Shpenzimet e shqiptarëve për shëndetin janë duke u rritur vit pas viti. Të dhënat e INSTAT, mbi konsumin final të familjeve në vitin 2023 tregojnë se shpenzimet për shëndetin arritën një vlerë prej 46,7 miliardë lekësh, ose 467 milionë eurosh, me rritje rreth 64% në krahasim me vitin 2020 kur shpërtheu pandemia Covid-19.
Në 6 vitet e fundit, shpenzimet mesatare për shëndetin kanë rezultuar mbi 34 miliardë lekë në vit, por në vitin 2020 ato u ulën për shkak të masave të izolimit dhe shtyrjes së ekzaminimeve dhe trajtimeve për diagnozat që nuk kishin të bënin me Covid-19. Teksa popullsia e vendit po tkurret, shpenzimet e familjeve për shëndetin po rriten.
Ekspertët pohojnë se një seri faktorësh po çojnë në rritjen e shpenzimeve për shëndetin, por themelori është rritja e barrës së sëmundjeve në popullatë. Ndotja e lartë e ajrit, jeta sedentare, kequshqyerja po ndikojnë në përhapjen e sëmundjeve jo të transmetueshme. Nga ana tjetër, plakja e popullsisë rrit gjithnjë e më shumë nevojën për shërbime shëndetësore.
Studimet e mëparshme kanë treguar se, popullsia mbi 65 vjeç vuan nga më shumë se dy sëmundje kronike. Diabeti dhe sëmundjet që lidhen me qarkullimin e gjakut janë shndërruar në pandemi.
Të dhënat nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore tregojnë se barra e sëmundjeve kronike në popullatë po shënon rritje mesatare vjetore 5%.
Pandemia Covid-19 ndikoi edhe më shumë , pasi tek shumë të prekur krijoi artrite, dëmtopi veshkat dhe organe të tjera jetësore që kërkojnë trajtim gjithë jetën.
Teksa shpenzimet e familjeve shqiptare për shëndetin po rriten, politikat publike nuk po ndihmojnë në lehtësimin e barrës financiare, pasi fondet për rimbursimin e barnave nuk po ecin me të njëjtat ritme.
Gati për një dekadë, buxheti i rimbursimit të barnave ka mbetur thuajse në vendnumëro, në një kohë që të ardhurat buxhetore janë dyfishuar dhe burimet financiare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FDSKSH) janë rritur.
Në vitin 2013, shpenzimet për rimbursimin e barnave ishin sa 2,1% e shpenzimeve totale buxhetore, ndërsa në vitin 2024 ky raport u përkeqësua, pasi ato zënë vetëm 1,6% të totalit të shpenzimeve buxhetore. Nga viti 2019 deri më 2024, buxheti i FSDKSH (struktura që financon shërbimet shëndetësore publike) është rritur me rreth 40%, ndërsa zëri i rimbursimit të medikamenteve vetëm 20%, sipas të dhënave zyrtare. Në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të FSDKSH-së, ndërsa më 2024 vetëm 20.6%./B. Hoxha-Monitor
Skandali në spitalin onkologjik tregoi se pacientëve u mohoheshin barnat jetike, një dosje që zbuloi vetëm majën e ajsbergut… Si rrezikohen mijëra pacientë për mungesë medikamentesh, teksa shpërdorohen miliona për rimbursimin e recetave fiktive për pacientë të vdekur.
Nga barnat kontrabandë, te gllabërimi i parave të rimbursimit e deri te loja me çmimet. A janë rihedhur në treg sasi të mëdha medikamentesh të skaduara? Cfarë zbulojnë dokumentet ekskluzive.
Drejtoresha e Shoqata Together for Life, Eglantina Bardhi e ftuar në Inside Story për të folur mbi një nga skemat më abuzive të onkologjikut, me shërbime të mohuara që rrezikojnë jetë.
*Shoqata Together for Life po mbron prej disa vitesh të drejtat e pacientëve, me një sërë fushatash me karakter avokues, një sërë investigimesh me qëllim nxjerrjen në pah të problematikave si dhe një cikël trajnimesh, seminaresh, hapësirë mediatike për pacientët, si dhe ka ofruar ndjekje ligjore për rastet.
Shoqata Together for Life (TFL) vazhdon të jetë në krah të pacientëve dhe familjarëve të tyre të cilët përballen me ndërprerjen e mjekimit për shkak të mungesës së medikamenteve kryesore në trajtimin e sëmundjeve të rënda, kryesisht sëmundjeve tumorale. Ndërprerja e trajtimeve dhe mosmarrja e medikamenteve kryesore rrezikon të sjellë sjell pasoja serioze për shëndetin apo jetën e pacientëve me sëmundje tumorale
DENONCONI!
Denoncimet tuaja ndihmojnë në identifikimin e problemeve dhe adresimin e tyre në kohë pranë strukturave përgjegjëse, përfshi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Fondin i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza” në Tiranë;
Raportimi i shkeljeve në mosmarrjen në kohë të shërbimeve është një hap i rëndësishëm për të mbrojtur të drejtat tuaja dhe për të rritur presionin ndaj institucioneve përgjegjëse, që të marrin masa të menjëhershme për të siguruar që ju të merrni pa ndërprerje trajtimin e duhur dhe të merituar;
TFL do t’i ndjekë rastet e raportuara nga ju, bashkë me ju, jo vetëm duke kërkuar informacion nga strukturatshëndetësore, por edhe duke i vënë ato përpara përgjegjësisë civile dhe /ose penale për mospërmbushje të detyrimit ligjor për ofrimin e shërbimit shëndetësor me pasojë të pakthyeshme në shëndetin e pacientit dhe që rrezikon jetën e tij.
Tashmë TFL ka një historik të pasur në betejat e fituara ligjore së bashku me pacientet dhe në emër të tyre kundrejt institucioneve publike përgjegjëse.
Vizitoni zyrën tonë për të folur personalisht me një nga përfaqësuesit tanë:
Shoqatat Together for Life
Rruga Brigada e 8-të, Pallati Jeshil Tekno-Projekt
Kati i 4, Apartamenti 14
TFL garanton që çdo raportim do të trajtohet me anonimitet të plotë dhe konfidencialitet të garantuar. Ne kuptojmë shqetësimet tuaja dhe do të bëjmë çmos që të mbrojmë privatësinë tuaj.
Raportimi i shkeljeve është një akt guximi dhe përgjegjësie që ju ndihmon jo vetëm ju, por edhe të tjerë që përballen me situata të ngjashme.
Në 8 muajt e fundit, Alma nuk e mban mend sa herë ka trokitur në dyert e Spitalit Onkologjik, por megjithatë përgjigja që ka marrë nga stafi për jodin radioaktiv ka qenë gjithmonë e njëjta.
“Nuk ka, do të të marrim në telefon kur të vijë”, kujton 50-vjeçarja, e cila vuan nga kanceri i tiroides. Gjatë vizitës së fundit në fillim të gushtit, takimi i saj nuk zgjati më shumë se 15 minuta, teksa doli përsëri me kokën ulur nga pavijoni.
“Po më vrasin! Kanë që në janar që më mbajnë me gënjeshtra,” tha ajo, me trishtimin që i dallohej në fytyrë, ndërsa shtoi se i kanë thënë se jodi do të vijë në shtator. “Po pret kanceri im shtatorin dhe jodin kur ta sjellin këta?” pyet ajo.
Alma nuk është e vetmja paciente që kërkon përgjigje. Në QSUNT kurohen edhe 42 pacientë të tjerë nga kanceri i tiroides, të cilët prej janarit nuk kanë marrë mjekimin e tyre me jod radioaktiv.
“Nëse pacienti nuk merr dozën e jodit radioaktiv, është njëlloj sikur një pacient të mos marrë kimioterapi në rastin e një kanceri x në trupin e tij,” tha një mjeke endokrinologe, e cila foli në kushtet e anonimatit për shkak se i druhet hakmarrjeve të mundshme nga Ministria e Shëndetësisë.
“Sa më tepër vonohesh, aq më tepër shtohen shanset për metastaza,” shtoi ajo.
Jodi radioaktiv nuk është e vetmja lëndë radioaktive që mungon në Qendrën Spitalore Universitare. Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se mungesa ka dhe ‘technetium-99‘, që përdoret për ekzaminimet e shintigrafisë, por edhe në barnat që përdoren për kimioterapinë si ‘gemcitabina’, e cila mungon prej muajit maj.
Në një përgjigje me shkrim, QSUNT pranoi se jodi radioaktiv mungonte që prej muaj shkurt, ndërsa për shintigrafinë ekzaminimi i fundit është bërë tetë muaj më parë, në janar 2024.
Spitali kryesor universitar në vend fajësoi për mungesën Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) me seli në Vjenë, me të cilën Ministria e Shëndetësisë ka një marrëveshje për sigurimin e lëndëve radioaktive, ndërsa shtoi se ka hapur një tender për sigurimin e jodit radioaktiv.
“Nga IAEA na është komunikuar se nuk mund të bëjë më marrëveshje me shtetin shqiptar, në lidhje me furnizimin e QSUNT me lëndë radioaktive,” tha Qendra Spitalore Universitare.
“Aktualisht pacientët trajtohen me terapi hormonale frenuese deri në furnizimin me lëndë radioaktive, e cila mban në kontroll nivelin hormonal për një periudhë tre mujore pas kryerjes së ndërhyrjes kirurgjikale, periudhë e cila kryhet para se të trajtohet me jod radioaktiv 131,” shtoi QSUNT.
Spitali Universitar i tha BIRN se aktualisht në Onkologjik trajtohen 150 pacientë të tjerë që kanë nevojë për gemcitabinë, po edhe pse ka një kontratë të nënshkruar, aktualisht nuk ka furnizime nga importuesi.
Nëpërmjet një përgjigje me shkrim IAEA i tha BIRN se nuk i bënte publike marrëveshjet ose kontratat, por nënvizoi që nuk përfshihet në furnizimin e rregullt të materialeve si Iodine-131.
Marrëveshja e fundit teknike e publikuar midis Shqipërisë dhe IAEA ka filluar në vitin 2018 dhe ka përfunduar në vitin 2023. Një nga fushat kryesore të kësaj marrëveshje ishte mjekësia bërthamore, radioterapia, imazheria mjekësore dhe ushqimi.
Privati ka, publiku jo
Qytetarë duke protestuar para Ministrisë së Shendetësisë dhe Mirëqenies Sociale, pas skandalit tek spitali i Onkologjikut, ku mjekët kishin krijuar një skeme abuzive të transfermit të pacientëve me kancer drejt klinikave private. | Foto: LSA
Çdo vit në Spitalin Onkologjik, pjesë e Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, trajohen rreth 20 mijë pacientë me kancer. Sipas një auditi performance të ndërmarrë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë viteve 2020-2022 u trajtuan 58,295 pacientë me kancer, për një buxhet vjetor që luhatet nga 398 milionë lekë deri në 513 milionë lekë, me një kosto mesatare vjetore për pacient prej 23,817 lekësh.
Sipas KLSH-së, mbi 90% e buxhetit të Spitalit Onkologjik shpenzohet për blerje barnash dhe pajisjesh mjekësore. Megjithatë, të dhënat e mbledhura nga BIRN nga intervistat me pacientë, familjarët e tyre dhe mjekë tregojnë që mungesat e barnave dhe preparateve për terapitë kundër kancerit janë kronike në QSUNT.
“Ishte e tmerrshme të shikoja nënën pa mjekim,” i tha BIRN djali i një pacienteje 65-vjeçare të operuar nga kanceri në tiroide, i cili pas shumë muajsh pritje, vendosi ta kalojë nënën në një spital privat, pasi sipas asaj që i kishin thënë mjekët, sëmundja nuk mund të priste më.
“Thuajse çdo muaj pyesja për jodin radioaktiv, por asgjë,” kujton ai, ndërsa shtoi se ‘na përcillnin për në shtëpi.’
Ndryshe nga spitali publik, në privat ky preparat ekziston me një kosto shumë të lartë. Familjari tregoi se ka paguar rreth 1200 euro për trajtimin e nënës me jodin radioaktiv në një spital privat.
“I kemi bërë lekët me familjarë, motra e vëllezër”, shpjegoi ai, ndërsa shtroi pyetjet: “Si ka mundësi privati ka dhe shëndetësia publike jo?”
Mjekja endokrinologe e Spitalit Onkologjik që foli për BIRN theksoi se jodi radioaktiv është një terapi mjaft e rëndësishme për të sëmurët me kancer të tiroides. Njësoj si kimioterapia, edhe jodi radioaktiv po nuk u bë sipas protokollit, shkakton përparimin e sëmundjes.
“Ne, bluzat e bardha, përpiqemi dhe lutemi që kur del kjo diagnozë të mos ketë ind mbetës në tiroide, sepse në këto raste është më e kollajshme pjesa e ndjekjes,” tha mjekja me një eksperiencë 10-vjeçare në Onkologjik.
“Në ato raste që ka ind mbetës… duke qene se nuk bëhen fare në QSUNT si analiza, u afrojmë si alternativë që ekzaminimet dhe trajtimet t’i kryejnë në privat,” tha ajo, ndërsa shtoi, “s’kemi rrugë tjetër”.
Ashtu si jodi radioaktiv, edhe mungesa e technetium-99 është kthyer në shqetësim për mjekët e repartit të Radiologjisë në QSUNT, duke u pamundësuar atyre të bëjnë ekzaminimin e shintigrafisë.
“Në shërbimin tonë nuk kryhet asnjë lloj ekzaminimi që ka lidhje me shintigrafinë,” tha një mjek radiolog, i cili zgjodhi të mbetej anonim. “Lënda e technecium ka vlerë diagnostikuese kur përdoret për të bërë shintigrafinë e tiroides, pra shërben për të vënë vënë diagnozën për hipertirozën, nodusin e ftohtë apo nodusin e ngrohtë,” shpjegoi ai.
Mjeku radiolog, i cili ka disa vite në këtë shërbim, thotë se ndjehet shumë keq në këtë situatë, pasi “roli i mjekut është të ndihmojë pacientin për të zgjidhur problemin dhe për të siguruar fitoren, që në fund të fundit është jeta e të sëmurit”.
“Në këto raste ndihem si një njeri që nuk i ka mjetet në dorë për të bërë një luftë të barabartë”, shtoi ai.
QSUNT tha nëpërmjet një përgjigje zyrtare se që prej muajit janar e deri në muajin maj, janë 554 pacientë të cilët nuk janë ekzaminuar sipas protokollit që kanë kërkuar mjekët, përfshirë sëmundjet kockore, tiroidet dhe ato renale.
‘Po më vrasin nënën’
Qytetarë hapin një banderolë me shkrimin “Ministria e Vekjes” para Ministrisë se Shendetësise dhe Mirëqenies Sociale, pas skandalit tek spitali i Onkologjikut, ku mjekët kishin krijuar një skeme abuzive | Foto: LSA
Nuk janë vetëm elementët radioaktivë që mungojnë prej janarit në QSUNT. Spitali Onkologjik, është kthyer gjithashtu në një makth për pacientët të cilët vuajnë nga sëmundjet kancerogjene, për shkak të mungesës së vazhdueshme të medikamenteve për kimioterapi.
Kjo dramë e tyre tregohet nëpërmjet dëshmive të pacientëve, të cilët aktualisht janë të sëmurë më kancer.
Gjatë këtij viti, në periudha në ndryshme kohore, BIRN ka mësuar se kanë munguar katër medikamente të rëndësishme në luftën kundër kancerit – gembcitabinë, irinotekani, erlotinib, paxlitacel, të cilat sigurohen vetëm nga Ministria e Shëndetësisë, pasi janë medikamente spitalore dhe nuk mund të gjenden në farmaci.
Mungesa e këtyre e barnave ka sjellë pasoja negative në shëndetin e pacientëve dhe ka alarmuar familjarët e tyre.
Havaja, 65-vjeçe, është diagnostikuar me kancer gjiri dhe po kurohet në Spitalin Onkologjik. Në muajin maj e kanë lajmëruar se medikamenti për kimioterapi “gemcitabinë” mungon dhe se terapia duhet të ndërpritej dhe ka rifilluar në muajin gusht.
“Po më vrasin nënën”, tha i biri, ndërsa shtoi se ndjehej ‘i shkatërruar.’
Burri 40-vjeçar kujtoi se analizat e nënës përpara mungesës së gemcitabinës ishin në rregull dhe pa probleme, por me mungesën e këtij ilaçi nëna pati metastaza.
“Kanceri në trupin e nënës sime u përhap,” tha ai, ndërsa uli kokën dhe qau. “Më ka rritur me shumë mundime nëna ime dhe sot unë nuk mundem t’i siguroj mjekimin që të luftojë kancerin,” shtoi ai mes lotëve.
40-vjeçari rrëfeu së është munduar ta sigurojë ilaçin kontrabandë, por nuk ka mundur ta gjejë në farmaci.
“Isha i gatshëm të shisja çdo gjë, por nuk gjeta,” tha ai, ndërsa shtoi se mungesa e këtij bari përbënte krim.
“Të hetojë SPAKU siç duhet dhe do e shikoni sesi i vrasin njerëzit duke mos u siguruar ilaçet e nevojshme,” tha ai, ndërsa theksoi se askush nuk mban përgjegjësi për avancimin e sëmundjes tek nëna e tij.
Një mjeke onkologe, e cila punon prej vitesh në këtë shërbim, i tha BIRN në kushtet e anonimatit se situata ishte e rëndë pasi shumë pacientë me kancer kanë mbetur pa mjekim.
“Në kancerin e pankreasit, të fshikëzës së urinës, në kancerin e mushkërive dhe atë të gjirit, gemcitabina përdoret si linjë e parë mjekimi,” shpjegoi ajo.
“Pra, nëse një pacient diagnostikohet me këto sëmundje dhe ti nuk ke këtë medikament, i ke mohuar të sëmurit trajtimin që në fillim”, shtoi mjekja.
Mjekja onkologe shpjegoi se ky medikament nuk ka zëvendësues dhe për pasojë pacientët nuk mund të marrin asnjë medikament tjetër, nëse ai është në mungesë.
“Si pasojë e mungesës së gemcitabinës, kemi pasur pacientë të cilët janë përkeqësuar apo kanë bërë metastaza”, tha ajo.
Fakti që gemcitabina nuk ka një ilaç tjetër zëvendësues, pranohet edhe nga QSUNT, në përgjigjen zyrtare. Por sipas Spitalit Universitar “pacientët nuk janë lënë pa trajtim, pasi janë përdorur skema të tjera trajtimi sipas rastit, bazuar në protokollet mjekësore dhe stafeve përkatëse”.
Djali i Havasë, i cili tha se nuk fliste dot me emër pasi kishte frikë se Spitali do hakmerrej duke i mohuar kimioterapinë nënës së tij, tha se përballjen si pacient në QSUNT nuk do t’ia uronte as armikut.
“Kjo është me ta përvëluar shpirtin për së gjalli,” theksoi ai. “Ta shikosh njeriun tënd të vdesë sepse s’ka ilaç.”
Shoqata “Together for Life” është përballur ditët e fundit me një fluks ankesash për mungesën e mjekimit sipas protokolleve nga pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda si leukemi dhe sëmundje të tjera tumorale. Pas marrjes së ankesave, TFL nisi verifikimin në terren të situatës, ku u njoh me një gjendje alarmante nga mungesa e barnave jetike për sëmundje të rënda, të cilat duhet të sigurohen dhe/ ose rimbursohen nga sistemi shëndetësor publik.
“Nëna ime vuan nga leukemia dhe ndër të tjera trajtohet me preparatin Tasigna. Ky lloj ilaçi është jetësor për të dhe nuk mund të mungojë më shume se 1 javë, ndryshe gjendja përkeqësohet dhe ajo rrezikon jetën. Na informuan që medikamenti mungon dhe askush nuk përgjigjet se kur do të vijë”, deklaroi për TFL familjari i një pacienti.
Mungesën e këtij preparati e kanë denoncuar edhe pacientë të tjerë me leukemi, të cilët janë paraqitur këto ditë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe janë përballur me këtë mungesë. Për pacientët është e pamundur ta sigurojnë vetë këtë bar, i cili, jo vetëm është shumë i kushtueshëm, por edhe nuk gjendet në asnjë farmaci tjetër përveç asaj spitalore, që duhet t’ua vërë në dispozicion falas të sëmurëve.
Po ashtu, shumë shqetësuese paraqitet edhe gjendja e pacientëve që vuajnë nga sëmundje tumorale, të cilët prej javësh po përballen me mungesën e barnave kryesore, si fulvestrnt, gemzar dhe paclitaxel.
TFL ngre alarmin për këtë situatë, pasi mungesa e trajtimit me medikamentet e duhura sipas protokolleve të pacientëve me sëmundje terminale rrezikon seriozisht jetën e tyre, dhe kërkon me forcë marrjen e masave të menjëhershme për sigurimin e medikamenteve dhe trajtimin e pacientëve sipas protokolleve.
Duam të theksojmë se zbatimi i Ligjit për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë detyron institucionet shëndetësore si Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” t’u sigurojnë pacientëve shërbim cilësor të vazhdueshëm dhe në përputhje me protokollet e miratuara.
Më shumë se një herë TFL e ka ngritur zërin në mbështetje të të drejtave të pacientëve për shërbim cilësor dhe ka denoncuar institucionet përgjegjëse për mungesën e cilësisë në shërbime. Kauzat e pacientëve për mjekim të drejtë dhe të bazuar në protokolle, Shoqata Together for Life i ka ndjekur në të gjitha instancat, nga QSUNT, Ministria e Shëndetësisë, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe deri në Gjykatë. Tashmë janë disa çështje të fituara në gjykatë ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, e cila është detyruar jo vetëm të sigurojë medikamentet e munguara për pacientë me talasemi dhe me kancer gjiri, por edhe t’i dëmshpërblejë ata për dëmin shkaktuar shëndetit të tyre si pasojë e mungesës së trajtimit të duhur. (https://mailchi.mp/b0e42dfc9db4/the-court-compensates-the-patient-with-hemophilia-together-for-life-represented-the-case-in-trial-2124509; https://www.togetherforlife.org.al/en/tfl-fiton-betejen-e-pare-gjyqesore-ne-mbrojtjen-e-pacienteve/)
TFL i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe në veçanti ministres Albana Koçiu që të ndërhyjë menjëherë për të adresuar këtë situatë kritike dhe për të marrë masa që garantojnë që asnjë pacient të mos përballet me ndërprerje të trajtimit për shkak të mungesës së medikamenteve. Për më tepër, kërkojmë që të kryhet një hetim i plotë për të përcaktuar arsyet e mungesës dhe të sigurohet që një situatë e tillë të mos përsëritet në të ardhmen.
Gjithashtu, Together for Life siguron se do të jetë në krahë të pacientëve në këtë betejë dhe, ashtu si edhe më parë, në mungesë të një reagimi nga ana e MSHMS dhe institucioneve të tjera, do të ndjekë të gjitha hallkat e sistemit për të kërkuar të drejtën e tyre deri në përballje ligjore me cilindo përgjegjës për këtë situatë.
Kostot e financimit të katër kontratave koncesionare në shëndetësi me PPP kanë dalë jashtë kontrollit. Vit pas viti, qeveria ka rritur financimet më shumë se parashikimet në kontrata, teksa ju paguan edhe TVSH në një kohë që shërbimet shëndetësore janë të përjashtuara nga ky tatim.
Nga ana tjetër, koncesionet në shëndetësi vit pas viti kanë rezultuar me norma të larta fitimi në raport me investimet që kanë bërë në krahasim me atë që ofron ekonomia e tregut për sektorin privat.
Kompania 3P Life Logistic, që ofron shërbimet e check-up me koncesion PPP, raportoi në bilancin që dorëzoi në Qendrën Kombëtare të Biznesit një normë kthimi nga kapitali me 75.3%.
Kjo do të thotë se në 100,000 euro të investuara nga aksionet është gjeneruar një fitim prej 75 mijë eurosh vetëm në një vit.
Për krahasim, sistemi bankar, që konsiderohet një ndër më fitimprurësit në vend kishte një normë kthimi nga kapitali (ROE) në vitin 2023 prej 22%, sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, ku banka me treguesin ROE më të lartë arrinte në nivelin e 28%.
Ndërsa të dhënat e tjera nga bilancet tregojnë se në Shqipëri, norma kthimi nga kapitali mbi 50% kanë përgjithësisht sipërmarrjet që merren me tregti, që nuk kanë nevojë të bëjnë investime.
Kapitali aksioner ROE konsiderohet një matje e mënyrës se si menaxhimi përdor në mënyrë efektive aktivet e Shoqërisë për të krijuar fitime. Raporti i kthimit të kapitalit është tregues se sa fitim gjeneron çdo lek i kapitalit të aksionerëve të zakonshëm.
Kompanitë e koncesioneve në shëndetësi kanë shlyer investimet që në vitet e para të aktivitetit të tyre, teksa të ardhurat janë të garantuara nga buxheti i shtetit. Koncesioni i check-up siguroi të ardhura nga pagesat buxhetore në nivelin rreth 7,3 milionë euro më 2023.
Edhe norma e fitimit mbetet e lartë, duke arritur në gati 30% në 2023, nga rreth 9% që është mesatarja e normës së fitimit për gjithë bizneset në ekonomi.
Sipas të dhënave të bilancit, të ardhurat totale të koncesionarit në vitin 2023 ishin 730 milionë lekë, ndërsa fitimet para taksave ishin 214 milionë lekë.
Koncesioni
Koncesioni i check-up nisi punë në shkurt të vitit 2015.
Kontrata koncesionare kishte si qëllim kontrollin mjekësor bazë falas që është një program kombëtar i cili synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundjet më të përhapura, me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore.
Për këtë kontratë Partneriteti Publik-Privat në nivel vjetor janë parashikuar 475,000 përfitues të shërbimit, pra 39,583 raste në muaj, për të cilat kompania koncesionare i merr pagesat, pavarësisht nga fakti nëse ato realizohen apo jo.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave treguan më herët se shteti e ka paguar koncesionarin e kontrollit bazë mjekësor (check-up) për 580 mijë kontrolle të pakryera gjatë periudhës 2015-2018, me një shumë prej rreth 8.5 milionë euro.
Mosplotësimi i numrit detyroi më pas qeverinë të ulte kufirin e moshës për kontrolle nga 40 në 35 vjeç.
Në shkurt të vitit që vjen përfundon afati i kontratës së koncesionit check-up, për të cilin nuk është bërë asnjë vlerësim nga autoritetet e shëndetësisë për ndikimin që ka pasur në përmirësimin e shëndetit të popullatës.
Përveç Kontrollit të Lartë të Shtetit, asnjë autoritet tjetër nuk ka bërë vlerësim për efektshmërisë e kontratës.
KLSH në auditimet rutinë ka gjetur se koncesioni check-up ka përfituar financime për shërbime të pakryera duke transferuar një kosto të padrejtë në shpenzimet buxhetore të vendit./Revista Monitor
Partia Demokratike ka akuzuar sërish Ministrinë e Shëndetësisë sa i takon medikamenteve të skaduara. Në një reagim publik, deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka akuzuar publikisht Albana Ficon se ka ndërhyrë në sistem dhe kalimin medikamenteve të skaduara në farmacinë e pediatrisë.
Vokshi bën thirrje që ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu të japë dorëheqje.
DEKLARATA E DEPUTETES SE PD, ALBANA VOKSHI:
Në deklaratën e fundi që kam bërë nga kjo foltore, mes denoncimeve të tjera, kam bërë edhe një denoncim në lidhje me ndërhyrjen në sistemin e farmacive on line të QSUT, për të fshirë përkohësisht datën e skadencës të një medikamenti.
Bëhet fjalë për një sasi prej 1137 flakon të medikamentit FEIBA që përdoret për pacientë me hemofili. Kjo sasi e këtij medikamenti ka pasur datën e skadencës 31 dhjetor 2023. Në vlerë totale sasia e mbetur e skaduar e medikamentit FEIBA është rreth 1.35 mln EURO.
Skandali qëndron në faktin që me urdhër të ish drejtoreshës së QSUT Albana Fico, nëpërmjet një Memoje Nr. 126/65 datë 29.12.2023 janë dhënë direktiva të titullarit të institucionit Albana Fico që kjo sasi e mbetur e barit FEIBA të kalonte në shërbimin Onkohematologji pediatrike.
Si mund të bëhej kjo?
Vetëm me ndërhyrjen në sistem nga drejtori i IT në QSUT i cili të fshinte datën e skadencës.
Kur unë e ngrita si shqetësim në dëgjesën që organizuam në Komisionin e shëndetësisë për skandalin te onkologjiku, Ministrja e shëndetësisë Koçiu, Drejtoresha e QSUT dhe Farmacisë Qendrore të QSUT e mohuan faktin ndërkohë që deputetët e PS u vunë përsëri në krah të skandalit në vend që të viheshin në krah të pacientit dhe mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të tyre.
Në monitor kam shkëmbimin e emaileve mes ish drejtoreshës së QSUT Albana Ficos; Mirela Rexhepi, drejtoreshë e Farmacisë Qendrore; Eneida Balla, zv/drejtoreshë e farmacisë, Drejtorit të IT Rigers Haxhiraj, dhe Anisa Serjani.
Janë këta që në komunikime me njëri-tjetrin i japin porosi drejtorit të IT Rigers Haxhiraj. Albana Fico në një email pas orës 23:00 të natës i jep porosi Rigersit që ë ndërhyjë në sistem pas orës 16:00, kur farmacia të jetë mbyllur e stafi të mos jetë, të heqë datën e skadencës e të nesërmen pra datë 8 mars të bëhet kalimi i këtij medikamenti nga farmacia qendrore në pavionin e onkohematologjisë.
Nga emailet vihet re që i ushtrohet presion drejtuesit të IT që të marrë masa urgjente sepse kishin kaluar pothuajse 3 muaj nga porosia e ish-drejtoreshës Albana Fico.
Në tabelat e fundit jepet gjendja 1137 flakonë, në shumë 1.35 mln Euro,data skandencës 31.12.2023.
Qartazi duket ndërhyrja e bërë në datë 7 mars 2024.
Pyetjet që unë do t’i përsëris sot janë:
• Çfarë e shtyu Albana Fico, ish drejtoreshë e QSUT, që të kërkojë ndërhyrjen në sistem
• Pse u kërkua më insistim, që të hiqet data e skadencës, pra manipulimi I sistemit e të bëhej kalimi në farmacinë e pediatrisë? Kur sistemi, që është shumë I mirë nuk e lejon?
Në momentin që skadon ilaci, del e kuqe dhe asnjë veprim tjetër nuk mund të bëhet me atë medikament. Lëvizja mund të bëhet vetëm nëpërmjet manipulimit të sistemit dhe heqjen e datës së skadencës;
Ky medikament është ende në farmacinë qendrore. Edhe pse në korrespondencën e fundit ardhur nga Drejtoria e QSUT më është thënë që nuk ka sasi FEIBE të skaduar në Farmacinë Qendrore të QSUT.
Ky është një skandal shumë i madh. Është mashtruar Parlamenti, janë mashtruar deputetët e Parlamentit.
Kush është arsyeja që mashtrohet Parlamenti? Kush është arsyeja që mashtrohen deputetët duke shkelur kushtetutën dhe ligjin sepse kështu pengohet një nga funksionet kryesore të Parlamentit që është kontrolli mbi ekzekutivin.
Ministra Koçiu dhe Drejtoresha e QSUT duhet menjëherë të japin dorëheqjen e të largohen pasi jo vetëm kanë dështuar në sigurimin e një të drejte kushtetuese për shërbimin shëndetësor, jo vetëm kanë dështuar të sigurojnë infrastrukturën, ilçet, medikamentet, kurat e terapitë për pacientët, por edhe kanë lejuar manipulimin e sistemit on line të farmacisë dhe qarkullimin e medikamente të skaduara të qarkullojnë shkojnë nga farmacia qendrore në pediatri duke mos kursyer as fëmijët.
Sot është koha çdo pacient, çdo familjar, çdo i afërm të reagojnë,për të drejtën kushtetuese për shërbim shëndetësor.
Të reagojnë për të mbrojtur shëndetin
Për të mbrojtur jetën, për të mos e lënë atë në duart e abuzuesve kriminelë që nuk kursejnë të rritur e fëmijë.
Derisa ata nuk ndalen në babësinë e tyre, duhet t i ndalim ne!
Drejtuesit e institucioneve publike shëndetësore e kanë të ndaluar të kenë dhe klinika private. Kjo është pjesë e ndryshimeve ligjore të miratuara sot në mbledhje qeverie dhe u prezantua nga ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu.
Ka një rregullim edhe të kësaj pike e ka të bëjë pikërisht me faktin që drejtuesit e institucioneve publike shëndetësore e kanë të ndaluar të kenë dhe klinika private e t’i drejtojnë ato klinika private dhe duke qenë titullarë njëkohësisht në strukturat spitalore shtetërore e në strukturat e tyre private.
Këshilli i Ministrave miratoi ndryshime në ligjin “Për urdhrin e mjekëve” në Republikën e Shqipërisë.
Ky është një angazhim për të garantuar e siguruar një balancë mes interesit primar të qytetarëve dhe interesit të mjekëve e strukturave publike shëndetësore, që është shmangia sa më shumë e mundur e konfliktit të interesit në rastin e çdo profesionisti të mjekësisë, i cili punon në strukturat shëndetësore publike.
Ndryshimet që kemi propozuar në ligj dhe që u miratuan sot me vendimin më të fundit të qeverisë në ligjin për “Urdhrin e Mjekëve”, kryesisht konsistojnë në bërjen publike dhe transparente të informacionit për të gjithë profesionistët e shëndetësisë që punojnë në strukturat publike sa i përket angazhimeve të tyre edhe private.
Si një tjetër ndryshim të rëndësishëm, Koçiu veçoi miratimin e një regjistri elektronik publik, i cili do të garantojë akoma më shumë transparencë për çdo profesionist të shëndetësisë e që punon në strukturat publike shëndetësore lidhur me punësimin e tij edhe privatisht.
Nga ana tjetër kemi vendosur edhe një tavan të orëve të punës, për të cilat një mjek që punon në sektorin publik mund të angazhohet e të punojë privatisht. Ndërkohë që kemi bërë të qarta dhe procedurat për masat disiplinore e strukturat përkatëse, të cilat do të rregullojnë veprimtarinë akoma më shumë të të gjithë profesionistëve të shëndetësisë që punojnë në sektorin publik.
Të gjitha këto ndryshime vijnë dhe në vazhdën e reformës më të rëndësishme që është ajo e Autonomisë Spitalore, një reformë e cila ne besojmë fort që do të ndryshojë tërësisht mënyrën e shërbimit të ofrimit në kujdesin shëndetësor.
Do të sjellë më pranë dhe më cilësisht shërbimin që strukturat publike shëndetësore ofrojnë për qytetarët e padiskutim që do të rrisin akoma më shumë dhe do të përmirësojnë mirëmenaxhimin e spitaleve dhe mirëmenaxhimin e profesionistëve të shëndetësisë.
Për të tretin vit radhazi, mbetjeve në qytetin e Vlorës iu vihet flaka në mes të sezonit turistik, duke prishur jo vetëm imazhin e një qyteti turistik por mbi të gjitha duke rrezikuar jetën e popullatës në këtë rajon.
Problemi i mbetjeve, pavarësisht qindra milionë eurove të shpenzuara për inceneratorët apo projekte e fushata të ndarjes në burim, mbetet i pazgjidhur.
Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit me objekt “Respektimi i standardeve në menaxhimin e mbetjeve urbane, sfidë e qëndrueshme në zvogëlimin e ndotjes së mjedisit dhe mbrojtjen e shëndetit të popullsisë” del në konkluzionin se bashkitë nuk kanë arritur të përmirësojnë situatën, pavarësisht se kostot e tyre janë rritur në këtë drejtim.
Katër janë bashkitë që janë marrë në analizë: Durrësi, Vlora, Shkodra dhe Korça ku më problematike situata shfaqet në dy të parat.
Sipas raportit, Bashkia e Durrësit, gjatë menaxhimit të mbetjeve urbane, nuk garanton qëndrueshmëri financiare të këtij procesi, pasi të ardhurat e krijuara për këtë qëllim nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet.
“Kjo situatë vjen si rrjedhojë e faktit se, Bashkia e Durrësit nuk ka arritur të mbledhë të gjitha të ardhurat e planifikuara nga tarifa e pastrimit. Megjithatë edhe nëse do të arrihej mbledhja e tyre në nivelin 100%, përsëri nuk do të mund të mbuloheshin shpenzimet totale për menaxhimin e mbetjeve urbane në këtë bashki.
Arsyeja kryesore e mosmbulimit të shpenzimeve është ndryshimi i vend-depozitimit të tyre në landifillin e Sharrës. Kjo gjë ka rritur ndjeshëm peshën që zë menaxhimi i mbetjeve në buxhetin total të bashkisë. Rreth 1/3 ose rreth 30 % e buxhetit të Bashkisë së Durrësit shkon për menaxhimin e mbetjeve urbane, ndërkohë që referuar Kombeve të Bashkuara ky tregues duhet të jetë në nivelet 3-15 %” thuhet në raport.
Lidhur me Bashkinë e Vlorës, raporti sjell në vëmendje pasojat shëndetësore të dështimit në menaxhimin e mbetjeve.
“Menaxhimi i mbetjeve urbane në Bashkinë e Vlorës paraqet problematika të tjera edhe më të rënda. Në këtë bashki, mbetjet urbane depozitohen në një fushë të depozitimi, e cila nuk respekton asnjë kriter mjedisor.
Mbetjet urbane digjen në mjedis të hapur duke shkaktuar problematika të rëndësishme në shëndet dhe mjedis,që vijnë nga çlirimi i dioksinave dhe furaneve në mjedis.
Ekspozimi ndaj dioksinave, furaneve etj., shkakton lloje të ndryshme të kancerit, probleme të mëlçisë, dëmtime të sistemit imunitar, sistemit endokrin dhe funksioneve riprodhuese, si dhe efekte negative në zhvillimin e sistemit nervor” thuhet në raportin e KLSH.
Raporti vlerëson se një situatë e tillë me mbetjet në Vlorë ka sjellë edhe pasoja ekonomike duke ndikuar në zhvlerësimin e pronave në afërsi të fushës së vend-depozitimit të mbetjeve urbane në qytetin e Vlorës.
KLSH vlerëson se edhe sa i takon përllogaritjes së tarifës së pastrimit bashkitë subjekt auditimi, nuk marrin në konsideratë madhësinë e familjes dhe sipërfaqen në të cilën familja jeton. Edhe për tarifat e vendosura për biznesin, ato nuk marrin në konsideratë sipërfaqen në të cilin biznesi ushtron aktivitetin e tij.
Marrja në konsideratë e madhësisë së familjes, si dhe sipërfaqes së banimit dhe ushtrimit të aktivitetit (në rastin e bizneseve) do ta bënte më të drejtë tarifën që çdo abonent do të duhet të paguajë.
“Sa i përket zbatimit të politikave dhe kuadrit ligjor në fuqi, bashkitë Durrës, Shkodër, Vlorë e Korçë nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore lidhur me procesin e Vlerësimit Strategjik Mjedisor duke qenë se nuk i kanë shoqëruar Planet Vendore të Menaxhimit të Mbetjeve Urbane me VSM.
Gjithashtu, ato nuk kanë raportuar periodikisht në Këshillat e Qarqeve mbi zbatimin e planeve vendore, nuk kanë arritur objektivat mbi grumbullimin e diferencuar të mbetjeve bio për qëllime kompostimi si dhe riciklimin e letrës, kartonit, qelqit dhe plastikës.
Për të gjitha çështjet e mësipërme, janë dhënë rekomandime në drejtim të përmirësimit të shkaqeve që çojnë në këto mangësi me qëllim eliminimin dhe zbutjen e ndikimeve negative që këto problematika kanë në ekonomi, mjedis dhe shëndetin e popullatës” vlerëson KLSH./Monitor
Është shtyrë seanca paraprake gjyqësore ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj dhe të akuzuarve të tjerë për dosjen e “Sterilizimit”.
Ish-ministri i Shëndetësisë ishte i pranishëm në seancë, ku u shfaq i nervozuar mbasi ka kundërshtuar hetimet e SPAK.
Për herë të parë në sallë, ish ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj, i arrestuar për hetimet që po kryhen për SASPAC, u shpreh se aktet e sjella në gjykim përmbajnë të pavërteta.
Ish ministri kërkoi të bënte nje deklaratë për aktet procedurale që lidhen me hetimin tjetër, por gjykata e ndërpreu, pasi në këtë seancë nuk mund te kryhej me veprim per shkak të mungesës së mbrojtjes për një nga të pandehurit.
Gjykata i ka kujtuar Beqajt se procesi gjendet ende në fazën e legjitimimit të palëve dhe do ketë mundësi p shprehur në një moment të dytë.
Seanca ku gjykata do të shprehet nëse dosja kalon për gjykim ose jo u shty për në datën 12 shtator. Kjo është hera e katërt që shtyhet seanca paraprake për çështjen “Sterizilimi”.