denonco@transparency.com.al

Transparency International: Prokurimet e sistemit shëndetësor në Shqipëri, rast korrupsioni i nivelit të lartë

Gjatë periudhës 2013-2017, periudhë kur vendi bashkëqeverisje nga Partia Socialiste, që fitoi zgjedhjet e përgjithshme dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) qeveria shqiptare prokuroi katër shërbime kryesore për sistemin shëndetësor publik nëpërmjet partneriteteve privatepublike. Një raport i lëvizjes globale kundër korrupsionit “Transparency International” i ka konsideruar koncesionet në shëndetësi si rast të nivelit të lartë të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi.


Sipas raportit, Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Ilir Beqaj, ka organizuar prokurimin. Shërbimet e prokuruara ishin për: (1) kontrolle shëndetësore për të rriturit nga mosha 40 deri në 65 vjeç, (2) sterilizimi i pajisjeve spitalore, (3) shërbimet laboratorike dhe (4) hemodializa. Kontratat kishin një vlerë totale minimale prej rreth 310 milionë euro dhe secila kontratë ishte e vlefshme për dhjetë vjet. Kontrata e katërt për hemodializën u nënshkrua në mandatin e dytë të qeverisë socialiste, kur Beqaj nuk ishte më ministër i Shëndetësisë, por procesi i tenderit nisi në mandatin e tij.


Ministria e Shëndetësisë shpalli fituesin e kontratës për kryerjen e kontrolleve shëndetësore më 6 tetor 2014. Operatori fitues, 3P Life Logistik, ishte një sipërmarrje e përbashkët ndërmjet Marketing & Distribution, e cila zotëronte 80% të aksioneve të saj dhe Trimed sh.p.k.. Përpara prokurimit, biznesi kryesor i Marketingut & Distribucionit ishte shitja e mallrave të zyrës, ndërsa aktiviteti kryesor i Trimed sh.pk ishte shitja e produkteve farmaceutike. Për të marrë pjesë në prokurim, ato duhej të pajiseshin me licencën për ndërtimin e laboratorëve biokimikë, e cila ishte lëshuar vetëm dy ditë para afatit për dorëzimin e ofertave. Gjithashtu, oferta e tyre ishte më e larta. Ministria vlerësoi se kostoja e prokurimit duhet të jetë proporcionale me numrin e pacientëve dhe do të arrinte në 13.8 miliardë lekë (afërsisht 100 milionë euro). Ndryshe nga deklarata zyrtare, Partia Demokratike e opozitës ngriti kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe pronarëve të operatorit fitues për kryerjen e kontrolleve shëndetësore.


Ministria shpalli fitues të kontratës për sterilizimin e pajisjeve spitalore më 28 shtator 2015. Oferta fituese erdhi nga Servizi Italia Spa, e cila është një bashkim i tre kompanive italiane: Servizi Italia, Tecnosanimed, U.Jet Srl. Megjithatë, kompania me bazë në Kosovë, Investital LLC, zotëron 40% të konsorciumit. Kostoja e deklaruar e kontratës është 9.6 miliardë lekë (afërsisht 68.8 milionë euro). Partia Demokratike e opozitës ka ngritur akuzën se kjo vlerë është 80 herë më e madhe se shpenzimet e mëparshme për sterilizimin e pajisjeve spitalore.

Prokuroria e Krimeve të Rënda hapi zyrtarisht hetimin për katër prokurimet për sistemin shëndetësor në dhjetor 2015. Pas afro një viti e gjysmë, zyra i shpalli hetimet të mbyllura në maj 2017, pa ngritur asnjë akuzë apo aktakuzë. Një grup qytetar i quajtur Nisma ‘Thurje’ paraqiti akuza kundër zyrtarëve publikë në Ministrinë e Shëndetësisë, të përfshirë në kontratën për sterilizimin e pajisjeve spitalore me Prokurorinë e Posaçme të sapokrijuar (SPAK) më 23 dhjetor 2019. Gjithashtu, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer auditime për katër kontratat e shpallura fituese për të përcaktuar meritën e kontratave dhe ekzistencën e ndonjë kostoje të fshehur. Raportet e auditimit japin rekomandime për ndryshimin e kontratave, por nuk shtyjnë për ndonjë procedurë penale. Partia Demokratike e opozitës ka paraqitur edhe akuza në SPAK kundër ministrit të Shëndetësisë dhe të tjerëve për prokurimin që lidhet me kontrollet shëndetësore. Ende nuk ka asnjë akuzë dhe asnjë të akuzuar apo sanksion ndaj koncesioneve në sektorin e shëndetësisë.

Në datë 12 dhjetor 2023, ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj u paraqit në SPAK ku u hetua për 9 orë mbi abuzimet me koncesionin e sterilizimit.

Këto të dhëna janë pjesë e raportit të prodhuar nga Shoqata Together for Life “Analizë e koncesioneve në shëndetësi. Kostoja totale e Buxhetit të Shëndetësisë për mbulimin e pagesave të planifikuara për kontratat koncesionare, 2022” mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy).

Gjetjet e plota të raportit i gjeni në këtë link: https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2022/12/Kostoja-totale-e-Buxhetit-te-Shendetesise-per-mbulimin-e-pagesave-te-planifikuara-per-kontratat-koncesionare.pdf

Read more

9 orë në SPAK: Ilir Beqaj nën hetim për abuzimet me koncesionin e sterilizimit

Ilir Beqaj, ish ministri i Shëndetësisë del nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme pas 9 orësh seancë pyetjesh.

Ish-ministri është paraqitur në SPAK në kuadër të hetimeve për koncesionin e sterilizimit.

Kujtojmë që Prokuroria e Posaçme, SPAK ka zyrtarizuar hetimet ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj me masën e shtrëngimit të paraqitjes në policinë gjyqësore dhe ndalimin e daljes jashtë vendit si person nën hetim për shpërdorim detyre në procedurat e koncesionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Masat e sigurisë për Beqjen u miratuan nga Gjykata e Posaçme më 16 nëntor.

Beqja është urdhëruar të paraqitet çdo të premte në Byronë Kombëtare të Hetimit, të mos largohet nga territori i Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës si dhe i ndalohet përdorimi i pasaportës apo mjeteve të tjera identifikuese për daljen jashtë shtetit.

Ai është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterizilimit, pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

Hetimet 3-vjeçare të kryera nga SPAK kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini.

Burimi: Gazeta Panorama

Read more

“Shkeli hapur ligjin”/ KPP kërkon hetimin e Ministrisë së Shëndetësisë për tenderin 7.4 mln euro të mbetjeve spitalore

Saga 8 mujore e tenderit 7.4 milionë euro për evadimin e mbetjeve nga spitalet publike të vendit ka kulmuar në një skenar të denjë për filmat me mafiozë. Komisioni i Prokurimit Publik i ka propozuar Agjencisë së Prokurimeve Publike që të vërë menjëherë nën hetim Ministrinë e Shëndetësisë për mashtrim dhe veprime në kundërshtim të hapur me ligjin.

“Në kushtet kur autoriteti kontraktues ka ndërmarrë hapa procedurialë haptazi jo në përputhje me legjislacionin për prokurimin publik, Komisioni i Prokurimit Publik vendos t’i propozojë Agjencisë së Prokurimeve nisjen e hetimit administrativ për procedurën,” thuhet në vendimin e KPP.

Tenderi 7.4 milionë euro për evadimin e mbetjeve spitalore u shpall për herë të parë në mars të këtij viti me firmën e ish sekretares së përgjithshme të ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro, e cila më pas u arrestua për rryshfet ne tendera.

Por menjëherë sapo tenderi u shpall në Agjencinë e Prokurimeve, u ankimua në Komisionin e Prokurimeve Publike nga një kompani e quajtur Eco Empire, e cila kërkoi modifikimin e kritereve të tenderit për shkak se ishin abuzive. Nga ai moment ka nisur një kalvar akuzash për korrupsion si dhe përplasjesh mes Komisionit të Prokurimeve dhe ministrisë së Shëndetësisë.

Manastirliu gënjeu 3 herë KPP-në

Komisioni i Prokurimit Publik e gjeti të bazuar ankesën e kompanisë Eco Empire. Përmes një vendimi të datës 30 maj, KPP urdhëroi ministrinë e Shëndetësisë, që brenda 5 ditëve të modifikonte kriteret abuzive të tenderit.

Ministria e Shëndetësisë e pezulloi përkohësisht tenderin. Në datën 6 korrik, përmes një shkrese zyrtare, ministria njoftoi KPP se kishte përgatitur modifikimet përkatëse në dokumentat e tenderit në përputhje me vendimin e tij.

Por pasi Komisioni i Prokurimit kontrolloi dokumentat e reja të tenderit konstatoi se ministria kishte gënjyer.  “Autoriteti kontraktor nëpërmjetë shkresës së mësipërcituar ka dërguar pranë Komisionit Prokurimit Publik shtojcën e modifikuar nga verifikimi i së cilës u konstatua se ky i fundit nuk kishte kryer modifikimet në përputhje të plotë me përcaktimet dhe interpretimet e vendimit të KPP-së,” konstatonte KPP në korrik.

Pasi konstatoi se ministria e Shëndetësisë kishte gënjyer, Komisioni i Prokurimit Publik urdhëroi pezullimin e tenderit deri sa ministria të zbatonte vendimin e tij për modifikimin e dokumentave.

Një muaj më vonë, në 15 gusht, ministria e Shëndetësisë informon sërish KPP-në se kishte zbatuar vendimin e tij të majit për modifikimin e dokumentave duke i vënë në dispozicion edhe shtojcën përkatëse të ndryshimit të kritereve.

Komisioni i Prokurimit konstatoi se shtojca ishte në përputhje me vendimin e tij, por këtë herë ministria e Shëndetësisë kishte bërë një tjetër marifet. Shtojcën e modifikuar nuk e kishte ngarkuar në sistemin e prokurimeve publike.

Pasi konstatoi marifetin e radhës, KPP vendosi të pezullojë sërish tenderin, duke urdhëruar ministrinë e Shëndetësisë që të publikonte në sistem ndryshimin e kritereve.

Në 29 gusht, ministria e Shëndetësisë njoftoi sërish KPP-në se e kishte publikuar shtojcën e ndryshimit të kritereve në sistemin e prokurimeve. Pas këtij njoftimi, KPP e zhbllokoi tenderin. Por sërish ministria kishte bërë një tjetër marifet. Shtoja me kriteret e reja ishte ngarkuar në sistem, por nuk ishte publikuar që ta shikonin kompanitë e interesuara për të marrë pjesë. Tre herë mashtrim.

Akuza të rënda për korrupsion

Ministria e Shëndetësisë e shpalli sërish tenderin në datën 25 shtator. Në këtë kohë Ogerta Manastirliu ishte larguar nga ministria e Shëndetësisë duke u zëvendësuar nga Albana Kociu. Por muzika e tenderit të majmë nuk ndryshoi.

Mënjehërë pas rishpalljes së tenderit, në datën 4 tetor një kompani e quajtur e quajtur V.A.L.E Recycling depozitoi në Komisionin e Prokurimit Publik një ankesë zyrtare me akuza të forta për Ministrinë e Shëndetësisë, që sipas saj ka paracaktuar fituesin e tenderit.

“Studimi i tregut dhe i gjithë dokumentacioni vijues është kryer nga Autoriteti Kontraktor, vetëm me një qëllim, pengimin e konkurencës dhe paracaktimin e subjektit fitues. Siç do të provojmë më poshtë, tashmë fituesi i kësaj procedure prokurimi është paracaktuar dhe zhvillimi i tenderit si i hapur është thjesht fiktiv,” thuhet në ankesën që kompania ka depozituar në KPP.

Kriteri për të cilin, V.A.L.E Recycling akuzonte ministrinë e Shëndetësisë se kishte paracaktuar fituesin ishte ai për kapacitetin e autoklavës, që përmbushej nga vetëm një kompani riciklimi në Shqipëri.

Komisioni i Prokurimit Publik e gjeti të drejtë ankesën e V.A.L.E Recycling dhe i rekomandoi sërish ministrisë së Shëndetësisë të modifikonte kriterin e kapacitetit. Për këtë qëllim brenda ministrisë u ngrit një Komision për Shqyrtimin e Ankesës, i cili mori vendim duke pranuar pjesërisht ankesën. Por vendimi ishte aq evaziv sa që as Komisioni i Prokurimit Publik nuk e kuptonte dot se cilat pjesë të ankesës ishin pranuar dhe cilat jo nga ministria.

Seancë dëgjimore me palët

Për shkak se vendimi i Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave në ministri për ankesën e paraqitur nga V.A.L.E Recycling ishte evaziv, KPP vendosi të zhvillojë një seancë dëgjimore tre palëshe, ku të ballafaqonte ministrinë e Shëndetësisë me kompaninë ankuese.

Pas zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 1 nëntor, Komisioni i Prokurimit konstatoi se ministria ishte evazive dhe e paqartë mbi kriteret që kishte ndryshuar. Për këtë arsye KPP vendosi të anullojë sërish tenderin 7.4 milionë euro, për herë të katërt tashmë.

Por këtë radhë, KPP vendosi që t’i propozojë Agjencisë së Prokurimeve Publike që të nisë hetim administrativ ndaj ministrisë së Shëndetësisë për shkak të kalvarit të gjatë të mashtrimeve dhe veprime antiligjore të kryera nga kjo ministri. 

Burimi: Kapitali.al

Read more

TFL ngre çështjen e fertilizimit in vitro në seancën dëgjimore mbi diskutimin e projekt-buxhetit 2024. Zv. Ministrja Rakacolli: Është një shërbim që është buxhetuar dhe parashikuar të funksionojë brenda këtij viti

Shoqata Together for Life, gjatë seancës dëgjimore të ditës së djeshme mbajtur nga Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në Kuvendin e Shqipërisë, shprehu qëndrimin e saj mbi projekt-buxhetin e vitit 2024, duke parashtruar problematikat dhe propozuar çështje konkrete.

Përfaqësuesja e TFL, Redina Çanaku, duke iu referuar projekt-buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, shprehu shqetësimin e organizatës për buxhetin e parashikuar për sektorin e shëndetësisë i cili ka ardhur në ulje për të tretin vit radhazi. “Pavarësisht rritjes nominale, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, buxheti për sektorin e shëndetësisë rezulton në ulje, theksoi Çanaku. Për të tretin vit rradhazi vërehet një ulje nga 3.5% e PBB në vitin 2022, në 3.1% e PBB në vitin 2023, dhe në 2.8% e PBB për vitin 2024.”

Më shumë se një herë, TFL ka ngritur shqetësimin se, referuar edhe raporteve ndërkombëtare, Shqipëria është e fundit në Rajon për nivelin e buxhetimit të shëndetësisë nga qeveria. Buxhetimi i sektorit të shëndetësisë nën nivelin 3% të PBB është një këmbanë alarmi për shërbimet shëndetësore publike dhe përbën një rrezik të shtuar sidomos për pacientët dhe grupet në nevojë, të cilët mund të privohen nga e drejta për të marrë shërbim cilësor.

Në Raportin monitorues, përgatitur dhe publikuar nga TFL, me mbështetjen e National Endowement for Democracy, “Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2022”, paraqitet një pasqyrë e plotë e problematikës së lindur nga nënfinancimi i sektorit të shëndetësisë.   

Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar, TFL u ndal në një çështje shumë të ndjeshme si ajo e shërbimit të fertilizimit in vitro, i cili vazhdon të jetë një shërbim i munguar në spitalet publike. “As në relacionin e buxhetit për shëndetësinë dhe as në projekt-buxhetin e detajuar për vitin 2024 nuk gjejmë asnjë informacion rreth kostimit ose jo të produktit ‹Çifte që përfitojnë nga paketa e fertilizimit› dhe në cilën pikë ndodhet procesi i përgatitjes së bazës ligjore”, vuri në dukje përfaqësuesja e TFL. Together for Life, për më shumë se gjashtë vite, ka lobuar pranë institucioneve shëndetësore për ngritjen e këtij shërbimi në spitalet publike si një masë që do t’u vinte në ndihmë shumë çifteve të reja.

Deputeti Ilir Pendavinji, nisur nga shqetësimi i ngritur nga TFL, kërkoi nga Zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – Mira Rakacolli, e pranishme në seancë, një informacion të saktë se kur do të fillonte të ofrohej ky shërbim në maternitetin ‘Koço Glozheni”, pasi janë me dhjetra çiftet që e prisnin këtë lajm.

Zv. Ministrja e Shëndetësisë informoi se ky është një shërbim që është buxhetuar dhe do të fillojë të funksionojë së shpejti: “Fertilizimi in vitro është një shërbim që është i parashikuar në buxhetin e spitaleve dhe është parashikuar të funksionojë krejtësisht brenda këtij viti”.

Nga ana tjetër, lidhur me numrin e çifteve që do të përfitojnë, ajo u shpreh se: “Komisionet profesioniste që janë krijuar pranë spitaleve universitare obstetrikë-gjinekologjike kanë përcaktuar kriteret që duhet të ketë një çift për të kryer fertilizimin in vitro.  Procedura e detajuar se si do të ndodhë ky proces, është duke u punuar. Jemi në fazën ku infrastruktura është ndërtuar, janë instaluar pajisjet dhe blerë medikamentet që duhen, si edhe po vijohet me hartimin e procedures konkrete se si do të realizohet.

TFL do të ndjekë nga afër realizimin e këtij angazhimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe do të vazhdojë të këmbëngulë që ky shërbim të ofrohet sa më shpejt dhe për një numër sa më të madh çiftesh.

Videon e plotë të seancës dëgjimore, mund ta shikoni në link-un:

https://www.facebook.com/100076188047891/posts/pfbid022L91mvgecbuY6Cahz33T9TCsequzbyL7eY14obEapXVULCs3yuhSYo5wbtRBwL3jl/?app=fbl

Për më tepër, ju ftojmë të lexoni raportin monitorues: togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2023/06/Monitorimi-i-shpenzimeve-te-sektorit-te-shendetesise-dhe-mbrojtjes-sociale-per-vitin-2022.pdf?fbclid=IwAR0eRKVxd5cxFI6Y7IL8tFdfHMxkslUdaAEHZuwURKqCw0lUVurf_L0vMlY

Read more

“Vështirë të gjesh ilaçe. Në Shqipëri ekzistojnë vetëm 2 ilaçe për sëmundjen tonë dhe ato kushtojnë jashtëzakonisht shumë”

Në workshop-in “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, organizuar nga shoqata Together For Life (TFL) dhe mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), u theksua mungesa e informimit dhe e investimit nga ana qytetare ne proceset konsultuese. Kjo problematikë krijon më pas një sërë problemesh të tjera, zinxhir, të cilat dekurajojnë dhe përkeqësojnë situatën e përfshirjes dhe angazhimit qytetar dhe nga ana tjetër kontribuojnë në abuzimin dhe degradimin e mëtejshëm të sistemit shëndetësor (dhe jo vetëm) nga ana e shtetit.

Elida Jata nga Qendra ALTRI u shpreh: “Mungesa e investimit në mënyrë të theksuar nga ana qytetare për të qenë pjesë e proceseve konsultuese. Po ashtu aq e rëndësishme është edukimi i qytetarëve për të kuptuar buxhetin e Bashkisë, pasi kemi pare shpesh që qytetarët i kërkojnë bashkisë gjëra tepër vizionare për buxhetin ose gjëra që nuk janë në kompetencë të drejtpërdrejt me bashkinë. Pra, këtu është problem i informimit dhe edukimit të qytetarëve për prioritetet dhe pretendimet e tyre.”

Gjatë diksutimit u vu re se ky problem nuk fillon dhe mbyllet vetëm me detyrat dhe përgjegjesitë tona si qytetarë, por ndikon dhe në horizontin dhe mentalitetin e qasjes sonë ndaj grupeve të margjinalizuara dhe grupeve vulnerabël dhe problemeve që ato kanë në shoqëri, dhe po ashtu kauzave që ato luftojnë. Pra, ky është efekti zinxhir i përmendur më sipër.

E tillë është stigma e mospraninmit të sëmundjeve të caktuara, gjë që u shpreh nga dy përfaqësusese të organizatës Jeto Përsëri që fokusohet në pacientët me sklerozë multiple: “Pacienti nuk pranohet psikologjikisht nga familja. Problemi fillon këtu dhe pastaj vazhdon me komunitetin e më pas me statusin aktiv në punë. Mosha e njerëzve që preken nga kjo sëmundje ështe 20 – 40 vjeç dhe nuk ka asnjë lloj kushti për t’i trajtuar. Për më tepër, nuk pranohen nga shoqëria dhe është vështirë të gjesh ilaçe. Nëse në Shqipëri ekzistojnë 2 ilaçe, në rajon janë 4-5 ilaçe të ndryshme. Fokusi ynë është të sensibilizojmë shoqërinë dhe ndikojmë në rritjen e numrit të ilaçeve të cilat kushtojnë jashtëzakonisht shumë.

Read more

Elona Hasko: Duhet të bëjmë rrjetizimin dhe specializimin më të mirë të shoqërisë civile

Gjatë workshop-it “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, organizuar nga shoqata Together For Life (TFL) dhe mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), pjesëmarrësit shprehën pakënaqesinë rreth paragjykimeve që hasin dhe rreth mungesës së komunikimit nga ana e shtetit, duke shpërfillur kështu pozitën dhe detyrën e shoqërisë civile dhe duke i lënë ata të përjashtuar në procese të cila duhet të marrin pjesë. Pikërisht mbi këtë kontekst, specialistja për autizmin Elona Hasko, përmendi rëndësinë e rrjetizimit dhe specializimit më të mirë të shoqërisë civile mbi çështje specifike.

“Fëmijët me autizëm janë me aftësi të veçanta, por jo të kufizuara. Është shumë e rëndësishme për shoqërinë civile që të fillojë të profilizohet. Kur bëhen tryeza speciale për arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, bëhen me qëllim që të njohim njerëzit dhe ekspertët. Si mund të rrisim ne numrin e mësuesve të profilizuar për të dhënë mësim fëmijëve autik? Bashkia e Tiranës ka Open Data ku nxjerr çdo vit numrin e fëmijëve me nevoja të veçanta, të specifikuara, por këta janë fëmijë të rregjistruar si të tillë. Kjo ndodh pasi familja mund të mos e pranojë që fëmija ka një problem të caktuar, por duke u nisur nga mbrojtja dhe siguria e fëmijës, duhet shënuar në statistika situata e tij.

Në këtë mënyrë neve mund të parashikojmë sa mund të jenë me nevoja të veçanta. ”

Por, një tjetër problem që vihet re është dhe mungesa e një infrastruktureje të mirëfilltë, të specializuar për një grup të caktuar. Përsa i përket fëmijëve me autizëm, Elona Hasku, shprehu se Shqipëria në krahasim me Europën dhe Amerikën është lider ne ofrimin e mësuesve në edukimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Kjo është ndihmuar dhe nga lobimi i shoqërisë civile, i familjes, i medias. Në Europë nuk mund të shkosh në çdo shkollë edhe të të ofrohet mësuesi ndihmës, por vetëm në shkolla të veçanta, të dedikuara. Në Shqipëri shërbimi është më i mirë, mësuesi është i trajnuar dhe nuk ndëpritet në momentin që përfundon shkolla 9-vjeçare. Një nga direktivat që ne ia kemi paraqitur Ministrisë së Arsimit është krijimi i shkollave të profilizuara. Kjo është një gjë që duhet bërë duke u bazuar dhe në kapacitetet e qyteteve.”

Read more

Ersilda Teliti: Doktorët detyrohen të pranojnë marrëveshjen nga urdhri edhe nëse shërbimet nuk janë cilësore

Në workshop-in “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, organizuar nga shoqata Together For Life (TFL) dhe mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), u diskutua për sfidat, problematikat dhe mungesat në sistemin shëndetësor shqiptar dhe rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile në këtë sistem.

Gjatë diskutimit, përfaqësues të organizatave civile shprehën dëshirën dhe interesin e tyre në sensibilizimin e popullatës në çështjet sociale. Pjesëmarrësit vlerësuan workshop-in dhe takime të tilla pasi janë mundësira të vlefshme për bashkëpunim mes njëri – tjetrit.

Një nga problemet që u përmend shpesh nga të gjithë përfaqësuesit e organizatave ishte mungesa e informimit të qytetarëve dhe në shumë raste mbi çështje që i prekin ata drejtpërdrejt.

Mbi këtë problematikë, Ersilda Teliti nga Qëndra Konsumatori Shqiptar u shpreh:

“Mungesa e informacionit ka bërë që doktorët të pranojnë marrëveshjen nga urdhri duke i bërë dëm qytetarit, në çdo rast, edhe kur mjekimi është i pakujdesshëm dhe jo cilësor. Nëse qytetari kërkon direkt dëmshpërblim – biologjik, shëndetësor dhe moral – kjo do t’i kompesonte deri diku dëmin që ka pësuar. Po ju jap një rast personal: Në farmaci morra disa vitamina amerikane të cilat m’u rekomanduan nga farmacia. Vura re që fillova të kisha probleme me shëndetin. Pasi morra informacion rezultoi që rrjeti i farmacive ishte nga një person shumë i famshëm në Shqipëri, siç ndodh gjithmonë. Mesazhi nga kolegët e mi ishte të mos merresha me rrugë gjyqësore por unë e vazhdova deri diku luftën. Trupi im pati probleme nga përdorimi i këtyre vitaminave pasi ato duhet të kishin një përbërës që nuk funksionon mirë me shëndetin.”

Përsa i përket tenderave që nënshkruhen, që është një nga problemet që citohen dhe më sipër, një nga pjesëmarrësit u shpreh se organizata ku punonte merrej pikërisht me aspektin e llogaridhënies dhe transparencës të tenderave që miratohen dhe më pas zbatohen.  “Organizata që unë përfaqësoj ka përdorur një metodë që quhet ‘Redflag Procedure’, i cili është një lloj procesi prokurimi ku nxirren në pah politika dhe vendime që janë në kundërshtim me ligjin. Organizata jonë ka dhënë shumë transparencë sepse është e mirëorganizuar në sektorin e shëndetësisë. Nëpërmjet kësaj metode ngrihet zëri qytetar ne media dhe njëkohësisht zëri qytetar është i mirëinformuar. Dhe kjo metodë ka funksionuar.”

Read more

KLSH: Kontrata problematike e PPP së laboratorit po rrezikon jetën e pacientëve

“Përcaktimi i tavaneve vjetore buxhetore po kufizon kryerjen e analizave laboratorike për secilin spital, të sanksionuar në kontratën koncesionare të laboratorëve, duke rrezikuar ofrimin e analizave laboratorike, në masën e duhur, sipas nevojave spitalore dhe duke sjellë për pasojë drejtimin e pacientëve në marrjen e këtij shërbimi tek subjektet private, me kosto për qytetarët, si dhe përkeqësim të shëndetit nga moskryerja në kohë e analizave përkatëse”, evidentoi Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditin që ushtroi në Fondin e Sigurimit të detyrueshëm Shëndetësor për vitin 2022

Nga auditimi i Kontratës koncesionare/PPP “Shërbimi laboratorik” ofrimi i këtij shërbimi është i kufizuar, nga kushtet e kontratës pika 22.4 “Tavanet e buxhetit”.

“Tavanet e buxhetit”, sipas të cilit koncesionari nuk mund të tejkalojë fondin e miratuar për spitalet në zërin “Laboratorët”, për rrjedhojë rastet shtesë duhet të transferohen në një listë pritje me përparësi, duke filluar nga periudha tjetër buxhetore e spitalit referues.

Nga auditimi është evidentuar se 11 nga 19 spitale (QSU, SU “Shefqet Ndroqi”, SU “Trauma”, spitalet Elbasan, Fier, Korçë, Sarandë etj.) kanë një nivel të realizimit të shërbimit laboratorik në masën 97-100 %, kundrejt planit.

Në këto spitale ofrimi i shërbimit laboratorik ka pasur kufizim respektimin e tavaneve buxhetore dhe ka rrezikuar të bëhet pengesë për ofrimin e analizave laboratorike, në masën e duhur, sipas nevojave spitalore, duke sjellë për pasojë drejtimin e pacientëve drejtë laboratorëve privatë, me kosto për qytetarët, si dhe përkeqësim të shëndetit nga moskryerja në kohë e analizave përkatëse.

Ofrimi i këtij shërbimi sipas kërkesës, është i kufizuar, nga kushtet e kontratës ku cilësohet se, “Në çdo periudhë të caktuar buxhetore, koncesionari do të njoftojë drejtorin e spitalit referues, duke vënë në dijeni dhe përfaqësuesin e FSDKSH, brenda dy ditëve kur tarifat e shërbimeve të pagueshme për numrin e përgjithshëm të analizave të kryera nga koncesionari për çdo spital referues tejkalojnë 50%; 75% dhe 100%, përkatësisht të tavanit buxhetor të zbatueshëm për atë spital”.

Kur në një periudhë të vetme buxhetore, tarifat e shërbimit të pagueshme për numrin e përgjithshëm të analizave të kryera nga kocesionari, për çdo spital referues, arrijnë 75 % të tavanit të buxhetit dhe koncesionari e ka njoftuar drejtorin e spitali referues në përputhje me kontratën. Drejtori i spitalit referues brenda 3 ditëve, informon me shkrim koncesionarin duke vënë dijeni autoritetin dhe FSDKSH në lidhje me vendimin e tij për të:

  1. vazhduar me marrjen e shërbimeve mjekësore, për të gjithë pacientët e referuar deri sa të arrihet 100% i tavanit buxhetor (alternativa A)
  2. vazhduar me marrjen e shërbimeve mjekësore vetëm për analizat urgjente deri sa të arrihet 100% i tavanit buxhetor.

Koncesionari ka detyrim të ofrojë analiza urgjente, pa pagesë spitalit referues, brenda një vëllimi të lejuar që mbulon 5 % të vëllimit të analizave urgjente, të kryera për spitalin referues, deri në përmbushjen e tavanit buxhetor.

Nga sa më sipër, rezulton se kufizimet në kryerjen e analizave laboratorike janë të lidhura me tavanin buxhetor të secilit spital dhe janë të sanksionuara në kontratën koncesionare të laboratorëve me pasoja negative në shëndetin e popullatës.

Kontrata e laboratorëve parashikon pagesën e nivelit të shërbimit nga ana e spitaleve publike për një periudhë 10 vjeçare, ku tavani buxhetor sipas pikës 1.1 të kontratës nënkupton “Shumën maksimale totale të tarifës së shërbimit të pagueshme nga një spital referues për koncesionarin në një periudhë buxhetore gjatë afatit, e cila përfaqëson tavanin buxhetor vjetor për një spital referues në 12 periudha buxhetore (muaj)”.

Ndërsa në shtojcën 12 të kontratës është përcaktuar se: “Spitali referues angazhohet për përmbushjen e çdo detyrimi që i ngarkohet nga kontrata, por pa kufizim pagesën e tarifave të shërbimit të koncesionarit gjatë afatit të kontratës”. Referuar të dhënave mbi shpenzimet e kryera në vitin 2020 dhe 2021, në shumat respektive 1,103,199 mijë lekë dhe 1,612,914 mijë lekë, si dhe ecurisë së planifikimit afatmesëm të buxhetit për financimin e këtij shërbimi rezulton se, vlera e tij do shkojë më tepër se parashikimi, duke kërkuar çdo vit më shumë angazhim fondesh buxhetore, analizon KLSH-ja.

KLSH shprehet se edhe përcaktimi i tavaneve vjetore buxhetore, për disiplinimin e shpenzimeve, nuk ka arritur të jetë në nivelin e parashikuar, shtuar këtu dhe faktin që ky kufizim ka të bëjë drejtpërsëdrejti me plotësimin e nevojave të pacientëve në kohën e duhur.

Gjatë vitit 2022, plani fillestar për PPP-Laboratorë është në shumën 1,574, mijë lekë, si dhe është shtuar gjatë vitit Plani përfundimtar rezulton në shumën 1,639 mijë lekë për 2022.

Koncesioni laboratorik i spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës u firmos në mbledhjen e 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri në fuqi në dhjetor të vitit 2019.

Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë, ose rreth 106 milionë euro, dhe afati i saj përfundon në vitin 2028. Por pagesat për këtë koncesion janë rritur vit pas viti. Nga 1.1 miliardë lekë që u paguan nga buxheti në 2021, shuma u rrit në 1.6 miliardë lekë në 2022 dhe pritet të arrijë në 1.8 miliardë lekë në 2023, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.

Ndërsa në 2024-n në projektbuxhet janë parashikuar 1.85 miliardë lekë. Pagesat çdo vit u rritën për shkak të shtimit të numrit të analizave në raport me parashikimet e kontratës.

Burimi: Ministria e Financave

Burimi: “Revista Monitor” https://www.monitor.al/klsh-kontrata-problematike-e-ppp-se-laboratorit-po-rrezikon-jeten-e-pacienteve/?fbclid=IwAR3l4LgzqTjgfTTJBHdx-I7mJf5WHlfoTnVp2ShFvRfSHliE2yMRkfWyRiY_aem_AXXanFFRtomKlbx7B68ac7kkrlIEvFhkVDXhZl330ys3PT4CxImx8lfSfV3jIq2D1cc&mibextid=cr9u03

Read more

Miliarda lekë për koncesionet që janë shpallur afera korruptive me vendim gjykate

Edhe pse norma e koncesioneve të vendosura nën hetim, që kanë rezultuar afera korruptive është 100 për qind, qeveria do të vazhdojë të pompojë miliardë lekë të taksapaguesve për kompanitë koncesionare edhe gjatë vitit të ardhshë. Sipas relacionit të projektbuxhetit 2024, qeveria do të paguajë 14.3 miliardë lekë ose 135 milionë euro për kontratat koncesionare gjatë vitit që vjen.

“Për vitin 2024, pagesat vjetore neto që parashikohet të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare/PPP, kapin vlerën rreth 14.3 miliardë lekë,” thuhet në relacionin e projektbuxhetit 2024.

Të dhënat tregojnë se krahasuar me vitin korrent, pagesat për koncesionet do të rriten me 1.2 miliardë lekë ose 10 milionë euro për vitin e ardhshëm. Në krye të listës, si koncesioni që do të marrë më shumë para nga buxheti qëndron rruga e Arbrit.

Për vitin e ardhshëm qeveria do të paguajë 3.5 miliardë lekë për kompaninë koncesionare Gjoka Konstruksion, e cila ndërtoi rrugën që lidh Tiranën me Dibrën me fondet e veta. Krahasuar me këtë vit, pagesa për koncesionin e rrugës së Arbrit rritet me 25 për qind ose 700 milionë lekë më shumë.

Në vendin e dytë, renditet një tjetër koncesion i shumëpërfolur. Bëhet fjalë për kontratën koncesionare të laboratorëve. Për vitin 2024, qeveria do të paguajë 1.85 miliardë lekë për bashkimin e kompanive koncesionare të shërbimit laboratorik, që kryesohet nga Labopharma e Janis Karathanos.

Më poshtë në vendin e tretë renditet një tjetër kontratë e shpallur si aferë korruptive me vendim gjykatë. Bëhet fjalë për koncesionin e sterilizimit, i cili vitin e ardhshëm do të paguhet plotë 1.76 miliardë lekë ose rreth 16.7 milionë euro. Për këtë koncesion ka tashmë zyrtarë të arrestuar, ndërkohë që është nën hetim edhe ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja.

Në vendin e katërt dhe të pestë renditen koncesioni i skanimit në dogana dhe ai i inceneratorit të Tiranës, të cilat do të marrin respektivisht nga 1.67 miliardë dhe 1.27 miliardë lekë. I pari është dhënë nga ish qeveria e Partisë Demokratike, ndërsa koncesioni i dytë i dhënë nga socialistët është shpallur zyrtarisht si një aferë korruptive me vendim gjykate.   

Burimi: https://www.kapitali.al/biznesi-vazhdon-miliarda-leke-per-koncesionet-qe-jane-shpallur-afera-korruptive-me-vendim-gjykate/?fbclid=IwAR0BNir1EqULLjr2aQrEqOZwrg95nZx8WTq64YtCxHTRJOkmCm5SBlDpREU_aem_AfJzEAAx08Dr5LI9vI8cyCXyY3UsrX0JVw_1JroWBYgwaT-a8dh8aCXNvZNZIrSoWDk&mibextid=cr9u03

Read more

Rama dhe Manastirliu spekuluan me ‘studimin e ISHP’ për sterilizimin

Shëndetësia shqiptare lëngon nga eksodi i pandalshëm i mjekëve

Pas akuzave të ngritura nga SPAK, Rama dhe Manastirliu e morën në mbrojtje koncesionin e sterilizimit me argumentin se kishte ulur ditët e qëndrimit të pacientëve në spital sipas një studimi – që ISHP thotë se nuk vlerëson zbatimin e kontratës në fjalë.

Vetëm pak ditë pas arrestimeve të SPAK për kontratën e partneritetit publik privat të sterilizimit, kryeministri Edi Rama dhe ministrja në atë kohë e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shfaqën në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë për ta quajtur atë ‘një sukses’.

Në korridorin e spitalit ishin ekspozuar disa mjete të vjetra dhe të ndryshkura kirurgjikale, ndërsa kamerat kujdeseshin të fiksonin kontrastin me aparaturat e reja të sterilizimit.

“…vetëm ulja e ditëve pas operacionit të qëndrimit në spital ka sjellë një përfitueshmëri financiare që është më e lartë sesa gjithë shpenzimi në total që është bërë për këtë proces,” tha Rama nga spitali “Shefqet Ndroqi”.

I njëjti mesazh u përforcua edhe nga Manastirliu, e cila iu referua një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, ISHP, për efikasitetin e investimeve në shërbimet kirurgjikale.

“ISHP këtë vit ka bërë një studim mbi efikasitetin dhe eficensën e gjithë investimeve në shërbimet kirurgjikale dhe ka shqyrtuar një nga investimet më të mëdha që është shërbimi i integruar i instrumenteve dhe sterilizimit dhe çfarë ka nxjerr është kjo: Ky investim ka reduktuar me 20 për qind përdorimin e antibiotikëve, e dyta ka ulur ditët e qëndrimit, dhe nga 2014 deri tani është ulur me 2.3 ditë qëndrimi…,” tha Manastirliu.

Por ndryshe nga mesazhet e Ramës dhe Manastirliut, ISHP i tha BIRN se nuk kishte kryer një vlerësim mbi zbatimin e kontratës së sterilizimit.

ISHP tha se kishte kryer studimin me titull “Vlerësimi i ecurisë së infeksioneve të lidhura me kujdesin shëndetësor postkirurgjikal, pas ndërhyrjeve efektive në sistemin shëndetësor”, por nuk e vuri atë në dispozicion të BIRN.

“Ky studim i kryer nuk ka qenë posaçërisht për të vlerësuar zbatimin e kontratës së cilës ju i referoheni,” tha drejtoresha e ISHP, Eugena Tomini në një përgjigje për BIRN.

Koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është kontrata më e shtrenjtë e partneritetit publik privat e qeverisë ‘Rama’ në sektorin e shëndetësisë, e cila u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 76 milionë euro deri në fund të vitit 2022.

Sipas hetimit të Prokurorisë së Posaçme, koncesioni është dhënë në kushtet e konfliktit të interesit, shpërdorimit të detyrës dhe manipulimit të studimit të fizibilitetit. Ish.zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj ndodhen prej dy muajsh në qeli për këtë kontratë, ndërsa hetime po kryhen edhe për ish-ministrat Ilir Beqaj dhe Shkëlqim Cani.

Ndërsa koncesioni i sterilizimit u bë pis nga akuzat e ngritura nga SPAK, zyrtarët më të lartë të qeverisë e devijuan debatin publik te përfitimi që kishte pasur sektori shëndetësor – veçanërisht me uljen e ditëve të qëndrimit të pacientëve në spital.

Për të verifikuar këto pretendime, BIRN i kërkoi ISHP-së studimin në fjalë dhe mori dhjetra faqe monitorimesh në spitale të ndryshme të vendit ndër vite për nivelin e infeksioneve spitalore, por asnjë studim krahasues për ndikimin e investimeve dhe aq më pak të kontratës koncesionare të sterilizimit.

Ndërsa të dhënat mbi reduktimin e infeksioneve të plagëve operatore kanë dalë sipas ISHP-së nga monitorimet rutinë dhe nuk kanë lidhje “me vlerësimin apo një studim të mirëfilltë”.

Sipas ISHP-së, ulja e infeksioneve spitalore ndodh për shkak të disa faktorëve ndikues si; infrastruktura spitalore, sterilizimi dhe dezinfektimi i mjeteve kirurgjikale, kushtet e punës, mjetet mbrojtëse personale, pajisja me aparatura mjekësore, mjekimi adekuat, sistemi i aspirimit, etj..

Në përgjigjen e Tominit pranohet se studimet krahasuese për vitet 2013-2023 tregojnë se ndotja mikrobike është ulur, -“pasi janë ndërmarrë një sërë hapash për parandalimin”.

Por, ky institucion nuk qe në gjendje të jepte një përgjigje se sa ka ndikuar faktori “sterilizim” në përmirësimin e situatës.

Kryeministri Rama nuk iu përgjigj kërkesës për koment se në çfarë të dhënash e kishte bazuar qëndrimin e tij, ndërsa Manastirliu, e cila mban detyrën e ministres së Arsimit dhe Sportit që nga shtatori, mohoi që t’i jetë referuar një studimi të posaçëm të ISHP-së në fjalën e saj.

“U jam referuar një serie treguesish, që janë pjesë e disa raporteve vlerësuese apo hulumtimeve të kryera në seri kohore si dhe të dhëna të institucioneve shëndetësore dhe ekspertëve vendas dhe të huaj dhe jam bazuar në këto referenca,” tha ajo nëpërmjet një zëdhënëseje për BIRN.

Studimi i fundit i ISHP-së, që nxjerr përfundime për nivelin e ndikimit të sterilizimit në përhapjen e infeksioneve spitalore i përket periudhës 2010-2013, ku setet kirurgjikale dhe reanimuese kanë rreth 23 për qind të peshës për infeksionet.

Burimi: Reporter.al

Read more
en_USEnglish