
Në kuadër të iniciativës “Qytetarët për Transparencë: Kundër Korrupsionit në Sektorin e Shëndetësisë”, grant i dhënë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian, Shoqata Together for Life organizoi një forum me qytetarët në qytetin e Elbasanit, si pjesë e një procesi gjithëpërfshirës për fuqizimin e zërit të komunitetit në luftën kundër korrupsionit ne sektorin e shëndetësisë.
Interesit për të marrë pjesë në forum iu bashkuan qytetarë të ndryshëm, përfaqësues të grupeve vulnerabël dhe anëtarë të komuniteteve të margjinalizuara, të cilët patën mundësinë të ndanin përjetimet e trye personale lidhur me sfidat e korrupsionit në sektorin e shëndetësisë. Ata përcollën shqetësime mbi mungesën e transparencës dhe padrejtësitë në aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore si dhe referuan ide të ndryshme për instrumentalizimin e mekanizmave të llogaridhënies dhe monitorimit publik.
Qytetarët referuan se, në disa raste, nuk kanë marrë shërbimin mjekësor të nevojshëm pa dhënë më parë ryshfet, ose në disa raste janë orientuar në klinika private ose në farmacitë me të cilat mjekët e spitalit kanë marrëveshje. Njëkohësisht u referua se proceset burokratike të përfitimit të shërbimeve mjekësore, përbëjnë shkak për demoralizimin e tyre për t’iu drejtuar institucioneve shëndetësore.

Nga ana e përfaqësuesve të TFL, u prezantuan gjithashtu gjetjet kryesore nga raporti mbi perceptimin e publikut për korrupsionin në sektorin e shëndetësisë duke referuar kështu edhe mënyrat konkrete të raportimit të abuzimeve.
Një ndër pikat kyçe të këtij takimi, ishte promovimi i platformës www.transparency.com.al, një mjet online i thjeshtë dhe i sigurt për denoncimin anonim të rasteve korruptive. Pas referimit të kësaj platforme e cila mundëson trajtimin e ankesave për rastet e korrupsionit, në mënyrë të shpejtë, efikase, të paanshme dhe të pavaruar, u vu re një interes i shtuar për përdorimin e saj. Për rrjedhojë, stafi i TFL, asistoi një qytetare në plotësimin e një ankese online e cila do të trajtohet nga stafi përgjegjës, në mënyrën e duhur dhe brenda një afati të arsyeshëm.
Disclaimer:
Ky aktivitet u organizua në kuadër të iniciativës “Qytetarët për Transparencë: Kundër Korrupsionit në Sektorin e Shëndetësisë”, grant i dhënë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, financuar nga Bashkimi Evropian. Përgjegjësia për përmbajtjen dhe diskutimet i takon vetëm Together for Life dhe pjesëmarrësve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH)-së apo partnerëve të projektit.


















































