Forës, duket se është e preferuar nga spitalet dhe Ministria e Shëndetësisë. Kjo kompani rezulton se ka marrë 221 kontrata publike me një vlerë afro 9.5 milionë euro, nga të cilat Ministria e Shëndetësisë ka dhënë 5 tendera me një vlerë afro 1.3 milionë euro.
Ky nuk është rasti i vetë ku institucionet e shëndetësisë japin tendera me procedura të dyshimta pa garë. Me të njëjtën procedurë si rasti i mësipërm është dhënë edhe tenderi nga Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” Tiranë. Më 13 shkurt ky spital ka hapur tenderin me vlerë limit 223 milionë lekë të vjetër. Kontrata publike është fituar nga bashkimi i dy operatorëve Distrimed SHPK dhe sërish edhe Euromed SHPK. Bie në sy gjithashtu se në tender mungon gara dhe vlera e fondit me të cilin është fituar është afër fondit limit, pra 222.7 milionë lekë. Kujtojmë që dhënia e tenderave pa garë sipas KLSH në shumë raste I shkakton dëm ekonomik institucioneve shtetërore të cilat paguhen nga taksat e shqiptarëve.
Me të njëjtën skemë është përfshirë edhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Pa garë dhe me fond limit QSUT i ka dhënë tender 231 milionë lekë kompanisë “MONTAL” sh.p.k e cila rezulton 100% në pronësi Skënder Lufit. Ky i fundit rezulton të jetë një tjetër kompani e preferuar. Lufi rezulton se ka marrë 222 kontrata publike me vlerë mbi 10 milionë euro. Sipas Open Prokurment, ajo që bie në sy në të gjitha rastet është fakti se të gjitha kompanitë rezultojnë me aktivitet të lartë në prokurimin publik që nga koha kur në pushtet ka ardhur Partia Socialiste
Shqetësimet rreth rënies së shkallës së lindshmërisë, sado të justifikueshme, nuk duhet të bëhen “arsye për mohimin e të drejtave dhe autonomisë trupore të grave dhe vajzave”.
Në nëntor 2022, popullsia globale i kaloi 8 miliardë njerëz. Në të njëjtën kohë, dy të tretat e njerëzve në planet jetonin në vende ku shkalla e lindshmërisë kishte rënë nën të ashtuquajturin “niveli zëvendësimi” prej 2.1 lindjesh për grua.
Tranzicioni i madh demografik – kalimi nga vdekshmëri dhe lindshmëri më e lartë në atë më të ulët – po ndodh pothuajse kudo, por në disa pjesë të botës ka filluar më herët se në pjesë të tjera.
Kjo është arsyeja pse popullsia e botës është ende në rritje, ndërkohë që rritja e popullsisë ka ngecur, ose ose përmbysur, në një numër në rritje vendesh. Dhe kjo shpjegon pse mund të ketë njëkohësisht shqetësime si për “shumë” njerëz edhe për “shumë pak” njerëz.
Shqetësimet për “shumë pak” njerëz janë veçanërisht të mëdha në Evropën Lindore, ku nivelet e ulëta të lindshmërisë shoqërohen nga nivelet e larta emigrimi. Si rezultat, popullsia e vendit është zvogëluar, në disa raste me më shumë se 25 për qind që nga fillimi i viteve 1990.
Ashtu si normat e larta të lindshmërisë shihen shpesh si katastrofike për planetin, skeptikët e shohin rënien dhe rënien e qytetërimit në normat e ulëta të lindshmërisë tani të zakonshme në shumicën e vendeve me të ardhura të larta dhe të mesme.
Ka shumë shqetësime të vlefshme dhe urgjente në lidhje me zhvendosjen në popullsi më të vogla, më të vjetra. Si mund të lulëzojnë vendet ekonomikisht? Si të sigurohemi që sistemet e pensioneve dhe ato shëndetësore të përballojnë ndryshimet demografike? Si t’i ruajmë shërbimet dhe infrastrukturën për njerëzit që jetojnë në zonat rurale me popullsi të rrallë?
Por shqetësimi që dominon diskutimet publike mbi normat e lindshmërisë paraqet rreziqe, sipas raportit të këtij viti të Gjendjes së Popullsisë Botërore, të publikuar nga UNFPA: ankth i popullsisë nuk kërcënon vetëm të na shpërqendrojë nga gjetja e zgjidhjeve konstruktive e problemeve serioze, por të zgjidhshme. Ai gjithashtu rrezikon të bëhet një “arsyetim për mohimin e të drejtave dhe autonomisë trupore të grave dhe vajzave”.
Kur normat e lindshmërisë shihen si problemi i vetëm, zgjidhjet, siç thuhet ose nënkuptohet shpesh, duhet të jenë të lidhura me fertilitetin. Ose, siç thotë raporti: “Frikat dhe rregullimet fillojnë të marrin formën e trupit të një gruaje.”
Në këtë mënyrë, trupat e grave trajtohen si instrumente për të arritur idealet e popullsisë, jeta e tyre vihet në shërbim të arritjes së qëllimeve numerike abstrakte – nocione të mundësuara nga statusi ende i nënshtruar i gruas në shumicën e sferave të shoqërisë.
Fiksimi mbi normat e lindshmërisë t, dhe rrjedhimisht trupat e grave, vazhdon pjesërisht sepse ofron pika të lehta për t’u diskutuar dhe mund të përdoret për të justifikuar “rregullime” të thjeshta, por përfundimisht të gabuara, si vendosja e objektivave të fertilitetit për të “korrigjuar” një madhësi popullsie. Mund të duket më e lehtë të fokusohesh te normat e lindshmërisë dhe presioni ose nxitja e grave që të kenë më shumë fëmijë sesa të bëjnë investimet publike të nevojshme për të siguruar akses të barabartë në arsim cilësor, punësim, mbulim shëndetësor dhe mbrojtje sociale.
Hulumtimi i ri në raport tregon se pjesa e vendeve me politika për rritjen e lindshmërisë është rritur kohët e fundit. Dhe disa qeveri në vendet me lindshmëri të ulët kanë marrë masa për të kufizuar aksesin e grave në kontracepsionin dhe abortin e ligjshëm. Më gjerësisht, raporti konstaton se përpjekjet për të ndikuar në lindshmëri janë të lidhura me nivele të pakësuara të lirive njerëzore.
Kjo nuk do të thotë se përpjekjet për të rritur normat e lindshmërisë janë domosdoshmërish të këqija. Ato mund të jenë pjesë e një pakete më të gjerë masash për të menaxhuar ndryshimet demografike, për sa kohë që nuk janë shtrënguese dhe respektojnë të drejtat e grave dhe autonominë trupore.
Mënyra për ta arritur këtë është zhvendosja e fokusit nga lindshmëria te lindshmëria e dëshiruar. Shumica e njerëzve në Evropën Lindore do të dëshironin të kishin dy ose më shumë fëmijë, por përfundojnë duke pasur një ose asnjë. Të kuptuarit e barrierave me të cilat përballen njerëzit në realizimin e synimeve të tyre të lindshmërisë dhe mbyllja e hendekut midis lindshmërisë së dëshiruar dhe asaj aktuale është pika ku qeveritë mund të bëjnë një ndryshim të vërtetë.
Është inkurajuese të shohësh se gjithnjë e më shumë vende kanë filluar të lënë mënjanë frikën dhe po i përgjigjen ndryshimeve demografike me zgjidhje të reja, konstruktive për të nxitur popullsi vërtet të suksesshme dhe të lulëzuara. Ata nuk po vendosin objektiva, por po synojnë qëndrueshmëri demografike. Kjo qasje nënkupton që sistemet sociale dhe ekonomike duhet të ndjekin nevojat e njerëzve në mënyrë që të lulëzojnë në një botë me ndryshime demografike.
Në shoqëritë elastike demografike, të drejtat dhe zgjedhjet e grave nuk janë pengesë. Përkundrazi, hulumtimi i fundit i Kombeve të Bashkuara ka treguar, për shembull, se barazia më e madhe gjinore në fuqinë punëtore do të bënte shumë më tepër për të mbështetur ekonomitë në shoqëritë e plakura me norma të ulëta lindshmërie sesa një kthim në norma më të larta të lindshmërisë. Në Evropë sot, shoqëritë me nivelin më të lartë të barazisë gjinore janë gjithashtu ndër më të zhvilluarat (dhe rastësisht kanë edhe normat më të larta të lindshmërisë).
Në përmbushjen e sfidave – dhe mundësive – që shoqërojnë ndryshimin demografik, nuk duhet të lejojmë kurrë që të na udhëheqë frika. Vetëm nëse i vendosim njerëzit me të drejtat dhe nevojat e tyre në qendër, dhe nëse krijojmë shoqëri më të drejta dhe më gjithëpërfshirëse, mund të sigurojmë që vendet të lulëzojnë në një botë me ndryshime të shpejta demografike.
Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.
Your ticket for the: TFL në Komisionin Parlamentar, ngritja e problematikave të moshës së tretë lidhur me aksesin e ulët në shërbimet shëndetësore dhe sociale
Title
TFL në Komisionin Parlamentar, ngritja e problematikave të moshës së tretë lidhur me aksesin e ulët në shërbimet shëndetësore dhe sociale