denonco@transparency.com.al

shoqeria civile

Vaksina HPV: Nevojë urgjente që kërkon vëmendje dhe angazhim

Kanceri i qafës së mitrës është një nga llojet më të zakonshme të kancerit që prek gratë në mbarë botën, dhe është një shkak kryesor i vdekjeve nga kanceri. Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në përpjekjet për të luftuar këtë sëmundje, duke futur vaksinën HPV (Human Papillomavirus) si pjesë të kalendarëve të imunizimit të vendit. Megjithatë, ndonëse vaksina ka potencial të madh për parandalimin e këtij kanceri, niveli i vaksinimit mbetet shqetësues, duke kërkuar përpjekje më të mëdha për të arritur grupet e popullsisë që kanë nevojë për mbrojtje.

Shqipëria: Vaksinimi që po ecën ngadalë

 Në raportin e monitorimit të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 pregatitur nga TFL është evidentuar futja për herë të parë e vaksinës HPV në nëntor të vitit 2022.  Sipas të dhënave në raport rezulton  se, gjatë vitit 2023 janë aplikuar 11,713 doza dhe 3,990 doza gjatë dy muajve të parë të 2024. Niveli i vaksinimit vlerësohet shumë i ulët, krahasuar me nevojën.

 Në ditët e para të vitit 2025 ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, bëri të ditur se janë administruar gjithsej 16,259 doza të vaksinës HPV, një shifër që përfshin dy grupe të ndryshme të vajzave: 6,492 vaksina për vajzat 13 vjeç dhe 9,767 vaksina për vajzat 14-20 vjeç. Ky vaksiminim është pjesë e një fushate që synon mbrojtjen e vajzave dhe grave nga infeksionet e HPV, të cilat janë përgjegjëse për shumicën e rasteve të kancerit të qafës së mitrës.

Çdo vit në Shqipëri diagnostikohen 100 deri në 130 raste të reja. Pavarësisht rëndësisë së vaksinës, ministrja Koçiu e ka pranuar që niveli i vaksinimit është ende i ulët, duke theksuar nevojën për më shumë fushata informuese dhe shtim të mbulueshmërisë.

Krahasuar me nevojat e popullsisë dhe statistikave, shifrat aktuale të vaksinimit janë ende larg qëllimit. Sipas një raporti të Ministrisë së Shëndetësisë, nevoja për vaksinim është shumë më e madhe, duke sugjeruar se duhet më shumë angazhim dhe burime për të arritur një mbulim të duhur.

Në strategjinë e vaksinimit për vitet 2024-2030, Shqipëria ka përcaktuar një numër specifik të vaksinave HPV që synohet të aplikohen për vitin 2025. Sipas planifikimeve të strategjisë, për vitin 2025, Shqipëria ka për qëllim të aplikojë 21,000 doza të vaksinës HPV. Ky është një objektiv që përfshin vaksinimin e vajzave 14-20 vjeç dhe ka për qëllim të rrisë mbulimin vaksinal dhe të kontribuoni në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

Pse është kaq e rëndësishme vaksina HPV?

HPV është një infeksion seksualisht i transmetueshëm që mund të shkaktojë kancer të qafës së mitrës, por gjithashtu është lidhur me kanceret e organeve të tjera, si vagina, penisi dhe orofaringu. Vaksina kundër HPV është një mjet i provuar për të parandaluar këto infeksione dhe kanceret që mund të zhvillohen si pasojë e tyre. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vaksina është më efektive kur administrohet tek vajzat dhe djemtë para se të fillojnë të jenë aktivë seksualisht, kjo për shkak se HPV mund të transmetohet përmes kontaktit seksual.

Të dhënat e OBSH dhe rekomandimet për vaksinim

OBSH rekomandon vaksinimin e vajzave nga mosha 9 deri në 14 vjeç, për të parandaluar infeksionet nga HPV. Për vajzat dhe gratë deri në 20 vjeç, një dozë e vetme është e mjaftueshme, ndërsa për ata që janë më të mëdha, mund të kërkohen dy doza të vaksinë HPV. Po ashtu, OBSH sugjeron që vaksina të administrohet edhe për djemtë, për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së virusit.

Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e sëmundjeve (CDC) pohon se vaksina HPV nuk rekomandohet për personat mbi 26 vjeç. Por, vaksinimi i personave mbi 26 vjeç deri në 45 vjeç mund të bëhet vetëm me rekomandimin e mjekut.

“Vaksina HPV sjell pak përfitime në këtë grup-moshë, për disa arsye, përfshirë edhe atë se më shumë njerëz të këtij grupi veçse mund të jenë ekspozuar ndaj HPV-së”, thuhet në ëeb-faqen e CDC-së.

Një tjetër rekomandim i OBSH është që vaksina HPV të jetë pjesë e kalendarëve të imunizimit të çdo vendi, si një masë parandaluese për shëndetin publik. Disa shtete të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë përfshirë vaksinat HPV në kalendarët e imunizimit të detyrueshëm, dhe është e nevojshme që vendet e tjera, si Shqipëria dhe Kosova, të bëjnë më shumë përpjekje për të rritur mbulueshmërinë dhe për të shpërndarë informacion për përfitimet e vaksinës.

Vaksina HPV në kalendarin e vaksinimit të disa vendeve të rajonit

Ndërsa Shqipëria ka nisur vaksinimin e HPV për vajzat që prej vitit 2022, Kosova ka bërë po ashtu hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, në vitin 2024, 10,000 vajza janë vaksinuar kundër HPV, duke arritur një mbulueshmëri prej 84% në nivel vendi. Ky është një rezultat i rëndësishëm për një shtet që ka futur vaksinën HPV në kalendarin e imunizimit vetëm vitin e kaluar. Djemtë gjithashtu pritet të vaksinohen, duke zgjeruar kështu përfitimet e vaksinës për mbrojtjen e të gjithë popullatës.

Në Kosovë, vaksina është dhënë falas për vajzat 11-12 vjeç, dhe autoritetet shprehen të kënaqura me rezultatet, pasi nuk janë raportuar efekte anësore të rënda deri tani. Sidoqoftë, si Shqipëria, edhe Kosova përballet me sfida të ngjashme – nevoja për një mbulueshmëri më të gjerë dhe sensibilizimin e prindërve, që për të vaksinuar fëmijët e tyre dhe për të siguruar mbrojtje të qëndrueshme.

Në disa vende të Ballkanit Perëndimor, vaksina HPV është në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit. E fundit që futi në kalendar këtë vaksinë ishte Shqipëria, në nëntor të vitit 2022.

Në shtator të po atij viti, Mali i Zi kishte nisur administrimin e kësaj vaksine.

Maqedonia e Veriut e ka këtë vaksinë në kalendar që nga viti 2013 dhe vaksina është e detyrueshme për grup-moshën 12 deri në 26 vjeçe dhe jepet në tri doza.

Në kalendarin e vaksinimit të Serbisë është po ashtu HPV. Në këtë shtet, kjo vaksinë rekomandohet të merret, por nuk është e obligueshme.

Vaksina HPV jepet edhe në Bosnje e Hercegovinë, ndonëse nuk është e obligueshme.

Vaksina kundër HPV: Rruga drejt një Shëndeti Publik më të sigurt

Megjithëse Shqipëria ka bërë përparime në vaksinimin kundër HPV, është e qartë se niveli i vaksinimit është ende larg nevojave të vërteta.

Vaksina HPV nuk është thjesht një mundësi, por një nevojë urgjente që kërkon vëmendje dhe angazhim të menjëhershëm.

Read more

Raport i OECD-së, Bardhi: Reflektim i buxhetit të ulët në sektorin e shëndetësisë

TFL prej 15 vitesh ka ngritur zërin, ka raportuar për buxhetin e pamjaftueshëm dhe të ulët në sektorin e shëndetësisë.

Shqipëria ka shpenzimet shëndetësore për frymë më të ulëtat në rajon dhe Europë.

Një raport i OECD-së që bazohet në të dhënat e vitit 2022, e rendit vendin tonë të fundit me një nivel shpenzimesh shëndetësore 734 Euro për frymë.

Për eksperten e çështjeve të shëndetësisë, Eglantina Bardhi, kjo situatë është reflektim i një buxheti të ulët në këtë sektor.

Eglantina Bardhi: Ne prej 15 vitesh kemi ngritur zërin, kemi raportuar një buxhet të pamjaftueshëm dhe të ulët per sektorin e shëndetësisë. Ne kemi një buxhet më pak se 3% të GDP-së.

Keqfinancimi i sektorit të shëndetësisë për Bardhin sjell pasoja të drejtpërdrejta tek pacientët.

Eglantina Bardhi: Ka pamjaftueshmëri fondesh per t’u trajtuar sipas protokolleve. Pacientët janë të detyruar të paguajnë nga xhepi i tyre për të patur shërbime më cilësore.

Që shërbimi ndaj qytetarëve të përmirësohet, kërkohet të paktën dyfishim i buxhetit.

Eglantina Bardhi: Që të plotësohet një paketë bazë, duhet të jetë dy herë më shumë, tre.

Për vitin 2025, buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë së bashku me atë të mbrojtjes sociale është rritur me 5% duke shkuar në 103 miliardë e 375 milionë Lekësh, 12.57% e buxhetit ose 3.94% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Read more

Ndryshon buxheti, shkurtohen me 34 mln euro fondet për arsimin dhe shëndetësinë

Arsimi dhe shëndetësia janë dy sektorë të nënfinancuar në vendin tonë dhe nga ana tjetër  në këto kohë kur kapitali njerëzor po shteron nga emigracioni dhe plakja financimi i tyre është jetik.

 Por në vend që të rriten fondet për arsimin dhe shëndetësinë u shkurtuan me tej në Aktin e tretë normativ për ndryshimet në buxhetin 2024 që u miratua këto ditë.

 Sipas tabelave të mëposhtme buxheti i Ministrisë së Shëndetësie u shkurtua me 2.3 miliardë lekë ose me 3%, ndërsa buxheti i Ministrisë së Arsimit u shkurtua me 1 miliardë lekë ose 2 për qind e programit total.

 Pesha e financimeve të arsimit dhe shëndetësisë në raport me buxhetin total po vjen në rënie vit pas viti. Aktualisht fondet e arsimit administrohen nga Ministria e Inovacionit e cila ka në kompetenca arsimin profesional me 3,4 miliardë lekë këtë vit dhe ministria e Arsimit me një fond 51.5 miliardë lekësh sipas ndryshimeve të fundit.

Në total fondet buxhetore për arsimin këtë vit janë 55 miliardë lekë, shumë kjo sa 7.1% e buxhetit  total. Vitin që kaloi shpenzimet  për arsimin ishin sa 9.7 % e totalit të buxhetit. Shpenzimet e arsimit në raport me të ardhurat në buxhet janë trend rënës që nga viti 2029, ku financimet në këtë zë ishin 11.4% e të ardhurave buxhetore.

Ecuri të ngjashme kane edhe shpenzimet për shëndetësinë. Në vitin 2024 shpenzimet për shëndetësinë janë programuar sipas ndryshimeve të fundit 75,9 miliardë lekë nga 77,9 miliardë lekë në aktin e dytë normativ.

Sipas programit aktual shpenzimet për shëndetësinë janë sa 9.8 të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Në vitin 2019 buxheti për shëndetësinë ishte sa 10..4% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore.

Shkurtimi i shpenzimeve për arsimin dhe shëndetësinë vjen në një kohë kur vendi ka rritur nevojat për financim për shkak të plakjes së popullsisë dhe rritjes së sëmundjeve kronike. Statistikat e shëndetit tregojnë për rritje me 5 % në vit të sëmundjeve kronike dhe Qendra Spitalore “Nënë Tereza” vuan gjithnjë nga mungesa të terapive për sëmundjet malinje dhe ato të rralla.

Nga ana tjetër rezultatet në rënie të rezultateve arsimore sipas testit “PISA” kërkojnë rritje të vëmendjes për arsimin. Në një kohë që popullsia e vendit tkurret dhe plaket, një arsim i mirë i të rinjve sot do të bëhet shkak për të çuar ekonominë në nivel tjetër në vitet në vazhdim.

Menaxhimi i financave publike prej vitesh vuan nga një shpërndarje jo e drejtë e burimeve. Teksa Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe buxheti i shtetit pothuajse janë dyfishuar në dekadën e fundit, Shqipëria ka aktualisht 42% të popullsisë së saj në rrezik të varfërisëniveli më i lartë në Europë, sipas të dhënave të Eurostat.

Gjithashtu organizatat ndërkombëtare  e rendisin vendin tonë në top listën me nivelet alarmante të emigracionit , sidomos në moshat e reja dhe në grupet e shkolluara./ B. Hoxha- Monitor

Read more

Vdekja e 17-vjeçares, alarm për Ministrinë e Shëndetësisë. TFL: Të futet menjëherë vaksina e meningokokut në kalendarin kombëtar të vaksinimit

Një vajzë 17-vjeçare nga Durrësi humbi jetën dje në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, si pasojë e meninigitit akut. Ky rast tragjik ka ringjallur shqetësimet për mungesën e vaksinës kundër meningokokut në kalendarin kombëtar të vaksinimit, duke theksuar urgjencën e ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse.

Në fillim të nëntorit, Together for Life (TFL) publikoi raportin “Monitorimi i Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030”, ku evidentoi se kjo vaksinë, edhe pse e parashikuar për t’u përfshirë që në vitin 2023 në kalendarin kombëtar të vaksinimit, rezulton se nuk është përfshirë as për vitin 2023 dhe as për 2024.

Në tryezën e organizuar për prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit, TFL i bëri thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të planifikojnë buxhetin e nevojshëm për futjen e kësaj vaksine në kalendarin e vitit 2025, si një hap i domosdoshëm për të përmbushur objektivin e mbulimit universal shëndetësor, përfshirë aksesin në vaksina të sigurta dhe efikase për të gjithë.

Shqipëria çdo vit regjistron 20-30 raste të meningjitit, që jo rrallë rezultojnë fatale për shëndetin apo jetën e të prekurve, kryesisht fëmijë dhe të rinj.

Meningjiti rezulton fatal veçanërisht kur preket cipa e trurit apo gjaku, që mesa duket është edhe rasti i 17-vjeçares.

Aplikimi i vaksinës kundër meningokokut konsiderohet si një mjet parandalues thelbësor, që rekomandohet veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë në mjedise të mbyllura, si konvikte, çerdhe dhe kopshte, dhe për ata me sistem të dobët imunitar.

Përfshirja e kësaj vaksine në kalendarin kombëtar, jo vetëm do të shmangte humbjen e jetëve në të ardhmen, por gjithashtu do të reduktonte barrën financiare për trajtimin e sëmundjeve të shkaktuara nga virusi meningokok.

Për Drejtoren Ekzekutive të TFL, Eglantina Bardhi: “Vaksina kundër meningokokut tashmë nuk është thjesht një mundësi, por një domosdoshmëri për ruajtjen e jetës së fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri. Humbja e jetës së 17-vjeçares të prekur nga meningokoku duhet të shërbejë si katalizator për veprime të menjëhershme dhe përkushtim më të madh ndaj shëndetit publik. Ministria e Shëndetësisë duhet të veprojë tani, nëpërmjet futjes menjëherë të vaksinës së meningokokut në kalendarin e vaksinave të viti 2025 si një masë e nevojshme dhe e domosdoshme parandaluese, që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.”

Read more

Mungesa e fondeve rrezikon kujdesin shëndetësor në shtëpi për të moshuarit

Sipas një raporti të organizatës “Together for Life”, më shumë se një e treta e të moshuarve ka nevojë për kujdes shëndetësor në banesë, ndërsa ky numër pritet të rritet ndjeshëm për shkak të plakjes së popullsisë shqiptare.

Në vitin 2021, për herë të parë në Shqipëri, u pilotua një tipologji e re shërbimi në disa qendra shëndetësore në Fier dhe Dibër, i quajtur “Kujdesi Shëndetësor në Banesë” (KSHB). Ky shërbim u mundësua nga projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP) me mbështetjen financiare të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Me ndihmën e projektit HAP, deri më tani janë përfshirë në këtë skemë 120 qendra shëndetësore në 18 Njësi Vendore të Kujdesit Shëndetësor. Megjithatë, ndërsa periudha e pilotimit po mbyllet, organizata “Together for Life” ngre shqetësimin se Ministria e Shëndetësisë nuk ka parashikuar mjaftueshëm fonde për mbulimin e plotë të kostove të këtij shërbimi.

“Që prej vitit 2021, kur ka filluar pilotimi i shërbimit shëndetësor në banesa, dhe deri më sot, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka parashikuar asnjë fond të dedikuar për këtë shërbim, përveç mbulimit të pagave të stafit mjekësor që e ofron këtë shërbim,” thuhet në raportin e TFL-së.

“Kështu krijohet përshtypja se, deri tani, Ministria e Shëndetësisë ia ka ngarkuar barrën financiare donatorëve, konkretisht qeverisë zvicerane, nëpërmjet projektit HAP,” shton raporti.

Rreth 35% e personave mbi moshën 70 vjeç përballen me probleme të lëvizshmërisë, ndërsa kjo shifër rritet ndjeshëm për ata mbi 85 vjeç. Sëmundjet si artriti, osteoporoza, goditjet në tru dhe parkinsoni janë ndër shkaqet kryesore të palëvizshmërisë.

“Nga përllogaritjet e kryera nga programi ‘Shëndet për të Gjithë’ (HAP), vlerësohet se në Shqipëri rreth 15 mijë deri në 20 mijë pacientë të invalidizuar kanë nevojë për shërbim në banesë,” thuhet më tej në raportin e TFL.

Organizata thekson se megjithëse shërbimi shëndetësor në banesë po shtrihet në të gjithë vendin, mungesa e buxhetimit të qëndrueshëm nga Ministria e Shëndetësisë rrezikon cilësinë e shërbimit.

Kostot e transportit, mungesa e pajisjeve mjekësore dhe materialeve të nevojshme, si dhe ngarkesa e lartë e punës, janë ndër sfidat kryesore me të cilat përballen infermierët.

“Ngarkesa e punës për një infermier varion nga 15 deri në 100 pacientë në muaj për t’u vizituar në banesat e tyre, ndërsa shumë prej infermierëve duhet të mbulojnë vetë kostot e transportit dhe pajisjeve të nevojshme,” evidenton raporti.

Të dhënat e mbledhura nga fokus-grupet me infermierë dhe familjarë të të moshuarve tregojnë gjithashtu se pensionet e ulëta dhe varfëria i lënë të moshuarit pa mbështetje adekuate shoqërore dhe ekonomike.

“Pensionet, me gjithë rritjet e përvitshme, mbeten të ulëta dhe të pamjaftueshme për mbulimin e nevojave bazë të pensionistëve,” shkruhet në raport.

“Varfëria i bën të moshuarit të ndihen të përjashtuar nga shoqëria, gjë që rëndon më tej situatën e tyre ekonomike, sociale dhe shëndetësore, veçanërisht për ata që jetojnë vetëm dhe nuk kanë mbështetje të mjaftueshme nga familjarët,” theksojnë autorët e raportit.

Rezultatet tregojnë gjithashtu se, përveç pamundësisë fizike, shumë të moshuar nuk mund të përballojnë financiarisht udhëtimet deri te qendrat shëndetësore.

“Sipas të dhënave të HAP, vetëm 8.9% e pacientëve të invalidizuar raportuan se mund të vizitonin qendrat shëndetësore pa ndihmë,” përfundon raporti./reporter.al

Read more

Raporti i Freedom House për Shqipërinë: Korrupsioni vazhdon dhe prodhon mosfunksionim në degët e ndryshme të qeverisjes

Artikulli i mëposhtëm përbën pjesë të raportit të 2024 të Freedom House mbi situatën e demokracisë në Shqipëri, duke nxjerrë në pah probleme të theksuara të sistemit.

Hapësira mediatike:

Viti 2023 pa një përkeqësim të sferës së shoqërisë civile në Shqipëri dhe në zvogëlimin e hapësirës së saj mediatike, të cilat që të dyja cënojnë dhe ngadalësojnë angazhimin e vendit ndaj demokracisë.

Siguria e gazetarëve cënohet gjithnjë e më shumë në një mjedis që mbetet shumë politike e partiak dhe i ndikuar nga biznesmenë të shquar. Për më tepër, ka një tendencë në rritje midis biznesmenëve me lidhje të ngushta politike për të blerë aksione gjithnjë e më të mëdha në media të ndryshme, për të paguar ekspertë dhe gazetarë dhe për të sponsorizuar programe të mëdha televizive politike që ndikojnë dhe formojnë debatin dhe opinionet publike, të gjitha me qëllim promovimin e agjendave politike përkatëse që ata mbështesin në këmbim të kontratave të prokurimit publik ose kontributeve në natyrë.

Shoqëria civile:

Organizatat e shoqërisë civile, të cilat ligjërisht janë të detyruara të informohen nga qeveria kur miratohet legjislacioni i ri ose kur ai ndryshon, dëshmuan shumë pak përpjekje nga ana e parlamentit për t’u angazhuar me to ose për të pranuar dhe marrë në konsideratë sugjerimet e tyre.

Disa organizata të shoqërisë civile, për shembull, kundërshtuan ndryshimet në kuadrin ligjor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitin 2023, me arsyetimin se ndryshimet do të politizonin më tej institucionin dhe do të cënonin lirinë akademike. Më vonë u zbulua se kreu aktual i Akademisë i kishte shkruar vetë ndryshimet për përfitim personal. Megjithatë, parlamenti miratoi ndryshimet dhe presidenti i nënshkroi ato në ligj. Ky rast tregoi mungesën e vazhdueshme të angazhimit të qeverisë për t’u konsultuar me shoqërinë civile me qëllim mbrojtjen e vlerave demokratike si ajo e lirisë akademike.

Rreth SPAK-ut:

Partitë politike shqiptare mbetën të paafta për të trajtuar korrupsionin brenda rradhëve të tyre në vitin 2023 dhe duken se akoma nuk e kanë ndërmend të shkëputen nga drejtuesit problematikë të partive që ose janë sanksionuar jashtë vendit, ose përballen me akuza të rënda nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Kjo tendencë vjen pjesërisht për shkak të mungesës së demokracisë së brendshme brenda partive politike dhe paaftësisë së tyre për të vetërregulluar dhe adresuar përçarjet e brendshme dhe qasjet e gabuara në rradhët e tyre.

Dështimet e brendshme në parti janë mbartur në strukturat qeveritare – duke mëshuar dhe shtuar armiqësinë ndaj kritikëve të sektorit civil dhe mediatik – dhe këto dështime vazhdojnë të kenë një ndikim negativ në gjendjen e përgjithshme të demokracisë në Shqipëri.

SPAK përmirësoi në mënyrë të qëndrueshme historikun e tij të hetimit të korrupsionit në nivel të lartë dhe ngritjen e akuzave kundër një numri politikanësh kyç në Shqipëri në vitin 2023, duke e bërë atë një nga institucionet e pakta gjyqësore dhe prokuroriale funksionale në vend ndërkohë që procesi i verifikimit gjyqësor vazhdonte në Shqipëri në 2023.

Qëkur SPAK akuzoi Berishën dhe Ahmetajn, si dhe ekspozoi ndërprerjen e lidhjeve midis një sërë grupesh të krimit të organizuar dhe bizneseve, politikanëve dhe agjencive të zbatimit të ligjit, ka pasur një fushatë në rritje të dezinformimit nga organet mediatike dhe figura të larta politike si nga qeveria edhe nga opozita për të zhvlerësuar punën e bërë nga SPAK.

Gjithashtu, ka patur kërcënime fizike dhe verbale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të SPAK-ut dhe familjarëve të tyre. Kjo përgjigje negative ka nxjerrë në pah realitetin ku SPAK nuk mund ta luftojë i vetëm korrupsionin në nivelet më të larta. SPAK përbën një komponent të rëndësishëm të demokracisë shqiptare në mënyrë që partitë politike të dëbojnë ata që përfshihen në korrupsion dhe ata që kanë precedent në cënimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.

Derisa gjërat të ndryshojnë, Shqipëria do të vazhdojë të klasifikohet si një regjim hibrid me elementë si të demokracisë ashtu edhe të autoritarizmit.

Më poshtë raporti vlerëson me pikë aspekte të ndryshme të sistemit qeveritar në Shqipëri.

Përsa i përket Qeverisjes Demokratike Kombëtare – se si e konsideron karakterin demokratik të sistemit qeveritar; dhe pavarësinë, efektivitetin dhe llogaridhënien e degëve legjislative dhe ekzekutive: 3.25 / 7.00

Përsa i përket Procesit Elektoral – se si shqyrtohen zgjedhjet kombëtare ekzekutive dhe legjislative, kuadrin zgjedhor, funksionimin e sistemeve shumëpartiake dhe pjesëmarrjen popullore në procesin politik: 4.25 / 7.00

Përsa i përket Shoqërisë Civile – se si vlerësohet kapaciteti organizativ dhe qëndrueshmëria financiare të sektorit qytetar; mjedisit ligjor dhe politik në të cilin vepron; funksionimin e sindikatave; pjesëmarrja e grupeve të interesit në procesin e politikave; dhe kërcënimin e paraqitur nga grupet ekstremiste antidemokratike: 4.75 / 7.00

Përsa i përket Lirisë së Medias – se si shqyrtohet gjendja aktuale e lirisë së shtypit, duke përfshirë ligjet për shpifjen, kërcënimin ndaj gazetarëve dhe pavarësisë editoriale; funksionimin e një shtypi të pavaraur dhe të qëndrueshëm financiarisht; dhe funksionimin e medias publike: 3.50 / 7.00

Përsa i përket Qeverisjes Demokratike Vendore – se si e konsideron decentralizimin e pushtetit; përgjegjësitë, zgjedhjet dhe kapacitetet e organeve të qeverisjes vendore; dhe transparencën dhe llogaridhënien e autoriteteve vendore: 4.50 / 7.00

Përsa i përket Kornizës Gjyqësore dhe Pavarësisë – se si vlerëson mbrojtjen e Kushtetutës dhe të të drejtave të njeriut, pavarësinë e gjyqësorit, statusin e të drejtave të pakicave etnike, garancinë e barazisë para ligjit, trajtimin e të dyshuarve dhe të burgosurve dhe respektimin e vendimeve gjyqësore: 3.25 / 7.00

Përsa i përket Korrupsionit – se si shqyrtohen perceptimet e publikut për korrupsionin, interesat e biznesit të politikëbërësve kryesorë, ligjet për zbulimin financiar dhe konfliktin e interesit, dhe efikasitetin e nismave kundër korrupsionit: 3.00 / 7.00

Burimi: https://freedomhouse.org/country/albania/nations-transit/2024

Read more

TFL ngre çështjen e fertilizimit in vitro në seancën dëgjimore mbi diskutimin e projekt-buxhetit 2024. Zv. Ministrja Rakacolli: Është një shërbim që është buxhetuar dhe parashikuar të funksionojë brenda këtij viti

Shoqata Together for Life, gjatë seancës dëgjimore të ditës së djeshme mbajtur nga Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në Kuvendin e Shqipërisë, shprehu qëndrimin e saj mbi projekt-buxhetin e vitit 2024, duke parashtruar problematikat dhe propozuar çështje konkrete.

Përfaqësuesja e TFL, Redina Çanaku, duke iu referuar projekt-buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, shprehu shqetësimin e organizatës për buxhetin e parashikuar për sektorin e shëndetësisë i cili ka ardhur në ulje për të tretin vit radhazi. “Pavarësisht rritjes nominale, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, buxheti për sektorin e shëndetësisë rezulton në ulje, theksoi Çanaku. Për të tretin vit rradhazi vërehet një ulje nga 3.5% e PBB në vitin 2022, në 3.1% e PBB në vitin 2023, dhe në 2.8% e PBB për vitin 2024.”

Më shumë se një herë, TFL ka ngritur shqetësimin se, referuar edhe raporteve ndërkombëtare, Shqipëria është e fundit në Rajon për nivelin e buxhetimit të shëndetësisë nga qeveria. Buxhetimi i sektorit të shëndetësisë nën nivelin 3% të PBB është një këmbanë alarmi për shërbimet shëndetësore publike dhe përbën një rrezik të shtuar sidomos për pacientët dhe grupet në nevojë, të cilët mund të privohen nga e drejta për të marrë shërbim cilësor.

Në Raportin monitorues, përgatitur dhe publikuar nga TFL, me mbështetjen e National Endowement for Democracy, “Monitorimi i shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2022”, paraqitet një pasqyrë e plotë e problematikës së lindur nga nënfinancimi i sektorit të shëndetësisë.   

Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar, TFL u ndal në një çështje shumë të ndjeshme si ajo e shërbimit të fertilizimit in vitro, i cili vazhdon të jetë një shërbim i munguar në spitalet publike. “As në relacionin e buxhetit për shëndetësinë dhe as në projekt-buxhetin e detajuar për vitin 2024 nuk gjejmë asnjë informacion rreth kostimit ose jo të produktit ‹Çifte që përfitojnë nga paketa e fertilizimit› dhe në cilën pikë ndodhet procesi i përgatitjes së bazës ligjore”, vuri në dukje përfaqësuesja e TFL. Together for Life, për më shumë se gjashtë vite, ka lobuar pranë institucioneve shëndetësore për ngritjen e këtij shërbimi në spitalet publike si një masë që do t’u vinte në ndihmë shumë çifteve të reja.

Deputeti Ilir Pendavinji, nisur nga shqetësimi i ngritur nga TFL, kërkoi nga Zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – Mira Rakacolli, e pranishme në seancë, një informacion të saktë se kur do të fillonte të ofrohej ky shërbim në maternitetin ‘Koço Glozheni”, pasi janë me dhjetra çiftet që e prisnin këtë lajm.

Zv. Ministrja e Shëndetësisë informoi se ky është një shërbim që është buxhetuar dhe do të fillojë të funksionojë së shpejti: “Fertilizimi in vitro është një shërbim që është i parashikuar në buxhetin e spitaleve dhe është parashikuar të funksionojë krejtësisht brenda këtij viti”.

Nga ana tjetër, lidhur me numrin e çifteve që do të përfitojnë, ajo u shpreh se: “Komisionet profesioniste që janë krijuar pranë spitaleve universitare obstetrikë-gjinekologjike kanë përcaktuar kriteret që duhet të ketë një çift për të kryer fertilizimin in vitro.  Procedura e detajuar se si do të ndodhë ky proces, është duke u punuar. Jemi në fazën ku infrastruktura është ndërtuar, janë instaluar pajisjet dhe blerë medikamentet që duhen, si edhe po vijohet me hartimin e procedures konkrete se si do të realizohet.

TFL do të ndjekë nga afër realizimin e këtij angazhimi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe do të vazhdojë të këmbëngulë që ky shërbim të ofrohet sa më shpejt dhe për një numër sa më të madh çiftesh.

Videon e plotë të seancës dëgjimore, mund ta shikoni në link-un:

https://www.facebook.com/100076188047891/posts/pfbid022L91mvgecbuY6Cahz33T9TCsequzbyL7eY14obEapXVULCs3yuhSYo5wbtRBwL3jl/?app=fbl

Për më tepër, ju ftojmë të lexoni raportin monitorues: togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2023/06/Monitorimi-i-shpenzimeve-te-sektorit-te-shendetesise-dhe-mbrojtjes-sociale-per-vitin-2022.pdf?fbclid=IwAR0eRKVxd5cxFI6Y7IL8tFdfHMxkslUdaAEHZuwURKqCw0lUVurf_L0vMlY

Read more

“Vështirë të gjesh ilaçe. Në Shqipëri ekzistojnë vetëm 2 ilaçe për sëmundjen tonë dhe ato kushtojnë jashtëzakonisht shumë”

Në workshop-in “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, organizuar nga shoqata Together For Life (TFL) dhe mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), u theksua mungesa e informimit dhe e investimit nga ana qytetare ne proceset konsultuese. Kjo problematikë krijon më pas një sërë problemesh të tjera, zinxhir, të cilat dekurajojnë dhe përkeqësojnë situatën e përfshirjes dhe angazhimit qytetar dhe nga ana tjetër kontribuojnë në abuzimin dhe degradimin e mëtejshëm të sistemit shëndetësor (dhe jo vetëm) nga ana e shtetit.

Elida Jata nga Qendra ALTRI u shpreh: “Mungesa e investimit në mënyrë të theksuar nga ana qytetare për të qenë pjesë e proceseve konsultuese. Po ashtu aq e rëndësishme është edukimi i qytetarëve për të kuptuar buxhetin e Bashkisë, pasi kemi pare shpesh që qytetarët i kërkojnë bashkisë gjëra tepër vizionare për buxhetin ose gjëra që nuk janë në kompetencë të drejtpërdrejt me bashkinë. Pra, këtu është problem i informimit dhe edukimit të qytetarëve për prioritetet dhe pretendimet e tyre.”

Gjatë diksutimit u vu re se ky problem nuk fillon dhe mbyllet vetëm me detyrat dhe përgjegjesitë tona si qytetarë, por ndikon dhe në horizontin dhe mentalitetin e qasjes sonë ndaj grupeve të margjinalizuara dhe grupeve vulnerabël dhe problemeve që ato kanë në shoqëri, dhe po ashtu kauzave që ato luftojnë. Pra, ky është efekti zinxhir i përmendur më sipër.

E tillë është stigma e mospraninmit të sëmundjeve të caktuara, gjë që u shpreh nga dy përfaqësusese të organizatës Jeto Përsëri që fokusohet në pacientët me sklerozë multiple: “Pacienti nuk pranohet psikologjikisht nga familja. Problemi fillon këtu dhe pastaj vazhdon me komunitetin e më pas me statusin aktiv në punë. Mosha e njerëzve që preken nga kjo sëmundje ështe 20 – 40 vjeç dhe nuk ka asnjë lloj kushti për t’i trajtuar. Për më tepër, nuk pranohen nga shoqëria dhe është vështirë të gjesh ilaçe. Nëse në Shqipëri ekzistojnë 2 ilaçe, në rajon janë 4-5 ilaçe të ndryshme. Fokusi ynë është të sensibilizojmë shoqërinë dhe ndikojmë në rritjen e numrit të ilaçeve të cilat kushtojnë jashtëzakonisht shumë.

Read more

Ersilda Teliti: Doktorët detyrohen të pranojnë marrëveshjen nga urdhri edhe nëse shërbimet nuk janë cilësore

Në workshop-in “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, organizuar nga shoqata Together For Life (TFL) dhe mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), u diskutua për sfidat, problematikat dhe mungesat në sistemin shëndetësor shqiptar dhe rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile në këtë sistem.

Gjatë diskutimit, përfaqësues të organizatave civile shprehën dëshirën dhe interesin e tyre në sensibilizimin e popullatës në çështjet sociale. Pjesëmarrësit vlerësuan workshop-in dhe takime të tilla pasi janë mundësira të vlefshme për bashkëpunim mes njëri – tjetrit.

Një nga problemet që u përmend shpesh nga të gjithë përfaqësuesit e organizatave ishte mungesa e informimit të qytetarëve dhe në shumë raste mbi çështje që i prekin ata drejtpërdrejt.

Mbi këtë problematikë, Ersilda Teliti nga Qëndra Konsumatori Shqiptar u shpreh:

“Mungesa e informacionit ka bërë që doktorët të pranojnë marrëveshjen nga urdhri duke i bërë dëm qytetarit, në çdo rast, edhe kur mjekimi është i pakujdesshëm dhe jo cilësor. Nëse qytetari kërkon direkt dëmshpërblim – biologjik, shëndetësor dhe moral – kjo do t’i kompesonte deri diku dëmin që ka pësuar. Po ju jap një rast personal: Në farmaci morra disa vitamina amerikane të cilat m’u rekomanduan nga farmacia. Vura re që fillova të kisha probleme me shëndetin. Pasi morra informacion rezultoi që rrjeti i farmacive ishte nga një person shumë i famshëm në Shqipëri, siç ndodh gjithmonë. Mesazhi nga kolegët e mi ishte të mos merresha me rrugë gjyqësore por unë e vazhdova deri diku luftën. Trupi im pati probleme nga përdorimi i këtyre vitaminave pasi ato duhet të kishin një përbërës që nuk funksionon mirë me shëndetin.”

Përsa i përket tenderave që nënshkruhen, që është një nga problemet që citohen dhe më sipër, një nga pjesëmarrësit u shpreh se organizata ku punonte merrej pikërisht me aspektin e llogaridhënies dhe transparencës të tenderave që miratohen dhe më pas zbatohen.  “Organizata që unë përfaqësoj ka përdorur një metodë që quhet ‘Redflag Procedure’, i cili është një lloj procesi prokurimi ku nxirren në pah politika dhe vendime që janë në kundërshtim me ligjin. Organizata jonë ka dhënë shumë transparencë sepse është e mirëorganizuar në sektorin e shëndetësisë. Nëpërmjet kësaj metode ngrihet zëri qytetar ne media dhe njëkohësisht zëri qytetar është i mirëinformuar. Dhe kjo metodë ka funksionuar.”

Read more
en_USEnglish