denonco@transparency.com.al

Në 2022 bizneset arritën fitime rekord falë produktivitetit të lartë të punonjësve dhe pagave të tyre të ulta

Produktiviteti i punës, i cili mat të ardhurën që merret nga një i punësuar (shifra e afarizmit për të punësuar), shënoi rritje të ndjeshme gjatë vitit 2022 sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, të cilat burojnë nga të dhënat finale të Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, të publikuara së fundmi.

Burimi: INSTAT, përpunime të Monitor

Burimi: INSTAT, përpunime të Monitor

Shitjet neto për të punësuar për vitin 2022 kanë qenë 6.13 milionë lekë nga 5.11 milionë lekë në vitin 2021, duke u rritur me 20%. INSTAT referoi se, ky tregues është më i lartë tek prodhuesit e të mirave, në krahasim me prodhuesit e shërbimeve.

Në vitin 2022, shitjet e bizneseve u ndihmuan nga rritja e çmimeve, teksa shpenzimet për paga ndaj punonjësve u rritën me ritme më të ulëta. Sipas INSTAT, rritja reale e pagave (e indeksuar për inflacionin), ne 2022 ishte vetëm 1.5%.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se në nga 12 qarqe të vendit, në 9 prej tyre pagat janë rritur më pak se inflacioni, duke ndikuar që paga reale në pjesën dërmuese të vendit ka shënuar rënie në krahasim me vitin 2021.

Bizneset arritën fitime rekord

Në vitin 2022, inflacioni mesatar arriti në 6.7%, si rrjedhojë e ndërprerjeve në zinxhirin e prodhimit që shkaktoi pandemia dhe më pas efektet e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës në çmimet e mallrave.

Teksa rritja e kostove të biznesit u transferua te konsumatori final, sipërmarrjet kanë rezultuar me fitime rekord. Të dhënat e tjera nga Ministria e Financave bënë të ditur se të ardhurat nga tatim fitimi arritën rekordin prej 47.7 miliardë lekë, duke u rritur me 34% me bazë vjetore.

Edhe renditja e përvitshme e kompanive me fitime më të mëdha, që publikohet nga Monitor tregoi për rritje të ndjeshme të fitimeve.

Burimi: Ministria e Financave

Tendenca ndryshoi në 2023

Por në vitin 2023, të dhënat tregojnë për një frenim të produktivitetit të punës, për shkak se pagat si në sektorin privat dhe në atë publik panë një rritje të shpejtë. Sidomos në sektorin privat rritja e pagave u nxit nga emigracioni, i cili shkaktoi mungesë të fuqisë punëtore, duke detyruar bizneset të sakrifikonin fitimet.

Rritja e pagës mesatare në sektorin privat vazhdoi të qëndrojë në vlera dyshifrore edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023. Ajo shënoi nivelin 14.5%, nga 15.0% në tremujorin e mëparshëm.

Në terma realë, rritja e pagës në sektorin privat qëndron në nivelin 10.4%, në të njëjtën vlerë sikurse edhe në tremujorin e dytë të vitit 2023.

Kjo rriti kostot e punës për njësi me 9.9% gjatë tremujorin e tretë të vitit 2023, në përshpejtim kundrejt normës 7.1% të regjistruar një tremujor më parë. Ecuria ka pakësuar produktivitetin i punës analizoi Banka e Shqipërisë ditët e fundit.

Luhatjet e produktivitetit

Përgjatë dekadës së fundit produktiviteti i punës pati luhatje dhe shpesh pësoi ulje edhe pse ekonomia ishte në rritje. Aksionet për formalizimin e ekonomisë rriten numrin e të punësuarve të ligjshëm, të cilët edhe pse në rritje nuk kishin se si të ndikonin në prodhim.

Në Shqipëri punësimi u rrit më shumë se rritja ekonomike, për pasojë të punësuarit ndanë më pak fitime nga puna.

Zhvillimet demografike, me plakjen e popullsisë dhe reduktimin e forcës së punës po ushtrojnë presion mbi modelin ekonomik të Shqipërisë.

Ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare financiare bëjnë thirrje se Shqipëria duhet të rrisë aftësitë mësimore për të orientuar ekonominë drejtë inovacionit dhe sektorëve me produktiv.

Analizat e institucioneve të specializuara si FMN dhe Banka e Shqipërisë tregojnë se rritja e pagave pa rritur produktivitetin në ekonomik kthehet në rrezik, duke ndikuar në rritjen e çmimeve dhe jo të mirëqenies.

Praktikat e vendeve të tjera kanë treguar se produktiviteti i punës rritet duke orientuar ekonominë në teknologji, inovacion dhe në prodhime e shërbime që kanë vlerë të lartë në treg.

Por për të arritur këtë stad vendit i duhet një forcë pune e mirarsimuar dhe me aftësi.

“Revista Monitor” https://www.monitor.al/ne-2022-punonjesit-prodhuan-me-shume-por-u-paguan-me-pak-ndersa-bizneset-arriten-fitime-rekord/

Read more

Kapitali: Klinikat private nuk iu nënshtruan akreditimit siç premtoi Manastirliu

Vdekja e një 3-vjecari pas ndërhyrjes dentare në një klinikë private të Tiranës dëshmoi mungesën e standardeve dhe garancive nga këto institucione. Normalisht të dhënat për ligshmërinë ose jo të klinikës duhej të ekzistonin të publikuara, kritere bazë këto për procesin e akreditimit. Proces ky i dështuar, sikurse premtimet e hershme se pa akreditim, institucioneve shëndetësore do t’u hiqej licenca. Por sistemi funksionon ‘anapolla’, klinika në fjalë ishte e palicencuar për kryerjen e aktivitetit dhe u pajis me të një muaj pas incidentit me pasojë vdekjen e 3-vjeçarit.

“Pas marrjes së licencës, të gjithë aktivitetet private do t’i nënshtrohen procesit të akreditimit dhe plotësimit të standardeve bazë. Në rast mosplotësimi të tyre do të revokohet licenca”, – deklaroi ish ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në komisionin parlamentar të shëndetësisë në vitin 2019, teksa prezantoi ndryshimet në ligjin e kujdesit shëndetësor.

Në faqen zyrtare të ASCSG (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë dhe Sigurisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror) shpjegohet rëndësia e akreditimit:

“Akreditimi” nënkupton vërtetim direkt të plotësimit të standardeve specifike nga institucionet shëndetësore përmes vizitës dhe vlerësimit të jashtëm në vendin e punës së institucionit  përkatës lidhur me atë se çfarë kryhet në atë institucion: produktet, proceset, sistemet, personelin ose ekipet, përfshirë këtu edhe një demonstrim formal të kompetencës së institucionit për të realizuar detyra të caktuara dhe në këtë kuptim, fjala “akreditoj” lidhet me këtë proces vizite konstatimi apo vlerësimi të jashtëm.

Rasti i 3 vjeçarit tregoi dështimin e procesit të akreditimit

Pavarësisht presionit të ministrisë së Shëndetësisë për heqje licence, institucionet shëndetësore private duken të painteresuara për procesin e akreditimit, ndonëse certifikata e akreditimit do të shërbente për të skanuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore që ofrohen në vend.

Vdekja e 3 vjeçarit në tetor 2023 pas një ndërhyrjeje dentare me narkozë në kilnikën “Splendent” të mjekes Ina Xhaxho në Tiranë ngriti pikëpyetje për monitorimin e cilësisë së kujdesit spitalor që ofrohet në spitalet apo klinikat private.

Klinika nuk ishte e pajisur me licencë, një kriter i detyrueshëm për të zhvilluar aktivitet, në momentin që i mituri u paraqit në këtë klinikë në fillim të tetorit 2023. Këtë e konfirmoi për Faktoje Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror, përmes një përgjigjeje zyrtare ku shpjegon se menjëherë pas ngjarjes, ka zhvilluar një inspektim dhe auditim klinik për verifikimin e përmbushjes së standardeve të ofrimit të shërbimit shëndetësor në klinikën “Splendent”. “ISHSH konstatoi se subjekti nuk ishte i pajisur me licencë për ushtrimin e aktivitetit shërbime mjekësore dhe/ose stomatologjike kategoria II. 6 A.3 kabinet dentar”, – thotë ISSH, e cila për këtë e ka gjobitur subjektin në fjalë me 500,000 Lekë.

Në një komunikim përmes whatsapp, vetë mjekja Ina Xhaxho dha ndër të tjera këtë shpjegim për Faktoje:

“….doja t’iu sqaroja se më imtesisht mund të pyesesh nje jurist. Ky i fundit do të të shpjegojë që unë si person juridik mund të ofroja shërbimet e stomatologjisë. Kjo për faktin se jo vetëm se jam e regjistruar pranë Urdhërit të Stomatologëve të Shqipërisë, por dhe në aspektin fiskal kam qenë e regjistruar rregullisht në QKB. Përsa is përket llojit të licensimit, kjo e fundit është një procedurë administrative formale që nuk më pengon ushtrimin e profesionit. Mjafton të lexohen dispozitat e ligjit për licensimin. Gjithsesi dua të të informoj që vendimi është kundërshtuar në rrugë gjyqësore, sepse në vlerësimin tim është i paligjshëm dhe aktualisht statusi i çështjes është në gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Tiranë”

Ministria e Shëndetësisë nga ana tjetër saktëson se nuk duhet ngatërruar licenca e institucionit me licencën profesionale të mjekut.

“Licenca e lëshuar nga Urdhëri i Stomatologut vlen për ushtrimin e profesionit dhe jo për ushtrimin e veprimtarisë, për të cilën subjekti duhet të aplikojë nëpërmjet QKL, konform parashikimeve të ligjit”, sqaron ministria e Shëndetësisë. Referuar regjistrit Kombëtar të lejeve dhe licencave, rezulton se kjo klinikë aktualisht është mbajtëse e dy licencave, por pajisja me licencë për ushtrimin e veprimtarisë, ka ndodhur thuajse një muaj pas incidentit fatal, pra më 31 tetor. Në janar 2024 klinika dentare është pajisur me një licencë të dytë, pa afat.

Dështimi i procesit të akreditimit në lupën e ekspertëve

Pavarësisht premtimeve dhe afateve, Shqipëria po dështon prej dekadash të akreditojë institucionet shëndetësore, publike dhe private.

“Shteti e zbulon problemin pasi problemi ndodh”, – komenton paaftësinë e institucioneve për të monitoruar situatën, zëvendësdekani i fakultetit të Mjekësisë, Ilir Alimehmeti.

“Parimi është i thjeshtë, licenca të jep të drejtën e ushtrimit të aktivitetit. Pa licencë, je i jashtligjshëm”, sqaron më tej ai.

“Ndryshe nga akreditimi, licencimi është proces i detyrueshëm. Pa licencë, nuk ka shërbim shëndetësor”, – thotë i befasuar nga situata, Erion Dasho.

Ndërsa Klodiana Spahiu, nënkryetare e komisionit të shëndetësisë, thotë se nuk është në dijeni të mangësive konkrete të klinikës ku ndodhi rasti i të miturit që humbi jetën pas ndërhyrjes, por këmbëngul se licencimi është A-ja e një aktiviteti shëndetësor.

“Nuk kam dijeni për pjesën stomatologjike, parimisht çdo qendër stomatologjike padyshim nuk funksionon dot pa licencë”, komenton ajo.

Duke e parë në tërësi dhe jo si një problem vetëm të një subjekti, ekspertët e konsiderojnë dështim faktin që një institucion shëndetësor i ka shpëtuar sistemit të kontrollit.

“Diskutimi është sa është dëmi këtu? Si pacient si mbrohem unë, kur shteti gjurmon çdo gjë që bën një individ, por i ‘rrëshqet’ një klinikë”? – ngre shqetësimin Alimehmeti.

Sipas tij, institucionet përgjegjëse duhet të ndërtojnë një databazë ku licencat të jenë publike. “Pse s‘i bën publike licencat, kush ka dhe kush jo?  Klinika, spitale, laboratorë dhe thua këto janë të licencuar dhe pacienti hyn e kërkon dhe e gjen”, – këmbëngul Alimehmeti.

Vetëm 17 privatë të akredituar ose 203 herë më pak nga totali

Ndryshe nga licencimi, akreditimi është ende një proces vullnetar. Qëllimi i akreditimit është të përcaktojë nivelin e pajtueshmërisë me standardet dhe protokollet, për të përmirësuar cilësinë dhe sigurinë e pacientëve.

Ndërsa institucionet publike kanë ecur me hapa më të shpejtë, privatët thuajse nuk kanë interes për t’u përfshirë në procesin e akreditimit.

Referuar listës së institucioneve të akredituar të përcjellë nga ASCK, vetëm 17 institucione shëndetësore private (spitale, klinika mjekësore dhe dentare, apo laboratorë) janë përfshirë në procesin e akreditimit. 3 institucioneve të tjera u ka përfunduar akreditimi disa vite më parë.

Ky numër institucionesh të akredituara është krejt i papërfillshëm, po të kemi parasysh se në sistemin privat numërohen 9 spitale, 122 klinika private, 408 laboratore 1416 klinika stomatologjike dhe rreth 1300 farmaci. Në total llogaritet që numri i institucioneve private të paakreditura të jetë mbi 203 herë më i madh sesa ato të akredituara.

Në mes të vitit 2022, Qendra Kombëtare e Akreditimit që merrej prej gati 20 vitesh me akreditimin e spitaleve, u reformua dhe u krijua Agjencia për Sigurimin e Cilësisë së Kujdesit shëndetësor. Në ceremoninë e rastit mori pjesë edhe ish ministrja Ogerta Manastirliu që përsëriti:

“Nuk do të tolerojmë asnjë strukturë publike apo jo publike, t’i shmanget një procesi kaq të rëndësishëm sa procesi i vetëvlerësimit dhe i akreditimit të institucionit. Kjo është një betejë për cilësinë”. Pavarësisht këtyre “kërcënimeve” shifrat tregojnë një indiferencë ndaj këtij procesi. Gjatë vitit 2023 Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka kryer 62 inspektime dhe ri-inspektime për plotësimin e standardeve të cilësisë, sigurisë dhe akreditimit të institucioneve shëndetësore.

Debati, akreditimi proces kompleks nuk funksionon pa autonomi

Klodiana Spahiu e shikon akreditimin të lidhur ngushtë me autonominë spitalore.

“Ky proces edhe pse nuk është i detyrueshëm të detyron koha që ta bësh patjetër. Akreditimi është një hap që të çon drejt autonomisë. Për pjesën spitalore po shkon drejt detyrimit, sepse nëse do të përfshihesh në autonominë spitalore nuk mund të përfshihesh pa qenë i akredituar” – sqaron ajo.

Sipas Spahiut, kemi një proces të edukimit në vazhdim të detyrueshëm për personelin, atëherë edhe për institucionet do të shkohet drejt kësaj rruge.

Edhe për Erion Dashon akreditimi duhet të shkojë paralelisht me autonominë, por ai ka kuptim në një terren autonomie të plotë.

“Kur ti shikon një check – list dhe nuk plotëson disa kritere, p.sh nëse ke mungesë stafi dhe nuk ke autonomi, atëherë nuk ke pavarësi”, – këmbëngul Dasho.

Vendimet e shumta në lidhje me procesin e akreditimit kanë sjellë një amulli në rregullimin përfundimar të këtij procesi.

“Procesi i akreditimit është vijim i detyrimit për të përmbushur standardet bazë të cilësisë për akreditim, vetëm nëse një institucion i përmbush standardet bazë, mund të vijojë procesin e akreditimit. Referuar VKM nr. 865, datë 24.12.2019 “Për mënyrën e kryerjes së procesit të akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor dhe përcaktimin e tarifave dhe afateve kohore”, – sqaron Ministria e Shëndetesisë.

Vetë ekspertët nuk janë plotësisht të qartë mbi këtë proces madje ata shprehen skeptikë për mënyrën se si u la në mes. Erion Dasho ndër të parët specialistë që u angazhua së bashku me profesor Isuf Kalon në fillim të viteve 2000, për zbatimin e procesit të akreditimt të institucioneve shëndetësore, thotë se çdo masë që nis dhe lihet përgjysmë krijon një mangësi tjetër në sistem.

“Shqipëria vuan nga masat që merren në mënyrë jo strategjike, merren dhe lihen në mes të rrugës”, – këmbëngul Dasho.

Sipas tij akreditimi është një proces që e zgjedh individualisht institucioni shëndetësor për të treguar besueshmëri dhe që ka një cilësi të caktuar. Sipas tij, në vendet e zhvilluara “detyrimi i akreditimt” është zgjidhur nga sigurimet shëndetësore.

“Disa vende e kanë bërë të detyrueshëm indirekt pasi kompanitë e sigurimeve zgjedhin të punojmë vetëm me institucione të akredituara. Nëse je i paakredituar asnjë kompani sigurimesh nuk zgjedh të punojë me ty”, – sqaron ai.

Ndërsa për Ilir Alimehmetin, akreditimi është një proces që vetëm sa i ka shtuar burokracitë.

“Çfarë u mungon sot spitaleve të licencuara, sepse përmbushja e kritereve është bazë e licencimit, që ua shton procesi i akreditimit? Për ta thjeshtuar: nëse një universitet akreditohet çfarë ka më shumë? Ka diploma më shumë njohje, ka mobilitete më shumë?? Pra çfarë ka ekstra procesi i akredimit që institucionet të kenë interes?”, – thotë skeptik ai ndërsa shton se burokracitë nuk i nxisin mjekët, pëkundrazi.

Mirëpo Erion Dasho arguementon domosdoshmërinë e procesit të akreditimit, që nxit sipas tij, përgjegjshmërinë e institucioneve shëndetësore në garantimin e standardeve të shërbimit:

“Në një vend si Shqipëria, procedurat e licencimit kanë pasur mangësi, ndaj akreditimi është një plotësim, sepse e vendos përpara përgjegjësisë institucionin shëndetësor që të rrisë sigurinë dhe cilësinë”.

Ministria e Shëndetsisë ka përcaktuar një set kriteresh bazë që janë kusht për të marrë licencën për të ushtruar aktivitetin shëndetësor, mbi këtë është edhe një set kriteresh optimale që duhet të përmbushen për t’u akredituar. Akreditimi i plotë ka një afat 5 vjeçar dhe do të thotë se institucioni shëndetësor përmbush së paku 85% të stadardeve optimale. Ajo që vihet re në listën e institucioneve të akredituara, që Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor (ASCK) ka për dërguar “Faktoje” është fakti se një pjesë e konsiderueshme e institucioneve kanë marrë akreditim të pjesshëm, pra nga 1-3 vjet që do të thotë se kanë përmbushur 70% të stadardeve optimale.

Përfundim

Procesi i akreditimit të institucioneve shëndetësore, sidomos atyre private ku qytetarët zgjedhin të drejtohen për një shërbim më të specilizuar dhe pa burokraci, ka dështuar pavarësisht angazhimeve të qeverisë. Rasti i klinikës ku u krye ndërhyrja dentare e 3 vjeçarit, është një ilustrim sesi radari i kontrollit shtetëror dështoi të identifikonte veprimtarinë në kushte paligjshmërie të një klinike në mes të Tiranës. Bazuar në verifikimin e kryer dhe konsultimin me ekspertët, angazhimin e ish ministres së Shëndetësisë Manastirliu për akreditimin e institucioneve shëndetësore do ta kategorizojmë të Pambajtur.

Burimi: Kapitali.al

Read more

Mjekësia falas është mjekësi votash, si u mirëprita unë në Gjermani

Të paketosh jetën tënde në valixhe është padyshim një vendim i vështirë. Iniciativë që shqiptarët e kanë ndërrmarrë masivisht pas rënies së diktaturës dhe hapjes së kufijve të Shqipërisë. Një fenomen i pandalshëm, por shqetësues, sidomos kur bëhet fjalë për profesionistë shëndetësor.

Edhe mjekja Arjana Farruku nuk i shpëtoi dot këtij dyzimi. Dhe si shumica, jo për shkak të mungesës së dëshirës por për shkak të kushteve dhe shikimeve të vëngra , kudo që trokiste. E diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitin 2016, edhe pse punoi 3 vite si mjeke e përgjithshme dhe në pediatri në Shqipëri, ajo vendosi përfundimisht të largohej nga vendi amë. Në një intervistë për “Gazeta Shëndeti”, ajo rrëfen eksperiencën e saj në Gjermani dhe vendos gishtin ku lëngon arsimi dhe sistemi ynë i shëndetësisë, sipas këndvështrimit të saj.

  1. Pse vendose ta lësh përfundimisht Shqipërinë?

Përfundimisht është një fjalë e madhe dhe në fillim se kam menduar si përfundimtare me thënë të drejtën. U largova për të gjetur mundësi më të mira specializimi, por më saktë sepse nuk ndihesha aspak gati për tregun e punës pas një përgatitje shumë të mangët nga ana e fakultetit.

Kisha studiuar 6 vite, kisha sakrifikuar kënaqësitë e moshës duke studiuar vetë pa pasur asnjë mbështetje as ndonjë drejtim nga pedagogët tanë, që shumicën e rasteve dërgonin një specializant dhe si njihnim fare. Pra isha shumë realiste me faktin që jo për fajin tim isha një mjeke e  paplotësuar profesionalisht.

Specializimi do vazhdonte njësoj, me të njëjtët persona që s’na hidhinin as sytë në fakultet do ishin “mentorët” tanë dhe për 4 vite.

Pjesa tjetër ishte ekonomike; Do bëja specializim 4-5 vjet pa asnjë lloj pagese, duhet të rishpërngulesha në Tiranë me lekët e mamit e të babit dhe do shpresoja që të bëja ndonjë turn nate në spital privat e të merrja sa për të jetuar. Pra nga ana profesionale vendimi ishte jo i vështirë dhe mendova që në atë kohë ishte synimi im më i rëndësishëm.

Gjermania ndërkohë të joshte me mundësinë që pasi të kishe mësuar gjuhën të filloje direkt specializimin në spitalin që dëshiroje e degën që dëshiroje ( ndërkohë që në Shqipëri kuotat janë të kufizuara ose të dhëna paraprakisht pa konkurs). Mësimi i gjuhës nuk më trembte përkundrazi kisha nevojë për një sfidë ndryshe.

Pra pasi mësova gjuhën arrita të siguroja një intervistë pune nga Shqipëria dhe pas saj një kontratë pune me pagesë, që në Shqipëri vetëm endërrohet (në atë kohë 2600-2700 € netto). Specializimi dhe transporti siguroheshin nga firma dhe do më mbështesnin me të gjitha dokumentet që duheshin.  

Nëse në Shqipëri ndihesha si e padëshiruar kudo që trokisja për punë më pyesnin vajza e kujt isha në vend që të shihnin diplomën, atje vura re një entuziazëm dhe dëshirë për të më punësuar, që se kisha parë për 3 vjet në vendin tim përkundrazi një përbuzje dhe nënvlerësim.

2. Si po shkon përshtatja në Gjermani?

Sigurisht që kjo pyetje ka disa dimensione. Në rrafshin profesional jam super e kënaqur, më është dashur të punoj shumë fort por është ajo që unë doja, të punoja, të mësoj çdo ditë dhe të bëhem një mjeke sa më e zonja dhe këtu nuk ka rëndësi as miku, as partia, vetëm puna dhe përkushtimi.

Sigurisht që pjesa sociale është e vështirë. Këtu çdokush ka eksperiencën e vet, në bazë edhe të karakterit personal. Unë e kam pasur edhe në Shqipëri një reth shoqëror të vogël dhe në Gjermani është tepër e vështirë.

Jeta sociale është e ndërtuar ndryshe, hobit dhe koha e lirë kalohen ndryshe nga ç’jemi mësuar  ne në Shqipëri. Kontaktet janë shumë të vështira të krijohen, sidomos nga gjermanët si njerëz tepër të kujdesshëm e selektiv në shoqërinë e tyre.

Të mungon gjuha e bukur shqipe, edhe pse me njohuri të avancuara të gjuhës gjermane nuk je i zoti të shprehesh si në gjuhën amtare. Të mungon familja, por edhe familja e madhe me teze, xhaxhallarë e daja, shoqëria…

3. A ja ka vlejtur kjo iniciativë e ndërmarrë?

Unë besoj se çdo iniciativë e ndërmarrë vlen, sidomos një iniciativë aq e guximshme, t’ia nisësh nga zero në një vend të huaj. Të bën më të fortë, më këmbëngulës, më punëtor dhe më të pavarur dhe sigurisht të rrit vetëvlerësimin.

Nëse ti ke besim në veten tënde, aftësitë e vlerat e tua, t’i mund t’ia dalësh kudo dhe unë mendoj që për rininë dhe moshën aktive të punës është një iniciativë e vlefshme.

Por me kalimin e kohës dhe sidomos pasi formon familje e kupton se sa i rëndësishëm është edhe rrethi familjar e shoqëror për rritjen e një fëmije të shëndetshëm psikologjikisht e emocionalisht. Sa më shumë kalon koha ndihesh sikur të mungon një pjesë shumë e rëndësishme nga vetja, sikur je pa identitet.

Pra është një vendim që ka avantazhet dhe disavantazhet e veta.

Për t’ju përgjigjur edhe pyetjes së rradhës për zhvendosjen e të rinjve në Gjermani mendoj se të rinjtë duhet të marrin kulturën e punës europiane, të edukohen e të plotësohen profesionalisht dhe t’i implementojnë këto njohuri pa kompromise në Shqipëri. Kjo do ishte në dobi të tyre dhe të shtetit shqiptar.

4. Çfarë dallimesh vëren midis dy sistemeve shëndetësore?

Dallimet janë shumë të theksuara sidomos në atë që mungon në Shqipëri:

– Investimi në shëndetsi- kushtet e spitaleve shtetërore në Shqipëri ngjajnë me kohën e luftës, këtu ka ngrohje qëndrore, ka banjo në çdo dhomë dhe dush, mjete ndihmëse për të lëvizur, larë pacientët. Duhen investuar miliona Euro për të arritur në stadin e spitaleve gjermane.

– ⁠Pagesa e mjaftueshme e mjekëve dhe personelit dhe zhdukja e rryshfetit, që ka shkatërruar marrëdhënien mjek-pacient, besimin e njerëzve në shëndetësi.

– ⁠Sistemi i sigurimeve shëndetsore mbulon të gjitha nevojat e pacientëve, të gjithë trajtimin në spital, fizioterapi, mjekime e institucione që dërgohen për rehabilitim- gjithçka me zero kosto për pacientin.

– ⁠Plotësimi i të gjitha kushteve për spitalet rajonale, saqë tranferimi i pacientëve në qendra universitare vetëm për procedura të veçanta dhe jo çdo pacient që komplikohet.

– ⁠Specializimi në shumicën e spitaleve të Gjermanisë ( dhe jo vetëm në QSUT, siç është te ne), ndërkohë që edhe paguhesh me rrogë të plotë mjeku- quhet specializim, sepse je e observuar nga një mjek specialist, por praktikisht je përgjegjëse për të gjithë trajtimin e pacientin në spital.

– Mjeku ka dorë të lirë të përdorë metodat e ekzaminimit që shikon më të përshtatshme për pacientin dhe përshkruan mjekimet e duhura, pa menduar për kostot që mbulohen nga sigurimet shëndetsore.

Pra për ta përmbledhur në Gjermani mjekët bëjnë atë për të cilën kanë studiuar dhe studiojnë gjithë jetën: Të diagnostikojnë dhe trajtojnë sëmundjet sipas njohurive më të fundit të shkencës në të mirë të pacientit.

Ndërsa në Shqipëri duhet të shikosh a ke skaner, sa kushton, a e paguan dot pacienti, a ekziston ilaçi në Shqipëri, a e paguan dot pacienti? Përsëri a vjen pacienti për kontroll, se ndoshta nuk ka mundësi. Shqipëria ka probleme shumë të rënda ekonomike, të cilat ndikojnë në çdo aspekt të jetës së individit edhe në shëndetësi.

Mjekësia e sotme nuk mund të jetë falas si pretendojnë politikanët për vota, mjekësia e duhur është e shtrenjtë dhe duhet të investohet nga shteti dhe jo nga organizatat e individët që dhurojnë për të ikur jashtë shtetit.

Read more

THIRRJE PËR ARTIKUJ INVESTIGATIVË NË FUSHËN E SHËNDETËSISË

Thirrja organizohet nga Shoqata Together for Life në bashkëpunim me BIRN Albania, me mbështetjen e National Endowment for Democracy

Shoqata “Together for Life” po zbaton projektin “Sisteme shëndetësore transparente dhe llogaridhënëse në Shqipëri”. Projekti synon promovimin e përgjegjshmërisë dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh çështjet prioritare më të lakuara në ditët e sotme lidhur me shëndetësinë siç janë pakënaqësia në rritje e qytetarëve përkundrejt shërbimeve dhe infrastrukturës shëndetësore publike, pagesat e larta nga xhepi që paguajnë pacientët për të marrë shërbime shëndetësore kundrejt atyre që mbulohen nga qeveria, financimi i ulët për sektorin, shkeljet gjatë kryerjes së kontratave me një barrë të madhe financiare për buxhetin, etj.

Një nga instrumentet e propozuara nga projekti është përdorimi i gazetarisë investigative për të raportuar dhe nxjerrë në pah disa nga çështjet më të rëndësishme lidhur me korrupsionin në sistemin shëndetësor.

Për të kontribuar në promovimin e një sistemi shëndetësor transparent, TFL në bashkëpunim me BIRN Albania hap thirrjen për 2 artikuj investigativë:

(2) gazetarë do të përzgjidhen për të prodhuar artikuj investigativë në fushën e shëndetësisë. Gazetarët aplikantë do të përzgjidhen nga një juri e pavarur e përbërë nga gazetarë me eksperiencë dhe ekspertë në fushën e medias.

Gazetarët do kenë në dispozicion një periudhë dy mujore për të përfunduar investigimin e tyre dhe përgatitjen e artikullit për publikim.

Fituesit pritet që të angazhohen dhe të përmbushin të gjitha detyrimet në lidhje me investigimin, si dhe respektimin e standardeve të gazetarisë investigative dhe etikës profesionale.

Kandidatët duhet të dorëzojnë formularin e bashkëngjitur kësaj thirrjeje. Propozimet duhet të kenë për qëllim ekspozimin e korrupsionit, abuzimit me pushtetin, me fondet publike, pa-ndëshkueshmërinë dhe mungesën e zbatimit të ligjit në fushën e shëndetësisë.

Prioritet në përzgjedhje do i kushtohet propozimeve të cilat përfshijnë një nga temat e mëposhtme, por gjithashtu inkurajojmë propozimin e temave të tjera (duke patur në vëmendje 4 fjalë kyçe: transparencë; llogaridhënie; fonde publike; shëndetësi).

  • Tenderat në shëndetësi: Përputhja me ligjin, transparenca dhe abuzimet;
  • Transparenca e shpenzimeve për shëndetësinë (ndërtimin e spitaleve të reja; financimi i shërbimeve të reja; financimi për barnat; kompanitë përfituese – favorite për përfitimin nga tenderat, etj.);
  • Shpenzimet për koncesionet dhe ndikimi në buxhetin e përgjithshëm të shëndetësisë (preferohet që artikulli t’i referohet ecurisë së koncensionit/eve të vitit buxhetor 2023);
  • Niveli i shpenzimeve nga xhepi si përqindje e shpenzimeve totale të pacientëve për shëndetësinë, në Shqipëri.

Aplikantët mund të dërgojnë më shumë se një aplikim, por vetëm një propozim për kandidat do të përzgjidhet.

(2) gazetarët e përzgjedhur do të kenë një mbështetje financiare prej 1000$, me qëllim ndjekjen e problematikës së përzgjedhur në të gjitha hallkat e kërkuara.

Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë gazetarët në Shqipëri, të punësuar apo në profesion të lirë.

Kandidatëve ju kërkohet që bashkë me formularin e plotësuar të aplikimit, të dërgojnë edhe një CV dhe tre shembuj të punës së tyre me email, në: info@togetherforlife.org.al

Afati për dorëzimin e aplikimeve, deri më: 07 Mars 2024

Read more

Më pak para për shëndetësinë në 2024/ Çanaku: Qytetarët shpenzojnë për ilaçe

Shëndetësia shqiptare është e nënfinacuar, kjo duket se është dhe arsyeja kryesore pse shqiptarët paguajnë nga xhepi 60% të kostos totale për çdo ditë që janë të sëmurë.

E këtij mendimi është Redina Çanaku koordinatore e projekteve të shoqatës “Together for life” e cila gjatë një interviste për Euronews Albania,  thotë se për të tretin vit radhazi buxheti i shëndetësisë ka ardhur në ulje, duke i faturuar kështu kostot pacientit.

Në raportet e hartuara prej saj pas kontaktit të drejtpërdrejtë me pacientit, thotë se ka dalë në përfundimin që mungesa e barnave cilësore ne listën e rimburismit por dhe pajisjeve janë dy problematikat që rëndojë në xhepat e tyre.

Për vitin 2024, buxheti i shëndetësisë është 69,2 miliard lekë, që sipas ekspertëve cilësohet i pamjaftueshëm për të mbuluar gamën e shpenzimeve për sëmundshëmrinë në rritje, ndaj edhe këtë vit do të jenë qytetarët që do të duhet të kompesojnë nga xhepi, për çdo ditë që do kalojnë sëmurë.

Burimi: EuronewsAlbania

Read more

Reporter.al / ‘Shëndetësi falas’: Mungesa e barnave, cilësia e ulët dhe korrupsioni gërryejnë xhepat e grisur të shqiptarëve

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, qytetarët shqiptarë i paguajnë 60% të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, ka publikuar së fundmi të dhënat e përditësuara mbi shpenzimet e shëndetit në nivel global, ku Shqipëria renditet e para në rajon për nivelin e lartë të shpenzimeve që qytetarët mbulojnë nga xhepi i tyre.

Sipas të dhënave të fundit nga viti 2021, një shqiptar shpenzon mesatarisht në vit 460 USD për shëndetësinë, të cilat i mbulon vetë nga financat e tij.

Egla Bardhi, drejtuese ekzekutive e organizatës “Together for Life” identifikoi disa prej faktorëve kryesorë që ndikojnë në rritjen e shpenzimeve personale të qytetarëve shqiptarë në shëndetësi.

Sipas Bardhit, një prej arsyeve kryesore që qytetarët i mbulojnë nga xhepi i tyre kostot e shëndetit është sepse ligji për kujdesin shëndetësor nuk zbatohet.

“Vendi ynë është ende i paaftë për të ofruar shërbime shëndetësore sipas protokolleve që vetë ai i ka miratuar,” tha Bardhi.

“Ato paketa shërbimesh që tashmë janë miratuar nuk ofrohen për pacientët,” shtoi ajo.

Ngjashëm, edhe Rigels Xhemollari nga organizata Qendresa Qytetare thekson se shteti nuk ka arritur t’i mbajë premtimet në lidhje me sektorin e shëndetësisë.

“Vendi që premtoi i pari shëndetësinë falas në rajon, doli i pari për shëndetësi private në Europë, ku qytetari blen agen, serumin, ilaçin, mundësisht edhe ryshfetin,” tha ai.

Xhemollari i theksoi se gjatë periudhës së pandemisë u rritën në mënyrë eksponenciale kostot e shëndetit.

“Prezenca e shtetit ishte e papërfillshme, përveç reanimacionit kur gjendja përkeqësohej deri në shtrim,” shpjegoi ai. “Vizitat, ekot, barnat dhe çdo shërbim shtesë që kërkonte trajtim të COVID-19 zgjidhej në mënyrë private,” shtoi Xhemollari.

Mungesa e barnave dhe ilaçeve nuk u vu re vetëm gjatë nevojave të trajtimit të virusit Sars-CoV-2, por ndjehet ende edhe sot.

“Një pacient në Onkologjik i cili ka nevojë për të realizuar një terapi sipas protokollit, e ka të pamundur për shkak të mungesës së buxhetit për ta ofruar shërbimin, dhe si pasojë pacienti detyrohet të blejë medikamente shumë të shtrenjta për kimioterapinë,” tregon Egla Bardhi, duke shtuar se këtë mund ta bëjnë vetëm ata pacientë që kanë mundësi ekonomike.

Të njëjtin fenomen e konfirmon edhe drejtuesi i “Qëndresa Qytetare”, Rigels Xhemollari.

“Një pjesë e shërbimit apo produkteve blihen nga vetë qytetarët, sepse një pjesë e barnave të kushtueshme të kimioterapisë mungojnë në QSUT, si rasti i medikamentit ‘Velcade’”, thekson ai.

Sipas aktivistëve për të drejtat e pacientëve, një tjetër faktor që ndikon në rritjen e kostove të shëndetësisë që qytetarët i mbulojnë vetë është edhe fenomeni i “ryshfeteve” ndaj mjekëve.

“Korrupsioni i vogël gjithashtu është prezent duke i shtuar këto kosto, ose duke i detyruar qytetarët të zgjedhin spitalet private,” tha Xhemollari.

Sipas Egla Bardhit, pacientët i japin këto ryshfete me dëshirën dhe besimin se ata do të marrin një shërbim më të mirë.

“Edhe pagesat që ndodhin ndaj personelit shëndetësor gjithashtu rrisin koston, me besimin që mund të marrin një shërbim më të mirë, teksa këto fenomene nuk ndodhin në vendet europiane,” tha Bardhi.

Bardhi shtoi se një tjetër faktor që ka ndikuar që qytetarët të paguajnë vetë për kostot e shëndetit është edhe cilësia e ulur e barnave që ndodhen në listën e medikamenteve të rimbursueshme.

Sipas saj, që prej ndryshimeve ligjore të vitit 2014, lejohen të futen në treg medikamente që nuk janë nga tregu i BE, që kanë sjellë sipas Bardhit “ulje të cilësisë së medikamenteve”.

“Në sistemin shëndetësor futen medikamente të reja shumë herë më të mira se ato që ndodhen në listën e barnave të rimbursueshme dhe për të patur një mjekim më të mirë, pacientët i blejnë vetë këto medikamente,” shtoi drejtuesja e “Together for Life”.

Humbja e besimit të qytetarëve në sistemin shëndetësor publik

Rritja e shpenzimeve shëndetësore që qytetarët detyrohen të mbulojnë nga xhepi i tyre përkthehet edhe në uljen e besimit të tyre ndaj sistemit shëndetësor të premtuar nga shteti.

“Kjo përkthehet në ulje të besimit te propaganda e shëndetësisë falas, te sistemi shëndetësor publik dhe tek pagesat e sigurimeve shëndetësore, të cilat janë rritur me rritjen e pagës minimale dhe nuk na ofrojnë mbrojtje minimale shëndetësore,” tha Xhemollari.

Sipas drejtori ekzekutiv të “Qëndresa Qytetare”, besimin e zbeh akoma më shumë fakti që disa prej koncesioneve kryesore të shëndetësisë tashmë ndodhen nën hetim, dhe jo në shërbim të pacientëve.

“Koncesionet kryesore të shëndetësisë që do të mundësonin një shërbim më cilësor dhe dinjitoz ndaj qytetarit janë nën hetim nga SPAK, dhe me shumë mundësi nuk kanë arritur qëllimin e pritur”, theksoi ai.

Sipas Egla Bardhit, duke qenë se qytetarët kanë një gamë më të ulët të shërbimeve që marrin, si rrjedhojë edhe besimi i tyre në këto shërbime është ulur.

“Një pjesë e mirë e pacintëve i drejtohen edhe klinikave private jashtë vendit, jo vetëm atyre private në vend,” tha Bardhi.

Ajo theksoi se Shqipëria ka një prej buxheteve më të ulëta në rajon për sistemin shëndetësor, ndaj edhe ky sistem  është i mangët dhe i pabesueshëm.

“Ky fenomen nuk ka ndodhur së fundmi në vendin tonë, por ka 30 vite që ndodh,” përfundoi ajo.

Burimi: Reporter.al

Read more

Propacientit / OBSH: Shqiptarët paguajnë nga xhepi 60% të shpenzimeve për shëndetësinë, rekord në Europë

Përballen me kosto të larta të shpenzimeve shëndetësore direkt nga xhepi i tyre, por ky lloj shpenzimi duket se është rritur me tej pas pandemisë Covid-19.

Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), të përditësuara së fundmi, në vitin 2021 një shqiptar ka shpenzuar mesatarisht për shëndetin 465 dollarë. Kjo shumë në masën 59.7% (277 USD) është përballuar nga xhepi dhe pjesa tjetër 39.7 për qind nga shpenzimet e qeverisë nga buxheti i shtetit.

Siç shihet nga të dhënat e OBSH-së shpenzimet e shqiptarëve nga xhepi për shëndetësinë kanë pësuar rritje të ndjeshme pas pandemisë. Në vitin 2015 ky tregues ishte 57.3% dhe që atëherë ka pësuar rritje me 2.5 pikë %.

Qeveria i ka rritur kapacitetet buxhetore, por shpenzimet nga xhepi për shëndetësinë kanë ardhur në rritje përgjatë dekadave të tranzicionit në vend të ulen. Siç shihet nga të dhënat e OBSH-së në vitin 2005 shqiptarët paguan nga xhepi 49.3 të kostos së shpenzimeve shëndetësore, teksa më 2021 ky tregues arriti në 59.7%.

OBSH përllogarit se ndërmjet 2015 -2021 shpenzimet e shqiptarëve për shëndetësinë u rritën me 82 për qind. Përgjatë kësaj periudhe pandemia Covid-19 duket se ka dhënë një ndikim jo të zakontë.

Në krahasim me gjithë vendet e tjera të Europës (pa përfshirë ish shtetet e bashkimit Sovjetik), Shqipëria mban rekord për shpenzimet nga xhepi. E dyta pas nesh është Maqedonia e Veriut, me 41.7%, e ndjekur nga mali i Zi (38.1%), Serbia (35.8). Treguesi më i ulët në rajon është në Bosnjë Hercegovinë (30.7%), ndërsa të dhënat për Kosovën mungojnë. Në vendet me të ardhura të larta, ky tregues është më i ulët sesa 20%.

Shpenzimet u rritën në pandemi

Në 2020-n, shpenzimet për shëndet për familjet shqiptare arritën rekordin e 5.6% të totalit të shpenzimeve, nga 4.9% vitin e mëparshëm, në një tregues se kurimi i Covid-19 u përballua nga xhepi (sipas INSTAT, pesha e shpenzimeve për shëndet mbeti e pandryshuar dhe në 2021).

Ndërsa familjet europiane e kishin këtë tregues 4.5% në 2020-n, nga 4.4% një vit më parë, teksa shërbimi shëndetësor më i mirë u garantoi atyre kujdesin e duhur (kujtojmë se në 2020-n, Shqipëria ishte një nga vendet me vdekshmërinë më të lartë shtesë në Europë nga pandemia).

Ekonomia dhe kapacitetet buxhetore janë shtuar përgjatë dekadës së fundit, por financimet për shërbimet themelore shëndetësore, të tilla si rimbursimi i barnave dhe kujdesi parësor kanë mbetur në vendnumëro, në një kohë që nevojat për produkte farmaceutike dhe shërbime shëndetësore në një popullsi në plakje po rriten.

Treguesit zyrtare referojnë se brenda buxhetit të shëndetësie ka shpërndarje të padrejtë të fondeve. Gati për një dekadë buxheti i rimbursimit të barnave ka mbetur thuajse në vend numëro në një kohë që të ardhurat buxhetore janë dyfishuar dhe  burimet financiare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FDSKSH)  janë rritur.

Nga viti 2013 me 2022 importet e produkteve farmaceutike në vlerë u rriten me 11,3 miliardë lekë, ndërsa fondet për rimbursimin e medikamenteve u rriten me 3 miliardë lekë sipas të dhënave zyrtare.

Në vitin 2022 importet e produkteve farmaceutike arritën në 28 miliardë lekë rreth 270 milionë euro, ndërsa fondi shtetëror i rimbursimit ishte 11,4 miliardë lekë. Të dhënat tregojnë se pacientët shqiptare financuan nga xhepi për blerjen e medikamenteve ose 61 për ind të vlerës së produkteve farmaceutike të importuara më 2022.

Burimi: Monitor

Read more

Reporter.al / Në 2023 Shqipëria rekord në zhvillimet në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit

Korrupsion sh.a: Një histori e shkurtër e vitit 2023

Viti 2023 ka gjasa do të shënohet në historinë e Shqipërisë për numrin e lartë të akuzave penale të ngritura për korrupsion ndaj një numri jo të vogël zyrtarësh apo ish-zyrtarësh të lartë. Por nëse ky do të jetë gjithashtu viti i kthesës së Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit apo do të jetë një shpresë e shuar, kjo pritet të shikohet vetëm gjatë muajve dhe viteve në vazhdim.

Një ish-kryeministër u shpall person nën hetim. Një ish-zëvendëskryeministër është në arrati, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Ndërsa një ish-ministër është dënuar. Dy ish-kryebashkiakë të fuqishëm janë në burg në pritje të gjykimit, ndërsa zbërthimi i aplikacioneve Sky nga policia franceze solli zbërthimin e disa grupeve kriminale që konsideroheshin deri së fundmi, të paprekshme dhe me lidhje të shumëfishta politike.

Procesi kyç i vetingut të zyrtarëve të sistemit të drejtësisë po i afrohet fundit pas një maratone pesëvjeçare. Një gjeneratë e re zyrtarësh të drejtësisë po emërohet me urgjencë për të mbushur hapësirat e stërmëdha të krijuara nga rrëzimi i pjesës më të madhe të kastës së zyrtarëve të mëparshëm në veting, përmes shkarkimit apo dorëheqjes.

Pas gati dy dekadash në të cilat zyrtarët dhe politikanët shijuan interpretime ligjore shumë dorëgjera nga sistemi i drejtësisë për shkeljet e dyshuara prej tyre, drejtësia e re po rihap disa dosje të vjetra dhe po jep vendime që sfidojnë në thelb interpretimet e mëparshme të llojit: “nuk ka përgjegjësi penale për vendime kolektive”.

Megjithatë, hetimet e SPAK kundër korrupsionit gjatë këtij viti mund të vlerësohet se kanë një cilësi të luhatshme.

Disa hetime duket se nuk kanë vajtur përtej procedurave të mbledhjes së dokumenteve zyrtare dhe interpretimeve ngushtësisht ligjore; disa të tjera kanë përfshirë bastisje dhe konfiskime dokumentesh në zyra shtetërore apo private, me rezultate domethënëse në provimin e krimeve të dyshuara.

Paralelisht me zhvillimet në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit, Shqipëria përjetoi gjatë vitit 2023 një rekord të ri të kursit të këmbimit të monedhës kombëtare lek përkundrejt euros, çmime marramendëse të pronave të patundshme të reklamuara nga agjencitë e ndërmjetësimit, një palë zgjedhjesh vendore të cilat u fituan në mënyrë plebishitare nga maxhoranca socialiste, në mes të akuzave për abuzime masive me pushtetin, blerje votash dhe korrupsion, përballë një opozite të përçarë.

Dosja “Ahmetaj” vendos standardin

Landfilli i Sharrës në Tiranë. Foto: BIRN.

Një hetim mbi ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj në lidhje me përfitimet e dyshuara të paligjshme prej tij nga dy biznesmenë kontroversë aktualisht në arrati, duket se mund të kthehet në një pikë reference se çfarë është hetimi serioz kundër korrupsionit dhe, çfarë jo.

Ishte ky hetim që zbuloi se, në fakt, në një botë të qeverisur nga mikroçipi, është praktikisht e vështirë të bësh korrupsion pa lënë gjurmë, të cilat, një hetim i ka të lehta t’i zbulojë.

Një telefon i vjetër i harruar diku në shtëpi mbart komunikime të vjetra, të cilat vërtetojnë lidhje dhe ngrenë pikëpyetje për akte korruptive të para pesëmbëdhjetë apo njëzet vjetëve, ndërsa të dhënat e transaksioneve të rëndomta të kryera me një kartë krediti, të ruajtura në arkivat e një banke private, hedhin dritë për përfitime të paligjshme, nëse një shkresë e thjeshtë e prokurorëve urdhëron bankën përkatëse që t’i dorëzojë. Edhe praktika e të përdorurit të parasë cash në punë të pista duket se nuk arrin të shpëtojë keqbërësit e dyshuar nga dara e drejtësisë, në një botë të ndërlidhur si kjo e jona.

Hetimi ndaj Ahmetajt zbuloi se si një zyrtar shteti paguante mijëra euro fatura hoteli cash në Rumani, falë një  kërkese për ndihmë të ndërsjellët juridike, e cila shtyu autoritetet rumune të merrnin në pyetje administratën e një hoteli për të zbuluar se kush pagoi dhe si, shërbime të caktuara, shumë vite më parë.

Dhe ndërsa të dhënat e ruajtura në servera dhe mikroçipe duket se i mundësojnë prokurorëve të zbardhin edhe të fshehta të errëta shumëvjeçare, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i tërhoqi vërejtjen dy herë prokurorëve për hetime të mangëta në lidhje me skandalin shumëvjeçar të kontratës së koncesionit të sterilizimit, një kontratë për të cilën, prokurorët thonë se u realizua pasi çmimet e shërbimit u frynë shumëfish dhe pastaj pronari i koncesionit transferoi paratë te një kompani tjetër e tij, në dukje, për të krijuar përshtypjen e fitimeve jo aq të larta.

Dosjet hetimore të prokurorisë hedhin dritë jo vetëm mbi korrupsionin politik, por në shumë drejtime, përbëjnë një panoramë më të gjerë të shoqërisë shqiptare. Një numër jashtëzakonisht i lartë qytetarësh, nga biznesmenë në njerëz shumë të zakonshëm duket se kanë ndihmuar këtë apo atë politikan që të fshehë paratë e korrupsionit apo t’i qarkullojë ato.

Në veçanti, dosja “Ahmetaj” tregon se si taksapaguesit shqiptarë përfunduan të paguajnë jetën e tij të dyfishtë, apo se si kompani të ndryshme kryejnë punime pa pagesë për zyrtarët e qeverisë, ndërsa marrin nga ana tjetër tenderë publikë.

Partia në pushtet zgjeron kufijtë

Ndërsa socialistët në pushtet u përballën me skandale të shumta që përfshinin disa figura të larta në radhët e tyre, ata u përballën gjithashtu me një opozitë të diskredituar dhe nuk e patën problem të shkonin përtej asaj që mund të ishte e pranueshme në një sistem demokratik.

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për këtë vit, një raport i kritikuar shpesh për mungesën e kritikave, nuk mund të shmangte këtë vit se mazhoranca socialiste kishte refuzuar kërkesat e opozitës për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për disa skandale korrupsioni.

Komisioni vuri në dukje se e drejta e opozitës për këtë garantohet nga Kushtetuta – por ky përfundim nuk u bëri shumë përshtypje socialistëve në pushtet. Në dhjetor, ata propozuan ndryshime në ligjin që rregullon komisionet hetimore parlamentare, të cilat u konsideruan “alarmante” nga disa vëzhgues dhe si një përpjekje për t’i mohuar në mënyrë efektive opozitës një mjet vendimtar të nevojshëm për të mbajtur qeverinë përgjegjëse.

Në mënyrë të ngjashme, socialistët kanë bllokuar procedurën e urdhëruar nga Gjykata Kushtetuese për të gjykuar nga Gjykata mandatin e deputetes socialiste, Olta Xhaçka.

Opozita e ka akuzuar deputeten se ka marrë tokë publike falas në të ashtuquajturin “investim strategjik” të bashkëshortit të saj. Kushtetuta i ndalon deputetët të kenë përfitime të tilla dhe në të kaluarën, disa deputetë humbën mandatet e tyre në raste të ngjashme. Por socialistët këtë herë po refuzojnë haptazi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, dy legjenda urbane kanë qarkulluar gjatë muajve të fundit që mund të tregojnë një moment përcaktues në historinë e vendit: njëra sugjeron se një suficit jashtëzakonisht i lartë i buxhetit të shtetit këtë vit u shkaktua nga refuzimi i zyrtarëve shtetërorë për të marrë pjesë në komisionet e prokurimeve publike për frika e ndjekjes penale për shpërdorim detyre. Në fund të tetorit, buxheti i shtetit tregoi një suficit prej 450 milionë eurosh në vend të një deficiti prej 500 milionë eurosh.

Spekulimi tjetër është se tregu i pasurive të paluajtshme po përballet së fundmi me mungesë blerësish dhe se edhe kjo mund të jetë rezultat i frikës nga ndjekja penale mes zyrtarëve të korruptuar dhe tregtarëve të drogës.

Të dyja hipotezat vështirë se mund të mbështeten me fakte, por ekzistenca e tyre tregon përmasat e ndryshimit në vend.

Gjysmë milionë euro në shtëpinë e pastrueses

Sali berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha është nën hetim për korrupsion nga SPAK. Foto: LSA.

Viti 2023 nisi me një telenovelë, pjesët e para të së cilës u luajtën në fund të vitit 2022. Në telenovelë, e cila mbërtheu fantazinë e publikut dhe të medias, një pastruese shtëpie u akuzua se kishte vjedhur një shumë parash në shtëpinë e zonjës në të cilën shërbente, e cila ishte zyrtare e qeverisë “Rama”.

Një ngjarje që normalisht do të kalonte pa u vënë re, u bë temë e përditshme debati që vijoi për javë të tëra në pothuajse çdo shtëpi apo tryezë kafeneje në Shqipëri për shkak se pastrueses së Alda Klosit, një zyrtare qeverie me poste të ndryshme administrative, iu gjet një shumë prej mbi gjysmë milioni euro, fshehur në tubin e një aspiratori kuzhine.

Gjysmë milioni euro janë një shumë që ëndërrohet me të drejtë nga gjithkush. Një personi të punësuar me pagë minimale 300 euro në muaj, i nevojiten 139 vite punë për t’i fituar, nëse supozojmë se nuk ka nevojë të shpenzojë as edhe një qindarkë prej tyre për të jetuar. Por historia e zyrtares Alda Klosi ishte larg të qenit një rast i kufizuar.

Në tetor të këtij viti, SPAK arrestoi Jamarbër Malltezin, dhëndër i ish-kryeministrit Sali Berisha, si person i dyshuar se ka përfituar miliona euro në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë, në kohën kur kryeministër ishte Sali Berisha. Ndërsa viti 2023 po mbaron, SPAK kërkoi heqjen e imunitetit dhe masë sigurie arrest shtëpie për vetë Berishën, dyshuar gjithashtu për korrupsion. Sipas SPAK, Malltezi përfitoi si aksioner hije i një kompanie që ndërtoi shumë pallate në një tokë, pronësia e së cilës u përfitua përmes privatizimit si ish-pronar falë një ligji të ndryshuar nga Berisha. Malltezi i mohon akuzat dhe pretendon se ka zhvilluar pronën e trashëguar. Ai pretendon gjithashtu se po përndiqet politikisht.

Në qershor, zyrtarja më e lartë e Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro u arrestua për korrupsion. Ajo u akuzua se kishte marrë një zarf me shumën 330 mijë lekë, në një procedurë prokurimi që normalisht konsiderohet e rëndomtë, një tender për supervizimin e punimeve në rindërtimin e një qendre shëndetësore. Ajo që tërhoqi vëmendjen, më shumë se sa shuma në fjalë, ishte përqindja. Tenderi në fjalë ishte me ofertë fituese 672 mijë lekë, ndërsa shuma e ryshfetit, duket se përbën 50% të shumës së prokuruar. Zarfi me paratë e dyshuara të ryshfetit u sekuestrua dhe pritet që në përfundim të gjykimit, shuma prej 330 mijë lekësh, t’i kthehet taksapaguesve.

Vetëm se taksapaguesit duket se nuk po dalin kaq me fat nga një aferë tjetër korruptive, ku shumat e qarkulluara nuk janë në rendin e disa qindramijëra lekëve, por në rendin e disa dhjetëramilionë eurove.

Në vitin 2023, SPAK duket se lëvizi, fillimisht me shumë drojë kundër kontratave koncesionare të incineratorëve, të cilat i kanë kushtuar taksapaguesve deri tani, së paku 150 milionë euro. Vetë kreu i SPAK Altin Dumani, i cili kreu hetimin pasuror kundër Arben Ahmetajtdeklaroi në maj në parlament në maj se për kontratën më të madhe, atë të incineratorit të Tiranës, ai nuk kishte gjetur ende vepër penale, ndërsa qytetarët dhe politikanët e opozitës ngrinin pyetjen se si shpjegohet që një aferë dukshëm korruptive, vijon punën si zakonisht. Vetëm dy muaj më vonë, SPAK ndryshoi qëndrim duke urdhëruar sekuestrimin e kompanisë së kontratës së Tiranës pasi zbuloi se në fund të një zinxhiri kompanish nën pronësi fasadë, fshiheshin Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto si pronarët realë të kontratës. Problemi është se ndërkohë, dhjetëramiliona euro të paguara nga taksapaguesit për shërbimin e menaxhimit fundor të mbeturinave, janë zhdukur në drejtim të paditur.

Hetimi i SPAK mbi këtë çështje vijon, por mbetet për t’u parë nëse prokurorët do të jenë në gjendje që, përveç ndalimit të vjedhjes së qytetarëve, të kryejnë funksionin tjetër të drejtësisë, rekuperimin e shumave monetare, të cilat u janë zhvatur taksapaguesve. I pyetur nga BIRN për mbi 40 milionë euro të zhdukura nga incineratori i Tiranës më 14 dhjetor, kryeministri Edi Rama shmangu përgjegjësinë. “Unë nuk jam llogaritar,” tha ai.

Krim, biznes dhe politikë

Kullat shumëkatëshe në qendër të Tiranës. Foto: LSA

Shqipëria nuk ka përjetuar ndonjë bum ekonomik gjatë viteve të fundit, por Tirana dukshëm po përjeton një bum marramendës ndërtimesh shumëkatëshe, gjë që ka ngritur pikëpyetje të shumta se nga po vijnë paratë.

Në nëntor 2023, SPAK njoftoi se falë një operacioni ndërkombëtar që përfshiu agjencitë ligjzbatuese hollandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane dhe franceze, një organizatë e madhe krimi u zbërthye. Ata ishin përgjegjës për së paku katër raste të identifikuara të trafikimit të kokainës, për një total kokaine të sekuestruar prej 931 kilogramësh. Kokaina është një lloj droge që shitet me çmim pakice për 100 euro për gram dhe sasia e konfiskuar ka një vlerë totale potenciale prej 93 milionë eurove.

Media në Shqipëri nuk e pati të vështirë të vërente se mes personave të shpallur në kërkim për këtë grup kriminal është edhe Ervin Mata, i ati i të cilit është pronari i një kompanie ndërtimi që po ndërton një nga kullat e reja të Tiranës. Gjithsesi, ky nuk është rasti i vetëm i zbulimit të kontrollit të krimit mbi ekonominë shqiptare.

Trafikantë droge në sektorin e ndërtimit, ky nuk është tamam lajm i ri për Shqipërinë, por përmasat duket se tashmë janë në nivel krejt tjetër.

Në korrik të këtij viti, një operacion tjetër i SPAK mbi krimin e organizuar solli arrestimin e Pëllumb Gjokës, një biznesmen kontrovers, i cili, kishte arritur të siguronte nga qeveria e kryeministrit Edi Rama statusin e Investitorit Strategjik. Ai e pati fituar këtë status për një projekt investimi me vlerë 51 milionë euro. Prokurorët thonë se, ndërsa autoritetet shqiptare ishin duke e trajtuar atë si një biznesmen, investimi i të cilit mbart rëndësi strategjike për ekonominë kombëtare, Gjoka ishte duke urdhëruar vrasje. Gjoka është deklaruar i pafajshëm përballë akuzave.

Grupet kriminale shqiptare duket se janë në gjendje të transportojnë sasi të stërmëdha kokaine nga Amerika Latine në Evropë, ndërsa mënyra e tyre e operimit, siç zbulohet nga rasti i kartelit Bello, sugjeron se shqiptarët gjenden përgjatë të gjithë asaj që në ekonomi njihet si “zinxhiri i vlerës së shtuar”. Me një fjalë, një shqiptar është ai që organizon transportin nga Amerika Latine në Evropë dhe shqiptarë janë edhe ata që e sheshin me shumicë te shqiptarë të tjerë që e shesin me pakicë te konsumatorët finalë. Dhe i gjithë ky zinxhir duket se e gjen të lehtë që fitimet nga ky aktivitet i paligjshëm t’i transferojë në Shqipëri, ku dyshohet se parkohen më lehtë në tregun e pronave të patundshme.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të pasqyruara në raportin statistikor mbi flukset e investimeve të huaja direkte, zëri Aktivitete të pasurive të paluajtëshme ka njohur rritje dramatike gjatë viteve të fundit, duke nisur nga një nivel i papërfillshëm. Për periudhën 12 mujore deri në qershor të këtij viti, 270 milionë euro investime të huaja raportohen të kenë hyrë në këtë treg. Sa për krahasim, në vitin 2020, ky zë ishte 80 milionë euro, ndërsa më 2019, 111 milionë.

Investime të tilla, pra jorezidentë që blejnë prona në Shqipëri, konsiderohen nga BSH përgjegjës për forcimin e lekut, krahas rritjes së të ardhurave nga turizmi.

Viti 2023 ishte i rrëmujshëm sa i përket lajmeve nga bota e krimit, biznesit dhe politikës. Por nëse ky do të shënohet në histori si vit që ndan periudhën e tranzicionit nga Shqipëria si vend i sundimit të ligjit, kjo mbetet për t’u parë në vitin 2024, e ndoshta, edhe më tutje.

Burimi: Reporter.al

https://www.reporter.al/2023/12/18/korrupsion-sh-a-nje-histori-e-shkurter-e-vitit-2023/

Read more

Kujdesi shëndetësor i grave duhet të promovojë këshillimin dhe mbështetjen psikosociale, jo vetëm përshkrimin e barnave

Shqipërisë nuk duket se i mungojnë rregulloret dhe politikat e mira legjislative për shëndetin mendor dhe barazinë gjinore. Megjithatë, shumicës së dokumenteve të politikave që orientojnë ndërhyrjet e shëndetit mendor, u mungojnë perspektiva specifike gjinore të çështjeve mendore të burrave dhe grave, si dhe përdorimin e shërbimeve shëndetësore. Strategjitë efektive për parandalimin e çrregullimeve mendore dhe reduktimin e faktorëve të rrezikut të tyre nuk mund të jenë neutrale nga pikëpamja gjinore, ndërsa vetë rreziqet janë specifike për gjinitë. Gjithashtu, duhet të zhvillohen politika, shërbime dhe ndërhyrje terapeutike me pjesëmarrjen e grave që kanë përvojë për shëndetin mendor të dobët. Prandaj rekomandohet një aksion ndërdisiplinor për të pasur politika që mbrojnë dhe promovojnë autonominë dhe shëndetin mendor të grave. Si fillim, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale duhet të ndërmarrë hapa për të zhvilluar dhe integruar treguesit përkatës gjinorë në sistemet ekzistuese kombëtare të informacionit shëndetësor dhe për të gjetur mekanizma për monitorimin e specifikave gjinore në sistemin shëndetësor.

Aktorët kryesorë të interesit në sistemin e shërbimit të shëndetit mendor në Shqipëri janë renditur më poshtë:

  1. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS)
  2. Komiteti Kombëtar i Shëndetit Mendor (KKSHM)
  3. Drejtoria Qendrore e Operatorit të Shërbimit Shëndetësor (DQOSHSH)
  4. Qendrat e Kujdesit Parësor Shëndetësor (QSHPK)
  5. Funksionet e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP)
  6. Universiteti i Mjekësisë Tiranë (UMT)
  7. Agjencia për Sigurimin e Cilësisë së Shërbimeve Shëndetësore dhe Sociale (ASCSHSH)
  8. Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH)
  9. Pushteti Vendor (PV)

Ofruesit e shëndetit, që nga politikëbërësit tek profesionistët e kujdesit shëndetësor duhet të dinë se shëndeti mendor mund të ketë karakteristika të ndryshme tek burrat dhe gratë. Për shkak të dallimeve sociale/gjinore dhe biologjike/gjinore, grate dhe burrat përballen me rreziqe të ndryshme shëndetësore, përjetojnë përgjigje të ndryshme nga sistemet shëndetësore, sjelljet e tyre që kërkojnë shërbime për shëndetin po ashtu ndryshojnë, po ashtu dhe rezultatet shëndetësore ndryshojnë. Të dhënat e përdorimit të shërbimeve mund të kenë implikime të rëndësishme për politikat shëndetësore dhe organizimin e shërbimeve. Megjithatë, ato thjesht tregojnë shtrirjen e kujdesit shëndetësor, jo nevojën për kujdes. Prandaj, mjekët klinicistë, veçanërisht ata që ushtrojnë kujdesin parësor, duhet të shkojnë përtej praktikës strikte klinike dhe të bashkëpunojnë me shëndetin publik ose me epidemiologët që punojnë në Operatorin e Kujdesit Shëndetësor ose Institutin e Shëndetit Publik. Hulumtimi sistematik dhe analizat e të dhënave do të ofrojnë njohuri më të thella për të kuptuar nevojat specifike të shëndetit mendor në baza gjinore. Për shembull, cila gjini, ose cili grup demografik brenda secilës gjini, ka rrezik më të madh për të përjetuar shqetësime psikologjike dhe sëmundje mendore.

Përdorimi i qendrave komunitare të shëndetit mendor (QKSHM) – Shërbimi i QKMSH ka marrë së fundmi shumicën e rasteve të trajtuara në sistemin shëndetësor. Sipas të dhënave të raportuara nga ofruesit e shërbimeve, gjatë vitit 2021 janë bërë gati 80,000 vizita në të gjitha qendrat komunitare të shëndetit mendor, nga të cilat 18% kanë qenë vizita në shtëpi. Të dhënat nuk ndahen sipas gjinisë dhe është e vështirë të bëhen analiza sasiore të fokusuara në baza gjinore.

Mjekët dhe psikologët në QSHP duhet të përfshijnë në mënyrë rutinore në procesin e ekzaminimit të klientit çështje të tilla si dhuna në familje, imazhi i trupit dhe shëndeti riprodhues, si dhe të ofrojnë këshillime për traumat e mundshme. Ata duhet të zhvillojnë qasje bashkëpunuese ose vendimmarrje të përbashkët me pacientet gra, duke përfshirë dhënien e ilaçeve dhe këshillimin për mbrojtjen sociale.

Kujdesi tradicional për nënën në sistemin shëndetësor shqiptar duhet të adoptohet për të përballuar sfidat e shëndetit mendor të shekullit të ri. “Qendrat e grave” priren të fokusohen në funksionet e tyre riprodhuese dhe kujdesin ndaj nënës, duke neglizhuar nevojat e grave jashtë riprodhimit dhe moshave riprodhuese. Ashtu si parandalimi i kancerit të gjirit dhe kancerit të qafës së mitrës, shëndeti mendor i grave duhet të jetë një fushë tjetër prioritare për qendrat e grave në zonat urbane, si dhe për kujdesin shëndetësor parësor në tërësi në zonat rurale. Kujdesi shëndetësor i grave duhet të promovojë këshillimin dhe mbështetjen psikosociale për të përballuar më mirë vështirësitë e jetës dhe jo vetëm përshkrimin e barnave.

Shëndeti Publik Parësor (SHPP) shqiptar po shkon në drejtimin e kujdesit të integruar social dhe shëndetësor që do të lehtësonte vazhdimësinë e kujdesit dhe vendosjen e pacientit në qendër të shërbimeve. Trajnimet për ngritjen e kapaciteteve të mjekëve dhe punonjësve socialë për të identifikuar dhe trajtuar çrregullimet mendore në shërbimet e SHPP, duhet të integrojë një analizë gjinore. Gjithashtu, trajnimet duhet të rrisin ndërgjegjësimin për faktorët specifikë të rrezikut si dhuna me bazë gjinore. Për më tepër, ofrimi i kujdesit të bazuar në komunitet për çrregullimet kronike mendore duhet të marrë parasysh nevojat specifike të grave dhe burrave dhe që barra e kujdesit familjar të mos bjerë në mënyrë disproporcionale mbi gratë. Gjithashtu, dhuna dhe abuzimi me hapësirat e sigurta për gratë duhet të jenë prioritet për çdo reformë, e cila integron kujdesin shëndetësor me mbrojtjen sociale.

Këto të dhëna janë pjesë e raportit “Gratë dhe shëndeti mendor në Shqipëri – Politikat e shëndetit publik dhe qasja e tyre gjinore ndaj shëndetit mendor” zhvilluar nga shoqata “Together for Life”, në kuadër të projektit “Nuk mund ta avancojmë shëndetin pa avancimin e të drejtave”, mbështetur nga Ambasada Franceze në Tiranë.

Gjetjet e plota të raportit i gjeni në këtë link: https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2023/06/Grate-dhe-shendeti-mendor-ne-Shqiperi.pdf

Read more

Sistemi shëndetësor i Shqipërisë mbetet i fragmentuar

Në raportin “Mbi investimet publike në Shqipëri 2014-2024” publikuar nga Together For Life, mbështetur financiarisht nga NDI (National Democratic Institute) diskutohen dhe renditen gjetje dhe rekomandime përsa i përket mungesës së qartësisë së procedurave të vendimmarrjes, mungesës së publikimit të raporteve të monitorimit të buxhetit apo të dokumenteve të tjera të faqes zyrtare të MSHMS, vlerësime të efiçiencës pas përfundimit të fazës së zbatimit të projekteve me financim nga buxheti i shtetit. E gjitha kjo bëhet në kuadër të transparencës dhe llogaridhënies për të ndjekur fazat e zbatimit të projekteve dhe për të interpretuar e analizuar masën e buxhetit dhe shpenzimet që bëhen për sektorin e shëndetësisë.

Referuar dokumentacionit zyrtar, stafi që propozon projektet e investimeve publike është stafi qendror i MSHMS dhe nuk del qartë nëse adresohen apo jo nevojat e vërteta të spitaleve apo qendrave shëndetësore. Vendimmarrja për projektet e investimeve mbetet në dorë të titullarit të institucionit, i cili vendos mbështetur në prioritetet politike.

Sistemi shëndetësor i Shqipërisë mbetet i fragmentuar. Shërbimet e kujdesit shëndetësor vazhdojnë të menaxhohen në mënyrë qendrore nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe menaxherët e ofruesve të shërbimeve në sektorin publik kanë pak autonomi ose fleksibilitet dhe burimet dhe vendimmarrja financiare mbeten të centralizuara.

Nuk gjejmë të publikuara në raportet e monitorimit të buxhetit apo në dokumente të tjera të faqes zyrtare të MSHMS vlerësime të efiçiencës pas përfundimit të fazës së zbatimit të projekteve me financim nga buxheti i shteti, për të konkluduar bazën mbi të cilën bëhet prioritarizimi i ardhshëm i projekteve të investimeve.


Të analizuara në total, investimet publike përgjatë periudhës 2014-2024 fokusohen në masën 60% të tyre në ndërtime dhe rikonstruksione objektesh shëndetësore (spitale, qendra shëndetësore etj), ndërkohë që vetëm 13.7% e fondeve totale përgjatë 2014-2024 shkojnë për blerjen e pajisjeve mjekësore.


Referuar ndarjes rajonale të investimeve publike, 82% e fondit total të investimeve publike 2014-2024 alokohet në qytetin e Tiranës. Pjesa tjetër e qyteteve përfitojnë në mënyrë sporadike investime publike, të cilat kryesisht janë investime në rikonstruksione ndërtesash.

Referuar dokumentit të Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030, nuk ka një plan investimesh publike për sektorin të përfshirë në të, duke na bërë të pamundur të analizojmë se mbi çfarë bazash është bërë planifikimi i investimeve publike për periudhën 2021-2024 e rrjedhimisht për vitet pasuese.

Në përfundim të këtij raporti, rekomandojmë:
1. Në drejtim të transparencës dhe llogaridhënies, nevojitet të qartësohet me procedura të mirëfillta linja e vendimmarrjes mbi projektet e investimeve publike në shëndetësi, pasi del qartë se ky proces bëhet nga lart-poshtë, dhe jo nga poshtë-lart sikurse duhet të jetë.

2. Nevojitet të delegohet autoriteti për vendimmarrje financiare të investimeve publike nga niveli qendror në nivelin e një autoriteti të pavarur, i cili koordinon nevojat e qendrave shëndetësore dhe spitalore me mundësitë financiare për adresimin e tyre.

3. Nevojitet të ndiqen, monitorohen dokumentet strategjikë dhe rezultatet e premtuara për t’u arritur në to, pasi ka një devijancë të lartë midis asaj çfarë planifikohet dhe asaj çfarë realizohet. Rezultatet e këtyre raporteve duhet të jenë publike.

Raportin e plotë e gjeni në këtë link: https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2023/07/Raport-mbi-investimet-publike-ne-shendetesi-2014-2024.pdf

Read more
sqAlbanian