denonco@transparency.com.al

350 euro te privati për fizioterapi, pacientët me sklerozë multiple në mëshirë të fatit: Mungesa e shërbimit çon drejt vdekjes

Në Shqipëri janë rreth 1800 pacientë me sklerozë të multiple. Kjo është një sëmundje shumë e veçantë, që kërkon një trajtim po aq të veçantë. Shkaqet e shfaqjes së kësaj sëmundjeje, e cila ka rreth 200 vjet që është zbuluar ende nuk dihen. Ndonëse metodat e diagnostikimit kanë avancuar, ende nuk janë zbuluar metodat përfundimtare të kurimit.

Ministria e Shëndetësisë premtoi në vitin 2023, për hapjen e kabineteve në 17 Qendra Shëndetësore, kryesisht në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit dhe plotësimin e tyre me fizioterapistë, por rezulton se ky premtim është i parealizuar dhe qendrat nuk kanë as ambiente, as nuk e ofrojnë këtë shërbim. Ndërkohë që trajtimi në privat është shumë i shtrenjtë.

Pas disa denocimeve emisioni investigativ ‘Tak Fak’ në News24 ka kryer një monitorim të situatës.

Ilirjan Mema tregon se vajza e tij e madhe u diagnostikua me sëmundjen e pashërueshme që qershor të vitit 2024. Ai tregon se edhe pse kjo sëmundje degjenerative e sistemit nervor i shoqëron ata që e vuajnë përgjatë gjithë jetës, nëse këta të fundit marrin kujdesin e nevojshëm ata mund të bëjnë një jetë normale.

Ilirjan Mema tregon se vajza e tij e madhe u diagnostikua me sëmundjen e pashërueshme që qershor të vitit 2024. Ai tregon se edhe pse kjo sëmundje degjenerative e sistemit nervor i shoqëron ata që e vuajnë përgjatë gjithë jetës, nëse këta të fundit marrin kujdesin e nevojshëm ata mund të bëjnë një jetë normale.

“Kam vizituar të gjitha qendrat shëndetësore dhe nuk ofrohet shërbimi i fizioterapisë. Këtë shërbim nuk e merr, por nëse shkon te privati janë çmimet 30-40 euro për seancë dhe ka një kosto totale prej 350 euro që është e papërballueshme për nivelin tonë ekonomik. Në mungesë të trajtimit gjendja e tyre përkeqësohet dhe mund të shkojë deri në vdekje. Nuk kemi asgjë faktike nga premtimet”, tregon ai.

Denoncimi i dytë në emisionin ‘Tak Fak’ ka ardhur nga një vajzë me Sklerozë Multiple, e cila nuk merr shërbimin e nevojshëm.

“Jam e diagnostikuar me sklerozë multiple prej vitesh. Shërbimi i fizioterapisë nuk ofrohet fare tek ne dhe nuk mundem ta bëj gjithnjë me lekët e mia dhe duhet ta ofrojë shteti. E kam të nevojshme 3 herë në javë. Unë e kam të nevojshme, por nuk e kam më mundësinë ta bëj në privat këtë. Gradualisht sëmundja avancon dhe nuk është puna që të bie në krevat apo karrocë, pasi sëmundja ta pamundëson rikthimin në normaltiet nëse arrihet ajo gjendje”, shprehet ajo.

Kamera e fshehtë e ‘Tak Fak’ hyri në 4 qendra shëndetësore, nga ku rezultoi se shërbimi me fizioterapi ose nuk është plotësuar me kabinete, ose nuk ka fizioterapistë.

Qytetari: Përshëndetje. Ka shërbim fizioterapie këtu?

Recepsionistja: Çfarë?

Qytetari: Shërbim fizioterapie

Recepsionistja: Po ka, por duhet të flasësh njëherë me mjeken e familjes. Shko të flasësh me një mjek, një nga këto që kemi ne.

Fizioterapistja: Juve keni shumë të drejtë, por ne s’jemi gati akoma për të pritur të tilla diagnoza. Bëhet fjalë për në një të ardhme, por nëse vjen herë pas herë unë i them nja dy ushtrime

Qytetari: Sa për ta filluar

Fizioterapistja: Sa pa gjë. Me mua sot për sot pa pasur asnjë lloj kushti atje ku jam keq është po sa pa gjë ndoshta jemi pak më mirë. Ja sa të flas pak me drejtorin.

Kamera e fshehtë në Q. SH. Kamëz

Qytetari: Si jeni, si kaluat? Shiko, unë kam vajzën, e kam te ambulanca e lagjes 5. Aty nuk ka fizioterapi.

Fizioterapistja: Çfarë problemi ka vajza?

Qytetari: Është me sklerozë multiple. Edhe nuk e di, e ofroni ju këtë lloj shërbimi?

Fizioterapistja: Shiko ne këtu nuk kemi, kjo është hapësira dmth.

Qytetari: E kuptoj, qenka e vogël shumë, e pashë.

Fizioterapistja: Edhe ti e di që duhen mjete, duhet hapësira e duhur. Këtu thuhet që do vijnë mjetet më vonë.

Qytetari: Po kur?

Fizioterapistja: Unë kam nja një vit këtu, nuk kanë ardhur akoma.

Kamera e fshehtë në Q. SH. Nr.10

Qytetari: Kam shkuar në një vend tjetër dhe më thanë se kabineti nuk është.

Fizioterapistja: Skleroza multiple do ta trajtojmë me terapi manuale, me terapi ushtrimore.

Qytetari: Ashtu bëhet?

Fizioterapistja: Po kabineti nuk bën, pjesa e aparaturave nuk është akoma, por pjesën e terapisë ushtrimore mund ta bëjë pa problem. Këto që kemi do ja bëjmë

Qytetari: Po në shtëpi nuk ja bëjmë dot vetë, se s’e dimë.

Fizioterapistja: Po të kuptoj, por duke e shoqëruar një familjar dhe duke parë çfarë bëjmë këtu, mund të bëni ndonjë gjë pasdite. Aparaturat janë porositur, por nuk kanë ardhur akoma.

Kamera e fshehtë në Q. SH. Vorë

Qytetari: Kam vëllain me sklerozë multiple dhe më thanë që duhet të kem pjesën e fizioterapisë, por nuk e di a bëhet këtu?

Fizioterapisti: Vetëm pjesën ushtrimore, i zbatojmë këtu dhe do kryejmë edhe pjesën e familjarëve si do punojnë te shtëpia. Në çfarë stadi është vëllai?

Qytetari: Me thënë të drejtën nuk e di, se e kemi nisur me qendra të tjera dhe kemi vazhduar në shtëpi edhe pastaj më thanë që duhet edhe pajisje.

Fizioterapisti: Pajisje ne këtu nuk kemi me thënë të drejtën.

Read more

Mungon insulina me rimbursim, diabetikët e blejnë me lekë në farmaci

Insulina ilaçi i mrekullisë për persont që vuajnë nga diabeti është kthyer në makth për pacientët në Shqipëri. Kostoja për të siguruar fishat e diabetit janë bërë të papërballueshme. Ilaçi, që duhet të jetë falas për pacientët po shitet me para. Qytetarët raportojnë se mungon insulina me rimbursim, ndaj pacientët diabetikët e blejnë me lekë në farmaci.

Shoqata e Pacientëve me Diabet ka denoncuar në mediat sociale këtë problematikë.

Si është e mundur që insulina, e cila duhet të jetë falas për pacientët, po shitet me para? Kush mban përgjegjësi për këtë shkelje të drejtave të pacientëve? Në vend që të garantohet furnizimi me barna cilësore dhe falas, po përballemi me produkte të skaduara dhe pagesa të padrejta!”, shkruhet përbri ankesave të qytetarëve.

Shqipëria numëron rreth 100 mijë persona të prekur nga diabeti.

Ndonëse mjekët rekomandojnë deri në 4 matje në ditë të glukozës për pacientët që trajtohen me insulinë, shumë prej i shmangin matjet për të reduktuar kostot.

Sëmundja kërkon kontroll 3, 4 deri 7 herë në ditë në varësi të gjendjes shëndetësore. Por një fishë kushton 50 lekë/ copa dhe një gjilpërë 20 lekë/copa.

100 fisha kushtojnë 5000 lekë të reja. Duhen katër age në ditë, me të cilat injektohet insulina, pra rreth 120 në muaj.

Pra edhe të vetmin shërbim që duhet ta marrin të rimbursuar, qytetarët detyrohen të paguajnë.

Ankesat nga shoqata e diabetikëve në lidhje me kostot e larta dhe ndihmën e ulët ekonomike që marrin, e cila nuk u mjafton për të mbuluar shpenzimet kanë qenë të pandërprera. Sipas tyre, pacientët diabetikë janë lënë të mëshirë të fatit.

Të tjera problematika:

-Kempi ka qenë 11000leke tani është bërë nga 7500-8700 lekë.

-Protokolli shëndetësor ka qenë 4 Hemoglobina të glukozuar tashmë janë bërë bërë 2

-Fishat e glicemisë pavarësisht cilësisë, ka qenë me shumë, ndërkohë që numri ka ardhur duke u reduktuar.

Nëse nuk trajtohet siç duhet, diabeti kthehet në një çrregullim kronik progresiv me efekte shkatërruese në të gjithë trupin: sëmundja mund të dëmtojë zemrën, veshkat, sytë dhe mund të bëhet shkak për neuropati gjymtuese dhe amputime.

Read more

‘Paguaj ose vdis’: Sistemi i sëmurë shëndetësor për trajtimin e goditjeve në tru

Kur motra e tij pësoi ishemi cerebrale vitin e kaluar, Arbeni* u vendos përpara një zgjedhjeje të vështirë.  Në pavionin Neurologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mjekët i thanë se motra 61 vjeçare ishte në gjendje të rëndë dhe duhej t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje urgjente për të mbijetuar.

Por mjekët ishin gjithashtu duarlidhur – ndërhyrja nuk realizohej në shtet, por vetëm në njërin prej spitaleve private të vendit.

“Firmosëm që e nxirrnim pacienten me kërkesën tonë dhe e çuam te spitali Amerikan 3, erdhi vetë urgjenca e mori,” kujton Arbeni, emri i të cilit u ndryshua me kërkesën e tij për të folur në kushtet e anonimatit.

“Kur shkuam atje, na thanë për çmimin e ndërhyrjes 20 mijë euro. Por nuk e fusnin në sallë pa dhënë një kapar,” shtoi ai.

Arbeni tregon se sëmundja i goditi në fundjavë dhe ata nuk i kishin paratë në cash. Ndërsa çdo minutë i kërcënonte jetën motrës së tij, ata nxituan të kërkonin borxhe për të paguar spitalin.

Në betejën mes jetës dhe vdekjes, shumë familjarë të pacientëve që pësojnë goditje në tru janë gjendur në dilemën “paguaj ose vdis” gjatë viteve të fundit, pasi qendra spitalore më e madhe e vendit ka dështuar të realizojë ndërhyrjen e trombektomisë – një procedurë kirurgjikale që heq gjakun e mpiksur nga arteria e bllokuar në tru.

Një numër familjarësh i thanë BIRN në intervista të veçanta se ishin detyruar që të firmosnin fletë-daljet nga QSUT dhe i kishin transferuar njerëzit e tyre drejt spitalit Amerikan 3 për t’u shpëtuar jetën, në këmbim të pagesave që variojnë nga 18 mijë në 20 mijë euro dhe që nuk rimbursohen nga shteti.

Sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut janë shkaktari më i madh i vdekjeve në Shqipëri dhe goditjet ishemike apo hemorragjitë cerebrale konkurrojnë me infarktet kardiake për numrin e lartë të rasteve dhe fataliteteve.

Por pavarësisht rriskut të lartë, sistemi publik shëndetësor në Shqipëri nuk garanton trajtimin e duhur shëndetësor për pacientët që pësojnë goditje në tru, duke ia kaluar barrën familjeve të tyre, të cilat paguajnë nga xhepi kostot e kujdesit shëndetësor dhe trajtimet e rehabilitimit.

Mungesa e këtij trajtimi emergjence në sistemin publik përfaqëson sipas Gazmend Koduzit, ekspert i politikave shëndetësore, një tjetër shembull të dështimit të politikës ‘shëndetësia falas” të qeverisë Rama.

“Sot shqiptarët paguajnë 40 nga 100 lekë nga xhepi [për kujdes shëndetësor], ndaj nevojitet krijimi i tregut të shërbimeve shëndetësore dhe mbulimi universal,” tha Koduzi, pedagog i Shkencave Mjekësore dhe ish-koordinator për shëndetësinë në Partinë Demokratike.

“Politikëbërja duhet që të sigurojë akses të kësaj kategorie pacientësh në shërbimet që kanë nevojë, duke bërë të mundur që shërbimet të jenë sa më afër tyre dhe pa kosto financiare,” shtoi ai.

Zgjidhje e detyruar

Goditjet cerebrale shkaktohen kur një enë gjaku në tru bllokohet [ishemia cerebrale] ose çahet [hemorragjia cerebrale]. Në mungesë të gjakut dhe oksigjenit, qelizat e trurit fillojnë të vdesin, duke shkaktuar dëme edhe në pjesët e tjera të trupit. Shenjat e para të goditjes në tru mund të shfaqen me humbje të papritur të ekuilibrit, humbjen e shikimit në njërin sy, asimetri të fytyrës ose vështirësitë në ligjërim.

Përveç numrit të lartë të fataliteteve, Organizata Botërore e Shëndetësisë i klasifikon goditjet në tru si shkakun kryesor të invalidizimit të pacientëve. Trajtimi i shpejtë i pacientëve që pësojnë goditje në tru është kusht për mbijetesën dhe rehabilitimin e tyre.

Urgjenca e spitalit rajonal të Durrësit pret çdo ditë rreth 400 pacientë me patologji nga më të ndryshmet. Mjeku i ri, Eni Kani thotë se mes tyre i ka qëlluar të asistojë edhe 3-4 pacientë me goditje në tru për turn. Por mjetet në dispozicion të tij janë thuajse primitive.

Kani i tha BIRN se spitali më i madh rajonal i vendit nuk ofron shërbimin e trombolizës dhe Angio – CT cerebrale, një skaner për enët e gjakut që përjashton apo diagnostikon isheminë cerebrale. Pacientët e dyshuar ata i nisin drejt Tiranës, por kjo kushton kohë dhe shumë prej tyre humbasin mundësinë e trombolizës – një trajtim me medikamente për shkrirjen e trombit që duhet të realizohet brenda 3-4 orëve pas goditjes.

Një tjetër problem madhor sipas tij është pamundësia e realizimit të trombektomisë në spitalet publike – një shërbim emergjent që shteti ka detyrimin t’ua ofrojë qytetarëve të tij dhe që realizohet brenda gjashtë orëve nga goditja.

“Po të bëjmë një paralelizëm, është sikur një pacienti që pëson atak miokardi të mos i bëhet stentimi, vendosja e unazave,” tha Kani, ndërsa shtoi se trajtimi i strokut është pothuajse “inekzistent në Shqipëri”.

Mungesa e këtij shërbimi kritik jetëshpëtues në QSUNT bëri jehonë në korrik të vitit 2023, kur aktorja e Teatrit, Eni Jani bëri thirrje për kontribut financiar, ndërkohë që bashkëshorti i saj, aktori dhe regjisori Genci Fuga ndodhej në sallën e operacionit të Spitalit Amerikan 3 pas një goditjeje në tru.

Pas një gare solidariteti në rrjet, vlera prej 19 mijë eurosh e operacionit u arrit të mblidhej në një kohë të shkurtër dhe fatmirësisht Fuga arriti t’i mbijetojë sëmundjes. Pak ditë më vonë, edhe Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për mbulimin e shpenzimeve të trajtimit të tij.

Por shumë pacientë të tjerë janë të privuar nga këto mundësi.

Pas 47 vitesh shërbim në dobi të komunitetit, një mjek pediatër në pension nga një qytet i vogël i Shqipërisë së Mesme pësoi ishemi cerebrale në tetor të vitit 2023 dhe pas një ndalese të shkurtër në spitalin e qytetit, u nis me urgjencë drejt QSUT-së.

Pas ekzaminimeve të kryera, familjarët e tij mësuan se pacienti duhej patjetër t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje invazive të quajtur trombektomi, por ndërhyrja nuk bëhej dot në QSUT.

Djali i pacientit foli me BIRN në kushtet e anonimatit dhe emri i tij u ndryshua në Erion*, pasi siç e shpjegoi ai, prindërit e tij jetojnë në një qytet të vogël dhe të politizuar dhe mund të bëhen pre e trysnisë.

Ai tregoi se pas bisedës me mjekët, e nisën me urgjencë babanë drejt Spitalit Amerikan, por diçka e pazakontë i bëri përshtypje.

“Pavarësisht se ata janë në dijeni të faktit që kjo ndërhyrje nuk realizohej tek ata në QSUT, në njëfarë forme detyruan time më që të firmosë një shkresë, sipas së cilës ajo jep dakordësinë që pacienti të trajtohej në një spital privat,” tha Erioni, ndërsa shtoi: “Ky nuk ishte vullneti ynë”.

Në spitalin Amerikan ndërhyrja rezultoi e suksesshme dhe kushtoi 18 mijë euro, një shumë e papërballueshme nga buxheti familjar i tyre. Pak javë më vonë, familja iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë me një kërkesë për rimbusimin e shpenzimeve të ndërhyrjes, por ende nuk kanë marrë një përgjigje.

“Unë nisem nga parimi shëndetësia është falas, pra duhej të ishin shmangur kostot e ndërhyrjes. Janë 18 mijë euro!,” thotë Erioni, duke shtuar se kjo shumë është e papërballueshme për një ekonomi mesatare familjare.

“Ne nuk zgjodhëm spitalin privat, por ishte një zgjidhje e detyruar,” shtoi ai, duke theksuar se ishte ende në pritje të një përgjigjeje përfundimtare nga Ministria e Shëndetësisë.

Pa përgjigje ka mbetur edhe kërkesa për rimbursim e motrës së Arbenit, e cila i mbijetoi sëmundjes pasi morën borxh dhe shteruan kursimet e jetës për shkollimin e fëmijëve për të paguar ndërhyrjen e trombektomisë pranë Spitalit Amerikan 3 vitin e kaluar. Motra e tij dhe bashkëshorti sot të dy në pensionin, kanë shërbyer gjithë jetën në administratë, ajo në Ministrinë e Financave, ndërsa i shoqi në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Është për të ardhur keq që shteti i trajton në këtë mënyrë edhe vetë punonjësit e administratës,” tha Arbeni me dëshpërim.

Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi, edhe pas një urdhri të lëshuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit.

Pa kapacitete mjekësore

Në katin e dytë të spitalit të Neurologjisë në QSUT, një dhomë në pavionin e Neuro-Radiologjisë Intervecionuese është në rikonstruksion. Në fund të shkurtit, një pajisje e vjetër dhe pothuajse e papërdorur e angiografisë po çmontohej për t’i hapur vend një pajisjeje të re të blerë së fundmi me qëllim realizimin e trajtimit të trombektomisë.

Megjithatë, mungesa e pajisjeve nuk ka qenë problemi i vetëm që kjo ndërhyrje nuk është realizuar pothuajse asnjëherë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Doktor Arben Rroji, një mjek i specializuar në Neuroradiologji shpjegoi për BIRN se një tjetër pengesë e madhe është mungesa e stafit të trajnuar. Rroji është një ndër dy mjekët e vetëm që mund ta kryejnë trombektominë në Shqipëri dhe e bën aktualisht këtë ndërhyrje në Spitalin Amerikan.

I pyetur se sa mjekë të trajnuar gjenden aktualisht në QSUT, Rroji u përgjigj: “jam vetëm unë”.

“Edhe në spitalin privat. Edhe nëse vihet së shpejti në funksionim aparatura në QSUT, jam vetëm unë,” tha mjeku për BIRN.

“Ne mund ta ofrojmë me aq sa mund të ofroj unë në këtë moment, por është e pamundur që trajtimi me këto kapacitete njerëzore që kemi të bëhet 24/7,” shtoi ai, duke theksuar se ky profilizimi mungon në kurrikulën e Universitetit të Mjeksisë.

Doktor Rroji kujton se përpjekjet për të realizuar ndërhyrjen në spitalin publik kishin nisur para 10 viteve, pas një binjakëzimi që profesor Mentor Petrela kishte bërë me një spital në Paris, por përpjekjet kishin dështuar për shkak të mungesës së materialeve të dedikuara dhe stafit të trajnuar.

Situata nuk duket se ka ndryshuar shumë.

Me blerjen e aparatit të Angiografisë B-Plan, QSUT po përgatitet që të testojë sërish, por doktor Rroji nuk shfaq shpresa të larta për rezultatet. Ai shpjegon se trajnimi i stafit në shtetet që e ofrojnë këtë shërbim merr të paktën dy vjet, ndërkohë që nevojiten disa ekipe me orare të kufizuara për të shmangur ekspozimin e personelit mjekësor ndaj rrezatimit.

“Pra unë nuk mund të bëj 10 procedura, mund të bëj një ose dy, nuk mund të rrish në rrezatim kaq gjatë,” tha Rroji.

“Ndryshe nga një kirurg që mund të rrijë 10 orë në sallë dhe mund të ketë lodhje fizike, ne kemi edhe rrezatimin. Kjo është arsyeja që sot kompanitë që prodhojnë angiografet po krijojnë robotë që rrinë në sallë, mjeku qëndron jashtë ambientit dhe drejton robotin,” shtoi ai.

Doktor Rroji i hedh poshtë dyshimet se mungesa e këtij shërbimi në spitalin publik ka si qëllim favorizimin e privatit dhe thekson se kanë bërë kërkesa ndër vite për aparatura dhe njerëz të kualifikuar, por sipas tij ka munguar “forca ekonomike”.

“Të shohim sa do të jetë ekonomikisht e përballueshme kur të vendoset aparatura,” theksoi ai.

Pacientët e paguajnë shtrenjtë rehabilitimin 

Pacientët që i mbijetojnë goditjeve në tru vuajnë pasoja afatgjata shëndetësore, ndërkohë që shërbimet publike për rehabilitimin e tyre janë gjithashtu pothuajse inekzistente. Zakonisht, këta pacientë i drejtohen sektorit privat për fizioterapi për rikuperimin e lëvizjes, logopedi për rifitimin e aftësisë së të folurit, psikolog dhe në rastet e paralizave, edhe ndihmën e një kujdestari. Pagesat variojnë nga 20 mijë lekë deri në mbi 100 mijë lekë në muaj.

Shefja e pavionit të Neurologjisë në QSUT, Jera Kruja e konsideron shumë të rëndësishëm riaftësimin fizik për pacientët që kanë pësuar handikap të lëvizshmërisë, por ajo pranon mungesën e strukturave të dedikuara rehabilituese.

Kruja i tha BIRN se një strukturë e tillë për riaftësimin u krijua mes viteve 2012-2014 në katin -1 të ndërtesës së Neurologjisë dhe ideja e saj ishte që shërbimi të shtrihej në dy turne, duke i shërbyer edhe pacientëve ambulatorë që kishin dalë nga spitali.

Por pas inaugurimit në vitin 2015, ky repart u nda nga Neurologjia dhe kaloi si një shërbim i unifikuar për të gjithë QSUT-në. Nga një vëzhgim në fund të muajit shkurt, në katin -1 kryheshin vetëm konsultat ditore, ndërsa pacientë me diagnoza të ndryshme neurologjike prisnin radhën.

“Mendimi im është që shërbimi i riaftësimit duhet të fuqizohet në spital, por sidomos në strukturat ambulatore, për të gjithë pacientet neurologjikë me deficite motore,” tha Kruja, duke theksuar se qendra të tilla ditore do t’i lehtësonin shumë pacientët dhe familjarët e tyre.

Në mungesë të qendrave të tilla, Loreta dhe motra e saj i sigurojnë shërbimet privatisht me kosto mujore deri në 160 mijë lekë të reja në muaj për nënën e tyre që pësoi goditje në tru.

Mjeke e përgjithshme në profesion, Loreta e përshkruan realitetin e tyre “rraskapitës dhe ankthioz” pas sëmundjes së nënës.

“Mamaja ka nevojë për monitorim 24 orë, pasi ka probleme me ekulibrin dhe dëmtime të motorikës (lëvizshmërisë). Nuk mund t’i kryejë vetë aktivitetet e përditshme,” tha Loreta.

“Unë dhe motra përballojmë kostot mujore për medikamente për inkontinencën urinare, absorbente, medikamente jashtë listës së rimbursimit për hipertension, diabet. Kostoja njerëzore është e pallogaritshme,” shtoi ajo.

Edhe Anisa i tha BIRN se u ballafaqua me një sfidë të madhe pasi i ati pësoi ishemi cerebrale dhe mbeti i paralizuar në njërën anë. Pas qëndrimit 5 ditor në reanimacion, Anisa tregon se mjekët e kishin nxjerrë atë nga spitali, edhe pse nuk çohej dot dhe kishte nevojë për trajtim infermieror.

“Medikamentet i blemë vetë dhe nuk e dimë nëse kishte prej tyre që rimbursoheshin. Shpenzuam nga kursimet tona dhe të prindërve për të përballuar sëmundjen dhe pasojat tek babi, për të cilin kujdeset mamaja 72 vjeç,” thotë Anisa, duke shtuar se pas daljes nga spitali kishin shpenzuar 500 mijë lekë të reja për medikamente dhe pajisje, ku vetëm krevati i posaçëm spitalor kushtoi mbi 100 mijë lekë të reja.

“Pyeta tek nje agjenci që ofron shërbime për këto raste, ishte 6 mijë lekë të reja një ndërrim i pampersit, shkon 65 mijë deri 70 mijë pagesa për një kujdestar, nuk i përballojmë dot,” shtoi ajo.

Edhe Erioni i tha BIRN se përveç ndërhyrjes së trombektomisë, shteti nuk ofroi mbështetje edhe për fazën rehabilituese të babait të tij. Familja ka blerë biçikletë dhe karrocë në vlera të konsiderueshme, ndërsa privatisht marrin një fizioterapist për 2 mijë lekë seancën.

“Çdo shërbim ofrohet nga ime më,” tha Erioni, ndërsa shtoi: “Babai vijon të jetë i paralizuar që prej traumës”.

Read more

KLSH dhe TFL ngrenë alarm për rishikimin e kontratave PPP në Shëndetësi: Shpenzime të larta dhe mungesë transparence

Këto probleme reflektojnë një menaxhim joefikas të kontratave PPP në shëndetësi dhe kosto të larta për shërbime që nuk realizohen.

Koncesionet aktive në shëndetësi duke nisur nga ai i kontrollit bazë (check up) e deri tek ai i pajisjeve kirurgjikalë shfaqin ende sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit problematika të cilat ndryshojnë nga rasti në rast.

Këto nisin nga kontrollet e pakryera por të faturuara, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar i aplikuar por që në shëndetësi nuk gjen zbatim sipas kuadrit ligjor në fuqi apo edhe tejkalimi i parashikimit të shpenzimeve në disa kontrata të cilat duhet të mbulohen nga buxheti.

Gjetjet e Kontrollit të Shtetit në një auditim pranë Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) shkojnë në një linjë me Raportin e i Monitorimit të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030, i cili nënvizon se “mungesa e transparencës ka karakterizuar zbatimin e kontratave të Partneritetit Publik Privat (PPP) në shëndetësi, duke rritur shqetësimet mbi keqpërdorimin e fondeve publike.”

Po ashtu, theksi vihet ne koston e shërbimeve në këto vite rezultojnë me të larta nga sa janë parashikuar dhe nga buxheti është paguar edhe për shërbime të pakryera.

Deri tani procedurat e ndjekura nga strukturat e shëndetësisë në dhënien me koncesion të disa shërbimeve në formën e PPP kanë rezultuar, në rastin më të mirë, të dyshimta dhe, në rastin më të keq, korruptive dhe, në të gjitha rastet, është evidentuar kosto e lartë për fondet publike.

Specifikisht duke iu referuar viteve 2022 dhe 2023 për sa i përket ecurisë së koncesioneve tregojnë një mospërputhje mes buxheteve të planifikuara dhe shpenzimeve reale, duke ngritur shqetësime lidhur me menaxhimin e financave dhe eficencën e këtyre kontratave.

Shërbimi Check-Up tregoi një rritje të kostos për njësi në vitin 2022 dhe me pagesa për teste që nuk u kryen. Kjo tregon për një menaxhim joefektiv, pasi shpenzimet vazhdojnë të mbeten të paarsyetuara. Në sektorin e laboratorëve, kostoja për njësi u rrit në të dy vitet, ndërsa shërbimet e realizuara ishin më të ulëta se ato të planifikuara, duke sugjeruar mbikostime dhe mangësi në kontrollin financiar.

Për ecurinë e kontratës për sterilizimin e mjeteve kirurgjikale nuk ka asnjë informacion, çka ngre shqetësime për mungesën e transparencës në këtë koncesion.

Ndërkohë, në shërbimin e dializës, rënia e numrit të seancave të realizuara dhe rritja e kostos për njësi në vitet 2022 dhe 2023 tregon për mbingarkesa financiare, duke sugjeruar se burimet nuk po përdoren në mënyrë efektive.

Në përgjithësi, këto probleme reflektojnë një menaxhim joefikas të kontratave PPP në shëndetësi dhe kosto të larta për shërbime që nuk realizohen. Referuar gjetjeve të raportit edhe TFL ka rekomanduar marrjen e masave për rishikimin e mekanizmave të prokurimit, zhvillimin e politikave financiare më të qëndrueshme dhe vendosjen e një sistemi transparent raportimi për të siguruar menaxhim më të mirë të fondeve dhe mbulim efektiv të shërbimeve shëndetësore.

Gjetjet e KLSH

“Nga auditimi mbi financimin e Kontratës së Koncesionit të Kontrollit Mjekësor Bazë (KMB/Check-up), ka rezultuar se në vitin 2023, referuar projeksionit janë kryer pagesa në shumën 876,083 mijë lekë për 475,000 kontrolle të planifikuara, në një kohë që shërbimi i kontrollit mjekësor është kryer për 467,664 raste.

– Referuar të dhënave lidhur me financimin dhe likuidimin e shpenzimeve për Kontratën e Koncesionit “PPP-Kontrolli Mjekësor Bazë” dhe “PPP-Sterilizimi i pajisjeve mjekësore”, 5 është likuiduar me TVSH vlera e shpenzimeve të kryera për dhënien e këtyre shërbimeve, sipas përcaktimeve kontraktore. Përcaktimi i mënyrës së pagesës, është në kundërshtim me Ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe PPP”, neni 27 “Përmbajtja e kontratës”, pika 1. Kryerja e pagesave sipas faturës së lëshuar nga koncesionari me TVSH, është në kundërshtim me Ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, Kreu VIII, neni 51, germa “c” dhe Udhëzimin nr. 6, datë 30.01.2015 “Për TVSH-në në Republikën e Shqipërisë” neni 38 “Furnizimet e barnave dhe shërbimeve shëndetësore”.

– Lidhur me financimin e Kontratës Koncesionare nr. 1503/44, datë 10.02.2016 “Për ofrimin e hemodializës”, edhe për vitin 2023 pagesa e koncesionarit vijon të mos bëhet për shërbim të kryer, por për shërbim të faturuar, i cili përfshin likuidimin e rasteve të pakryera ose nën projeksion vjetor, si dhe të rasteve të realizuara mbi projeksion mujor, të secilës qendër dialize, konkretisht për 9,241 raste nën projeksion dhe 1,557 raste mbi projeksion, në shumën 103,527 mijë lekë.

Sipas të dhënave të vendosura në dispozicion nga FSDKSH, në lidhje me financimin e kontratave PPP, ka rezultuar se në tre kontrata, vlera e financimit vjetor, si dhe parashikimet e financimit të tyre në PBA 2023-2025, janë përtej mbështetjes buxhetore të parashikuar për zbatimin e tyre” thuhet në raport.

Rekomandimet e KLSH

FSDKSH, në rolin e përfaqësuesit në lidhjen e Kontratave koncensionare në bashkëpunim me MSHMS në cilësinë e autoritetit kontraktor: – të marrë masat për përgatitjen e një relacioni argumentues të detajuar për MSHMS, e cila në bashkëpunim me Shoqëritë Koncesionare të gjykojnë dhe vlerësojnë mbi mundësinë reale të rishikimit të kushteve të kontratës, me qëllim kjo eliminimin e pagesave për shërbim të pakryer, si dhe kthimin në ligjshmëri dhe ndërprerjen e pagesave të TVSH-së, për shërbime të përjashtuara nga ky lloj tatimi, duke synuar përdorimin e fondeve publike me efektivitet, eficencë dhe ekonomicitet.

– Të vlerësoj mundësinë e negocimit të kontratës koncesionare nr.1503/44, datë 10.02.2016 “Për shërbimin e hemodializës në pesë qendra pranë Spitaleve Rajonale të Vlorës, Shkodrës, Elbasanit, Korçës dhe Lezhës”, për rishikimin e projeksionit sipas rajoneve në bazë të historikut, që disponon MSHMS dhe FSDKSH.

FSDKSH në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të marrin masa duke ngritur grupe pune me qëllim kryerjen e rishikimeve të përmbajtjes së gjithë paketave (vizitat, ekzaminimet, trajtimet mjekësore si dhe rillogaritjen e çmimeve përkatëse) në kushtet e ndryshimeve të vazhdueshme prej vitit 2020 deri 2024 nga momenti i hartimit apo rishikimit të tyre, si dhe monitorimin e kontratave PPP, me qëllim ndjekjen dhe disiplinimin e shpenzimeve, përdorimin me efektivitet të fondeve, të cilat rezultojnë me tendencë në rritje nga viti në vit, jo vetëm si rezultat i rritjes së rasteve, por dhe si rezultat i rritjes së kostove të shërbimit për pacient, duke tejkaluar mbështetjen buxhetore të parashikuar në kontratat koncesionare.

Gjithashtu, nga FSDKSH dhe MSHMS, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, të merren masa për sigurimin e mbështetjes buxhetore për financimin e këtyre shërbimeve jetike për popullatën, në masën e duhur dhe në vijimësi.

Read more

Raporti i KLSH konfirmon shqetësimet e ngritura nga TFL për gjendjen e personave me probleme të shëndetit mendor

MUNGESË INVESTIMESH, MBIPOPULLIM SPITALOR DHE SHKELJE TË TË DREJTAVE TË PACIENTËVE

Shoqata Together for Life (TFL) në muajin nëntor 2024, gjatë prezantimit të gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit të Monitorimit të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 vuri në dukje “dështimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) për të përmbushur angazhimet për shëndetin mendor në Shqipëri”.

Bazuar në gjetjet e Raportit, u theksua se përveç disa përmirësimeve në kuadrin ligjor dhe disa trajnimeve të stafit – të mbështetura kryesisht nga partnerë ndërkombëtarë, asnjë nga aktivitetet e tjera të parashikuara në Strategji nuk është realizuar deri në 2024.

“MSHMS ka dështuar në ngritjen e katër shtëpive mbështetëse të planifikuara për periudhën 2022-2024 në Tiranë, Vlorë, Dibër dhe Pogradec, të cilat do të duhet të ofronin mbështetje për pacientët që transferohen nga spitalet psikiatrike, duke ulur mbipopullimin dhe përmirësuar rehabilitimin e tyre”, ka vënë në dukje Raporti i TFL.

Po ashtu, në Raportin e prezantuar nga Together for Life, në tryezën me përfaqësues të lartë të MSHMS, deputetë, drejtues të institucioneve shëndetësore, ekspertë, shoqëri civile dhe gazetarë, është ofruar një analizë e situatës në spitalet psikiatrike në të gjithë vendin, ku nënvizohet se ‘gjatë viteve 2022-2023, MSHMS ka planifikuar mbulimin e kostove për vetëm 930 pacientë në vit, ndërkohë që numri real i pacientëve të shtruar ka qenë shumë më i lartë, me 1,488 në vitin 2022 dhe 1,653 në vitin 2023.” Sipas hartuesve të raportit, kjo ka sjellë ulje drastike të kostos për njësi shërbimi, duke ngritur shqetësimin se 2,426 pacientë gjatë kësaj periudhe nuk kanë arritur të përfitojnë shërbime cilësore.

Këto shqetësime të ngritura disa muaj më parë nga TFL, janë përforcuar nga raporti më i fundit i auditimit i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për shërbimet psikiatrike në Shqipëri. https://panel.klsh.org.al/storage/phpGX3PCM.pdf

Ky raport e ka vënë theksin tek mungesa e buxhetit të nevojshëm, ku “për vitin 2023, vetëm 2.5% e buxhetit të spitaleve publike është dedikuar për trajtimin e pacientëve me çrregullime mendore, duke krijuar një situatë të rënduar në spitale.”

Gjithashtu, Raporti i KLSH ka evidentuar problematikën me mbipopullimin e pavioneve që ka krijuar mungesën e hapësirave të nevojshme për privatësi dhe qetësi mendore të personave të shtruar në spitalet psikiatrike në të gjithë vendin. “Kushtet e rënda infrastrukturore, me lagështi, tualete të dëmtuara dhe mungesë pajisjesh bazike për trajtim të sigurt, përkeqësojnë cilësinë e kujdesit mjekësor”, thekson raporti i KLSH.

Po ashtu, raporti i KLSH ka nënvizuar problematikën e raportit mjek-pacient, e cila është shumë larg standardeve europiane, duke bërë të pamundur ofrimin e një trajtimi cilësor.

Bazuar në këtë situatë alarmante, Together for Life kërkon nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që të marrë masa urgjente për:

-rritjen e buxhetit për trajtimin e pacientëve me probleme të shëndetit mendor;

-ndërtimin e 4 shtëpive mbështetëse për të ulur numrin e pacientëve që trajtohen në spitale;

-ngritjen dhe forcimin e qendrave komunitare të shëndetit mendor për një kujdes të qëndrueshëm;

-shtimin e stafit të specializuar në spitalet psikiatrike, për të përmirësuar cilësinë e trajtimit;

-investime të menjëhershme në infrastrukturë për të siguruar kushte dinjitoze për pacientët;

-hartimi i një strategjie të qartë dhe fleksibël të financimit për të përballuar nevojat reale të pacientëve.

Situata e shëndetit mendor në Shqipëri kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Together for Life i bën thirrje qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ta trajtojnë këtë çështje si një prioritet kombëtar, duke siguruar që të gjithë pacientët me çrregullime të shëndetit mendor të marrin trajtimin e duhur, në kushte dinjitoze dhe të sigurta.

Për më shumë informacion dhe për të aksesuar raportin e plotë, ju lutemi klikoni linkun e mëposhtëm:

https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2024/11/Report_-Monitoring-of-the-National-Health-Strategy-2021-2030.pdf

Read more

Alarm për përhapjen e meningjitit në Durrës, TFL: Futja e vaksinës në kalendarin kombëtar të vaksinimit domosdoshmëri

Një rast i ri i meningjitit ka sjellë shqetësim në qytetin e Durrësit, pasi një 14-vjeçar është shtruar me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës. Ky rast u diagnostikua me meningjit fundjavën që kaloi dhe ndodhet aktualisht nën kujdesin intensiv të mjekëve. Sipas autoriteteve mjekësore, i mituri ka marrë trajtim të shpejtë dhe është ndjekur nga urgjenca e Spitalit të Durrësit, por, për shkak të gjendjes së tij, është transferuar në QSUT për vlerësim dhe kujdes më të thelluar.

Rasti ka ngritur shqetësimin e prindërve lidhur me mungesën e masave për parandalimin dhe mbrojtjen nga ky infeksion, ndërkohë që vaksinimi kundër meningjitit nuk përfshihet në kalendarin kombëtar të vaksinimit në Shqipëri. Kjo ka krijuar një panik të shtuar, pasi fëmijët e prekur po përjetojnë vështirësi shëndetësore, dhe qytetarët ndihen të pasigurt.

Në fillim të nëntorit, Together for Life (TFL) publikoi raportin “Monitorimi i Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030”,  evidentoi se kjo vaksinë, edhe pse e parashikuar për t’u përfshirë që në vitin 2023 në kalendarin kombëtar të  vaksinimit, rezulton se nuk është përfshirë  as për vitin 2023 dhe as për 2024.

Në tryezën e organizuar për prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit, TFL  i bëri thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të planifikojnë buxhetin e nevojshëm për futjen e kësaj vaksine në kalendarin e vitit 2025, si një hap i domosdoshëm për të përmbushur objektivin e mbulimit universal shëndetësor, përfshirë aksesin në vaksina të sigurta dhe efikase për të gjithë.

Shqipëria çdo vit regjistron 20-30 raste të meningjitit, që jo rrallë rezultojnë fatale për shëndetin apo jetën e të prekurve, kryesisht fëmijë dhe të rinj.

Aplikimi i vaksinës kundër meningokokut konsiderohet si një mjet parandalues thelbësor, që rekomandohet veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë në mjedise të mbyllura, si konvikte, çerdhe dhe kopshte, dhe për ata me sistem imunitar të dobësuar.

Përfshirja e kësaj vaksine në kalendarin kombëtar, jo vetëm  do të shmangte humbjen e jetëve në të ardhmen, por gjithashtu do të reduktonte barrën financiare për trajtimin e sëmundjeve të shkaktuara nga virusi meningokok.

Nga ana tjetër, Instituti i Shëndetit Publik ka bërë një reagim publik për të sqaruar situatën dhe për të informuar qytetarët për masat që janë marrë. ISHP thekson se infeksioni i shkaktuar nga Neisseria meningitis është një sëmundje infektive, e cila përhapet shpejt përmes kontaktit të ngushtë dhe mund të shfaqet në forma fulminante. Megjithatë, autoritetet sigurojnë se janë marrë masa rigoroze për profilaksinë, janë ndjekur rekomandimet për masat e profilaksisë për familjarët, personelin shëndetësor në Durrës 19 persona, personeli shëndetësor në QSUT si dhe kontaktet e ngushta në klasën e rastit, ku kanë marrë profilaksinë me antibiotikë 24 nxënës dhe 6 mësues duke ndjekur duke respektuar Udhëzuesin specifik si për çdo rast tjetër të dyshuar apo të konfirmuar me Neisseria meningitis.

Instituti i Shëndetit Publik theksoi gjithashtu se pacienti 14-vjeçar po trajtohet sipas protokolleve të mjekimit të meningjitit dhe gjendja e tij po monitorohet nga ekipet mjekësore në terapi intensive. Autoritetet kanë siguruar qytetarët se situata është nën kontroll dhe se nuk ka asnjë neglizhencë në menaxhimin e rastit, përkundrazi, po ndiqen hapat e duhur për mbrojtjen e shëndetit publik.

Kërkoni menjëherë kujdes mjekësor nëse ju ose dikush në familjen tuaj ka simptoma të meningjitit si:

  • Ethe
  • Dhimbje koke  që nuk largohet
  • Konfuzion
  • Të vjella
  • Qafë e ngurtë

Faktorët e rrezikut për meningjitin përfshijnë:

  • Mosbërja e vaksinave. Rreziku rritet për këdo që nuk i ka bërë të gjitha vaksinat e fëmijërisë ose të të rriturve.
  • Mosha. Meningjiti viral më së shpeshti shfaqet tek fëmijët më të vegjël se 5 vjeç. Meningjiti bakterial është i zakonshëm tek ata më të rinj se 20 vjeç.
  • Të jetuarit në grupe. Studentët  që jetojnë në konvikte, njerëzit në baza ushtarake dhe fëmijët në çerdhe dhe kopshte  janë në rrezik më të madh të meningjitit meningokokal. Kjo është ndoshta sepse mikrobi përhapet shpejt nëpër grupe të mëdha.
  • Shtatzënia. Shtatzënia rrit rrezikun e një infeksioni të shkaktuar nga bakteret listeria, e cila gjithashtu mund të shkaktojë meningjit. Infeksioni rrit rrezikun e abortit, lindjes së vdekur dhe lindjes së parakohshme.
  • Sistemi imunitar i dobësuar. SIDA, çrregullimi i përdorimit të alkoolit, diabeti, ilaçet që ulin sistemin imunitar dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në sistemin imunitar rrisin rrezikun e meningjitit.

Read more

Thirrje për artikuj investigativë në fushën e shëndetësisë

Shoqata Together for Life me mbështetjen e National Endowment for Democracy, hap thirrje për gazetarë investigativë në të gjithë vendin.

Thirrja publikohet në kuadër të projektit “Sektori Shëndetësor në Shqipëri: Transparent dhe i Pëgjegjshëm”, i cili fokusohet në përgjegjshmërinë dhe transparencën e institucioneve shëndetësore dhe nevojën për forcimin e llogaridhënies në këtë sektor.

Sektori i shëndetësisë në Shqipëri përballet me një buxhet të ulët dhe të pamjaftueshëm për mbulimin universal me shërbime shëndetësore në kohë, me cilësi dhe të përballueshëm për çdo individ. Ky sektor vuan gjithashtu nga mungesë e theksuar transparence dhe probleme me keqmenaxhimin e fondeve.

Një nga mjetet kryesore dhe shumë të rëndësishme që ndikon drejtpërdrejt në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies është gazetaria investigative, e cila ndihmon në identifikimin, raportimin dhe analizimin e problemeve të lidhura me korrupsionin në sistemin shëndetësor.

Për të kontribuar në promovimin e një sistemi shëndetësor të hapur dhe transparent, Together for Life shpall thirrjen për tre artikuj investigativë në fushën e shëndetësisë.

Gazetarë ose grupe gazetarësh nga e gjithë Shqipëria janë të lutur të aplikojnë me ide që përmbajnë çështje, probleme, situata të identifikuara apo që pritet të identifikohen dhe që kanë në qendër mungesën e aksesit në shërbime për grupe të caktuara, dyshime për abuzim me fondet në sektorin shëndetësor publik, apo çështje të tjera me ndjeshmëri të lartë në këtë sektor.

Afati i fundit i dorëzimit të aplikimit 24 shkurt 2025.

Aplikimi bëhet përmes plotësimit dhe dorëzimit të formularit të bashkëngjitur.

Propozimet do të vlerësohen nga një juri e pavarur, e përbërë nga gazetarë dhe ekspertë të njohur të medias.

Gazetarët e përzgjedhur pritet të angazhohen dhe të plotësojnë detyrat e përcaktuara për hetimin, duke respektuar standardet e gazetarisë investigative dhe etikën profesionale.

Përzgjedhja e aplikimeve do të’u japë përparësi atyre ide-propozimeve që trajtojnë temat më poshtë, por pa u kufizuar, duke u mbështetur në katër fjalët kyçe: transparencë, llogaridhënie, fonde publike, shëndetësi:

· Tenderat në sektorin e shëndetësisë: identifikimi dhe trajtimi i procedurave me flamur te kuq;

· Transparenca e shpenzimeve ne sektorin e shëndetësisë: përmirësimi i infrastrukturës, investimet në pajisje, shërbimet e reja, buxhetet e alokuara dhe shpenzuara per medikamentete me rimbursim, analiza e ekspertizes qe ofrojne kombanite qe perfitojne tendera ne sektorin e shendetesise, etj.;

· Shpenzimet për koncesionet (kontratat e tipit PPP) dhe ndikimi i tyre në buxhetin e përgjithshëm të shëndetësisë (preferohet që artikulli të përqendrohet në koncesionet e vitit buxhetor 2024);

· Si, sa dhe pse harxhojnë pacientët për marrjen e shërbimeve shëndetësore në sistemin publik në Shqipëri.

Gazetarët mund të dërgojnë më shumë se një propozim, por vetëm një do të përzgjidhet përt’u mbeshtetur.

Gazetarët e përzgjedhur do të përfitojnë një mbështetje financiare prej 1000 dollarësh, të cilat do të përdoren për realizimin e hetimit në lidhje me çështjen e përzgjedhur.

Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë gazetarët në Shqipëri, qoftë të punësuar, qoftë të pavarur. Kandidatët duhet të dërgojnë së bashku me formularin e aplikimit një CV dhe tre shembuj të punës së tyre, në adresën e emailit: info@togetherforlife.org.al

Read more

Vaksina HPV: Nevojë urgjente që kërkon vëmendje dhe angazhim

Kanceri i qafës së mitrës është një nga llojet më të zakonshme të kancerit që prek gratë në mbarë botën, dhe është një shkak kryesor i vdekjeve nga kanceri. Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në përpjekjet për të luftuar këtë sëmundje, duke futur vaksinën HPV (Human Papillomavirus) si pjesë të kalendarëve të imunizimit të vendit. Megjithatë, ndonëse vaksina ka potencial të madh për parandalimin e këtij kanceri, niveli i vaksinimit mbetet shqetësues, duke kërkuar përpjekje më të mëdha për të arritur grupet e popullsisë që kanë nevojë për mbrojtje.

Shqipëria: Vaksinimi që po ecën ngadalë

 Në raportin e monitorimit të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 pregatitur nga TFL është evidentuar futja për herë të parë e vaksinës HPV në nëntor të vitit 2022.  Sipas të dhënave në raport rezulton  se, gjatë vitit 2023 janë aplikuar 11,713 doza dhe 3,990 doza gjatë dy muajve të parë të 2024. Niveli i vaksinimit vlerësohet shumë i ulët, krahasuar me nevojën.

 Në ditët e para të vitit 2025 ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, bëri të ditur se janë administruar gjithsej 16,259 doza të vaksinës HPV, një shifër që përfshin dy grupe të ndryshme të vajzave: 6,492 vaksina për vajzat 13 vjeç dhe 9,767 vaksina për vajzat 14-20 vjeç. Ky vaksiminim është pjesë e një fushate që synon mbrojtjen e vajzave dhe grave nga infeksionet e HPV, të cilat janë përgjegjëse për shumicën e rasteve të kancerit të qafës së mitrës.

Çdo vit në Shqipëri diagnostikohen 100 deri në 130 raste të reja. Pavarësisht rëndësisë së vaksinës, ministrja Koçiu e ka pranuar që niveli i vaksinimit është ende i ulët, duke theksuar nevojën për më shumë fushata informuese dhe shtim të mbulueshmërisë.

Krahasuar me nevojat e popullsisë dhe statistikave, shifrat aktuale të vaksinimit janë ende larg qëllimit. Sipas një raporti të Ministrisë së Shëndetësisë, nevoja për vaksinim është shumë më e madhe, duke sugjeruar se duhet më shumë angazhim dhe burime për të arritur një mbulim të duhur.

Në strategjinë e vaksinimit për vitet 2024-2030, Shqipëria ka përcaktuar një numër specifik të vaksinave HPV që synohet të aplikohen për vitin 2025. Sipas planifikimeve të strategjisë, për vitin 2025, Shqipëria ka për qëllim të aplikojë 21,000 doza të vaksinës HPV. Ky është një objektiv që përfshin vaksinimin e vajzave 14-20 vjeç dhe ka për qëllim të rrisë mbulimin vaksinal dhe të kontribuoni në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

Pse është kaq e rëndësishme vaksina HPV?

HPV është një infeksion seksualisht i transmetueshëm që mund të shkaktojë kancer të qafës së mitrës, por gjithashtu është lidhur me kanceret e organeve të tjera, si vagina, penisi dhe orofaringu. Vaksina kundër HPV është një mjet i provuar për të parandaluar këto infeksione dhe kanceret që mund të zhvillohen si pasojë e tyre. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vaksina është më efektive kur administrohet tek vajzat dhe djemtë para se të fillojnë të jenë aktivë seksualisht, kjo për shkak se HPV mund të transmetohet përmes kontaktit seksual.

Të dhënat e OBSH dhe rekomandimet për vaksinim

OBSH rekomandon vaksinimin e vajzave nga mosha 9 deri në 14 vjeç, për të parandaluar infeksionet nga HPV. Për vajzat dhe gratë deri në 20 vjeç, një dozë e vetme është e mjaftueshme, ndërsa për ata që janë më të mëdha, mund të kërkohen dy doza të vaksinë HPV. Po ashtu, OBSH sugjeron që vaksina të administrohet edhe për djemtë, për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së virusit.

Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e sëmundjeve (CDC) pohon se vaksina HPV nuk rekomandohet për personat mbi 26 vjeç. Por, vaksinimi i personave mbi 26 vjeç deri në 45 vjeç mund të bëhet vetëm me rekomandimin e mjekut.

“Vaksina HPV sjell pak përfitime në këtë grup-moshë, për disa arsye, përfshirë edhe atë se më shumë njerëz të këtij grupi veçse mund të jenë ekspozuar ndaj HPV-së”, thuhet në ëeb-faqen e CDC-së.

Një tjetër rekomandim i OBSH është që vaksina HPV të jetë pjesë e kalendarëve të imunizimit të çdo vendi, si një masë parandaluese për shëndetin publik. Disa shtete të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë përfshirë vaksinat HPV në kalendarët e imunizimit të detyrueshëm, dhe është e nevojshme që vendet e tjera, si Shqipëria dhe Kosova, të bëjnë më shumë përpjekje për të rritur mbulueshmërinë dhe për të shpërndarë informacion për përfitimet e vaksinës.

Vaksina HPV në kalendarin e vaksinimit të disa vendeve të rajonit

Ndërsa Shqipëria ka nisur vaksinimin e HPV për vajzat që prej vitit 2022, Kosova ka bërë po ashtu hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, në vitin 2024, 10,000 vajza janë vaksinuar kundër HPV, duke arritur një mbulueshmëri prej 84% në nivel vendi. Ky është një rezultat i rëndësishëm për një shtet që ka futur vaksinën HPV në kalendarin e imunizimit vetëm vitin e kaluar. Djemtë gjithashtu pritet të vaksinohen, duke zgjeruar kështu përfitimet e vaksinës për mbrojtjen e të gjithë popullatës.

Në Kosovë, vaksina është dhënë falas për vajzat 11-12 vjeç, dhe autoritetet shprehen të kënaqura me rezultatet, pasi nuk janë raportuar efekte anësore të rënda deri tani. Sidoqoftë, si Shqipëria, edhe Kosova përballet me sfida të ngjashme – nevoja për një mbulueshmëri më të gjerë dhe sensibilizimin e prindërve, që për të vaksinuar fëmijët e tyre dhe për të siguruar mbrojtje të qëndrueshme.

Në disa vende të Ballkanit Perëndimor, vaksina HPV është në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit. E fundit që futi në kalendar këtë vaksinë ishte Shqipëria, në nëntor të vitit 2022.

Në shtator të po atij viti, Mali i Zi kishte nisur administrimin e kësaj vaksine.

Maqedonia e Veriut e ka këtë vaksinë në kalendar që nga viti 2013 dhe vaksina është e detyrueshme për grup-moshën 12 deri në 26 vjeçe dhe jepet në tri doza.

Në kalendarin e vaksinimit të Serbisë është po ashtu HPV. Në këtë shtet, kjo vaksinë rekomandohet të merret, por nuk është e obligueshme.

Vaksina HPV jepet edhe në Bosnje e Hercegovinë, ndonëse nuk është e obligueshme.

Vaksina kundër HPV: Rruga drejt një Shëndeti Publik më të sigurt

Megjithëse Shqipëria ka bërë përparime në vaksinimin kundër HPV, është e qartë se niveli i vaksinimit është ende larg nevojave të vërteta.

Vaksina HPV nuk është thjesht një mundësi, por një nevojë urgjente që kërkon vëmendje dhe angazhim të menjëhershëm.

Read more

Raport i OECD-së, Bardhi: Reflektim i buxhetit të ulët në sektorin e shëndetësisë

TFL prej 15 vitesh ka ngritur zërin, ka raportuar për buxhetin e pamjaftueshëm dhe të ulët në sektorin e shëndetësisë.

Shqipëria ka shpenzimet shëndetësore për frymë më të ulëtat në rajon dhe Europë.

Një raport i OECD-së që bazohet në të dhënat e vitit 2022, e rendit vendin tonë të fundit me një nivel shpenzimesh shëndetësore 734 Euro për frymë.

Për eksperten e çështjeve të shëndetësisë, Eglantina Bardhi, kjo situatë është reflektim i një buxheti të ulët në këtë sektor.

Eglantina Bardhi: Ne prej 15 vitesh kemi ngritur zërin, kemi raportuar një buxhet të pamjaftueshëm dhe të ulët per sektorin e shëndetësisë. Ne kemi një buxhet më pak se 3% të GDP-së.

Keqfinancimi i sektorit të shëndetësisë për Bardhin sjell pasoja të drejtpërdrejta tek pacientët.

Eglantina Bardhi: Ka pamjaftueshmëri fondesh per t’u trajtuar sipas protokolleve. Pacientët janë të detyruar të paguajnë nga xhepi i tyre për të patur shërbime më cilësore.

Që shërbimi ndaj qytetarëve të përmirësohet, kërkohet të paktën dyfishim i buxhetit.

Eglantina Bardhi: Që të plotësohet një paketë bazë, duhet të jetë dy herë më shumë, tre.

Për vitin 2025, buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë së bashku me atë të mbrojtjes sociale është rritur me 5% duke shkuar në 103 miliardë e 375 milionë Lekësh, 12.57% e buxhetit ose 3.94% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Read more

OECD konfirmon: Shqipëria me shpenzimet më të ulëta shëndetësore për frymë në rajon dhe Europë

TFL prej vitesh ka denoncuar përmes raporteve mungesën e fondeve të mjaftueshme për Shëndetësinë

OECD: Shqipëria me shpenzimet më të ulëta shëndetësore për frymë në Europë

Në vitin 2022 shteti Shteti Shqiptar Buxhetoi dhe Shpenzoi vetëm 734 euro për banorë (për frymë). Niveli më i ulët në Europë sipas raportit të fundit të Organizata për bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) mbi gjendjen shëndetësore në Europë më 2024.

Fatkeqësisht gati 5 herë më të ulëta se mesatarja e BE-së prej 3,533 euro.

OECD: Të fundit edhe në rajon

Në të njëjtin raport, OECD raporton se:

Mali i Zi shpenzon 217% më shumë se Shqipëria, ose 1.593 euro për frymë në vit.

Serbia shpenzon 207% më shumë se Shqipëria, ose 1.517 euro për frymë në vit.

Maqedonia e Veriut shpenzon 56% më shumë se Shqipëria, ose 1.142 euro për frymë në vit.

Bosnjë-Hercegovina shpenzon 46% më shumë se Shqipëria, ose 1.072 euro për frymë në vit.

Turqia shpenzon 36% më shumë se Shqipëria, ose 1.000 euro për frymë në vit.

Po ta krahasojmë me mesataren e Bashkimit Europian, ajo është 481% më shumë se në Shqipëri, ose 3.533 euro për frymë në vit.

Të dhënat e raportit “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, publikuar nga Together  for Life

Fakt i evidentuar edhe në Raportin e Monitorimit të shpenzimeve të sektorit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2023, realizuar nga shoqata Together For Life në kuadër të projektit “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, mbështetur nga NED– National Endowement for Democracy.

Buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale në përqindje ndaj PBB rezulton në rënie në vitin 2022 krahasuar kjo me dy vite më parë, rënie kjo pjesërisht e shpjegueshme prej faktit që në vitet 2020-2021 buxheti për sektorin e shëndetësisë pësoi rritje më të madhe se normalisht për të financuar shpenzimet e lidhura me menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga virusi i SARS COV-2 (COVID-19). Sa i përket buxhetit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale në raport me shpenzimet e përgjithshme publike, ruhet një nivel mesatar prej 12.5%. Ajo që bie në sy është fakti që në vitin 2022 shpenzimet faktike të MSHMS shkojnë në nivelin 12%, në të njëjtin nivel si në vitin 2017, pavarësisht rritjes në vlerë nominale të trendit të shpenzimeve.

Nëse do të analizojmë vetëm sektorin e shëndetësisë, shpenzimet në përqindje ndaj PBB në vite luhaten në intervalin 2.9%-3.4%, me një mesatare prej 3.1% të PBB. Ndërkohë, shpenzimet e shëndetësisë ndaj shpenzimeve të përgjithshme publike përgjatë periudhës 2017-2022 rezultojnë në masën 10.1%. Në këtë mesatare është përjashtuar viti 2021, i cili rezulton me shpenzime të larta (one off) për shkak të menaxhimit të situatës pandemike të shkaktuar në vend nga virusi SARS COV 2.

Shpenzimet faktike në vite sipas programeve kryesore buxhetore të MSHMS paraqiten në grafikun e mëposhtëm. Ajo që vihet re është trendi në rënie i shpenzimeve për kujdesin parësor, kombinuar me trendin në rritje të shpenzimeve për shëndetin publik dhe atë dytësor. Sa i përket shpenzimeve të lidhura me mbrojtjen sociale, konstatohet që ruhet një trend normal përgjatë kësaj kohe, me mesatarisht 38.1% të buxhetit total të MSHMS.

Krahasuar me Rajonin, shpenzimet në sektorin e shëndetësisë për Shqipërinë në raport me shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë më të ulëtat me mesatarisht 10.1% përgjatë periudhës 2016-2021, ndërkohë që kryeson listën e vendeve të rajonit me shpenzimet më të larta për shëndetësinë Mali i Zi. 

Ndërkohë, referuar treguesit tjetër të shpenzimeve të shëndetësisë në raport me produktin e brendshëm bruto (GDP), Shqipëria vijon të mbetet e fundit në rajon me një nivel mesatar prej rreth 3% ndaj PBB. Vendet e tjera të rajonit kanë një nivel të lartë të shpenzimeve të shëndetësisë në raport me PBB duke arritur në nivel mbi 5.5% e PBB.

Vërejmë se pavarësisht rritjes së buxhetit në vlerë nominale në vite, shëndetësia në Shqipëri vijon të mbetet prapa krahasuar edhe me rajonin, gjë që dëshmohet nga pesha e vogël që kanë shpenzimet e shëndetësisë në shpenzimet e përgjithshme publike dhe në Produktin e Brendshëm Bruto.

Në këto kushte qytetarët shqiptarë detyrohen të paguajnë shuma të larta nga të ardhurat e tyre vetjake për të zgjidhur problemet e tyre shëndetësore jashtë mbulimit që ofrojnë skemat shëndetësore dhe slloganeve të shëndetësisë falas.

Read more
sqAlbanian