denonco@transparency.com.al

Lajme

“Vështirë të gjesh ilaçe. Në Shqipëri ekzistojnë vetëm 2 ilaçe për sëmundjen tonë dhe ato kushtojnë jashtëzakonisht shumë”

Në workshop-in “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, organizuar nga shoqata Together For Life (TFL) dhe mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), u theksua mungesa e informimit dhe e investimit nga ana qytetare ne proceset konsultuese. Kjo problematikë krijon më pas një sërë problemesh të tjera, zinxhir, të cilat dekurajojnë dhe përkeqësojnë situatën e përfshirjes dhe angazhimit qytetar dhe nga ana tjetër kontribuojnë në abuzimin dhe degradimin e mëtejshëm të sistemit shëndetësor (dhe jo vetëm) nga ana e shtetit.

Elida Jata nga Qendra ALTRI u shpreh: “Mungesa e investimit në mënyrë të theksuar nga ana qytetare për të qenë pjesë e proceseve konsultuese. Po ashtu aq e rëndësishme është edukimi i qytetarëve për të kuptuar buxhetin e Bashkisë, pasi kemi pare shpesh që qytetarët i kërkojnë bashkisë gjëra tepër vizionare për buxhetin ose gjëra që nuk janë në kompetencë të drejtpërdrejt me bashkinë. Pra, këtu është problem i informimit dhe edukimit të qytetarëve për prioritetet dhe pretendimet e tyre.”

Gjatë diksutimit u vu re se ky problem nuk fillon dhe mbyllet vetëm me detyrat dhe përgjegjesitë tona si qytetarë, por ndikon dhe në horizontin dhe mentalitetin e qasjes sonë ndaj grupeve të margjinalizuara dhe grupeve vulnerabël dhe problemeve që ato kanë në shoqëri, dhe po ashtu kauzave që ato luftojnë. Pra, ky është efekti zinxhir i përmendur më sipër.

E tillë është stigma e mospraninmit të sëmundjeve të caktuara, gjë që u shpreh nga dy përfaqësusese të organizatës Jeto Përsëri që fokusohet në pacientët me sklerozë multiple: “Pacienti nuk pranohet psikologjikisht nga familja. Problemi fillon këtu dhe pastaj vazhdon me komunitetin e më pas me statusin aktiv në punë. Mosha e njerëzve që preken nga kjo sëmundje ështe 20 – 40 vjeç dhe nuk ka asnjë lloj kushti për t’i trajtuar. Për më tepër, nuk pranohen nga shoqëria dhe është vështirë të gjesh ilaçe. Nëse në Shqipëri ekzistojnë 2 ilaçe, në rajon janë 4-5 ilaçe të ndryshme. Fokusi ynë është të sensibilizojmë shoqërinë dhe ndikojmë në rritjen e numrit të ilaçeve të cilat kushtojnë jashtëzakonisht shumë.

Read more

Elona Hasko: Duhet të bëjmë rrjetizimin dhe specializimin më të mirë të shoqërisë civile

Gjatë workshop-it “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, organizuar nga shoqata Together For Life (TFL) dhe mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), pjesëmarrësit shprehën pakënaqesinë rreth paragjykimeve që hasin dhe rreth mungesës së komunikimit nga ana e shtetit, duke shpërfillur kështu pozitën dhe detyrën e shoqërisë civile dhe duke i lënë ata të përjashtuar në procese të cila duhet të marrin pjesë. Pikërisht mbi këtë kontekst, specialistja për autizmin Elona Hasko, përmendi rëndësinë e rrjetizimit dhe specializimit më të mirë të shoqërisë civile mbi çështje specifike.

“Fëmijët me autizëm janë me aftësi të veçanta, por jo të kufizuara. Është shumë e rëndësishme për shoqërinë civile që të fillojë të profilizohet. Kur bëhen tryeza speciale për arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, bëhen me qëllim që të njohim njerëzit dhe ekspertët. Si mund të rrisim ne numrin e mësuesve të profilizuar për të dhënë mësim fëmijëve autik? Bashkia e Tiranës ka Open Data ku nxjerr çdo vit numrin e fëmijëve me nevoja të veçanta, të specifikuara, por këta janë fëmijë të rregjistruar si të tillë. Kjo ndodh pasi familja mund të mos e pranojë që fëmija ka një problem të caktuar, por duke u nisur nga mbrojtja dhe siguria e fëmijës, duhet shënuar në statistika situata e tij.

Në këtë mënyrë neve mund të parashikojmë sa mund të jenë me nevoja të veçanta. ”

Por, një tjetër problem që vihet re është dhe mungesa e një infrastruktureje të mirëfilltë, të specializuar për një grup të caktuar. Përsa i përket fëmijëve me autizëm, Elona Hasku, shprehu se Shqipëria në krahasim me Europën dhe Amerikën është lider ne ofrimin e mësuesve në edukimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Kjo është ndihmuar dhe nga lobimi i shoqërisë civile, i familjes, i medias. Në Europë nuk mund të shkosh në çdo shkollë edhe të të ofrohet mësuesi ndihmës, por vetëm në shkolla të veçanta, të dedikuara. Në Shqipëri shërbimi është më i mirë, mësuesi është i trajnuar dhe nuk ndëpritet në momentin që përfundon shkolla 9-vjeçare. Një nga direktivat që ne ia kemi paraqitur Ministrisë së Arsimit është krijimi i shkollave të profilizuara. Kjo është një gjë që duhet bërë duke u bazuar dhe në kapacitetet e qyteteve.”

Read more

Ersilda Teliti: Doktorët detyrohen të pranojnë marrëveshjen nga urdhri edhe nëse shërbimet nuk janë cilësore

Në workshop-in “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, organizuar nga shoqata Together For Life (TFL) dhe mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), u diskutua për sfidat, problematikat dhe mungesat në sistemin shëndetësor shqiptar dhe rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile në këtë sistem.

Gjatë diskutimit, përfaqësues të organizatave civile shprehën dëshirën dhe interesin e tyre në sensibilizimin e popullatës në çështjet sociale. Pjesëmarrësit vlerësuan workshop-in dhe takime të tilla pasi janë mundësira të vlefshme për bashkëpunim mes njëri – tjetrit.

Një nga problemet që u përmend shpesh nga të gjithë përfaqësuesit e organizatave ishte mungesa e informimit të qytetarëve dhe në shumë raste mbi çështje që i prekin ata drejtpërdrejt.

Mbi këtë problematikë, Ersilda Teliti nga Qëndra Konsumatori Shqiptar u shpreh:

“Mungesa e informacionit ka bërë që doktorët të pranojnë marrëveshjen nga urdhri duke i bërë dëm qytetarit, në çdo rast, edhe kur mjekimi është i pakujdesshëm dhe jo cilësor. Nëse qytetari kërkon direkt dëmshpërblim – biologjik, shëndetësor dhe moral – kjo do t’i kompesonte deri diku dëmin që ka pësuar. Po ju jap një rast personal: Në farmaci morra disa vitamina amerikane të cilat m’u rekomanduan nga farmacia. Vura re që fillova të kisha probleme me shëndetin. Pasi morra informacion rezultoi që rrjeti i farmacive ishte nga një person shumë i famshëm në Shqipëri, siç ndodh gjithmonë. Mesazhi nga kolegët e mi ishte të mos merresha me rrugë gjyqësore por unë e vazhdova deri diku luftën. Trupi im pati probleme nga përdorimi i këtyre vitaminave pasi ato duhet të kishin një përbërës që nuk funksionon mirë me shëndetin.”

Përsa i përket tenderave që nënshkruhen, që është një nga problemet që citohen dhe më sipër, një nga pjesëmarrësit u shpreh se organizata ku punonte merrej pikërisht me aspektin e llogaridhënies dhe transparencës të tenderave që miratohen dhe më pas zbatohen.  “Organizata që unë përfaqësoj ka përdorur një metodë që quhet ‘Redflag Procedure’, i cili është një lloj procesi prokurimi ku nxirren në pah politika dhe vendime që janë në kundërshtim me ligjin. Organizata jonë ka dhënë shumë transparencë sepse është e mirëorganizuar në sektorin e shëndetësisë. Nëpërmjet kësaj metode ngrihet zëri qytetar ne media dhe njëkohësisht zëri qytetar është i mirëinformuar. Dhe kjo metodë ka funksionuar.”

Read more

KLSH: Kontrata problematike e PPP së laboratorit po rrezikon jetën e pacientëve

“Përcaktimi i tavaneve vjetore buxhetore po kufizon kryerjen e analizave laboratorike për secilin spital, të sanksionuar në kontratën koncesionare të laboratorëve, duke rrezikuar ofrimin e analizave laboratorike, në masën e duhur, sipas nevojave spitalore dhe duke sjellë për pasojë drejtimin e pacientëve në marrjen e këtij shërbimi tek subjektet private, me kosto për qytetarët, si dhe përkeqësim të shëndetit nga moskryerja në kohë e analizave përkatëse”, evidentoi Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditin që ushtroi në Fondin e Sigurimit të detyrueshëm Shëndetësor për vitin 2022

Nga auditimi i Kontratës koncesionare/PPP “Shërbimi laboratorik” ofrimi i këtij shërbimi është i kufizuar, nga kushtet e kontratës pika 22.4 “Tavanet e buxhetit”.

“Tavanet e buxhetit”, sipas të cilit koncesionari nuk mund të tejkalojë fondin e miratuar për spitalet në zërin “Laboratorët”, për rrjedhojë rastet shtesë duhet të transferohen në një listë pritje me përparësi, duke filluar nga periudha tjetër buxhetore e spitalit referues.

Nga auditimi është evidentuar se 11 nga 19 spitale (QSU, SU “Shefqet Ndroqi”, SU “Trauma”, spitalet Elbasan, Fier, Korçë, Sarandë etj.) kanë një nivel të realizimit të shërbimit laboratorik në masën 97-100 %, kundrejt planit.

Në këto spitale ofrimi i shërbimit laboratorik ka pasur kufizim respektimin e tavaneve buxhetore dhe ka rrezikuar të bëhet pengesë për ofrimin e analizave laboratorike, në masën e duhur, sipas nevojave spitalore, duke sjellë për pasojë drejtimin e pacientëve drejtë laboratorëve privatë, me kosto për qytetarët, si dhe përkeqësim të shëndetit nga moskryerja në kohë e analizave përkatëse.

Ofrimi i këtij shërbimi sipas kërkesës, është i kufizuar, nga kushtet e kontratës ku cilësohet se, “Në çdo periudhë të caktuar buxhetore, koncesionari do të njoftojë drejtorin e spitalit referues, duke vënë në dijeni dhe përfaqësuesin e FSDKSH, brenda dy ditëve kur tarifat e shërbimeve të pagueshme për numrin e përgjithshëm të analizave të kryera nga koncesionari për çdo spital referues tejkalojnë 50%; 75% dhe 100%, përkatësisht të tavanit buxhetor të zbatueshëm për atë spital”.

Kur në një periudhë të vetme buxhetore, tarifat e shërbimit të pagueshme për numrin e përgjithshëm të analizave të kryera nga kocesionari, për çdo spital referues, arrijnë 75 % të tavanit të buxhetit dhe koncesionari e ka njoftuar drejtorin e spitali referues në përputhje me kontratën. Drejtori i spitalit referues brenda 3 ditëve, informon me shkrim koncesionarin duke vënë dijeni autoritetin dhe FSDKSH në lidhje me vendimin e tij për të:

  1. vazhduar me marrjen e shërbimeve mjekësore, për të gjithë pacientët e referuar deri sa të arrihet 100% i tavanit buxhetor (alternativa A)
  2. vazhduar me marrjen e shërbimeve mjekësore vetëm për analizat urgjente deri sa të arrihet 100% i tavanit buxhetor.

Koncesionari ka detyrim të ofrojë analiza urgjente, pa pagesë spitalit referues, brenda një vëllimi të lejuar që mbulon 5 % të vëllimit të analizave urgjente, të kryera për spitalin referues, deri në përmbushjen e tavanit buxhetor.

Nga sa më sipër, rezulton se kufizimet në kryerjen e analizave laboratorike janë të lidhura me tavanin buxhetor të secilit spital dhe janë të sanksionuara në kontratën koncesionare të laboratorëve me pasoja negative në shëndetin e popullatës.

Kontrata e laboratorëve parashikon pagesën e nivelit të shërbimit nga ana e spitaleve publike për një periudhë 10 vjeçare, ku tavani buxhetor sipas pikës 1.1 të kontratës nënkupton “Shumën maksimale totale të tarifës së shërbimit të pagueshme nga një spital referues për koncesionarin në një periudhë buxhetore gjatë afatit, e cila përfaqëson tavanin buxhetor vjetor për një spital referues në 12 periudha buxhetore (muaj)”.

Ndërsa në shtojcën 12 të kontratës është përcaktuar se: “Spitali referues angazhohet për përmbushjen e çdo detyrimi që i ngarkohet nga kontrata, por pa kufizim pagesën e tarifave të shërbimit të koncesionarit gjatë afatit të kontratës”. Referuar të dhënave mbi shpenzimet e kryera në vitin 2020 dhe 2021, në shumat respektive 1,103,199 mijë lekë dhe 1,612,914 mijë lekë, si dhe ecurisë së planifikimit afatmesëm të buxhetit për financimin e këtij shërbimi rezulton se, vlera e tij do shkojë më tepër se parashikimi, duke kërkuar çdo vit më shumë angazhim fondesh buxhetore, analizon KLSH-ja.

KLSH shprehet se edhe përcaktimi i tavaneve vjetore buxhetore, për disiplinimin e shpenzimeve, nuk ka arritur të jetë në nivelin e parashikuar, shtuar këtu dhe faktin që ky kufizim ka të bëjë drejtpërsëdrejti me plotësimin e nevojave të pacientëve në kohën e duhur.

Gjatë vitit 2022, plani fillestar për PPP-Laboratorë është në shumën 1,574, mijë lekë, si dhe është shtuar gjatë vitit Plani përfundimtar rezulton në shumën 1,639 mijë lekë për 2022.

Koncesioni laboratorik i spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës u firmos në mbledhjen e 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri në fuqi në dhjetor të vitit 2019.

Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë, ose rreth 106 milionë euro, dhe afati i saj përfundon në vitin 2028. Por pagesat për këtë koncesion janë rritur vit pas viti. Nga 1.1 miliardë lekë që u paguan nga buxheti në 2021, shuma u rrit në 1.6 miliardë lekë në 2022 dhe pritet të arrijë në 1.8 miliardë lekë në 2023, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.

Ndërsa në 2024-n në projektbuxhet janë parashikuar 1.85 miliardë lekë. Pagesat çdo vit u rritën për shkak të shtimit të numrit të analizave në raport me parashikimet e kontratës.

Burimi: Ministria e Financave

Burimi: “Revista Monitor” https://www.monitor.al/klsh-kontrata-problematike-e-ppp-se-laboratorit-po-rrezikon-jeten-e-pacienteve/?fbclid=IwAR3l4LgzqTjgfTTJBHdx-I7mJf5WHlfoTnVp2ShFvRfSHliE2yMRkfWyRiY_aem_AXXanFFRtomKlbx7B68ac7kkrlIEvFhkVDXhZl330ys3PT4CxImx8lfSfV3jIq2D1cc&mibextid=cr9u03

Read more

Miliarda lekë për koncesionet që janë shpallur afera korruptive me vendim gjykate

Edhe pse norma e koncesioneve të vendosura nën hetim, që kanë rezultuar afera korruptive është 100 për qind, qeveria do të vazhdojë të pompojë miliardë lekë të taksapaguesve për kompanitë koncesionare edhe gjatë vitit të ardhshë. Sipas relacionit të projektbuxhetit 2024, qeveria do të paguajë 14.3 miliardë lekë ose 135 milionë euro për kontratat koncesionare gjatë vitit që vjen.

“Për vitin 2024, pagesat vjetore neto që parashikohet të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare/PPP, kapin vlerën rreth 14.3 miliardë lekë,” thuhet në relacionin e projektbuxhetit 2024.

Të dhënat tregojnë se krahasuar me vitin korrent, pagesat për koncesionet do të rriten me 1.2 miliardë lekë ose 10 milionë euro për vitin e ardhshëm. Në krye të listës, si koncesioni që do të marrë më shumë para nga buxheti qëndron rruga e Arbrit.

Për vitin e ardhshëm qeveria do të paguajë 3.5 miliardë lekë për kompaninë koncesionare Gjoka Konstruksion, e cila ndërtoi rrugën që lidh Tiranën me Dibrën me fondet e veta. Krahasuar me këtë vit, pagesa për koncesionin e rrugës së Arbrit rritet me 25 për qind ose 700 milionë lekë më shumë.

Në vendin e dytë, renditet një tjetër koncesion i shumëpërfolur. Bëhet fjalë për kontratën koncesionare të laboratorëve. Për vitin 2024, qeveria do të paguajë 1.85 miliardë lekë për bashkimin e kompanive koncesionare të shërbimit laboratorik, që kryesohet nga Labopharma e Janis Karathanos.

Më poshtë në vendin e tretë renditet një tjetër kontratë e shpallur si aferë korruptive me vendim gjykatë. Bëhet fjalë për koncesionin e sterilizimit, i cili vitin e ardhshëm do të paguhet plotë 1.76 miliardë lekë ose rreth 16.7 milionë euro. Për këtë koncesion ka tashmë zyrtarë të arrestuar, ndërkohë që është nën hetim edhe ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja.

Në vendin e katërt dhe të pestë renditen koncesioni i skanimit në dogana dhe ai i inceneratorit të Tiranës, të cilat do të marrin respektivisht nga 1.67 miliardë dhe 1.27 miliardë lekë. I pari është dhënë nga ish qeveria e Partisë Demokratike, ndërsa koncesioni i dytë i dhënë nga socialistët është shpallur zyrtarisht si një aferë korruptive me vendim gjykate.   

Burimi: https://www.kapitali.al/biznesi-vazhdon-miliarda-leke-per-koncesionet-qe-jane-shpallur-afera-korruptive-me-vendim-gjykate/?fbclid=IwAR0BNir1EqULLjr2aQrEqOZwrg95nZx8WTq64YtCxHTRJOkmCm5SBlDpREU_aem_AfJzEAAx08Dr5LI9vI8cyCXyY3UsrX0JVw_1JroWBYgwaT-a8dh8aCXNvZNZIrSoWDk&mibextid=cr9u03

Read more

Rama dhe Manastirliu spekuluan me ‘studimin e ISHP’ për sterilizimin

Shëndetësia shqiptare lëngon nga eksodi i pandalshëm i mjekëve

Pas akuzave të ngritura nga SPAK, Rama dhe Manastirliu e morën në mbrojtje koncesionin e sterilizimit me argumentin se kishte ulur ditët e qëndrimit të pacientëve në spital sipas një studimi – që ISHP thotë se nuk vlerëson zbatimin e kontratës në fjalë.

Vetëm pak ditë pas arrestimeve të SPAK për kontratën e partneritetit publik privat të sterilizimit, kryeministri Edi Rama dhe ministrja në atë kohë e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shfaqën në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë për ta quajtur atë ‘një sukses’.

Në korridorin e spitalit ishin ekspozuar disa mjete të vjetra dhe të ndryshkura kirurgjikale, ndërsa kamerat kujdeseshin të fiksonin kontrastin me aparaturat e reja të sterilizimit.

“…vetëm ulja e ditëve pas operacionit të qëndrimit në spital ka sjellë një përfitueshmëri financiare që është më e lartë sesa gjithë shpenzimi në total që është bërë për këtë proces,” tha Rama nga spitali “Shefqet Ndroqi”.

I njëjti mesazh u përforcua edhe nga Manastirliu, e cila iu referua një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, ISHP, për efikasitetin e investimeve në shërbimet kirurgjikale.

“ISHP këtë vit ka bërë një studim mbi efikasitetin dhe eficensën e gjithë investimeve në shërbimet kirurgjikale dhe ka shqyrtuar një nga investimet më të mëdha që është shërbimi i integruar i instrumenteve dhe sterilizimit dhe çfarë ka nxjerr është kjo: Ky investim ka reduktuar me 20 për qind përdorimin e antibiotikëve, e dyta ka ulur ditët e qëndrimit, dhe nga 2014 deri tani është ulur me 2.3 ditë qëndrimi…,” tha Manastirliu.

Por ndryshe nga mesazhet e Ramës dhe Manastirliut, ISHP i tha BIRN se nuk kishte kryer një vlerësim mbi zbatimin e kontratës së sterilizimit.

ISHP tha se kishte kryer studimin me titull “Vlerësimi i ecurisë së infeksioneve të lidhura me kujdesin shëndetësor postkirurgjikal, pas ndërhyrjeve efektive në sistemin shëndetësor”, por nuk e vuri atë në dispozicion të BIRN.

“Ky studim i kryer nuk ka qenë posaçërisht për të vlerësuar zbatimin e kontratës së cilës ju i referoheni,” tha drejtoresha e ISHP, Eugena Tomini në një përgjigje për BIRN.

Koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është kontrata më e shtrenjtë e partneritetit publik privat e qeverisë ‘Rama’ në sektorin e shëndetësisë, e cila u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 76 milionë euro deri në fund të vitit 2022.

Sipas hetimit të Prokurorisë së Posaçme, koncesioni është dhënë në kushtet e konfliktit të interesit, shpërdorimit të detyrës dhe manipulimit të studimit të fizibilitetit. Ish.zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj ndodhen prej dy muajsh në qeli për këtë kontratë, ndërsa hetime po kryhen edhe për ish-ministrat Ilir Beqaj dhe Shkëlqim Cani.

Ndërsa koncesioni i sterilizimit u bë pis nga akuzat e ngritura nga SPAK, zyrtarët më të lartë të qeverisë e devijuan debatin publik te përfitimi që kishte pasur sektori shëndetësor – veçanërisht me uljen e ditëve të qëndrimit të pacientëve në spital.

Për të verifikuar këto pretendime, BIRN i kërkoi ISHP-së studimin në fjalë dhe mori dhjetra faqe monitorimesh në spitale të ndryshme të vendit ndër vite për nivelin e infeksioneve spitalore, por asnjë studim krahasues për ndikimin e investimeve dhe aq më pak të kontratës koncesionare të sterilizimit.

Ndërsa të dhënat mbi reduktimin e infeksioneve të plagëve operatore kanë dalë sipas ISHP-së nga monitorimet rutinë dhe nuk kanë lidhje “me vlerësimin apo një studim të mirëfilltë”.

Sipas ISHP-së, ulja e infeksioneve spitalore ndodh për shkak të disa faktorëve ndikues si; infrastruktura spitalore, sterilizimi dhe dezinfektimi i mjeteve kirurgjikale, kushtet e punës, mjetet mbrojtëse personale, pajisja me aparatura mjekësore, mjekimi adekuat, sistemi i aspirimit, etj..

Në përgjigjen e Tominit pranohet se studimet krahasuese për vitet 2013-2023 tregojnë se ndotja mikrobike është ulur, -“pasi janë ndërmarrë një sërë hapash për parandalimin”.

Por, ky institucion nuk qe në gjendje të jepte një përgjigje se sa ka ndikuar faktori “sterilizim” në përmirësimin e situatës.

Kryeministri Rama nuk iu përgjigj kërkesës për koment se në çfarë të dhënash e kishte bazuar qëndrimin e tij, ndërsa Manastirliu, e cila mban detyrën e ministres së Arsimit dhe Sportit që nga shtatori, mohoi që t’i jetë referuar një studimi të posaçëm të ISHP-së në fjalën e saj.

“U jam referuar një serie treguesish, që janë pjesë e disa raporteve vlerësuese apo hulumtimeve të kryera në seri kohore si dhe të dhëna të institucioneve shëndetësore dhe ekspertëve vendas dhe të huaj dhe jam bazuar në këto referenca,” tha ajo nëpërmjet një zëdhënëseje për BIRN.

Studimi i fundit i ISHP-së, që nxjerr përfundime për nivelin e ndikimit të sterilizimit në përhapjen e infeksioneve spitalore i përket periudhës 2010-2013, ku setet kirurgjikale dhe reanimuese kanë rreth 23 për qind të peshës për infeksionet.

Burimi: Reporter.al

Read more

TFL organizon workshop-in e dytë me OSHC: “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë – Pse është me rëndësi pjesëmarrja e OSHC-ve në buxhetim?”

Shoqata Together for Life, në kuadër të projektit “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse në Shqipëri”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), organizoi workshop-in e dytë me organizata të shoqërisë civile në Shqipëri.

Në formën e një tryeze konsultimi mbi tematikën bosht të transparencës dhe llogaridhënies në fushën e shëndetësisë, OSHC-të që mbulojnë këtë fushë dhe fusha të tjera, reflektuan disa nga sfidat me të cilat përballen organizatat e shoqërisë civile kur bëhet fjalë për përfshirjen e tyre në procesin e buxhetimit, si edhe çfarë mund të bëhet për promovimin e përgjegjshmërisë dhe transparencës.    

Ndër pikat kyçe që u theksuan gjatë tryezës lidhur me faktin pse përfshirja e OSHC-ve është me rëndësi thelbësore:

  • Për të shprehur nevojat e grupeve sociale të ndryshme në nivelin e politikëbërjes;
  • Për të negociuar ndarjen e burimeve publike në funksion të nevojave dhe shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile;
  • Për të maksimizuar barazinë në vendimarrje dhe për të sjellë rezultate më të mira në zbatimin e politikave;
  • Për të thyer barrierat tipike të buxhetimit nga lart-poshtë duke nxitur qasjen e buxhetimit nga poshtë-lart;
  • Për të fuqizuar komunitetin për të monitoruar shpenzimet publike.

Përsa i përket sfidave me të cilat hasen OSHC-të, lidhen me mungesën e informacionit përsa i përket ligjeve të përfshirjes në konsultimet në buxhetim, si edhe mungesa e aftësive teknike në procesin buxhetor. Duke ju atashuar edhe mungesës së vullnetit politikë-bërës, kjo pjesë ndikon negativisht në përfshirjen aktive të organizatave të shoqërisë civile në vendimmarrje dhe rrjedhimisht edhe mospërfaqësimit të plotë të nevojave aktuale të target-grupeve që ato përfaqësojnë. 

Nga ana tjetër, shumë nga organizatat nuk ftohen në procese konsultuese ose edhe kur ftohen dhe paraqesin propozimet e tyre, nuk merren parasysh nga vendimmarrësit dhe as nuk u mundësohet një shpjegim zyrtar pse nuk janë marrë parasysh. Në raste të tjera, informacioni zyrtar nuk është i plotë, i përditësuar ose i aksesueshëm. Në raportet e publikuara ka një diferencë midis planifikimit, buxhetimit dhe zbatimit, duke bërë që kauzat e ngritura të mos jenë qartësisht të mirëbazuara në fakte. Këto sipas këndvështrimit të OSHC-ve, përbëjnë tregues të qartë të mungesës së transparencës.

Shpeshherë organizatat portretizohen si “oponent” dhe kjo nuk ndihmon në ndërtimin e një sinergjie bashkëpunuese OSHC-Vendimmarrës.

– “Ajo që është problem është se ministritë e quajnë OSHC-në si “delen e zezë”. Për këtë arsye nuk merremi në konsideratë dhe vijojnë me mendimet e veta”.

– “Më përpara kishte konsultime me SHC edhe i kushtohej serioziteti i duhur, por me kalimin e kohës këto u bënë thjeshtë formale, duke mos i kushtuar rëndësinë e duhur”.

OSHC-të pjesëmarrëse vlerësuan si shumë të domosdoshme organizimin e tryezave të tilla, së pari për të krijuar ose forcuar rrjetëzimin midis organizatave për ngritjen e kauzave mbi çështje kritike dhe fuqizimin e aftësive të tyre monitoruese, në dobi të nxitjes së përgjegjshmërisë dhe transparencës. Nga ana tjetër, këto sinergji do të shërbejnë edhe për fuqizimin e trinormit Vendimmarrje-Llogaridhënie-Transparencë.  

Read more

Hiri i mbetjeve spitalore groposet në ‘malin me plehra’ të landfillit të Elbasanit

Të dhënat e siguruara nga BIRN hedhin dritë mbi problemet në trajtimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, përfshirë edhe trajtimin e hirit që mbetet nga incinerimi në kundërshtim me praktikat më të mira të mbrojtjes së mjedisit.

Në një ditë të nxehtë në fillim të gushtit, një burrë rreth të 50-ave rrëmon në kazanët e plehrave pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kërkim të mbetjeve të plastikës. Por në vend të tyre, ai thotë se has shpesh mbetje anatomike të rrezikshme, që flaken aty pas ndërhyrjeve të ndryshme kirurgjikale.

“Këtu kanë hedhur kuti me shiringa, serume, fasha me gjak dhe organe njerëzish,” tha burri, duke shtuar se mbetje të tilla ishin shtuar kohët e fundit.

“Kur më shohin infermieret më bërtasin, më thonë ‘mos i hap ato se nuk ka gjë’,” shtoi ai.

Mbetjet spitalore konsiderohen mbetje të rrezikshme në Shqipëri dhe grumbullimi, transporti, trajtimi dhe asgjësimi përfundimtar i tyre përbën një sfidë serioze për mjedisin dhe shëndetin publik.

Hedhja në kontejnerët e mbetjeve urbane përbën një shkelje të rëndë, por ky nuk është problemi i vetëm në zinxhirin e trajtimit të tyre.

Ndërsa shumica e mbetjeve spitalore në Shqipëri trajtohen përmes sterilizimit dhe incenerimit, për vite me radhë kanë munguar të dhënat se ku përfundonte hiri që mbetej pas djegies së tyre.

Sipas legjislacionit në fuqi, hiri duhet analizuar dhe nëse testet vërtetojnë se ai nuk paraqet rrezikshmëri mund të depozitohet në landfille të zakonshme. Në të kundërt, hiri duhet të depozitohet në landfille për mbetje të rrezikshme.

Por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se hiri i mbetjeve spitalore deklarohet në të gjitha rastet si tepricë e parrezikshme dhe depozitohet në landfillet e mbetjeve urbane.

Vetëm në landfillin e Elbasanit, ku ngrihet tashmë një mal me plehra si pasojë e problemeve të mbartura me inceneratorin, depozitohen mesatarisht çdo muaj rreth 2.9 ton hi nga djegia e mbetjeve spitalore nga kompanitë e licensuara për trajtimin e tyre.

Kompania Eco-ELB që menaxhon landfillin e Elbasanit pretendon se e pranon hirin në përputhje me lejen e vet mjedisore, ndërsa shton se nuk ka hasur në asnjë rast mbetje të rrezikshme.

Por ekspertët e mjedisit theksojnë se mbetjet e hirit duhet t’u nënshtrohen analizave të hollësishme, përpara se të groposen në landfill.

“Mbetjet spitalore kategorizohen te mbetjet e rrezikshme dhe duan trajtim të veçantë, i cili përtej dhe përveç incenerimit, kërkon trajtim të kujdesshëm edhe për hirin që mbetet pas djegjes së këtyre mbetjeve,” thotë Mihallaq Qirjo, drejtues i organizatës mjedisore REC Albania.

“Kur sasia e metaleve të rënda është shumë e lartë, ato kalojnë në ekosistem përmes tokës apo ujit dhe me shumë gjasë ato fillojnë të ndjekin rrugën e mbetjes në zinxhirin ushqimor…,” shtoi ai.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk iu përgjigj pyetjes direkte të BIRN nëse ekzistojnë landfille të licensuara për trajtimin e hirit, por ia ngarkoi këtë përgjegjësi kompanive private.

“Hiri që del nga incenerimi duhet të analizohet dhe të klasifikohet se çfarë kodi është sipas katalogut të mbetjeve. Më pas, kompanitë duhet të kërkojnë nëse ka landfill për t’i depozituar ato ose kompani të pajisura me licence III.2.B që i transferojnë këto kode,” tha AKM në një përgjigje me shkrim.

“Asnjë gram hi”

Biznesi i trajtimit të mbetjeve ka si udhërrëfyes Katalogun e Mbetjeve – një dokument i miratuar për herë të parë në vitin 2005 dhe i përditësuar përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave në qershor të vitit 2021.

Dokumenti përcakton kode dyshifrore për sektorët ekonomikë, kode 4-shifrore për nënkategoritë dhe kode specifike 6-shifrore përmes së cilave identifikohet përmbajtja e mbetjeve.

Mbetjet spitalore klasifikohen në kapitullin 18, ndërsa mbetjet nga impiantet e trajtimit të mbetjeve të tilla se hiri klasifikohen me kodin 19. Më pas, ato ndahen në nënkategorinë 19 01 “mbetje nga incineratorët dhe piroliza e mbetjeve”, që duhen specifikuar gjithashtu hira fundore që përmbajnë substanca të rrezikshme [19 01 11*] dhe hira fundore që nuk përmbajnë substanca të rrezikshme [19 01 12].

Kërkimet për një landfill të licensuar të trajtimit hirit që përmban substanca të rrezikshme e çuan BIRN në fshatin Manskuri të njësisë Rrashbull në periferi të Durrësit, ku ndodhet një park industrial i administruar nga kompania koncesionare “Brema Ambiente”.

Administratori i kompanisë, Selim Bregu i tha BIRN se kishte lidhur marrëveshje me disa kompani të trajtimit të mbetjeve spitalore, por u ankua se hiri nuk depozitohej në landfillin e tij.

Kjo reportere ishte e pranishme në një takim që Bregu pati me inxhinierin e mjedisit të njërës prej kompanive të trajtimit të mbetjeve spitalore, që kërkonte me ngulm një vërtetim të depozitimit të hirit për ta dorëzuar si dokument në një tender.

Bregu u interesua të dinte se ku e kishte depozituar kompania në fjalë hirin, përpara se ta përcillte duarbosh inxhinierin e mjedisit. “I kemi trajtuar siç duhet dhe i kemi çuar në landfillin e Elbasanit me kodin 19 01,” u përgjigj ai.

Lidhja e marrëveshjeve me landfille të licensuara është një kusht për kualifikimin në tendera të kompanive të trajtimit të mbetjeve spitalore dhe dokumentet fiktive duken një praktikë e zakonshme në këtë biznes. Por Bregu i tha BIRN se nuk kishte ndërmend të toleronte.

“Në gjithë këto vite nuk është bërë siç duhet as trajtimi dhe as depozitimi përfundimtar i mbetjeve spitalore,” tha ai, duke këmbëngulur se mbetjet duhej të dorëzoheshin në landfill me kodin 6-shifror.

Ai kujtoi gjithashtu se menjëherë pasi ishte pajisur me leje mjedisore, kishte nënshkruar një marrëveshje me kompaninë V.A.L.E Recycling për depozitimin e hirit, por kjo gjë nuk kishte ndodhur.

“Vendosa të mos ua rinovoj kontratën, sepse nuk kanë sjellë asnjë gram hi. Nuk e di ku e kanë çuar,” shtoi Bregu.

V.A.L.E Recycling është njëra nga katër kompanitë fituese të tenderave publikë për trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve spitalore në Shqipëri. Administratori i saj, Elvis Miri i tha BIRN se hirin e kishte depozituar te landfilli i Elbasanit, i bindur se kjo mbetje nuk përmban substanca të rrezikshme.

“Hiri nuk është i rrezikshëm, se ne i djegim në temperatuar që kalojnë 900 gradë. Plus që ne e kemi në legjislacionin tonë që ne të vdekurit i groposim, kështu që nuk kanë rrezik,” tha ai për BIRN.

Miri u ankua nga ana e tij për probleme të shumta në këtë biznes, përfshi edhe kushtet për trajtimin e hirit.

“Sasia e hirit që prodhojmë është shumë e vogël, kështu që ne e depozitojmë në disa fuçi metalike ose plastike. Na duhet shumë kohë deri sa të bëjmë një sasi që t’a vlejë që ta transportojmë për në landfill,” shtoi ai.

Tendera të kontestuar

Spitalet publike dhe ato private raportuan së bashku 1337ton mbetje të rrezikshme spitalore në Ministrinë e Shëndetësisë sipas raportit të Gjendjes në Mjedis për vitin 2021. Më shumë se gjysma e mbetjeve spitalore gjenerohen në Tiranë, ku janë raportuar rreth 707 mijë kg, e ndjekur nga Korça me 191 mijë kg dhe Shkodra me 159 mijë kg.

Përgjithësisht, raporti i sasisë së hirit llogaritet sa 5 për qind e sasisë së mbetjeve që trajtohen përmes incenerimit. Në Shqipëri, mungojnë të dhënat për sasinë vjetore të hirit që gjenerohet nga kompanitë e trajtimit të mbetjeve spitalore.

Laert Shehu, një ekspert i vlerësimit të ndikimeve në mjedis, i tha BIRN se situata me trajtimin e mbetjeve spitalore ka shënuar përmirësim në krahasim me të kaluarën dhe shumë prej kompanive në këtë biznes përdorin teknologji të avancuara.

“Por jo për të gjithë mund të flasim në këtë mënyrë, pasi kemi parë nga media që digjen në kosha, hidhen gjithandej dhe vazhdon abuzimi, por jam i bindur që është në nivele shumë më të ultëa se sa ka qënë më parë,” tha ai.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, 16 kompani private janë të pajisura me leje mjedisore të Tipit A apo licensë III.2.B. për trajtimin ose transportimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore. Megjithatë, vetëm katër prej tyre fitojnë rregullisht tenderat për evadimin e mbetjeve nga spitalet kryesore të vendit.

Të dhënat e pjesshme që BIRN siguroi përmes kërkesave për të drejtë informimi nga 14 spitale universitare dhe rajonale të vendit tregojnë se kostoja mesatare për trajtimin e 1 kilogrami mbetje spitalore varionte nga 350 në 450 lekë. Ndërsa kompanitë që fitojnë rregullisht tenderat janë Eco Riciklim, V.A.L.E Recycling, Medi- Tel dhe më pak Pura Medical.

Të gjitha spitalet publike në vend kanë shpenzuar së bashku rreth 900 milionë lekë për trajtimin e mbetjeve të tyre spitalore në pesë vitet e fundit, sipas të dhënave të agreguara nga Open Spending – një faqe e organizatës Instituti Shqiptar i Shkencës që promovon të dhënat e hapura.

Eco Riciklim është kompania që ka fituar tendera në vlerë më të madhe të llogaritur në 425 milionë lekë, e ndjekur nga Medi -Tel me 255 milionë, V.A.L.E Recycling me 150 milionë lekë dhe Pura Medical me 53 milionë lekë.

Tenderat për trajtimin e mbetjeve spitalore janë gjithashtu ndër më të kontestuarit, sipas të dhënave që BIRN siguroi nga vendimet e Komisionit të Prokurimit Publik.

Në disa vendime të analizuara, kompanitë ankohen shpesh për kritere penalizuese apo favorizuese për konkurrentët nga ana e spitaleve, ndërsa në një rast, kontestimi lidhej drejtpërdrejt me kontratën e depozitimit të hirit në landfillin e Elbasanit.

Për problemet me tenderat ankohet edhe administratori i kompanisë V.A.L.E Recycling, Elvis Miri.

“Kemi problematika nga më të ndryshmet, na ka ardhur në majë të hundës si funksionon këtu. Nëse e nisim nga tenderat, gjithmonë bëhen favorizime për kompani të caktuara dhe është shumë e vështirë,” tha Miri.

Tre kompanitë e tjera të trajtimit të mbetjeve spitalore nuk iu përgjigjën kërkesave për koment të BIRN.

Loja me kodet

Landfilli dhe inceneratori i trajtimit të mbetjeve në Elbasan u ndërtuan përmes një kontrate koncesionare të qeverisë shqiptare, që çoi në dënimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka për veprat penale të korrupsionit.

Pronarët e kompanisë koncesionare “Albtek Energy” Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja si dhe nënkontraktori Klodian Zoto u dënuan gjithashtu për korrupsion dhe ndodhen prej më shumë se një viti në arrati.

Pas sekuestrimit nga Prokuroria e Posaçme, landfilli dhe incineratori i Elbasanit kaloi nën administrimin e kompanisë publike Eco-Elb, që zotërohet nga bashkitë e qarkut të Elbasanit.

Kur Eco-Elb e mori në administrimin incineratorin e Elbasanit, situata ishte emergjente dhe një mal me plehra ishte krijuar në landfill. Ekspertët e konsiderojnë këtë venddepozitim “një hotspot të ri mjedisor” në Shqipëri.

Pavarësisht situatës me mbetjet urbane, kompania Eco- Elb i tha BIRN se kishte pranuar mbetje të hirit nga kompanitë e trajtimit të mbetjeve spitalore në përputhje me lejen mjedisore që dispononte.

Kompanitë që kishin depozituar mbetje të tilla ishin Eco Riciklim me një sasi mesatare mujore prej 0,18 ton; Pura Medical me 2.3 ton; Medi -Tel me 0.19 ton dhe Vale Recycling me një sasi mesatare mujore prej 0.24 ton.

Kompania tha se i pranonte mbetjet me kodin 19 01 dhe me përshkrimin “Mbetje nga iceneratorët ose piroliza e mbetjeve”.

“Shoqëria Eco-Elb sh.a me personat përgjegjës për pritjen dhe verifikimin e ngarkesave nuk kanë konstatuar ndonjëherë mbetje të rrezikshme spitalore, pasi çdo subjekt depoziton mbetje hiri sipas kontratës,” tha Eco-Elb.

“Çdo 3/6 muaj i kërkohet fletë-analiza sipas legjislacionit, që e dorëzojnë edhe në institucionet që bëjnë të mundur menaxhimin e situatës mjedisore,” shtoi kompania.

Por eksperti Laert Shehu i tha BIRN se landfillimi i hirit me kodin 4-shifror nuk është një proces i saktë, për më tepër që landfilli i Elbasanit është licensuar për të pranuar mbetje vetëm nga qarku i Elbasanit.

“Përdorimi i kodit katër shifror është njësoj si të përdorësh mbiemrin për identifikim, por jo emrin. Pra mund të themi mbiemrin, por nuk e dimë se cili nga anëtarët e familjes është,” tha Shehu, ndërsa shtoi se specifikimet duhet të jenë sipas kodit 6-shifror.

Shehu shpjegoi gjithashtu se impiantet e avancuara bëjnë një përshkrim të mbetjes që del dhe në varësi të këtij përshkrimi përcaktohet edhe mënyra e trajtimit.

“Kryesisht ato spitalore çohen për asgjësim me groposje në landfill, por mund të çohen edhe për incenerim, sepse ka mbetje që kanë në përbërje mbetje organike dhe janë të djegshme,” shtoi ai.

Ekspertët përmendin edhe faktorë të tjerë që e bëjnë situatën e trajtimit të hirit të paqartë, që sipas Qirjos nga REC Albania, lidhet me mungesën e laboratorëve të certifikuar.

“Mungesa e laboratorëve të certifikuar për cilësinë e hirit dhe për përmbajtjen e metalit në vendin tonë e bën të panjohur cilësinë e këtyre hireve dhe për rrjedhojë, kemi mungesë të theksuar të të dhënave mbi sasinë, cilësinë dhe mënyrën e trajtimit të këtyre mbetjeve të rrezikshme,” përfundoi ai.

Burimi: https://www.reporter.al/2023/10/20/hiri-i-mbetjeve-spitalore-groposet-ne-malin-me-plehra-te-landfillit-te-elbasanit/?fbclid=IwAR3Qutyq4RNGZNUGM7Be-RNWvlsnVdzwQZtiP0AXE04FaBc_dYU-8qy4CfI

Read more

Shpenzimet në shëndetësi për vitin 2022: Me dobësimin e pandemisë ‘dobësohen’ edhe fondet për shëndetësinë

Me dobësimin e pandemisë Covid-19 përgjatë vitit 2022 janë tkurrur edhe fondet publike për financimin e sektorit të shëndetësisë, edhe pse ende ky sektor paraqet nevoja të larta për përmirësimin e shërbimeve dhe sidomos në aksesin e popullatës në medikamente falas.


Në buxhetin fillestar që hyri në zbatim në janar 2022, Ministrisë së Shëndetësisë iu miratua një buxhet total prej 74 miliardë lekësh, (shëndetësia dhe mbrojtja sociale), por përgjatë dy rishikimeve që u bënë në ligjin e buxhetit në mars dhe në korrik 2022 fondet për shëndetësinë u shkurtuan në mënyrë sistematike. Këto shkurtime u bënë përkundër këshillave të donatorëve (Bankës Botërore), e cila sugjeroi se çdo rishikim dhe ri-alokim i buxhetit nuk duhet të prekë sektorët e arsimit dhe shëndetësisë, pasi përveç se janë prioritare kanë pamjaftueshmëri të lartë fondesh në raport me nevojat.


Në aktin normativ të datës 12 mars 2012, qeveria rishikoi me ulje fondet për shëndetësinë duke i çuar në 76,6 miliardë lekë me një ulje në total me 344 milionë lekë ose 0.46%. Nga të gjitha programet shkurtimin më të madh të fondeve e kishte “Shërbimi i Urgjencës Kombëtare”. Fondet totale në këtë program nga 334,1 milionë lekë që ishin në fillim të vitit ranë në 310 milionë lekë me reduktim 7.2 % .


Fondet në dispozicion të zërit “Planifikimi, Menaxhimi dhe Administrimi” u ulën gjithashtu me 10.7 % duke arritur në 339,4 milionë lekë nga 380.2 milionë të miratuara në fillim të vitit.

Ulje të fondeve pati edhe në programet e “Shërbimet Kujdesit Parësor” dhe “Shërbimet e Kujdesit Shëndetësor” por me një masë më të ulët, me nga 0.06% dhe 0.3 % secila.

Programi i “Shërbimeve të Shëndetit Publik” pati një ulje me dukshme me 2%. Fondet buxhetore për këtë zë me rishikimin e parë të buxhetit arritën në 6,230 milionë lekë nga 6,360 milionë lekë që ishin në ligjin fillestar të buxhetit.

Rishikimet çuan me ulje edhe fondet për “Përkujdesin Social” të cilat u reduktuan me 0,2% në aktin normative të marsit 2022 .

Pavarësisht se grumbullimi i të ardhurave për arkën e shtetit gjatë vitit 2022 rezultoi me rritje rekord, ndryshimet buxhetore që u aplikuan në muajin korrik të këtij viti ulën më tej fondet për shëndetësinë.


Në aktin normativ të datës 29 korrik të 2022-s buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë u reduktua më tej duke arritur në nivelin e 74.7 miliardë lekëve, vlerë kjo 2.6 për qind më e ulët se rishikimi që u bë në mars dhe 3% më e ulët se në buxhetin fillestar . Rishikimi i dytë i buxhetit 2022 uli në mënyre evidente fondet për të gjithë zërat e programeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Totali i buxhetit për shëndetësinë u reduktua në mes të vitit me 2,3 miliardë lekë (19,5 milionë euro me kursin e këmbimit 1euro =121 lekë) nga fondi i fillimit të vitit.


Shkurtimet më të mëdha në vlerë u bënë në programin “Shërbimet e Shëndetit Publik” me mbi 16 për qind. Fondi total në këtë zë arriti në 5,338 milionë lekë nga 6,360 milionë lekë që ishin në buxhetin fillestar. Reduktimi ishte i lartë edhe për zërin “ Shërbimet e Kujdesit Parësor” , i cili me rishikimin e muajit korrik arriti në 7,948 milionë lekë ose 9.7 % më i ulët se i fillimit të vitit.

Për zërin ”Shërbimet e Kujdesit Dytësor”, një zë që përfaqëson shpenzimet nga spitalet në të gjithë vendin, rishikimi i korrikut uli fondet me 1% në krahasim me buxhetin fillestar. Fondet në këtë zë arritën në 32,999 milionë lekë nga 33,342 milionë lekë që ishin në fillim të vitit.


Në zërin “Planifikimi, Menaxhimi dhe Administrimi” fondet u shkurtuan me 3.1 % në raport me buxhetin fillestar. Fondi total në këtë zë me rishikimin e korrikut arritën në 329,4 milionë lekë nga 380,2 milionë lekë që ishin në fillim të vitit 2022. Reduktime u bënë edhe në zërin “Përkujdesi Social” fondet e të cilit u shkurtuan në korrik me 64.8 milionë lekë ose me 0.2% në raport me buxhetin fillestar.

Burimi: Ministria e Financave

Buxheti fillestar 2022AN-12/3/2022AN-29/7/2022
Buxheti total për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale 2022 (mijë lekë)      77,075,882        76,722,191         74,714,191
Planifikimi, Menaxhimi dhe Administrimi            380,200              339,479               329,479
Shërbimet e Kujdesit Parësor        8,805,125          8,799,701           7,948,561
Shërbimet e Kujdesit Dytësor      33,342,128        33,238,071         32,999,571
Shërbimet e Shëndetit Publik        6,360,146          6,230,854           5,338,854
Shërbimi Kombëtar i Urgjencës            334,162              310,159               310,159
Përkujdesi Social      26,818,130        26,769,602         26,753,242
Rehabilitimi  i te Përndjekurve Politik        1,035,991          1,034,325           1,034,325
            Burimi: Ministria e Financave, Tabelat buxhetore sipas programeve te institucioneve

Këto të dhëna janë pjesë e raportit të prodhuar nga Shoqata Together for Life “Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2022” mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy).

Burimi:  https://transparency.com.al/

Gjetjet e plota të raportit i gjeni në këtë link: Monitorimi-i-shpenzimeve-te-sektorit-te-shendetesise-dhe-mbrojtjes-sociale-per-vitin-2022.pdf (togetherforlife.org.al)

Referenca:

[1] https://financa.gov.al/per-buxhetin-e-vitit-2022/

[2]https://documents1.worldbank.org/curated/en/099505006202299116/pdf/P17481105fbb4f03f0a5400e6abe9e0952a.pdf

[3] https://financa.gov.al/akti-normativ-nr-3-date-12-03-2022-per-disa-shtesa-dhe-ndryshime-ne-ligjin-nr-115-2021-per-buxhetin-e-vitit-2022/, https://financa.gov.al/per-buxhetin-e-vitit-2022/

[4] https://financa.gov.al/akti-normativ-nr-3-date-12-03-2022-per-disa-shtesa-dhe-ndryshime-ne-ligjin-nr-115-2021-per-buxhetin-e-vitit-2022/, https://financa.gov.al/per-buxhetin-e-vitit-2022/

[5] https://financa.gov.al/akti-normativ-nr-12-date-29-07-2022/

[6] https://financa.gov.al/per-buxhetin-e-vitit-2022/; https://financa.gov.al/akti-normativ-nr-12-date-29-07-2022/

Read more

Thirrje për pjesëmarrje të OSHC: Tryezë konsultimi, transparenca dhe llogaridhëdhia në sektorin e shëndetësisë

Shoqata Together for Life (TFL), si pjesë e projektit “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), do të organizojë një workshop, në formën e një tryeze konsultimi me organizata të shoqërisë civile në Shqipëri.

Projekti ka si qëllim promovimin e përgjegjshmërisë dhe nxitjen e transparencës në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri, përmes bashkëpunimit dhe rritjes së kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile.

Përmes workshop-it, synohet diskutimi mbi problematikat e hasura nga OSHC-të lidhur me mungesën e llogaridhënies dhe transparencës në sektorin e shëndetësisë, rritja e kapaciteteve të tyre, si edhe përgatitja e një liste me çështjet më shqetësuese prioritare, me synim nxitjen e procesit të llogaridhënies dhe transparencës në Shqipëri. 

Ftojmë të gjithë OSHC-të e interesuara që veprojnë në fushën e shëndetësisë dhe jo vetëm, me datë 20 tetor, ora 10:00 – 12:00, në mjediset e Hotel Tirana International, të marrin pjesë në tryezën e informimit dhe konsultimit. 

Për aplikime, ju lutem plotësoni formën në këtë link: Thirrje per workshopin “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë” – Google Forms

Read more
sqAlbanian