Barna të importuara nga vende si India, Bangladeshi, Kina dhe që lejohen vetëm me autorizim ministri janë hedhur në qarkullim pa iu kryer analizat fiziko-kimike.
Kontolli i Lartë i Shtetit në një auditim performance “Efektiviteti dhe siguria e barnave që qarkullojnë në Shqipëri” vlerëson se janë qindra mijëra pako barnash që janë hedhur në qarkullim në tre vite nga 2020-2023.
“Për periudhën 2020-2023, të gjitha barnat e importuara me autorizim ministri për barnat e paautorizuara janë vënë në qarkullim pa u kryer nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësorë (AKBPM) analizat fiziko kimike dhe bakteriologjike.
Nga përpunimi i të dhënave të vëna në dispozicion nga AKBPM-ja19 për barnat e pa autorizuara, rezulton që për periudhën nën auditim (vitet 2020-2023) janë importuar 48 lloj barnash nga India, Kina, Koreja e Jugut, Bangladeshi dhe Singapori nëpërmjet 75 autorizimeve të ministrit të MSHMS, nga të cilat në total janë importuar 763,721 pako barna nga vendet e mësipërme dhe 600,000 doza vaksina Covid 19” thuhet në auditim.
Ky institucion nënvizon se këto barna janë ilaçe antiretrovirale kundër HIV AIDS, vaksinë polimeliti, vaksinë COVID 19, vaksinë kundër difterisë, tetanozit dhe kollës së mire, ilaç kundër shtatzënisë së padëshiruar, vaksinë gripi sezonal (katërvalent), vaksinë hepatiti B, vaksinë kundër tërbimit, aniviral Covid 19, vaksinë rotavirus (ethe, kolle, diarre), vaksinë e indikuar për parandalimin e gastroenteritit, vaksinë për ethet e verdha, ilaç antiretrovirale HIV për fëmijë, vaksinat për fruthin.
Audisuesit vlerësojnë se pavarësisht se në vend lejohen importet e këtyre barnave me autorizim ministri sipas nevojës që ka tregu, është detyra e institucioneve shqiptare që të bëjnë analizat dhe kontrollin e tyre.
“Procesi i vënies në qarkullim për barnat e paautorizuara të cilat lejohen të hynë në Shqipëri dhe vihen në qarkullim në bazë të autorizimit të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, kryhet pa kryer nga institucionet tona analizat fiziko kimike dhe bakteriologjike.
Mos analizimi i mostrave për këtë kategori barnash, rrit 2-fish pasigurinë e cilësisë së barnave të vendosura në treg, në rastin e parë sepse mund të importohen nga vende jo të sigurta dhe së dyti sepse nuk është e detyrueshme kryerja e analizave, rrjedhimisht rrezikohet shëndeti i popullatës” nënvizon auditimi./Monitor/
Ndikimi i ndryshimeve klimatike në shëndet ishte në fokus të emisionit “EkoSkaner”. Investigimi nxjerr në pah se nevoja për kujdes shëndetësor do të rritet, për shkak të rritjes së temperaturave apo fatkeqësive natyrore, por qeveria po lëviz ngadalë në drejtim të marrjes së masave për zbutjen e efekteve negative, në shkelje të angazhimeve të ndërmarra në strategjitë e miratuara.
Ekspertët rendisin një sërë patologjish që do të jenë në rritje, ndërsa shtojnë se pasojat më të shumta do i vujanë shtresat e varfra të popullsisë. Në këto kushte ata kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme dhe marrjen e masave, për të përballuar pasojat që ndryshimet klimatike do të sjellin mbi shëndetin e popullatës, duke theksuar nevojën për rritjen e numrit të mjekëve, pajisjeve mjekësore dhe aksesit në sistemin shëndetësor.
Të ftuara në studio, Alma Lahe nga shoqata “Together for Life” dhe Enkelejda Kucaj nga Instituti i Gjeoshkencave në UPT folën më gjerësisht për temën, duke theksuar nevojën për rritjen e buxhetit për sektorin shëndetësor, si dhe ndërhyrjen edhe në sektorë të tjerë që preken nga ndryshimet klimatike.
“Është koha jo vetëm për të folur, por edhe për të vepruar. Ne para pak ditësh prezantuam raportin e fundit të themi, i cili ishte raporti parë i Monitorimit Të Strategjisë Kombëtare Të Shendetësisë 2021-2030. Kjo strategji ka sigurisht të përfshirë të gjitha politikat shëndetësore për këtë 10-vjeçar parashikuar me buxhetet përkatëse. Është shumë optimist si dokumet, është i mirëhartuar. Ajo që ka qenë gjithmonë problem në fakt në dokumentet politikë, jo vetëm në këtë fushë, por edhe në fusha të tjera ka qenë mungesa e buxhetit. Pra, buxheti ka qenë gjithmonë jo i duhuri. Ne na rezultoi nga analiza që u bë në këto tre vite e gjysmë, (nga janari i vitit 2021 deri në gusht të vitit 2024) na rezultoi se buxheti i ministrisë për sektorin e shëndetësisë në këto vite ka qenë 18% më i ulët nga parashikimet, që kemi në strategji, më i ulët nga vetë dokumenti që ka parashikuar. Ne bëjmë çdo vit edhe monitorimin e buxhetit faktik të Ministrisë së Shëndetësisë dhe na rezulton që nga viti në vit ka ulje të buxhetit, pa ju referuar vitit 2021 që ka qenë viti i COVID , pra ka qenë një vit që nuk merret në referencë, në vitet e tjera ka qenë më ulje. Në vitin 2023 buxheti faktik ka qenë 2.8 %. Jemi vendi i fundit në rajon përsa i përket buxhetit , shpenzimeve të qeverisë për shëndetësinë”, shprehet Lahe.
Ajo shton më tej se, “Një buxhet jo i përshtatshëm, jo i duhur do të thotë që impakton të gjitha shërbimet, pra edhe shërbimet bazë. Vetë ministria ka parashikuar politika të veçanta për të cilat ne ose nuk kemi gjetur informacion se çfarë bëhet me ecurinë e tyre, ose puna duket që nuk ka pasur atë ecuri që është e duhura. Ne na rezulton që në vitet e fundit buxheti i ministrisë, jo vetëm që është i ulët në parashikim, por ulet edhe në mes të vitit buxhetor. Sa herë rishikohet buxheti, po t’i referohesh buxhetit për shëndetësinë kemi pasur ulje, po t’i referohemi buxhetit për shërbimin parësor kemi pasur ulje.
Kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi problematikë shëndetësore, me ndryshimet demografike që janë shumë të shpejta, popullsia në moshë të madhe po rritet me shpejtësi, do të thotë që nevoja për shërbime është shumë e madhe, sëmundshmëria ka ndryshuar dhe përveç sëmundjeve të reja që shfaqen, edhe sëmundjet jo të transmetueshme janë problem i madh që i ndikon si mjedisi, mënyra e jetesës, edhe faktorët e klimës që po ndryshojnë. Dhe në të gjitha këto reflektohet mungesa e buxhetit në shërbime të munguara, ose në shërbimin jo të duhur që ju vete pacientëve.”
Duke ju referuar raportit të fundit të publikuar nga shoqta “Together for Life , Lahe thotë se janë ndërlidhur të dhëna sasiore dhe cilësore për të parë ndikimin që kanë tek vetë përfituesit e shërbimeve nga programet shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Ne në fakt në raportin e fundit kemi bërë përpjekje për të marrë edhe reagimin e përfitimit të shërbimeve. Ne bëjmë një analizë të buxhetit, bëjmë një analizë të programeve politike, të programeve shëndetësore të ministrisë, por duam të shohim edhe çfarë impakti kanë edhe zbatimi i politikave ose buxhet që shkojnë për shërbime të caktuara dhe na ka rezultuar se impakti nuk është i plotë tek përfituesi i shërbimit.
Grupet vulnerabël janë më të rrezikuara. Dhe duke thënë se buxheti është i ulët kjo do të përkthehet drejtëpërdrejtë në rritje të shpenzimeve nga xhepi për qytetarët. Por një qytetar, pacient që vjen nga zonat rurale që e ka më larg shërbimin, që ka të ardhura më të ulëta, që nuk e përballon dot financiarisht i bie që 2/5 ta paguajë shteti nga shpenzimet e shëndetësisë dhe 3/5 e ke ti. Dhe kjo është nga të dhënat e OBSH-së. Kemi nivelin më të lartë të pagesës nga xhepi. Pacienti kur nuk ka mundësi ta paguajë shërbimin, ose do ta shtyjë marrjen e shërbimit që do të thotë situata e tij shëndetësore do të agravojë edhe vetë sistemi në fakt duke e vënë para një presioni, sepse do të rriten shpenzimet kur të jetë edhe më e agravuar situata, ose do të heqë dorë nga marrja e shërbimeve.”
Përsa i përket largimit nga vendi të mjekëve specialist Lahe sjell në vëmendje në rast konkret, që dëshmon se vendit jo vetëm po i ikin profesionistë, por edhe ato që kanë vendosur të qëndrojnë dhe të ushtrojnë ndeshen me mungesë të infrastrukturës bazë për të ofruar shërbim
“Situata është mikse, buxheti është i ulët dhe që këtu fillon problematika. Mënyra se si ky buxhet shpenzohet, sa i jepet mundësi shëbimeve, dhe nga fokusgrupet me ofrues dhe marrës të shërbimeve kemi pasur një mjeke nga një zonë afër Tiranës dhe thotë : ‘Dëgjo unë e kam spitalin shumë të mirë. Mua më vjen pacienti, por unë nuk kam asnjë paisje çfarë t’i ofroj shërbim, kështu që si mund ta pëlqejë ai shërbimin tim, si mund të pranojë ai të vijë të marrë shërbim tek unë?!’ Pra jo vetëm na mungojnë specialistë , por edhe atje ku ka specialistë nuk arrijmë dot të ofrojmë shërbimin dhe ky është problem. Unë mendoj se Ministria duhet të jetë pak më mendjehapur, jo vetëm politika në letër dhe të bëjmë disa kalkulime. Edhe ne kemi shkuar në kalkulime, kemi bërë analizën e të dhënave që kemi marrë. Debati mes shoqërisë civile dhe institucioneve publike është edhe i shifrave. Do të thotë që nuk pranohen shifrat që ofrohen nga shoqëria civile. Në fakt ne kemi bërë shumë kujdes në raportin e fundit që për të gjitha t’i referohemi të dhënave publike zyrtare të publikuara në site-t e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shëndetësisë. I kemi artikuluar si politika dhe tani duhet të merren masa si do të zbatohen dhe kjo është shumë e rëndësishme.”
Sipas saj është “Koha është tani për të reaguar,
-E para rritja e buxhetit për shëndetësinë
-Përdorimi me efektivitet i fondeve publike
-Paralelisht me fuqizimin e institucioneve dhe të vetë ofruesve të shërbimeve duhet edhe ndërgjegjësimi i popullatës .”
Në ditën e sotme, Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe Check-Up në Shëndetësi zhvilloi një seancë të rëndësishme ku u vazhdon të thërrasë për të dhënë shpjegime persona të akuzuar ose që kanë dijeni për lidhjen e kontratës së sterilizimit dhe implemetimin e saj. Personi i parë i thirrur sot në komision ishte biznesmeni Ilir Rrapaj, fitues i tenderit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro. Biznesmeni Rrapaj, është një nga të arrestuarit nga SPAK së bashku me ish-zëvendësministri e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj. Nën hetim për këtë koncesion është dhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, i cili është arrestuar nga SPAK për çështjen e akuzimit me fondet e SASPAK. Rrapaj deklaroi se edhe pse ish-ministrin dhe ish zëvendësministrin e Shëndetësisë së asaj periudhe (2024-2025) i ka njohur nga larg dhe e ka’fituar’ tenderin me meritë edhe pse me një kompani të sapokrijuar dhe me fond themelimi prej vetëm 1000 eurosh.
Koncesioni i sterilizimit, një projekt 10-vjeçar i dhënë nga qeveria shqiptare, iu dha konsorciumit të drejtuar nga Rrapaj me kompaninë e tij “Investital LLC” në bashkëpunim me partnerë italianë. Rrapaj, dikur një biznesmen i panjohur, përfitoi nga njohjet me ish-ministrin Beqaj, duke fituar tenderin për sterilizim me mbështetjen e qeverisë. Kjo procedurë u mbështet me arsyetimin e rritjes së infeksioneve spitalore, por vazhdoi të krijonte kosto të rënda për buxhetin. Edhe pse kjo skemë pretendonte të ndihmonte sistemin shëndetësor, rezultoi në shpenzime të rritura dhe dyshime për pastrim parash në përfitim të qeveritarëve dhe kompanive të lidhura.
Kontrata e sterilizimit është një marrëveshje e tipit të Partneritetit Publik Privat (PPP) e vitit 2015, përmes së cilës i është dhënë koncesioni për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale kompanisë “SaniService”, ku aksionari kryesor është Investital LLC, një kompani e vogël e themeluar nga Ilir Rrapaj me kapital fillestar 1,000 euro në Kosovë.
Ky koncesion ka sjellë kosto të larta për buxhetin e shtetit, me çmime të shërbimeve që variojnë nga 16,000 deri në 45,000 lekë për çdo ndërhyrje kirurgjikale. Ky tender është bërë pjesë e hetimeve për përfitime të dyshimta dhe manipulim të të dhënave, jo vetëm nga Komisioni parlamentar, por edhe nga struktura e posacme e hetimit për rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar – SPAK.
Më herët, në vitin 2022, Shoqata “Together for Life” ka publikuar një Analizë të “Kostove Totale të Buxhetit të Shëndetësisë për Mbulimin e Pagesave të Planifikuara për kontratat koncesionare”, ku thekson se koncesioni i sterilizimit ka pasur një ndikim të madh në buxhetin e shtetit dhe shërbimet publike shëndetësore, duke rritur përfitimet e privatit në mënyrë të padrejtë, nëpërmjet manipulimit të të dhënave dhe krijimit të një pasqyre të deformuar të shërbimeve të ofruara.
Sipas këtij raporti ‘gjatë periudhës 2019-2020, raportet e koncesionarit të sterilizimit kanë patur mospërputhje të dukshme me të dhënat që vinin nga Qendrat Spitalore, çka ka ngritur dyshime të forta mbi saktësinë e shërbimeve të ofruara. Një nga shqetësimet kryesore lidhet me raportimin e operacioneve të kompleksitetit të lartë, për të cilat kompania Sani-Service ka deklaruar se ka kryer 232 ndërhyrje, ndërkohë që verifikimet e mëpasshme kanë treguar se ato operacione ishin të nivelit të mesëm ose të ulët. Ky manipulim i të dhënave ka ndikuar në përllogaritjen e kostos së shërbimeve dhe ka krijuar një situatë ku shpenzimet publike mund të kenë qenë të fryra.” Për më tepër, setet kirurgjikale për ndërhyrjet e kompleksitetit të lartë, që kanë një kosto prej 37.700 lekë, janë përdorur për ndërhyrje që mund të kishin kosto shumë më të ulët. Ndërhyrjet me kompleksitet të mesëm kushtojnë 22.300 lekë, ndërsa ato me kompleksitet të ulët vetëm 13.900 lekë. Kjo mospërputhje në raportimet e kërkesave për shërbime dhe ato që janë ofruar ka ngritur alarmin në Komisionin Hetimor dhe ka kërkuar një analizë të thelluar të menaxhimit të këtij koncesioni.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, autoritet kontraktual i koncesionit të sterilizimit deri më sot ka dështuar të japi informacion rreth ecurisë së këtij koncesioni. Kjo është vënë në dukje edhe në raportin më të fundit të prodhuar nga TFL, për Monitorimin e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030. Shoqata Together for Life ka kërkuar nga MSHMS rritjen e transparencës për koncesionet si dhe marrjen e masave për rishikimin dhe përmirësimin e procedurave për tenderimin e shërbimve, përfshirë edhe atë të sterilizimit që përfundon në janar 2025, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe garantimin e shpenzimeve bazuar mbi një analizë të detajuar kosto përfitim.
“Unë jam Drita, e kundërta e errësirës. Erdha engjëll në këtë botë dhe e tillë do mbërrij dhe në destinacion të përjetësisë. Quhem Drita Haxhillari, intelektuale me 21 vite punë në arsim. Krenare për aq sa punova pasi misioni im fisnik i mësimdhënies, u ndërpre për fatin tim të keq, duke u përballur me plot sfida për shëndetin.
Ishte kulmi i vapës të fund korrikut 2005 që pas disa sëmbimeve që ndjeja në gjoksin e majtë, vendosa të drejtohem në ambulancën e lagjes. Pas vizitës më drejtuan për të bërë mamografinë dhe ekon. Kur mora vesh që kisha kancer në gjoks atë çast m’u shemb qielli mbi kokë, por e mblodha veten dhe vendosa të luftoj fort për jetën.
Por…nëse deri dje lëshoja dritë, forcë, kurajë dhe buzëqeshje për të gjithë…sot gjendem në një situatë tejet të vështirë…është zbehur gjithçka…ngriu buzëqeshja ime…e shpirti më këlthet fort…sa nga dhimbjet fizike që kanë kapluar trupin tim po kaq dhe nga mënyra e jetesës në kushte të mjerueshme”, e nis rrëfimin e saj njeriu simbol i luftës kundra kancerit, Drita Haxhillari.
Për “News24”, Drita zbulon se motivi dhe mbështetja që e ka mbajtur në këmbë përballë sfidave është edhe pasioni i saj për artin poetik.
Prej 20 vitesh poetja Haxhillari ka luftuar me sëmundjen e kancerit në gji, por prej disa muajsh i duhet të luftojë me indiferencën dhe mungesën e shërbimit shëndetësor jetik në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.
Në pamundësi për të realizuar shintigrafinë kockore, për të cilën kishte marrë rekomandim nga reparti i Onkologjikut për ta bërë në prill 2024, Drita iu drejtua televizionit “News24”.
“Unë personalisht kam që në janar, nuk e di sa muaj, por po mbushet viti, që jam e planifikuar për të bërë shintigrafinë, por si unë janë e janë shumë të tjerë.
Dhe sa herë që paraqitemi për të bërë shintigrafinë na përcjellin me një fjalë:
“Nuk ka lëndë të parë, nuk ka lëndë reagent, prisni do t’ju marrim vetë në telefon”, tha Drita për “News24”.
Shintigrafia kockore është një pajisje mjekësore, e cila zbulon qelizat tumorale në kockë dhe rekomandohet te pacientët që kanë kryer ndërhyrje për tumorin, për të parë nëse sëmundja ka prodhuar metastaza apo është zhdukur plotësisht nga organizmit. Në QSUT pacientëve iu thuhet se kjo pajisje mungon.
“Dua të them që shintigrafia në spitalet private është, në spitale të tjera është, pse të mos jetë te spitali ynë onkologjik për ne që luftojmë me vdekjen?”, shprehet Drita për shintigrafinë.
Teksa ekranet e medias dhe institucioneve shëndetësore gjatë gjithë tetorit u mbuluan me ngjyrat rozë, nën këto pamje u kamufluan problemet e rënda që ka vet Shëndetësia.
Sipas mjekëve, ky problem e ka zanafillën nga politikat shëndetësore që ndjek Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria.
“Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria nuk pranojnë mungesat që janë dhe po s’pranove që ke një problem, nuk do të ngresh dot një strategji për ta ngritur atë problem”, tha për “News24” Dr. Ilir Alimehmeti.
Sipas organizatave jofitimprurëse që monitorojnë sektorin e shëndetësisë, buxheti është vetëm njëri nga problemet.
“Nuk kemi të bëjmë vetëm me një sistem të keqfinancuar, por kemi të bëjmë edhe me një sistem shumë të korruptuar”, deklaroi për “News24” drejtuesja e “Together For Life” Egla Bardhi.
Sipas epidemiologut Ilir Alimehmeti, Shqipëria është shteti i fundit në Europë për paratë publike që investojmë në shëndetësi pasi vetëm 2.78% e buxhetit 2024 ka kaluar në këtë sektor.
“Nga krahu tjetër, nga kompensohet kjo mungesë parash? Kompensohet nga xhepat tanë dhe ne e dimë se na e thotë organizata botërore e shëndetësisë.60% e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri dalin nga xhepat e qytetarëve”, u shpreh Dr. Alimehmeti.
Por problemet me sëmundjet tumorale kanë ndjekur vazhdimisht pacientët e Onkologjikut pasi jo vetëm që numri i pacientëve është rritur, por fondet nuk kanë ndryshuar, madje janë ulur.
Sipas drejtueses së “Together For Life”, Egla Bardhi, problemi kryesor në shëndetësi janë investimet.
“E kemi të faktuar tashmë që çdo mungesë shërbimi fillon nga një buxhet shumë i ulët në sektorin e shëndetësisë, për më tepër në sektorin e shëndetësisë në Onkologjik, i cili për hir të së vërtetës ka një kosto të jashtëzakonshme, qoftë për buxhetin e shtetit, kosto të jashtëzakonshme edhe për pacientët që e marrin këtë shërbim.
Për sa kohë nuk kemi një buxhet të mjaftueshëm për këtë shërbim, kemi edhe keqtrajtime të pacientëve për sa i takon marrjes së shërbimit cilësor “, pohoi për “News24” drejtuesja e “Together For Life”.
Por planifikimet dhe investimet në shëndetësi nuk janë diçka që mund të presin pasi ditët, orët, por edhe minutat në QSUT ndajnë jetën nga vdekja.
“Këto të miat nuk janë dëshira por janë nevoja. Nuk dua asgjë, vetëm për shëndetin të më sigurohet shintigrafia sepse dua të di a ka vajtur sëmundja në kockë?”, pyet e shqetësuar Drita Haxhillari.
Apeli për ndihmë kundër sëmundjes Deri para disa ditësh, Drita nuk mund të fliste pasi kreu një ndërhyrje në mushkëri dhe aktualisht ka humbur njërën nga kordat e zerit. Ajo jeton në një garsonierë shumë të vogël me sipërfaqe 10 metra katrorë dhe kërkon ndihmë pasi banesa ndikon drejtpërdrejt te shëndeti i saj.
“Në qoftë se ka njerëz të mirë në këtë botë, të vënë dorën në zemër, të më ndihmojnë. Së paku të kem një strehë, të tjerat pastaj do ti përballoj vet…sa të mundem”, tha Drita.
Për shkak të sëmundjes, prej disa vitesh Drita është spostuar nga qyteti i Poliçanit në Tiranë në garsonierën pranë QSUT-së që të marri në kohë shërbimet, pa të cilat e ka të vështirë të përballojë sëmundjen.
“News24” kontaktoi QSUT-në, për arsyet e mungesës së reagentit, por deri në publikimin e këtij materiali nuk mori asnjë përgjigje nga Qendra Spitalore.
Vitin e kaluar Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi raportin e auditimit në QSUT, për periudhën 2020-2022, ku konstatohej se ishte rritur numri i pacientëve me sëmundje tumorale, por ishin ulur fondet për onkologjikun nga 17,7 % në 7, 9% në vitin 2022.
Aktualisht QSUT-ja ka si drejtoreshë Alma Cani, e cila në 25 mars zëvendësoi Albana Ficon pasi kjo e fundit dha dorëheqjen nga posti një muaj pas fillimit të hetimeve nga Prokuroi për zjarrin në Urgjencën e re të QSUT-së.
Pavarësisht ndryshimit të drejtuesve, deklarata e Dritës nxjerr në pah faktin se ky problem ka qenë, është dhe vazhdon të jetë dhe hapur po shkelet ligji për shërbimet shëndetësore, një ligj që ua garanton marrjen e shërbimeve sipas protokolleve.
Sipas mjekut Alihmehmeti, institucionet duhet të mbledhin grupet e interesit, të alokojnë fondet dhe personat që prekin këto fonde duhet të ndëshkohen.
Si Drita ka shumë pacientë të tjerë që trajtohen me kimioterapi dhe e kanë të domosdoshme të bëjnë shintigrafinë pasi lufta ndaj tumorit fillon me monitorimin e sëmundjes dhe çdo vonesë në zbulimin e vatrave të reja rrezikon drejtpërdrejt jetën e pacientit.
Aty ku ka ofertë të kufizuar dhe kërkesë të lartë, teoria ekonomike thotë se tregu zhvillon spekulim. Por në tregje të pazhvilluara dhe me institucione rregulluese të dobëta, probabiliteti që të krijohen mekanizma abuzues në dëm të konsumatorëve dhe të bizneseve është shumë i lartë.
Shqipëria ka shumë raste të tilla, që nga monopolet e favorizuara nga qeveria, që konkurrojnë bizneset e tjera dhe mundësojnë mbajtjen e çmimeve apo shërbimeve të larta për konsumatorët, te koncesionet që shpesh nuk e ofrojnë fare produktin për të cilin paguhen me taksat e konsumatorëve.
E keqja më e madhe është kur kjo ofertë është e kufizuar nga institucionet shtetërore që shpenzojnë paratë e taksapaguesve për të ofruar një nga shërbimet më themelore të jetës së qytetarit, atë të kujdesit për shëndetin.
Hetimi i fundit i Prokurorisë së Tiranës në Spitalin Onkologjik zbuloi vetëm majën e ajsbergut të një sistemi që ka mundësuar ofrimin e një shërbimi të cunguar, si në sasi, ashtu edhe në cilësi, duke u krijuar mundësi abuzuesve të kanalizojnë shërbimet shtetërore në përfitime private.
Problemi fillon që te nënfinancimi i sektorit shëndetësor në vite. Buxheti i shtetit shpenzon rreth 2.9 % të asaj që prodhon ekonomia në një vit. (Prodhimi i Brendshëm Bruto) për shëndetin, sipas të dhënave të Bankës Botërore.
Ky nivel është sa gjysma e mesatares botërore prej 6,5% e PBB-së dhe shumë më e ulët se e vendeve të zhvilluara të Europës, që arrin deri në 10%.
Për krahasim në rajon, Bosnja, Mali i Zi e Serbia shpenzojnë nga buxheti për shëndetin e qytetarëve të tyre mbi 6% të PBB-së dhe Maqedonia e Veriut , gati 5%. Edhe numri i mjekëve (18 për 10 mijë banorë) është sërish më i ulëti në Europë.
Financimi i ulët i qeverisë, i kombinuar me mungesën e personelit, shoqërohet me shërbime të dobëta, që i detyrojnë qytetarët të harxhojnë paratë e tyre për një shërbim që ata teorikisht duhet ta merrnin falas, pasi i paguajnë një herë taksat.
Shqipëria është shteti që ka pagesat më të mëdha nga xhepi për shëndetësinë në Europë, me rreth 60% të totalit, nga 17% që është mesatarja globale e këtij treguesi, po sipas të dhënave të Bankës Botërore.
Në rang global Shqipëria renditet e 15-a, me vende si Afganistani, Guatemala, Bangladeshi etj. Rritja e peshës që qytetarët shpenzojnë vetë me gati 20 pikë përqindje në dy dekada është një tregues i qartë i përkeqësimit të cilësisë së shërbimit shëndetësor.
Edhe ato financime që janë shtuar vitet e fundit kanë shkuar për mbulimin e pagesave pë 4 koncensione të sitemit shëndetësor, që pak ose aspak kanë ndikuar në cilësinë e shërbimit , teksa disa prej tyre janë nën hetim nga SPAK.
Nga viti 2017-2023, sipas të dhënave nga Ministria e Financave janë shpenzuar gati 26 miliardë lekë për sterilizimin, dializën, check-up, laboratorë, të mjaftueshme për ndërtimin e 3-4 spitaleve të reja moderne.
Kalimi i fondeve drejt koncensioneve, që po rezultojnë problematike, me kosto të lartë për atë që realisht ofrojnë, është bërë në kurriz të rimbursimit të barnave.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, ndërsa 2024, kjo shifër vlerësohet në vetëm 20.6%.
Kontrolli i Lartë i Shtetit vërejti vitin e kaluar se nevojat për ilaçe në QSUT ishin 3-4 herë më të larta sesa buxheti që miratohet për këtë qëllim. Në rastin e barnave, mungesa e financimit sipas nevojës përkthehet në më pak jetë ose në shpenzime të larta nga xhepi i pacientëve për t’u kuruar jashtë sistemit publik.
Në të kundërt, vit pas viti, pjesa e shpenzimeve për koncesionet në shëndetësi erdhi në rritje, duke arritur në 23.7% e fondeve që u grumbulluan nga kontributet e sigurimeve për shëndetin nga të punësuarit. Është e qartë se faji nuk është vetëm i individit, por shumë më i gjerë, i një mekanizmi të tërë shtetëror që ka dështuar t’u ofrojë qytetarëve atë që u ka premtuar dhe për të cilat u merr taksat, duke detyruar qytetarët me të ardhura më të ulëta të Europës të kërkojnë rrugë alternative për të “blerë” jetën.
Pra me të drejtë është të themi që sistemi është ngritur gabim dhe në format abauziv. Por a kemi thënë të plotë konkluzionin ? Jo. Përveç sistemit, tashmë është e qartë që vullneti i qeverisë ka qenë i tillë që e ka mbështetur dhe e mban në këmbë me këmbëngulje këtë feniomen.
Arsyeja është e qartë. Atë e gjen në çështjet që janë në hetim nga organet e drejtësisë dhe Kuvendi, apo dhe në çështjet e tjera që nuk guxohet të hetohen , por tashmë janë sekret publik./Monitor
Evidentimi dhe njohja e shpejtë e sëmundjeve profesionale synohet që të arrihet përmes përgatitjes më të mirë të mjekëve në punë të cilët do t’i nënshtrohen kurrikulave të rishikuara.
Në dokumentin e Politikave për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë dhe Plani i Veprimit 2024-2030, nxjerrë për konsultim nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit thuhet se në vijim do të ketë një përpjekje më të madhe për të parandaluar rreziqet ndaj shëndetit në punë.
“Përpjekjet për të përmirësuar sistemin e hetimit dhe raportimit për sëmundjet profesionale janë të ndërlidhura dhe synojnë të nxisin menaxhimin dhe parandalimin e rreziqeve ndaj shëndetit në punë. Megjithatë, kuadri aktual i njoftimit, regjistrimit dhe njohjes paraqet mangësi, veçanërisht në trajnimin
E mjekëve në fushën e mjekësisë së punës. Kjo mangësi rezulton në identifikimin e paplotë të sëmundjeve profesionale dhe për rrjedhojë dëmton përpjekjet për monitorimin e tyre, pavarësisht se vendi ka miratuar një listë gjithëpërfshirëse të sëmundjeve profesionale”, thuhet në dokument.
Bazuar tek këto sfida, plani përmbledh disa hapa që do të ndërmerren:
Së pari, ngritja e një grupi pune për të rishikuar sistemin e njoftimit, regjistrimit dhe njohjes për sëmundjet profesionale. Ky grup do të identifikojë mangësitë ekzistuese dhe do të propozojë ndryshimet e nevojshme ligjore për të përmirësuar monitorimin e shëndetit dhe diagnostikimin e tyre. Këto ndryshime ligjore do të shërbejnë si kuadër për zbatimin e përmirësimeve të mëtejshme.
Së dyti, hartimi i programeve të përshtatshme arsimore që synojnë profesionistët në fushën e mjekësisë është thelbësor për të siguruar që ata të kenë aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të diagnostikuar dhe menaxhuar sëmundjet profesionale në mënyrë efektive. Duke zhvilluar kurrikula të përditësuara në mjekësinë e punës dhe duke krijuar një program stazhi me kohë të plotë në përputhje me standardet e BE-së, ekspertiza e profesionistëve mjekësorë në këtë fushë do të përmirësohet ndjeshëm.
Së treti, krijimi i regjistrit kombëtar për sëmundjet profesionale në përputhje me metodologjinë e Statistikave Evropiane të Sëmundjeve Profesionale (EODS) do të luajë një rol kyç në lehtësimin e mbledhjes dhe analizimin e të dhënave. Harmonizimi i regjistrit me standardet e BE-së do të sigurojë përputhshmërinë në mbarë vendin dhe do të mundësonte gjenerimin e statistikave më të sakta të cilat janë thelbësore për shqyrtimin e tendencave dhe për të zhvilluar strategji të mirësynuara parandalimi.
Së fundi, formulimi i udhëzimeve gjithëpërfshirëse dhe materialeve ndërgjegjësuese për punëdhënësit në lidhje me sëmundjet profesionale e plotëson ciklin e përmirësimit. Duke i edukuar punëdhënësit për nivelet e rrezikshmërisë që lidhen me rreziqet në vendin e punës dhe duke ofruar orientime për masat parandaluese, nxitet qasja proaktive për sigurinë dhe shëndetin në punë, duke kontribuar në uljen e shpeshtësisë së sëmundjeve profesionale./Monitor
Për periudhën janar-gusht numri i pacientëve të trajtuar në shërbimin spitalor publik arriti në 215,884 pacientë, me një kosto prej 81,763 lekë/pacientë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar totali i numrit të pacientëve të shtruar u rrit 7%.
Të dhënat janë publikuar në raportin “Realizimi i treguesve të monitorimit financiar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për 8-mujorin e vitit 2024”.
Referuar të dhënave konstatohet se ka nisur rënia e numrit të pacientëve të shtruar në kardiologji dhe kardiokirurgji, pas tendencës rritëse që pati për këto pacientë në periudhën e pandemisë së Covid-19.
Për janar-gusht 2024 janë shtruar 6.419 pacientë, me një kosto prej 74.993 lekë/pacientë. Krahasur me të njëjtën periudhë numri i shtrimeve ka rënë 9%.
Rënie është shënuar edhe te pacientët e trajtuar në spitalet psikiatrike. Sasia e realizuar është 824 pacientë me një kosto prej 693.238 lekë/pacient. Kundrejt të njëjtës periudhe të mëparshme numri i shtrimeve në psikiatri ka rënë 46%.
Por mjekët pohojnë se për shkak të nivelit të lartë të ndotjes, mungesës së aktivitetit fizik dhe dëmeve të kequshqyerjes do të ketë tendencë rritëse për simptoma kardiake dhe neurologjike.
“Ndotja ambientale prej gazrave të makinës, ndotja nga lumi i Lanës (lumë septik), plehrat et, ndikojnë negativisht, Në qoftë se shton dëmet që vijnë nga ushqyerja, mungesa e aktivitetit fizik nëpër parqe, janë të gjitha kushte që ndikojnë në shëndetin e zemrës. Në pereceptimin tim, si mjek urgjence, shoh rritje në simptomat kardiake, neurologjike si dhe ato respiratorë”, pohon Ilir Allkja mjek urgjence.
Sakaq numri i pacientëve të trajtuar me radioterapi arriti në 20,125 me një kosto prej 50.31 lekë/pacientë. Në raport me të njëjtën periudhë të 2023 numri i tyre u rrit 12%.
Pacientë të trajtuar me dializë 136,986 seanca të realizuara për muajt janargusht me një kosto prej 10,652 lekë/seancë. Numri i seancave është rritur 3% kundrejt të njëjtës periudhë të 2023.
Pacientë të trajtuar me katarakte 2,497 pacientë kundrejt 4,326 të parashikuar, me një kosto prej 4,646 lekë/pacientë.
Shpenzohen 8.2 mld lekë për rimbursimin e barnave
Sipas të dhënave të raportit të Monitorimit të treguesve për 8 mujorin 2024 janë trajtuar 361.498 pacientë me barna të rimbursueshme me një kosto 6.763 lekë/pacientë. Krahasuar me vjet numri i tyre është rritur 0.5%.
Për muajt janar-gusht 2024 për rimbursimin e barnave të listës është shpenzuar 8.2 mld lekë nga 12.2 mld lekë të planifikuara apo 68% e planit vjetor.
Për periudhën 8 mujore, sipas analizës statistikore të vlerave të pranuara të rimbursimit të barnave janë pranuar listë tregues të rimbursimit të barnave në vlerën rreth 8.2 mld lekë apo 0.4 % më shumë se e njëjta periudhë në 2023.
Nga lista e rimbursuar e fishave të diabetit kanë përfituar 52,237 pacientë, ose 754 pacientë më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, me një rimbursim të fishave, në vlerë 96,1 mln lekë, ose 34 mln lekë më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Sa i përket rimbursimit të fishave të diabetit, me VKM nr. 492, datë 24.07.2024 përfitojnë nga ky rimbursim, përveç personave me Diabet Mellitus të grup moshës 0-25 vjeç dhe ≥ 65 vjeç edhe invalidët e punës dhe personat me aftësi të kufizuar./Monitor
Shpenzimet e shqiptarëve për shëndetin janë duke u rritur vit pas viti. Të dhënat e INSTAT, mbi konsumin final të familjeve në vitin 2023 tregojnë se shpenzimet për shëndetin arritën një vlerë prej 46,7 miliardë lekësh, ose 467 milionë eurosh, me rritje rreth 64% në krahasim me vitin 2020 kur shpërtheu pandemia Covid-19.
Në 6 vitet e fundit, shpenzimet mesatare për shëndetin kanë rezultuar mbi 34 miliardë lekë në vit, por në vitin 2020 ato u ulën për shkak të masave të izolimit dhe shtyrjes së ekzaminimeve dhe trajtimeve për diagnozat që nuk kishin të bënin me Covid-19. Teksa popullsia e vendit po tkurret, shpenzimet e familjeve për shëndetin po rriten.
Ekspertët pohojnë se një seri faktorësh po çojnë në rritjen e shpenzimeve për shëndetin, por themelori është rritja e barrës së sëmundjeve në popullatë. Ndotja e lartë e ajrit, jeta sedentare, kequshqyerja po ndikojnë në përhapjen e sëmundjeve jo të transmetueshme. Nga ana tjetër, plakja e popullsisë rrit gjithnjë e më shumë nevojën për shërbime shëndetësore.
Studimet e mëparshme kanë treguar se, popullsia mbi 65 vjeç vuan nga më shumë se dy sëmundje kronike. Diabeti dhe sëmundjet që lidhen me qarkullimin e gjakut janë shndërruar në pandemi.
Të dhënat nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore tregojnë se barra e sëmundjeve kronike në popullatë po shënon rritje mesatare vjetore 5%.
Pandemia Covid-19 ndikoi edhe më shumë , pasi tek shumë të prekur krijoi artrite, dëmtopi veshkat dhe organe të tjera jetësore që kërkojnë trajtim gjithë jetën.
Teksa shpenzimet e familjeve shqiptare për shëndetin po rriten, politikat publike nuk po ndihmojnë në lehtësimin e barrës financiare, pasi fondet për rimbursimin e barnave nuk po ecin me të njëjtat ritme.
Gati për një dekadë, buxheti i rimbursimit të barnave ka mbetur thuajse në vendnumëro, në një kohë që të ardhurat buxhetore janë dyfishuar dhe burimet financiare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FDSKSH) janë rritur.
Në vitin 2013, shpenzimet për rimbursimin e barnave ishin sa 2,1% e shpenzimeve totale buxhetore, ndërsa në vitin 2024 ky raport u përkeqësua, pasi ato zënë vetëm 1,6% të totalit të shpenzimeve buxhetore. Nga viti 2019 deri më 2024, buxheti i FSDKSH (struktura që financon shërbimet shëndetësore publike) është rritur me rreth 40%, ndërsa zëri i rimbursimit të medikamenteve vetëm 20%, sipas të dhënave zyrtare. Në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të FSDKSH-së, ndërsa më 2024 vetëm 20.6%./B. Hoxha-Monitor
Skandali në spitalin onkologjik tregoi se pacientëve u mohoheshin barnat jetike, një dosje që zbuloi vetëm majën e ajsbergut… Si rrezikohen mijëra pacientë për mungesë medikamentesh, teksa shpërdorohen miliona për rimbursimin e recetave fiktive për pacientë të vdekur.
Nga barnat kontrabandë, te gllabërimi i parave të rimbursimit e deri te loja me çmimet. A janë rihedhur në treg sasi të mëdha medikamentesh të skaduara? Cfarë zbulojnë dokumentet ekskluzive.
Drejtoresha e Shoqata Together for Life, Eglantina Bardhi e ftuar në Inside Story për të folur mbi një nga skemat më abuzive të onkologjikut, me shërbime të mohuara që rrezikojnë jetë.
*Shoqata Together for Life po mbron prej disa vitesh të drejtat e pacientëve, me një sërë fushatash me karakter avokues, një sërë investigimesh me qëllim nxjerrjen në pah të problematikave si dhe një cikël trajnimesh, seminaresh, hapësirë mediatike për pacientët, si dhe ka ofruar ndjekje ligjore për rastet.
Shoqata Together for Life (TFL) vazhdon të jetë në krah të pacientëve dhe familjarëve të tyre të cilët përballen me ndërprerjen e mjekimit për shkak të mungesës së medikamenteve kryesore në trajtimin e sëmundjeve të rënda, kryesisht sëmundjeve tumorale. Ndërprerja e trajtimeve dhe mosmarrja e medikamenteve kryesore rrezikon të sjellë sjell pasoja serioze për shëndetin apo jetën e pacientëve me sëmundje tumorale
DENONCONI!
Denoncimet tuaja ndihmojnë në identifikimin e problemeve dhe adresimin e tyre në kohë pranë strukturave përgjegjëse, përfshi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Fondin i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza” në Tiranë;
Raportimi i shkeljeve në mosmarrjen në kohë të shërbimeve është një hap i rëndësishëm për të mbrojtur të drejtat tuaja dhe për të rritur presionin ndaj institucioneve përgjegjëse, që të marrin masa të menjëhershme për të siguruar që ju të merrni pa ndërprerje trajtimin e duhur dhe të merituar;
TFL do t’i ndjekë rastet e raportuara nga ju, bashkë me ju, jo vetëm duke kërkuar informacion nga strukturatshëndetësore, por edhe duke i vënë ato përpara përgjegjësisë civile dhe /ose penale për mospërmbushje të detyrimit ligjor për ofrimin e shërbimit shëndetësor me pasojë të pakthyeshme në shëndetin e pacientit dhe që rrezikon jetën e tij.
Tashmë TFL ka një historik të pasur në betejat e fituara ligjore së bashku me pacientet dhe në emër të tyre kundrejt institucioneve publike përgjegjëse.
Vizitoni zyrën tonë për të folur personalisht me një nga përfaqësuesit tanë:
Shoqatat Together for Life
Rruga Brigada e 8-të, Pallati Jeshil Tekno-Projekt
Kati i 4, Apartamenti 14
TFL garanton që çdo raportim do të trajtohet me anonimitet të plotë dhe konfidencialitet të garantuar. Ne kuptojmë shqetësimet tuaja dhe do të bëjmë çmos që të mbrojmë privatësinë tuaj.
Raportimi i shkeljeve është një akt guximi dhe përgjegjësie që ju ndihmon jo vetëm ju, por edhe të tjerë që përballen me situata të ngjashme.