denonco@transparency.com.al

Aparatura e rrezeve e prishur prej disa muajsh te Onkologjiku në QSUT. Si po rrezikojnë pacientët

Përveç këtij rasti, mjekët e këtij reparti i thanë gazetarëve të Fiks Fare se janë rreth 400 pacientë me kancer lëkurë që rrezikojnë jetën, si pasojë e mos funksionimit të një aparature e Radioterapisë. Në redaksinë e emisionit Fiks Fare kanë mbërritur dy denoncime, ku këta pacientë kërkojnë ndihmë! Ata duhet të bëjnë trajtimin me rreze pranë pavijonit të Radioterapisë te Onkologjiku. Por, si pasojë e prishjes së aparaturës “Orthovoltazh, njëri pacient rrezikun të humbasë jetën dhe tjetri veshin.

Sipas protokollit dhe rekomandimeve të mjekëve, pacientët duhet të kryejnë rreze për 1 muaj me radhë pa ndërprerje. Fillimisht, pacientët kryejnë trajtimin me azot dhe më pas i nënshtrohen rrezeve. Megjithatë, këtë shërbim nuk e kanë marrë dot, pasi aparatura është prishur në fund të vitit 2022.

“Përshëndetje Fiksi Fare! Ju shkruaj për një problem me shërbimin e radioterapisë në QSUT, te Onkologjiku. Që në 1 nëntor 2022 nuk funksionon pajisja që kryen rrezet në sipërfaqe të lëkurës. Kemi 7 muaj në pritje. Gjendja është përkeqësuar edhe më shumë sepse u ndërpre mjekimi” ishte denoncimi i parë.

Ndërkohë, disa ditë më vonë, na vjen sërish një ankesë e njëjtë; “Përshëndetje! Dua të bëj një ankesë për te Onkologjiku. Babi filloi rrezen, bëri 5 ditë dhe pastaj i thanë është prishur aparatura. Kaluan 8 muaj dhe asnjë përgjigje, plaga sa vjen dhe bëhet më e madhe dhe shqetësimet e një pas njëshme. Kemi pyetur dhe gjithmonë na thonë që nuk është rregulluar”.

Denoncuesi i parë i shkruan Fiksit se ka pasur komunikim të vazhdueshëm me informacionin e këtij reparti. Madje, vetë punonjësit e Onkologjikut i kanë dërguar disa mesazhe se “aparatura nuk është rregulluar”, edhe pse kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga nisja e trajtimeve. Pas ankesave, gazetarët e “Fiks Fare” iu drejtuan Shërbimit të Radioterapisë te Onkologjiku.

Punonjësit e Radioterapisë pranuan se aparatura nuk është rregulluar ende. Madje, do të duhen edhe 6 muaj që të instalohet. Por koha nuk është në favorin e pacientëve, të cilët rrezikojnë edhe jetën! Onkologjiku i drejtoi pacientët sërish Ambulanca e Specialiteteve. Fiksi shkon te Ambulanca e Specialiteteve, ku takoi një mjeke onkologë.

Mjekja e Ambulancës së Specialiteteve nuk ka dijeni për rimbursimin apo edhe kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale. Sipas saj, duhet të merren mjekët e Onkologjikut. Pacientët duhet të shkojnë sërish te QSUT për të vijuar me mjekimin. Dhe, nga të gjitha këto sorollatje, ata rrezikojnë të humbasin jetën!

Gazetarët e Fiks Fare iu drejtuan sërish QSUT-së, ku biseduan me mjekun e radioterapisë që trajtoi pacienten me kancer lëkurë, që rrezikon veshin. Mjeku pranoi se, nëse pacientja do të kishte kryer terapinë me rreze, do të kishte zhdukur kancerin dhe gjendja e veshit do të ishte e mirë. Por, ai tha se pacientja duhet ti nënshtrohet operacionit për heqjen e veshit, pasi plaga është përkeqësuar. Mjeku tha se, nga mosfunksionimi i aparaturës “Orthovoltazh”, 400 pacientë nuk kanë zgjidhje tjetër përveç kirurgjisë.

Pas kësaj deklarate, familjarët iu drejtuan me një kërkesë zyrtare pranë Drejtorisë së QSUT-së. Disa ditë më pas, Spitali pohon se: “Aparati i ‘Orthovoltazhit’ që trajton kancerin e lëkurës, është instaluar në vitin 2002 dhe gjatë fundit të vitit 2022 ka pësuar një defekt të rëndë, i cili ka qenë i pamundur të riparohej, për shkak të mungesës së pjesëve të këmbimit. Pranë QSUT ka mbërritur së fundmi një pajisje e re, e cila është e një teknologjie më të avancuar, me anë të së cilët do të kryhet trajtimi i kancerit të lëkurës. Aktualisht po punohet për krijimin e një ambienti të përshtatshëm për instalimin e tij duke kryer më parë të gjitha procedurat dhe duke marrë masat e nevojshme për mbrojtjen nga rrezatimi i këtij ambienti”.

QSUT e pranon se aparati nuk punon. Por, në këtë shkresë, nuk i jep zgjidhje të paktën 400 pacientëve që vuajnë nga kanceri i lëkurës dhe që marrin shërbim te Onkologjiku. Për pasojë, shumë prej këtyre pacientëve, rrezikojnë jetën.

Read more

Dita e infermierëve/ 16 000 infermierë janë larguar nga Shqipëria në 3 vitet e fundit

16 000 infermierë janë larguar nga Shqipëria në 3 vitet e fundit.

Kryetari i shoqatës së infermierëve Elson Jaçaj thotë se kryesisht kanë zgjedhur gjermaninë dhe Italinë për të punuar.

“Realisht ka qenë vetëm fasada e jashtme ajo që ka ndryshuar nëpër spitale. Por realiteti i brendshëm, i vështirësive që kanë në vendet e punës së tyre vazhdon të jetë i njëjti. Po të shikojmë pas në kohë, kemi që në periudhën e pandemisë e deri më sot mund të jenë larguar mbi 16 mijë infermierë, pasi koha e pandemisë u shfrytëzua nga të gjithë duke ndjekur kurset e gjuhës së huaj online, të cilët në momentin që u hapën të gjitha rruëgt ishin të gatshëm për t’u larguar nga Shqipëria”, shprehet Jaçaj.

Mes të larguarvve nuk mungojnë ata që kanë shumë vite eksperiencë, tha infermieri Erald Çoçka

“E vetmja gjë që mund të shtoj është që na vjen keq që po ikin dhe infermierët me eksperiencë. Këtë gjë po që mund ta them që infermierët me mbi 10 vite eksperiencë ndonjëherë zgjedhin që të largohen dhe kjo nuk është gjë e mirë”, thotë ai.

Ndërsa për Studim Hysën, sigurimi i kushteve të punës është shumë i rëndësishëm për t’i mbajtur ata në Shqipëri.

“Për të qenë një infermier sa më i vlerësuar në vendin e tij duhet që t’i ofrohen sa më shumë kushte që janë bazike në punën e infermierit”, shprehet ai.

Klaudia Hajdari është studente e vitit të parë në infermieri dhe thotë se ende nuk është e sigurt se ku do të punoj pasi të mbaroj studimet.

“S’e kam vendosur, por tani për tani këtu do qëndroj”, thotë ajo.

Në sheshin “Skënderbej”, në kuadër të ditës botërore të inermierëve u ofruan falas disa shërbime për qytetarët, të cialët pranojën se nuk janë të kujdesshëm sa duhet për shëndetin e tyre…

Në ditën kushtuar infermierëve në të gjithë botën synohet ndër të tjera edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për t’u kujdesur për shëndetin.

Read more

Mungesa e barnave cilësore nxit kontrabandën në tregun farmaceutik shqiptar

Nga Rudina Muça

Ndërsa tregu farmaceutik shqiptar po dominohet gjithnjë e më shumë nga medikamente xhenerike të prodhuara në Turqi, mjekët, pacientët dhe farmacistët po e gjejnë gjithnjë e më shumë zgjidhjen te kontrabanda nga vendet e BE-së për të kuruar sëmundjet.

Elisabeta nuk di të thotë me siguri se sa herë i është dashur të blejë citostatikë jashtë QSUT-së për djalin e diagnostikuar me një sëmundje të rëndë të gjakut, por ajo e mban mend mirë ankthin për t’i siguruar me çdo kusht ato.

Gruaja tregon se medikamentet ia rekomandonte mjeku në copa letrash, pa firmë dhe vulë, ndërsa ajo nxitonte drejt farmacive private rreth e qark spitalit për t’i blerë.

“E dinim që vinin kontrabandë, por për ne ishin shpëtim i madh. Nuk i mendonim rrisqet, mbase mjekët i dinin por nuk thelloheshin me ne për këto biseda,” kujton ajo pa pranuar të thotë emrin e plotë.

Buxheti i kufizuar apo procedurat e dështuara të tenderimit kanë bërë në shumë raste që institucionet shëndetësore të mos përmbushin detyrimin për sigurimin e medikamenteve të domosdoshme për pacientët – veçanërisht në rastin e diagnozave të rënda si tumoret.

Por spitalet nuk janë të vetmit që përballen me mungesë medikamentesh.

Një vëzhgim i kryer në rrjetin e hapur të farmacive në Tiranë tregon se një numër i konsiderueshëm i barnave për kurimin e sëmundjeve kryesore mungojnë prej muajsh, ndërsa mjekët vazhdojnë t’i përshkruajnë ato në recetat e tyre dhe pacientët përpiqen t’i sigurojnë ku të munden.

Furnizimi i parregullt me barna i faturohen largimit nga tregu shqiptar të disa kompanive ndërkombëtare si pasojë e reformës së vitit 2014, që synonte uljen e kostove spitalore dhe rritjen e numrit të përfituesve përmes zëvendësimit të emrave tregtarë me barna xhenerikë.

Megjithatë, mungesa e barnave cilësore duket se ka sjellë një lulëzim të kontrabandës së ilaçeve në vend.

Diana Toma, presidente e Urdhrit të Farmacistëve thotë se tregut shqiptar i mungojnë medikamentet cilësore dhe në këto kushte, mjekët farmacistët dhe pacientët po e gjejnë gjithnjë e më shumë zgjidhjen te kontrabanda.

“Përballë kësaj mungese barnash, qytetarët i besojnë më shumë kontrabandës se sa medikamenteve të tjera alternative,” tha Toma.

Turqia dominon tregun

https://infogram.com/ilacet-1hdw2jp7n0p0p2l

Tregu farmaceutik në Shqipëri ka pësuar rritje progresive përgjatë viteve të fundit, duke arritur të qarkullojë medikamente të importuara në vlerën e 242 milionë eurove në vitin 2022, pa llogaritur ilaçet e prodhuara nga kompania vendase Profarma.

Vlera më e lartë e ilaçeve të importuara arriti gjatë periudhës së pandemisë në vitin 2021 me rreth 273 milionë euro.

Barnat importohen nga rreth 55 vende të botës, por të dhënat e siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se Turqia është kthyer tashmë në aktorin kryesor të tregut të importeve.

Në vitet 2014-2015, barnat e prodhuara në Turqi kapnin vlerën e 9.6 milionë eurove dhe zinin diku te 6-7% të tregut të importeve farmaceutike në Shqipëri, ndërkohë që volumi i tyre u dyfishua në harkun kohor të gjashtë viteve.

Në vitin 2021, Turqia ishte eksportuesi më i madh i medikamenteve në Shqipëri me një vlerë prej 43.5 milionë eurosh ose gati 16% të tregut.

Pas Turqisë, vendet me eksportet më të larta të medikamenteve në Shqipëri janë Zvicra, Italia, Sllovenia dhe Hungaria – ku të pesta vendet së bashku mbulojnë më shumë se 55 për qind të tregut.

Një rritje progresive në tregun shqiptar kanë pësuar edhe importet e medikamenteve nga Serbia, të cilat nga 5.3 milionë euro në vitin 2020 janë rritur në 9 milionë euro në vitin 2022. Vendet e tjera të Ballkanit, të tilla si Maqedonia e Veriut apo Bosnja kanë mbetur thuajse në të njëjtat kuota përgjatë tre viteve të fundit.

Cilësia e barnave që qarkullojnë në tregun e hapur farmaceutik është një shqetësim i vazhdueshëm i qytetarëve shqiptarë, ndërkohë që mungojnë analizat e besueshme të institucioneve përgjegjëse.

Në këto kushte, shumë besojnë se barnat që qarkullojnë në Shqipëri nuk janë cilësore.

“Barnat që qarkullojnë në Shqipëri flasin turqisht ose sllavisht,” tha Ilir Pecnikaj, pedagog i Farmacisë në universitetin “Zonja e Këshillit të Mirë”.

“Çmimet vendosen në mënyrë klienteliste, pa publikimin e tyre si dhe të lejes së importit, këto të detyruara nga ligji në fuqi,” shtoi ai, duke ngritur pikëpyetje për efektet e ndryshimeve ligjore në vend.

Kontrabanda e ilaçeve

Ilaçe kontrabandë të sjella në Shqipëri gjatë pandemisë.

Cilësia e medikamenteve ka qenë gjithmonë një temë debati në Shqipëri, por gjatë viteve të fundit duket se besimi ka ardhur në rënie. Mjeku Ilir Allkja thotë se gjatë punës së tij has shumë pacientë që nuk kanë besim të barnat që qarkullojnë në vend.

“Të tillë pacientë sjellin shembujt e miqve të tyre  që kanë mundësi  të blejnë barna jashtë dhe që e kontrollojnë  shumë më mirë sëmundjen  e tyre. Megjithë shpjegimet e mjekëve, ka pacientë që nuk  kanë besim  tek barnat që tregtohen këtu,” thotë Allkja.

Në kushtet e mungesës së besimit, ndodh që disa pacientë të ndërmarrin veprime në dëm të shëndetit dhe të shtyjnë kurimin e tyre, në pritje të barnave që ndonjë i afërm mund t’ua sjellë nga jashtë.

“Unë personalisht  i nxis pacientët  të trajtojnë sëmundjen  e tyre me mundësitë  reale.  Në qoftë se dikush  ka mundësi t’i marrë jashtë  dhe në qoftë se koha për trajtim pret, i udhëzoj ndonjëherë që t’i marrin jashtë, por përgjithësisht  i këshilloj për patenta barnash të vendeve  evropiane,” shtoi më tej Allkja.

Tregtimi i barnave pa pullën e sigurisë është kundravajte administrative në Shqipëri  dhe dënohet me gjobë dhe konfiskimin e barnave. Në rastin e tregtimit me shumicë gjoba është 500 mijë lekë, ndërsa për tregtimin me pakicë 200 mijë lekë. Por ndonëse qarkullimi i barnave pa pullë pranohet haptazi në farmacitë e kryeqytetit, ndëshkimet në tre vitet e fundit kanë qenë minimale.

Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, AKBPM, tha përmes një përgjigje me shkrim se në tre vitet e fundit kishte 1734 inspektime dhe kishte ndërmarrë 224 masa administrative.

Nga këto, vetëm 44 masa ose 19 për qind e totalit lidhen me tregtimin e barnave pa pullën e kontrollit të lëshuar nga AKBPM, ndërsa numri më i madh i shkeljeve ka të bëjë me tregtimin e barnave pa recetën e mjekut.

Sipas farmacistëve që folën me BIRN në kushtet e anonimatit, medikamentet kontrabandë sigurohen më së shumti në Greqi dhe Itali – ku përdoren kartat e shëndetit të qytetarëve shqiptarë. Nuk mungojnë edhe rastet kur ilaçet vidhen nga qendrat shëndetësore të vendeve fqinje.

Megjithatë, të dhënat për qarkullimin e këtyre medikamenteve në tregun vendas mungojnë.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tha se në tre vitet e fundit, drejtoria e saj e Antikontrabandës kishte konstatuar vetëm 1 rast për veprën “kontrabandë e medikamenteve dhe materialeve mjekësore”, por nuk përjashtoi raste të tjera të identifikuara në doganat lokale.Në dhjetor 2021, një sasi prej 740 kilogramë barna me vlerë rreth 119 mijë euro u sekuestruan në Durrës si rezultat i këtij operacioni.

Toma nga Urdhri i Farmacistëve thotë se mungesa e medikamenteve cilësore është një katalizator i rëndësishëm i kontrabandës. Ajo bëri apel që para se të ndëshkojë farmacistët, shteti të ndërhyjë për të plotësuar kërkesat e qytetarëve për barna cilësore.

“Në pamundësi të barnave efikase, rriten edhe rastet e medikamentave kontrabandë. Çdo pacient do të lëvizë të tërë gurët, përfshi këtu edhe kontrabandën për t’u mjekuar,” tha Toma.

“Ne nuk garantojmë cilësinë e medikamenteve dhe pacienti provon çdo rrugë që favorizon fenomenin e dënueshëm të kontrabandës,” përfundoi ajo.

Read more

OBSH: Covid-19 nuk është më një emergjencë globale shëndetësore

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi se Covid-19 nuk përfaqëson më një “emergjencë globale shëndetësore”.

Deklarata përfaqëson një hap të madh drejt përfundimit të pandemisë dhe vjen tre vjet pasi OBSH deklaroi për herë të parë nivelin e saj më të lartë të alarmit mbi virusin.

Zyrtarët thanë se shkalla e vdekjes nga virusi kishte rënë nga një kulm prej më shumë se 100,000 njerëz në javë në janar 2021 në pak më shumë se 3,500 më 24 prill.

Kreu i OBSH tha se të paktën shtatë milionë njerëz vdiqën nga pandemia.

Por Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se shifra e vërtetë “ka gjasa” të jetë më afër 20 milion vdekjeve, gati tre herë më shumë se vlerësimi zyrtar, dhe ai paralajmëroi se virusi mbetej ende një kërcënim i rëndësishëm.

“Dje, Komiteti i Emergjencave u takua për herë të 15-të dhe më ka rekomanduar që të shpall të përfunduar emergjencën shëndetësore. E kam pranuar këtë këshillë.

Prandaj, me shpresë të madhe unë e shpall të përfunduar emergjencën globale shëndetësore për COVID-19”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli për herë të parë Covid një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar në janar 2020.

Rastet e para me sëmundjen COVID-19 u regjistruan për herë të parë në fund të vitit 2019 në Vuhan të Kinës. Më pas, sëmundja u përhap në mbarë botën.

Në Shqipëri nga Covid kanë humbur jetën mbi 3,600 persona.

Read more

Hapet “thesi” për tenderat pa garë/ Prokurimet publike në shëndetësi me flamur të kuq, jepen afër fondit limit dhe pa konkurrencë

Dhënia e tenderave pa garë dhe në kufijtë e fondit limit në sistemin shëndetësisë në fillim të këtij viti, duket se është kthyer në një proces normale. Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti janë dhënë miliona euro tendera pa u zhvilluar një proces i pastër tenderimi.

Konkretisht, Agjencia e Prokurimeve Publike ka njoftuar më datë 14 shkurt të këtij viti shpalljen e tenderit nga ana e Spitalit Gjinekologjik Koço Gliozheni për “Furnizim Vendosje te Pajisjeve Mjekësore për Shërbimin e Ri të Riprodhimit të Asistuar Mjekësor”. Vlera limit e caktuar për këtë tendër është 185 milionë lekë të vjetër. Më datë 7 mars është njoftuar edhe shpallja e fituesit. Kontratën publike e fitoi kompania Euromed SHPK. Ky tender rezulton me flamur të kuq dhe theksohet se është dhënë pa garë, një procedurë që ndiqet kryesish kur paracaktohet subjekti që do fitojë tenderin dhe vendosen detaje teknike që plotësohen nga një kompani. Vlera me të cilën është fituar tenderi nga Euromed ka një diferencë shumë të ulët në krahasim me fondin limit. Nga 185 milionë lekë që ishte fondi limit, EUROMED SHPK e ka fituar tenderin në vlerën 179 milionë lekë të vjetër.

Në fakt kompania Euromed SHPK në pronësi të Ëngjëll Hoxhës dhe Hervin Forës, duket se është e preferuar nga spitalet dhe Ministria e Shëndetësisë. Kjo kompani rezulton se ka marrë 221 kontrata publike me një vlerë afro 9.5 milionë euro, nga të cilat Ministria e Shëndetësisë ka dhënë 5 tendera me një vlerë afro 1.3 milionë euro.

Ky nuk është rasti i vetë ku institucionet e shëndetësisë japin tendera me procedura të dyshimta pa garë. Me të njëjtën procedurë si rasti i mësipërm është dhënë edhe tenderi nga Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” Tiranë. Më 13 shkurt ky spital ka hapur tenderin me vlerë limit 223 milionë lekë të vjetër. Kontrata publike është fituar nga bashkimi i dy operatorëve Distrimed SHPK dhe sërish edhe Euromed SHPK. Bie në sy gjithashtu se në tender mungon gara dhe vlera e fondit me të cilin është fituar është afër fondit limit, pra 222.7 milionë lekë. Kujtojmë që dhënia e tenderave pa garë sipas KLSH në shumë raste I shkakton dëm ekonomik institucioneve shtetërore të cilat paguhen nga taksat e shqiptarëve.

Me të njëjtën skemë është përfshirë edhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Pa garë dhe me fond limit QSUT i ka dhënë tender 231 milionë lekë kompanisë “MONTAL” sh.p.k e cila rezulton 100% në pronësi Skënder Lufit. Ky i fundit rezulton të jetë një tjetër kompani e preferuar. Lufi rezulton se ka marrë 222 kontrata publike me vlerë mbi 10 milionë euro. Sipas Open Prokurment, ajo që bie në sy në të gjitha rastet është fakti se të gjitha kompanitë rezultojnë me aktivitet të lartë në prokurimin publik që nga koha kur në pushtet ka ardhur Partia Socialiste

Read more

Shqetësimet për popullsinë s’duhet të zgjidhen duke mohuar të drejtat e grave

Shqetësimet rreth rënies së shkallës së lindshmërisë, sado të justifikueshme, nuk duhet të bëhen “arsye për mohimin e të drejtave dhe autonomisë trupore të grave dhe vajzave”.

Foto: UNFPA

NgaFlorence Bauer

Në nëntor 2022, popullsia globale i kaloi 8 miliardë njerëz. Në të njëjtën kohë, dy të tretat e njerëzve në planet jetonin në vende ku shkalla e lindshmërisë kishte rënë nën të ashtuquajturin “niveli zëvendësimi” prej 2.1 lindjesh për grua.

Tranzicioni i madh demografik – kalimi nga vdekshmëri dhe lindshmëri më e lartë në atë më të ulët – po ndodh pothuajse kudo, por në disa pjesë të botës ka filluar më herët se në pjesë të tjera.

Kjo është arsyeja pse popullsia e botës është ende në rritje, ndërkohë që rritja e popullsisë ka ngecur, ose ose përmbysur, në një numër në rritje vendesh. Dhe kjo shpjegon pse mund të ketë njëkohësisht shqetësime si për “shumë” njerëz edhe për “shumë pak” njerëz.

Shqetësimet për “shumë pak” njerëz janë veçanërisht të mëdha në Evropën Lindore, ku nivelet e ulëta të lindshmërisë shoqërohen nga nivelet e larta emigrimi. Si rezultat, popullsia e vendit është zvogëluar, në disa raste me më shumë se 25 për qind që nga fillimi i viteve 1990.

Ashtu si normat e larta të lindshmërisë shihen shpesh si katastrofike për planetin, skeptikët e shohin rënien dhe rënien e qytetërimit në normat e ulëta të lindshmërisë tani të zakonshme në shumicën e vendeve me të ardhura të larta dhe të mesme.

Ka shumë shqetësime të vlefshme dhe urgjente në lidhje me zhvendosjen në popullsi më të vogla, më të vjetra. Si mund të lulëzojnë vendet ekonomikisht? Si të sigurohemi që sistemet e pensioneve dhe ato shëndetësore të përballojnë ndryshimet demografike? Si t’i ruajmë shërbimet dhe infrastrukturën për njerëzit që jetojnë në zonat rurale me popullsi të rrallë?

Por shqetësimi që dominon diskutimet publike mbi normat e lindshmërisë paraqet rreziqe, sipas raportit të këtij viti të Gjendjes së Popullsisë Botërore, të publikuar nga UNFPA: ankth i popullsisë nuk kërcënon vetëm të na shpërqendrojë nga gjetja e zgjidhjeve konstruktive e problemeve serioze, por të zgjidhshme. Ai gjithashtu rrezikon të bëhet një “arsyetim për mohimin e të drejtave dhe autonomisë trupore të grave dhe vajzave”.

Kur normat e lindshmërisë shihen si problemi i vetëm, zgjidhjet, siç thuhet ose nënkuptohet shpesh, duhet të jenë të lidhura me fertilitetin. Ose, siç thotë raporti: “Frikat dhe rregullimet fillojnë të marrin formën e trupit të një gruaje.”

Në këtë mënyrë, trupat e grave trajtohen si instrumente për të arritur idealet e popullsisë, jeta e tyre vihet në shërbim të arritjes së qëllimeve numerike abstrakte – nocione të mundësuara nga statusi ende i nënshtruar i gruas në shumicën e sferave të shoqërisë.

Fiksimi mbi normat e lindshmërisë t, dhe rrjedhimisht trupat e grave, vazhdon pjesërisht sepse ofron pika të lehta për t’u diskutuar dhe mund të përdoret për të justifikuar “rregullime” të thjeshta, por përfundimisht të gabuara, si vendosja e objektivave të fertilitetit për të “korrigjuar” një madhësi popullsie. Mund të duket më e lehtë të fokusohesh te normat e lindshmërisë dhe presioni ose nxitja e grave që të kenë më shumë fëmijë sesa të bëjnë investimet publike të nevojshme për të siguruar akses të barabartë në arsim cilësor, punësim, mbulim shëndetësor dhe mbrojtje sociale.

Hulumtimi i ri në raport tregon se pjesa e vendeve me politika për rritjen e lindshmërisë është rritur kohët e fundit. Dhe disa qeveri në vendet me lindshmëri të ulët kanë marrë masa për të kufizuar aksesin e grave në kontracepsionin dhe abortin e ligjshëm. Më gjerësisht, raporti konstaton se përpjekjet për të ndikuar në lindshmëri janë të lidhura me nivele të pakësuara të lirive njerëzore.

Kjo nuk do të thotë se përpjekjet për të rritur normat e lindshmërisë janë domosdoshmërish të këqija. Ato mund të jenë pjesë e një pakete më të gjerë masash për të menaxhuar ndryshimet demografike, për sa kohë që nuk janë shtrënguese dhe respektojnë të drejtat e grave dhe autonominë trupore.

Mënyra për ta arritur këtë është zhvendosja e fokusit nga lindshmëria te lindshmëria e dëshiruar. Shumica e njerëzve në Evropën Lindore do të dëshironin të kishin dy ose më shumë fëmijë, por përfundojnë duke pasur një ose asnjë. Të kuptuarit e barrierave me të cilat përballen njerëzit në realizimin e synimeve të tyre të lindshmërisë  dhe mbyllja e hendekut midis lindshmërisë së dëshiruar dhe asaj aktuale është pika ku qeveritë mund të bëjnë një ndryshim të vërtetë.

Është inkurajuese të shohësh se gjithnjë e më shumë vende kanë filluar të lënë mënjanë frikën dhe po i përgjigjen ndryshimeve demografike me zgjidhje të reja, konstruktive për të nxitur popullsi vërtet të suksesshme dhe të lulëzuara. Ata nuk po vendosin objektiva, por po synojnë qëndrueshmëri demografike. Kjo qasje nënkupton që sistemet sociale dhe ekonomike duhet të ndjekin nevojat e njerëzve në mënyrë që të lulëzojnë në një botë me ndryshime demografike.

Në shoqëritë elastike demografike, të drejtat dhe zgjedhjet e grave nuk janë pengesë. Përkundrazi, hulumtimi i fundit i Kombeve të Bashkuara ka treguar, për shembull, se barazia më e madhe gjinore në fuqinë punëtore do të bënte shumë më tepër për të mbështetur ekonomitë në shoqëritë e plakura me norma të ulëta lindshmërie sesa një kthim në norma më të larta të lindshmërisë. Në Evropë sot, shoqëritë me nivelin më të lartë të barazisë gjinore janë gjithashtu ndër më të zhvilluarat (dhe rastësisht kanë edhe normat më të larta të lindshmërisë).

Në përmbushjen e sfidave – dhe mundësive – që shoqërojnë ndryshimin demografik, nuk duhet të lejojmë kurrë që të na udhëheqë frika. Vetëm nëse i vendosim njerëzit me të drejtat dhe nevojat e tyre në qendër, dhe nëse krijojmë shoqëri më të drejta dhe më gjithëpërfshirëse, mund të sigurojmë që vendet të lulëzojnë në një botë me ndryshime të shpejta demografike.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.

Read more

Koncesioni i dializës do të ndryshojë përsëri pronar, Diaverum blihet nga fondi publik i Emirateve të Bashkuara Arabe

Pronësia e kompansë koncesionare të shërbimit të dializës, DiaVita do të ndryshojë sërish.

Grupi Diaverum, që e bleu shoqërinë në vitin 2019, do të shitet i gjithi te M42, një kompani e shërbimeve mjekësore në pronësi të fondit publik të investimeve të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mubadala Investment Company.

Marrëveshja u njoftua zyrtarisht nga të dy palët ditën e mërkurë. Shuma e transaksionit nuk është bërë publike, por sipas analistëve të tregjeve vlerësohet se Diaverum është shitur për më shumë se dy miliardë dollarë.

Aktualisht, Diaverum zotërohet nga Bridgepoint Group, një kompani investimesh me qendër në Britaninë e Madhe, e specializuar në investimet në instrumente të kapitalit dhe të borxhit të subjekteve private (private equity dhe private debt).

Kompania DiaVita u krijua në fund të vitit 2015, me qëllim marrjen e koncesionit të shërbimit të dializës në spitalet e Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit, financuar nga qeveria shqiptare nëpërmjet Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Koncesioni u miratua në fillim të vitit 2016, për një afat 10 vjeçar dhe me një vlerë të parashikuar prej 8.6 miliardë lekësh.

Ortakët themelues të kompanisë ishin shoqëria Evita me 85% të aksioneve dhe Spitali Amerikan (American Hospital), me 15% të aksioneve. Aksioneri kryesor i Evita, është Arimo BV, një shoqëri e regjistruar në Hollandë me kontrollues përfundimtar biznesmenin Klodian Allajbeu.

Në shtator 2019, kompania DiaVita u ble nga kompania suedeze Diaverum International AB, pjesë e Diaverum Group, kompani e specializuar në ofrimin e shërbimeve mjekësore për patologjitë e veshkave. Vlera e transaksionit ishte rreth tre milionë euro.

Sipas pasqyrave të fundit financiare të publikuara, për vitin 2021 të ardhurat e DiaVita arritën nivelin më të lartë për periudhën e deritanishme koncesionare, në vlerën e 750 milionë lekëve.

Për periudhën 2016-2021, të ardhurat totale të DiaVita nga ofrimi i shërbimit të dializës kishin vlerën e rreth 3.5 miliardë lekë ose afërsisht sa 40% e vlerës së parashikuar në kontratën koncesionare.

Aktiviteti i shoqërisë ka qenë përgjithësisht fitimpurës, me përjashtim të vitit pandemik 2020, kur raportoi humbje neto në vlerën e rreth 960 mijë lekëve. Fitimi neto i akumuluar për periudhën 2016-2021 ka arritur në rreth 205 milionë lekë.

Mbështetur në auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në koncesionin e dializës janë gjetur shkelje serioze dhe shoqëria koncesionare ka përfituar më shumë se 115 milionë lekë pagesa për shërbime të pakryera.

Auditimi ka evidentuar se shoqëria koncesionare ka arritur të përfitojë pagesa për shërbimin e dializës në dy rajone të vendit, për periudha kur shërbimi në rajonet në fjalë nuk ka ekzistuar.

Përfitimi i pagesës është mundësuar falë një vendimi të formës së prerë të marrë nga Gjykata Administrative e Apelit.

Mosmarrëveshja objekt gjykimi midis FSDKSH dhe koncesionarit lidhej me datën e fillimit të pagesës për qendrat e dializës në rajonet Korçës dhe Elbasanit, ku Fondi ka zbatuar si datë të fillimit të pagesës, datat e njoftuara zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë, për fillimin e aktivitetit në secilën prej qendrave, përkatësisht për Rajonin e Elbasanit më datë 27.03.2017 dhe për Rajonin e Korçës më datë 21.04.2017.

Koncesionari ka pretenduar që pagesat duhet të fillojnë që nga data 1 nëntor 2016 (sipas kontratës së koncesionit), pavarësisht se shërbimi nuk ka ekzistuar: pra, për periudhën 01.11.2016-27.03.2017 për Rajonin e Elbasanit dhe 01.11.2016 -21.04.2017 për rajonin e Korçës.

Shoqëria koncesionare e ka argumentuar kërkesën e saj saj me faktin se vonesat në vënien në funksionim të qendrave të dializës për rajonet Korçë dhe Elbasan janë lidhur me zvarritjen në zbardhjen e lejeve të ndërtimit dhe duke pretenduar përgjegjësinë për këto vonesa në kahun e autoritetit kontraktor./Monitor

Read more

Shëndetësia shqiptare lëngon nga eksodi i pandalshëm i mjekëve

Largimi i mijëra mjekëve gjatë dekadës së fundit është një ndër fenomenet më të neglizhuara të tranzicionit shqiptar – me pasoja të rënda në sistemin shëndetësor dhe në jetët e qytetarëve.

Më 7 dhjetor 2018, Enkelejda Rexhepit nga qyteti verilindor i Bulqizës i nisën papritur dhimbjet e lindjes dhe priti më kot një ambulancë. Asokohe 31-vjeç, Rexhepi ishte në muajin e gjashtë të shtatzanisë dhe priste trinjakë.

Së bashku me të shoqin morën taksi dhe u nisën drejt spitalit, por aty nuk kishte gjinekolog.

Gruaja tregon se u detyrua ta bënte lindjen e parë me ndihmën e mamisë dhe të mjekut të përgjithshëm, ndërsa një mjek specialist po fluturonte me helikopter nga Tirana për t’i shpëtuar jetën.

“Ai pyeste vazhdimisht nëse kishte mjek anestezist, nëse kishte sallë operacioni apo mjek që ta ndihmonte, por asgjë nga këto nuk ishte në spital,” kujton Enkelejda pesë vjet më vonë.

Përballë mungesave të mëdha në spital, mjeku i tha Enkelejdës “të bëhej e fortë” dhe e kreu ndërhyrjen pa anestezi. Dy foshnjet e para lindën gjallë, por ndërruan jetë pas dy orësh në spitalin e Bulqizës, ndërsa i treti lindi i vdekur.

Enkelejda i tha BIRN se kjo ishte trauma më e madhe e jetës.

“Nuk e përballoja dot atë humbje, ishte shumë e vështirë. Një dhimbje e papërshkrueshme,” shtoi ajo mes lotëve.

Shqipëria nxjerr çdo vit 150-200 mjekë specialistë, por numri i tyre është i pamjaftueshëm për të plotësuar vakancat e krijuara ndër vite – veçanërisht në spitalet e bashkive të largëta si ai i Bulqizës. Në anën tjetër, vendi humbet një numër thuajse të barabartë mjekësh çdo vit në një eksod të pandalshëm të bluzave të bardha drejt Perëndimit.

‘Brain drain’ ose ikja e trurit është një ndër fenomenet më të neglizhuara të trazicionit shqiptar, i reflektuar gjatë dekadës së fundit me largimin masiv të personelit shëndetësor nga vendi.

Prej vitit 2014, Shqipëria llogaritet të ketë eksportuar rreth 1500 mjekë vetëm në Gjermani, ndërsa largime ka pasur edhe drejt Italisë, Anglisë, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Francës.

Eksodi ruan një trend rritës edhe gjatë tre viteve të fundit, kur sipas Urdhrit të Mjekut 490 mjekë u pajisën me ‘certifikatën e sjelljes së mirë’– një dokument që u mundëson atyre punësimin jashtë shtetit.

“Ne jemi duke humbur 100-150 mjekë në vit,” thotë me shqetësim Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë.

“Kjo është një lëvizje e ‘trurit’ që shkon nga vendet ku paguhen më pak drejt atyre që paguhen më shumë,” shtoi ai, ndërsa theksoi se këtë situatë po e vuajnë më shumë zonat e largëta të vendit.

Kriza e injoruar e mjekëve

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë inaugurimit të spitalit qendror. Foto: Facebook.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama e relativioi për vite me radhë problemin e largimit të mjekëve dhe infermierëve nga vendi – duke e konsideruar këtë një efekt anësor global të lëvizjes së lirë.

Por Rama ndryshoi qëndrim gjatë muajve të fundit, ndërsa qeveria e tij po prezanton politika për të frenuar eksodin e bluzave të bardha.

Gjatë një Kongresi Shëndetësie të zhvilluar në fillim të marsit, Rama deklaroi rritjen me 50 mijë lekë në muaj të pagës së mjekëve specialistë dhe premtoi rritje edhe për kategoritë e tjera. Por ai prezantoi edhe kushte, duke paralajmëruar rritje të kostove të studimit për studentët që nuk do të pranojnë të kontribuojnë për vendin.

“Nuk mundet dot Shqipëria të financojë sistemin shëndetësor gjerman. Ne nuk mund të cënojmë interesin tonë, nuk mund të pranojmë që 1 student të paguajë 1/16 e kostos dhe në fund, studenti të marrë diplomën dhe të ikë në Gjermani,” tha Rama.

Ndonëse të vonuara, lëvizje të tilla janë mirëpritur në një pjesë e komunitetit mjekësor të vendit.

“Kur në fillim thosha ‘po na ikin mjekët’, më thonin që ka mjekë sa të duash..,” kujton rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata.

Ai e quan një ogur të mirë faktin që politika është ndërgjegjësuar dhe “po harton politika për të mbajtur trurin e shëndetësisë në vend”.

Të tjerë kanë dyshime nëse vendi i vogël i Ballkanit mund të hartojë strategji të suksesshme për adresuar të gjitha shkaqet që i shtyjnë mjekët drejt largimit.

Gazmend Koduzi, pedagog në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, dikur kordinator i Partisë Demokratike për Shëndetësinë, i tha BIRN se qeveria do të duhej të kryente një reformë të mirëfilltë të sistemit shëndetësor për të siguruar paga më të larta, kushte më të mira pune si dhe mundësi më të mira për karrierë.

“Nëse nuk merren masat përkatëse, përgatitja e një strategjie të zhvillimit të burimeve njerëzore bazuar në evidencë si dhe zbatimi i reformave esenciale në sistemin shëndetësor, gjendja pas disa kohësh do të jetë e trishtë,” tha Koduzi.

Shaqir Qerama është ndër të paktët mjekë të rinj të brezit të tij që synon të ndërtojë një karrierë në Shqipëri. Pasi përfundoi studimet në një universitet privat, Qerama po kryen specializimin për hematologji në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”.

“Nga 40 veta që ishim në klasë, kemi ngelur vetëm 3 në Shqipëri. Të gjithë kanë ikur në Gjermani,” thotë ai me keqardhje.

Për të frenuar hemorragjinë e mjekëve drejt Perëndimit, qeveria ka vendosur një pagesë për mjekët specializantë në këmbim të detyrimit për të punuar për tre vjet atje ku ka më shumë nevojë, por Qerama e ka refuzuar këtë ofertë.

“Mjekësia në rrethe është më shumë se 20 vite pas,” tha Qerama, ndërsa shtoi se nëse do t’i duhej të punonte jashtë Tiranës, nuk do të kishte mundësi ta ushtronte profesionin ashtu siç duhet.

Nëse nuk emigrojnë, qëndrojnë në Tiranë

Shqipëria mban vendin e fundit në rajon për numrin e mjekëve në raport me popullsinë dhe kriza e emigrimit e bën edhe më të vështirë ngritjen e burimeve të mjaftueshme njerëzore për të plotësuar nevojat e vendit.

Gjithashtu, mjekët janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë, duke penalizuar popullatën e varfër që jeton në zonat më të thella të vendit.

Në Shqipëri funksionojnë 42 spitale publike, të ndara në spitale universitare, rajonale dhe bashkiake. Spitalet bashkiake ofrojnë me vështirësi shërbimet, kryesisht për arsye të mungesës së numrit të mjaftueshëm të mjekëve specialistë.

Për të mbuluar vakancat në spitalet rajonale dhe ato bashkiake, Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar prej vitesh një sistem patronazhimi si dhe ka inkurajuar transferimin e mjekëve në zonat e thella në këmbim të një bonusi bujar financiar.

Por të dhënat e siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se vetëm një numër i kufizuar mjekësh u janë përgjigjur këtyre thirrjeve.

Ministria e Shëndetësisë i tha BIRN se kishte punësuar 314 mjekë gjatë vitit 2022 për të mbuluar vakancat, 140 prej të cilëve mjekë specialistë.

Punësimet e reja e kanë çuar numrin e mjekëve të angazhuar në sistemin spitalor të të gjitha niveleve në 2800 mjekë, ndërsa numri i vakancave sipas Ministrisë është aktualisht 76 pozicione.

Ministria shtoi gjithashtu se kishte aktualisht të angazhuar në programin e patronazhimit 47 mjekë të specialiteteve të ndryshme, ndërsa përmes programit të bonusit ishin mbështetur 24 mjekë.

“..Programi i incentivave financiarë, bonusi për mjekët, i cili mbështet mjekët që ofrojnë shërbime shëndetësore të specializuara larg vendbanimit rezulton një program efektiv që ka ofruar më shumë shërbime afër vendbanimit për qytetarët në të gjithë vendin dhe ka mbështetur 24 mjekë,” tha Ministria në përgjigjen me shkrim.

Megjithatë, të dhënat e pjesshme të siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se spitalet rajonale dhe ato bashkiake vazhdojnë të kenë mungesa të theksuara të mjekëve specialistë dhe kanë të pambuluara shërbime shumë të rëndësishme për pacientët.

Spitali rajonal i Elbasanit i tha BIRN se kishte aktualisht 86 mjekë në detyrë dhe 22 vakanca ose 25% të numrit total të mjekëve. Edhe spitali rajonal i Korçës – më i rëndësishmi në juglindje të vendit tha se kishte në punë 76 mjekë dhe 6 vakanca; mes të cilave 1 mjek ortoped, 1 mjek hematolog, 1 mjek kardiolog, 1 mjek neonat, si dhe 2 mjekë për urgjencën.

Spitalet bashkiake të vendit vuajnë mungesa edhe më të mëdha dhe nuk po munden që të rekrutojnë staf të specializuar.

Ekspertët e shëndetësisë janë të shqetësuar për vakancat e shumta në spitalet rajonale dhe bashkiake dhe e konsiderojnë plotësimin e tyre një sfidë të vështirë për t’u përmbushur.

Rektori Gjata thotë se edhe nëse nuk ikin jashtë shtetit, pjesa më e madhe e studentëve apo specializantëve të mjekësisë dëshirojnë të qëndrojnë në Tiranë, pavarësisht ofertave financiare të prezantuara nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ofertat financiare për të ikur me kontratë jashtë Tiranës janë shumë të favorshme, por jo të gjithë e pranojnë këtë ide,” tha ai.

Për pedagogun Koduzi, mungesa e mjekëve ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e popullatës.

“Mungesa e mjekëve e ul aksesin ndaj shërbimit shëndetësor dhe si pasojë përkeqëson gjendjen shëndetësore të popullatës,” thotë Koduzi, ndërsa paralajmëron se Shqipëria do të përballet me largime edhe më të mëdha mjekësh me avancimin e integrimit në BE.

Pasojat i vuajnë pacientët

Pacientë në urgjencën e spitalit rajonal të Durrësit. Foto: Geri Emiri.

Qyteti i Shkodrës ka një ndër spitalet më të rëndësishme rajonale, por prifti ortodoks, Aleksandër Petani merr rrugën drejt Tiranës sa herë që i duhet të kalibrojë kardioverterin [ICD] që e mban në jetë.

Petani i ka mbijetuar dëmtimit të kolonës dhe disa infarkteve, ndërsa zemra e tij rreh rregullisht me ndihmën e aparaturës së implantuar.

“Kam apartatin e vendosur në trup, jam i lidhur me pesë tela. Sa herë që aparatura bën goditje për të rikthyer zemrën në punë, pas dy ditësh maksimumi duhet të paraqitem te mjeku që të kalibrojë përsëri aparaturën,” tregon Petani. Por në Shkodër mungon një mjek për këtë specialitet.

Udhëtimet e shpeshta drejt Tiranës janë një kosto e shtuar fizike dhe ekonomike për priftin ortodoks dhe bashkëshorten e tij.

“Na duhet të marrim makinë në dispozicion që shkon diku te tetë mijë lekë si dhe të rezervojmë një dhomë hoteli te 25 euro. Ai nuk e përballon dot udhëtimin dhe lodhjen. E kemi të pamundur, si nga ana finaciare ashtu edhe fizike,” thotë Vjollca, bashkëshortja e tij.

Rreth 130 kilometra në juglindje të Shkodrës, spitali i Bulqizës përballet me trauma të shumta për shkak të aksidenteve në minierë, por i mungojnë mjekët specialistë.

Mjeku i përgjithshëm, Fatos Hoxha thotë gjithashtu se kushtet e punës lënë shumë për të dëshiruar.

“Edhe për ne vetë si mjekë është shumë e vështirë kur nuk kemi mundësi t’u ofrojmë ndihmë pacientëve për shkak të mungesave që kemi,” tha Hoxha për BIRN.

Pas ngjarjes së rëndë të vitit 2018, spitali i Bulqizës lidhi kontratë me një mjeke gjinekologe, por ajo u largua pas një kohe të shkurtër. Shkak sipas njërës prej mamive u bënë kushtet e vështira të punës.

“Ne kemi nevojë për një mjek gjinekolog dhe një reanimator. Duhet të kemi disa kushte që mjeku të mos përfundojë duke bërë detyrat e mia si mami,” thotë mamia që punon prej 29 vitesh në këtë spital.

Dy vjet pas humbjes së tre foshnjeve, Enkelejda Rexhepi ngeli sërish shtatzanë dhe e gjeti spitalin sërish pa gjinekolog. Ajo u detyrua të udhëtojë drejt Peshkopisë për kontrollet e saj periodike, por trauma ishte ende e freskët.

“Pas asaj që më kishte ndodhur e kisha me frikë që udhëtoja deri në Peshkopi për të bërë vizitat. Duhet të kemi edhe ne si qytet një mjek gjinekolog,” tha ajo. “Është në lojë jeta e njerëzve dhe nuk dua që asnjë nënë të kalojë atë që kalova unë,” përfundoi ajo.

Read more

Sëmundjet pas Covid-19: Importi i produkteve farmaceutike me rritje vjetore 35%

Shumë artikuj të konsumit të përditshëm që importohen nga jashtë pësuan ulje vitin e fundit si rrjedhojë e efekteve negative që po jep emigracioni i lartë tek tkurrja e popullsisë së re në moshë.

Në të kundërt grupi i produkteve farmaceutike po pëson rritje të qëndrueshme nga viti në vit, por sidomos pas pandemisë Covid-19.

Sipas të dhënave nga tregtia e jashtme e INSTAT, në 2-muajt e parë të vitit 2023 importet e produkteve farmaceutike në sasi pësuan rritje me 31 për qind, duke shënuar një rekord të ri.

Në 2-muajt e parë të vitit u importuan 1,091 tonë medikamente nga 833 tonë në dymujorin e parë të vitit 2022.

Në krahasim me periudhën para pandemisë sasia e produkteve farmaceutike gati është dyfishuar.

Burimet nga tregu pohojnë se rritja po vjen për dy arsye kryesore. E para lidhet me barrën e lartë të sëmundjeve që la pandemia Covid -19 në të gjitha diagnozat. Mijëra persona që kanë kaluar Covid-19 janë shndërruar në të sëmurë kronike që kërkojnë trajtim të përhershëm. Pandemia ka ndikuar negativisht, sëmundjet e zemrës, artritet, veshkat dhe ka krijuar dëmtime të përhershme në mushkëri që kërkojnë trajtim periodik.

Operatorët e tregut pohuan se, pandemia krijoi një varësi të konsumit të vitaminave, përdorimi i të cilave mbetet i lartë në krahasim me para pandemisë.

Gjithashtu plakja e popullsisë dhe rritja e barrës së sëmundjeve në të gjithë diagnozat, të shtyrë edhe nga pandemia ka arritur kërkesën për trajtim me medikamente.

Operatorët e tregut pohojnë se me gjithë rritjen Shqipëria ka shpenzime të ulëta për produkte farmaceutikë gati 50 % më pak se rajoni.

Por sipas tyre rritja e konsumit të brendshëm në krahasim me vitet e kaluara po vjen nga një sërë faktorësh komplekse që kanë të bëjnë me plakjen e popullsisë, përmirësimin e trajtimit etj.

Operatorët pohojnë se rritja do të ishte edhe më e madhe nëse qeveria do të shtonte buxhetin e rimbursimit të medikamenteve që për vite të tëra qëndron në vendnumëro.

Buxheti i rimbursimit nuk po ecën me ritëm të drejtë me incidencën e sëmundshmërisë dhe nevojat reale në popullatë. /B.Hoxha

Read more

Mungojnë ilaçet e dializës, eksperti: Mimpara, jetike për pacientët

Pacientët që jetojnë me dializë në Shqipëri përballen me mungesë të medikamenteve. Në një intervistë për Euronews Albania, doktor Ilir Pecnikaj, ekspert i farmaceutikës ngre shqetësimin se këta pacientë nuk kanë medikamentin më jetik.

“Barna jetike që në tregun shqiptar nuk janë përsa i përket trajtimit të dializës, në tregun shqiptar mungon Mimpara, është jetik, ky është problem i sistemit, nuk ka autorizim sa kohë mungon në treg. Nga trajtimi i dializës ka disa kundërindikacione për të cilët mimpara është mëse i nevojshëm”, theksoi ai.

Mundësia e vetme është që ky medikament të blihet jashtë Shqipërisë. Eksperti thotë se trajtimi mujor kushton mbi 1200 euro, e në këto kushte shumë pacientë se marrin duke prishur cilësinë e jetës.

“Alternativë që mbulon këtë bar nuk ka dhe po të shohësh mesataren e jetëgjatësisë të personave që trajtohen me dializë është shumë herë më e ulët dhe cilësia që bëjnë njerëzit me dializë në Shqipëri është tmerrësisht e keqe dhe kjo vjen vetëm nga trajtimi i barnave. Këtu nuk është mungesa profesionale e mjekëve, por mungesa e medikamenteve dhe  mundëssië për ti blerë këto medikamente”, u shpreh mjeku.

Vetëm në qendrën spitalore “Nënë Tereza” trajtohen me dializë 110 persona, ndërsa numri total në të gjithë vendin shkon rreth 300 pacientë.

Read more
en_USEnglish