denonco@transparency.com.al

Uncategorized

Spitaleve në gjithë vendin u kërkohet të rrisin transparencën, ja çfarë duhet të bëjnë publike

Një rekomandim që ka shkuar në thuajse te gjithë spitalet publike në vend ka kërkuar që këta të fundit të rrisin transparencën duke publikuar informacion të rëndësishëm që lidhet me informimin e publikut.

Rekomandimi është bërë nga Komisioneri për të Drejtën e Informimin dhe u është drejtuar një sërë institucioneve duke nisur nga QSUT tek Spitali i Traumës, Shefqet Ndroqi, dy maternitetet ai Mbretéresha Geraldinë dhe Koço Glozheni si dhe spitalet rajonale në Durrës, Shkodër, Vlorë, Fier, Gjirokastër, Lezhë, Korçë.

Konkretisht rekomandimi përcakton se cila mund të jetë kategoria e informacionit që
duhet të bëhet publik nga këta të fundit, duke e vënë theksin tek nevoja që vjen për rritjen e transparencës nga këto institucione të cilat sipas një ligji riorganizohen në funksion të rritjes së autonomisë spitalore.

Për ta lehtësuar këtë proces Komisioneri ka saktësuar një seri pikash që duhet të jenë
transparente.

“Konkretisht, bazuar në urdhrin e sipërcituar, të gjitha autoritetet publike përgatisin
paraprakisht, në formate lehtësisht të kuptueshme dhe të aksesueshme, si dhe vënë në
dispozicion të publikut në faqen e tyre zyrtare të internetit rubrikat/kategoritë e
mëposhtme të informacionit:

– Hyrje;

– Rreth Autoritetit: një përshkrim të strukturës organizative, funksioneve dhe detyrave të autoritetit publik;
– Kuadri ligjor rregullator: tekstet e plota;
– E drejta për t’u informuar dhe për t’u ankuar: informacion për procedurat që duhen
ndjekur për të bërë një kërkesë për informim, adresën postare dhe elektronike për
depozitimin e kërkesave për informim, si dhe procedurat e ushtrimit të mjeteve ligjore
administrative;
– Mekanizmat kontrollues dhe monitorues që veprojnë mbi autoritetin publik;

– Regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve;
– Ndihma shoqërore/subvencionet të dhëna nga autoriteti publik
– Informacione/dokumente që kërkohen më shpesh dhe ato që gjykohen të dobishme për
publikun nga autoriteti publik. / Monitor

Read more

Kontrata e laboratorëve – tavan vetëm për numrin e analizave, jo për kostot e shërbimit të ofruara nga privati

Që pas viteve ’90, sistemi shëndetësor publik në Shqipëri është përballur me sfida të rëndësishme që kanë ndikuar negativisht në ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të aksesueshme për të gjitha kategoritë e popullsisë. Një nga segmentet më problematike ka qenë shërbimi laboratorik në spitalet publike, ku janë evidentuar mungesa serioze në pajisje të amortizuara, mungesë të reagentëve, staf të pamjaftueshëm dhe jo gjithmonë të kualifikuar, si dhe kushte të papërshtatshme infrastrukturore. Këto mangësi kanë ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e analizave laboratorike, duke ulur sigurinë e diagnostikimit dhe duke detyruar një pjesë të madhe të qytetarëve të drejtohen drejt laboratorëve privatë, shpesh me kosto të larta dhe të papërballueshme.

Përballë kësaj situate, në dhjetor të vitit 2015, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ndërmori një hap që konsideroi jo vetëm si vendimtar, por edhe si të vetmen alternativë, përfshirjen e sektorit privat në ofrimin e këtij shërbimi përmes një partneriteti publik-privat. Për t’i hapur rrugë këtij bashkëpunimi, së pari MSHMS u angazhuar në hartimin e një studimi fizibiliteti për të cilin kontraktoi Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, me qëllim ofrimin e asistencës teknike në zhvillimin e projektit.

Që në fillim, institucioni përgjëgjës, Ministria, bëri me dije se objektivi kryesor i kontratës koncesionare do të ishte modernizimi dhe ofrimi i qëndrueshëm i shërbimeve laboratorike në spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake, me synimin për të rritur cilësinë dhe efikasitetin e analizave laboratorike në sistemin publik.

Problematikat e evindentuara nga faza e planifikimit tek zbatimi i koncesionit të laboratorëve

Nga një analizë e dokumentave që mund të gjenerohen nga faqet e institucioneve publike përgjegjëse për këtë koncesionar bëhet e qartë se procedura lidhur me këtë kontratë është shoqëruar me probleme serioze në çdo fazë, nga hartimi, te vlerësimi dhe implementimi. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si institucioni përgjegjës në rolin e kontraktorit, nuk ka kryer paraprakisht, ashtu siç e ngarkon ligji një analizë krahasuese midis modelit të Partneritetit Publik Privat (PPP) dhe atij tradicional të prokurimit publik, duke e bërë të pamundur vlerësimin objektiv të leverdishmërisë së projektit.

Për më tepër, mungesa e transparencës në analizën financiare ka ngritur dyshime të mëdha, pasi nuk u bënë publike të dhëna të qarta statistikore, teknike apo ekonomike që të justifikonin koston e llogaritur prej 13 miliardë lekësh. Projekti gjithashtu ekspozon palën publike ndaj një rreziku të lartë operacional, pasi përfshin pothuajse të gjithë sistemin laboratorik të vendit, dhe një dështim në zbatimin e tij do të kishte pasoja të rënda për shëndetin publik.

Gjithashtu, në analizimin e dokumentave të operatorëve konkurrues ekspertët kanë vërejtur se procesi i kualifikimit të operatorëve ekonomikë ka ndodhur në kundërshtim të qartë me rekomandimet e dhëna nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), e cila kishte angazhuar rolin e konsulentit ndërkombëtar në këtë projekt. Përzgjedhja e bashkimit të operatorëve “Labopharma Sh.p.k, Exalab & AB Laboratory Solutions B.V.” si fitues është bërë pavarësisht shqetësimeve serioze të ngritura nga IFC.

Këto shqetësime përfshinin integritetin e kompanisë ABLS dhe lidhjet e dyshimta të aksionarëve të saj me hetime dhe procedura gjyqësore në Spanjë; mungesën e transparencës mbi pronarin përfundimtar të ABLS; si dhe kontrollin e dobët të kompanisë Exalab mbi Sealab, një aktor kyç në ofrimin e shërbimeve laboratorike. Këto elementë krijuan një kontekst të paqartë dhe me risk të lartë për përzgjedhjen e partnerit privat. Komisioni i Koncesionit/PPP e hodhi poshtë opinionin e IFC me pretendimin se nuk kishte ndonjë vendim gjykate ndaj kompanisë dhe se strukturat e kontrollit mes kompanive ishin të mjaftueshme. Kjo vendimmarrje ngriti dyshime serioze për kapacitetin dhe vullnetin institucional për të zbatuar parimet e menaxhimit të ndershëm të fondeve publike.

Procesi i negocimit të kontratës u karakterizua nga vonesa të mëdha dhe mangësi thelbësore në përmbajtje. Negocimi zgjati për më shumë se dy vjet – një shkelje e hapur e afatit ligjor prej 60 ditësh të përcaktuar për përfundimin e këtij procesi. Gjatë kësaj periudhe, kompania AB Laboratory Solutions (ABLS), një nga anëtarët kryesorë të bashkimit ofertues, tentoi të tërhiqej nga projekti, duke vënë në pikëpyetje stabilitetin dhe seriozitetin e vetë bashkimit. Për më tepër, kontrata përfundimtare nuk parashikon sigurimin e përgjegjësisë profesionale, një element thelbësor për projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Mungesa e këtij garancioni ngre shqetësime të mëdha për nivelin e mbrojtjes që i ofrohet interesit publik.

Nga kqyrja e kontratës mund të kontatohet se koncesionari merr angazhim për ofrimin e 146 lloje analizash, përfshirë 66 analiza në laboratorët e urgjencës dhe rreth 80 në laboratorët rajonalë, duke përfshirë spitalet kryesore universitare në Tiranë dhe ato rajonale në qytete si Durrës, Vlorë, Shkodër, Elbasan, Fier, Korçë, Berat, Lezhë, Gjirokastër, Kukës, Dibër, si dhe spitalet bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes.

Kosto që rriten përtej parashikimit në kontatë

Vlera e përgjithshme e parashikuar për kontratën ishte 13 miliardë lekë, por zbatimi i kontratës është shoqëruar me kosto të rritura mbi parashikimin fillestar, siç kanë konstatuar auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) dhe institucioneve të tjera mbikëqyrëse. Vetëm në vitin e parë të zbatimit, projekti ka sjellë një kosto shtesë prej 3.3 milionë euro, pa qenë e parashikuar në buxhet, duke krijuar një barrë të papritur për financat publike. Për më tepër, kufizimet e vendosura nga tavanet buxhetore të spitaleve kanë kufizuar ofrimin e shërbimeve, duke detyruar pacientët të përballojnë vetë kosto të konsiderueshme, shpesh të papërballueshme. Janë identifikuar gjithashtu raste të pagesave për shërbime laboratorike që nuk janë kryer, çka jo vetëm ka krijuar dëm ekonomik për buxhetin e shtetit, por edhe ka përkeqësuar barazinë në aksesin e qytetarëve ndaj kujdesit shëndetësor.

Bazuar mbi këto konstatime, KLSH ka rekomanduar në raportet e saj të auditimit rishikimin e kontratës koncesionare për të adresuar këto problematika serioze dhe për të garantuar ofrimin e shërbimeve laboratorike në mënyrë efikase, të barabartë dhe pa kosto shtesë për buxhetin e shtetit.

Pra, koncesioni i laboratorëve, i promovuar fillimisht si model suksesi për modernizimin e laboratorëve spitalorë, ka nxjerrë në pah mangësitë serioze në vlerësim, zbatim dhe mbikëqyrje, duke e kthyer atë në një barrë të rëndë financiare dhe funksionale për sistemin shëndetësor dhe vetë qytetarët. Rishikimi i thellë i kontratës dhe forcimi i kontrollit institucional mbetet domosdoshmëri urgjente në funksion të interesit publik.

Read more

Si mjekët nxorën jashtë funksioni aparatin për të sëmurët me kancer, u kthye në burim rreziku prej rrezatimeve/ Prokuroria zbardh skemën në QSUT

Prokuroria e Tiranës zbardhi skemën abuzive e transferimit të pacientëve nga Onkologjiku në spitalet private me qëllime përfitimi, ndërsa u dhanë masa sigurie për 7 mjekë e specialistë.

Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Tiranë kërkoi masa sigurie për shtatë mjekë e specialistë të Qendrës Spitalore Universitare nën akuzë për veprat penale ‘Shpërdorim Detyre’.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mjekët, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT.

Pas finalizimit me sukses të operacionit “Rrugëtimi” në kuadër të të cilit u ndaluan 16 shtetas gjatë sekuestrimit të barnave personave të ndaluar, u zbulua se disa prej barnave janë medikamente për përdorim spitalor, specifikisht në departamentin e Onkologjisë.

Veprimet hetimore të mëtejshme në bashkëpunim me Seksionin e Luftës Kundër krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, si dhe veprimet proaktive duke përfshirë përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren, blerjet e simuluara, ashtu edhe me veprime te hapura hetimore, zbuluan rastet e pacientëve të ndryshëm, të cilëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe drejtoheshin në klinika private.

Po kështu, nga ana e Prokurorisë u arrit të dokumentohen raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore rezultoi se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.

Që të përdoret Kobalto Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vjenës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike.

Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekesor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje.

Në kuadër të këtij operacioni, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha,  u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest shtëpie” dhe detyrim paraqitje për:

1. Edmond Gashi (Mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal me masën e sigurisë “Arrest shtëpie” parashikuar nga neni 237 të Kodit të Procedurës Penale.

2. Emiljano Lela (Koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” te parashikuar nga neni 248 i K.penal me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.

3. Alketa Ymeri(Pere) (Mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 I K.penal me masën e sigurisë ““Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.

4. Brikena Qirjazi (Zv/Drejtoreshe në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik) e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 I K.penal me masën e sigurisë ““Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.

5. Halil Gashi i akuzuar për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave” parashikuar nga neni 180/1 I K.penal me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.

6. Florian Marku i akuzuar për veprën penale të “Tregtimi dhe transportimi I mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” të parashikuar nga nenet 178 e 179 I K.penal.

7. Është bërë sekuestrimi i klinikës mjekësore “Megis” dhe i është komunikuar që nuk duhet të ushtrojë aktivitetin deri në një moment të dytë.

8.Për shtetasen Drilona Kishta për të cilën ishte vendosur masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje” e akuzuar për veprën penale “Shpërdorim Detyre” parashikuar nga neni 248 i K.Penal nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal pasi kjo shtetase ka qenë jashtë shtetit dhe është vendosur njoftim në kufi. / Top Channel

Read more

Vetting zbardh skemën/ Spitali i Traumës tendera në konflikt interesi. Kush janë aksionerët e kompanive që përfitojnë milionat dhe lidhja me drejtuesit e spitalit

Por çfarë e bën situatën më të rëndë në këtë tender, atë të protezave, te Spitali i Traumës? Nga hulumtimet e “Vetting” është zbuluar se aksionerja e kompanisë “Orthonet”, Kira Cami është e bija e kirurgut ortoped tek SUT, Ergys Cami, ndërsa aksionerja tjetër, Floresha Haxhimemini, është e ëma e Sedi Meminit, edhe ky kirurg ortopedie në SUT. Ergys Cami, sipas informacioneve, mësohet se punon në një spital privat si shef i ortopedisë, ndërkohë që paguhet edhe në Spitalin e Traumës.

Kompania “Orthonet 360” sh.p.k ka marrë në konflikt të hapur interesi tenderat nga SUT-ja dhe ia ka kaluar familjarëve të doktorëve që janë të punësuar në këtë spital.

Por nyja gordiane e të gjitha këtyre aferave me tenderat e ortopedisë gjenden te drejtuesit, të cilët janë në të njëjtin sektor me familjarët e personave që zotërojnë Orthonet 360.

Lidhjet thellohen më shumë pasi kompania private “Life Plus”, me administratore Daniela Nelaj ka si aksioner kirurgët e SUT, Serdi Memini, Ergys Cami, Alfred Cake, Erion Qato dhe Korab Sejdini. Gjithashtu, aksionerë janë Dorina Ruci dhe Lidia Manushi.

Sipas burimeve konfidenciale, Alfred Cake është zv.Drejtor i SUT, ndërkohë që i ka dhënë tenderat e ortopedisë Ergys Camit, ortakut të vet në klinikë dhe familjarit të Serdi Meminit.

Të njëjtat burime pohojnë se, në Komisionet e Specifikimeve Teknike dhe të pranimit të mallit për materialet ortopedike, janë Alfred Cake, Erion Qato dhe Serdi Memini. Ky i fundit është i biri Floresha Haxhimeminit, aksionere e kompanisë “Orthonet”. Në këtë rast, kompania “Orthonet 360” shpk rezulton e lidhur me mjekët në QSUT, duke marrë tendera, të cilët janë në shkelje të ligjit.

Problemet nuk ndalen me kaq pasi në repartin e ortopedisë mungojnë letrat për numrin e operacioneve. Ajo që vihet re është mospërputhja e numrit serial dhe të gjitha këto mungesa raportohen për kompaninë “Orthonet” së bashku me “T R I M E D” dhe “Layo” shpk. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit përforcon atë skemën e korrupsionit që “Vetting” ka zbuluar për aferat me protezat.

“Kampioni i përzgjedhur prej 14 pacientë është përfaqësues për të gjitha të dhënat e materialeve ortopedike të implantuara tek këta pacientët, pasi të gjithë pacientët që janë të regjistruar në 3 (tre) regjistrat që përfshijnë periudhën 2021 dhe 2022, rezulton se nr.serial (Loti) i materialeve ortopedike nuk kanë përputhje midis materialeve te vendosura, atyre te kërkuara dhe atyre te shkarkuara ne kartelën elektronike”.

Drejtues të SUT nuk kanë dhënë shpjegime se çfarë cilësie janë këto implante, përse ka mospërputhje dhe se si po merr masa spitali për t’i rregulluar këto çështje. “Vetting” kontaktoi Spitalin Universitar të Traumës për numrin e operacioneve, por pyetja për çështjen e protezave mbeti pa përgjigje nga SUT deri në publikimin e këtij materialit.

Burime të rezervuara kanë bërë të ditur se pas kërkesës së parë nga emisioni “Vetting” për numrin e operacioneve kanë filluar dorëheqjet nga Komisioni i Tenderave, por gjithçka mbetet për t’u verifikuar nga vetë drejtuesit e këtij spitali.

Read more

Dëshmi/ “Në laboratore të ndryshme, merrja përgjigje të ndryshme analizash, nuk dija cilin bakter të mjekoja?!”

“Gabimet ndodhin” është një frazë e zakonshme, por disa gabime janë shumë më serioze se të tjerat. Ky është sigurisht rasti kur ne e kthejmë vëmendjen te kujdesi shëndetësor, dhe në veçanti te laboratoret mjekësore, ku edhe gabimi më i vogël mund të ndikojë drejtpërdrejtë në mirëqenien e një pacienti.

Laboratorët mjekësorë, sidomos në Tiranë janë përhapur si ”kërpudha”, por askush nuk merret me cilësinë e analizave, ku një gabim i vetëm në këtë zinxhir mund të rezultojë në një diagnozë të gabuar, trajtim të gabuar dhe akoma më keq, dëmtim të pacientit.

 “Unë jam përpjekur të zbuloj një problem timin shëndetësor në lidhje me një bakter, ku në njërin nga laboratorët që unë shkoja më nxirrte të njëjtën gjë, sepse çfarë kishte të shënuar në kompjuter sa shikonte emrin tim thjesht i printonte dhe kur shkoja në një vend tjetër më dilte një bakter tjetër dhe unë nuk dija se cilin nga ato duhej të mjekoja. Nuk e di a po merret dikush me cilësinë e këtyre analizave për të vijuar më tej me diagnozën. Ato kitet përdoren dhe stërpërdoren dhe analizat nuk janë më të qarta.  Është një problem të cilit duhet t’i japim përparësi, meqë ishim te cilësia e shëndetësisë”, u shpreh Majlinda Hoxha (Organizata Network Albania) gjatë tryezës së diskutimeve organizuar nga  Shoqata Together for Life, ku u prezantua raporti me temën “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – A mbulon skema nevojat reale të kujdesit shëndetësor”, mbështetur nga National Endowment for Democracy.

Read more

Shëndetësia, Shqipëria me buxhetin më të ulët në Rajon

Shëndetësia në Shqipëri vazhdon të mbetet e fundit në rajon sa i përket shpenzimeve publike në raport me shpenzimeve e përgjithshme publike, gjë e cila vijon të mbetet në fuqi dhe për vitin 2022. Politikat shëndetësore dhe ato të mbrojtjes sociale mbeten të nënfinancuara, duke bërë që shpenzimet publike të sektorit të realizohen të paprioritarizuara, pa vëmendjen e nevojshme të qeverisë në llogaridhënie mbi përdorimin e tyre duke riskuar kështu dhe keqpërdorimin e fondeve buxhetore.

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Databaza e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, krahasuar me Rajonin, shpenzimet në sektorin e shëndetësisë për Shqipërinë në raport me shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë më të ulëtat, me mesatarisht 9.8% përgjatë periudhës 2015-2020, ndërkohë që kryeson listën e vendeve të rajonit me shpenzimet më të larta për shëndetësinë Bosnje-Hercegovina dhe Republika e Maqedonisë së Veriut.

Buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale në përqindje ndaj PBB rezulton në rënie në vitin 2022 krahasuar kjo me dy vite më parë, rënie kjo pjesërisht e shpjegueshme prej faktit që në vitet 2020-2021 buxheti për sektorin e shëndetësisë pësoi rritje më të madhe se normalisht për të financuar shpenzimet e lidhura me menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga virusi i SARS COV-2 (COVID-19). Sa i përket buxhetit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale në raport me shpenzimet e përgjithshme publike, ruhet një nivel mesatar prej 12.5%. Ajo që bie në sy është fakti që në vitin 2022 shpenzimet faktike të MSHMS shkojnë në nivelin 12%, në të njëjtin nivel si në vitin 2017, pavarësisht rritjes në vlerë nominale të trendit të shpenzimeve.

Nëse do të analizojmë vetëm sektorin e shëndetësisë, shpenzimet në përqindje ndaj PBB në vite luhaten në intervalin 2.9%-3.4%, me një mesatare prej 3.1% të PBB. Ndërkohë, shpenzimet e shëndetësisë ndaj shpenzimeve të përgjithshme publike përgjatë periudhës 2017-2022 rezultojnë në masën 10.1%. Në këtë mesatare është përjashtuar viti 2021, i cili rezulton me shpenzime të larta (one off) për shkak të menaxhimit të situatës pandemike të shkaktuar në vend nga virusi SARS COV 2.

Shpenzimet faktike në vite sipas programeve kryesore buxhetore të MSHMS paraqiten në grafikun e mëposhtëm. Ajo që vihet re është trendi në rënie i shpenzimeve për kujdesin parësor, kombinuar me trendin në rritje të shpenzimeve për shëndetin publik dhe atë dytësor. Sa i përket shpenzimeve të lidhura me mbrojtjen sociale, konstatohet që ruhet një trend normal përgjatë kësaj kohe, me mesatarisht 38.1% të buxhetit total të MSHMS.

Këto të dhëna janë pjesë e raportit të prodhuar nga Shoqata Together for Life “Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2022” mbështetur nga NED dhe publikuar në faqen https://transparency.com.al/.

Për raportin e plotë, ju lutem klikoni linkun: Monitorimi-i-shpenzimeve-te-sektorit-te-shendetesise-dhe-mbrojtjes-sociale-per-vitin-2022.pdf (togetherforlife.org.al)

Read more

Investimet në shëndetësi: 82% e fondit total alokohet në Tiranë, disa spitale bashkiake prej vitesh s’kanë patur asnjë investim

Gjatë periudhës nga viti 2014 deri në vitin 2022 buxheti për shëndetësinë u rrit 57% duke arritur vlerën e 65 328 milionë lekë në vitin 2022. Buxheti i dhënë për sektorin e shëndetësisë konsistoi në 10.2% të shpenzimeve të përgjithshme të Qeverisë dhe rreth 3.5% të PBB-së në vitin 2022.

Totali i investimeve publike me financim të brendshëm dhe të huaj për vitet 2014-2024 për sektorin e shëndetësisë në nivel plan është 27 713 milionë lekë (230.9 milionë euro) dhe në nivel fakt është 20 207 milionë lekë (168 milionë euro).

Tabela 1: Shpenzimet për investime publike 2014-2024 të agreguara sipas tipit të investimit

Në lekë
Periudha2014-2024 
Tipi i InvestimitPlan Fakt
Ndertime te reja         2,844,173,503              1,968,787,455     
Pajisje mjekesore         4,276,204,158              2,775,919,530     
Rikonstruksione dhe pajisje         7,239,551,002              5,695,270,300     
Rikonstruksione         9,520,580,625              6,056,513,396     
Sisteme IT         2,445,585,433              2,393,136,263     
Te tjera         1,387,693,432              1,317,863,619     
Grand Total       27,713,788,153            20,207,490,563     

Duke ju referuar realizimit faktik të investimeve publike sipas burimit të financimit, rezulton se:

  • Investimet Publike me Financim të Brendshëm (pra burimi i financimit është buxheti i shtetit) janë 11 780 milionë lekë dhe zënë 58% të totalit të investimeve publike të sektorit të shëndetësisë.
  • Investimet Publike me Financim të Huaj (pra burimi i financimit janë donatorët/partnerët ndërkombëtar) janë 8 427 milionë lekë dhe zënë 42% të totalit të investimeve publike të sektorit të shëndetësisë.
  • Referuar kategorive të investimeve, 58% e investimeve me financim të brendshëm ose 6 839 milionë lekë (56.9 milionë euro) shkojnë për ndërtime, rikonstruksione dhe rikonstruksione e pajisje.

Ndërkohë, vetëm 21% e investimeve publike me financim të brendshëm ose 2 499 milionë lekë (ose 20.8 milionë euro) shkojnë për Blerje Pajisje Mjekësore. Pjesa tjetër e investimeve publike me financim të brendshëm shkojnë për sisteme IT-je, TVSH dhe kosto lokale e projekte të vogla për blerje pajisje zyrash, printerash etj. Ndërkohë, 62% e investimeve publike me financim të huaj shkojnë për ndërtime, rikonstruksione dhe rikonstruksione e pajisje ose 5 248 milionë lekë (43.7 milionë euro) dhe vetëm 3% e fondeve të donatorëve shkojnë për blerje ekskluzivisht për pajisjesh mjekësore ose 276 milionë lekë (2.3 milionë euro).

Të analizuara në total investimet publike përgjatë periudhës 2014-2024, fokusohen në masën 60% të tyre në ndërtime dhe rikonstruksione objektesh shëndetësore (spitale, qendra shëndetësore etj), ndërkohë që vetëm 13.7% e fondeve totale përgjatë 2014-2024 shkojnë për blerjen e pajisjeve mjekësore.

Përmendim këtu projektet për ndërtim, rikonstruksione dhe pajisje me vlera të larta si vijon:

  • Rikonstruksioni i 300 qendrave shëndetësore
  • Ndërtim i spitalit të sëmundjeve interne QSUT
  • Rikonstruksione dhe pajisje godinash dhe qendrës së urgjencës kombëtare QSUT
  • Ndërtim bunkeri për instalim akseleratorësh linearë QSUT-onkologjiku
  • Rikonstruksion i shërbimit të reanimacionit të Spitalit Vlorë
  • Rikonstruksione në Spitalin Rajonal Kukës,
  • Rikonstruksion në Spitalin Lezhë dhe shtesë për Maternitetin Lezhë
  • Rikonstruksion dhe shtesë materniteti për Spitalin Berat
  • Rikonstruksion i pediatrisë së Spitalit Durrës
  • MASTER-PLANI I QSUT- kredi e CEB-it (përfundimi i dy kateve të sp.të ri të ndërtuar dhe rikonstruksioni i 6-katshit)
  • Rikonstruksion i godinës së Pediatrisë Spitalit Elbasan
  • Rikonstruksion i QKMZHRF Tiranë
  • Rikonstruksion i godinës se Neonatologjisë dhe Obstetrikës dhe ndërtim e dy godinave të reja në SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë
  • Rikonstruksion i godinës së QKT Gjakut Tiranë
  • Rikonstruksion i Spitalit Psikiatrik Elbasan, Rikonstruksion dhe pajisje 5 poliklinikave,
  • Rikonstruksioni i sistemit te ngrohje/ftohje/aspirim për godinën qendrore të SU Shefqet Ndroqi
  • Ndërtimi i maternitetit te ri, shtese 2kat dhe rikonstruksion i repartit Kirurgji + Patologji Spitali Sarandë
  • Rikonstruksion i një godine 4 kat dhe shtese anësore për zhvendosjen e Maternitetit Brenda korpusit të Spitalit Korçë
  • Ndërtim i Spitalit Psikiatrik Vlorë
  • Projekti i Bankës Botërore i cili financohet me kredi dhe ka në fokus rikonstruksion dhe pajisje të godinave të ndryshme në QSUT etj.

Mesatarisht 22% e fondeve totale për çdo vit ose 308 milionë lekë në vit8 (2.5 milionë euro), përgjatë 2014-2021 shkojnë për blerje pajisjesh mjekësore dhe pjesa më e madhe prej 55% ose rreth 1.5 miliardë lekë (12.75 milionë euro) shkojnë për studime/projektime, ndërtime dhe rikonstruksione. Për vitet 2022-2024 është planifikuar që 13% e fondeve të dedikohet për blerje pajisjesh mjekësore duke vijuar dominanca e alokimit të fondeve të investimeve publike për ndërtime dhe rikonstruksione godinash mjekësore.

Referuar ndarjes rajonale të investimeve publike, 82% e fondit total të investimeve publike 2014-2024 alokohet në qytetin e Tiranës. Përmendim këtu projektet më të mëdha si vijon:

  • Projekti për fuqizimin e Qendrës së Traumës – Kredia e qeverisë italiane;
  • Përmirësimi i sistemit të shëndetësisë- Sistem IT;
  • Ndërtimin e Bunkerit për instalimin e dy aksesorëve linear në Spitalit Onkologjik te QSUT;
  • Projekti i Bankës Botërore (i ndarë në tre komponentë si vijojnë);
  • Ngritja e sistemit E-PRESCRIPTION për shërbimin shëndetësor;
  • Rikonstruksioni i ndërtesës së ish-laboratorëve për përshtatje për qendrën e konsultave në Q.S.U. Tiranë;
  • Rikonstruksion dhe pajisje 5 poliklinikave;
  • Rikonstruksion në SU. “Shefqet Ndroqi” për sistemimet e jashtme, kanalizimet, ndriçimi dhe ashensori në godinën e administratës, etj Faza III;
  • Rikonstruksione të QSH-ve në njësi administrative;
  • MASTER-PLANI I QSUT- kredi e CEB-it (përfundimi i dy kateve të sp.të ri të ndërtua dhe rikonstruksioni i 6-katshit);
  • Ndërtimi i depos qendrore të barnave në QSUT;
  • Ndërtimi i Spitalit të Sëmundjeve Interne Q.S.U.T;
  • Rikonstruksion i godinës se Neonatologjisë dhe Obstetrikës dhe ndërtim e dy godinave te reja ne SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”;
  • Rikonstruksion i godinës se Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut Tiranë;
  • Godina A1, dy katet + Kati 0 QSUT FAZA 2

Ndërkohë, mesatarisht 2-2.4% e fondit total të investimeve publike 2014-2024 alokohet në qytetet Elbasan, Vlorë, Shkodër, Sarandë, Lezhë dhe Berat. Pjesa tjetër e investimeve publike është e shpërndarë në pjesën tjetër të qyteteve të Shqipërisë, me një fond minimal prej 1% e totalit të fondit të investimeve publike të marrë në analizë, dhe kjo shpërndarje është kryesisht mbi baza vjetore, për shembull Devolli ka marrë investime publike në shëndetësi vetëm në vitin 2017 ose Hasi vetëm në vitin 2016 dhe 2020. Ndërkohë, referuar dokumentit të strategjisë kombëtare të shëndetësisë 2021-2030, sikurse përmendet në të, nuk ka një plan investimesh publike për sektorin e përfshirë në të, duke na bërë të pamundur të analizojmë se mbi çfarë bazash është bërë planifikimi i investimeve publike për periudhën 2021-2024 e rrjedhimisht për vitet pasuese. Ndërkohë, referuar dokumentit të mëparshëm 2015-2020, në mënyrë sporadike gjen në brendi të dokumentit dhe në planin e veprimit disa projekte investimesh publike. Nga analiza që i është bërë arritjeve të strategjisë 2015-2020, në dokumentin e strategjisë 2021-2030 flitet vetëm për projektin e 300 qendrave shëndetësore, pa u ndaluar në zbatimin e projekteve të tjera të planifikuara e jo më në analiza të detajuara të eficiencës së tyre.

Read more

Mungojnë ilaçet e dializës, eksperti: Mimpara, jetike për pacientët

Pacientët që jetojnë me dializë në Shqipëri përballen me mungesë të medikamenteve. Në një intervistë për Euronews Albania, doktor Ilir Pecnikaj, ekspert i farmaceutikës ngre shqetësimin se këta pacientë nuk kanë medikamentin më jetik.

“Barna jetike që në tregun shqiptar nuk janë përsa i përket trajtimit të dializës, në tregun shqiptar mungon Mimpara, është jetik, ky është problem i sistemit, nuk ka autorizim sa kohë mungon në treg. Nga trajtimi i dializës ka disa kundërindikacione për të cilët mimpara është mëse i nevojshëm”, theksoi ai.

Mundësia e vetme është që ky medikament të blihet jashtë Shqipërisë. Eksperti thotë se trajtimi mujor kushton mbi 1200 euro, e në këto kushte shumë pacientë se marrin duke prishur cilësinë e jetës.

“Alternativë që mbulon këtë bar nuk ka dhe po të shohësh mesataren e jetëgjatësisë të personave që trajtohen me dializë është shumë herë më e ulët dhe cilësia që bëjnë njerëzit me dializë në Shqipëri është tmerrësisht e keqe dhe kjo vjen vetëm nga trajtimi i barnave. Këtu nuk është mungesa profesionale e mjekëve, por mungesa e medikamenteve dhe  mundëssië për ti blerë këto medikamente”, u shpreh mjeku.

Vetëm në qendrën spitalore “Nënë Tereza” trajtohen me dializë 110 persona, ndërsa numri total në të gjithë vendin shkon rreth 300 pacientë.

Read more

Në vitin e dytë të pandemisë, vdekshmëria shtesë në vend vijoi të ishte e lartë

Në vitin e dytë të pandemisë, vdekshmëria shtesë19 në vend vijoi të ishte e lartë, sidomos në tremujorin e parë të 2021-it, që përkon me valën e dytë të fortë të pandemisë, pas asaj të tetor – dhjetor 2020. Për vitin 2021, në vend u regjistruan 30,580 vdekje, 20 me një rritje prej 10.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020, kur vendi u përball me valën e parë të pandemisë. Në raport me mesataren 2016-2019, periudhë që merret si referencë për krahasimin e vdekshmërisë shtesë të shkaktuar nga pandemia, rritja arrin në rreth 40%

Sipas tremujorëve, rritja e vdekshmërisë shtesë për vitin 2021 erdhi si rrjedhojë e fataliteteve të larta që u shënuan në tremujorin e parë të vitit, kur u raportuan 10,222 humbje jete gjithsej, me një rritje prej 61.3% në raport me mesataren e 2016-2019 për të njëjtën periudhë. Në tremujorin e mëparshëm, tetor – dhjetor 2020, që përkon me valën e parë të fortë të pandemisë, ishin regjistruar 9,397 humbje jete gjithsej, me rritje 70% në krahasim me mesataren e të njëjtës periudhë 2016-2019. Pas marsit 2021, vala e pandemisë filloi të lehtësohej, por numri i vdekjeve vijoi të mbetej më i lartë në krahasim me mesataren e para pandemisë, përkatësisht +21.3% në tremujorin e dytë 2021, +29.6% në tremujorin e tretë 2021 dhe +42% në tremujorin e katërt 2021, (ndonëse në raport me tremujorin e katërt 2020, vdekjet shtesë ranë me 16.6%)

Edhe përgjatë vitit 2021, Shqipëria vijoi të ishte një nga vendet me rritjen më të lartë të vdekshmërisë shtesë në Evropë. Në dy vitet e pandemisë, 2020-2021, Shqipëria kishte rritjen e tretë më të lartë kumulative të vdekjeve në Evropë (+33.2), në krahasim me mesataren dy vjeçare 2016-2019, kur nuk kishte filluar ende pandemia, pas Kosovës (+38.1%) dhe Maqedonisë së Veriut (55.1%), sipas të dhënave të Eurostat dhe raporteve statistikore të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës/Shoqata Together for Life
.

Read more

Dibra dhe Korça, me tkurrjen më të lartë të lindjeve në 6-mujor, shumica e qarqeve, rënie dyshifrore

Numri i lindjeve është duke rënë me shpejtësi në të gjitha qarqet e vendit vit pas viti, por në 6 mujorin e parë 2022 fenomeni ishte më i fortë në qarqet e Dibrës dhe të Korçës.

Sipas të dhënave të INSTAT, në janar-qershor 2022 lindjet në shkallë vendi pësuan rënie vjetore me 9 për qind, por në qarqet e Dibrës dhe Korçës tkurrja ishte përkatësisht 23.8 % dhe 20%.

Të dhënat tregojnë se në qarkun e Korçës lindjet ranë me gati një të katërtën në harkun kohor të një viti, teksa faktorët lidhen me emigracionin e mprehte, plakjen e popullsisë dhe rënien e normave të lindshmërisë për gratë që jetojnë në atë zonë.

Rënia e lindjeve lidhet me të njëjtat arsye edhe në Dibër, ku qarku vit pas viti po humbet popullatën e re në moshë si rrjedhojë e normave të larta të emigrimit të brendshëm dhe emigracionit.

Bashkitë e vogla dhe sidomos zonat rurale të vendit janë duke u shpopulluar më shpejtësi. Çiftet e reja nuk po ndërtojnë jetën në këto zona, jo për arsye ekonomike, por nuk nga mungesa e shërbimeve arsimore cilësore. Në shumicën e fshatrave shqiptare janë krijuar shkolla kolektive nga numri i pakët i fëmijëve. Për ketë arsye shumë prindër largohen nga vendbanimet e tyre kur fëmijët i afrohen moshës së shkollës.

Shumica e qarqeve kishin rënie dyshifrore të lindjeve në krahasim me gjashtëmujorin e parë. Pas Dibrës dhe Korçës, Shkodra kishte rënie me 18%, Berati me 13.2%, Fieri me 12.4% dhe Kukësi me 10.5%.

Rënia e lindshmërisë ka prekur edhe Tiranën. Pavarësisht se popullsia e kryeqytetit vjen në rritje nga viti në vit, numri i lindjeve ka nisur rënien. Në 6-mujorin e parë 2021 lindjet në qarkun e Tiranës shënuan rënie me -3.5%.

Përveç normave të lartë të emigracionit që po ndikojnë negativisht lindjet, shtyrja e moshës për martesë, synimet për karrierë dhe në shumë raste pamundësitë ekonomike po bëjnë që gratë shqiptare që jetojnë në Shqipëri të lindin gjithnjë e më pak fëmijë.

Kjo tendencë po pasqyrohet qartë në rënien vit pas viti të indeksit Sintetik të Fekonditetit (ISF), i cili tregon numrin mesatar të fëmijëve që pritet të lindë një grua në moshë riprodhuese.

INSTAT raportoi se indeksi sintetik i fekonditetit ra në 1,32 fëmijë për grua më 2021 nga 1,34 fëmijë që ishte ky tregues më 2020 dhe 1,36 që ishte në vitin 2019. Në vitin 2001, sipas INSTAT, ky tregues ishte 2.1, ndërsa në vitet 1970 ishte mbi 5.

Kjo do të thotë se 100 gra pritet të lindin 132 fëmijë nga rreth 210 fëmijë në vitin 2001 dhe 500 fëmijë në vitin 1970.

Me këtë ecuri popullsia e Shqipërisë pëson rënie në mënyrë të pakthyeshme për shkak se tashmë lindshmëria është shumë poshtë normës së zëvendësimit dhe gratë nuk arrijnë të zëvendësojnë vetveten. Kjo do të thotë se në të ardhmen popullsia do të pakësohet, por do të ketë gjithnjë e më pak femra, të cilat janë baza e riprodhimit.

Read more
sqAlbanian