denonco@transparency.com.al

Change

Sistemi shëndetësor i Shqipërisë mbetet i fragmentuar

Në raportin “Mbi investimet publike në Shqipëri 2014-2024” publikuar nga Together For Life, mbështetur financiarisht nga NDI (National Democratic Institute) diskutohen dhe renditen gjetje dhe rekomandime përsa i përket mungesës së qartësisë së procedurave të vendimmarrjes, mungesës së publikimit të raporteve të monitorimit të buxhetit apo të dokumenteve të tjera të faqes zyrtare të MSHMS, vlerësime të efiçiencës pas përfundimit të fazës së zbatimit të projekteve me financim nga buxheti i shtetit. E gjitha kjo bëhet në kuadër të transparencës dhe llogaridhënies për të ndjekur fazat e zbatimit të projekteve dhe për të interpretuar e analizuar masën e buxhetit dhe shpenzimet që bëhen për sektorin e shëndetësisë.

Referuar dokumentacionit zyrtar, stafi që propozon projektet e investimeve publike është stafi qendror i MSHMS dhe nuk del qartë nëse adresohen apo jo nevojat e vërteta të spitaleve apo qendrave shëndetësore. Vendimmarrja për projektet e investimeve mbetet në dorë të titullarit të institucionit, i cili vendos mbështetur në prioritetet politike.

Sistemi shëndetësor i Shqipërisë mbetet i fragmentuar. Shërbimet e kujdesit shëndetësor vazhdojnë të menaxhohen në mënyrë qendrore nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe menaxherët e ofruesve të shërbimeve në sektorin publik kanë pak autonomi ose fleksibilitet dhe burimet dhe vendimmarrja financiare mbeten të centralizuara.

Nuk gjejmë të publikuara në raportet e monitorimit të buxhetit apo në dokumente të tjera të faqes zyrtare të MSHMS vlerësime të efiçiencës pas përfundimit të fazës së zbatimit të projekteve me financim nga buxheti i shteti, për të konkluduar bazën mbi të cilën bëhet prioritarizimi i ardhshëm i projekteve të investimeve.


Të analizuara në total, investimet publike përgjatë periudhës 2014-2024 fokusohen në masën 60% të tyre në ndërtime dhe rikonstruksione objektesh shëndetësore (spitale, qendra shëndetësore etj), ndërkohë që vetëm 13.7% e fondeve totale përgjatë 2014-2024 shkojnë për blerjen e pajisjeve mjekësore.


Referuar ndarjes rajonale të investimeve publike, 82% e fondit total të investimeve publike 2014-2024 alokohet në qytetin e Tiranës. Pjesa tjetër e qyteteve përfitojnë në mënyrë sporadike investime publike, të cilat kryesisht janë investime në rikonstruksione ndërtesash.

Referuar dokumentit të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030, nuk ka një plan investimesh publike për sektorin të përfshirë në të, duke na bërë të pamundur të analizojmë se mbi çfarë bazash është bërë planifikimi i investimeve publike për periudhën 2021-2024 e rrjedhimisht për vitet pasuese.

Në përfundim të këtij raporti, rekomandojmë:
1. Në drejtim të transparencës dhe llogaridhënies, nevojitet të qartësohet me procedura të mirëfillta linja e vendimmarrjes mbi projektet e investimeve publike në shëndetësi, pasi del qartë se ky proces bëhet nga lart-poshtë, dhe jo nga poshtë-lart sikurse duhet të jetë.

2. Nevojitet të delegohet autoriteti për vendimmarrje financiare të investimeve publike nga niveli qendror në nivelin e një autoriteti të pavarur, i cili koordinon nevojat e qendrave shëndetësore dhe spitalore me mundësitë financiare për adresimin e tyre.

3. Nevojitet të ndiqen, monitorohen dokumentet strategjikë dhe rezultatet e premtuara për t’u arritur në to, pasi ka një devijancë të lartë midis asaj çfarë planifikohet dhe asaj çfarë realizohet. Rezultatet e këtyre raporteve duhet të jenë publike.

Raportin e plotë e gjeni në këtë link: https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2023/07/Raport-mbi-investimet-publike-ne-shendetesi-2014-2024.pdf

Read more

“Vështirë të gjesh ilaçe. Në Shqipëri ekzistojnë vetëm 2 ilaçe për sëmundjen tonë dhe ato kushtojnë jashtëzakonisht shumë”

Në workshop-in “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, organizuar nga shoqata Together For Life (TFL) dhe mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), u theksua mungesa e informimit dhe e investimit nga ana qytetare ne proceset konsultuese. Kjo problematikë krijon më pas një sërë problemesh të tjera, zinxhir, të cilat dekurajojnë dhe përkeqësojnë situatën e përfshirjes dhe angazhimit qytetar dhe nga ana tjetër kontribuojnë në abuzimin dhe degradimin e mëtejshëm të sistemit shëndetësor (dhe jo vetëm) nga ana e shtetit.

Elida Jata nga Qendra ALTRI u shpreh: “Mungesa e investimit në mënyrë të theksuar nga ana qytetare për të qenë pjesë e proceseve konsultuese. Po ashtu aq e rëndësishme është edukimi i qytetarëve për të kuptuar buxhetin e Bashkisë, pasi kemi pare shpesh që qytetarët i kërkojnë bashkisë gjëra tepër vizionare për buxhetin ose gjëra që nuk janë në kompetencë të drejtpërdrejt me bashkinë. Pra, këtu është problem i informimit dhe edukimit të qytetarëve për prioritetet dhe pretendimet e tyre.”

Gjatë diksutimit u vu re se ky problem nuk fillon dhe mbyllet vetëm me detyrat dhe përgjegjesitë tona si qytetarë, por ndikon dhe në horizontin dhe mentalitetin e qasjes sonë ndaj grupeve të margjinalizuara dhe grupeve vulnerabël dhe problemeve që ato kanë në shoqëri, dhe po ashtu kauzave që ato luftojnë. Pra, ky është efekti zinxhir i përmendur më sipër.

E tillë është stigma e mospraninmit të sëmundjeve të caktuara, gjë që u shpreh nga dy përfaqësusese të organizatës Jeto Përsëri që fokusohet në pacientët me sklerozë multiple: “Pacienti nuk pranohet psikologjikisht nga familja. Problemi fillon këtu dhe pastaj vazhdon me komunitetin e më pas me statusin aktiv në punë. Mosha e njerëzve që preken nga kjo sëmundje ështe 20 – 40 vjeç dhe nuk ka asnjë lloj kushti për t’i trajtuar. Për më tepër, nuk pranohen nga shoqëria dhe është vështirë të gjesh ilaçe. Nëse në Shqipëri ekzistojnë 2 ilaçe, në rajon janë 4-5 ilaçe të ndryshme. Fokusi ynë është të sensibilizojmë shoqërinë dhe ndikojmë në rritjen e numrit të ilaçeve të cilat kushtojnë jashtëzakonisht shumë.

Read more

Elona Hasko: Duhet të bëjmë rrjetizimin dhe specializimin më të mirë të shoqërisë civile

Gjatë workshop-it “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, organizuar nga shoqata Together For Life (TFL) dhe mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), pjesëmarrësit shprehën pakënaqesinë rreth paragjykimeve që hasin dhe rreth mungesës së komunikimit nga ana e shtetit, duke shpërfillur kështu pozitën dhe detyrën e shoqërisë civile dhe duke i lënë ata të përjashtuar në procese të cila duhet të marrin pjesë. Pikërisht mbi këtë kontekst, specialistja për autizmin Elona Hasko, përmendi rëndësinë e rrjetizimit dhe specializimit më të mirë të shoqërisë civile mbi çështje specifike.

“Fëmijët me autizëm janë me aftësi të veçanta, por jo të kufizuara. Është shumë e rëndësishme për shoqërinë civile që të fillojë të profilizohet. Kur bëhen tryeza speciale për arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, bëhen me qëllim që të njohim njerëzit dhe ekspertët. Si mund të rrisim ne numrin e mësuesve të profilizuar për të dhënë mësim fëmijëve autik? Bashkia e Tiranës ka Open Data ku nxjerr çdo vit numrin e fëmijëve me nevoja të veçanta, të specifikuara, por këta janë fëmijë të rregjistruar si të tillë. Kjo ndodh pasi familja mund të mos e pranojë që fëmija ka një problem të caktuar, por duke u nisur nga mbrojtja dhe siguria e fëmijës, duhet shënuar në statistika situata e tij.

Në këtë mënyrë neve mund të parashikojmë sa mund të jenë me nevoja të veçanta. ”

Por, një tjetër problem që vihet re është dhe mungesa e një infrastruktureje të mirëfilltë, të specializuar për një grup të caktuar. Përsa i përket fëmijëve me autizëm, Elona Hasku, shprehu se Shqipëria në krahasim me Europën dhe Amerikën është lider ne ofrimin e mësuesve në edukimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Kjo është ndihmuar dhe nga lobimi i shoqërisë civile, i familjes, i medias. Në Europë nuk mund të shkosh në çdo shkollë edhe të të ofrohet mësuesi ndihmës, por vetëm në shkolla të veçanta, të dedikuara. Në Shqipëri shërbimi është më i mirë, mësuesi është i trajnuar dhe nuk ndëpritet në momentin që përfundon shkolla 9-vjeçare. Një nga direktivat që ne ia kemi paraqitur Ministrisë së Arsimit është krijimi i shkollave të profilizuara. Kjo është një gjë që duhet bërë duke u bazuar dhe në kapacitetet e qyteteve.”

Read more

Ersilda Teliti: Doktorët detyrohen të pranojnë marrëveshjen nga urdhri edhe nëse shërbimet nuk janë cilësore

Në workshop-in “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse”, organizuar nga shoqata Together For Life (TFL) dhe mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), u diskutua për sfidat, problematikat dhe mungesat në sistemin shëndetësor shqiptar dhe rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile në këtë sistem.

Gjatë diskutimit, përfaqësues të organizatave civile shprehën dëshirën dhe interesin e tyre në sensibilizimin e popullatës në çështjet sociale. Pjesëmarrësit vlerësuan workshop-in dhe takime të tilla pasi janë mundësira të vlefshme për bashkëpunim mes njëri – tjetrit.

Një nga problemet që u përmend shpesh nga të gjithë përfaqësuesit e organizatave ishte mungesa e informimit të qytetarëve dhe në shumë raste mbi çështje që i prekin ata drejtpërdrejt.

Mbi këtë problematikë, Ersilda Teliti nga Qëndra Konsumatori Shqiptar u shpreh:

“Mungesa e informacionit ka bërë që doktorët të pranojnë marrëveshjen nga urdhri duke i bërë dëm qytetarit, në çdo rast, edhe kur mjekimi është i pakujdesshëm dhe jo cilësor. Nëse qytetari kërkon direkt dëmshpërblim – biologjik, shëndetësor dhe moral – kjo do t’i kompesonte deri diku dëmin që ka pësuar. Po ju jap një rast personal: Në farmaci morra disa vitamina amerikane të cilat m’u rekomanduan nga farmacia. Vura re që fillova të kisha probleme me shëndetin. Pasi morra informacion rezultoi që rrjeti i farmacive ishte nga një person shumë i famshëm në Shqipëri, siç ndodh gjithmonë. Mesazhi nga kolegët e mi ishte të mos merresha me rrugë gjyqësore por unë e vazhdova deri diku luftën. Trupi im pati probleme nga përdorimi i këtyre vitaminave pasi ato duhet të kishin një përbërës që nuk funksionon mirë me shëndetin.”

Përsa i përket tenderave që nënshkruhen, që është një nga problemet që citohen dhe më sipër, një nga pjesëmarrësit u shpreh se organizata ku punonte merrej pikërisht me aspektin e llogaridhënies dhe transparencës të tenderave që miratohen dhe më pas zbatohen.  “Organizata që unë përfaqësoj ka përdorur një metodë që quhet ‘Redflag Procedure’, i cili është një lloj procesi prokurimi ku nxirren në pah politika dhe vendime që janë në kundërshtim me ligjin. Organizata jonë ka dhënë shumë transparencë sepse është e mirëorganizuar në sektorin e shëndetësisë. Nëpërmjet kësaj metode ngrihet zëri qytetar ne media dhe njëkohësisht zëri qytetar është i mirëinformuar. Dhe kjo metodë ka funksionuar.”

Read more
en_USEnglish