denonco@transparency.com.al

Lajme

Shëndetësi e nënkontraktuar/ Kur koncesionet e Partneritetit Publik-Privat kompromentojnë interesin publik

Në dhjetëvjeçarin e fundit Shqipëria ka adoptuar modelin e Partneritetit Publik Privat (PPP) në sektorin e shëndetësisë, me synimin e deklaruar për të modernizuar infrastrukturën mjekësore dhe përmirësuar cilësinë e shërbimeve. Megjithatë, përtej narrativës së përfitimeve dhe efiçencës, kontratat koncesionare të lidhura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) kanë shfaqur një sërë problematikash thelbësore në hartimin, tenderimin dhe zbatimin e tyre, probleme që aktualisht janë objekt hetimi nga autoritetet anti-korrupsion.

Katër kontratat PPP të lidhura nga MSHMS: kontrata për Kontrollin Mjekësor Bazë (Check-Up), Sterilizimin, Shërbimin e Laboratorëve dhe Hemodializën përfaqësojnë një kosto të parashikuar dhjetëvjeçare prej afro 42 miliardë lekësh, të gjitha të mbuluara nga buxheti i shtetit. Që nga viti 2015 kur është nëshkruar kontratat e parë, ajo e strerilizimit, e deri më sot, bie në sy se këto projekte janë jo vetëm ndër më rë kushtueshmet për buxhetin e shtetit në sektorin e shëndetësisë, por edhe ndër më të kontestuarat në vend, jo vetëm për kostot e larta dhe cilësinë e diskutueshme të shërbimeve, por edhe për mungesën ekstreme të transparencës si në fazën e përgatitjes së dokumentave të koncesionarieve, shpalljes së kompanive fituese dhe mënyrën e implementimit.

Analizat e pavarura dhe raportet institucionale kanë nxjerrë në pah se në të gjitha rastet vendimet janë marrë pa analizë të plotë të kostos dhe leverdishmërisë të koncesionit përkatës, janë zhvilluar me procedura të përshpejtuara dhe jashtë standardeve ligjore dhe kanë favorizuar operatorë të caktuar në kundërshtim me parimet e konkurrencës së ndershme.

Koncesioni i Check-Up, modeli i dështuar i partneritetit publik-privat

Koncesioni i parë i përgatitur, financuar dhe zbatuar në sektorin e shëndetësisë, ashtu siç është përmendur më sipër, është koncesioni për ofrimin e shërbimit të Kontrollit Mjekësor Bazë për grupmoshat 40–65 vjeç, i njohur gjerësisht si “Check-Up”. Ky projekt përfaqëson një nga rastet më domethënëse dhe shqetësuese të problematikës institucionale që ka shoqëruar PPP-të në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri. Një analizë e thelluar e procesit të tij, nga faza e konceptimit deri në zbatimin e kontratës, evidenton një sërë shkeljesh dhe mangësish të theksuara.

Në analizën e ofuar në raportin “Menaxhimi dhe sfida e koncesioneve në shëndetësi”, përgatitur nga shoqatat Togethër for Life (TFL)  më mbështetjen financiare të National Endowment for Democracy, vihet në dukje se në fazën e parë të hartimit të këtij projekti, u shënuan ndryshime të menjëhershme ligjore dhe u ndërmorën procedura administrative të përshpejtuara, të cilat jo vetëm që hapën rrugën për dhënien e koncesionit, por minuan thelbësisht integritetin e procesit të prokurimit publik. Komisioni i Dhënies së Koncesionit ishte kompozuar me pjesëmarrjen e joprofesionistëve, në shkelje të hapur të përcaktimeve ligjore  dhe duke cenuar standardet institucionale të vendimmarrjes, duke lënë boshllëqe serioze në analizën teknike, ligjore dhe financiare të projektit.

Po gjatë kësaj procedure evidentohet se studimi i fizibilitetit u hartua në mënyrë të njëanshme, duke garantuar fitime të sigurta për operatorin privat dhe duke zhvendosur të gjithë riskun financiar dhe operacional mbi shtetin shqiptar. Studimi i fizibilitetit nuk përmbante një analizë të plotë krahasimore mes modelit PPP dhe prokurimit publik, siç e kërkon ligji, duke e lënë të paqartë leverdishmërinë reale të modelit të përzgjedhur.

Edhe në fazën e tenderimit u shfaqën probleme të theksuara ku fituesi i kontratës paraqiti jo vetëm ofertën më të lartë, por nuk dispononte të gjitha licencat e nevojshme dhe përmbushte më pak kritere krahasuar me operatorin e renditur të dytë, i cili kishte një ofertë më të ulët dhe kushte më të favorshme teknike. Kjo dëshmon për një proces të ndikuar dhe të paracaktuar, që e dëmtoi thellësisht konkurrencën e ndershme.

Problematikat kulmuan në fazën e zbatimit të kontratës. Auditimet e kryera kanë evidentuar kosto të pajustifikuara, pagesa për shërbime që nuk janë kryer dhe faturim të pajustifikuar të TVSH-së. Për më tepër, objektivat e vendosura në kontratë nuk janë arritur, ndërsa kostoja për njësi është rritur ndjeshëm, duke rënduar pa arsye buxhetin e shtetit dhe duke dëmtuar interesin publik.

SPAK dhe fillimi i llogaridhënies: një kthesë institucionale?

Tre nga katër koncesionet e MSHMS janë aktualisht nën hetim nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Në rastin e koncesionit për sterilizimin, procedimi penal është çuar në gjykatë dhe përfshin ish-Ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Ndërkohë, hetimet paraprake janë ende në proces për koncesionet e Check-Up dhe laboratorëve.

Fakti që hetimet kanë marrë këtë intensitet pas kaq vitesh tregon një ndërgjegjësim në rritje institucional, por gjithashtu ngre pyetje serioze mbi efektivitetin e mekanizmave të mbikëqyrjes dhe kontrollit që duhet të ishin në funksion që në fazat e hershme të këtyre projekteve.

Koncesionet PPP në shëndetësi nuk janë të dëmshme për nga natyra; përkundrazi, nëse zbatohen siç duhet, ato mund të sjellin inovacion dhe eficiencë në ofrimin e shërbimeve publike. Por në realitetin shqiptar, ato janë përdorur shpesh si instrument për përfitime klienteliste, në dëm të interesit publik. Në vend që të garantojnë shërbime më të mira për qytetarët, shumë prej tyre janë shndërruar në burim abuzimi dhe pasigurie financiare për buxhetin e shtetit.

Në këtë kontekst, është e domosdoshme që reforma të mos mbeten në nivelin e deklaratave, por të përkthehen në rregulla të qarta, procedura të ndershme dhe përgjegjësi të vërteta. Vetëm kështu mund të rikthehet besimi i qytetarëve në sistemin e shëndetësisë dhe në përdorimin e drejtë të fondeve publike.

Koha për reagim

Në dritën e problematikave të theksuara që kanë karakterizuar dhënien dhe zbatimin e kontratave koncesionare në sektorin e shëndetësisë, është e domosdoshme që Shqipëria të ndërmarrë reforma të thella strukturore, me synimin për të rikthyer besimin e publikut, për të mbrojtur interesin qytetar dhe për të garantuar përdorimin e drejtë të fondeve publike. Megjithatë, institucionet vazhdojnë të jenë hermetike dhe të kufizuara në dhënien e informacionit se çfarë do të bëhet me shërbimin e check up dhe, konsecilohet e tjera pas përfundimit të kontratta dhjetëvjeçare. Edhe pse ende nuk dihet se cila do të jetë forma e ofrimit të shërbimeve që aktualisht ofrohen nga operatorë privatë falë marrëveshjes koncesionare me Ministrinë e Shëndetësisë, është mësuar tashmë se për koncesionin e check up dhe koncesionet e tjera qeveria ka parashikuar buxhet të dedikuar të paktën deri në vitin 2028 (sipas buxhetit afatmesëm të MSHMS 2026-2028).  

Për të shmangur përsëritjen e praktikave të dëmshme, ekspertët kanë kërkuar rivendosjen e standardeve reale të analizës së fizibilitetit, në të cilën të vlerësohen në mënyrë objektive të gjitha opsionet e mundshme të prokurimit, përfshirë modelin tradicional publik. Këto analiza duhet të jenë jo vetëm teknike dhe financiare, por edhe sociale dhe institucionale, duke pasur në fokus ndikimin afatgjatë mbi sistemin shëndetësor.

Në të njëjtën kohë, komisionet e vlerësimit që ngrihen për të menaxhuar proceset e prokurimit duhet të përbëhen nga ekspertë të fushave të ndryshme – juristë, ekonomistë, teknikë – për të garantuar një vendimmarrje të balancuar dhe të bazuar në kompetencë. Kydo të ishte një hap i domosdoshëm për të shmangur përqendrimin e pushtetit teknik në duart e një grupi të kufizuar, siç ka ndodhur në rastin e koncesionit të Check-Up.

Një tjetër shtyllë thelbësore për t’u trajtuar mbetet transparenca. Çdo dokument që lidhet me koncesionin, që nga dokumentacioni i tenderit, kontratat dhe anekset e tyre, e deri te raportet vjetore të monitorimit, duhet të jenë të aksesueshme publikisht, si një standard i pandashëm i llogaridhënies dhe i respektimit të interesit qytetar.

Po aq e rëndësishme është përcaktimi i qartë i mënyrës së ndarjes së riskut ndërmjet sektorit publik dhe atij privat. Modelet e ardhshme të partneriteteve duhet të reflektojnë ndarjen reale dhe të drejtë të përgjegjësive, duke shmangur zhvendosjen e rreziqeve vetëm mbi buxhetin e shtetit.

Së fundmi, fuqizimi i rolit mbikëqyrës të institucioneve të pavarura, si Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Parlamenti, do të jetë thelbësor për të garantuar që kontratat PPP të mos shndërrohen më në mjete për përfitime të ngushta apo për keqmenaxhim të qëllimshëm.

Read more

Rriten shpenzimet e shqiptarëve për shëndetin, 24% nuk përballojnë dot as mjekimin bazë

Shpenzimet e shqiptarëve për shëndetin po rriten vit pas viti, si pasojë e plakjes së popullsisë dhe rritjes së barrës së sëmundjeve, por ritmet janë përshpejtuar dukshëm pas pandemisë Covid-19.

Rishikimi i llogarive kombëtare nga INSTAT referoi se në vitin 2023, familjet shqiptare harxhuan për shëndetin mbi 84 miliardë lekë, ose mbi 840 milionë euro. Kjo shifër e gjeneruar nga anketa e buxhetit të familjeve ishte 8% më e lartë se në vitin 2022 dhe 41% më e lartë se në vitin 2019 para pandemisë Covid- 19.

Barra e sëmundjeve kronike është rritur rreth 6% çdo vit pas pandemisë sipas të dhënave zyrtare, duke rritur nevojën për ekzaminime dhe trajnime të përhershme. Të dhëna të tjera tregojnë se pjesa më e madhe e shpenzimeve shkojnë për blerjen e medikamenteve.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024 u importuan mbi 28,1 miliardë lekë produkte farmaceutike (280 milionë euro), teksa fondi i rimbursimit të medikamenteve me 2024 kishte një tavan prej 12 miliardë lekësh.

Siç shihet, shteti ka kompensuar 120 milionë euro nga 281 milionë euro që kanë harxhuar qytetarët shqiptarë për mjekime. Rreth 160 milionë euro për produkte farmaceutike janë paguar nga të ardhurat vetjake.

Fondi i rimbursimit të medikamenteve vitin e kaluar kishte një tavan prej 12 miliardë lekësh, rreth 120 milionë euro, një shumë mjaft e ulët në raport me shpenzimet e familjeve shqiptare për shëndetin me mbi 840 milionë euro më 2023.

Shqipëria si një vend me nivel të lartë të varfërisë në popullatë dhe me të ardhurat më të ulëta në Europë nuk mund të ketë akses në terapitë inovative. Zhvillimet demografike të Shqipërisë tregojnë për presion në rritje të shpenzimeve në shëndetësi.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi më herët këtë vit se Shqipëria i ka hapësirat fiskale për të rritur shpenzimet për shëndetësinë. Edhe Banka Botërore në vlerësimet e mëparshme ka kërkuar rritje të investimeve për kapitalin human, me më shumë investime ne arsim dhe shëndetësi.

Shqiptarët ishin më të shqetësuarit në Rajon për kostot e larta të shërbimeve shëndetësore sipas anketës së fundit të “Security Metër” të zhvilluar në 6 vendet e Rajonit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.

Rezultatet treguan se 24% e shqiptarëve ishin shumë të shqetësuar pasi nuk ishin në gjendje të përballonin kostot financiare për kujdes mjekësor rutine dhe mjekim.

Ky shqetësim ishte i pranishëm në një përqindje më të ulët ndër qytetarët e Bosnjës 16%, Kosovës 9%, Maqedonisë së Veriut 16%, Malit të Zi 20% dhe Serbisë, 20%./ Monitor

Read more

Raporti i monitorimit/ Koncesionet në shëndetësi, simbol të keqpërdorimit të fondeve publike dhe mungesës së transparencës

Koncesionet në shëndetësi kanë qenë një nga temat më të diskutuara dhe më të debatuara në opinionin publik shqiptar gjatë dekadës së fundit. Çështja nuk është e re, por rkthehet në vëmendje përmes një raporti të fundit të publikuar nga shoqata Together for Life , “MENAXHIMI DHE SFIDA E KONCESIONEVE  NË SHËNDETËSI”,  i cili hedh dritë mbi mënyrën e dhënies dhe zbatimit të këtyre kontratave PPP.

E ftuar në emisionin “Box to Box” në Svan TV, Alma Lahe menaxhere pranë TFL duke ju referuar të dhënave të raportit shprehet se rasti i koncesioneve në shëndetësi përfaqëson një shembull shqetësues të mungesës së transparencës, shkeljeve ligjore dhe mosmbrojtjes së interesit publik.

Sipas Lahes në vend që të përmirësojnë sistemin shëndetësor, këto koncesione kanë krijuar një barrë financiare të pajustifikuar për buxhetin e shtetit, ndërsa qytetarët nuk kanë përfituar në masën që u premtua.

“Për koncensionet në Shëndetësi nuk jemi ne të parët që po flasim dhe vijmë nëpërmjet këtij raporti. Është folur që me koncesionin e parë në 2015 që ishte check-up (Kontrolli Shëndetësor Bazë) dhe me tre koncesionet e tjera. Madje tre nga koncesionet janë në SPAK në hetim. Përveç Hemodializës, e cila nuk është në hetime, tre të tjerat janë në proces hetimi, madje njëra prej tyre është çuar në gjykatë për gjykim që është “Sterilizimi” dhe një nga të akuzuarit është edhe vetë ish ministri i Shëndetësisë,” thotë Lahe.

Një nga problematikat më serioze që shoqëron procesin e dhënies së koncesioneve në shëndetësi është mungesa sistematike e dokumentacionit zyrtar. Edhe pse sipas ligjit për të Drejtën e Informimit referuar prokurimeve publike dhe kontratave koncesionare, institucionet përgjegjëse janë të detyruara të publikojnë dhe vënë në dispozicion çdo informacion që lidhet me procedurat, kontratat dhe vlerësimet financiare të koncesioneve, në praktikë ky detyrim është shpërfillur.

“E tëra e ka rrjedhojën nga fillimi. Pra mënyra e konceptimit të koncesioneve. Ne në fakt ofrojmë një analizë të thelluar të koncesionit të Check-up. Përpos se kanë kaluar dhjetë vite për këtë koncesion dhe pak më pak për koncesionet e tjera ende sot e kësaj dite është shumë vështirë të gjesh informacion. Ligji për të Drejtën e Informimit kur i referohet Prokurimeve Publike dhe Koncesioneve  PPP  e kanë detyrim ligjor që institucionet përgjegjëse t’i kenë të tëra të publikuara, të tërë dokumentacionin, ndërkohë edhe sot po të hysh të kërkosh nuk i gjen, dhe kjo ishte në fakt sfida më e madhe me të cilën u përballëm. Që nga ideimi i vetë kontratave, procedurat që janë ndjekur për dhënien me koncesion, kontrata në vetëvete dhe pastaj pjesa tjetër e zbatimit të koncesioneve.”

Një tjetër problem madhor që theksohet në raport është fakti se nuk ka një pasqyrë të dhënash sesi zbatimi i këtyre koncesioneve ka ndikuar në popullatë.

Problematika që ne kemi konstatuar është vërtet shumë e rëndë dhe nëse do të kishim edhe më shumë dokumentacione, pra dhe me ato që kemi arritur të sigurojmë , pra eksperti ka arritur të sigurojë edhe nëpërmjet rrugëve zyrtare sepse sigurisht janë zyrtare të gjitha dokumentet, vihet re që çdo procedurë ligjore. Legjislacioni është ndryshuar në mënyrë të përshpejtuar dhe pavarësisht ndryshimeve ligjore, përsëri në ndjeken e tërë procedurave janë shkelur të tërë bazat ligjore, i tërë legjislacioni. Dhe ajo që bie shumë në sy është që kuur është konceptuar i referohem Check –Up  tërë barra, tërë risku i është lënë institucioneve publike. Ndërkohë fitimi është kujdesur shumë edhe në nëshkrimin e kontratës edhe në dokumentet për aplikim për check-up-in është kujdesur shumë autoriteti kontraktor, që në fakt duhet të mbrojë buxhetin e shtetit , duhet të mbrojë paratë tona, është kujdesur që të mbrojë fitimet e koncensionarit. Pra nëse aty është parashikuar një numër, që në fillimet e herës qëkur është bërë analiza pse ishte i nevojshëm koncesioni është marrë një numër prej 900 mijë qytetarësh që i përkasin grupmoshës 40-65 vjeç, këtë referuar Check-up nga të dhënat e INSTAT. Ndërkohë nuk është bërë një analizë e plotë sesi e kanë këta qasjen, a kryhen analiza nga qytetarët me vullnetin e tyre, si është niveli i sëmundshëmrisë në këto grupmosha, pra nuk ka një analizë të tillë. Ndërkohë që është marrë në mënyrë apriori dhe është thënë 475 mijë qytetarë do të bëjnë analizat çdo vit.”

Intervista e plotë:

Mungesë vullneti për rishikim apo anulim

“Tavani dhe dyshemeja. Në çfarë kuptimi? Nëse është më i vogël numri i kontrolleve, ti do të paguash edhe për ato që nuk janë kryer. Dhe nëse është më i lartë buxheti i shtetit është i detyruar , qoftë edhe 1 më tepër ta paguajë (1537 lekë). Dhe ndërkohë buxheti është në humbje. Që në fillim kur është lidhur kontrata dhe përzgjedhja e këtij koncesionari pra kësaj oferte është në kundërshtim me ligjin, sepse kjo ishte oferta më e lartë. Dhe pa snjë justifikim për njësi, për një kontroll bazë, një person që kryen analizat diferenca me dy operatorëve të parit dhe të dytit, që ngelën konkurrentë deri në fund  është tek 238 lekë të reja për një individ. Nëse këtë do ta shumëzojmë për 450 mijë në vit dhe për 10 vite kuptohet sesa është humbja e shtetit në fund të këtij koncesionari. Dhe kjo pastaj vazhdon, pavarësisht shkeljeve të konstatuara, jo vetëm shkrimeve investigative, jo vetëm subjekteve politike që janë edhe ato autorët e denoncimit në SPAK  të dy prej koncesionarëve dhe institucionet publike nuk kanë marrë masa as sot e kësaj dite, qoftë për rishikimin  e kontratave. Pra nuk kemi transparencë, a janë parë këto kontrata, a janë rishikuar, ose për anulimin e tyre. Pra ne vazhdojmë të paguajmë dhe akoma për fatin e keq dhe pa transparencë në buxhetin afatmesëm deri në 2027 është parashikuar që check-up të vazhdojë, pavarësisht se ai mbaron sepse kohëzgjatja është 10-vjeçare, shto dhe kohën e pezullimit që ka pasur në periudhën e COVID prej disa muajsh,” tregon Lahe.

Gjatë COVID kompania koncesionare refuzonte të kryente analiza me argumentin se ishte ezauruar fondi i analizave që duhej të kryheshin.

Edhe vetë koncesionari edhe vetë shteti duhej ta vinin direkt  në funksion, tërë asetet e krijuara për check-upin duhej të viheshin në funksion  të problemtikës që lindi. Ndërkohë që kjo nuk ndodhi . Dhe ne në ato vite kemi paguar pothuajse dyfishin  e analizave që janë kryer. Pra numri i personave që kanë kryer check up-ka qenë shumë më i ulët sesa ai i parashikuar. Ndërkohë që buxheti i shtetit ka vazhduar t’i japë fonde koncesionarit sikur të kishte kryer 475 mijë kontrolle në vit.”

Koncesionet që duhet të ishin një mjet për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve, janë kthyer në simbol të keqpërdorimit të fondeve publike dhe mungesës së kontrollit institucional.

Raportin e plotë e gjeni në linkun: https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2025/04/RAPORT_MENAXHIMI-DHE-SFIDA-E-KONCESIONEVE-PPP-NE-SHENDETESI-10.pdf

Read more

E vërteta pas koncesionit të sterilizimit në shëndetësi

Nga premtimi për cilësi, në barrë për buxhetin publik

Në vitin 2015, Ministria e Shëndetësisë ndërmori një nga projektet më ambicioze të Partneritetit Publik Privat (PPP) në sistemin shëndetësor: ofrimin e një shërbimi të integruar për setet kirurgjikale të personalizuara, pajisjet mjekësore sterile njëpërdorimëshe, dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe trajtimin e mbetjeve biologjike. Kontrata u nënshkrua me kompaninë “SaniService sh.p.k.” për një periudhë 10-vjeçare, duke hyrë në fuqi në dhjetor të po atij viti.

Objektivi i këtij koncesioni ishte përmirësimi i cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve kirurgjikale në spitalet publike në të gjithë vendin. Por me kalimin e viteve, ky projekt u kthye nga një premtim modernizimi në një shembull flagrant të sfidave që shoqërojnë kontratat koncesionare në Shqipëri.

Ndërsa ideja e financimit “pay-per-use”, ku shteti paguan për çdo përdorim të shërbimit, synonte të sillte eficiencë dhe kontroll të kostove, realiteti rezultoi krejt ndryshe. Nga viti 2017 deri në 2021, pagesat ndaj kompanisë kapën shifrën e 7.88 miliardë lekëve, ndërsa në total, buxheti parashikon të paguajë deri në fund të kontratës rreth 16.5 miliardë lekë.

Në mënyrë të befasishme, vetëm për vitin 2018, shpenzimet tejkaluan ndjeshëm parashikimet fillestare: nga 1.26 miliardë lekë të planifikuara, u faturuan rreth 2.08 miliardë lekë. Një rritje e tillë nuk u shoqërua me asnjë analizë të thelluar apo ndërhyrje për të mbajtur kostot nën kontroll.

Për më tepër, strukturat përgjegjëse nuk kishin parashikuar mekanizma për monitorim dhe kontroll të zbatimit të kontratës në terren. Në auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), evidentohet se mungon një njësi funksionale për kontrollin fizik të këtij shërbimi, një neglizhencë serioze për një kontratë që rëndon ndjeshëm mbi financat publike.

Standarde jo të barabarta, sete të papërshtatshme

Problemet e koncesionit të sterilizimit nuk kufizohen vetëm në tejkalimet buxhetore dhe mungesën e monitorimit institucional. Një ndër çështjet më shqetësuese që kanë dalë nga auditimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) ka të bëjë me mungesën e standardizimit dhe koherencës në ofrimin e seteve kirurgjikale.

Të dhënat e vitit 2022 tregojnë një praktikë të paqartë dhe të pasistemuar në shpërndarjen e seteve kirurgjikale në spitale të ndryshme. Për të njëjtën ndërhyrje kirurgjikale, pra për të njëjtin lloj operacioni me të njëjtat kërkesa klinike,  janë përdorur sete të ndryshme instrumentesh. Kjo jo vetëm që cenon standardet klinike dhe sigurinë e pacientit, por krijon edhe një konfuzion të madh në logjistikën e ofrimit të shërbimit dhe në menaxhimin e kostove.

Në praktikë, mungesa e një protokolli të unifikuar për përcaktimin e përmbajtjes së seteve të personalizuara sjell pasoja të shumta. Nga njëra anë, stafi kirurgjikal nuk ka garanci për pajisje të njëjta dhe të përshtatshme nga një ndërhyrje në tjetrën. Kjo mund të ndikojë drejtpërdrejt në kohëzgjatjen e ndërhyrjes, në përgatitjen para operacionit dhe potencialisht në sigurinë intra-operatore të pacientit. Nga ana tjetër, për operatorin koncesionar, kjo lejon hapësirë për interpretim subjektiv të kompleksitetit të ndërhyrjes, dhe për rrjedhojë, për faturim të lartë të seteve “më komplekse”, pa një justifikim të qartë mjekësor.

Raporti i KLSH-së evidenton se ka pasur një rritje jo proporcionale të përdorimit të seteve të kompleksitetit të lartë, që përkthehet në një rritje artificiale të çmimeve të shërbimit, duke nxitur përdorimin e seteve më të shtrenjta edhe në ndërhyrje që nuk e kërkojnë këtë nivel kompleksiteti. Edhe kategoritë e seteve me kompleksitet të ulët janë rritur me 16%, ndërsa ato me kompleksitet të mesëm me 3%, duke dëshmuar për një mungesë të një matrice të qartë për kategorizimin e ndërhyrjeve dhe për përcaktimin transparent të çmimeve për secilën kategori.

Për më tepër, në auditimin e kryer në spitale universitare, rajonale dhe bashkiake është konstatuar se për të njëjtën diagnozë kirurgjikale janë përdorur deri në 3–4 lloje të ndryshme setesh, gjë që cenon rëndë parimin e barazisë së aksesit në shërbim për qytetarët në zona të ndryshme të vendit. Një pacient në Tiranë mund të ketë marrë një set më të kompletuar ose më të shtrenjtë, ndërsa një pacient në një spital rajonal mund të ketë përfituar një set më të thjeshtë për të njëjtën ndërhyrje, duke krijuar kështu një ndarje të pabarabartë të cilësisë së kujdesit.

Kjo mungesë uniformiteti ngre dyshime serioze edhe për mungesën e mbikëqyrjes teknike dhe klinike nga ana e autoriteteve shtetërore, të cilat duhet të ishin garantues të zbatimit të protokolleve dhe kontrollit të cilësisë së pajisjeve kirurgjikale në të gjithë rrjetin spitalor.

Në fund, kjo situatë nuk është thjesht një problem i teknikave administrative apo buxhetore – por një çështje e rëndë sistemike që cenon besimin publik, krijon shpenzime të pajustifikuara për taksapaguesit dhe ekspozon pacientët ndaj rrezikut të një kujdesi jo uniform dhe potencialisht të pasigurt.

Përballë kësaj panorame, nevoja për një rishikim të thelluar të strukturës së kontratës, protokolleve të seteve kirurgjikale dhe transparencës në faturim është urgjente dhe thelbësore për të rikthyer standardet në vendin që u takon në sistemin shëndetësor publik.

Reagimi institucional dhe hetimet për abuzime

Në vitin 2018, KLSH i kërkoi Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shëndetësisë të rishikonin strukturën e çmimeve dhe paketave që ofronte koncesionari. U rekomandua që të përjashtoheshin nga përfshirja në kosto elementë që mbulohen tashmë nga spitalet, siç janë energjia apo uji. Po ashtu, KLSH rekomandoi riformatimin e grupeve të kompleksitetit dhe përshtatjen e seteve sipas diagnozës dhe tipit të ndërhyrjes. Por deri më sot nuk ka prova të qarta që këto rekomandime janë zbatuar.

Koncesioni i sterilizimit nuk ka mbetur jashtë radarit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Që nga viti 2020 janë në zhvillim hetime që përfshijnë ish-zyrtarë të nivelit të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë, përfshirë ish-ministrin Ilir Beqaj, ish-zv/ministrin Klodian Rrjepaj dhe përfaqësues të kompanisë “SaniService”. Akuza të rënda si shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera janë bërë publike, duke i dhënë një tjetër dimension kritik këtij projekti.

Rasti i koncesionit të sterilizimit është një ndër ilustrimet më të qarta të mënyrës se si mungesa e analizës së kostove reale, mungesa e monitorimit dhe ndarja jo e balancuar e riskut mund të kthejnë një projekt me qëllim pozitiv në një barrë financiare për buxhetin publik dhe një burim pasigurie për sistemin shëndetësor.

Kjo përvojë tregon se çdo projekt i ngjashëm duhet të përfshijë më shumë transparencë, ekspertizë të pavarur në analizën e kostove dhe përfitimeve, si dhe mekanizma efektivë të kontrollit. Pa këto elementë thelbësorë, PPP-të në shëndetësi rrezikojnë të dështojnë, jo vetëm në misionin e tyre për të rritur cilësinë e kujdesit shëndetësor, por edhe në ruajtjen e besimit të publikut në mënyrën se si menaxhohen fondet publike.

Read more

Sterilizimi, zbardhen argumentet e gjykatës për Ilir Beqajn: Kostot u frynë me 56.4%, dëmi u bë detyrues  

Për Gjykatën e Posaçme ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe ish-zëvendësi i tij Klodian Rjepaj frynë kostot e shërbimit të sterilizimit në masën e 56.4% me qëllim përvetësimin dhe vjedhjen e fondeve të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në vendimin e gjyqtares së seancës paraprake, analizohet çdo pikë e kontratës së lidhur në vitin 2015 mes Ministrisë dhe koncensionarit, ku konkludohet se kontrata është negociuar në favor të kompanisë fituese.

“Shkeljet në detyrë të bëra nga z. Beqaj dhe z. Rjepaj janë të rënda dhe me qëllim të vetëm dhënien e koncesionit operatorëve ekonomikë Italian dhe shtetasit shqiptar, z.Ilir Rrapaj. Kanë qenë të paracaktuara projekti koncesionar; vetë dhënia e projektit me koncesion, kohëzgjatja e tij, vlera e kontratës dhe të gjitha veprimet e bëra nga z. Beqaj dhe z. Rjepaj kanë qenë për të veshur me formë ligjore këto veprime të paracaktuara, por që në përmbajtje kanë bërë të mundur përvetësimin e fondeve shtetërore”, thotë GJKKO.

Gjykata, shton se me firmën e ish-ministrit, shteti është detyruar të jetë palë e një kontrate nga e cila nuk fiton asgjë.

“Për të finalizuar këtë qëllim tyren, ata kanë bërë shkelje të shumta në këtë procedurë dhe kanë detyruar shtetin shqiptar të jetë pale në një kontratë koncesionare dhjetëvjeçare me një dëm të konsiderueshëm, pa zgjidhur çështjen e sterilizimit për gjithë vendin dhe shërbimet shtesë të ofruara, ndërkohë që kjo kontratë përfundon në fund të këtij viti dhe shteti do të përfitojë nga kjo kontratë, ato për të cilat vetë ka paguar nga fondet shtetërore. Përsa përfitohet, z. Beqaj ka pasur dijeni për gjithçka dhe ka qenë aktiv gjithë kohës, me qëllim konkludimin e planit të paramenduar për dhënien e shërbimit të sterilizimit dhe shërbimeve të tjera, operatorëve të paracaktuar, me vlerë të paracaktuar, e ky ka qenë edhe shkaku pse ai ka bërë shumë shkelje gjatë ushtrimit të detyrës së tij”, thotë GJKKO.

Bashkë me biznesmenin që fitoi koncensionin, Ilir Rrapaj, ata konsiderohen si pjesë e një grupi kriminal.

“Ndërkohë që, lidhur me mënyrën e bashkëpunimit në këtë rast, vlerësoj se nuk jemi para bashkëpunimit të thjeshtë, kjo për z. Beqaj, z. Rjepaj e z. Rrapaj. Bashkëpunimi i tyre është i shtrirë në kohë, i paracaktuar dhe paramenduar shumë mirë, e çdo veprim i kryer ka qenë me qëllim finalizimin e kontratës koncesionare, sipas interesave të këtyre subjekteve. Secili prej këtyre shtetasve ka pasur një rol kyç në këtë bashkëpunim dhe veprimet e gjithësecilit prej tyre kanë qenë në funksionin të arritjes së një qëllimi të vetëm, krijimi i një procedure për përvetësimin e fondeve shtetërore. Bashkëpunimi mes këtyre shtetasve ka qenë i posaçëm, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, thotë GJKKO.

Për ish-zyrtarët e tjerë të komisionit të koncensionit, Gjykata thotë se është provuar që ata ishin nën drejtimin e ish-zëvendësministrit dhe nuk kanë marrë pjesë sipas detyrimeve ligjore ne procedurat koncensionare, por thjesht kanë hedhur firmën.

Read more

Pacientët me sklerozë multiple lëngojnë nga qasja e kufizuar në barna

Qindra pacientë të diagnostikuar me sklerozë multiple në Shqipëri kanë pasur trajtim të munguar ose të vonuar me medikamente, duke rrezikuar shëndetin dhe cilësinë e jetesës.

Etleva* ishte vetëm 20 vjeç kur u diagnostikua me një sëmundje autoimunitare të pashërueshme të quajtur Skleroza Multiple. Në vitin 2001, kur ishte studente në Itali, ajo përfundoi në spital për shkak të dhimbjeve të forta të kokës, mpirjes në njërën anë të trupit dhe disa episodeve të humbjes së ekuilibrit.

Lajmi që mori nga mjekët ishte tronditës.

“M’u errësuan sytë, u mbylla në vete dhe m’u desh shumë kohë që të mësohesha me këtë sëmundje, e cila më shfaqej herë pas here,” kujton Etleva, sot 44 vjeç.

Perpecitë e Etlevës me sëmundjen u rënduan pas kthimit në atdhe, ku ajo u mjekua për disa vite me Interferon – medikamenti i vetëm në atë kohë në dispozicion të pacientëve me sklerozë të shumëfishtë në Shqipëri. Por Interferoni e humbi efektin në trupin e saj dhe medikamente të tjera nuk kishte.

Etleva i tha BIRN se qëndroi shumë vite pa mjekim, përpara se mjekët t’i jepnin një medikament të ri në vitin 2021, i cili i shkaktoi probleme në mëlçi.

“Që nga ajo kohë nuk marrë mjekime të tjera, nuk më rekomandojnë, pasi mjekët thonë që jam mirë,” tha Etleva për BIRN. “Në fakt jam mbyllur në shtëpi pasi nuk mund të lëviz, kam humbje të ekuilibrit dhe lodhem shpejt,” shtoi pacientja e shqetësuar.

Skleroza e shumëfishtë është një sëmundje kronike autoimunitare që godet sistemin nervor, duke rrezikuar dobësim të muskujve, probleme me shikimin, humbje të ekuilibrit e deri në invaliditet. Sëmundja diagnostikohet kryesisht mes moshës 20-40 vjeç, por në raste të rralla edhe në mosha minorene.

Për sistemin shëndetësor shqiptar, skleroza multiple ka një prevalencë të ulët dhe nuk konsiderohet një problem. Por qindra pacientë të diagnostikuar në Shqipëri jetojnë me dramën e trajtimeve të mohuara ose të vonuara, të cilat rrezikojnë shëndetin dhe cilësinë e tyre të jetesës.

Sipas Tanush Çaushit, president i fondacionit “Pema e Jetës” për pacientët me sklerozë multiple, mungesa e medikamenteve dhe e protokollit të trajtimit ndër vite ka sjellë përkeqësim të shëndetit për shumë persona që vuajnë nga kjo sëmundje në Shqipëri.

Çaushi shprehu gjithashtu shqetësimin se sistemi shëndetësor arrin të trajtojë vetëm 10% të pacientëve, ndërkohë që shërbimet e domosdoshme të fizioterapisë dhe trajtimet psikologjike nuk mbulohen ende nga shteti.

“Shumë të sëmurë janë detyruar të ikin jashtë vendit për trajtim, pasi në Shqipëri nuk kanë mundur ta marrin atë,” tha ai për BIRN.

Ministria e Shëndetësisë pretendoi përmes një përgjigje me shkrim se ndiqte protokollet ndërkombëtare për diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve me sklerozë multiple, ndërsa kishte përfshirë në listën e barnave të rimbursueshme disa medikamente inovatore për trajtimin e sëmundjes.

“Konsultat, diagnostikimi dhe trajtimi me barna përcaktohet nga një ekip prej 6 mjekësh, tre senior dhe tre rezidentë. Komisioni me 3 mjekë pranë shërbimit universitar të Neurologjisë në QSUNT vlerëson ecurinë e pacientit në dinamikë në lidhje dhe me trajtimin me barna të rimbursueshme dhe spitalore,” tha Ministria e Shëndetësisë.

Sëmundje e paparashikueshme

Zbulimi dhe trajtimi i sklerozës së shumëfishtë ka qenë një sfidë e vazhdueshme për shkencëtarët dhe neurologët që prej fillimit të shekullit 19. Qindra terapi u testuan në mënyrë të pasuksesshme te personat e prekur në botë, përpara se pacientët me episode të përsëritura të trajtoheshin me kortizon në fillim të viteve 1950.

Në Shqipëri, mjekimi i parë për trajtimin e pasojave të sëmundjes u fut në vitin 2000 dhe për gati dy dekada mbeti i pandryshuar, pavarësisht përparimit të shkencës dhe miratimit të medikamenteve të reja.

Vendit i mungon gjithashtu një regjistër kombëtar i pacientëve me sklerozë multiple, çka e bën numrin e tyre të paqartë. Ministria e Shëndetësisë nuk vuri në dispozicion të BIRN numrin total të pacientëve, por vetëm të dhënat e vitit 2024, sipas së cilës janë ndjekur gjithsej 210 raste.

Ndërkohë, fondacioni “Pema e Jetës” numëron rreth 2 mijë pacientë në të gjithë vendin, duke u bazuar te studimet e veta.

Në Shërbimin e Neurologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mjekja Jera Kruja, njëherazi shefe e shërbimit, merret prej 45 vitesh me trajtimin e sklerozës multiple, të cilën ajo e quan një sëmundje të paparashikueshme.

“Është sëmundje autoimune, ka shumë të panjohura. Pra, ti mund t’ja bësh të gjitha dhe sëmundja mund të shkojë keq. Dhe një tjetër që s’ka bërë asgjë, shkon mirë,” shpjegon ajo.

Sipas Krujës, numri i pacientëve në rang vendi nuk është shumë i lartë dhe ajo beson se sëmundja është e mbuluar mirë në krahasim me sëmundje të tjera më të shpeshta si epilepsia apo parkinsoni. Kruja tha gjithashtu se mbulimi me medikamente është përmirësuar ndjeshëm që nga viti 2000, kur mjekimi i parë për sklerozën multiple mbërriti në Shqipëri.

“Mjekimin e parë për këtë sëmundje e kemi që në vitin 2000, që ka qenë vetëm pak vite pasi u fut në Europë. Pastaj futëm disa medikamente dhe ngelëm disa vite me ato, ndërkohë që shkenca përparoi dhe nxori mjekime të reja,” kujton Kruja, e cila thekson se situata ka ndryshuar gjatë viteve të fundit.

Në dy vitet e fundit, sipas saj, shteti rimburson 100% shtatë alternativa për trajtimin e Sklerozës Multiple nga 14 të tilla që qarkullojnë në Europë, përfshirë edhe katër barna inovatore si Ocrevus, Mavenclad, Glatiramer Acetate dhe Cesimta.

Por Tanush Çaushi nga fondacioni “Pema e Jetës” i tha BIRN se vetëm një numër i kufizuar pacientësh po trajtohen me medikamentet e reja.

“Numri i të trajtuarve me sklerozë multiple në vendin tonë është mbi 160 pacientë, ndërkohë që numri i të prekurve rezulton të jetë më i lartë. Sipas statistikave të QSUT janë rreth 1000 pacientë, ndërkohë që sipas studimeve tona rezultojnë rreth 2000 pacientë,” tha ai.

Çaushi, 42 vjeç, u diagnostikua me sklerozë multiple në vitin 2015 dhe thotë se sëmundja ka avancuar në një kohë të shpejtë, aq sa tani ai mundet të ecë me ndihmën e një walker-i. Ai fajëson protokollin e mjekimit për avancimin e sëmundjes.

“Për katër vite jam trajtuar me Interferon, prandaj jam përkeqësuar kaq shumë. Kam kërkuar medikament tjetër, por më kanë thënë nga spitali: nuk kemi medikament tjetër,” thotë Çaushi.

“Kur e mora vesh që kishte medikamente të tjera, ishte tepër vonë për mua. Dëmi ishte bërë,” shtoi ai.

Gjatë dy viteve të fundit, Çaushi po trajtohet me Ocrevus, të cilin e merr dy herë në vit në kushte spitalore me injeksion. Por ai druhet se do t’i ndërpritet mjekimi.

“Kohët e fundit po më thonë që trajtimi me këtë medikament vetëm për dy vite bëhet, ndërkohë që jashtë vendit, nëse është funskional për pacientin, medikamenti merret me vite, edhe 10 vjet,” tha ai.

Pacientët nuk kanë akses në medikamente  

Medikamentet e trajtimit të sklerozës multiple janë tejet të kushtueshme me çmime që variojnë nga 2 mijë deri në dhjetra mijëra euro për njësi. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, barnat e rimbursueshme për këtë kategori pacientësh kanë kushtuar 394 milionë lekë [3.9 milionë euro] për vitet 2022-2024.

Vetëm bari Ocrevus/ Ocrelizumab i ka kushtuar 64 milionë lekë QSUT-së gjatë një procedure prokurimi për vitet 2022-2024. Gjithsesi, këtë medikament e kanë përfituar vetëm një numër i kufizuar prej gati 20 pacientësh në këtë periudhë.

Pacientët e tjerë me të cilët BIRN foli ankohen për mungesën e medikamenteve dhe ndërprerjen e shpeshtë të tyre, ndërkohë që luftojnë çdo ditë me këtë sëmundje të vështirë.

Vera Bungu, një 47 vjeçare nga Vora ka mbetur prej vitesh në shtrat, pasi nuk i lëviz dot gjymtyrët e deformuar. Ajo është diagnostikuar 14 vite më parë, por ka marrë trajtim me medikamente vetëm para katër vitesh.

“Nuk lëviz dot as duart, as këmbët, nuk qëndroj dot as në karrocë. Edhe për t’u ushqyer, më ushqen kunata, pasi nuk kam njeri tjetër,” thotë Vera.

Aktualisht, ajo po trajtohet me Vitaminë C, Lioresal, medikament për qetësimin e muskujve, dhe një qetësues për ankthin. Ajo ankohet se nuk ka pasur akses në medikamentet e tjera që trajtojnë simptomat e Sklerozës Multiple.

“Nga spitali, më kanë thënë se nuk ka medikamente për Sklerozën Multiple, ndërsa mjeku i familjes më ka thënë ka, por nuk e jep spitali. Mendova të hyjmë dhe në borxhe për ta blerë, por ishte rreth 35 mijë euro një flakon dhe nuk e përballoj dot,” tha ajo.

Edhe Albana, një 48 vjeçare nga Lezha ka një përvojë të ngjashme. E diagnostikuar para 6 vitesh me sklerozën e shumëfishtë, ajo është trajtuar me Interferon vetëm për 1 vit e gjysmë.

“Pastaj nuk ma dhanë më, shko në qytetin tënd më thanë. U bëra mirë, por kisha vështirësi. M’u rikthye sërish, nuk lëviz më, kam ngelur në krevat,” ankohet Albana, e cila shtoi se mjekët në Lezhë i kanë thënë që mjekimi mund të jepet vetëm nga Tirana.

Blerina*, vajza e një pacienti të diagnostikuar dy vjet më parë me sklerozë multiple thotë se nuk arritën të sigurojnë asnjë medikament në Shqipëri pavarësisht përpjekjeve, duke u detyruar që të zhvendoseshin drejt Italisë për kurimin e të atit.

“Në spital më thanë: është moshë e madhe babai, le të rrijë kështu njëherë për njëherë. Duke parë gjendjen që po përkeqësohej, frika për një relaps të mundshëm po rritej dita ditës,” kujton ajo.

Pasi siguroi një kartë shëndeti në Itali, Blerina thotë se babai i saj iu nënshtrua ekzaminimeve atje dhe më pas iu dha menjëherë medikamenti, bashkë me këshillën që nuk duhej ndërprerë asnjëherë.

“Kemi shpenzuar shumë e kemi marrë dhe kredi vetëm për t’i mundësuar babit një jetë më cilësore,” tha Blerina. “Jam e zhgënjyer nga trajtimi në Shqipëri dhe është absurditet që më shpejt të arrij t’i siguroj ilaçet në Itali sesa në vendin ku ai ka punuar me vite,” shtoi ajo.

Mjeku neurolog grek, Grigorios Nasios, i cili trajton edhe pacientë me sklerozë multiple në njërin prej spitaleve private të vendit i tha BIRN se pacientët shqiptarë nuk trajtohen mirë nga sistemi dhe e quajti këtë “një tragjedi”.

“Unë personalisht i trajtoj shumë prej tyre dhe kam hasur vështirësi edhe për të patur akses në medikamente,” tha Nasios.

“Ne kurrë nuk e ndërpresim trajtimin. Mund të ndodhë nëse gjendja është shumë kronike dhe rastet e sëmundjes progresive dytësore, por kjo vetëm pasi e kemi trajtuar për 20-30 vjet,” shtoi ai.

Fizioterapia nga xhepi

Pacientët me sklerozë multiple paguajnë nga xhepi shërbimet mjekësore që lidhen me fizioterapinë, shëndetin mendor dhe në raste të rënduara, edhe nevojën për infermierë dhe kujdetarë, pasi sistemi publik shëndetësor nuk i ofron dhe as nuk i mbulon këto shërbime.

Mjekja neurologe, Jera Kruja e konsideron fizioterapinë si bazë terapeutike, por mundësitë në shërbimin që ajo drejton janë të kufizuara. Kruja thotë se para disa vitesh bëri një ambient të përshtatshëm për rehabilitimin e pacientëve, por ky ambient nuk varet prej vitesh nga Neurologjia.

“Është i rëndësishëm jo vetëm në spital, por edhe ambulator shumë i rëndësishëm,” tha ajo lidhur me fizioterapinë.

Fondacioni “Pema e Jetës” po lobon prej vitesh që pacientët me sklerozë multiple të përfitojnë falas shërbimet e fizioterapisë, që sipas presidentit të saj, Tanush Çaushi u kushtojnë shtrenjtë atyre.

“Të gjitha kostot i mbulojmë privatisht. Unë duhet të kryej 3 seanca në javë me 25-30 Euro seanca. Plus më duhet të marr edhe taksi për të shkuar te klinika. Kostot janë të papërballueshme për të kryer fizioterapinë privatisht,” tha Çaushi.

Sipas fizioterapistit Fatjon Hajdari, mungesa e trajtimit periodik për pacientët me sklerozë multiple rëndon mbi shëndetin dhe cilësinë e tyre të jetesës.

“Mungesa e fizioterapisë çon në bllokim muskular dhe të artikulacioneve dhe e bën të pamundur lëvizshmërinë normale të njeriut. Nëse nuk do t’ju nënshtrohen fizioterapisë, këta pacientë do të kenë vetëm përkeqësim të aftësinë se tyre fizike dhe deri në bllokim të gjymtyrëve dhe qëndrimin në shtrat,” tha Hajdari.

Ndryshe nga sa thonë pacientët, Ministria e Shëndetësisë pretendoi se shërbimi i fizioterapisë ofrohej falas.

“Pacientët që kanë rekomandim nga mjeku neurolog e marrin këtë shërbim në qendrat socio-shëndetësore të krijuara dhe që gradualisht do të mbulojnë gjithë territorin sipas planit të veprimit 2021-2030,” përfundoi Ministria e Shëndetësisë.

*Emrat janë ndryshuar për të mbrojtur privatësinë e pacientëve.

/BIRN

Read more

KLSH dhe TFL ngrenë alarm për rishikimin e kontratave PPP në Shëndetësi: Shpenzime të larta dhe mungesë transparence

Këto probleme reflektojnë një menaxhim joefikas të kontratave PPP në shëndetësi dhe kosto të larta për shërbime që nuk realizohen.

Koncesionet aktive në shëndetësi duke nisur nga ai i kontrollit bazë (check up) e deri tek ai i pajisjeve kirurgjikalë shfaqin ende sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit problematika të cilat ndryshojnë nga rasti në rast.

Këto nisin nga kontrollet e pakryera por të faturuara, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar i aplikuar por që në shëndetësi nuk gjen zbatim sipas kuadrit ligjor në fuqi apo edhe tejkalimi i parashikimit të shpenzimeve në disa kontrata të cilat duhet të mbulohen nga buxheti.

Gjetjet e Kontrollit të Shtetit në një auditim pranë Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) shkojnë në një linjë me Raportin e i Monitorimit të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030, i cili nënvizon se “mungesa e transparencës ka karakterizuar zbatimin e kontratave të Partneritetit Publik Privat (PPP) në shëndetësi, duke rritur shqetësimet mbi keqpërdorimin e fondeve publike.”

Po ashtu, theksi vihet ne koston e shërbimeve në këto vite rezultojnë me të larta nga sa janë parashikuar dhe nga buxheti është paguar edhe për shërbime të pakryera.

Deri tani procedurat e ndjekura nga strukturat e shëndetësisë në dhënien me koncesion të disa shërbimeve në formën e PPP kanë rezultuar, në rastin më të mirë, të dyshimta dhe, në rastin më të keq, korruptive dhe, në të gjitha rastet, është evidentuar kosto e lartë për fondet publike.

Specifikisht duke iu referuar viteve 2022 dhe 2023 për sa i përket ecurisë së koncesioneve tregojnë një mospërputhje mes buxheteve të planifikuara dhe shpenzimeve reale, duke ngritur shqetësime lidhur me menaxhimin e financave dhe eficencën e këtyre kontratave.

Shërbimi Check-Up tregoi një rritje të kostos për njësi në vitin 2022 dhe me pagesa për teste që nuk u kryen. Kjo tregon për një menaxhim joefektiv, pasi shpenzimet vazhdojnë të mbeten të paarsyetuara. Në sektorin e laboratorëve, kostoja për njësi u rrit në të dy vitet, ndërsa shërbimet e realizuara ishin më të ulëta se ato të planifikuara, duke sugjeruar mbikostime dhe mangësi në kontrollin financiar.

Për ecurinë e kontratës për sterilizimin e mjeteve kirurgjikale nuk ka asnjë informacion, çka ngre shqetësime për mungesën e transparencës në këtë koncesion.

Ndërkohë, në shërbimin e dializës, rënia e numrit të seancave të realizuara dhe rritja e kostos për njësi në vitet 2022 dhe 2023 tregon për mbingarkesa financiare, duke sugjeruar se burimet nuk po përdoren në mënyrë efektive.

Në përgjithësi, këto probleme reflektojnë një menaxhim joefikas të kontratave PPP në shëndetësi dhe kosto të larta për shërbime që nuk realizohen. Referuar gjetjeve të raportit edhe TFL ka rekomanduar marrjen e masave për rishikimin e mekanizmave të prokurimit, zhvillimin e politikave financiare më të qëndrueshme dhe vendosjen e një sistemi transparent raportimi për të siguruar menaxhim më të mirë të fondeve dhe mbulim efektiv të shërbimeve shëndetësore.

Gjetjet e KLSH

“Nga auditimi mbi financimin e Kontratës së Koncesionit të Kontrollit Mjekësor Bazë (KMB/Check-up), ka rezultuar se në vitin 2023, referuar projeksionit janë kryer pagesa në shumën 876,083 mijë lekë për 475,000 kontrolle të planifikuara, në një kohë që shërbimi i kontrollit mjekësor është kryer për 467,664 raste.

– Referuar të dhënave lidhur me financimin dhe likuidimin e shpenzimeve për Kontratën e Koncesionit “PPP-Kontrolli Mjekësor Bazë” dhe “PPP-Sterilizimi i pajisjeve mjekësore”, 5 është likuiduar me TVSH vlera e shpenzimeve të kryera për dhënien e këtyre shërbimeve, sipas përcaktimeve kontraktore. Përcaktimi i mënyrës së pagesës, është në kundërshtim me Ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe PPP”, neni 27 “Përmbajtja e kontratës”, pika 1. Kryerja e pagesave sipas faturës së lëshuar nga koncesionari me TVSH, është në kundërshtim me Ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, Kreu VIII, neni 51, germa “c” dhe Udhëzimin nr. 6, datë 30.01.2015 “Për TVSH-në në Republikën e Shqipërisë” neni 38 “Furnizimet e barnave dhe shërbimeve shëndetësore”.

– Lidhur me financimin e Kontratës Koncesionare nr. 1503/44, datë 10.02.2016 “Për ofrimin e hemodializës”, edhe për vitin 2023 pagesa e koncesionarit vijon të mos bëhet për shërbim të kryer, por për shërbim të faturuar, i cili përfshin likuidimin e rasteve të pakryera ose nën projeksion vjetor, si dhe të rasteve të realizuara mbi projeksion mujor, të secilës qendër dialize, konkretisht për 9,241 raste nën projeksion dhe 1,557 raste mbi projeksion, në shumën 103,527 mijë lekë.

Sipas të dhënave të vendosura në dispozicion nga FSDKSH, në lidhje me financimin e kontratave PPP, ka rezultuar se në tre kontrata, vlera e financimit vjetor, si dhe parashikimet e financimit të tyre në PBA 2023-2025, janë përtej mbështetjes buxhetore të parashikuar për zbatimin e tyre” thuhet në raport.

Rekomandimet e KLSH

FSDKSH, në rolin e përfaqësuesit në lidhjen e Kontratave koncensionare në bashkëpunim me MSHMS në cilësinë e autoritetit kontraktor: – të marrë masat për përgatitjen e një relacioni argumentues të detajuar për MSHMS, e cila në bashkëpunim me Shoqëritë Koncesionare të gjykojnë dhe vlerësojnë mbi mundësinë reale të rishikimit të kushteve të kontratës, me qëllim kjo eliminimin e pagesave për shërbim të pakryer, si dhe kthimin në ligjshmëri dhe ndërprerjen e pagesave të TVSH-së, për shërbime të përjashtuara nga ky lloj tatimi, duke synuar përdorimin e fondeve publike me efektivitet, eficencë dhe ekonomicitet.

– Të vlerësoj mundësinë e negocimit të kontratës koncesionare nr.1503/44, datë 10.02.2016 “Për shërbimin e hemodializës në pesë qendra pranë Spitaleve Rajonale të Vlorës, Shkodrës, Elbasanit, Korçës dhe Lezhës”, për rishikimin e projeksionit sipas rajoneve në bazë të historikut, që disponon MSHMS dhe FSDKSH.

FSDKSH në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të marrin masa duke ngritur grupe pune me qëllim kryerjen e rishikimeve të përmbajtjes së gjithë paketave (vizitat, ekzaminimet, trajtimet mjekësore si dhe rillogaritjen e çmimeve përkatëse) në kushtet e ndryshimeve të vazhdueshme prej vitit 2020 deri 2024 nga momenti i hartimit apo rishikimit të tyre, si dhe monitorimin e kontratave PPP, me qëllim ndjekjen dhe disiplinimin e shpenzimeve, përdorimin me efektivitet të fondeve, të cilat rezultojnë me tendencë në rritje nga viti në vit, jo vetëm si rezultat i rritjes së rasteve, por dhe si rezultat i rritjes së kostove të shërbimit për pacient, duke tejkaluar mbështetjen buxhetore të parashikuar në kontratat koncesionare.

Gjithashtu, nga FSDKSH dhe MSHMS, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, të merren masa për sigurimin e mbështetjes buxhetore për financimin e këtyre shërbimeve jetike për popullatën, në masën e duhur dhe në vijimësi.

Read more

Raporti i KLSH konfirmon shqetësimet e ngritura nga TFL për gjendjen e personave me probleme të shëndetit mendor

MUNGESË INVESTIMESH, MBIPOPULLIM SPITALOR DHE SHKELJE TË TË DREJTAVE TË PACIENTËVE

Shoqata Together for Life (TFL) në muajin nëntor 2024, gjatë prezantimit të gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit të Monitorimit të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 vuri në dukje “dështimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) për të përmbushur angazhimet për shëndetin mendor në Shqipëri”.

Bazuar në gjetjet e Raportit, u theksua se përveç disa përmirësimeve në kuadrin ligjor dhe disa trajnimeve të stafit – të mbështetura kryesisht nga partnerë ndërkombëtarë, asnjë nga aktivitetet e tjera të parashikuara në Strategji nuk është realizuar deri në 2024.

“MSHMS ka dështuar në ngritjen e katër shtëpive mbështetëse të planifikuara për periudhën 2022-2024 në Tiranë, Vlorë, Dibër dhe Pogradec, të cilat do të duhet të ofronin mbështetje për pacientët që transferohen nga spitalet psikiatrike, duke ulur mbipopullimin dhe përmirësuar rehabilitimin e tyre”, ka vënë në dukje Raporti i TFL.

Po ashtu, në Raportin e prezantuar nga Together for Life, në tryezën me përfaqësues të lartë të MSHMS, deputetë, drejtues të institucioneve shëndetësore, ekspertë, shoqëri civile dhe gazetarë, është ofruar një analizë e situatës në spitalet psikiatrike në të gjithë vendin, ku nënvizohet se ‘gjatë viteve 2022-2023, MSHMS ka planifikuar mbulimin e kostove për vetëm 930 pacientë në vit, ndërkohë që numri real i pacientëve të shtruar ka qenë shumë më i lartë, me 1,488 në vitin 2022 dhe 1,653 në vitin 2023.” Sipas hartuesve të raportit, kjo ka sjellë ulje drastike të kostos për njësi shërbimi, duke ngritur shqetësimin se 2,426 pacientë gjatë kësaj periudhe nuk kanë arritur të përfitojnë shërbime cilësore.

Këto shqetësime të ngritura disa muaj më parë nga TFL, janë përforcuar nga raporti më i fundit i auditimit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për shërbimet psikiatrike në Shqipëri. https://panel.klsh.org.al/storage/phpGX3PCM.pdf

Ky raport e ka vënë theksin tek mungesa e buxhetit të nevojshëm, ku “për vitin 2023, vetëm 2.5% e buxhetit të spitaleve publike është dedikuar për trajtimin e pacientëve me çrregullime mendore, duke krijuar një situatë të rënduar në spitale.”

Gjithashtu, Raporti i KLSH ka evidentuar problematikën me mbipopullimin e pavioneve që ka krijuar mungesën e hapësirave të nevojshme për privatësi dhe qetësi mendore të personave të shtruar në spitalet psikiatrike në të gjithë vendin. “Kushtet e rënda infrastrukturore, me lagështi, tualete të dëmtuara dhe mungesë pajisjesh bazike për trajtim të sigurt, përkeqësojnë cilësinë e kujdesit mjekësor”, thekson raporti i KLSH.

Po ashtu, raporti i KLSH ka nënvizuar problematikën e raportit mjek-pacient, e cila është shumë larg standardeve europiane, duke bërë të pamundur ofrimin e një trajtimi cilësor.

Bazuar në këtë situatë alarmante, Together for Life kërkon nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që të marrë masa urgjente për:

-rritjen e buxhetit për trajtimin e pacientëve me probleme të shëndetit mendor;

-ndërtimin e 4 shtëpive mbështetëse për të ulur numrin e pacientëve që trajtohen në spitale;

-ngritjen dhe forcimin e qendrave komunitare të shëndetit mendor për një kujdes të qëndrueshëm;

-shtimin e stafit të specializuar në spitalet psikiatrike, për të përmirësuar cilësinë e trajtimit;

-investime të menjëhershme në infrastrukturë për të siguruar kushte dinjitoze për pacientët;

-hartimi i një strategjie të qartë dhe fleksibël të financimit për të përballuar nevojat reale të pacientëve.

Situata e shëndetit mendor në Shqipëri kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Together for Life i bën thirrje qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ta trajtojnë këtë çështje si një prioritet kombëtar, duke siguruar që të gjithë pacientët me çrregullime të shëndetit mendor të marrin trajtimin e duhur, në kushte dinjitoze dhe të sigurta.

Për më shumë informacion dhe për të aksesuar raportin e plotë, ju lutemi klikoni linkun e mëposhtëm:

https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2024/11/Report_-Monitoring-of-the-National-Health-Strategy-2021-2030.pdf

Read more

Alarm për përhapjen e meningjitit në Durrës, TFL: Futja e vaksinës në kalendarin kombëtar të vaksinimit domosdoshmëri

Një rast i ri i meningjitit ka sjellë shqetësim në qytetin e Durrësit, pasi një 14-vjeçar është shtruar me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës. Ky rast u diagnostikua me meningjit fundjavën që kaloi dhe ndodhet aktualisht nën kujdesin intensiv të mjekëve. Sipas autoriteteve mjekësore, i mituri ka marrë trajtim të shpejtë dhe është ndjekur nga urgjenca e Spitalit të Durrësit, por, për shkak të gjendjes së tij, është transferuar në QSUT për vlerësim dhe kujdes më të thelluar.

Rasti ka ngritur shqetësimin e prindërve lidhur me mungesën e masave për parandalimin dhe mbrojtjen nga ky infeksion, ndërkohë që vaksinimi kundër meningjitit nuk përfshihet në kalendarin kombëtar të vaksinimit në Shqipëri. Kjo ka krijuar një panik të shtuar, pasi fëmijët e prekur po përjetojnë vështirësi shëndetësore, dhe qytetarët ndihen të pasigurt.

Në fillim të nëntorit, Together for Life (TFL) publikoi raportin “Monitorimi i Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030”,  evidentoi se kjo vaksinë, edhe pse e parashikuar për t’u përfshirë që në vitin 2023 në kalendarin kombëtar të  vaksinimit, rezulton se nuk është përfshirë  as për vitin 2023 dhe as për 2024.

Në tryezën e organizuar për prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit, TFL  i bëri thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të planifikojnë buxhetin e nevojshëm për futjen e kësaj vaksine në kalendarin e vitit 2025, si një hap i domosdoshëm për të përmbushur objektivin e mbulimit universal shëndetësor, përfshirë aksesin në vaksina të sigurta dhe efikase për të gjithë.

Shqipëria çdo vit regjistron 20-30 raste të meningjitit, që jo rrallë rezultojnë fatale për shëndetin apo jetën e të prekurve, kryesisht fëmijë dhe të rinj.

Aplikimi i vaksinës kundër meningokokut konsiderohet si një mjet parandalues thelbësor, që rekomandohet veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë në mjedise të mbyllura, si konvikte, çerdhe dhe kopshte, dhe për ata me sistem imunitar të dobësuar.

Përfshirja e kësaj vaksine në kalendarin kombëtar, jo vetëm  do të shmangte humbjen e jetëve në të ardhmen, por gjithashtu do të reduktonte barrën financiare për trajtimin e sëmundjeve të shkaktuara nga virusi meningokok.

Nga ana tjetër, Instituti i Shëndetit Publik ka bërë një reagim publik për të sqaruar situatën dhe për të informuar qytetarët për masat që janë marrë. ISHP thekson se infeksioni i shkaktuar nga Neisseria meningitis është një sëmundje infektive, e cila përhapet shpejt përmes kontaktit të ngushtë dhe mund të shfaqet në forma fulminante. Megjithatë, autoritetet sigurojnë se janë marrë masa rigoroze për profilaksinë, janë ndjekur rekomandimet për masat e profilaksisë për familjarët, personelin shëndetësor në Durrës 19 persona, personeli shëndetësor në QSUT si dhe kontaktet e ngushta në klasën e rastit, ku kanë marrë profilaksinë me antibiotikë 24 nxënës dhe 6 mësues duke ndjekur duke respektuar Udhëzuesin specifik si për çdo rast tjetër të dyshuar apo të konfirmuar me Neisseria meningitis.

Instituti i Shëndetit Publik theksoi gjithashtu se pacienti 14-vjeçar po trajtohet sipas protokolleve të mjekimit të meningjitit dhe gjendja e tij po monitorohet nga ekipet mjekësore në terapi intensive. Autoritetet kanë siguruar qytetarët se situata është nën kontroll dhe se nuk ka asnjë neglizhencë në menaxhimin e rastit, përkundrazi, po ndiqen hapat e duhur për mbrojtjen e shëndetit publik.

Kërkoni menjëherë kujdes mjekësor nëse ju ose dikush në familjen tuaj ka simptoma të meningjitit si:

  • Ethe
  • Dhimbje koke  që nuk largohet
  • Konfuzion
  • Të vjella
  • Qafë e ngurtë

Faktorët e rrezikut për meningjitin përfshijnë:

  • Mosbërja e vaksinave. Rreziku rritet për këdo që nuk i ka bërë të gjitha vaksinat e fëmijërisë ose të të rriturve.
  • Mosha. Meningjiti viral më së shpeshti shfaqet tek fëmijët më të vegjël se 5 vjeç. Meningjiti bakterial është i zakonshëm tek ata më të rinj se 20 vjeç.
  • Të jetuarit në grupe. Studentët  që jetojnë në konvikte, njerëzit në baza ushtarake dhe fëmijët në çerdhe dhe kopshte  janë në rrezik më të madh të meningjitit meningokokal. Kjo është ndoshta sepse mikrobi përhapet shpejt nëpër grupe të mëdha.
  • Shtatzënia. Shtatzënia rrit rrezikun e një infeksioni të shkaktuar nga bakteret listeria, e cila gjithashtu mund të shkaktojë meningjit. Infeksioni rrit rrezikun e abortit, lindjes së vdekur dhe lindjes së parakohshme.
  • Sistemi imunitar i dobësuar. SIDA, çrregullimi i përdorimit të alkoolit, diabeti, ilaçet që ulin sistemin imunitar dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në sistemin imunitar rrisin rrezikun e meningjitit.

Read more

Thirrje për artikuj investigativë në fushën e shëndetësisë

Shoqata Together for Life me mbështetjen e National Endowment for Democracy, hap thirrje për gazetarë investigativë në të gjithë vendin.

Thirrja publikohet në kuadër të projektit “Sektori Shëndetësor në Shqipëri: Transparent dhe i Pëgjegjshëm”, i cili fokusohet në përgjegjshmërinë dhe transparencën e institucioneve shëndetësore dhe nevojën për forcimin e llogaridhënies në këtë sektor.

Sektori i shëndetësisë në Shqipëri përballet me një buxhet të ulët dhe të pamjaftueshëm për mbulimin universal me shërbime shëndetësore në kohë, me cilësi dhe të përballueshëm për çdo individ. Ky sektor vuan gjithashtu nga mungesë e theksuar transparence dhe probleme me keqmenaxhimin e fondeve.

Një nga mjetet kryesore dhe shumë të rëndësishme që ndikon drejtpërdrejt në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies është gazetaria investigative, e cila ndihmon në identifikimin, raportimin dhe analizimin e problemeve të lidhura me korrupsionin në sistemin shëndetësor.

Për të kontribuar në promovimin e një sistemi shëndetësor të hapur dhe transparent, Together for Life shpall thirrjen për tre artikuj investigativë në fushën e shëndetësisë.

Gazetarë ose grupe gazetarësh nga e gjithë Shqipëria janë të lutur të aplikojnë me ide që përmbajnë çështje, probleme, situata të identifikuara apo që pritet të identifikohen dhe që kanë në qendër mungesën e aksesit në shërbime për grupe të caktuara, dyshime për abuzim me fondet në sektorin shëndetësor publik, apo çështje të tjera me ndjeshmëri të lartë në këtë sektor.

Afati i fundit i dorëzimit të aplikimit 24 shkurt 2025.

Aplikimi bëhet përmes plotësimit dhe dorëzimit të formularit të bashkëngjitur.

Propozimet do të vlerësohen nga një juri e pavarur, e përbërë nga gazetarë dhe ekspertë të njohur të medias.

Gazetarët e përzgjedhur pritet të angazhohen dhe të plotësojnë detyrat e përcaktuara për hetimin, duke respektuar standardet e gazetarisë investigative dhe etikën profesionale.

Përzgjedhja e aplikimeve do të’u japë përparësi atyre ide-propozimeve që trajtojnë temat më poshtë, por pa u kufizuar, duke u mbështetur në katër fjalët kyçe: transparencë, llogaridhënie, fonde publike, shëndetësi:

· Tenderat në sektorin e shëndetësisë: identifikimi dhe trajtimi i procedurave me flamur te kuq;

· Transparenca e shpenzimeve ne sektorin e shëndetësisë: përmirësimi i infrastrukturës, investimet në pajisje, shërbimet e reja, buxhetet e alokuara dhe shpenzuara per medikamentete me rimbursim, analiza e ekspertizes qe ofrojne kombanite qe perfitojne tendera ne sektorin e shendetesise, etj.;

· Shpenzimet për koncesionet (kontratat e tipit PPP) dhe ndikimi i tyre në buxhetin e përgjithshëm të shëndetësisë (preferohet që artikulli të përqendrohet në koncesionet e vitit buxhetor 2024);

· Si, sa dhe pse harxhojnë pacientët për marrjen e shërbimeve shëndetësore në sistemin publik në Shqipëri.

Gazetarët mund të dërgojnë më shumë se një propozim, por vetëm një do të përzgjidhet përt’u mbeshtetur.

Gazetarët e përzgjedhur do të përfitojnë një mbështetje financiare prej 1000 dollarësh, të cilat do të përdoren për realizimin e hetimit në lidhje me çështjen e përzgjedhur.

Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë gazetarët në Shqipëri, qoftë të punësuar, qoftë të pavarur. Kandidatët duhet të dërgojnë së bashku me formularin e aplikimit një CV dhe tre shembuj të punës së tyre, në adresën e emailit: info@togetherforlife.org.al

Read more
sqAlbanian