Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është arrestuar mëngjesin e kësaj të enjteje me urdhër të Prokurorisë së Posaçme.
Sipas informacioneve paraprake bëhet me dije se arrestimi lidhet me hetimet e kryera për abuzimet e kryera me fondet e SASPAC, gjatë kohës që Beqaj ishte në krye të kësaj drejtorie.
Ish-ministri i Shëndetësisë dyshohet se ka kryer fatura fiktive, falsifikime dokumentesh me qëllim përvetësimin e fondeve të SASPAC.
Lidhur me këtë dosje pak muaj më parë u zhvilluan disa kontrolle në disa biznese, por dhe përgjime të personave të afërt të ish-ministrit.
Beqaj doli në komunikime me vartës të tij ku kryente biseda që lidheshin me “kopsitjen” e letrave dhe praktikave për përvetësimin e fondeve.
Sipas SPAK, ish ministri ka komunikuar me shtetasin Ermal Kurtulaj, me detyrë Koordinator i projektit EUSAIR. Beqaj përdorte telefonin e shoferit të tij pranë agjencisë SASPAC, Arben Dani.
Dyshohet se Kurtulaj menaxhonte një restorant i cili dyshohet si pronë e fshehur e Beqajt dhe ku priteshin fatura fiktive.
Krahash Ilir Beqajt, bëhet me dije se me urdhër të SPAK janë arrestuar dhe shtetasit Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla.
Kujtojmë se Beqaj ndodhet në gjykim dhe për dosjen e koncesionarit të sterilizimit gjatë kohës që ai ishte ministër Shëndetësie.
Ai akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, në dhënien e koncesionit të vitit 2015, dyshime këto për të cilat më herët prokuroria ka caktuar masën e detyrimit për t’u paraqitur.
Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncensionit me vlerë 100 milionë euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.
Në këto kushte SPAK ka vënë në akuzë dhe Ilir Rrapaj në cilësinë e aksionerit të kompanisë dhe ish-zëvendësministri Klodian Rrjepaj, të cilët aktualisht ndodhen në burg.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ata kanë konsumuar veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, “Mashtrimit” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.
Është mbajtur ditën e djeshme mbledhja e radhës së Komisionit hetimor për shërbimet publike të Sterilizimit dhe Check-up në shëndetësi.
Komisioni thirri dy dëshmitarë kryesorë, auditues të KLSH, për të sqaruar rrethana që lidhen me çështjen, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.
Dëshmitari Klarent Xhaferraj, auditues i KLSH, ka marrë pjesë në 4 auditime prane FSKSh, Tatimet dhe Ministrisë.
Xhaferraj raportoi këto shkelje në komsion:
1. 2015-2017 mbi 455 mijë analiza të pakryera. Klsh ka kërkuar amendim të kontratës për të mos bërë pagesa për shërbim të pakryer
2. Problem, masa e faturimit te 20% tvsh, nderkohe qe keto sherbime duhet te ishin te perjashtuara nga tvsh. 282 mln leke efekti nga kjo parregullsi dhe keqzbatim i ligjit. Masa e rekomanduar nga KLSH:
Të amendohet kontrata, duke saktësuar se kjo duhej perjashtuar nga TVSH;
3. Fondi me Ministrinë dhe Koncesionarin, të diskutonin për të amenduar kontratën.
4. Këshilli i Ministrave duhet të kryente ndryshime ligjore, për të ulur kostot shtesë për shkak të shpenzimeve variabël për kontrollet e pakryera. Të saktesohet që pjesa e shërbimit në këtë kontratë të jetë e përjashtuar nga Tvsh.
Në total, moszbatimi i rekomandimeve në Total, koncesionari 595.8 mln lekë në 3 vite në mënyrë të padrejtë (2015-2017).
Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu në mbledhjen e zhvilluar sot me shefat e QSUT ka bërë me dije se do të ketë disa ndryshime të reja, disa prej të cilave do të hyjnë në fuqi menjëherë, në lidhje punën e mjekëve dhe atyre që hapin apo punojnë edhe në klinika private.
Ajo tha se ndër të tjera do të ndalohet që një mjek të ndjekë të njëjtin pacient edhe në shtet edhe në spitalin privat që mund ta zotërojnë, apo që mund të punojnë.
Po ashtu tha se mjekët që kanë hapur dhe ose punojnë klinika private, nuk do të mund të mbajnë asnjë funksion drejtimi apo niveli.
Ministrja tha se dërgimi në klinika private do të dënohet, ndërsa përsëritja e kësaj shkeljeje do të shkojë deri në ndalim të aktivitetit. Shkelja e etikës, betimi i Hipokratit do të dënohen po ashtu, teksa shtoi se shkelja e protokollit mjekësor do të çojë edhe në ndalimin e aktivitetit të mjekut për gjatë gjithë jetën.
“Individët që njollosin institucionin do të ndalohet të veshin bluzën bardhë gjatë gjithë jetës. Nuk thashë disa nga afatet për masat e shkelura, sepse janë ende në diskutim edhe për disa ditë. Kjo ngjarje e rëndë do përbëjë një mësim të paçmuar për të punuar për shëndetësinë europine 2030”, tha ajo.
“E para falënderoj prokurorët dhe besoj se shpreh në emër të qytetarëve, e dyta shpreh keqardhjen bluzave të bardhave të përkushtuar e të devotshëm. E kam ndjerë deri në palcë mërzinë dhe plagosjen e rëndë morale për atë neveri.
Shumica juaj nuk janë si ata, sistemi ynë nuk është ai. Ka mjekë te Onkologjiku që punojnë me përkushtim dhe nuk e meritojnë njollën që iu vu nga kolegët.
Ne duhet të marrim masa konkrete dhe të reagojmë menjëherë për të mos patur më hapësirë. Gjatë këtyre ditëve kemi punuar për ndërhyrje të shpejta në ligjin për urdhrin e mjekut në vend… mjekët që punojnë apo hapin qendra private duhet të marrin konfirmim, do të ndalohet që mjekët të ndjekin të njëjtin pacient edhe në klinika private”, tha ajo.
Buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2023 shënon nivelin më të ulët prej 2017 në vlerë nominale dhe në përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke rezultuar në vetëm 3.3% të PBB dhe duke zënë 11.3% të shpenzimeve të përgjithshme publike.
Kjo ulje e buxhetit për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale dëshmon që prioritetet e Qeverisë gjatë vitit 2023 janë zhvendosur nga ky sektor në fusha të tjera. Më i ‘godituri’ nga politikat buxhetore të Qeverisë duket shëndetësia, shpenzimet për të cilën gjatë viti 2023 rezultuan në 2.8% ndaj PBB, niveli më i ulët i shpenzimeve për këtë sektor në 6 vitet e fundit.
Edhe brenda buxhetit të shëndetësisë vërehen zhvendosje të pajustifikuara të prioriteteve, nga projektet për investime në infrastrukturë në programin ‘Shërbime të kujdesit parësor’, tek ato për furnizim dhe vendosje pajisjesh, ku 90% e fondit është përdorur për pajisje kompjuterike dhe vetëm 10% për pajisje për laboratorët e higjienës.
Këto janë disa nga gjetjet e Raportit “Monitorimi i Shpenzimeve të sektorit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2023”, i realizuar nga shoqata Together for Life, në kuadër të projektit “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, mbështetur nga NED – National Endowement for Democracy.
Rishikimi i buxhetit në mes të vitit buxhetor 2023, rezulton me zhvendosje të ndjeshme të burimeve financiare nga politikat shëndetësore në ato të mbrojtjes sociale, ku bie në sy ulja e paarsyetuar e buxhetit në programin Shërbimet e Kujdesit Parësor në vlerën 1.4 miliard lekë, thekson Raporti, i cili mbështetet në analizimin e të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) dhe nga Ministria e Financave.
Sipas Raportit cilësia e të dhënave të publikuara nga institucionet vazhdon të jetë e dobët dhe shoqërohet me mungesë të theksuar transparence në përdorimin e fondeve buxhetore.
Raporti po ashtu evidenton:
Mungesë e informacionit të detajuar dhe analizës për ecurinë e kontratave koncesionare;
Të dhëna të kufizuara rreth kategorive të pacientëve që përfitojnë barna të rimbursuara, duke e pamundësuar analizimin e eficencës dhe efektivitetit të përdorimit të fondeve publike në raport me cilësinë e barnave të rimbursueshme;
Mungesë informacioni mbi gjendjen e spitaleve rajonale dhe nevojat e tyre për ndërhyrje me qellim analizimin e rezultateve dhe eficensës së investimeve në to gjatë vitit 2023;
Mungesë qëndrueshmërie mes sasisë së planifikuar të indikatorëve dhe realizimit të tyre, duke vënë në dyshim analizimin dhe planifikimin e kostos reale të disa produkteve;
Mungesë transparence në raportimin dhe analizimin e të dhënave në pjesën më të madhe të zërave buxhetorë të planifikuar, rishikuar dhe realizuar.
TFL prej tre vitesh monitoron dhe prodhon raporte vjetore rreth shpenzimeve buxhetore të MSHMS, në kuadër të misionit të saj për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike. Raporti i fundit evidenton faktin se MSHMS vazhdon të shfaqi probleme me planifikimin e buxhetit, veçanërisht në drejtim të konsolidimit të të dhënave.
Raporti del në përfundimin se derisa MSHMS të mos i shoqërojë të dhënat e publikuara me një analizë të kostimit të produkteve dhe të rezultateve të shpenzimeve, deklarimet për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Shqipëri do të vazhdojnë të vihen në dyshim.
Është e qartë se, për të arritur përmirësime reale në sektorin e shëndetësisë dhe të mbrojtes sociale, institucionet duhet të fokusohet në rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë në planifikimin dhe shpenzimin e fondeve publike.
Qendra Universitare Spitalore “Nënë Tereza” pagoi miliona lekë shtesë për rikthimin në punë të urgjencës polivalente, godina e së cilës u shkrumbua nga zjarri pak muaj pas ndërtimit nga një kompani italiane dhe u mor në dorëzim ‘të përkohshëm’.
Nga: Esmeralda Keta
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu gjatë vizitës në urgjencën polivalente pas rikthimit të saj në punë. Foto: Facebook.
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu u shfaq e buzëqeshur të hënën në një photo- op në korridoret e urgjencës polivalente në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë – thuajse katër muaj pasi godina u përfshi nga flakët dhe shërbimi u ndërpre për mijëra pacientë.
Vizita e saj lidhej me rihapjen e dyerve të urgjencës, e paralajmëruar pak ditë më parë përmes kronikave të parapërgatitura televizive.
“Urgjenca e QSNUT është në funksion të plotë dhe në shërbim të qytetarëve, duke ofruar kujdes cilësor dhe të shpejtë për të gjithë ata që kanë nevojë,” shkroi më pas Koçiu në Facebook.
Megjithatë, ministrja e Shëndetësisë dështoi të përmendte faktin se rikthimi në punë i urgjencës solli kosto shëndetësore për pacientët dhe shpenzime shtesë për taksapaguesit.
Spitali qendror në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u ndërtua përmes një kredie të bankës së Këshillit të Europës – CEB dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë kushtoi 17.8 milionë euro në total.
Ndërtimi i spitalit zgjati mbi katër vjet dhe reparti i urgjencës i hapi dyert për pacientët në prill 2023. Por nëntë muaj më vonë u mbyll sërish për shkak të një zjarri të rënë në një kabinë elektrike në katin e nëndheshëm, duke nxjerrë jashtë funksionit të gjithë setin e aparaturave. Shkaqet e zjarrit janë aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Tiranës.
Të dhënat e siguruara përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se godina e Urgjencës u vendos në punë edhe pse QSUNT nuk e kishte marrë atë plotësisht në dorëzim nga kompania ndërtuese.
Ndonëse ishte ende brenda periudhës së garancisë, QSUNT kontraktoi pa garë një kompani të dytë private për të kryer punime pas rënies së zjarrit, me një kosto shtesë prej 27.7 milionë lekësh.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tha në një përgjigje me shkrim se godina ishte marrë “në dorëzim të pjesshëm të përkohshëm” nga një grup pune i ngritur me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të QSUNT, për t’iu nënshtruar më pas periudhës së garancisë.
“Godina nuk është marrë në dorëzim përfundimtar,” shtoi QSUNT.
Praktika e ndjekur nga QSUNT me marrjen në dorëzim të spitalit shihet me dyshim nga ekspertët e financave publike.
“Në termonologjinë juridiko- ekonomike nuk ekziston marrje në dorëzim të pjesshëm, marrja në dorëzim është konform kontratës,” tha Zef Preçi, drejtori ekzekutiv i Institutit për Kërkime Ekonomike.
“Bëhet fjalë për një mal me para, ndaj edhe institucionet po përpiqen që të lajnë duart nga përgjegjësia,” shtoi ai.
Kosto shtesë
Urgjenca në spitalin qendror në QSUNT. Foto: Esmeralda Keta,
Spitali qendror i QSUNT, i njohur edhe si godina A2, strehon një sërë shërbimesh shëndetësore, por njihet më së shumti për urgjencën polivalente. Urgjenca është parashikuar të presë mesatarisht rreth 300 pacientë në ditë, 50 prej të cilëve me urgjenca të sëmundjeve kardiologjike.
Ndërtimi iu besua kompanisë italiane INSO dhe kontrata u firmos në maj të vitit 2018. Fondet u siguruan nga kredia e bankës së Këshillit të Europës (CEB), sipas kontratës lidhur midis Ministrisë së Shëndetësisë.
Kompania INSO është një partnere e hershme e Ministrisë së Shëndetësisë për ndërtimin e strukturave spitalore, e cila operon në Shqipëri përmes degës së saj Finso Albania.
Punimet nisën në dhjetor 2018 dhe sipas fotove të postuara në faqen e kompanisë në Facebook, në themelet e godinës 6-katëshe u ther si kurban një qengj. Megjithatë, punimet zgjatën 4.5 vite dhe vetëm pak muaj pasi u hap, godina u mbyll sërish për shkak të zjarrit.
Më i godituri ishte shërbimi i repartit të hemodinamikës, i cili doli jashtë funksioni. Në këtë repart përveçse ndihmës së parë, zhvillohen ndërhyrjet e koronarografisë, stendat, unazat dhe ndërhyrje të tjera të rëndësishme, por pas rënies së zjarrit, dy aparaturat e angiografisë nuk mund të viheshin në punë.
QSUNT nuk vuri në dispozicion kontratën me kompaninë ndërtuese dhe as ndonjë inventar të detajuar dëmesh, me pretendimin se çështja ishte në hetim penal dhe QSUNT nuk mund të shprehej pa përfunduar hetimi.
Por të dhënat e siguruara në Agjencinë e Prokurimeve Publike tregojnë se emergjenca e krijuar e shtyu QSUNT të jepte para të tjera për rikthimin e shërbimit në punë. Tenderi me vlerë 27.7 milionë lekë u zhvillua përmes procedurës së negocimit, pa shpallje paraprake të kontratës – një procedurë që kufizon konkurrencën mes kompanive.
Tenderi u fitua nga kompania Agi Kons, e cila kishte punuar në ndërtimin e spitalit si kompani e kontraktuar nga INSO.
Eksperti Zef Preçi vlerëson se dhënia e parave shtesë nga Qendra Spitalore Universitare në kohën që godina ishte ende brenda afatit të garancisë është e pajustifikuar.
“Edhe pasi merret në dorëzim një objekt, për një periudhë kohore e ka nën mirëmbajtje dhe nën monitorim firma ndërtuese,” tha ai.
Inso, një kompani italiane e njohur në ndërtimin e strukturave spitalore, po ashtu ka marrë përsipër ndërhyrje të tjera të rëndësishme në QSUNT.
Në vitin 2017, kjo kompani nisi ndërhyrjen për rikonstruksionin e godinës së mjekësisë së përgjithshme të njohur si godina A1. Investimi kushtoi 7.3 milionë euro dhe shërbeu për disa vite edhe për pritjen e urgjencave. Mirëpo prej më shumë se një viti, kjo godinë i është nënshtruar sërish rikonstruksionit me një fond shtesë prej 2.8 milionë eurosh.
Në katin përdhe që aktualisht po rikonstruktohet, ishte planifikuar të strehohej shërbimi i toksikologjisë, por mjekët thanë se ata kishin refuzuar hapjen e tij, për shkak se dhomat e pacientëve nuk plotësonin standardet.
“Nuk pranuam pasi dhomat ishin ndërtuar për një qëllim tjetër dhe nuk na përshtateshin. Më mirë rrimë tek urgjenca e vjetër se sa aty,” tha njëri prej mjekëve të shërbimit të toksikologjisë.
“Tani po bëhet shumë bukur, ashtu siç janë edhe nevojat e një shërbimi unik siç është toksikologjia,” shtoi ai.
E kontaktuar përmes emailit, kompania Finso Albania nuk iu përgjigj një kërkese për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
Dëme kolaterale
Kantieri i ndërtimit në godinën e Mjekësisë së Përgjithshme, e njohur si godina A1. Foto: Esmeralda Keta.
Ndërsa dëmet financiare të shkaktuara nga zjarri në katin e nëndhëshëm të spitalit të ri janë ende të paqarta, kostot shëndetësore për pacientët përgjatë ndërprerjes së shërbimit janë të dukshme.
Nafije Leka është një prej pacientëve që mbërriti në urgjencën e QSUNT në fund të prillit me shqetësime në zemër. Bashkëshorti i saj, Faiku tha se pas testeve të kryera, e shoqja u dërgua në Sanatorium për koronografi.
“Ishte 29 prill, atë ditë bashkëshortja kishte ditëlindjen. Kur na dërguan në Sanatorium e morëm si një shenjë të mirë,” kujton ai.
Por pas trajtimit në Sanatorium, të shoqen e kthyen sërish në QSUNT, pasi kuptuan se ajo mund të kishte nevojë për ‘bypass’.
Ilir Alimehmeti, mjek në profesion dhe anëtar i këshillit bashkiak të Tiranës për Partinë Demokratike tha se sorollatje të tilla mund të kenë kosto të mëdha shëndetësore për pacientët.
Alimehmeti e ilustron problemin me një rast personal, kur një i afërmi i tij pati probleme shëndetësore në maj dhe pasi i telefonuan urgjencës, i orientuan në QSUNT. Por aty i pritën me këmbët e para, pasi sipas një grafiku të përcaktuar nga drejtori, trajtimi duhej bërë në spitalin e Traumës.
“Është vonesë në dhënien e ndihmës së urgjencës dhe në urgjencë, çdo minutë që të humb është problem i madh,” tha Alimehmeti. “Pacientët duhet ta kishin shërbimin e garantuar dhe pa sorrollatje, sepse çdo minutë vonesë në urgjencë mund të kushtojë jetën,” shtoi ai.
Përveç shërbimit të urgjencës, në spitalin qendror ndodhet edhe shërbimi i imazherisë dhe mjekësisë nukleare me aparatura të rëndësishme të diagnostikimit si rezonanca apo skaneri.
Rënia e zjarrit e ndërpreu punën edhe në këtë sektor dhe shërbimin për qindra pacientë. Në këtë repart në fillim të qershorit, mjekët thonë se në mungesë të pacientëve, e shpenzojnë kohën si të munden.
“Duke qenë se nuk punojnë aparaturat, nuk kemi çfarë bëjmë, shumicën e kohës rrimë. Ose shoqërojmë me ambulancë në spitalet e tjera pacientët që na vijnë,” tha njëri prej mjekëve.
Një tjetër mjek imazherist u shpreh i shqetësuar për ndërprerjen e shërbimit.
“Është e tmerrshme ajo që ka ndodhur, pacientët janë lënë rrugëve,” tha ai, duke mos pranuar të citohej me emër për shkak të pasojave që mund të kishte në punë.
“Këtu nuk funksionon asgjë, vetëm një angiografi është vënë në punë, ndërkohë rezonanca ka muaj që nuk punon për çështje të garancisë së mirëmbajtjes,” shtoi ai.
QSUNT refuzoi të vinte në dispozicion një inventar të dëmeve të shkaktuara nga zjarri, por këmbënguli në një përgjigje me shkrim se aparaturat mjekësore ishin të sigurta.
“Aparaturat mjekësore janë jashtë funksionit si pasojë e mosfurnizimit me energji elektrike,” tha QSUNT, ndërsa shtoi se nuk kishte dëme të shkaktuara nga zjarri në pajisje mjekësore. Megjithatë, funksionimi i tyre është ende i paqartë.
Ndërsa theksoi se pajisjet kishin qenë funksionale përpara ndërprerjes së energjisë, QSUNT shtoi se “aparaturat do të testohen për funksionimin e tyre sapo të lidhet energjia”.
Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, zbatuar nga Shoqata Together for Life dhe mbështetur nga NED- National Endowement for Democracy.
Një hetim i nisur për abuzimin me barnat spitalore zbuloi një skemë të krijuar nga mjekë, funksionarë dhe specialistë të spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për transferimin e pacientëve me tumor drejt klinikave private për qëllime përfitimi.
Nga: Edmond Hoxhaj
Drejtues dhe mjekë të spitalit Onkoligjk në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, së bashku me specialistë dhe persona të tjerë akuzohen se krijuan një skemë abuzive të transfermit të pacientëve drejt klinikave private.
“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mjekët, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT,” citohet në një njoftim të Prokurorisë së Tiranës i cili u shpërnda për mediat më 25 qershor.
Nga hetimi i kryer nga prokuroria, ka rezultuar se pacientëve të diagnostikuar me tumor nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe më pas drejtoheshin në klinika private. Po ashtu, janë konstatuar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi, nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur, duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.
Prokuroria thotë se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.
Në njoftim sqarohet se që të mund të përdorej kjo aparaturë, duhej të krijohej një bunker antiradioaktiv ose antiatomik, sipas kushteve të miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare, IAEA.
“Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushtetve teknike. Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqiperi dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje”, citohet në njoftimin e prokurorisë.
Për këto paligjshmëri, janë kërkuar dhe caktuar masa sigurimi personal për veprën penale “Shpërdorimi detyrës” ndaj pesë personave.
Sipas vendimit të gjykatës, ndaj mjekut Edmond Gashi është caktuar masa e “arrestit shtëpiak”, ndërsa masa e detyrimit për t’u paraqitur para oficerit të Policisë Gjyqësore është caktuar ndaj koordinatorit Emiljano Lela dhe mjekes Alketa Ymeri në lidhje me transferimin e pacientëve.
Ish.nëndrejtoresha e QSUNT, Brikena Qirjazi dhe ish-specialistja Drilona Kishta janë lënë gjithashtu në masën e detyrimit për paraqitje në lidhje me masat e munguara të sigurisë për apartaturën e kobalto-terapisë.
Masa e arrestit shtëpiak është caktuar edhe ndaj administratorit të “Flori Farma”, Florian Marku për tregtimin e mallrave kontrabandë, ndërsa Halil Gashi do të paraqitet para OPGJ për veprën e dyshuar të “fshehjes së të ardhurave”. / BIRN
Shqiptarët, janë ata që përjetojnë më shumë trishtim, stres e dhimbje fizike se gjithë vendet e tjera të Ballkanit, sa i përket pesë përvojave negative.
Nga ana tjetër, pas Kosovës, jemi ata që përjetojmë më shumë kënaqësi, ndjesi çlodhje, buzëqeshim më shumë e trajtohemi me më shumë respekt.
Të dhënat u bënë të ditura në raportin e Gallup Global Emotions 2024, i cili ofron një pamje të matjeve më të fundit të përvojave pozitive dhe negative të përditshme të njerëzve. Gjetjet bazohen në afro 146,000 intervista me të rritur, në 142 vende dhe zona në vitin 2023.
Indekset e përvojës pozitive dhe negative të Gallup-it, matin gjërat e paprekshme të jetës – ndjenjat dhe emocionet — që treguesit ekonomikë tradicionalë si PBB-ja, nuk arrijnë t’i pasqyrojnë. Çdo indeks ofron një fotografi në kohë reale e përvojave të përditshme të njerëzve, duke u ofruar udhëheqësve njohuri mbi shëndetin e shoqërisë, që nuk mund t’i mbledhin vetëm nga treguesit ekonomikë.
A i keni përjetuar ndjenjat e mëposhtme gjatë një pjese të madhe të ditës së djeshme? Ja si u përgjigjën të anketuarit shqiptarë:
Zemërim
24% e shqiptarëve pohuan se një ditë më parë përjetuan zemërim, ndërsa 74% jo
Trishtim
29% u ndjenë të trishtuar, 70% nuk përjetuar trishtim, 1% refuzoi të përgjigjet.
Stres
49% përjetuan stres në ditën pararendëse, 50% jo, 1% refuzoi të përgjigjet.
Shqetësim
40% ishin të shqetësuar, 60% jo
Dhimbje fizike
46% e të anketuarve ndjenë dhimbje fizike një ditë më parë, ndërsa 53 për qind jo, 1 % refuzoi të përgjigjet. (më të lodhurit në rajon)
Kënaqësi
68% e të anketuarve përjetuan kënaqësi, 31% jo, 1% refuzuan të përgjigjen
Të çlodhur
65% u ndjen të çlodhur, 34% jo, 1 % refuzuan
Mësuat apo bëtë diçka interesante
35% mësuan apo bënë diçka interesante, 65% jo, 1% refuzuan
Buzëqeshët ose qeshët
74% kanë arritur të buzëqeshin, 25% jo, 1 % kanë refuzuar të përgjigjen
U trajtuan me respekt
92% u trajtuan me respekt, 7% jo, 1% refuzuan.
Në Europë më të stresuarit janë grekët, më pak të zemëruar janë finlandezët dhe portugezët, më pak të mërzitur janë shtetasit e Kosovës dhe të Polonisë.
Emocionet negative bien globalisht për herë të parë që nga viti 2014
Bota u përfshi nga konflikti në vitin 2023 – ndërsa lufta midis Ukrainës dhe Rusisë vazhdoi dhe një e re shpërtheu mes Izraelit dhe Hamasit – por ishte mirë emocionalisht sesa në kulmin e pandemisë.
Emocionet negative u ulën për herë të parë në një dekadë, dhe emocionet pozitive u kthyen në nivelet para pandemisë.
Ulet indeksi i përvojave negative
Në nivel global, Indeksi i Përvojave Negative të Gallup ra për herë të parë që nga viti 2014. Të pesë emocionet negative që përbëjnë indeksin, ranë midis 2022 dhe 2023, ku stresi shënoi rënien më të madhe.
Tridhjetë e shtatë për qind e të rriturve në mbarë botën, u ndjenë të stresuar në vitin 2023, tre pikë përqindje më poshtë se vitin e kaluar, por shumë më lart se ku ishte një dekadë më parë (33%) dhe vitet para kësaj.
Guinea dhe Izraeli udhëheqin në përvoja negative
Afganistani nuk shënon më pikët më të këqija në Indeksin e Përvojës Negative. Guinea, e cila vazhdon të
përballet me pasigurinë, pas një grusht shteti ushtarak në 2021, shënoi pikën më të lartë në botë në indeksin e vitit 2023, 53 pikë. Stresi u rrit në nivele rekord në Guinea, duke u rritur me 10 pikë midis 2022 dhe 2023.
Izraeli, të cilin Gallup e anketoi dy javë pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor, fitoi një vend në këtë listë për herë të parë, me një rezultat 47 pikë – në të njëjtin nivel me Afganistanin dhe Liberinë. Në vitin 2022, Izraeli u rendit ndër vendet me rezultatet më të ulëta në botë në këtë indeks.
Rezultati i indeksit të Izraelit, u përkeqësua nga rritjet në nivel rekord të emocioneve negative, si pasojë e sulmeve. Shumica e izraelitëve përjetuan shqetësim (67%), stres (62%) dhe trishtim (51%) në mënyrë të paprecedentë. Mbi një në tre izraelitë (36%), thanë se përjetuan shumë zemërim – jo një nivel i ri, por ende përqindja më e lartë, që nga viti 2013.
Rimëkëmbet plotësisht indeksi i përvojave pozitive
Duke përforcuar më tej, se 2023 ishte një vit më i mirë për shëndetin emocional të botës, përvojat pozitive u kthyen në nivelet para pandemisë, teksa përmirësimi kishte nisur në 2022.
Njerëzit nën 30 vjeç vazhduan të ishin më pozitivët nga të gjitha grupmoshat. Më tej, pozitiviteti i tyre u rikthye më shpejt, me emocionet që arritën nivelet para pandemisë, një vit më herët se grupmoshat më të vjetra.
Pjesa më e madhe e përmirësimit të indeksit në vitin 2023, ndodhi tek ata të moshës 30 vjeç e lart.
Bota mësoi diçka në 2023
Për gati dy dekada, përqindja e njerëzve në mbarë botën, që thanë se mësuan ose bënë diçka
Interesante, rrallë ka kaluar 50%. 54%, që e bënë këtë në 2023, përfaqëson një rekord të lartë.
India, Islanda, Greqia dhe Kina panë rritje dyshifrore në këtë tregues në vitin 2023.
Më shumë njerëz në të gjitha grupmoshat, thanë se i kishin këto mundësi në 2023, krahasuar me një vit më parë, por personat më të rinj se 30 vjeç, vazhduan të kenë më shumë gjasa ta thonë këtë (59%).
Përqindjet tek moshat më të mëdha gjithashtu arritën nivele të larta (54% për ata të moshës 30 deri në 49 vjeç dhe 50% për ata të moshës 50 vjeç e lart).
Afganistani pak më pak i zymtë, por ende më pak pozitiv në botë
Rezultatet e Indeksit të Përvojave Pozitive në mbarë botën, varionin nga 86 në Paraguaj dhe Panama, në një nivel të ulët 38, në Afganistan, i cili ka shënuar pikët më të ulëta në botë pothuajse çdo vit, që nga viti 2017.
Rezultati i Afganistanit në indeks, ishte pak më i lartë në 2023, sesa ishte në 2021 ose 2022 pas marrjes së pushtetit nga talebanët. Megjithatë, rezultati i tij prej 38, mbetet më i ulëti në botë dhe shumica e afganëve janë ende duke jetuar në mjerim. Sondazhet e Gallup treguan se afganët në përgjithësi, po e vlerësonin jetën e tyre aq dobët, sa konsideroheshin të vuajtur.
Pjesa më e madhe e përmirësimeve të kufizuara të kohëve të fundit, në emocionet pozitive, ka ndodhur te meshkujt afganë. Në vitin 2023, burrat afganë shënuan 42 në indeks, krahasuar me 34 për gratë afgane.
Afganistani është renditur si vendi më pak pozitiv në botë, çdo vit që nga viti 2017, përveç vitit 2020, kur Gallup nuk mundi të vëzhgonte vendin, për shkak të pandemisë. Pas rënies në një nivel të ulët rekord global nga 32 në 2021, rezultatet janë rritur çdo vit, duke arritur në 38 në 2023.
Mbi një në pesë të rritur në mbarë botën ndjehen të vetmuar
Duke pasur parasysh kërcënimin thelbësor, që paraqet vetmia dhe izolimi për shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve, Gallup kohët e fundit ka shtuar ‘vetminë’, në listën e emocioneve negative, për të cilat pyet botën.
Një analizë e marrëdhënieve midis vetmisë dhe emocioneve të tjera, zbulon se njerëzit, që thanë se ndjeheshin të vetmuar, kishin më pak gjasa të përjetonin emocionet pozitive.
Matja fillestare e Gallup në vitin 2023, tregoi se mbi një në pesë të rritur në mbarë botën (23%), raportuan ndjenja vetmie gjatë shumë ditëve. Megjithatë, përvojat e vetmisë varionin gjerësisht në botë, nga niveli më i lartë prej 45% në kombin ishullor të Komoros, në një nivel më të ulët prej 6% në Vietnam./Monitor
Prokuroria e Tiranës zbardhi skemën abuzive e transferimit të pacientëve nga Onkologjiku në spitalet private me qëllime përfitimi, ndërsa u dhanë masa sigurie për 7 mjekë e specialistë.
Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Tiranë kërkoi masa sigurie për shtatë mjekë e specialistë të Qendrës Spitalore Universitare nën akuzë për veprat penale ‘Shpërdorim Detyre’.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mjekët, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT.
Pas finalizimit me sukses të operacionit “Rrugëtimi” në kuadër të të cilit u ndaluan 16 shtetas gjatë sekuestrimit të barnave personave të ndaluar, u zbulua se disa prej barnave janë medikamente për përdorim spitalor, specifikisht në departamentin e Onkologjisë.
Veprimet hetimore të mëtejshme në bashkëpunim me Seksionin e Luftës Kundër krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, si dhe veprimet proaktive duke përfshirë përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren, blerjet e simuluara, ashtu edhe me veprime te hapura hetimore, zbuluan rastet e pacientëve të ndryshëm, të cilëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe drejtoheshin në klinika private.
Po kështu, nga ana e Prokurorisë u arrit të dokumentohen raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore rezultoi se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.
Që të përdoret Kobalto Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vjenës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike.
Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekesor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje.
Në kuadër të këtij operacioni, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest shtëpie” dhe detyrim paraqitje për:
1. Edmond Gashi (Mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal me masën e sigurisë “Arrest shtëpie” parashikuar nga neni 237 të Kodit të Procedurës Penale.
2. Emiljano Lela (Koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” te parashikuar nga neni 248 i K.penal me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.
3. Alketa Ymeri(Pere) (Mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 I K.penal me masën e sigurisë ““Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.
4. Brikena Qirjazi (Zv/Drejtoreshe në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik) e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 I K.penal me masën e sigurisë ““Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.
5. Halil Gashi i akuzuar për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave” parashikuar nga neni 180/1 I K.penal me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale.
6. Florian Marku i akuzuar për veprën penale të “Tregtimi dhe transportimi I mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” të parashikuar nga nenet 178 e 179 I K.penal.
7. Është bërë sekuestrimi i klinikës mjekësore “Megis” dhe i është komunikuar që nuk duhet të ushtrojë aktivitetin deri në një moment të dytë.
8.Për shtetasen Drilona Kishta për të cilën ishte vendosur masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje” e akuzuar për veprën penale “Shpërdorim Detyre” parashikuar nga neni 248 i K.Penal nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal pasi kjo shtetase ka qenë jashtë shtetit dhe është vendosur njoftim në kufi. / Top Channel
Mbështetja e vogël financiare dhe shërbimet e pakëta publike i pengojnë fëmijët dhe të rriturit me çrregullime të spektrit të autizmit në Shqipëri që të marrin trajtimet e duhura, duke vënë në rrezik zhvillimin dhe të ardhmen e tyre.
Muenis ishte vetëm 6 muajsh kur nëna e tij nisi të dyshonte nëse djali e dëgjonte. Pas vizitave të njëpasnjëshme në Shqipëri dhe Egjipt, ai u diagnostikua me çrregullime të spektrit autik kur mbushi dy vjeç.
Simptoma të reja u shtuan me kalimin e viteve dhe Muenis u sfidua edhe nga një tumor në kokë, të cilit fatmirësisht i mbijetoi. Por njëzet vjet më vonë, nëna e tij, Brixhida Muça thotë se bashkë me të birin jetojnë çdo ditë si në luftë.
“Është çdo ditë një betejë, që nuk i dihet kë ke armik. Një simptomë e re, një steriotip i ri që të sjell fëmija që është me autizëm, çdo ditë, ndoshta edhe dy herë në ditë,” tha Muça.
“Ndërkohë që ti merr masa të mos ndodhë sërish, të është hapur një front tjetër lufte”, shtoi ajo.
Diagnostikimi i Muenisit dy dekada më parë përkon me kohën kur profesionistët e shëndetit publik në Shqipëri sapo kishin nisur të ndërgjegjësoheshin mbi autizmin dhe trajtimin e tij – sot një diagnozë në rritje e çrregullimeve neuro-zhvillimore që ndikojnë mënyrën se si fëmijët ndërveprojnë, komunikojnë, mësojnë dhe sillen me të tjerët.
Dy dekada më pas, Shqipëria numëron 2800 fëmijë dhe të rritur të diagnostikuar me autizëm, por numri i saktë është i panjohur për shkak të mungesës së një regjistri dhe problemeve në identifikim.
Aftësitë dhe nevojat e njerëzve me autizëm ndryshojnë nga njëri-tjetri; ndërsa disa prej tyre mund të jetojnë të pavarur, shumë të tjerë kanë aftësi të kufizuara të rënda dhe mund të kërkojnë kujdes dhe mbështetje gjatë gjithë jetës.
Mes ekspertëve të shëndetit publik ekziston konsensusi se çdo individ me çrregullime të spektrit autik ka nevojë për orë të gjata terapie, edukatorë mbështetës dhe prindër të përkushtuar për të avancuar me zhvillimin e tyre.
Megjithatë, shumë prindër pohuan në intervista të veçanta se nuk mund t’u ofronin fëmijëve të tyre trajtimin e nevojshëm për shkak të aksesit të mangët në qendrat publike, kostove të larta në klinikat private si dhe vështirësive të tjera familjare.
Disa prindër theksuan gjithashtu se jetonin çdo ditë me pengun e “diagnostikimeve të vona dhe trajtimeve të mangëta”.
Në mbështetje të fëmijëve dhe të rriturve me çrregullime të spektrit autik, shteti shqiptar ofron një pagesë paaftësie prej rreth 10 mijë lekësh si dhe dy orë terapi individuale në javë.
Për ekspertët e shëndetit mendor, një mbështetje e tillë është e pamjaftueshme dhe e papërshtatshme.
“Numri aq i madh i rasteve që po diagnostikohen me çrregullime të neurozhvillimit apo të spektrit të autizmit nuk përkon me strukturat publike që kemi për momentin. Pra ofrojmë shumë pak orë terapie, krahasuar me numrin e terapive që do të donin këta individë,” thotë Migena Kika, mjeke neuropediatre.
“Këtu shteti ofron pak ose shumë pak, një numër të kufizuar orësh terapie, sepse nuk jemi akoma gati,” shtoi ajo.
Shërbimet falas “baraz me asgjë”
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu gjatë një vizite në Qendrën Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese. Foto: Facebook.
Përgjatë dy dekadave të fundit vlerësohet se prindërit dhe profesionistët e shëndetit në Shqipëri janë vetëdijësuar për moshën e shfaqjes së simptomave si dhe sinjalet e alarmit për çrregullimet e spektrit autik. Megjithatë, identifikimi i hershëm dhe trajtimi i duhur vazhdojnë të mbeten sfidat kryesore të prindërve dhe sistemit shëndetësor.
Sonila Tomorri, psikiatre infantile pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë thekson se identifikimi i hershëm është tepër i rëndësishëm për suksesin në trajtimin e rasteve.
Doktoresha shpjegon se mungesa e gjuhës së folur është simptoma kryesore që identifikohet nga prindërit dhe i shtyn ata drejt specialistëve për vizitë. Por ajo thekson gjithashtu se kjo është e rëndësishme të bëhet në tre vitet e para të jetës, kur vendosen “gurët kilometrikë” për ecurinë e zhvillimit në marrëdhëniet sociale, në komunikim dhe në të menduar.
“Sa më herët t’i jepet ndihma, aq më shumë ka gjasa për ecuri të mirë në aftësitë e komunikimit verbal dhe/ose komunikimit social,” tha Tomorri.
Me ndihmë, mjekia psikiatre nënkupton terapinë individuale që duhet të ndjekin fëmijët me çrregullime të spektrit autik. Ajo rekomandon minimalisht 10 orë në javë, duke i shtuar kohën e punës së edukatorëve dhe atë të prindërve në shtëpi.
Megjithatë në Shqipëri, fëmijët trajtohen mesatarisht me gjysmën e orëve të nevojshme të terapive individuale.
Një orë terapi individuale në klinikat private varion nga 1500 në 3000 lekë të reja me një kosto mujore trajtimi nga 60 mijë lekë në 120 mijë lekë të rinj – e papërballueshme nga shumica e familjeve të prekura nga autizmi.
Mundësia tjetër janë qendrat publike terapeutike, por ato janë të pakëta në numër dhe ofrojnë një numër minimal orësh trajtimi në javë.
Më e madhja prej tyre, Qendra Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese në Kombinat, ofron 2 orë terapi në javë për fëmijët dhe adoleshentët që jetojnë në Tiranë. Qendra ofron gjithashtu edhe 25 shtretër për fëmijët dhe nënat që jetojnë në rrethe, të cilat ndjekin një program 2-javor terapie për t’u rikthyer në qendër pas 6 javësh.
Drejtoresha e qendrës, Florida Dobi thotë se prindërit kanë kërkuar më shumë se dy herë në javë terapi, por ajo mendon se qendra ofron mundësitë e duhura për të dhënë direktivat e nevojshme.
“Është e rëndësishme që fokusin ta lënë jo te shtimi i orëve të terapisë, por te forcimi i zinxhirit mes terapistit, edukatorit në kopësht dhe nënës. Nëse nuk funksionon zinxhiri që të punohet me të njëjtin program, atëherë nuk funksionon edhe sikur të punojë terapisti dy orë në ditë,” tha Dobi.
Një qasje e tillë kritikohet nga ekspertë të tjerë, të cilët apelojnë për një shtim të shërbimeve dhe orëve të terapisë për personat që vuajnë nga çrregullime të spektrit autik.
Migen Sulaj, psikologe me eksperiencë 20 vjeçare në trajtimin e fëmijëve dhe të rriturve autikë thotë se dy orë terapi në javë janë “baraz me asgjë”.
Sulaj kujton se studimet shkencore dhe rekomandimet e fundit sugjerojnë mbi 20 orë terapi individuale në javë dhe theksojnë që “sa më shumë terapi të bëhet, aq më mirë është”.
“Dy orë terapi në javë janë asgjë. Më vjen keq ta them, por është e parekomandueshme. Prindi humbet kohë, humbet shpresat, humbet moshën, që ka vlerë për të gjithë jetën e fëmijës,” tha Sulaj, ndërsa shtoi se dy orë në javë nuk kanë ndikim në ndryshimin e sjelljeve problematike.
Edhe neuropediatrja Migena Kika thotë se fëmijët shqiptarë kanë nevojë për shumë më tepër orë terapie, duke përfshirë edhe programin ABA që parashikon 40 orë terapi individuale në javë – ose 20 herë më shumë nga sa ofron Qendra Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese.
“A arrijnë të gjithë fëmijët të ndjekin orare të tilla terapie? Jo,” përgjigjet prerazi ajo.
Kosto psikologjike dhe financiare
Foto ilustruese mbi autizmin nga Pixabay.
Diagnoza e çrregullimeve të spektrit të autizmit vjen me kosto të mëdha psikologjike dhe financiare për familjet e prekura dhe veçanërisht për nënat, të cilat mbajnë barrën më të madhe.
Ndërkohë, mbështetja sociale përmes pagesës së paaftësisë nuk i kalon 23 mijë lekët në muaj për fëmijën autik dhe prindin shoqërues.
Sipas të dhënave të Shërbimit Social Shtetëror, nga 2814 individë të diagnostikuar me çrregullime të spektrit të autizmit, 2415 prej tyre përfitojnë pagesën e aftësisë së kufizuar.
Nënat thanë në intervista të veçanta se kjo mbështetje nuk mjaftonte për të mbuluar as nevojat më bazike dhe i privon fëmijët e tyre nga ndjekja e terapisë.
Arjola punon si mësuese në Pogradec dhe udhëton çdo gjashtë javë drejt Tiranës për t’i ofruar djalit të saj 5-vjeçar programin e terapisë në Qendrën Kombëtare në Kombinat.
Ajo është një grua e ve dhe puna e saj është burimi i vetëm i të ardhurave në familje. Por kjo e pengon atë që ta ndjekë të birin me terapi private; në Pogradec ku ata jetojnë, klinikat mbyllen rreth orës 15:00 dhe ajo nuk i kap dot oraret.
“Mjekët në Pogradec nuk arritën t’i kuptonin shenjat e hershme të autizmit, por unë si nënë i kuptova dhe e solla në Tiranë, ku edhe u diagnostikua,” thotë Arjola.
“Më përpara e kam çuar në privat për terapi, por tani nuk mundem se jam në punë,” theksoi ajo, ndërsa shtoi se përpiqet që të punojë vetë me të birin me programet e siguruara në qendër.
Bukurie Buci është një tjetër grua e ve, e cila punon natën duke u kujdesur për një grua të moshuar që ditën ta ketë të lirë për të birin me çrregullim të spektrit autik. Falë donacioneve të ndryshme, ajo ia ka dalë të ketë një çati mbi kokë e ushqim në tavolinë, por pengu i saj mbetet pamundësia për terapi për djalin.
Elsoni është i qetë, i kujdesshëm dhe ndonëse nuk arrin të komunikojë, ia ka dalë që të punësohet në një biznes për dy ditë në javë. Ky sukses i tij e ka bërë nënën të mendojë se i biri mund të ishte shumë më mirë nëse do të ishte trajtuar që në fëmijëri.
“E kam çuar te shkolla “Luigj Gurakuqi”, është ambientuar, i kam bërë logopedi ndonjëherë, kur kisha mundësi,” thotë Bukuria.
“Kam një peng, të kisha bërë më shumë për logopedinë, se ky ka qenë i aftë, me pas punu kishte qenë më mirë,” shtoi ajo me dëshpërim.
Familje të tjera me ekonomi më të shëndoshë përpiqen që të bëjnë maksimumin përmes programeve publike dhe atyre private.
Antoneta Boja nga Durrësi gjendet bashkë me vajzën e saj 2-vjeçare në Qendrën Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese në Tiranë. Paralelisht, ajo i ofron vajzës së saj edhe terapi individuale në privat në pesë ditë të javës, pavarësisht kostove.
Antoneta thotë se çdo javë terapi i kushton 15 mijë lekë të reja dhe kempi nuk ndihmon shumë në këtë drejtim.
“Bashkëshorti punon, unë nuk punoj, ndjek vajzën me terapi. Kempi është pagesë e vogël, nuk përballoj dot asgjë më të, por sërish mbetet një ndihmë,” thotë ajo.
Sonila Mesa, nëna e Sidritit 16 vjeçar përballet me sfida të tjera, ndërsa kërkon që i biri të avancojë në shkollë. Familja i paguan Sidritit një kujdestare që të qëndrojë me të gjatë gjithë procesit mësimor, pasi mësuesit ndihmës janë të disponueshëm për një hark kohor të shkurtër.
“Jam përpjekur të gjej gjithmonë vajza që i përkisnin psikologjisë, logopedisë dhe ka rezultuar e sukssesshme. Nga ora 8 deri në 12 rri ulur në bankë, nuk është në atë nivel akademik si të tjerët, por unë jam e kënaqur për pjesën e socializimit, pranimi i shokëve të klasës,” thotë Sonila.
Sonila është përballur me shumë vështirësi gjatë këtij rrugëtimi, çka e shtyu atë që t’u rikthehet studimeve për logopedi për të ndihmuar të tjerët që përballen me të njëjtën sfidë.
“Nëse unë do kërkoja minimumin e gjësë është që [shteti] të ngrejë pagesën e kempit, të ngrejë pagesën e kujdestarisë, të hapë sa më shumë qendra. Nëse nuk mundet, të bashkëpunojë me të tjerët që të mund të funksionojnë,” apeloi ajo.
Të rriturit pa shërbime
Mes familjeve që përballen me autizmin, prindërit e të rriturve të diagnostikuar janë ata që vuajnë më tepër. Ndërsa për fëmijët e vegjël ekzistojnë shërbime në sistemin publik apo klinika private, specialistët thonë se për të rriturit mungojnë qendrat dhe terapistët e trajnuar.
“Kjo është pika më e nxehtë e momentit,” thotë doktoresha Migena Kika, ndërsa shton se përveç mungesës së terapistëve për të rriturit, nevojitet edhe trajnimi i stafit.
Edhe psikologia Migen Sulaj thekson mungesën e qendrave të posaçme për mosha të rritura, të cilat duhet ta adresojnë ndryshe problemin e autizmit.
“E adresojnë problemin duke e ndihmuar këtë individ që të shkojë dhe të shfrytëzojë komunitetin, të shkojë dhe të shfrytëzojë çfarë shërbimesh ka rreth e rrotull tij, të kuptojë ku është spitali, ku është dyqani, si merret autobusi, pra gjëra të autonomisë dhe të jetës së përditshme. Këto mungojnë,” shtoi ajo.
Ministria e Shëndetësisë thotë se individët e rritur trajtohen në qendrat e shëndetit mendor dhe qendrat komunitare. Njëra prej këtyre qendrave ndodhet në Laprakë, ku marrin shërbim rreth 60 të rritur të diagnostikuar me autizëm.
Selime Lala, nënë e tre fëmijëve, e çon djalin e saj 22 vjeçar për 2-3 orë në këtë qendër. Por ajo nuk është e qetë dhe e vuan faktin se nuk pati mundësi që t’i siguronte të birit terapi më herët.
“Nga ky unë kam shumë pengje, se po të kisha unë mundësi me e ndjek me terapi… Jam e mangët, sepse nuk kisha krah tjetër. Duhet t’ia dilja vetëm,” thotë Lala me dëshpërim.
Gruaja jetoi për shumë vite në Laç ku mungonin shërbimet për të birin. Pas diagnostikimit të tij, ajo u braktis edhe nga i shoqi dhe u detyrua që të punonte për të rritur fëmijët.
Pasi dy fëmijët e tjerë u rritën dhe nisën jetën e tyre, Lala u zhvendos në Tiranë dhe po përpiqet që t’i ofrojë sa më shumë aktivitete të birit. Por kushtet e vështira ekonomike janë një barrë e shtuar për familjen e saj.
Drejtoresha e qendrës në Laprakë, Arlinda Bilali thotë se po përballen me sfidën e rritjes së numrit të terapive, po aq sa të punës me këta individë që duhet bërë në familje. Por ajo është e ndërgjegjshme se problemet me të cilat përballen familjarët janë të shumta dhe të mbivendosura.
“Nënat janë në depresion, kanë gjithë barrën mbi supe,” tha Bilali, duke shtuar se nënat janë pothuajse të vetme në këtë luftë.
“Kemi raste që kemi konstatuar që prindërit janë të lodhur nga kjo situatë dhe kanë tentuar të kryejnë vetvrasje,” shtoi ajo.
E lumtur që e ka djalin pranë dhe që së bashku kanë fituar shumë beteja, Brixhida Muça është megjithatë e shqetësuar për të ardhmen e të birit. Si të gjithë prindërit e tjerë të fëmijëve me autizëm, Brixhida thotë me lot në sy: “Kur të vdes unë, vdes dhe djali”. / Reporter.al
Nga: Albina Hoxhaj
Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, zbatuar nga shoqata Together for Life dhe mbështetur nga NED- National Endowement for Democracy.
Elvis Miri, administratori i kompanisë Vale Recycling Shpk u arrestua me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, pasi dyshohet se përfitoi mbi 65 milionë lekë tendera për riciklim të mbetjeve spitalore duke përdorur dokumente false, pa pasur paisje dhe duke sjellë dëme mjedisore. Prokuroria ngriti akuzë edhe për 2 drejtues të kompanive të ekspertizës mjedisore dhe 8 inspektorë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Prokuroria e Tiranës njoftoi të mërkurën arrestimin e Elvis Mirit, administratori i kompanisë Vale Recycling Shpk, i cili akuzohet se përmes dokumenteve të falsifikuara përfitoi tendera në vlerë mbi 65 milionë lekë nga një sërë spitalesh publike. Miri dyshohet se ka falsifikuar dokumentet për pasjen në zotërim të një autoklave Econos Tsc 150, të specializuar në përpunimin e mbetjeve spitalore, ndërkohë që nuk e kishte këtë paisje në punë.
“Rezulton e provuar se personi nën hetim E.M, ka marrë pjesë në mbi 200 procedura tenderi për asgjësim mbetjesh spitalore, prej vitit 2016 e në vijim, duke dorëzuar dokumentacion të rremë. Personi në hetim pretendonte se kishte kapacitete për grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve spitalore duke i kthyer ato nga të dëmshme në të padëmshme por nga hetimi rezultoi se i mungonin pajisjet për ta realizuar një gjë të tillë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.
Prokuroria bëri me dije se rasti i Mirit u denoncua nga emisioni televiziv STOP, ndërsa thotë se hetimet provuan përfshirjen e tij në tre vepra penale, falsifikimin e dokumenteve, keqmenaxhim të mbetjeve dhe aktivitete të rrezikshme për mjedisin.
Përveç Mirit, prokuroria kërkoi masë sigurimi “detyrim paraqitje” edhe për dy ekspertët e mjedisit, Elidiana Shehu, administratore e kompanisë EMC dhe Laert Shehu, administrator i kompanisë Swot Shpk, të dy të akuzuar se në përpilimin e raporteve të vetëmonitorimit të mjedisit ndihmuan Mirin të fshihte mungesën e paisjes.
Tetë inspektorë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencisë Rajonale të Mjedisit Lezhë, që kishin kryer detyra inspektimi pranë kompanisë Vale Recycling prej vitit 2016 e në vijim u pezulluan nga detyra dhe po ashtu u është ndaluar largimi nga Shqipëria.
Sipas prokurorisë, inspektorët Jorida Shabaku, Edmond Palushi, Arben Marku, Norbert Dacaj, Alba Kurti, Besarta Leka, Ilir Bardhi, Kejdi Ahmetaj dyshohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Në kërkesën për masë sigurimi, Prokuroria rendit një sërë tenderash në të cilat Vale Recycling është shpallur fituese duke pretenduar se kishte paisjet e nevojshme për riciklimin e mbetejeve spitalore. Prokuroria thotë se kompania fitoi tendera në spitalet e Beratit, maternitetin Koço Gliozheni, Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Spitalin Shefqet Ndroqi. Sipas të dhënave të prokurorisë, fondi limit në tederat ko kompania është shpallur fituese është mbi 65 milion lekë. Në të gjithë këto tendera, sipas prokurorisë kompania ka pretenduar pasjen e paisjes Econos Tsc 150.
I pyetur në prokurori për kohën e blerjes së kësaj paisje, Miri ka këmbëngulur se ajo ishte importuar në vitin 2016. “Paisja Econos ka ardhur në vitin 2016, nga Italia dhe më pas është bërë instalimi”, citohet ai në kërkesën për masë sigurimi. Miri ka pretenduar padijeni për një paisje me të njëjtin emër të blerë nga kompania e tij në vitin 2024 dhe ka këmbëngulur se kompania ka kryer procesin që “i kthen ato (mbetjet spitalore) të pa dëmshme për ambjentin”.
Dy drejtuesit e kompanive të ekspertizës mjedisore dhe 8 inspektorët e AKM kanë mohuar të kenë identifikuar paisjen gjatë inspektimeve të tyre apo përpilimit të raporteve të nevojshme për pasije me leje mjedisore të tipeve A dhe B.
Kjo nuk është çështja e parë për keqmenaxhim të mbetjeve të rrezikshme në vend. Prej disa vitesh, SPAK po heton skandali i tre inceneratorëve në Tiranë, Elbasan dhe Fier, ku dyshohet se janë zhdukur miliona euro.
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste Alqi Bllako janë dënuar ndërkohë për abuzimet financiare në ndërtimin e kompanive të menaxhimit të mbetjeve në Elbasan dhe Fier. Ndërkohë ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe është ende nën hetim. Po ashtu të dënuar dhe të shpallur në kërkim janë edhe biznesmenët kontraversë Mirel Mërtiri, Stela Gugallja e Klodian Zoto. / Reporter.al