denonco@transparency.com.al

Eventet Tona

Petrit Vasili mbi autonominë spitalore: Proces i kompromentuar nga fillimi në fund / Selime Bregu: Koncensionari “zhvat” rreth 845 milonë lekë për punë të pabëra

Ish ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili vë gishtin në disa plagë që vuan sistemi ynë shëndetësor sot. Konstatimet e tij erdhën gjatë tryezës së diskutimeve organizuar nga  Shoqata Together for Life, ku u prezantua raporti me temën “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – A mbulon skema nevojat reale të kujdesit shëndetësor”, mbështetur nga National Endoëment for Democracy.

“Ajo që vjen nga qeveria është një produkt, i cili vetëm votohet,edhe kur në tavolinë vendosen mediokritete të padëgjuara në lidhje me fenomene të caktuara. Sistemi që keni marrrë në monitorim, nuk kam pse t’i kursej lëvdatat, sepse shëndetësia ka qenë gjithmonë e vështirë për t’u analizuar për shkak të komplikushmërisë së saj e karakterizuar me ca vështrime nga sipër, në kuadër pereceptimesh dhe analiza të tilla në rradhë të parë ndihmojnë ata që menaxhojnë sistemin. Mund të jenë të hidhura, por problemet këto janë. Me problemet duhet të përballesh, për t’ju ikur është shumë kollaj. Sistemi në përgjithësi vuan nga paqartësia, të cilën e ka sjellë politizimi pa kuptim në shërbim të propagandës. Sistemet kanë një gjë kokëforte, kanë nevojën dhe detyrimin e vijimësisë. Pra ndërtohen katet me shumë vështirësi, por gjithmonë hidhen kate të tjera. Ideja e rrënimit dhe bërjes nga e para është budallallëk, mungesë horizonti, në zhargon njerëz që nuk ia dinë zanatit. Ju e dini që ne kemi vuajtur idenë e “shëndetësisë falas”, të cilën po ua them haptas që edhe politikisht nuk e kam mbështetur kurrën e kurrës, sepse ishte jo realiste, solli një konfuzion të jashtëzakonshëm, gjë e cila u verifikua, nuk e  ndryshoi modelin. Të njëjtin ligj kemi këtu, ligjin e 2010, me ndryshime të  vogla, pra sistemi miks është me sigurime shëndetsore dhe kontribute nga shteti. E gjithë dogma ra, por çfarë krijoi? Konfuzion. Shëndetësia nuk e duron dot paqartësinë, kërkon një linjë shumë të qartë, së pari. Së dyti, ashtu siç thatë me ligjin e autonomisë ne hapim një epokë të re. Këto budallaliqe unë i kam dëgjuar në kohën e partisë së Punës. Pse duhet të themi fillon nga e para?! Pse s’duhet të përdorim atë që ka qenë më përpara e ta shpiem edhe më tutje? Tani e ka bërë publike dhe nuk ka pasur prononcime nga asnjë njeri”, tha Vasili.

Në lidhje me propozimin për autonomi spitalore, që parashikon delegimin gradual të vendimarrjes financiare dhe administrative nga strukturat e qeverisjes së përgjithshme te spitalet, ai shprehet se është një handikap i kompromentuar.

“Nismat për autonomi spitalore datojnë që në vitin 2000-2001 dhe duhet t’jua themi shqiptarëve, jo t’i gënjëjmë. Banka Botëror, OBSH dhe të tjera institucione në atë kohë ndërrmorën nismën në atë kohë, spitali pilot, spitali i Durrësit. Që në 2001, është nisur nga socialistët në atë kohë.

Por çfarë ndodhi më tutje, a pati thellim? Po në 2010 buxhet i parë, fondi që quhet sot të tëra paratë e administrimit spitalor i kaloi fondit dhe MSH mbante vetëm fondet minimale për programet e shëdetit publik edhe elementë të tjerë të promocionit.

Elementët e autonomisë u shtrinë deri në qendrat shëndetësore, të cilat dolën me llogari më vete dhe administronin veten e tyre, përfshirë edhe emërimin e personelit, që në atë kohë e kishte komuna, drejtori i Shëndetit Publik, drejtori i Parësorit dhe kryetari i komunës ishin njerëzit që përzgjidhnin personelin shëndetësor për t’ju përgjigjur ekzigjencave që kishte terreni. Gjithashtu, elementë të administrimit, të gjithë spitalet fondet e blerjes së barnave i bënin ata, dhe u decentralizuan. Nuk kishta më ministra që mbanin vulën e MSH dhe firmosnin barnat, por gjithë spitalet rajonale blinin vetë barnat. U rikthyen mbrapsht të gjitha dhe për më tepër u fut dhe praktika e koncensioneve. I bie që një autonomi do të bashkëjetojë me koncesione, që janë iniciativë e centralizuar, e kompromentuar fillim e mbarim.”

Sipas Vasilit, “Të thuash shëndetësi falas , mbulim universal dhe në të njëtën kohë ka edhe sigurime shëndetësore…” është një paradoks, ndërkohë që pesha e shpenzimeve nga xhepi nga 40% ka shkuar në 60%.

Ndërsa kryeaudituesja e KLSH-së Selime Bregu solli në vëmëndje problematikat kyçe të indetifikuara nga institucioni i KLSH-së.

Problematika më e fortë mbeten koncensionet, të cilit i paguhan plot 845 milonë lekë për të mbuluar popullatën me kontroll mjekësor , për një punë të pakryer.

“Ndër problematikat kryesore KLSH problematikat më të mëdha i ka konstatur në koncesione. Duke filluar që nga fillesat e tyre, ka propozuar ndryshime në formulimin e kontratave të koncensioneve, të cilat edhe janë marrë edhe nuk janë marrë në konsideratë nga Fondi dhe të gjithë aktorët që përfshijnë fondi (Ministria e shëndetësisë dhe Ministria e Financave). Duke filluar që nga koncensioni i paketës bazë që mbulon popullatën me kontrollin mjekësor, ku është evidentuar problematika në rradhë të parë ndaj rasteve të pakryera të cilat financohen totalisht nga buxheti i fondit dhe njëkohësisht përfitojnë TVSH, që do të thotë se shërbimi shëndetësor është i përjashtuar nga TVSH. Të dyja këto nuk janë korrigjuar ndër vite. Rreth 845 milonë lekë i paguhen koncensionarit, dhe për këto paketa që nuk realizohen është propozuar të financohet minimumi i tyre dhe shpenzimet fikse. Ne vazhdojmë dhe paguajmë për punë të pakryera.”

Zonja Bregu shton se, përtej kotratave të partneritetit, janë analizuar dhe kontrata të tjera si sterilizimi, dializa, dhe ajo e  analizave, që kanë të njëjat problematika si chechk up, duke mos u shërbyer pacientëve mbi moton “Shëndet për të gjithë”.

Një problematikë me “flamur të kuq” mbetet lista e barnave.

“Sa i përket listës së barnave përfshihet një gamë dhe pas një rregulloreje, ka që në 2021 që lista indeksohet dhe nuk risillet një listë e re. KLSH ka evidentur një sasi të konsiderueshme barnash të cilat nuk kanë konsum. Do të thotë që kjo listë duhet urgjent të përmirësohet dhe të rishikohen alternativat e reja, që i shërbejnë popullatës, kryesisht të sëmurëve me tumore.”

Gjithashtu, kryeaudituesja Bregu u shpreh se në auditimet e performancës së kryera në spitalin Onkologjik dhe në disa rajone vihen re problematika të theksuara me regjistrin e pacientëve, ndonëse buxheti “trumbetohet” si historik.

“Nuk ka të dhëna për të sëmurët, si kanë lëvizur, përditësimin e regjistrit, ka shumë problematika si tek onkologjiku, si tek FSDKSH dhe në tërësi. Kemi një tavan për shërbimet e rimbursimit, kjo vërtetet mund të jetë një mënyrë kontrolli, por nuk i shërben pacientëve, sepse duke u vënë një kufi shpenzimeve nuk mund të harxhojnë më shumë sesa aq. Por duke e rishikuar listën dhe duke futur alternativa të reja, duke e bërë më adekuate atëherë fondi do të mundësojë një listë të përditësuar që do të mund t’i shërbejë pacientit, si dhe duke përdorur me efektivitet fondet publike. Synimi ynë është monitorimi i skemës , të cilën në të vërttë e marrim nga kontributet tona, por që buxheti të shkojë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, sepse nëse ne nuk i përditësojmë listën e barnave , paketat shëndetësore, apo rishikimet e kontratave koncensionare, kanë kaluar nga 2015 shumë vite që themi të njëjtën gjë dhe pvarësisht se  FDSKSH pranon rekomandimet në mbi 90% nga KLSH, nuk  vepron”, përfunon Bregu fjalën e saj.

Burimi: Gazeta Shëndeti

Read more

THIRRJE PËR ARTIKUJ INVESTIGATIVË NË FUSHËN E SHËNDETËSISË

Thirrja organizohet nga Shoqata Together for Life në bashkëpunim me BIRN Albania, me mbështetjen e National Endowment for Democracy

Shoqata “Together for Life” po zbaton projektin “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse në Shqipëri”. Projekti synon promovimin e përgjegjshmërisë dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh çështjet prioritare më të lakuara në ditët e sotme lidhur me shëndetësinë siç janë pakënaqësia në rritje e qytetarëve përkundrejt shërbimeve dhe infrastrukturës shëndetësore publike, pagesat e larta nga xhepi që paguajnë pacientët për të marrë shërbime shëndetësore kundrejt atyre që mbulohen nga qeveria, financimi i ulët për sektorin, shkeljet gjatë kryerjes së kontratave me një barrë të madhe financiare për buxhetin, etj.

Një nga instrumentet e propozuara nga projekti është përdorimi i gazetarisë investigative për të raportuar dhe nxjerrë në pah disa nga çështjet më të rëndësishme lidhur me korrupsionin në sistemin shëndetësor.

Për të kontribuar në promovimin e një sistemi shëndetësor transparent, TFL në bashkëpunim me BIRN Albania hap thirrjen për 2 artikuj investigativë:

(2) gazetarë do të përzgjidhen për të prodhuar artikuj investigativë në fushën e shëndetësisë. Gazetarët aplikantë do të përzgjidhen nga një juri e pavarur e përbërë nga gazetarë me eksperiencë dhe ekspertë në fushën e medias.

Gazetarët do kenë në dispozicion një periudhë dy mujore për të përfunduar investigimin e tyre dhe përgatitjen e artikullit për publikim.

Fituesit pritet që të angazhohen dhe të përmbushin të gjitha detyrimet në lidhje me investigimin, si dhe respektimin e standardeve të gazetarisë investigative dhe etikës profesionale.

Kandidatët duhet të dorëzojnë formularin e bashkëngjitur kësaj thirrjeje. Propozimet duhet të kenë për qëllim ekspozimin e korrupsionit, abuzimit me pushtetin, me fondet publike, pa-ndëshkueshmërinë dhe mungesën e zbatimit të ligjit në fushën e shëndetësisë.

Prioritet në përzgjedhje do i kushtohet propozimeve të cilat përfshijnë një nga temat e mëposhtme, por gjithashtu inkurajojmë propozimin e temave të tjera (duke patur në vëmendje 4 fjalë kyçe: transparencë; llogaridhënie; fonde publike; shëndetësi).

  • Tenderat në shëndetësi: Përputhja me ligjin, transparenca dhe abuzimet;
  • Transparenca e shpenzimeve për shëndetësinë (ndërtimin e spitaleve të reja; financimi i shërbimeve të reja; financimi për barnat; kompanitë përfituese – favorite për përfitimin nga tenderat, etj.);
  • Shpenzimet për koncesionet dhe ndikimi në buxhetin e përgjithshëm të shëndetësisë (preferohet që artikulli t’i referohet ecurisë së koncensionit/eve të vitit buxhetor 2023);
  • Niveli i shpenzimeve nga xhepi si përqindje e shpenzimeve totale të pacientëve për shëndetësinë, në Shqipëri.

Aplikantët mund të dërgojnë më shumë se një aplikim, por vetëm një propozim për kandidat do të përzgjidhet.

(2) gazetarët e përzgjedhur do të kenë një mbështetje financiare prej 1000$, me qëllim ndjekjen e problematikës së përzgjedhur në të gjitha hallkat e kërkuara.

Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë gazetarët në Shqipëri, të punësuar apo në profesion të lirë.

Kandidatëve ju kërkohet që bashkë me formularin e plotësuar të aplikimit, të dërgojnë edhe një CV dhe tre shembuj të punës së tyre me email, në: info@togetherforlife.org.al

Afati për dorëzimin e aplikimeve, deri më: 07 Mars 2024

Read more

TFL ngre çështjen e fertilizimit in vitro në seancën dëgjimore mbi diskutimin e projekt-buxhetit 2024. Zv. Ministrja Rakacolli: Është një shërbim që është buxhetuar dhe parashikuar të funksionojë brenda këtij viti

Shoqata Together for Life, gjatë seancës dëgjimore të ditës së djeshme mbajtur nga Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në Kuvendin e Shqipërisë, shprehu qëndrimin e saj mbi projekt-buxhetin e vitit 2024, duke parashtruar problematikat dhe propozuar çështje konkrete.

Përfaqësuesja e TFL, Redina Çanaku, duke iu referuar projekt-buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, shprehu shqetësimin e organizatës për buxhetin e parashikuar për sektorin e shëndetësisë i cili ka ardhur në ulje për të tretin vit radhazi. “Pavarësisht rritjes nominale, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, buxheti për sektorin e shëndetësisë rezulton në ulje, theksoi Çanaku. Për të tretin vit rradhazi vërehet një ulje nga 3.5% e PBB në vitin 2022, në 3.1% e PBB në vitin 2023, dhe në 2.8% e PBB për vitin 2024.”

Më shumë se një herë, TFL ka ngritur shqetësimin se, referuar edhe raporteve ndërkombëtare, Shqipëria është e fundit në Rajon për nivelin e buxhetimit të shëndetësisë nga qeveria. Buxhetimi i sektorit të shëndetësisë nën nivelin 3% të PBB është një këmbanë alarmi për shërbimet shëndetësore publike dhe përbën një rrezik të shtuar sidomos për pacientët dhe grupet në nevojë, të cilët mund të privohen nga e drejta për të marrë shërbim cilësor.

Në Raportin monitorues, përgatitur dhe publikuar nga TFL, me mbështetjen e National Endowement for Democracy, “Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2022”, paraqitet një pasqyrë e plotë e problematikës së lindur nga nënfinancimi i sektorit të shëndetësisë.   

Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar, TFL u ndal në një çështje shumë të ndjeshme si ajo e shërbimit të fertilizimit in vitro, i cili vazhdon të jetë një shërbim i munguar në spitalet publike. “As në relacionin e buxhetit për shëndetësinë dhe as në projekt-buxhetin e detajuar për vitin 2024 nuk gjejmë asnjë informacion rreth kostimit ose jo të produktit ‹Çifte që përfitojnë nga paketa e fertilizimit› dhe në cilën pikë ndodhet procesi i përgatitjes së bazës ligjore”, vuri në dukje përfaqësuesja e TFL. Together for Life, për më shumë se gjashtë vite, ka lobuar pranë institucioneve shëndetësore për ngritjen e këtij shërbimi në spitalet publike si një masë që do t’u vinte në ndihmë shumë çifteve të reja.

Deputeti Ilir Pendavinji, nisur nga shqetësimi i ngritur nga TFL, kërkoi nga Zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – Mira Rakacolli, e pranishme në seancë, një informacion të saktë se kur do të fillonte të ofrohej ky shërbim në maternitetin ‘Koço Glozheni”, pasi janë me dhjetra çiftet që e prisnin këtë lajm.

Zv. Ministrja e Shëndetësisë informoi se ky është një shërbim që është buxhetuar dhe do të fillojë të funksionojë së shpejti: “Fertilizimi in vitro është një shërbim që është i parashikuar në buxhetin e spitaleve dhe është parashikuar të funksionojë krejtësisht brenda këtij viti”.

Nga ana tjetër, lidhur me numrin e çifteve që do të përfitojnë, ajo u shpreh se: “Komisionet profesioniste që janë krijuar pranë spitaleve universitare obstetrikë-gjinekologjike kanë përcaktuar kriteret që duhet të ketë një çift për të kryer fertilizimin in vitro.  Procedura e detajuar se si do të ndodhë ky proces, është duke u punuar. Jemi në fazën ku infrastruktura është ndërtuar, janë instaluar pajisjet dhe blerë medikamentet që duhen, si edhe po vijohet me hartimin e procedures konkrete se si do të realizohet.

TFL do të ndjekë nga afër realizimin e këtij angazhimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe do të vazhdojë të këmbëngulë që ky shërbim të ofrohet sa më shpejt dhe për një numër sa më të madh çiftesh.

Videon e plotë të seancës dëgjimore, mund ta shikoni në link-un:

https://www.facebook.com/100076188047891/posts/pfbid022L91mvgecbuY6Cahz33T9TCsequzbyL7eY14obEapXVULCs3yuhSYo5wbtRBwL3jl/?app=fbl

Për më tepër, ju ftojmë të lexoni raportin monitorues: togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2023/06/Monitorimi-i-shpenzimeve-te-sektorit-te-shendetesise-dhe-mbrojtjes-sociale-per-vitin-2022.pdf?fbclid=IwAR0eRKVxd5cxFI6Y7IL8tFdfHMxkslUdaAEHZuwURKqCw0lUVurf_L0vMlY

Read more

TFL organizon workshop-in e dytë me OSHC: “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë – Pse është me rëndësi pjesëmarrja e OSHC-ve në buxhetim?”

Shoqata Together for Life, në kuadër të projektit “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse në Shqipëri”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), organizoi workshop-in e dytë me organizata të shoqërisë civile në Shqipëri.

Në formën e një tryeze konsultimi mbi tematikën bosht të transparencës dhe llogaridhënies në fushën e shëndetësisë, OSHC-të që mbulojnë këtë fushë dhe fusha të tjera, reflektuan disa nga sfidat me të cilat përballen organizatat e shoqërisë civile kur bëhet fjalë për përfshirjen e tyre në procesin e buxhetimit, si edhe çfarë mund të bëhet për promovimin e përgjegjshmërisë dhe transparencës.    

Ndër pikat kyçe që u theksuan gjatë tryezës lidhur me faktin pse përfshirja e OSHC-ve është me rëndësi thelbësore:

  • Për të shprehur nevojat e grupeve sociale të ndryshme në nivelin e politikëbërjes;
  • Për të negociuar ndarjen e burimeve publike në funksion të nevojave dhe shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile;
  • Për të maksimizuar barazinë në vendimarrje dhe për të sjellë rezultate më të mira në zbatimin e politikave;
  • Për të thyer barrierat tipike të buxhetimit nga lart-poshtë duke nxitur qasjen e buxhetimit nga poshtë-lart;
  • Për të fuqizuar komunitetin për të monitoruar shpenzimet publike.

Përsa i përket sfidave me të cilat hasen OSHC-të, lidhen me mungesën e informacionit përsa i përket ligjeve të përfshirjes në konsultimet në buxhetim, si edhe mungesa e aftësive teknike në procesin buxhetor. Duke ju atashuar edhe mungesës së vullnetit politikë-bërës, kjo pjesë ndikon negativisht në përfshirjen aktive të organizatave të shoqërisë civile në vendimmarrje dhe rrjedhimisht edhe mospërfaqësimit të plotë të nevojave aktuale të target-grupeve që ato përfaqësojnë. 

Nga ana tjetër, shumë nga organizatat nuk ftohen në procese konsultuese ose edhe kur ftohen dhe paraqesin propozimet e tyre, nuk merren parasysh nga vendimmarrësit dhe as nuk u mundësohet një shpjegim zyrtar pse nuk janë marrë parasysh. Në raste të tjera, informacioni zyrtar nuk është i plotë, i përditësuar ose i aksesueshëm. Në raportet e publikuara ka një diferencë midis planifikimit, buxhetimit dhe zbatimit, duke bërë që kauzat e ngritura të mos jenë qartësisht të mirëbazuara në fakte. Këto sipas këndvështrimit të OSHC-ve, përbëjnë tregues të qartë të mungesës së transparencës.

Shpeshherë organizatat portretizohen si “oponent” dhe kjo nuk ndihmon në ndërtimin e një sinergjie bashkëpunuese OSHC-Vendimmarrës.

– “Ajo që është problem është se ministritë e quajnë OSHC-në si “delen e zezë”. Për këtë arsye nuk merremi në konsideratë dhe vijojnë me mendimet e veta”.

– “Më përpara kishte konsultime me SHC edhe i kushtohej serioziteti i duhur, por me kalimin e kohës këto u bënë thjeshtë formale, duke mos i kushtuar rëndësinë e duhur”.

OSHC-të pjesëmarrëse vlerësuan si shumë të domosdoshme organizimin e tryezave të tilla, së pari për të krijuar ose forcuar rrjetëzimin midis organizatave për ngritjen e kauzave mbi çështje kritike dhe fuqizimin e aftësive të tyre monitoruese, në dobi të nxitjes së përgjegjshmërisë dhe transparencës. Nga ana tjetër, këto sinergji do të shërbejnë edhe për fuqizimin e trinormit Vendimmarrje-Llogaridhënie-Transparencë.  

Read more

TFL në Komisionin Parlamentar, ngritja e problematikave të moshës së tretë lidhur me aksesin e ulët në shërbimet shëndetësore dhe sociale

Shoqata Together for Life prezantoi në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në Kuvendin e Shqipërisë gjetjet e Raportit “Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2022”, sipas të cilit edhe pse numri i të moshuarve të vetmuar që kanë nevojë për përkujdesje sociale po vjen në rritje nga viti në vit, numri i atyre që marrin shërbime në qendrat publike është minimal dhe po vjen në ulje. Gjatë vitit 2022, vit të cilit i referohet raporti i TFL, 310 të moshuar janë trajtuar me shërbime në qendrat e përkujdesit social, nga 350 të planifikuar

Përfaqësuesja e TFL, Redina Çanaku, që mori pjesë në seancën dëgjimore të thirrur nga Komisioni me rastin e Ditës Botërore të të Moshuarve, po ashtu theksoi se ‘pjesa më e madhe e të moshuarve që vuajnë nga disa sëmundje kronike, nuk e përballojnë dot financiarisht blerjen e medikamenteve bazë (duke përfshirë ato me rimbursim) ose ekzaminimeve/mjekimeve shtesë dhe se sistemi shëndetësor nuk është i përgatitur për nevojat në rritje të të moshuarve.

Në Raportin e hartuar nga TFL me mbështetjen e NED (National Endowement for Democracy), evidentohet se shpeshherë të moshuarit, kryesisht ata në zona rurale që nuk kanë mundësi aksesi fizik në Qendrat e Kujdesit Shëndetësor Parësor ose ato që ofrohen nuk janë cilësore, kështu që detyrohen të marrin shërbime në shtëpi për të cilat duhet të paguajnë kosto shtesë ose në mënyrë informale. 

Në seancën dëgjimore të thirrur nga Komisioni Parlamentar, morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare të cilat në fokus të punës së tyre kanë moshën e tretë dhe mirëqenien e tyre.

Deputet e pranishëm në sallë, duke ju referuar të dhënave të raportuara të cilat adresohen në mënyrë të përvitshme nga Shoqata Together for Life, pranuan problematikat e raportuara dhe rekomandimet e propozuara, duke theksuar nevojën për marrjen e masave konkrete në mënyrë urgjente për përmirësimin e situatës socio-ekonomike dhe shëndetësore të të moshuarve.

https://fb.watch/ntbIKZ8ELP/

Gjetjet e plota të raportit i gjeni në këtë link: Monitorimi-i-shpenzimeve-te-sektorit-te-shendetesise-dhe-mbrojtjes-sociale-per-vitin-2022.pdf (togetherforlife.org.al)

Read more
sqAlbanian