denonco@transparency.com.al

Blog

Pagesat informale janë tipike për punonjësit në sistemin shëndetësor shqiptar

Prioritet strategjik i skemës së kujdesit shëndetësor është mbulimi universal i popullatës me shërbim shëndetësor. Mbulimi universal me shërbim shëndetësor do të thotë që të gjitha kategoritë e popullsisë të kenë akses të barabartë në shërbimet shëndetësore të ofruara në vend në nivel parësor dhe spitalor.

Studimet e ndryshme kanë konkluduar që pagesat informale janë tipike për punonjësit në sistemin shëndetësor shqiptar1. Kjo mbështetet dhe nga fakti që në raportin e fundit të progres raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë citohet që “ekonomia informale në Shqipëri vazhdon të mbetet e lartë dhe është kryesisht e mbështetur në pagesat me para në dorë”.2

Në Shqipëri, 41.6% e popullsisë kanë një standard jetese në prag të varfërisë dhe për pasojë nuk arrijnë të përballojnë një jetese normale me të ardhurat që kanë, ku primare mbetet ushqimi dhe kujdesi shëndetësor. Skema e kujdesit shëndetësor nuk ofron mbështetje apo përjashtime për familjet me të ardhura të ulëta, të cilat shoqëruar dhe me faktorin tjetër të nivelit të lartë të pagesave nga xhepi që bëhen për shëndetësinë në masën 56%, dëshmojnë që mbulimi financiar i skemës së kujdesit shëndetësor rezulton i dobët dhe jo universal sikurse synohet.

Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social i referohet individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër, ose thellësisht të privuar materialisht, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim.

Në vitin 2022, ky tregues është vlerësuar 41,6 %, kundrejt 43,9 % vlerësuar në vitin 2021.

Krahasuar me mesataren e EU e cila rezulton në 21.6%, Shqipëria shënjon një përkeqësim të treguesit për vitin 2022 duke rezultuar në nivelin 41.6%, duke tejkaluar dhe Rumaninë e cila renditet në krye të listës së vendeve të EU me shkallën më të lartë të rrezikut për të qenë i varfër ose i përjashtuar social në masën 34.4%.

Krahasuar me Rajonin, shpenzimet publike në shëndetësi në Shqipëri rezultojnë më të ulëtat.

Skema nuk arrin të ofrojë mbulim universal sikurse synon në prioritetet strategjike. Përkundrazi, niveli i lartë i informalitetit të ekonomisë, shoqëruar nga pagesat e larta informale në sektor shëndetësor, bëjnë që barra më e rëndë të bjerë mbi familjet e varfëra.

Ky artikull është pjesë e raportit “FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR: A mbulon skema nevojat reale për kujdes shëndetësor?” zhvilluar dhe publikuar nga shoqata Together for Life në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Sektorin e Shëndetësisë” mbështetur nga NED – National Endowment for Democracy. Për më tepër: https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2024/03/Raport_A-mbulon-Skema-nevojat-reale-per-kujdes-shendetesor.pdf 

  1. Can people afford to pay in Albania, New evidence on financial protection in Albania/ Tomini.S and Tomini.F (2020) ↩︎
  2. Albania 2022 Report/EU Commission Paper/2022/faqe 6 ↩︎
sqAlbanian