denonco@transparency.com.al

Kontrata PPP e sterilizimit i kushton shtrenjtë sistemit shëndetësor

Pas një operacioni rutinë në spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, kirurgu kthehet në zyrë me një pajisje në dorë, që sapo e ka marrë fshehurazi nga salla e operacionit. Ai e vendos atë mbi tavolinë, e çmbështjell nga një copë letër higjienike dhe tregon me gisht elektrobisturinë në ngjyrë blu, ende të paketuar në qese.
“Ky instrument do të hidhej në mbeturina,” tha kirurgu, i cili foli me BIRN në kushtet e anonimatit. “Ky është shembulli flagrant sesi shpërdorohen paratë tona,” shtoi ai gjatë bisedës së zhvilluar në zyrën e tij, në mesin e tetorit.
Elektrobisturia mbi tavolinën e kirurgut është pjesë e njërit prej seteve kirurgjikale, që kompania koncesionare “SaniService” i shet Ministrisë së Shëndetësisë për çmime që variojnë nga 16 mijë lekë deri në 45 mijë lekë [me TVSH] për çdo ndërhyrje.
Mjeku thotë se ka për qëllim që ta shpëtojë instrumentin duke e sterilizuar “ilegalisht” atë –në mënyrë që të kursejë para përmes përdorjes në një seri operacionesh të tjera.

Episodi i spitalit të Traumës nuk është një rast i izoluar. Të gjendur nën presionin e çmimeve të shtrenjta të seteve kirurgjikale, mjekët i kanë kthyer sytë tek autoklavat e vjetra, që janë rikthyer tashmë në qarkullim në disa prej spitaleve të rëndësishme të Tiranës.
Kontrata e Partneritetit Publik Privat për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale është në vitin e pestë të operimit, por ka shënuar rritje të kostove të parashikuara me gati 30%. Nga 9.6 miliardë lekë të parashikuara në vitin 2015, sterilizimi pritet tashmë të kushtojë 12.3 miliardë lekë në total.
Pagesat realizohen sipas skemës “përdor dhe paguaj”, ndaj rritja e numrit të ndërhyrjeve sjell rritje “pa tavan” të pagesave. Megjithatë, numri i operacioneve nuk është kalkulimi i vetëm i gabuar që rëndon sot mbi financat e sektorit të shëndetësisë.
BIRN intervistoi mjekë dhe kirurgë të spitave të ndryshme të Tiranës, të cilat pohuan se formula e zgjedhur i rrit shpeshherë kostot edhe fiktivisht. Mjekët pranuan se kishin përdorur sete të shtrenjta për mikrokirurgjitë dhe ishin detyruar shpeshherë që të hapnin dy ose tre sete gjatë një operacioni, për të gjetur instrumentin kirurgjikal që u nevojitej.
Sipas një vlerësimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kontrata e sterilizimit është hartuar në kushte favorizuese vetëm për koncesionarin dhe pritet të sjellë probleme në vazhdimësi për financimin e saj.
Kontrata PPP është gjithashtu një nga dosjet e para të bujshme që përfundoi në dyert e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe po hetohet prej 11 muajsh për tre vepra penale që lidhen me korrupsionin.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja e mbrojti kontratën në një përgjigje me shkrim për BIRN, pavarësisht kostove të rritura dhe akuzave të regjistruara nga Prokuroria.
“Kanë kaluar tashmë më shumë se 4 vjet nga ndërhyrja e parë kirurgjikale e realizuar me këtë shërbim të ri, por në dijeninë time asgjë nuk ka shkuar keq,” tha Beqja, firmëtar i kontratës.
“Përkundrazi, tashmë është e provuar se shërbimi kirurgjikal në çdo sallë operacioni të Shqipërisë është ndryshuar radikalisht dhe se çdo kirurg apo obstretër në Shqipëri operon në kushte shumë më të mira steriliteti me instrumenta kirurgjikale të gjeneratës së fundit,” shtoi ai.
Kompania koncesionare, SaniService nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.

Dhurimi i stacionit të sterilizimit
Kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është një prej 4 projekteve të Partneritetit Publik-Privat me mbështetje buxhetore në sektorin e shëndetësisë, me zanafillë te programi i qeverisjes së kryeministrit Edi Rama pas ngjitjes së tij në në pushtet në vitin 2013.
Kontrata u firmos në dhjetor 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.
Paketën më të madhe me 40 për qind të aksioneve e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj. Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se Rrapaj u kthye në Shqipëri pas zgjedhjeve të vitit 2013 dhe para se të fitonte koncesionin, vendosi kontakte të shpeshta me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Dokumentet e siguruara nga BIRN përmes një hetimi të zhvilluar në vitin 2016 nga Prokuroria e Tiranës tregojnë se kompania koncesionare e nisi punën nga një stacion modern sterilizimi i ndërtuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me kredi të qeverisë shqiptare, por që nuk ishte vënë për asnjë ditë në punë.
Sipas një raporti të KLSH, pajisje me vlerë mbi 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.
Qendra e sterilizimit ishte ndërtuar në vitin 2009 përmes një kredie që qeveria shqiptare kishte marrë në Bankën e Këshillit të Europës –CEB. Transferimi i saj nën administrimin e koncesionarit u bë pjesë e hetimit të kryer nga Prokuroria e Tiranës –i cili u pushua në shtator 2016 pa pasoja.
Anëtarët e komisionit që përgatiti studimin e fizibilitetit për koncesionin e sterilizimit i thanë Prokurorisë se qendra nuk ishte vënë në punë prej tetë vitesh për shkak të mungesës së stafit të trajnuar. Ata e përdorën atë si një argument më shumë se pse shërbimi duhej dhënë me koncesion.
“Ky koncesion pikërisht për të ruajtur këtë investim, parashikon ta jetësojë këtë qendër, duke e vënë në punë atë,” deklaroi në Prokurori një nga anëtaret e komisionit.
Dokumentet e hetimit tregojnë gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë e paracaktoi dhënien e shërbimit me koncesion dhe u përball me hezitimin e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani për ta miratuar atë.
Dy ish-ministrat shkëmbyen korrespondencë nga tetori 2015 deri në janar 2016, ku Cani kërkoi fillimisht që të argumentohej se pse ishte zgjedhur koncesioni dhe jo prokurimi i zakonshëm.
Ish-ministri i Financave paralajmëroi gjithashtu rritjen e kostove përtej tavaneve buxhetore, por e miratoi kontratën me kushtin që financimi i projektit të respektonte në mënyrë rigoroze limitin buxhetor të parashikuar për këto shërbime.
“Lidhur me riskun e kërkesës, duke qenë dakord me mënyrën e përballimit të tij… do të kërkonim që Ministria e Shëndetësisë të marrë të gjitha masat e duhura, që ky risk të minimizohet sa më shumë që të jetë e mundur përgjatë periudhës së koncesionit,” shkruante Cani në janar 2015.
Prokuroria e Tiranës iu rikthye arsyeve se pse Ministria e Shëndetësisë zgjodhi procedurën PPP përballë prokurimit të zakonshëm në seancën e pyetjeve me anëtarët e komisionit, ndërkohë që këta të fundit dhanë si argument mungesën e fondeve për investim në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, i cili ishte edhe kryetar i komisionit i tha Prokurorisë se rinovimi i instrumenteve kirurgjikale kapte shifrat e 11 milionë eurove, ose dyfish e gjysmë mbi zërin që Ministria e Shëndetësisë kishte në dispozicion për investime.
“Skema PPP është më e favorshme për shkak të investimit fillestar të madh, që nuk përballohet nga shteti si dhe për shkak të marrjes së riskut totalisht nga privati,” shton Rrjepaj në dëshmi.
Ndryshe nga parashikimi në studimin e fizibilitetit, Ministria e Shëndetësisë paguan çdo vit një faturë edhe më të shtrenjtë sesa investimi fillestar prej 11 milionë eurosh –me kosto që luhaten në një mesatare vjetore prej 1.6 miliardë lekësh ose gati 13 milionë euro.

Fryrja e kostove
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ish ministri Ilir Beqaj, gjatë një vizite në shërbimin e Hemodinamikës në QSUT, ku është përuruar një pajisje e re e angiografisë që monitoron enët e gjakut që furnizojnë zemrën. | Foto nga : LSA
Në dy maternitetet e Tiranës, Koço Gliozheni dhe Mbretëresha Geraldinë, janë rikthyer instrumentet tradicionale për një pjesë të madhe të lindjeve natyrale. Metoda e vjetër e sterilizimit me autoklavë funksionin gjithashtu në gjysmë-ilegalitet, pas kërkesave verbale të eprorëve për të ulur përdorimin e seteve.
Një mjek gjinekolog i tha BIRN se setet kirurgjikale janë të panevojshme për lindjet natyrale.
“Ndryshe nga operacionet, një lindje natyrale ka nevojë për dy-tre instrumente ndaj na është kërkuar verbalisht, nën rekomandimin e Ministrisë së Shëndetësisë, që në këto raste të minimizohet përdorimi i paketave me instrumenta të sterilizuar,” tha ai.
Si shumë kolegë të tij, edhe mjeku gjinekolog pranoi të intervistohej nga BIRN me kushtin që të mos i përmendej emri.
“Ne realizojmë mesatarisht 30 ndërhyrje dhe lindje në ditë. Të blesh një set kirugjikal kushton mesatarisht 40 mijë lekë të reja…E kuptoni se sa shumë është rritur kostoja e një ndërhyrjeje kirugjikale?” pyeti ai.
Dy maternitetet e Tiranës u fajësuan pjesërisht për rritjen e kostove në vitin 2018, pasi një grup kontrolli nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor verifikoi se për lindjet natyrale ishin përdorur paketa të kompleksitetit të ulët. Mjekët u këshilluan që për lindjet normale të përdornin sete të sterilizimit me avull, të cilat kushtojnë 319 lekë copa.
Pjesa tjetër i faturohet mikrokirurgjive, të cilat nuk numëroheshin si ndërhyrje përpara dhënies së shërbimit me koncesion.
Kirurgu Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë dhe pjesë e komisionit që përgatiti studimin e fizibilitetit e mburri koncesionin si “gjëja më e mirë” për sistemin shëndetësor. Megjithatë, Gjata pranoi se një kategori mikrondërhyrjesh nuk deklaroheshin më parë dhe nuk ishin llogaritur. Ai përmendi në këtë kategori ndërhyrje të tilla si rrethprerja (syneti), heqja e një thoi apo e një nishani.
“Pas futjes së koncensionarit duheshin deklaruar, pasi do të përdoren setet kirurgjikale. Kanë rezultuar të jenë rreth 8 mijë të tilla në të gjithë vendin dhe sigurisht kanë rritur numrin e ndërhyrjeve kirurgjikale, duke rritur edhe kostot,” tha kirurgu Gjata.
Lindjet natyrale dhe mikrokirurgjitë nuk janë të vetmet ndërhyrje që sollën rritje të paparashikuar të kostove. Mjekët përmendën si arsye edhe grupimin e instrumenteve brenda një seti apo mungesat e shpeshta të paketës së vogël prej 319 lekësh, që i detyron ata të shpërdorojnë setet kirurgjikale.
“Problemi qëndron se për një ndërhyrje, ne mund të hapim edhe deri në tre sete, sepse nuk gjejmë dot të gjitha instrumentet që na duhen në njërin set,” tha njëri prej kirurgëve. “Unë në sallë operacioni mendoj se si të shpëtoj jetën e pacientit dhe jo sa lekë po harxhoj,” shtoi ai, duke pohuar se presioni mbi kostot rëndon vazhdimisht mbi punën e tyre.
Një ish-drejtues i njërit prej spitaleve universitare u ankua se koncesionari e ofron rrallë paketën e vogël të sterilizuar në avull dhe kjo i detyron mjekët që të shpërdorojnë shpesh sete për të përdorur qoftë edhe vetëm një instrument.
“Kjo mendoj se është kleçka që e rrit shumë koston që duhet t’i paguajmë pastaj në fund,” tha kirurgu, pa dashur që t’i përdoret emri.
Kirurgu urolog, Artan Koni, i cili denoncoi në SPAK kostot e shtrenjta të sterilizimit i tha BIRN se rigrupimi i instrumenteve brenda një seti është një formulë që nuk funksionon.
“…asnjëherë nuk mund të bësh një renditje optimale të seteve, sepse operacioni nuk shkon asnjëherë siç do ti,” tha Koni. “Mund të ndodhë që gjatë operacionit të duhet diçka që nuk e parashikon dhe nuk e planifikon dot. Ndaj do të ketë gjithmonë përdorim të dy ose tre seteve,” shtoi ai.

Cilësi vs. kosto
Cilësia e dobët e instrumentave kirurgjikalë dhe infeksionet e larta spitalore ishin dy argumentet kryesore në favor të dhënies me koncesion të shërbimit të sterilizimit në sallat kirurgjikale. Rinovimi i instrumentarit dhe ulja e infesioneve spitalore mbeten edhe sot argumente në mbrojtje të saj.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se kontrata e sterilizimit ishte e nevojshme dhe treguesi më i mirë për këtë është shkurtimi i ditëve të qëndrimit në spital për pacientët që i janë nënshtruar operacioneve.
“Edhe ecuria e infeksioneve prej SARS-CoV-2 në sallat kirurgjikale që prej marsit 2020 e në vijim [zero mjekë apo infermierë të sëmurë me COVID-19] provon se nëpërmjet kësaj kontrate është arritur cilësi maksimale në sterilitetin e sallave operatore,” pretendoi Beqja.
Kirurgu Arben Gjata kujton se në kohën që po jepej koncesioni i sterilizimit, ai përdorte ende një bisturi të markës “Urna”, që ishte donacion i qeverisë amerikane i vitit 1945. Ai thotë se operon sot me instrumente të markës “Martin”, që i konsideron ndër më cilësoret në Europë.
“Të krahasosh kushtet me të cilat operojmë sot, me ato që kishim para dhënies me koncension të sterilizimit, është njësoj si të kesh një supermakinë e të thuash se gazi ‘69 i kohës së Enverit ishte më i mirë se harxhonte pak,” tha Gjata, duke i konsideruar ankesat për koncesionin si politike.
“Sigurisht që kemi debate me koncensionarin, sepse ka vegla që na prishen apo na amortizohen dhe kërkojmë që të na sjellë të reja, por të vësh në dyshim cilësinë më duket e pakuptimtë,” shtoi ai.
Por kirurgu urolog, Artan Koni bën një llogari të thjeshtë matematikore, ndërsa thotë se setet kirurgjikale po blihen “sa frëngu pulën”.
Sipas Konit, sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale me autoklavë do të kushtonte rreth 215 mijë euro në vit në rang kombëtar, ndërkohë që koncesionarit i paguhen deri në 16 milionë euro. Mjeku shton në llogari edhe kosto të supozuara të blerjes nga e para të instrumentarit dhe arrin në përfundimin se koncesionari paguhet në një vit aq sa shërbimi kushton në 10 vite.
“Pak a shumë, kirurgët për një operacion marrin 15 mijë lekë të vjetra, por minimalisht i japin [koncesionarit] 130 mijë lekë për setin,’ tha Koni për BIRN.
“Mendoj se që kjo kontratë ishte keq që në konceptim, sepse nuk mund t’i jepet me koncension privatit një shërbim i tillë. Nuk ka logjikë, as mjekësore, as ekonomike, asnjë vend në Evropë nuk e ka me koncension,” shtoi ai.

Ulje çmimesh? Jo, ulje ndërhyrjesh
Në vitin 2018, numri i ndërhyrjeve të raportuara nga të gjitha spitalet e vendit kapërceu në 90 mijë, nga 63 mijë të parashikuara në kontratë. Nga 1.6 miliardë lekë të planifikuara për t’u paguar në vitin 2018, vlera u rrit në 2.1 miliardë -duke mbartuar një pjesë të detyrimeve edhe për vitin 2019.
Tejkalimi i tavanit të miratuar buxhetor e detyroi Ministrinë e Shëndetësisë të urdhëronte një “moratorium” të shkurtër për ndërhyrjet e planifikuara si dhe të rinegocionte termat e kontratës me kompaninë koncesionare.
Negociatat me kompaninë SaniService u mbyllën në janar 2020 me amendimin e kontratës. Ministria arriti të reduktonte me 25% çmimet vetëm për setet që tejkalojnë tavanin e parashikuar në kontratë prej 63 mijë ndërhyrjesh. Ministria tha gjithashtu se kjo zbritje shtrihet edhe për paketimet në avull mbi limitin prej 63 mijë setesh.
E pyetur nga BIRN për luhatjen e madhe të numrit të operacioneve nga njëri vit në tjetrin, Ministria e Shëndetësisë u përgjigj se kishte arritur t’i ulte ato përmes programimit më racional nga spitalet si dhe monitorimit në kohë reale të interventeve sipas tipologjisë për çdo repart.
BIRN mësoi se në negociata ishin diskutuar edhe formula të tjera, të cilat nuk ishin pranuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Rektori Gjata i tha BIRN se ai vetë kishte sugjeruar shtimin e një seti të katërt në vend të reduktimit të miratuar.
“I sugjerova Ministrisë së Shëndetësisë dhe koncensionarit që të ofrojë edhe një paketë të katërt të instrumenteve të sterilizimit, me një kosto prej 2-3 mijë lekë të reja, që do të përdorej për të realizuar ato që ne i quajmë mikrokirugji apo edhe lindjet natyrale,” tha Gjata.
“Koncensionari ishte dakord, por propozimi u refuzua nga Ministria e Shëndetësisë, pasi juristët e konsiderojnë si ndryshim të termave të kontratës dhe kjo mund të sillte pasoja ligjore,” shtoi ai.
Për kirurgun Artan Koni, rishikimi i kontratës nuk ka prekur asgjë nga fitimet e koncesionarit, por ka shtuar presionin indirekt ndaj mjekëve.
“Thonë që kemi caktuar një numër mesatar operacionesh, por kjo në mënyrë indirekte shkakton një lloj presioni tek mjekët, që u duhet t’i shtyjnë ato,” tha Koni. “Nga këto keqllogaritje buxheti është boshatisur, por në vend që të uleshin kostot, u ulën operacionet,” përfundoi ai.

Burimi: reporter.al

Autor: Anila Hoxha

Read more

Dr. Altin Kuqo: Korrupsioni në shëndetësi fillon që nga mënjanimi i shefave të shërbimit, fenomen që ka penguar zhvillimin

Dukuria e korrupsionit në “sistemin shëndetësor” është po aq e vjetër sa vetë krijimi i shoqërisë. Por, përse njerëzit në përgjithësi e lidhin këtë dukuri me bluzat e bardha? A janë përgjegjës mjekët për korrupsionin në shëndetësi? Si shumë pyetjeve të tjera për Gazetën “Shëndeti on line” u është përgjigjur Dr. Altin Kuqo, mjek Neurolog pranë Q.S.U. “Nënë Tereza”, Tiranë.

Doktor, çfarë duhet të kuptojmë me korrupsion në sistemin shëndetësor?
Sipas mendimit tim nuk ekziston koncepti i korrupsionit në shëndetësi. Pra nuk ka korrupsion në nivel të ofrimit të shërbimit shëndetësor. Korrupsioni është një dukuri negative që prek kryesisht administratën shtetërore dhe në këtë kuadër mund të prekë dhe pjesën e administratës së sistemit shëndetësor si Ministrinë e Shëndetësisë dhe drejtoritë në varësi të saj. Nëse do ti referohemi dhuratave që bëjnë vetë pacientët ose të afërmit e tyre dhe në raste më të rralla mitmarrjes, atëherë nuk kemi të bëjmë me korrupsion, por me një problem etik ose e shumta me një shkelje të disiplinës në punë dhe shfrytëzim të pozicionit për të nxjerrë fitime të pamerituara.

A ka ndryshuar koncepti i korrupsionit ndër vite? Në se po, si?
Korrupsioni nuk është  koncept por një dukuri e vjetër sa vetë marrëdhënia shoqërore. Thelbi i saj nuk ndryshon, por mënyra e shfaqjes sa vjen e bëhet më e sofistikuar.

Pse njerëzit e lidhin korrupsionin përgjithësisht me bluzat e bardha?
Mjekësia dhe shërbimi shëndetësor janë sektorë shumë të ndjeshëm nga pikëpamja humane dhe sociale, ku njerëzit janë shumë të ndjeshëm pasi preken direkt dhe në masë. Fjala vjen të paguash ryshfet ose të pranosh ortakëri me një funksionar shteti për të marrë tendera publike nuk është se i bie në sy një njeriu të zakonshëm madje edhe kur çështja bëhet publike prej shtypit, ndërsa pranimi i pesëqind lekeve prej mjekut bën shumë bujë. Madje në media është shfaqur si denoncim i shekullit, prej një emisioni investigativ futja tinëz në xhepin e mjekes i dyqind lekëve.
Sipas jush, ku ndodh korrupsioni më i madh në shëndetësi, në institucionet shtetërore apo në spitale?
Korrupsioni monetar por edhe ai i influencave ndodh në institucionet që menaxhojnë fonde dhe influenca pra, në  institucionet e shtetit dhe në administratat spitalore.

Si mendoni, sa fajtorë janë mjekët për situatën e sistemit shëndetësor sot, gjithmonë duke iu referuar konceptit të korrupsionit?
Masa e mjekëve nuk janë  përgjegjës për situatën e sistemit shëndetësor. Ata mund të jenë përfitues prej amullisë që zënë këtë sistem prej keq strukturimit dhe keq menaxhimit nga i gjithë zinxhiri administrativ, që prej Ministrit të shëndetësisë dhe deri tek drejtori më periferik. Një rol të rëndësishëm do duhej të luanin drejtuesit e njësive të sistemit shëndetësor, fjala vjen shefat e shërbimeve spitalore, të cilët me mënyrën se si funksionojnë spitalet tona janë mënjanuar nga shumë vendimmarrje dhe nga menaxhimi i fondeve të shërbimeve të tyre si dhe menaxhimi i burimeve njerëzore. Drejtuesi i punës në shërbim është shefi i shërbimit dhe jo drejtori i spitalit, por për të marrë një mjek apo një infermier në punë firmos drejtori! Këtu fillon korrupsioni. Duke parë mangësitë e tjera që ka sistemi shëndetësor mendoj se edhe shefat vetë nuk i kërkojnë këto përgjegjësi pasi janë më rehat. Në këtë aspekt shefat nuk ndikojnë në përkeqësimin e situatës, por edhe nuk është se nxisin përmirësimin e saj.

Sa e ka penguar ky fenomen zhvillimin e sistemit shëndetësor?
Mjaftueshëm.

“Korrupsioni” a mendoni se e ka zbehur punën e një mjeku në sy të qytetarëve?
Për mjekët që janë punëtorë të devotshëm dhe që e ushtrojnë me pasion e ndërgjegje profesionin e tyre, puna e mjekut nuk zbehet madje është dukur më shumë në këtë sistem i cili ofron kushte jo të mira pune dhe të marrëdhënieve ndërmjet kolegëve.  Figura e mjekut është ajo që është dëmtuar më shumë prej korrupsionit, sistemit të korruptuar i cili sjell edhe fenomenin e mit marrjes që zanafillën e tij e ka tek niveli shumë i ulët i  pagave në mjekësi.

Bisedoi për shëndeti online: Xhoana Çallaku
Read more

Korrupsioni në shëndetësi, a janë fajtorë mjekët?

Autor: Shoqata Together for Life

Që korrupsioni në sistemin shëndetësor ekziston kjo është pranuar gjithherë edhe nga drejtues të lartë të vendit. Gjithashtu, rreth 82% e qytetarëve të pyetur nga ProPacientit në një anketim me 100 persona të përfshirë, besojnë se sistemi shëndetësor është i korruptuar. Pjesa më e madhe e qytetarëve e lidh korrupsionin me paratë nën dorë ndaj bluzave të bardha. Por, a qëndron vërtet problemi tek mjekët? A janë ata fajtorët për zhvillimin e ngadaltë të sistemit shëndetësor? Sipas të dhënave të Bankës Botërore, qytetarët shqiptarë paguajnë nga xhepi i tyre rreth 50% të nevojave për kujdes shëndetësor, dhe vetëm 1- 5% e këtyre 50% të parave që ata shpenzojnë për të mbushur “gropën” e keq financimit të shërbimit shëndetësor publik, shkon për pagesat informale, ndërsa pjesa tjetër shkon për shërbime të munguara, të cilat sistemi shëndetësor e ka për detyrë t’ia sigurojë. Doktor Arben Rroji, në intervistën e mëposhtme jep përgjigje për këto pyetje dhe për të tjera shqetësime të sistemit shëndetësor të cilat lidhen drejtpërdrejt me bluzat e bardha.

Çfarë duhet të kuptojmë me korrupsion në sistemin shëndetësor?
Korrupsioni në sistemin shëndetësor ashtu siç konceptohet edhe nga popullata është dhënia e pagesave kundrejt një shërbimi që merret nga institucion publik, i cili merret me imponim ndaj pacientëve. Kjo për mendimin tim quhet korrupsion.

A ka ndryshuar koncepti i korrupsionit ndër vite?
Korrupsioni është njëlloj në çdo kohë, domethënë është e njëjta problematikë, atëherë pagesa për shërbime të caktuara në sistemin publik.

Pse njerëzit e lidhin korrupsionin përgjithësisht me bluzat e bardha?
Njerëzit e lidhin korrupsionin me bluzat e bardha, sepse ata janë përpara këtyre bluzave kur marrin shërbimin dhe kur janë të detyruar të bëjnë pagesa të padrejta.

Sipas jush, ku ndodh korrupsioni më i madh në shëndetësi, në institucionet shtetërore apo në spitale?
Nëqoftëse, flasim për spitalet publike ata janë pjesë e institucioneve shtetërore. Nuk po flasim për spitalet private, ata kanë pagesa për shërbime të caktuara, kështu që spitalet private nuk mund të  gjykohen për korrupsion.

Sipas jush korrupsioni lidhet drejtpërdrejt te bluzat e bardha kur kemi përballjen e pacientit me infermierin, mjekun apo është në instanca më të larta?
Duhet të shohim atë që percepton popullata ose pacientët si korrupsion, sepse janë dy gjëra: e para, janë të detyruar të paguajnë për shërbimet që duan të marrin falas në shërbimin publik, kjo është ajo që perceptohet direkt  korrupsion nga bluzat e bardha.
Është edhe perceptimi i dytë, nëqoftëse një pacienti shkon në një institucion publik dhe nuk merr shërbimin e duhur për arsye të mungesave që ka ai institucion, për shembull: mungesa në ilace, mungesa në aparatura, etj.
Në këtë rast ato, pra pacientët mendojnë se nuk po u ofrohet shërbimi për arsye se bluzat e bardha nuk po u’a japin këtë shërbim. Por, bluzat e bardha në këtë rast nuk janë si të themi problematika në këtë mes, është institucioni i cili nuk ka krijuar konditat që bluzat e bardha të punojnë me kushte normale.

Sa fajtorë janë mjekët për situatën e sistemit shëndetësor sot, gjithmonë duke i’u referuar konceptit të korrupsionit?
Unë nuk do të thoja se janë fajtorë mjekët. Praktikisht mjekët janë profesionist super të kualifikuar.
Në shoqërin shqiptare numri i mjekëve gjithmonë e më shumë po pakësohet, dhe kjo është për disa arsye, të cilat janë; pagesat e vogla, kushtet e punës jo optimal duke i krahasuar me kolegët e tjerë në Europë.
Kjo është arsyeja që mjekët gjejnë zgjidhje tjera, duke ikur nga vendi jonë, për arsye që mos t’i nënshtrohen korrupsionit. Sepse ndryshe për të arritur të ardhurat e tyre detyrohen ndonjëherë të pranojnë mitmarrje, nëqoftëse punojnë vetëm në publik.
Unë nuk them që mjekët janë përgjegjës për korrupsionin, por unë them se është sistemi i cili është përgjegjës për korrupsionin. Ndoshta përmirësimi i sistemit do të krijojë kushte që edhe mjekët të punojnë në kushte normale, që mos të kenë tendenca korruptive.

Si mendoni, sa e ka penguar ky fenomen zhvillimin e sistemit shëndetësor në vendin tonë?
Unë do të thoja që ky fenomen nuk është se pengon zhvillimin, ky fenomen krijon premisa për diferencim të shërbimëve. Por, nuk ka të bëj me zhvillimin, pasi zhvillimi ka tjera indekse. Zhvillimi ka të bëjë me investimet që bëhen në sistemin shëndetësor, që kjo është për sistemin e spitaleve, paisjeve dhe mungesa e të ardhurave të mjekëve ndikon direkt pastaj në zhvillimin personal, profesional.
Që do të thotë një mjek duhet të ketë të ardhura që të ndjekë Konferenca Shkencore, të blejë literaturë shkencore, të bëjë vizita në spitalet homologe jashtë vendit, ku aplikohen procedura ose trajtime të reja. Kjo në një farë mënyre të rrit individualisht profesionalisht cdo mjek.
Dhe mungesa e të ardhurave që është direkt lidhur me rrogën, ndikon në një farë mënyre ne mungesën e zhvillimi professional ose mbetje mbrapa. Ndërsa pjesa tjetër që i takon shtetit është në pjesën e investimit të strukturave publike, që këto vitet e fundit jo se kanë munguar, pasi janë rritur por gjithsesi mbetemi te fundit ne rajon duke e krahasuar me investimet e vendeve te rajonit ( referuar perqindjes se investimeve per mjekesi me prodhimin e brendshem bruto )  .

Por, duhet menduar shumë edhe për të ardhurat e mjekëve, sigurisht që duke qenë paralel edhe me të ardhurat e tjera të popullsisë.
Duhet të jetë parasyshë që të formohet një mjek duhet të kesh gjashtë vite në Mjekësi të Përgjithshme, pesë vite specializim, në total bëjnë 11 vite. Asnjë tjetër profesion nuk ka karriere universitare me te gjate .

“Korrupsioni” a mendoni se e ka zbehur punën e lodhëshme të një mjeku në sy të qytetarëve?
Sigurisht që po, sepse shumë mjekë të cilët punojnë ndershmërisht, qysh në fillim paragjykohen nga fenomeni i korrupsionit.
Domethënë, edhe për shërbime të cilat nganjëherë janë të pamundura që të ofrohen nga sistemi shëndetësor lidhen me aferat korruptive, sepse pacienti paragjykon që ky shërbim nuk po i ofrohet, sepse duhet me dhënë para. Jo gjithcka mund të zgjidhet në sistemin tonë publik.

Çfarë mendimi keni për pjesën kur një pacient, përpara se të marrë një shërbim priret të jap rryshfet? Pasi, sot shohim që është bërë si të thuash një traditë tek ne, që më përpara paguajmë e pastaj marrim shërbimin.
Është e vërtetë ajo që thoni ju. Është kthyer në një traditë dhe kjo është shumë e keqe. E para tentohet që të korruptohet mjeku dhe e dyta mjekut i jepet një sensacion që nuk i takon.
Ku duhet edhe të kundërshtojë pjesën e pagesës, pasi jo të gjithë e pranojnë. Por është pak e veshtirë ajo pjesa e kundërshtimit tani,  që kur futesh në fillim për vizitë,  futesh me lekë në dorë.

Si mendoni kur pacienti e jep një pagesë të tillë si rryshfet, a e shtynë më shumë mjekun drejt korrupsionit?
Sigurisht që e shtyn drejt korrupsionit. Kjo nuk është normale, ashtu sic e thashë edhe më lartë nëqoftëse, ne do të pranojmë pagesa nëndorë detyrimisht që do të na çojn në diferencim të shërbimeve, disa që paguajnë mendojnë që mund të marrin një shërbim më të mirë dhe ata që nuk paguajnë do të marrin një shërbim jo shumë kuolotativë.
Zakonishtë mjekët nuk priren nga kjo, shërbimi do të jetë gjithmonë njëlloj, pasi një profesionist shërbimin e jep njëlloj. Shërbimi mund të ketë mangësi ndoshta nga fluksi i madhë i numrit të pacientëve që kanë mjekët në dyert e tyre.

Dhe kjo e ulë në mënyrë te ndjeshme shërbimin.
Ne jemi në një situatë ku nuk ka kontrata kolektive të mjekëve, kjo përkthehet ne ate qe nuk eshte caktuar volumi i punes ( si numri i vizitave apo i aperacioneve ) që duhet te beje cdo mjek.
Në botë funksionohet me kontrata kolektive, për atë pagesë që të ofron spitali si ai privat edhe shtetëror ti ke një detyrim ose një numër të caktuar shërbimesh, vizitash ose operacione për të bërë.

Duke mos pasur nje kontrate te tille punedhënësi pra spitalet ose poliklinikat detyrojnë mjekët të kenë një ngarkesë pune dyfishe ose më tepër me të njëjtën pagesë. Kjo ul kohën në dispozicion të pacientit,  kualitetin e shërbimit qe rrjedhimisht çon në mundësinë e gabimeve mjekësore .
 
Read more

Sistemi shëndetësor lëngon nga korrupsioni, por faji mbetet jetim

Rreth 82% të qytetarëve të anketuar nga ProPacientit mendojnë se sistemi shëndetësor shqiptar është i korruptuar në shumë forma, por mjekët kundërshtojnë dhe ia hedhin fajin sistemit.

Denisa Canameti 

Kujdesi shëndetësor është një nga fushat ku korrupsioni është i gjithëpërhapur. Një hulumtim i Transparency Internacional në të gjitha vendet e Bashkimit Europian zbuloi se shkalla e atyre që përdorën lidhjet e tyre personale për të hyrë në shërbimet shëndetësore gjatë pandemisë së COVID-19 është afër 1/3 në të gjithë BE-në.
Pandemia i përballi edhe qytetarët shqiptarë me kosto të larta për diagnostikimin dhe trajtimin e COVID-19, pasi paketat e rimbursimit nga MSHMS nuk reflektuan nevojat reale të qytetarëve. Një raport i shoqatës Together for Life evidentoi se gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2021, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor rimbursoi vetëm 5632 receta me diagnozën “Covid-19”, kundrejt një vlerë prej 22.5 milionë lekësh (183 mijë Euro) .
Shuma e rimbursuar është 1,9 për qind e fondeve prej 1.2 miliardë lekësh (9.75 milionë Euro) që qeveria ka vënë në dispozicion për paketën e rimbursimit për të sëmurët me COVID-19.
Shfrytëzimi kaq i ulët i mundësisë për rimbursimin e recetave nga ana e shtetit është vetëm një nga treguesit e kostove që shqiptarët paguajnë për kujdes shëndetësor.
“Nuk kam marrë asnjë medikament me rimbursim. U lidha me mjekun privatisht, sepse e kam të njohur. Bëra analizat në privat, se duhet të sillesha shumë nëpër Tiranë, që ti bëja të gjitha që kërkoi mjeku, pasi vetëm një qendër shëndetësore nuk i bënte. Pse duhet të shkoj në privat? Ku është shteti?” i tha një qytetar nga Lapraka ProPacientit.
Sistemi shëndetësor shqiptar është përballur me vështirësi financimi edhe përpara shpërthimit të pandemisë Covid-19.
Pagesat nga xhepi kanë qenë pothuajse gjithmonë burimi më i madh i financimit për sistemin shëndetësor në Shqipëri. Në vitin 2016, ato përbënin 58% të shpenzimeve, ndërsa sot vlera është ulur në 50% – shumë herë më e lartë krahasuar me vendet e Bashkimit Europian.

Qytetarët akuzojnë mjekët
Përmes një pyetësori, ProPacientit ftoi të gjithë qytetarët që përballen me sistemin shëndetësor të paktën 1 herë në vit që të denoncojnë rastet korruptive që kanë vështirësuar marrjen e shërbimit shëndetësor.
Në 100 qytetarë që kanë reaguar, 63.6% ishin femra, ndërsa 36.4% meshkuj. Në personat e përgjigjur, 45.5% janë shprehur se jetojnë në Tiranë, ndërsa grupmosha më aktive në këtë anketim është ajo 30-49 vjeç.
Rezultatet e anketimit konfirmojnë zemërimin që qytetarët kanë ndaj bluzave të bardha dhe e lidhin korrupsionin në sistemin shëndetësor drejtpërdrejt me ta.
Rreth 82% e qytetarëve u shprehën se sistemi shëndetësor është i korruptuar.


“Po nuk u ofrove lekë , nuk thonë asnjë fjalë por hakmerren në mënyrën e tyre. Domethënë te kanë jetën në dorë,” shprehet një qytetare.
Një zonjë e dytë bie dakord, ndërsa thekson se korrupsioni nuk është vetëm një çështje shqiptare.
“Kam nusen e djalit shtatzënë dhe doktoresha gjinekologe (përmend emrin e doktoreshës) ka ekografi në Poliklinikën ku punon…por iu thotë që kjo eko është e vogël nuk dëgjohen rrahjet e zemrës së bebit. Tek klinika ime e kam më të madhe ekon, eja atje e bëje,” shkruan ajo.
Ndërsa një tjetër qytetar shkruan: “Korrupsion kudo, shkon për vizitë te okulisti për të marrë numrin e syzeve dhe doktoresha thotë duhet të bësh skanër të syrit. Në shtet nuk ka. Kur shkon për të parë përgjigjen e diskut të skanerit, mjeku thotë hajde tek klinika”.
Pagesat informale dhe mos-kryerja e egzaminimeve të plota janë problemi kryesor i sistemit shëndetësor publik për 42.4% të personave që i janë përgjigjur anketimit. Ndërsa 30.3% konsiderojnë si më problematike blerjen e medikamenteve jashtë spitaleve dhe orientimin në laboratorë dhe spitale private.

 
“Po tregoj një rast që m’u duk më tragjik. Çova djalin për vizitë tek doktori. Ai nuk u ngrit fare nga karrigia  po më tha ka këtë problem. Më mbushi recetën dhe unë i dhashë 200 lekë të reja, ai mu kthye dhe tha është 5 vizita, si të kisha vajtur në privat…,” shkruan një qytetar.
Një tjetër e anketuar theksoi se: “As të sheh kush me sy po nuk u dhe lekë”.
Po në cilin nivel të sistemit shëndetësor ndodh më shumë korrupsioni?
31.8% e personave të përgjigjur shprehen se ndodh në sistemin terciar (pra, në spitalet Universitare të Tiranës).
Një denoncues për spitalin universitar të Traumës ndau me ProPacientit historinë e të vëllait, i cili theu kraun vitin e kaluar. Mjeku i tha se pllaka ishte në dispozicion, por i mungonin vidat dhe e orientoi pacientit drejt farmacive private.
“Mezi i mblodhëm, morëm dhe një kredi të vogël që mbaruam punë. Nuk mbaroi këtu! Anestezistit nuk i dilnin 50 mijë lekë të vjetra po donte më shumë. A ka më keq për ne fukarejtë? Mos u bëfshim për spital se drejtesinë nuk e gjejmë dot,” shkruante i afërmi.

Mjekët: Është faji i sistemit
Kostoja e ryshfetit ose e pagesave nën dorë është aspekti më i debatueshëm i korrupsionit në sistemin shëndetësor, pavarësisht përqindjes së ulët që këto pagesa zënë në shpenzimet totale të shqiptarëve për kujdes shëndetësor. Pjesa dërrmuese shkon për shërbime të munguara në sistemin publik.
I pyetur nga ProPacientit, neuroradiologu Dr. Arben Rroji thotë se nuk janë mjekët, por është sistemi përgjegjës për korrupsionin.
“Ndoshta përmirësimi i sistemit do të krijojë kushte që edhe mjekët të punojnë në kushte normale, që mos të kenë tendenca korruptive”. I pyetur nëse korrupsioni e ka zbehur punën e lodhshme të një mjeku në sy të qytetarëve, ai shprehet se “po, sepse shumë mjekë të cilët punojnë ndershmërisht, që në fillim paragjykohen nga fenomeni i korrupsionit. Domethënë, edhe për shërbime të cilat nganjëherë janë të pamundura që të ofrohen nga sistemi shëndetësor pacienti e lidh me aferat korruptive. Pacienti paragjykon që ky shërbim nuk po i ofrohet, se duhet dhënë para. Jo gjithçka mund të zgjidhet në sistemin tonë publik,” tha Dr. Rroji.
Mjeku neurolog, Altin Kuqo vëren një standard të dyfishtë në perceptimin publik për korrupsionin në shëndetësi dhe në sektorë të tjerë, ndërsa shton se kjo e ka dëmtuar figurën e mjekut.
“Të paguash rryshfet ose të pranosh ortakëri me një funksionar shteti për të marrë tendera publikë nuk i bie në sy një njeriu të zakonshëm, madje edhe kur çështja bëhet publike prej shtypit. Ndërsa pranimi i 500 lekëve prej mjekut bën shumë bujë. Madje në media është shfaqur si denoncim i shekullit, prej një emisioni investigativ futja tinëz në xhepin e mjekes i 200 lekëve,” tha Kuqo.
Mjeku neurolog thekson se shumica e mjekëve nuk janë përgjegjës për situatën e sistemit shëndetësor. Ata mund të jenë përfitues prej amullisë në këtë sistem prej keqstrukturimit dhe keqmenaxhimit nga i gjithë zinxhiri administrativ.
“Për mjekët që janë punëtorë të devotshëm dhe që e ushtrojnë me pasion e ndergjegje profesionin e tyre, puna e mjekut nuk zhbëhet madje ka duk më shumë në këtë sistem i cili ofron kushte jo të mira pune dhe të marrëdhënieve midis kolegëve,” tha Kuqo.
“Figura e mjekut është ajo që është dëmtuar më shumë prej korrupsionit, sistemit të korruptuar i cili sjell edhe fenomenin e mitmarrjes që zanafillen e tij e ka tek niveli shumë i ulët i pagave në mjekësi,” përfundoi ai.
 

Read more

Thirrje për artikuj investigativë në fushën e shëndetësisë

Thirrja organizohet nga Shoqata Together for Life në bashkëpunim me BIRN Albania, me mbështetjen e National Endowment for Democracy

Shoqata “Together for Life” po zbaton projektin “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies në sektorin shëndetësor në Shqipëri”. Projekti synon të rrisë transparencën dhe llogaridhënien në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri. Nga njëra anë, qeveria ka ndarë nga burimet e saj dhe nga kontributet e donatorëve një sasi të madhe parash që i kushtohen sektorit të shëndetësisë; nga ana tjetër, duke pasur parasysh pandeminë dhe masat kufizuese të vendosura nga qeveria, nivelin e lartë të korrupsionit në vend, si dhe funksionimin e pjesshëm të Kuvendit (deri në shtator 2021) dhe Gjyqësorit, roli i shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura merr një rëndësi parësore për t’i kërkuar qeverisë më shumë llogaridhënie dhe transparencë në vendimet dhe veprimet e saj në sektorin e shëndetësisë.

Një nga instrumentet e propozuara nga projekti është përdorimi i gazetarisë investigative për të nxjerrë në pah disa nga çështjet më të rëndësishme lidhur me korrupsionin në sistemin shëndetësor.

Për të kontribuar në promovimin e një sistemi shëndetësor transparent, TFL në bashkëpunim me BIRN Albania hap thirrjen për 3 artikuj investigativ,

(3) gazetarë investigativë do të përzgjidhen për të prodhuar artikuj investigativë në fushën e shëndetësisë. Gazetarët aplikantë do të përzgjidhen nga një juri e pavarur e përbërë nga gazetarë me eksperiencë dhe ekspertë në fushën e medias.

Gazetarët do kenë në dispozicion një periudhë dy mujore për të përfunduar investigimin e tyre dhe përgatitjen e artikullit për publikim.

Fituesit pritet që të angazhohen dhe të përmbushin të gjitha detyrimet në lidhje me investigimin, si dhe respektimin e standardeve të gazetarisë investigative dhe etikës profesionale.

Kandidatët duhet të dorëzojnë formularin e bashkëngjitur kësaj thirrjeje. Propozimet duhet të kenë për qëllim ekspozimin e korrupsionit, abuzimit me pushtetin, abuzimi me fondet publike, pandëshkueshmërinë dhe mungesës së zbatimit të ligjit në fushë e shëndetësisë.

Prioritet në përzgjedhje do i kushtohet propozimeve të cilat përfshijnë një nga temat e mëposhtme, por inkurajojmë propozimin e temave të tjera (duke patur në vëmendje 4 fjalë kyçe: transparencë; llogaridhënie; fonde publike; shëndetësi).

  • Abuzimi me tenderat e zhvilluara gjatë periudhës së pandemisë
  • Mungesa e transparencës në publikimin e shpenzimeve për shëndetësinë
  • Shpenzimet për shëndetësinë, si i harxhoi qeveria paratë në 1 vit e gjysmë pandemi
  • Shpenzimet për koncensionet dhe ndikimi në buxhetin e përgjithshëm të shëndetësisë

Aplikantët mund të dërgojnë më shumë se një aplikim, por vetëm një propozim për kandidat do të përzgjidhet.

Gazetarët e përzgjedhur do të kenë një suport financiar prej 1000$, me qëllim ndjekjen e problematikës së përzgjedhur në të gjitha hallkat e kërkuara.

Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë gazetarët në Shqipëri, të punësuar apo në profesion të lirë.

Kandidatëve i kërkohet të plotësojnë formularin dhe të dërgojnë tre shembuj të punës së tyre me email në: info@togetherforlife.org.al

Afati i aplikimit deri me 5 Nëntor!

Home » Blog

Read more

Normat e ulëta të lindshmërisë dhe tkurrja e popullsisë së Shqipërisë në shifra

https://transparency.com.al/wp-content/uploads/2021/09/Normat-e-uleta-te-lindshmerise-dhe-tkurrja-e-popullsise-se-Shqiperise-ne-shifra.pdf

Rënia e lindjeve në këtë tendencë është një pasojë shumë e rëndë për të ardhmen e vendit. Emigrimi masiv,
sidomos i grupmoshës së re dhe mospasja e politikave stimuluese, bën që shpejtësia e plakjes së popullsisë
të jetë e frikshme. Gjithashtu, referuar të dhënave të Censusit të Popullsisë dhe Banesave,8 shifra tregojnë
që mosha e martesës në Shqipëri është rritur. Kjo shtyrje e martesës ndoshta është e lidhur me rëndësinë e
karrierave paralele, si vazhdimësia e arsimit, zhvillimet në gjetjen e një pune të përshtatshme në tregun e
punës dhe ndikimin e përvojave të migracionit gjatë fazës së jetës të të rinjve të rritur.
Nëse nuk do të kemi një ndërgjegjësim të menjëhershëm të institucioneve përkatëse për të vënë në zbatim
politika shëndetësore të shëndetshme afatgjata, në vitin 2050 do të kemi një popullatë me moshë mediane
50 vjeç, me një rritje popullsie – 0.88 %, dhe kjo do të krijojë një dramë sa sociale, ekonomike dhe më
gjerë, deri në një tkurrje të paimagjinueshme të popullatës në vend

KLIKO LINKUN PËR TË LEXUAR RAPORTIN E PLOTË

Read more

Numër i ulët i vaksinimeve AntiCovid në Shqipëri, pse shqiptarët po refuzojnë

Rritja e rezistencës mes shqiptarëve të pavaksinuar rrezikon të përkeqësojë situatën e pandemisë këtë vjeshtë, ndërsa mjekët bëjnë thirrje për strategji të reja në informimin dhe nxitjen e qytetarëve.

Denisa Canameti

Shqipëria po përballet me rezistencë ndaj programit të vaksinimit këtë vjeshtë, ndërkohë që një valë e re e koronavirusit ka rritur numrin e infektimeve, të të shtruarve në spital si dhe të fataliteteve. Qendra e hapur e vaksinimit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë është pothuajse e zbrazur. Ndërkohë, mjekët e familjes dhe qendrat shëndetësore po hasin vështirësi për t’i bindur qytetarët –një pjesë e të cilëve janë edhe pacientë kronikë.

“Kemi pacientë të sëmurë kronikë që refuzojnë të vaksinohen, edhe pse janë kontaktuar disa herë prej nesh,” thotë mjekja Mira Hyseni. “Kanë dëgjuar se vaksina u shkakton trombozë dhe druajnë,” shtoi ajo.

Shqipëria e nisi programin e vaksinimit në janar të këtij viti, ndërsa qeveria nisi të kontraktojë katër lloje vaksinash; Pfizer, AstraZeneca, kinezen Sinovac si dhe vaksinën ruse Sputnik.
Deri në fillim të shtatorit raportohen 1.9 milionë doza vaksine të administruara, por përqindja e popullsisë së vaksinuar plotësisht mbetet në nivelet e ulëta të 21.9 për qindëshit sipas agjencisë “Reuters”.
Njësoj si vendet e tjera, fushata e vaksinimit në Shqipëri po frenohet nga qarkullimi i miteve, informacioneve kontradiktore dhe një mase në rritje të njerëzve që janë kundër vaksinimit.
Përmes një pyetësori të detajuar, Pro Pacientit mblodhi të dhëna nga dhjetëra qytetarë për të mësuar arsyet që i shtyjnë ata drejt refuzimit të vaksinës.

Të dhënat kyçe janë si më poshtë:
Mes personave që morën pjesë në anketim, 59% ishin të vaksinuar dhe 41% ishin të pavaksinuar. Mes të anketuarve të pavaksinuar, rreth 65% u përgjigjën se nuk ishin të gatshëm që të merrnin dozën e tyre të vaksinës, kur t’u vinte radha.

Rreth 42.9% e personave ende të pavaksinuar mendojnë se vaksina nuk është e sigurtë, ndërsa 28% besojnë se kanë fituar ‘imunitet natyral pasi e kanë kaluar COVID-19”.

Shkaqet të tjera për moskryerjen e vaksinimit janë: besimi se vaksina ndikon në ADN; u është ofruar një lloj tjetër vaksine nga ajo që kanë kërkuar, vaksina ndikon në infertilitet etj.
Ndërsa skepticizmi ndaj vaksinave rrezikon të përkeqësojë situatën e mëtejshme të pandemisë këtë vjeshtë, mjekët në Shqipëri sugjerojnë ndjekjen e strategjive të reja dhe një informim më të mirë të popullatës.

Mes dyshimit dhe kërkesave për Pfizer

Vaksinimi konsiderohet si arma më e rëndësishme në parandalimin e përhapjes së COVID-19 si dhe për shmangien e rasteve të rënda të sëmundjes dhe hospitalizimeve. Sipas Komitetit Teknik të Ekspertëve, rreth 95% e personave të infektuar me variantin Delta në Shqipëri janë të pavaksinuar.
Ekspertët llogarisin gjithashtu se vaksinimi i plotë i ul shanset për t’u infektuar me 32 herë, ndërsa mbrojtja ndaj formave të rënda të sëmundjes është edhe më e madhe.
Pro Pacientit vizitoi disa qendra shëndetësore në Tiranë dhe intervistoi një duzinë qytetarësh; një pjesë e të cilëve ishin dyshues për t’u vaksinuar, ndërsa pjesa tjetër ishte në kërkim të vaksinave Pfizer.
Të dyja kategoritë mbartin megjithatë shqetësim për efektet anësore që mund t’u shkaktojë vaksina. Vaksina Pfizer rezulton si më e preferuara në Shqipëri, por marrja e saj kërkon rekomandim nga mjeku i familjes.
“Mjeku i familjes më dha vetëm recetën që jam pacient kronik, që të bëj vaksinën Pfizer, por nuk më dha asnjë informacionin nëse do të kem ndonjë efekt anësor. E pyeta nëse shkakton trombozë, por u përgjigj se asgjë nuk është konfirmuar nga shkenca,” tha një pacient kronik në një qendër shëndetësore në Tiranë.
“Derisa shkenca nuk e ka thënë fjalën e fundit, kam dyshime, po meqë po e bëjnë të gjithë, po e bëj,” shtoi ai.
I pyetur nëse do t’ua sugjeronte fëmijëve, ai tha se është dyshues, pasi nuk është i sigurt mbi efektet e mundshme në shëndetin e tyre.
“Nuk di të them për fëmijët, ata s’e kanë nisur jetën ende. Frikë kam, nuk ua sugjeroj dot, por as nuk u them dot mos e bëni,” thotë ai.
Mjekja e familjes, Mira Hyseni i tha Pro Pacientit se edhe kur qytetarët binden që të bëjnë vaksinën, ata kërkojnë me këmbëngulje Pfizer.
”..kanë lexuar rreth saj, e dinë që është vaksinë e cila prodhohet në Amerikë dhe duke qenë se prodhohet atje, mendojnë se është më e mira. Arsyeja tjetër është se kjo vaksinë njihet për të udhëtuar jashtë vendit,” tha mjekja, ndërsa shtoi se brezi i ri kërkon kryesisht të bëjë Pfizer.
Në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3 në Tiranë, Astriti pret gjithashtu që të bëjë Pfizer.
“Unë jam alergjik dhe këtë vaksinë më tha mjekja e familjes për të bërë, erdha këtu tek poliklinika që ta bëj. Këtë vaksinë po e bëjnë të gjithë dhe njihet jashtë vendit,” tha ai.
Bashkëshortja e tij, Marjana është në dilemë, pasi nuk vuan nga ndonjë sëmundje kronike dhe për rrjedhojë, nuk po gjen mundësinë që të bëjë Pfizer.

“Unë nuk dua të bëj vaksinë tjetër vec vaksinës Pfizer, kjo është më e mira, por këtë nuk po e bëj dot, sepse nuk kam sëmundje kronike,” tha ajo.
Jetmira, 27 vjeç thotë se ishte informuar përpara se të paraqitej në Poliklinikë për t’u vaksinuar.
“Nga sa kam lexuar në internet dhe studimet që janë bërë, për moshat e reja nuk është e rekomandueshme AstraZeneca. Sinovac e ka efektshmërinë e ulët. Prandaj kërkoj të bëj Pfizer. Nuk e di nëse do jetë e mundur për të bërë Pfizer, sepse mesa dëgjova, duhet të kesh sëmundje kronike,” tha ajo ende e paqartë.
Në qendrën shëndetësore në Babrru, një qytetare 44-vjeçare është gjithashtu e dyzuar, pasi e informuan se mund të zgjidhte mes AstraZenecas dhe vaksinës kineze Sinovac.
“Jam nisur për të bërë vaksinën, por tani shikoj se cila është aty. Unë Pfizer kisha qejf që të bëja por nuk kishte, thonë që ajo është shumë e mirë dhe për këtë arsye dua të bëj atë,” tha ajo.
Ndërsa disa kanë preferenca, të tjerë nuk duan të bëjnë asnjërën prej vaksinave të pranishme në Shqipëri.
“Jam 30 vjeç, nuk jam vaksinuar dhe nuk dua të vaksinohem. Thjesht nuk dua, nuk kam asnjë arsye më shumë se kaq,” tha një i ri për Pro Pacientit.
“Nëse do shikoj që kam simptoma të virusit, do bëj testin. Nëse vendoset me detyrim ligjor atëherë jam i detyruar ta bëj, por kështu jo, nuk e bëj,” shtoi ai.

Strategji të reja

Pandemia e COVID-19 është shoqëruar nga një fushatë e egër dezinformimi në media dhe rrjetet sociale në të gjithë botën, ku pjesë e debatit publik u bënë edhe konspiracionistët apo thashethemet. Lumi i informacioneve të paverifikuara besohet se ka një rol thelbësor në rritjen e skepticizmit ndaj vaksinave.
Rezistenca ndaj vaksinimit përmendet edhe në Planin Kombëtar të Vaksinimit ndaj Covid-19, pika 10 “Kërkesa dhe hezitimi ndaj vaksinës”. Qeveria premton qasje të integruara, informim të plotë dhe luftë kundër dizinformimit për të rritur shifrat e vaksinimeve, megjithatë pak nga premtimet duket se po realizohen.
Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria lë pas vetëm Kosovën dhe Bosnje dhe Hercegovinën për numrin e ulët të vaksinimeve. Sipas të dhënave të publikuara nga World in Data, Serbia ka rekordin më të mirë të vaksinimit me 41% të popullsisë me të dyja dozat, e ndjekur nga Kroacia dhe Maqedonia e Veriut.
Për të rritur numrin e të vaksinuarve, qeveria shqiptare po sheh mundësinë e detyrimit për një kategori profesionesh, të tilla si arsimtarët, mjekët dhe studentët.
Megjithatë, ekspertët i thanë Pro Pacientit se qeveria nuk kishte bërë mjaftueshëm me fushatën e vaksinimit dhe se nevojiten strategji të reja për të bindur popullatën.
Mjeku infeksionist, Petrit Gjorgji tha se të gjithë duhet ta bëjnë vaksinën dhe se nuk duhet pasur frikë nga efektet anësore.
“Ne kemi pritur kaq kohë për vaksinën antiCovid. Sepse para se të dilte vaksina, ne të vetmin mjet mbrojtës kishim maskën dhe distancimin fizik, tashmë kemi vaksinën,” tha ai.
Gjorgji është megjithatë i ndërgjegjshëm për skepticizmin dhe sugjeron që në fushatën e vaksinimit të përfshihen edhe mjekët e familjes. Sipas tij, mjekët e familjes janë personat e duhur për t’i bindur pacientët e tyre, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me ta.
“Mjeku i familjes në radhë të parë duhet të jetë i qartë vetë rreth vaksinës dhe që bërja e saj është shpëtim për njerëzimin. Nuk po them të bëjë propagandë rreth vaksinës, por një bindje mjekësore pse duhet bërë,” thotë Gjorgji.
Mjeku infeksionist mendon se fushata e deritanishme për vaksinimin nuk ka qenë e mjaftueshme dhe se nevojitet një qasje më e rreptë në informimin e qytetarëve.
Të jetë në çdo kanal televiziv një spot rreth vaksinimit, ashtu sikurse u bënë spotet rreth distancimit fizik dhe larjen e shpeshtë të duarve,” sugjeron mjeku.
“Të dalin mjekë të njohur dhe të flasin, qoftë edhe mjekët që bëjnë politikat mjekësore të dalin dhe të thonë: Vaksinat duhen bërë dhe të rendisin arsyet pse duhet,” përfundoi ai.
 

Read more

Pas gjurmës së parave të Coronavirus – Rasti i Shqipërisë

Qëllimi kryesor i këtij raporti është monitorimi i buxhetit të ndarë për sektorin e shëndetësisë gjatë pandemisë Covid19, përfshirë buxhetin e shtetit, ndihmën e huaj dhe donacione të tjera për sektorin e shëndetësisë. Ky raport gjithashtu merr parasysh transparencën dhe proporcionalitetin e ndihmës financiare të vënë në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në mënyrë që të sigurojë garancitë e nevojshme, pajisjet dhe nevojat e tjera të ndërlidhura për të përballuar situatën Covid-19 në spitalet rajonale, përfshirë spitalet e dedikuara Covid19.

LEXONI RAPORTIN E PLOTE: Pas gjurmës së parave të Coronavirus – Rasti i Shqipërisë

Read more

Analizë e programeve të partive politike: Ç’vend zë shëndetësia?

Programet politike janë përmbledhje e objektivave qeverisëse të një partie politike, që i prezantohen publikut të gjerë me qëllim për të marrë sa më shumë mbështetje përmes votave. Është praktikë e zakonshme që çdo parti politike në periudhën parazgjedhore të prezantojë programin e saj 4-vjeçar. Në fakt, në Shqipëri ajo që mund të konsiderohet si më e zakonshme është prezantimi i programeve më shumë si shprehje dëshirash se sa plane strategjike që reflektojnë problematikat reale të vendit dhe që janë të realizueshme në praktikë.

Thënë kjo, këtyre programeve u mungon strategjia e detajuar zbatuese, duke qenë se partitë politike përdorin më shumë imazhin e liderit dhe sulmin ndaj “gafave” të kundërshtarit për të luftuar në zgjedhje, se sa formën se si do të arrijnë synimet e premtuara. Marrë parasysh situatën e pandemisë Covid-19 në të gjithë botën, menaxhimin e saj, që rezultoi të jetë më shumë një sfidë e sistemit qeverisës se sa e sistemit shëndetësor, deklaratat dhe kundërdeklaratat e partive politike në këtë drejtim, si dhe me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021 në vend, shoqata “Together for Life” (TFL), me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri ka realizuar një raport i cili analizon programet e gjashtë partive politike, duke u fokusuar veçanërisht tek pjesa që i kushtohet sektorit shëndetësor.

Partitë e monitoruara janë tri partitë kryesore në vend: Partia Socialiste, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe tri partitë që kandidojnë për herë të parë, por që vijnë me një potencial politik: Nisma Thurje, Bindja Demokratike dhe Lëvizja për Ndryshim. Ky raport ka analizuar programet duke vlerësuar mundësinë e realizimit të tyre në pajtueshmëri me kornizën kushtetuese dhe ligjore në Shqipëri. Po ashtu, raporti analizon se cilat veprime janë të nevojshme për t’u ndërmarrë për disa nga pikat e propozuara nga partitë politike dhe sa prej tyre tashmë janë realizuar dhe përfshirja e tyre në strategjitë politike është e panevojshme.

Qëllimi i parë kësaj analize është që të vlerësojë alternativat e partive politike lidhur me sektorin e shëndetësisë, një sektor jo vetëm kyç për nga funksioni në situatën aktuale të pandemisë, por edhe për faktin se në Shqipëri është renditur i dyti në korrupsion pas drejtësisë. Gjithashtu, kjo analizë shërben për të kuptuar rëndësinë që ka shëndeti i popullatës për partitë politike që kërkojnë që të qeverisin vendin, duke e parë shëndetin si një e drejtë universale, si e drejta për të jetuar në një shoqëri demokratike.

Interesi është që të kuptohet nëse në radhë të parë ka programe, platforma zhvilluese me vizion, mision dhe strategji, dhe këto programe të prezantuara, a janë të zbatueshme, apo propozimet për ndërhyrje dhe zhvillim të sistemit shëndetësor do të mbeten vetëm në letër, në kuadër të premtimeve elektorale.

LEXONI RAPORTIN E PLOTE: Analizë e programeve të partive politike: Ç’vend zë shëndetësia?

Read more

Caution: Blood pressure medications containing contaminated Irbesartan cause cancer

Një medikament mëse i zakonshëm për tensionin e gjakut është ndaluar që të përdoret për shkak të frikës, që ai përmban substanca që mund të rrisin riskun për zhvillimin e kancerit. Agjencia britanike për Kujdesin ndaj Shëndetit dhe Barnave (MHRA) ka lëshuar një njoftim në lidhje me 25 seri produktesh medicinale që përmbajnë irbesartan.

Irbesartani është një medikament që përdoret më së shumti për trajtimin e tensionit të lartë të gjakut por gjithashtu përdoret edhe në disa pacientë që kanë probleme me veshkat. Seria e 25 medikamenteve që përmbajnë irbesartan janë kontaminuar me një papastërti që potencialisht mund të rrisë rrezikun e kancerit me kalimin e kohës.  Kjo është marrë si një masë paraprake për të parandaluar përdorimin e mëtejshëm dhe nuk ka dëshmi se kjo papastërti (5- (4 ‘-(azidomethyl)-[1,1’-bifenil] -2yl) -1H-tetrazole), ka shkaktuar ndonjë dëm te pacientët.

Njoftimi i autoritetit britanik të shëndetit dhe barnave është bërë kryesisht për farmacitë dhe rekomanduesit e tjerë të medikamenteve.

Sipas paralajmërimit, për pacientët sugjerohet që ata të komunikojnë me mjekun e tyre, por të mos ndalojnë së marruri medikamentet e tensionit të lartë të gjakut sepse kjo mund të jetë e rrezikshme. Mbikëqyrësi i medikamenteve tha se tërheqja është një masë “parandaluese” dhe se “nuk ka prova” se papastërtia kimike u ka shkaktuar ndonjë dëm pacientëve.

Ata paralajmëruan se ndalimi i papritur i medikamenteve për tensionin e lartë të gjakut mund të jetë i rrezikshëm.

Dr Alison Cave, zyrtari kryesor i sigurisë në MHRA, u shpreh: “Siguria e pacientit është në zemër të asaj që po bëjmë. Po studiojmë grupet e medikamenteve të caktuara që përmbajnë sartan si një masë paraprake ndërsa vazhdojmë hetimin tonë.”

Ndalimi i medikamentit:

Sipas njoftimit zyrtar, është e rëndësishme që profesionistët e kujdesit shëndetësor të kontrollojnë stokun e tyre në depot e medikamenteve dhe t’i kthejnë ato. Këto produkte janë tërhequr nga tregu edhe gjatë vitit 2018, 2019 dhe hetimet që nisën në qershor 2021 janë pjesë e një investigimi të vazhdueshëm. MHRA po punon me rregullatorët e tjerë të medikamenteve për këtë çështje.

Read more
en_USEnglish