denonco@transparency.com.al

Raporti i KLSH-së nxjerr 10 kallëzime për SPAK

Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton në Kuvend përmasat e keqmenaxhimit të fondeve publike, përfshirë edhe dhjetramilionë lekë nga shërbimet e pakryera të koncesioneve në sistemin shëndetësor.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një dëm ekonomik prej 72.3 miliardë lekësh për shkak të keqmenaxhimit të fondeve publike dhe shkeljeve ligjore të kryera nga administrata shtetërore dhe vendore gjatë vitit 2023. Raporti i performancës, i publikuar të martën në faqen e Kuvendit, e ndan dëmin në tre zëra; mbi 5.1 miliardë lekë dëm ekonomik, 64.8 miliardë lekë efekte negative për shkak të parregullsive dhe 2.3 miliardë lekë për shkak të mangësive në kontrollin tatimor.

Nga 160 auditime të kryera në 195 subjekte, vetëm për 2 auditime nuk janë dhënë opinione mbi pasqyrat financiare.

Sipas KLSH-së, gjetjet e konstatuara në fushën financiare i referohen; parregullsive dhe mangësive në zbatimin e disiplinës buxhetore në programimin dhe realizimin e shpenzimeve publike, likuidimin e shpenzimeve përfshirë dhe ato për investime, krijimin e detyrimeve të prapambetura; përdorimit të fondeve pa efektivitet, ekonomicitet dhe eficiencë kryesisht në fushën e prokurimit publik, për shkak të mangësive në realizimin e procedurave të cilat në shumë raste rezultojnë se nuk kryhen në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi.

Shifrat më të larta të dëmit financiar i ka zëri për “dëmshpërblime për vendime gjyqësore, detyrime të prapambetura dhe të tjera” qe shkon më shumë se 43 miliardë lekë dhe detyrimet e koncensionarëve ndaj Albpetrol dhe shoqërive të tjera publike në masën 12.3 miliardë lekë.

Po, ashtu KLSH gjatë auditimeve të kryera në institucionet e administratës fiskale (tatime dhe dogana), ka konstatuar parregullsi dhe mangësi në grumbullimin e të ardhurave tatimore dhe doganore, të cilat janë vlerësuar dhe konsideruar të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit, në total 2.3 miliardë lekë.

Krahasuar me raportin e performancës për vitin 2022 duket se ka një përgjysmim të dëmit ekonomik të evidentuar nga auditimi i KLSH-së,  që sipas këtij institucioni varet nga shumë faktorë, të tillë si struktura e subjekteve të audituara, struktura e auditimeve të ushtruara, numri i subjekteve të përfshira në auditim, periudha e aktivitetit të audituar, madhësia e aktivitetit dhe rënia e nivelit të investimeve në vitin 2022.

Krahas kësaj, KLSH konstaton se, “duhet parë dhe si një lloj reagimi i administratës publike në drejtim të përmirësimit të administrimit dhe menaxhimit të fondeve dhe të pasurisë publike, si edhe në kuadër të forcimit të luftës kundër korrupsionit të zyrtarëve publik nga reformimi i sistemit të drejtësisë”.

Në raport evidentohet fakti që KLSH nuk është mjaftuar vetëm me rekomandime dhe masa për institucionet e audituara, por ka bashkëpunuar dhe me institucionet ligj-zbatuese, si Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe prokuroritë e shkallës së parë duke vënë në dispozicion auditime të ndryshme në shërbim të hetimeve që këto organe kanë hapur.

KLSH bën të ditur se gjithashtu ka kallëzuar penalisht 10 zyrtarë të administratës shtetërore për veprën penale shpërdorim i detyrës, si dhe shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.

Auditimi në përgjithësi nxjerr problematika në menaxhimin e fondeve publike nga institucionet shtetërore, shkelje ligjore në tendera, mungesë monitorimi në zbatimin e kontratave koncensionare, mungesë realizimi të investimeve publike, etj..

Koncensionet në sektorin e shëndetësisë vijojnë të jenë problematike, ku sipas KLSH-së vazhdojnë të bëhen pagesa për shërbime të pakryera. Për koncesionin e kontrollit mjekësor bazë (Check-up) janë kryer pagesa për shërbim të pakryer për 20172 raste me një kosto në shumën 31 milionë lekë pa TVSH.

Edhe për koncesionin e hemodializës, pagesat e koncesionarit nuk kryhen për shërbim të kryer, por për shërbim të faturuar, i cili përfshin likuidimin e rasteve të pakryera ose shprehur ndryshe nën projeksion vjetor. Pagesat për shërbim të pakryer për këtë koncesion llogariten në 99 milionë lekë.

Për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore, rezulton se në më shumë se 24 mijë raste janë përdorur sete të ndryshme për të njëjtën tipologji kirurgjikale.

Probleme janë konstatuar dhe në zbatimin e koncesionit të shërbimit laboratorik, ku sipas KLSH-së, kufizimet  e tavanit buxhetor të secilit spital rrezikojnë ofrimin e analizave laboratorike sipas nevojave spitalore.  KLSH konstaton se “…kjo sjell për pasojë drejtimin e pacientëve në marrjen e këtij shërbimi tek subjektet private, me kosto shtesë për qytetarët, si dhe përkeqësim të shëndetit nga moskryerja në kohë e analizave përkatëse”.

Burimi: Reporter.al

Read more

Fikja e inceneratorit rrit malin me plehra në Elbasan

Në prill të 2017-ës, kur nisi për herë të parë nga puna inceneratori i Elbasanit, qeveria mburrej se impianti do të shkulte ‘kancerin’ mjedisor duke prodhuar energji nga plehrat. Gjashtë vite më pas, Elbasani ndodhet në prag të një katastrofe mjedisore sepse inceneratori nuk punon, pavarësisht se harxhon miliona lekë. Edhe prodhimi i energjisë së gjelbër i ngjan një ëndërre të largët. Prej muajit dhjetor impianti i përpunimit të mbetjeve në Elbasan ka kaluar në remontin e rradhës. Mbetjet e bashkive të qarkut që po grumbullohen pranë landfillit po lartësojnë malin e plehrave të patrajtuara. Për ekspertët e mjedisit situata është alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

nga Esmeralda Topi 

Në mars të vitit 2015, në anë të ish kombinatit metalurgjik në Elbasan nisi puna për ndërtimin e impiantit të parë të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë në Shqipëri. 

Sipas qeverisë inceneratori do t’i jepte zgjidhje mbledhjes dhe grumbullimit të mbetjeve dhe do të prodhonte energji të gjelbër përmes trajtimit teknologjik të tyre.

“Është një impiant që vendoset për herë të parë në vendin tonë, por që me këtë vendosje përbën edhe themelin për të transformuar rrënjësisht të gjitha marrëdhëniet me mjedisin në hapin e tyre të parë, marrëdhënia me mbeturinat, me plehrat që 20 e kusur vite e mbyten Shqipërinë, dolën jashtë çdo kontrolli dhe që ne kemi vendosur t’i kthejmë nga një burim ndotjeje dhe kanceri në një burim energjie”, shprehej kryeministri Edi Rama, në nisje të punimeve për impiantin që parashikohej se do të prodhonte rreth 17 250 MWh energji në vit kur të vihej në punë.  

Dy vite më vonë, kryeministri bashkë me disa zyrtarë të tjerë të lartë u rikthye në Elbasan për të përuruar fillimin e punës së impiantit. 

Mesditën e 18 prillit 2017, kreu i qeverisë mes qindra pjesëmarrësve inaguroi inceneratorin e Elbasanit – të parën vepër të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë në Shqipëri.

“Nga fusha e plehrave që digjeshin në qiell të hapur e helmonin gjithë qytetin, në fushën sanitare të standardeve europiane ku mbetjet shfrytëzohen për prodhim energjie.”, theksonte kryeministri gjatë ceremonisë përuruese. 

Gjashtë vite më vonë… 

Inceneratori i Elbasanit i kushtoi buxhetit të shtetit 26 milionë euro dhe është më i vogli mes tre impianteve të planifikuara. Aktualisht, ky impiant është i vetmi që ka përfunduar nga tre kontratat e kushtueshme të partneritetit publik privat të qeverisë shqiptare, që po hetohen për korrupsion dhe pastrim parash nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.

Pavarësisht propagandës për teknologjinë dhe zgjidhjen që do të ofronte në përpunimin e mbetjeve, në këto gjashtë vite impianti nuk ka dhënë rezultatet e premtuara. 

Hyrja e inceneratorit të Elbasanit, mars 2024

Të dhënat e siguruara nga Faktoje tregojnë se inceneratori është ndezur me hope duke zhbërë premimin madhor për rilindjen mjedisore të Elbasanit që ka rritur malin me mbetje të patrajtuara. 

“Në vitin 2023 ndezja e Impiantit është realizuar në muajin Prill dhe proçesi i fikjes është realizuar në Dhjetor të vitit 2023. Aktualisht Impianti është në remont.”, i tha Faktoje kompania publike Eco-Elb që administron inceneratorin prej dhjetorit të vitit 2021 (përmes një kontrate qiraje me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK.)

Inceneratori i Elbasanit, mars 2024

Prej 21 dhjetorit të vitit të kaluar inceneratori i Elbasanit fiku turbinat dhe kaloi përsëri në remont, por kompania EcoElb nuk na dha asnjë shpjegim se çfarë e shkaktoi defektin dhe sa kushton riparimi i tij. Po ashtu, pa përgjigje mbetën edhe pyetjet se kur do të vihej në punë inceneratori dhe çfarë do të bëhet me malin e mbetjeve të patrajtuara në landfill kur të rindizen turbinat. 

Elbasan, mars 2024

Prej katër muajsh të gjitha mbetjet e bashkive të qarkut Elbasan që po depozitohen në landfill nuk po trajtohen, duke krijuar një mal me plehra që po rrezikojnë një krize të re mjedisi në Elbasan.

Sot për sot, atje ndotja hidhet në lumin Shkumbin dhe shkon deri në detin Adriatik sepse gjithë mbetjet, rrjedhjet, shkojnë në lum sepse s’kanë asnjë mbrojtje. Pa asnjë lloj trajtimi paraprak, gropat janë mbushur dhe janë kthyer në male.”, argumenton për Faktoje Ahmet Mehmeti, ekspert i ccështjeve mjedisore. 

Elbasan, mars 2024

“Një gropë e zezë financiare që u kthye në një mal të zi që është vetëm burim të këqijash.”, vijon më tej ai, duke shtuar se malet me plehra janë rrezik potencial për shpërthime zjarresh, me apo pa dashje. 

Për biologun Olsi Nika situata e krijuar me mbetjet në Elbasan është një “Emergjencë ekologjike”

“Do bëhën male të tëra me mbetje, nuk do të digjen për 1001 arsye (jo nën hetim, jo korrupsioni, jo defekt, jo avari). Nuk do digjen sepse aty nuk është menduar kurrë për një proces incenerimi, aty është menduar për skemën që ka dalë nëpër media. Dhe atëherë do të bëhet emergjencë e vërtetë ekologjike.”, paralajmëron Nika nga Eco Albania.

Vitin e kaluar, impianti i Elbasanit ka pranuar nga Bashkitë e Qarkut një sasi mesatare mujore mbetjesh prej 3 936 ton në muaj, apo 47 mijë ton me mbetje. 

“Sasia mesatare ditore e mbetjeve që mbërrin në Impiant është 140 ton në ditë dhe kur Impianti është në funksion incenerohet një sasi mesatare ditore e mbetjeve prej 90 ton në ditë.”, bën të ditur kompania Eco-Elb që administron inceneratorin.  

Energjia e gjelbër, një ëndërr në sirtar

Qeveria premtonte se kur inceneratori i Elbasanit të vihej në punë, nga përpunimi i mbetjeve do të prodhohej rreth 17 250 MWh energji në vit. Por të dhënat e siguruara nga Faktoje tregojnë se sasia e energjisë së prodhuar nga inceneratori i Elbasanit në këto vite rezulton larg premtimit publik. 

“Zëvendësuan riciklimin me gënjeshtrën e prodhimit të energjisë. Pra merren fondet, por puna s’bëhet duke shkaktuar dëm shumëfish, si financiar si mjedisor.”, thotë eksperti i mjedisit Ahmet Mehmeti. 

Enti Rregullator i Energjisë bën të ditur për Faktoje se vitin e kaluar centrali prodhues i përpunimit të mbetjeve urbane në Elbasan nuk ka prodhuar energji elektrike. 

“Nga raportimet e OSSH sha dhe FTL sha/ OSHEE Group sha deri më tani në ERE, rezulton se Centrali prodhues i përpunimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan i shoqërisë “ECO – ELB” sh.a për vitin 2023 rezulton se nuk ka lëvruar energji elektrike në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.”, pohon ERE. 

Ndërsa gjatë vitit 2022, inceneratori ka lëvruar 6,792 MWh energji elektrike, sasi kjo që nuk përputhet me atë që deklaron kompania Eco-Elb që administron inceneratorin.

Sasia e energjisë së prodhuar përgjatë vitit 2022, është 75,9 MWh.”, i tha Eco-Elb Faktojes. 

Bashkëjetesë me inceneratorin …

Pranë impiantit të përpunimit të mbetjeve në Elbasan jetojnë dhjetra familje. Biseda me disa prej tyre është e vështirë. Janë të shqetësuar por njëkohësisht të frikësuar për t’i ndarë hallet e përditshme me median. 

“Si i ndezur, si i fikur për ne situata është si mos më keq. Në verë i mbyllim dritaret sepse era e plehrave bëhet e padurueshme.”, shprehet një banore e zonës, teksa drejton me gisht malin me plehra që e ka përballe me shtëpinë. 

I vetmi që pranoi të fliste ishte kryeplaku i zonës. Jashar Muçin e takuam teksa punonte tokën përpara shtëpisë. Pensionisti na tregon se bashkëjetesa me inceneratorin bëhet e vështirë kur impianti është jashtë funksionit. 

“Kur impianti është i ndezur nuk kemi ndonjë problem, është pastër. Por tani është jashtë funksioni dhe shihe vet.”, thotë ai teksa biseda na ndërpritet nga një makinë me mbetje që po shkonte drejt landfillit.

“E shikon këtë makinë që po kalon?! Këtu nuk pushojnë makinat e plehrave, ditë e natë. Vijnë nga i gjithë qarku.”, vijon më tej Muçi. 

Jashari i mban mend mirë premtimet e qeverisë kur nisi puna për impiantin.

“Do rritej punësimi në zonë, do shpëtonim nga plehrat, do prodhohej energji nga e cila do ngroheshim ne dhe do bënim sera… eh sa gjera do bëheshin po s’i shohim…”, shpotit ai në fund të bisedës. 

Burimi: Faktoje.al

Read more

Aleksandra Bogdani: Shëndetësia është fushë problematike, me institucionet më pak transparente

Gazetarja e BIRN Albania, Aleksandra Bogdani u shpreh se të raportosh për shëndetësinë në vendin tonë është tejet e vështirë.

Fjala e plotë e saj e mbajtur në tryezën e prezantimit të raportit, “Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – A mbulon skema nevojat reale të kujdesit shëndetësor”, zhvilluar nga Shoqata Together for Life, në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Sektorin e Shëndetësisë” mbështetur nga NED – National Endowment for Democracy.

Sa e lehtë është të raportosh për institucionet e shëndetësisë?

“Nga viti në vit raportet e fondit kanë kaluar nga një analizë e skemës nga të dhëna që vërtet që do t’i shërbenin publikut në këtë paradën e sukseseve që ju tentoni të bëni vazhdimisht. Debati publik për shëndetësinë vlen për vende shumë të zhvilluara me skema shumë më të zhvilluara bëhet vazhdimisht në Britani, gjatë COVID-19 kemi parë që mjek në Amerikë, Gjermani në vende të zhvilluara flisnin për cedime të sistemit. Në Shqipëri ku shëndetësia është një ndër problematikat me të cilat përballen shqiptarët, arsyeja kryesore mendoj unë, që mund t’i zhysë njerëzit në varfëri për shkak të këtyre pagesave nga xhepi që shumica e shqiptarëve nuk i kanë të përballueshme, ne këtu e çojmë diskutimin në gjëra jo po janë jo po nuk janë.

Sigurisht që është fushë problematike dhe do specializim shumë të madh dhe ajo që hasim ne vazhdimisht është që spitalet rajonale, bashkiake apo universitare qofshin, apo Ministria e Shëndetësisë dhe ndonjëherë dhe Fondi janë institucionet më pak transparente. Për pyetje më të thjeshta, sa është numri i mjekëve, sa janë vakancat, duhet të çojmë ankesë pas ankese te Komisioneri për të Drejtën e Informimit për përgjigje, që duhet të ishin në faqet e këtyre Institucioneve”, deklaroi Bogdani.

Sipas gazetares Bogdani edhe për pyetje më elementare, “pse ikin mjekët, ti duhet të harxhosh me muaj të tërë të presësh përgjigjie të marrësh përgjigjie që nuk janë përgjigjie, ti ankimosh te komisioneri, përgjigjet standarde duhet të jenë më unifikuese nuk kemi pse bëjmë senacë dëgjimore me praktika që nuk janë përmbushur , 2-3 muaj për të marrë përgjigjie për të bërë ato shkrime kur debati dhe interesi edhe mund të ketë ikur.”

Ajo thekson se, “koncensionet mungon autokritika nga institucionet dhe kontrolli për abuzimet me paratë publike. Përvec Check-Up, edhe te sterilizimi sic e tregojnë edhe hetimet që kostot janë rritur shumëfish dhe fondi ka paguar ato kosto të shumëfishta përmes skemave që janë përdorur në mbylljen e faturave. Nuk funksionojnë as mekanizmat e brendshëm në drejtim të llogaridhënies dhe kursimin e parave publike.”

Read more

Pezullohen barnat me rimbursim, shkak sistemi elektronik i AKSHI-it. Rikthehen radhët në qendrat spitalore, pacientët detyrohet t’i blejnë vetë ilaçet që duhet t’i merrnin falas

Rikthehen problemet e AKSHI-t me sistemin e nënshkrimit elektronik.

Të sëmurët kronikë, pensionistët kryesisht, përfshirë edhe ata që duhet të marrin barna me rimbursim u duhet të presin në radhë në mënyrë që mjeku i familjes të lëshojë recetën e barnave të rimbursueshme e cila shkon onlinë në farmaci. Kjo pasi sistemi elektronik i cili administrohet nga AKSHI bllokohet herë pas herë dhe nuk i lejon mjekët të vijojnë procesin duke bërë që qytetarët të rovoltohen. Dhe kjo nuk është herë e parë që ndodh.

Jo vetëm pacientët por edhe mjekët nëpër qendra shëndetësore kanë shprehur këtë shqetësim në vazhdimësi të mos funksionimit të sistemit elektronik i cili shpesh i fut në konflikt me pacientët që duan të marrin në kohë barnat për kurimin e sëmundjeve që kanë por nuk munden duke bërë që shpesh ato barna që duhet t’i marrin falas t’i blejnë me para nga xhepi.

Rasti më i fundit ishte në mesin e muajit shkurt, afro pesë javë më parë ku sistemi i AKSHI-t u bllokua për më shumë se 5 ditë me radhë. Në këtë periudhë nuk funksionoi as sistemi elektronik që lidh farmacitë me Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor i cili rimburson barnat dhe as sistemi që lidh farmacitë me mjekun e familjes i cili nënshkruan recetat e barnave me rimbursim.

Madje burime për Top Channel në atë kohë thanë se as ministrja e Shëndetësisë nuk arrinte të firmoste disa dokumente që kërkonin nënshkrim elektronik.

Por edhe pse bllokimi i sistemit elektronik është problem që përsëritet në asnjë rast AKSHI nuk merr përgjegjësitë e veta. Top Channel ka kontaktuar disa herë burime pranë FSDKSh të cilët pohojnë se ky bllokim i sistemeve elektronike vjen nga AKSHI dhe jo nga zyrat e tyre.

Burimi: Gazeta Shëndeti

Read more

Pagesat informale janë tipike për punonjësit në sistemin shëndetësor shqiptar

Prioritet strategjik i skemës së kujdesit shëndetësor është mbulimi universal i popullatës me shërbim shëndetësor. Mbulimi universal me shërbim shëndetësor do të thotë që të gjitha kategoritë e popullsisë të kenë akses të barabartë në shërbimet shëndetësore të ofruara në vend në nivel parësor dhe spitalor.

Studimet e ndryshme kanë konkluduar që pagesat informale janë tipike për punonjësit në sistemin shëndetësor shqiptar1. Kjo mbështetet dhe nga fakti që në raportin e fundit të progres raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë citohet që “ekonomia informale në Shqipëri vazhdon të mbetet e lartë dhe është kryesisht e mbështetur në pagesat me para në dorë”.2

Në Shqipëri, 41.6% e popullsisë kanë një standard jetese në prag të varfërisë dhe për pasojë nuk arrijnë të përballojnë një jetese normale me të ardhurat që kanë, ku primare mbetet ushqimi dhe kujdesi shëndetësor. Skema e kujdesit shëndetësor nuk ofron mbështetje apo përjashtime për familjet me të ardhura të ulëta, të cilat shoqëruar dhe me faktorin tjetër të nivelit të lartë të pagesave nga xhepi që bëhen për shëndetësinë në masën 56%, dëshmojnë që mbulimi financiar i skemës së kujdesit shëndetësor rezulton i dobët dhe jo universal sikurse synohet.

Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social i referohet individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër, ose thellësisht të privuar materialisht, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim.

Në vitin 2022, ky tregues është vlerësuar 41,6 %, kundrejt 43,9 % vlerësuar në vitin 2021.

Krahasuar me mesataren e EU e cila rezulton në 21.6%, Shqipëria shënjon një përkeqësim të treguesit për vitin 2022 duke rezultuar në nivelin 41.6%, duke tejkaluar dhe Rumaninë e cila renditet në krye të listës së vendeve të EU me shkallën më të lartë të rrezikut për të qenë i varfër ose i përjashtuar social në masën 34.4%.

Krahasuar me Rajonin, shpenzimet publike në shëndetësi në Shqipëri rezultojnë më të ulëtat.

Skema nuk arrin të ofrojë mbulim universal sikurse synon në prioritetet strategjike. Përkundrazi, niveli i lartë i informalitetit të ekonomisë, shoqëruar nga pagesat e larta informale në sektor shëndetësor, bëjnë që barra më e rëndë të bjerë mbi familjet e varfëra.

Ky artikull është pjesë e raportit “FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR: A mbulon skema nevojat reale për kujdes shëndetësor?” zhvilluar dhe publikuar nga shoqata Together for Life në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Sektorin e Shëndetësisë” mbështetur nga NED – National Endowment for Democracy. Për më tepër: https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2024/03/Raport_A-mbulon-Skema-nevojat-reale-per-kujdes-shendetesor.pdf 

  1. Can people afford to pay in Albania, New evidence on financial protection in Albania/ Tomini.S and Tomini.F (2020) ↩︎
  2. Albania 2022 Report/EU Commission Paper/2022/faqe 6 ↩︎
Read more

Inefiçenca e shfrytëzimit të shtretërve në spitalet e Shqipërisë

Nga të dhënat e Raportit vjetor të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FDSKSH) 2019-2022 vihet re se spitalet universitare të cilat janë të gjitha të përqendruara në qytetin e Tiranës kanë dhe numrin më të lartë të shtrimeve me 159 mijë shtrime. Ndërkohë spitalet rajonale dhe ato bashkiake të cilat janë të shpërndara në të gjitha rrethet e vendit karakterizohen nga një trend në rënie i shtrimeve duke filluar që nga viti 2020. Në raportet vjetore 2019-2022 të FDSKSH mungon një analizë e arsyes të kësaj performance. Ndërkohë që po t’i referohemi informacionit për auditimet tematike që realizohen nga auditi i brendshëm i FDSKSH nuk gjendet informacion nëse është realizuar ndonjë auditim mbi eficiencën e financimit të spitaleve rajonale apo bashkiake që kanë një numër të vogël shtrimesh.

Më poshtë paraqitet, koeficienti mesatar i shfrytëzimit të shtretërve sipas tipeve të spitaleve:

Sikurse shihet koeficientët e shfrytëzimit të shtretërve në spitalet rajonale qëndrojnë nën nivelin prej 30%, ndërkohë që shfrytëzimi më i lartë i shtretërve mbetet në spitalet universitare të lokalizuara në qytetin e Tiranës.

Sa i përket treguesit tjetër të rëndësishëm të lidhur me ditët mesatare të qëndrimit, ajo që vihet re është që analiza e faktorëve të ndikimit nga FDSKSH vazhdon të bëhet në nivel agregat duke “kamufluar” nën këtë analizë spitalet problematike që kanë ditë mesatare qëndrimi të larta mbi nivelin mesatar.

Sikurse shihet problematikë paraqiten dy spitale universitare, spitali “Shefqet Ndroqi” dhe “Spitali Universitar i Traumës”, të cilët karakterizohen nga ditë të larta mesatare qëndrimi duke filluar nga 6 deri në 10 ditë. Në studime të ndryshme, koha e gjatë e qëndrimit në spitale lidhet në mënyrë të drejtpërdrejt me riskun e marrjes së infeksioneve e cila ndikon në treguesin tjetër të performancës së spitaleve të lidhur me shkallën e lartë të mortalitetit.

Nga ana tjetër sa më i lartë qëndrimi në spital, aq më shumë rritet kostoja për trajtimin e pacientëve. Në kushtet kur mesatarja e qëndrimit në spitalet universitare është 3.8 ditë nevojitet të analizohen shkaqet që qëndrojnë pas një mesatare qëndrimi kaq të lartë në spitalet e sipërpërmendura.

Treguesit e performancës nuk duhet të përdoren thjesht në nivel raportimi, por duhet të analizohen nga FDSKSH për të mundësuar dhe ndërmarrjen e hapave korrektues në menaxhimin e spitaleve që rezultojnë ineficientë në përdorimin e fondeve publike.

Ky artikull është pjesë e raportit “FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR: A mbulon skema nevojat reale për kujdes shëndetësor?” zhvilluar dhe publikuar nga shoqata Together for Life në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Sektorin e Shëndetësisë” mbështetur nga NED – National Endowment for Democracy. Për më tepër: https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2024/03/Raport_A-mbulon-Skema-nevojat-reale-per-kujdes-shendetesor.pdf 

Read more

SPAK kërkon gjykimin e Ilir Beqjas dhe bashkëpunëtorëve të tij në aferën e sterilizimit

Prokuroria e Posaçme përfundon hetimet për aferën e sterilizimit dhe kërkon gjykimin si përgjegjës të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, zëvendësit të tij Klodian Rrjepaj, biznesmenit Ilir Rrapaj dhe gjashtë zyrtarëve të tjerë, duke i akuzuar për shpërdorim detyre, falsifikim e mashtrim, vepra penale të kryera në bashkëpunim.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është dërguar për gjykim për “shpërdorim detyre” lidhur me aferën e sterilizimit, së bashku me zëvendësin e tij Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj, si dhe anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Marsela Serjani, Petro Mersini, Arben GjataSaimir Kadiu, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi.

Në njoftim e SPAK thuhet se ish-zëvëndësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, është personi i cili ka kryer të gjitha veprimet e përllogaritjeve financiare, duke  ritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme kostot e kontratës PPP në masën 56.4%.

“Në veprimet e përllogaritjeve financiare rezulton plotësisht e provuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë në këto dokumente, që janë paraqitur  Ministrisë së Financave“, tha SPAK.

Po ashtu, me qëllim uljen e normës së brendshme të kthimit, IRR dhe shtimin e vlerës së investimit që planifikohet, NPV, i pandehuri Klodian Rrjepaj akuzohet se ka shtuar si zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncensionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja.

Gjithashtu në ‘Krahasuesin e Sektorit Publik’, si treguesi kryesor për dhënien e këtij projekti me koncension partneritet publik privat, janë përdorur kosto të rreme të këtij shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi.

Gjatë gjithë periudhës përgatitore të projektit, procedurën e tenderimit dhe dhënies së koncensionit deri në firmosjen e kontratës koncensionare, i pandehuri Rjepaj akuzohet se ka bashkëpunuar ngushtësisht me te pandehurin Ilir Rrapaj, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, ku pjesëmarrës është me 40% subjekti tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues këtë biznesmen.

Për këto veprime, të pandehurit Klodian Rjepaj dhe Ilir Rrapaj, akuzohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Mashtrimit”, e kryer në bashkëpunim dhe me pasoja të rënda.

Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, si personi që ka bërë pasqyrat financiare dhe studimin e fizibilitetit, në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të këtij komisioni, Marsela Serjani, Petro Mersini, Arben Gjata, Saimir Kadiu, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi, akuzohen se me veprime aktive kanë ligjëruar dokumentet me të dhëna të pavërteta, duke konsumuar elementët e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave”, e kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim.  .

Në vijim prokuroria argumenton, se ish-ministri Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për veprimet ose mosveprimet që kanë të bëjnë me miratimin dhe nënshkrimin e kësaj kontrate koncensionare, duke i miratuar ato në kundërshtim me rregullat dhe aktet ligjore e nënligjore të zbatueshme për koncesionet, rezulton e provuar se ka shpërdoruar detyrën.

Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi penal është proceduar me caktimin e masës së sigurimit pasuror sekuestro preventive, për pjesën takuese prej 40 % të Shoqërisë  “Sani Servicve” Sh.p.k.;  shoqërinë ‘Globalsher’ Sh.p.k. dhe asetet e saj, me ortak të vetëm të pandehurin Ilir Rapaj.

Janë sekuestruar dhe llogaritë bankare të subjektit “Globalsher” sh.p.k., një llogari në shumën prej 285 mijë e 412 euro, një llogari me balancë prej 113 mijë lekë, 13 automjete dhe një apartament në pronësi të kësaj shoqërie.

SPAK njofton se ka ndarë hetimin lidhur me dyshimet për veprime në kundërshtim me ligjin nga persona subjekte të hetimit të kësaj prokurorie gjatë fazës së ekzekutimit të kontratës konçesionare etj.

Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017 u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.

Në vitin 2021, Beqaj u emërua në krye të SASPAC nga kryeministri Edi Rama, edhe pse ndaj tij po zhvilloheshin hetime për kontratat koncesionare në shëndetësi. Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për ta caktuar atë me masën e sigurimit “detyrim paraqitje” në lidhje me akuzat për sa i përket aferës së sterilizimit, Beqaj dha dorëheqjen nga SASPAC dhe pozicioni si negociator mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Një hetim tjetër i SPAK ngriti dyshime se pasi Beqaj u emërua në krye të Agjencisë që monitoron milionat e ndihmës nga Bashkimi Evropian, ai dhe vartësit e tij ngritën një skemë korrupsioni dhe pastrimi parash me fatura fiktive.

Burimi: Reporter.al

Read more

Si po “helmohen” shqiptarët me ilaçe të dyshimta nga Turqia

Në vitin 2015, Ministria e Shëndetësisë autorizoi importin e dy barnave nga Turqia, që quheshin Apranax Plus dhe Codeine. Por medikamentet vinin nga një kompani e panjohur, e cila nuk ishte liçencuar për prodhimin e këtyre ilaçeve. Denoncimi mbërriti pikërisht nga një kompani turke që kishte liçencën për prodhimin e Apramaxit dhe Codeinës.

Në atë kohë importet e ilaçeve nga Turqia ishin më së shumti sporadike. Por në vitet që pasuan, Turqia u shndërrua në eksportuesin më të madh të ilaçeve në Shqipëri.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se në periudhën 2018-2023, importet e ilaçeve nga Turqia u rritën me gati 2.5 herë në volum. Më saktësisht nga 490 tonë në 1200 tonë. Si rezultat, aktualisht gati 20 për qind e ilaçeve që importohen në Shqipëri vijnë nga Turqia.

Tashmë thuajse të gjitha kompanitë farmaceutike shqiptare kanë filluar të kthejnë sytë nga Turqia. Por loja e rëndë bëhet veçanërisht nga dy kompani, të cilat sjellin volumin më të madh të ilaçeve turke në tregun shqiptar. Njëra prej tyre e hetuar dhe dënuar më parë për mashtrim, ndërsa tjetra është aktualisht nën hetim nga SPAK.

Ndryshimet ligjore

Rritja e frikshme e importeve të barnave nga Turqia nuk është e rastësishme. Në vitin 2014, qeveria shqiptare ndryshoi ligjin e barnave duke i hapur rrugë importit të tyre edhe nga vendet jashtë Bashkimit Europian.

Sipas qeverisë, këto ndryshime do të ulnin kostot e mjekimit për pacientët shqiptarë duke u mundësuar atyre barna me çmime më të lira. Por kostot e ulëta sollën një efekt edhe më të rëndë: daljen nga tregu të ilaçeve me cilësi të lartë dhe vërshimin e produkteve jo cilësore apo me keq akoma ilaçeve false nga vendet jashtë BE-së.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lëshuar disa herë alarmin për ilaçet e falsifikuara në Turqi dhe Indi, ku rasti më i fundit ishte ai barit defibrotide, që shitet nën brandin defitelio dhe përdoret për trajtimin e sëmundjeve të mëlçisë.

Ndërkohë një burim i tha Kapitali.al se aktualisht prokuroria po verifikon një rast ku dyshohet se në vend mund të jenë futur edhe kimiopreparate false në farmacitë e QSUT-së të importuara pikërisht nga Turqia.

Rasti, i cili po hetohet mund të shndërrohet në një nga skandalet më të mëdha në fushën e shëndetësisë në Shqipëri. Por deri më tani prokuroria nuk ka ende përfundimet zyrtare.

Korrupsion dhe kapje tregu

Tregu i barnave në Shqipëri është një moçal i madh, i ndërtuar kryesisht me kontributin e qeverisë dhe institucioneve që duhet ta mbikqyrin atë. Në vitet 2014-2015, qeveria shqiptare fiksoi çmimet e medikamenteve përmes një vendimi absurd, i cili nuk lejon përditësimin e tyre.

Kjo masë tashmë po godet mbrapsht. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se gjatë viteve të fundit nga tregu shqiptar kanë dalë mbi 473 barna të mirënjohura, që prodhohen nga kompani të certifikuara perëndimore për kurimin e sëmundjeve të ndryshme.

Këto barna janë zëvendësuar me të tjera që vijnë nga Turqia dhe Azia, por që shpesh kanë dyshime të mëdha mbi cilësinë dhe autenticitetin e tyre. Madje kanë edhe abuzime të mëdha tek çmimet.

Shumica e ilaçeve importohen nga Turqia me çmime minimale, por në doganat shqiptare deklarohen me çmime njësoj si barnat perëndimore. Diferenca amortizohet përmes skontove në fatur ose notjave të kreditit, të cilat më vonë falen.

E gjitha është një skemë e madhe mashtrimi, lehtësisht e verifikueshme që në deklaratat doganore. Por kjo është një skemë, e cila bëhet e mundur përmes korrupsionit në sektorin shëndetësor.

Tashmë lista e barnave të rimbursueshme po mbushet gjithmonë e më shumë me barna turke dhe nga vendet e tjera të lindjes. Ato që blihen me çmime qesharake, por rimbursohen disa herë më shtrenjtë nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor.

Dhe ndërsa një grusht kompanish fitojnë miliona euro, të cilat i ndajnë me zyrtarët e korruptuar të Shëndetësisë, shqiptarët po helmohen masivisht me ilaçe pa cilësi.

Burimi: Kapitali.al

Read more

Dy nga katër koncesionet në shëndetësi i shpëtojnë hetimit parlamentar të opozitës

Kërkesa e opozitës për një komision hetimor në lidhje me koncesionet e qeverisë së kryeministrit Edi Rama në sektorin e shëndetësisë përfshin vetëm dy nga katër të tilla, dy të cilat janë sakaq nën hetim nga SPAK, ku njëri i ka të pandehurit në proces. Kërkesa e miratuar është e ndryshme nga ajo që grupi i Rithemelimit bëri gjashtë muaj më parë.

Fushata e grupit të Rithemelimit në opozitë për hetimin e koncesioneve të dyshuara korruptive të qeverisë aktuale në sektorin e shëndetësisë duket se ka harruar dy nga katër koncesionet e këtij sektori, bëhet e ditur nga kërkesa e depozituar në kuvend nga grupi kryesor i opozitës parlamentare dhe i publikuar së fundmi në faqen e internetit të kuvendit.

Grupi parlamentar më i madh i opozitës, i cili drejtohet nga deputeti Gazmend Bardhi dhe që njihet gjerësisht si “Rithemelimi”, arriti një kompromis politik me maxhorancën e kryeministrit Edi Rama, në të cilën, sjellja e tyre trazuese në proceset parlamentare ndërpritej ndërsa socialistët pranonin ngritjen e dy komisioneve parlamentare, të cilat më herët ata ia kishin mohuar opozitës me mjete të dyshimta ligjore dhe në shkelje të të drejtave kushtetuese të opozitës.

Ndërsa marrëveshja mes dy grupimeve kryesore politike në vend u përshëndet si një rikthim në normalitet në proceset parlamentare në Shqipëri, shumë vëzhgues ngritën pyetjen nëse, përveç kompromiseve të njohura, marrëveshja mbart edhe kompromise të fshehta. Në veçanti, pyetje u ngritën në lidhje me arsyen se pse opozita ka zgjedhur dy komisione hetimore, nga të teta të kërkuara prej saj, të cilat janë çështje kryesisht nën hetim nga SPAK dhe me potencial jo shumë të fortë politik. Por potenciali praktik i komisionit parlamentar për koncesionet në shëndetësi pritet të bjerret edhe më tutje, nëse shihet se dy nga katër të tilla, janë lënë jashtë objektit të hetimit.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama dha në fillesat e mandatit të saj të parë dhe të dytë katër koncesione në sektorin e shëndetësisë, të cilat, i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë mbi 50 milionë euro në vit. Që në kohën e procedurave të prokurimit, media dhe shqiptarët ngritën pikëpyetje, si sa i përket logjikës së dhënies së këtyre koncesioneve, ashtu edhe procedurës së përzgjedhur apo profilit të fituesve. Të katër koncesionet janë: Kontrolli bazë i popullsisë, njohur gjerësisht si Check Up, me kosto mbi tetë milionë euro në vit; ofrimi i setit të instrumenteve kirurgjikale, i njohur më së shumti si “sterilizimi”, i cili po kushton aktualisht rreth 17 milionë euro në vit; Koncesioni i shërbimit të dializës në pesë spitale, i cili po kushton aktualisht mbi 9 milionë euro në vit, dhe; shërbimet laboratorike spitalore, i cili po kushton mbi 18 milionë euro në vit.

Ndërkohë, kërkesa e grupit parlamentar të opozitës për komision hetimor parlamentar shkruan: “Në vijim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve të datës 12.03.2024 dhe detyrave të lëna në atë mbledhje, lutemi gjeni bashkëlidhur projektvendimet e dakordësuara midis maxhorancës dhe opozitës, lidhur me:

  1. Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për shërbimin publik të Sterilizimit dhe shërbimin publik të Check-Up në shëndetësi.
  2. Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit të Shqipërisë për Trajtimin e të Dënave në sitemin TIMS.”

Siç shikohet, kërkesa e opozitës nuk përfshin hetimin e koncesionit të shërbimit të dializës dhe as atë të shërbimeve laboratorike.

Dy koncesionet e përfshira janë sakaq nën hetim nga SPAK. I pari, ai i sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj. Të dy përfunduan në pranga për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe mashtrimit, ndërsa gjykata kërkoi hetim edhe për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja dhe ish-ministrin e Financave, Shkëlqim Cani.

Sipas prokurorisë, Rrjepaj manipuloi kostot e shërbimit ndërsa transferoi fitimet në formën e kontratave të konsulencës te një kompani e cila ishte gjithashtu nën pronësinë e tij dhe që kishte vetëm një klient të madh, pra kompaninë koncesionare. Pasi prokurorët nuk gjetën fillimisht vepër penale nga ana e ish-ministrit Ilir Beqaj, gjykata urdhëroi hetime të mëtejshme, të cilat sollën thirrjen e tij si të pandehur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Rezultatet e hetimit për koncesionin e Check Up nuk janë ende të ditura.

Kërkesa e opozitës sot për të hetuar vetëm këto dy koncesione nga katër, është në fakt e ndryshme edhe nga kërkesa e saj e mëparshme e shtatorit 2023. Në atë kohë, Rithemelimi kërkoi në kuvend ngritjen e një komisioni për hetimin e që të katërtave koncesioneve [link kërkesa], ndryshe nga kërkesa e pas kompromisit, e cila heq dy nga katër koncesionet nga objekti i hetimit.

Koncesionet e të dyja qeverive, asaj të Partisë Demokratike, 2005-2013, por në veçanti, asaj të Partisë Socialiste pas vitit 2013 kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime, nga shqiptarët apo nga institucionet ndërkombëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike ndërsa ka paralajmëruar për rrezikun për stabilitetin financiar të vendit.

Burimi: BIRN

Read more

Vazhdon Odisea e abuzimit me listën e rimbursimit të barnave

Shqipëria është vendi i vetëm në Ballkan, i cili prej tre vitesh nuk ka futur asnjë bar të ri në rimbursim edhe pse ligji e detyron qeverinë që të përditësojë listën çdo vit. Kjo jo vetëm që mban padrejtësisht kostot e larta për buxhetin, por privon qytetarët nga alternativat e reja të kurimit, që janë regjistruar gjatë tre viteve të fundit.

Ministria e Shëndetësisë vazhdon ta mbajë të bllokuar listën e barnave pa dhënë asnjë shpjegim zyrtar, ndërkohë që nën zë sipas Kapital.al justifikohet se nuk ka fonde. Por fondet po vidhen pikërisht nga bllokimi i listës dhe shpenzimi i parave për barna, të cilat paguhen padrejtësisht me çmime të larta, ndërkohë që kanë humbur patentën dhe në treg kanë dalë alternativa më efektive shumë më të lira.

Janë miliona euro që do të kurseheshin ndër vite, të cilat mund të përdoreshin për futjen e barnave te reja, për terapi të cilat nuk kanë trajtim ose e kanë atë shume të kufizuar.

Kostoja totale e rimbursimit të barnave qëndronte në nivelin mesatar prej 11 miliardë lekësh për periudhën 2020-2022 dhe ishte planifikuar në nivelin 11.6 miliardë lekë për vitin 2023. Ndërkohë që kostoja totale e rimbursimit rritet, ajo që vihet re nga të dhënat e raportuara nga FDSKSH është që numri i pacientëve përfitues është në rënie. Kjo dëshmon që kostoja e rimbursimit të barnave vijon të rritet për një pacient. Në raportet vjetore të FDSKSH argumentohet që kjo rritje e kostos, vjen për shkak të përfshirjes në listën e barnave të rimbursueshme të llojeve të reja të barnave për disa kategori sëmundjesh me prevalencë të lartë të cilat rezultojnë të kushtueshme. 1

Në një intervistë për Top Channel, Diana Toma shprehet se lista ka mbetur ajo e 2021, në të cilën nuk janë futur as barna të reja dhe as nuk është zgjeruar. Ajo vazhdon se pacientët për shkak të mungesës në listën e rimbursimit, ata që s’kishin mundësi të paguanin nuk e kanë marrë variantin e dytë, ose pacientët që e shikonin si domosdoshmëri marrjen e ilaçeve ishin të detyruar të shpenzonin një variant që nuk mbulohej 100%. 2

Gjithashtu ekziston dhe një anë tjetër e këtij problemi: inventari me tepricë i barnave dhe rimbursimi fiktiv. Sipas një artikulli te Kapitali3, një farmaci deklaron se ka blerë 100 njësi të ilaçit X dhe se ka shitur 80 njësi, për të cilat farmacia ka marrë rimbursimin përkatës nga shteti dhe rrjedhimisht duhet të kishte gjendje në inventar fizikë 20 njësi të tjera, por nga kontrolli i inventarit është konstatuar se gjendja fizike e barit në inventar është shumë më e lartë.

Nga raporti i Together For Life thuhet se në dokumentin e PBA 2022-2024 të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, raportohet që numri i barnave të planifikuara për t’u rimbursuar për vitet 2022-2024 respektivisht do të jetë rreth 605, 615 dhe 625. Në raportin e monitorimit vjetor të buxhetit për vitin 2028 të publikuar nga MSHMS nuk raportohet për numrin faktik të barnave të rimbursuara në 2022 për të bërë të munduar dhe analizën e kostos së planifikuar me atë faktike por vetëm për numër pacientësh që përfitojnë nga rimbursimi.

Por ajo që vihet re është që në dokumentin e rradhës së PBA për vitet 2023-2025 raportohet që numri faktik për 2022 është 1191 barna dhe planifikimi për periudhën afatmesme është 1200, 1210 dhe 1220 . Ndryshimi i planifikimit nga një vit në vitin tjetër me 100% më shumë tregon një inkonsistencë të lartë në planifikim dhe një mungesë të theksuar të transparencës lidhur me mënyrën e shtimit të barnave në listë në mënyrë të shumëfishuar.

Materiali krijon konfuzion pasi nuk del qartë sa është numri barnave në listën e barnave të rimbursueshme dhe si është shtuar numri i barnave me dyfish në fakt nga ato të planifikuara në dokumentin e PBA 2022-2024, duke vënë në pikëpyetje seriozitetin e raportimit të të dhënave nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale dhe FDSKSH.

“Në momentin që lista nuk ka dalë brenda afatit kohor, gjithë sistemi farmaceutik ecën me një hap më të shkurtuar. Kjo sepse lista shoqërohet me ndryshimin e përvitshëm të sistemit të barnave. Për subjektet kjo përkthehet me dëmtim, sepse stoku nuk përkon me çmimin e ri,” shprehet Diana Toma.

Ky lloj sistemi dhe shumë sisteme të tjera “mbahen kaotike në mënyrë, që të mbeten shtigje të hapura për abuzime”, pavarësisht “gjithë shpenzimet e larta dhe tenderat pafund që institucionet publike kanë bërë në fushën dixhitaleKjo është një skemë e mirëfilltë, e cila vjedh miliona euro në vit nga paratë e qytetarëve, por që askush nuk ka vullnetin ta gjurmojë deri në fund.” citon Kapital.

  1. Ky artikull është pjesë e raportit “FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR: A mbulon skema nevojat reale për kujdes shëndetësor?” zhvilluar dhe publikuar nga shoqata Together for Life në kuadër të projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia në Sektorin e Shëndetësisë” mbështetur nga NED – National Endowment for Democracy. Për më tepër: https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2024/03/Raport_A-mbulon-Skema-nevojat-reale-per-kujdes-shendetesor.pdf ↩︎
  2. https://youtu.be/ZXla83_GeuM?si=F2doeTT4V–H1hOU ↩︎
  3. https://www.kapitali.al/rikthehen-rimbursimet-fiktive-te-ilaceve-farmacite-dalin-me-teprica-fizike-barnash-te-rimbursuara/ ↩︎
Read more
en_USEnglish