denonco@transparency.com.al

lajme

Raport i OECD-së, Bardhi: Reflektim i buxhetit të ulët në sektorin e shëndetësisë

TFL prej 15 vitesh ka ngritur zërin, ka raportuar për buxhetin e pamjaftueshëm dhe të ulët në sektorin e shëndetësisë.

Shqipëria ka shpenzimet shëndetësore për frymë më të ulëtat në rajon dhe Europë.

Një raport i OECD-së që bazohet në të dhënat e vitit 2022, e rendit vendin tonë të fundit me një nivel shpenzimesh shëndetësore 734 Euro për frymë.

Për eksperten e çështjeve të shëndetësisë, Eglantina Bardhi, kjo situatë është reflektim i një buxheti të ulët në këtë sektor.

Eglantina Bardhi: Ne prej 15 vitesh kemi ngritur zërin, kemi raportuar një buxhet të pamjaftueshëm dhe të ulët per sektorin e shëndetësisë. Ne kemi një buxhet më pak se 3% të GDP-së.

Keqfinancimi i sektorit të shëndetësisë për Bardhin sjell pasoja të drejtpërdrejta tek pacientët.

Eglantina Bardhi: Ka pamjaftueshmëri fondesh per t’u trajtuar sipas protokolleve. Pacientët janë të detyruar të paguajnë nga xhepi i tyre për të patur shërbime më cilësore.

Që shërbimi ndaj qytetarëve të përmirësohet, kërkohet të paktën dyfishim i buxhetit.

Eglantina Bardhi: Që të plotësohet një paketë bazë, duhet të jetë dy herë më shumë, tre.

Për vitin 2025, buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë së bashku me atë të mbrojtjes sociale është rritur me 5% duke shkuar në 103 miliardë e 375 milionë Lekësh, 12.57% e buxhetit ose 3.94% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Read more

OECD: Shqipëria me shpenzimet më të ulëta shëndetësore për frymë në Europë

Në vitin 2022 Shqipëria kishte shpenzimet shëndetësore për frymë (publike+private), prej vetëm 734 euro. Ky ishte niveli më i ulët në Europë sipas raportit të fundit të Organizata për bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) mbi gjendjen shëndetësore në Europë më 2024.

Shpenzimet për frymë për shëndetësinë në Shqipëri janë gati 5 herë më të ulëta se mesatarja e BE-së prej 3,533 euro.

Në rajon, shpenzimet më të larta për shëndetësinë i ka Mali i Zi, dy herë mëshumë se tek ne 1593 euro), e ndjekur nga Serbia 1517, Maqedonia e Veriut1142 euro), Bosnjë-Hercegovina 1072. Edhe nëse bëhen llogaritjet mepopullsinë e fundit të CENs prej 2.42 milionë banorë, sërish shpenzimet përfrymë mbeten më të ulëtat në Europë, teksa nuk i kalojnë 820 euro, ose 4.3herë më pak se në Europë.

Të dhënat tregojnë se Zvicra kryeson Europën për nivelin e lartë të shpenzimeve shëndetësore për frymë me 5630 euro në vit, e ndjekur nga Norvegjia me 5.376 euro.

Midis vendeve të BE-së, shpenzimet shëndetësore  për frymë ishin të larta edhe në Gjermani me 5.317 euro frymë ose 50% mbi mesataren e BE-së. Shpenzimet shëndetësore  në Austri dhe Holandë ishin gjithashtu të paktën  25% më të larta se mesatarja e BE-së.

Në anën tjetër brenda BE, shpenzimet shëndetësore për frymë ishin më tëulëtat në Hungari, Kroaci, Bullgari dhe Rumani, me më pak se 1900 euro për person. Po në disa vende jashtë BE-së, shpenzimet shëndetësore ishin shumë më pak.

Për shembull, Turqia shpenzoi vetëm rreth 1000 euro për  frymë, ndërsa në Shqipëri kjo shifër ishte më pak se 800 euro. Gjithashtu shqiptarët janë më të shqetësuarit në Rajon për kostot e larta të shërbimeve shëndetësore, sipas anketës së fundit të “Security Metër”, të zhvilluar në 6 vendet e Rajonit ngaKëshilli i Bashkëpunimit Rajonal RCC.

Rezultatet treguan se 24% e shqiptarëve ishin shumë të shqetësuar, pasi nuk ishin në gjendje të përballonin kostot financiare për kujdes mjekësor rutinë dhe mjekim. Ky shqetësim ishte i pranishëm në një përqindje më të ulët ndër qytetarët e Bosnjës 16%, Kosovës 9%, Maqedonisë së Veriut 16%, Malit të Zi 20% dhe Serbisë, 20%.

OECD vë re se shpenzimet shëndetësore në vendet e Europës Perëndimore dhe Veriore ishin mbi pesë herë më të larta se në disa vende në Evropën Qëndrore, Lindore ose Jugore.

Në periudhën e rritjes së ngadaltë pas krizës financiare globale në 2008/09, rritja vjetore e shpenzimeve shëndetësore për frymë arriti në 3.4% mesatarisht në vendet e BE-së midis 2015 dhe 2019. Me fillimin e pandemisë COVID19 në fillim të vitit 2020, qeveritë akorduan burime të paprecedentë financiare për sektorin e shëndetësisë për të luftuar COVID19 dhe për të trajtuar pasojat.

Rritja mesatare e shpenzimeve shëndetësore arriti gati 6% në terma realë në vitin 2020 dhe u përshpejtua në 9.6% në 2021 në vendet e BE-së për të zhvilluar opsionet e trajtimit të pandemisë.

Mirëpo pas luftës në Ukrainë që nxiti krizën e energjisë dhe rritjen e kostove të jetesës, financimet për shëndetësinë u dobësuan.

Si rezultat, shpenzimet shëndetësore për frymë ranë ndjeshëm në vitin 2022 në të gjithë BE-në. Vlerësimet paraprake për vitin 2023 tregojnë për një tkurrje të mëtejshme të shpenzimeve shëndetësore në rreth gjysmën e vendeve të BE-së. Trajektorja e shpenzimeve të sistemeve shëndetësore po kthehet në nivelet para pandemisë./Monitor

Read more

Shërbimi shëndetësor, shqiptarët më të shqetësuarit, nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet

Shqiptaret janë më të shqetësuarit në Rajon për kostot e larta të shërbimeve shëndetësore sipas anketës së fundit të “Security Metër” të zhvilluar në 6 vendet e Rajonit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Të dhënat tregojnë se 24% e shqiptarëve janë shumë të shqetësuar, pasi nuk arrijnë të përballojnë financiarisht kujdesin shëndetësor rutinë dhe mjekimet e nevojshme. Ky shqetësim është më i ulët në Bosnje (16%), Kosovë (9%), Maqedoninë e Veriut (16%), Mal të Zi (20%) dhe Serbi (20%). Në përgjithësi, më shumë se gjysma e qytetarëve në Rajon (53%) ndihen të pasigurt financiarisht përballë shpenzimeve shëndetësore.

Shqetësimet e larta tek shqiptarët lidhen kryesisht me të ardhurat e ulëta dhe mungesën e mbështetjes nga shteti për rimbursimin e medikamenteve. Pacientët me sëmundje kronike dhe të rralla detyrohen të paguajnë nga xhepi për terapitë e tyre, pasi shumë prej tyre nuk përfshihen në listat e rimbursimit.

Ndërkohë që nevojat për shërbime spitalore rriten si pasojë e plakjes së popullsisë dhe shtimit të rasteve me sëmundje kronike, buxheti për shëndetësinë po tkurret. Në dhjetor 2024, fondi i Ministrisë së Shëndetësisë u shkurtua me 2.3 miliardë lekë (3%), duke e çuar totalin e shpenzimeve për shëndetësinë në 75.9 miliardë lekë, nga 77.9 miliardë lekë të miratuara më herët.

Rritja e buxhetit për shëndetësinë është më e ngadaltë krahasuar me rritjen e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Në vitin 2025, buxheti i përgjithshëm parashikohet të arrijë në 822 miliardë lekë (8.2 miliardë euro), ndërsa fondi për Ministrinë e Shëndetësisë do të jetë 80.7 miliardë lekë, që përfaqëson vetëm 9.8% të shpenzimeve të përgjithshme, krahasuar me 10.1% në vitin 2024 dhe 10.7% në vitin 2021.

Spitalet publike, për shkak të mungesës së pajisjeve të avancuara si “Pet skaneri” për diagnostikimin e sëmundjeve në fazat e hershme, nuk arrijnë të ofrojnë shërbime të specializuara. Si pasojë, shumë pacientë, sidomos ata me sëmundje të rralla dhe neoplazma, janë të detyruar të kërkojnë trajtim jashtë vendit, duke gjeneruar shpenzime të larta për ekonominë dhe duke vënë në rrezik shëndetin e popullatës.

Në dekadën e fundit, fondet për shëndetësinë janë shpërndarë shpesh në investime jo-eficiente, ndërkohë që rimbursimi i barnave ka mbetur i pandryshuar dhe pajisjet mjekësore të nevojshme janë të kufizuara. Ndërkohë, shumë vende të tjera të Rajonit, si Kosova, kanë investuar në pajisje moderne, duke u ofruar qytetarëve një standard më të mirë të shërbimeve shëndetësore.

Read more

Kush do të kujdeset për të moshuarit? Geriatria, specialiteti mjekësor që në Shqipëri mungon

“Politikbërësit tanë nuk kanë menduar asnjëherë se do plaken dhe do plakemi”

Ekspertët e shëndetit në vendit tonë po e vënë theksin çdo ditë e më shumë tek një specialitet mjekësor që në Shqipëri mungon dhe po bëhet i domosdoshëm.

Bëhet fjalë për Geriatrinë, specialiteti mjekësor i dedikuar ekskluzivisht për ofrimin e kujdesit me cilësi të lartë me në qendër pacientin e moshuar. Në vendin tonë , edhe pse numri i të moshuarve po vjen gjithnjë në rritje, trupa mjekësore nuk është e arsimuar për shërbime ndaj moshës së tretë, “geriatri”, një degë e infermierisë dedikuar kësaj moshe.

Bazuar në të dhënat e CENSIT 2023, Shqipëria ka 35% më shumë të moshuar se në vitin 2011 dhe mbi 667 mijë shqiptarë janë mbi 60 vjeç. Raporti i varësisë së të rinjve ka rënë, ndërsa ai i të moshuarve është rritur.

Sipas CENSIT 2023, një në pesë individë (19,7 për qind) janë 65 vjeç e lart, krahasuar me një në nëntë individë (11,3 për qind) në CENSIN e vitit 2011, apo me Censusin 2001 që ishte 7,5 për qind. Vlerësohet se 46.0 për qind e popullsisë së moshës 65 vjeç e lart, rreth 200 mijë persona, jetojnë në zonat rurale. Madje, për shkak të migrimit të anëtarëve më të rinj të familjes, në shumë fshatra mbizotërojnë të moshuarit të cilët jetojnë vetëm.

Të moshuarit që jetojnë vetëm po shtohen çdo ditë.  Të dhënat e fundit të censusit tregojnë se 10,8% e personave të moshës së tretë jetojnë vetëm.

Sipas ekspertëve 19% e tyre kanë paaftësi të ndryshme. Me rritjen e moshës, edhe shkalla e paaftësisë rritet, nëse për grupmoshën 65-69 vjec shkalla e paaftësisë për burrat është 9% dhe 12% për gratë pas moshës 85 vjeç, shohim që shkalla  e paaftësie prek 40% e burrave dhe 47% të grave.

Rezulton se më shumë se 64 mijë persona jetojnë te vetmuar për shkak të emigracionit të fëmijëve ose braktisjes prej tyre.

11% nuk kanë askënd që të kujdeset për ta , ndërsa 16% nuk kanë askënd që mund ti besojnë dhe flasin me të.

“Në fshatin tim të gjithë të moshuarit janë vetëm. Ma kanë numrin. U paguaj dritat, ujin dhe, nëse kanë nevojë për ilaçe, vete ua çoj. Ne jetojmë bashkë në një lagje, kemi nevojë për njëri-tjetrin, e ndihmojmë njëri-tjetrin, kur ka nevojë. E keqja është që mosha e tretë po mbetet vetëm, po braktisen. S’kanë njeri t’u sjellë as një gotë ujë” , citohet një banore në një zonë rurale në raportin “Shërbimet Shëndetësore në Banesë” , publikuar nga shoqata “Together for Life” me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim nëpërmjet projektit “Shëndet për të gjithë” (HAP).

Me rritjen e jetëgjatësisë numri i të moshuarve do të vijojë të rritet, e paralel dhe nevojat e tyre për kujdes socio-shëndetësor. Projeksionet e hartuara nga ekspertë na tregojnë se numri i të moshuarve nga  90.900 në 2020,  pritet të shkojë në 130.400 në 2030 dhe 161.100 në 2050.

“Nuk kemi geriartri. Nuk e di arsyen, ndoshta politikbërësit tanë nuk kanë menduar asnjëherë se do plaken dhe do plakemi dhe nuk kanë menduar asnjëherë se kjo moshë ka nevojë për shërbim të kualifikuar posaçërisht për këtë gjë”, shprehet Nevruz Caushaj , kardiolog, në ciklin televiziv “SHPOPULLIMI”.

Mjeku i familjes që mbulon këtë grupmoshë  ofron shërbim shërbim të kufizuar,  madje në disa fshatra ka mungesë totale të tyre, ose janë të pranishëm jo më shumë se tre-katër ditë në javë. Sipas ekspertëve në të gjithë Shqipërinë rezultojnë më pak se 1000 mjekë familje.

Pas moshës 60-vjeçare kosto mjekësore e jetesës rritet shumë dhe sidomos për 70-80 vjeçarët, të cilët kanë nevojë për shërbim intensiv. Kjo rrit nevojat për mjekë dhe infermirë, sidomos në Geriartri.

  • Problemet shëndetësore

Bashkë me situatën e krijuar natyrshëm nga procesi biologjik i plakjes, të moshuarit përballen me një sërë problemesh dhe sfidash ende të paadresuara nga institucionet.

Në Shqipëri, sipas INSTAT, rreth 40% e të moshuarve vuajnë nga sëmundje kronike dhe jetojnë në varfëri, duke përkeqësuar sfidat e tyre shëndetësore. Nevojat për kujdes të vazhdueshëm për të moshuarit po rriten me shpejtësi në Shqipëri, por, nga ana tjetër, duket se shqetësimi nuk ka shkuar ende në veshët e qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilat kanë bërë pak për adresimin e këtyre nevojave.

Kompleksiteti i sëmundjeve kronike nga të cilat vuajnë të moshuarit, si diabeti, tensioni i lartë i gjakut, sëmundjet e zemrës, probleme respiratore, etj., kërkon asistencë të vazhdueshme shëndetësore. Nga të dhënat e studimit të HAP, kryer në vitin 2023 në Dibër dhe Fier me përfitues të kujdesit shëndetësor në banesë ose familjarë/ kujdestarë të tyre, rezulton se 450 pacientë raportuan gjithsej 937 probleme shëndetësore, kryesisht kronike, ku shumica e pacientëve (69.6%) raportuan se vuanin nga më shumë se një sëmundje.

Shoqata e Gerontologjisë së Shqipërisë raporton se 60 për qind e njerëzve të moshës 65 vjeç e lart kanë një ose më shumë sëmundje kronike dhe nga 30 deri në 40 për qind e medikamenteve përdoren nga kjo grupmoshë.

Read more

Ndryshon buxheti, shkurtohen me 34 mln euro fondet për arsimin dhe shëndetësinë

Arsimi dhe shëndetësia janë dy sektorë të nënfinancuar në vendin tonë dhe nga ana tjetër  në këto kohë kur kapitali njerëzor po shteron nga emigracioni dhe plakja financimi i tyre është jetik.

 Por në vend që të rriten fondet për arsimin dhe shëndetësinë u shkurtuan me tej në Aktin e tretë normativ për ndryshimet në buxhetin 2024 që u miratua këto ditë.

 Sipas tabelave të mëposhtme buxheti i Ministrisë së Shëndetësie u shkurtua me 2.3 miliardë lekë ose me 3%, ndërsa buxheti i Ministrisë së Arsimit u shkurtua me 1 miliardë lekë ose 2 për qind e programit total.

 Pesha e financimeve të arsimit dhe shëndetësisë në raport me buxhetin total po vjen në rënie vit pas viti. Aktualisht fondet e arsimit administrohen nga Ministria e Inovacionit e cila ka në kompetenca arsimin profesional me 3,4 miliardë lekë këtë vit dhe ministria e Arsimit me një fond 51.5 miliardë lekësh sipas ndryshimeve të fundit.

Në total fondet buxhetore për arsimin këtë vit janë 55 miliardë lekë, shumë kjo sa 7.1% e buxhetit  total. Vitin që kaloi shpenzimet  për arsimin ishin sa 9.7 % e totalit të buxhetit. Shpenzimet e arsimit në raport me të ardhurat në buxhet janë trend rënës që nga viti 2029, ku financimet në këtë zë ishin 11.4% e të ardhurave buxhetore.

Ecuri të ngjashme kane edhe shpenzimet për shëndetësinë. Në vitin 2024 shpenzimet për shëndetësinë janë programuar sipas ndryshimeve të fundit 75,9 miliardë lekë nga 77,9 miliardë lekë në aktin e dytë normativ.

Sipas programit aktual shpenzimet për shëndetësinë janë sa 9.8 të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Në vitin 2019 buxheti për shëndetësinë ishte sa 10..4% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore.

Shkurtimi i shpenzimeve për arsimin dhe shëndetësinë vjen në një kohë kur vendi ka rritur nevojat për financim për shkak të plakjes së popullsisë dhe rritjes së sëmundjeve kronike. Statistikat e shëndetit tregojnë për rritje me 5 % në vit të sëmundjeve kronike dhe Qendra Spitalore “Nënë Tereza” vuan gjithnjë nga mungesa të terapive për sëmundjet malinje dhe ato të rralla.

Nga ana tjetër rezultatet në rënie të rezultateve arsimore sipas testit “PISA” kërkojnë rritje të vëmendjes për arsimin. Në një kohë që popullsia e vendit tkurret dhe plaket, një arsim i mirë i të rinjve sot do të bëhet shkak për të çuar ekonominë në nivel tjetër në vitet në vazhdim.

Menaxhimi i financave publike prej vitesh vuan nga një shpërndarje jo e drejtë e burimeve. Teksa Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe buxheti i shtetit pothuajse janë dyfishuar në dekadën e fundit, Shqipëria ka aktualisht 42% të popullsisë së saj në rrezik të varfërisëniveli më i lartë në Europë, sipas të dhënave të Eurostat.

Gjithashtu organizatat ndërkombëtare  e rendisin vendin tonë në top listën me nivelet alarmante të emigracionit , sidomos në moshat e reja dhe në grupet e shkolluara./ B. Hoxha- Monitor

Read more

Vdekja e 17-vjeçares, alarm për Ministrinë e Shëndetësisë. TFL: Të futet menjëherë vaksina e meningokokut në kalendarin kombëtar të vaksinimit

Një vajzë 17-vjeçare nga Durrësi humbi jetën dje në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, si pasojë e meninigitit akut. Ky rast tragjik ka ringjallur shqetësimet për mungesën e vaksinës kundër meningokokut në kalendarin kombëtar të vaksinimit, duke theksuar urgjencën e ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse.

Në fillim të nëntorit, Together for Life (TFL) publikoi raportin “Monitorimi i Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030”, ku evidentoi se kjo vaksinë, edhe pse e parashikuar për t’u përfshirë që në vitin 2023 në kalendarin kombëtar të vaksinimit, rezulton se nuk është përfshirë as për vitin 2023 dhe as për 2024.

Në tryezën e organizuar për prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit, TFL i bëri thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të planifikojnë buxhetin e nevojshëm për futjen e kësaj vaksine në kalendarin e vitit 2025, si një hap i domosdoshëm për të përmbushur objektivin e mbulimit universal shëndetësor, përfshirë aksesin në vaksina të sigurta dhe efikase për të gjithë.

Shqipëria çdo vit regjistron 20-30 raste të meningjitit, që jo rrallë rezultojnë fatale për shëndetin apo jetën e të prekurve, kryesisht fëmijë dhe të rinj.

Meningjiti rezulton fatal veçanërisht kur preket cipa e trurit apo gjaku, që mesa duket është edhe rasti i 17-vjeçares.

Aplikimi i vaksinës kundër meningokokut konsiderohet si një mjet parandalues thelbësor, që rekomandohet veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë në mjedise të mbyllura, si konvikte, çerdhe dhe kopshte, dhe për ata me sistem të dobët imunitar.

Përfshirja e kësaj vaksine në kalendarin kombëtar, jo vetëm do të shmangte humbjen e jetëve në të ardhmen, por gjithashtu do të reduktonte barrën financiare për trajtimin e sëmundjeve të shkaktuara nga virusi meningokok.

Për Drejtoren Ekzekutive të TFL, Eglantina Bardhi: “Vaksina kundër meningokokut tashmë nuk është thjesht një mundësi, por një domosdoshmëri për ruajtjen e jetës së fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri. Humbja e jetës së 17-vjeçares të prekur nga meningokoku duhet të shërbejë si katalizator për veprime të menjëhershme dhe përkushtim më të madh ndaj shëndetit publik. Ministria e Shëndetësisë duhet të veprojë tani, nëpërmjet futjes menjëherë të vaksinës së meningokokut në kalendarin e vaksinave të viti 2025 si një masë e nevojshme dhe e domosdoshme parandaluese, që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.”

Read more

Mungesa e fondeve rrezikon kujdesin shëndetësor në shtëpi për të moshuarit

Sipas një raporti të organizatës “Together for Life”, më shumë se një e treta e të moshuarve ka nevojë për kujdes shëndetësor në banesë, ndërsa ky numër pritet të rritet ndjeshëm për shkak të plakjes së popullsisë shqiptare.

Në vitin 2021, për herë të parë në Shqipëri, u pilotua një tipologji e re shërbimi në disa qendra shëndetësore në Fier dhe Dibër, i quajtur “Kujdesi Shëndetësor në Banesë” (KSHB). Ky shërbim u mundësua nga projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP) me mbështetjen financiare të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Me ndihmën e projektit HAP, deri më tani janë përfshirë në këtë skemë 120 qendra shëndetësore në 18 Njësi Vendore të Kujdesit Shëndetësor. Megjithatë, ndërsa periudha e pilotimit po mbyllet, organizata “Together for Life” ngre shqetësimin se Ministria e Shëndetësisë nuk ka parashikuar mjaftueshëm fonde për mbulimin e plotë të kostove të këtij shërbimi.

“Që prej vitit 2021, kur ka filluar pilotimi i shërbimit shëndetësor në banesa, dhe deri më sot, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka parashikuar asnjë fond të dedikuar për këtë shërbim, përveç mbulimit të pagave të stafit mjekësor që e ofron këtë shërbim,” thuhet në raportin e TFL-së.

“Kështu krijohet përshtypja se, deri tani, Ministria e Shëndetësisë ia ka ngarkuar barrën financiare donatorëve, konkretisht qeverisë zvicerane, nëpërmjet projektit HAP,” shton raporti.

Rreth 35% e personave mbi moshën 70 vjeç përballen me probleme të lëvizshmërisë, ndërsa kjo shifër rritet ndjeshëm për ata mbi 85 vjeç. Sëmundjet si artriti, osteoporoza, goditjet në tru dhe parkinsoni janë ndër shkaqet kryesore të palëvizshmërisë.

“Nga përllogaritjet e kryera nga programi ‘Shëndet për të Gjithë’ (HAP), vlerësohet se në Shqipëri rreth 15 mijë deri në 20 mijë pacientë të invalidizuar kanë nevojë për shërbim në banesë,” thuhet më tej në raportin e TFL.

Organizata thekson se megjithëse shërbimi shëndetësor në banesë po shtrihet në të gjithë vendin, mungesa e buxhetimit të qëndrueshëm nga Ministria e Shëndetësisë rrezikon cilësinë e shërbimit.

Kostot e transportit, mungesa e pajisjeve mjekësore dhe materialeve të nevojshme, si dhe ngarkesa e lartë e punës, janë ndër sfidat kryesore me të cilat përballen infermierët.

“Ngarkesa e punës për një infermier varion nga 15 deri në 100 pacientë në muaj për t’u vizituar në banesat e tyre, ndërsa shumë prej infermierëve duhet të mbulojnë vetë kostot e transportit dhe pajisjeve të nevojshme,” evidenton raporti.

Të dhënat e mbledhura nga fokus-grupet me infermierë dhe familjarë të të moshuarve tregojnë gjithashtu se pensionet e ulëta dhe varfëria i lënë të moshuarit pa mbështetje adekuate shoqërore dhe ekonomike.

“Pensionet, me gjithë rritjet e përvitshme, mbeten të ulëta dhe të pamjaftueshme për mbulimin e nevojave bazë të pensionistëve,” shkruhet në raport.

“Varfëria i bën të moshuarit të ndihen të përjashtuar nga shoqëria, gjë që rëndon më tej situatën e tyre ekonomike, sociale dhe shëndetësore, veçanërisht për ata që jetojnë vetëm dhe nuk kanë mbështetje të mjaftueshme nga familjarët,” theksojnë autorët e raportit.

Rezultatet tregojnë gjithashtu se, përveç pamundësisë fizike, shumë të moshuar nuk mund të përballojnë financiarisht udhëtimet deri te qendrat shëndetësore.

“Sipas të dhënave të HAP, vetëm 8.9% e pacientëve të invalidizuar raportuan se mund të vizitonin qendrat shëndetësore pa ndihmë,” përfundon raporti./reporter.al

Read more

Korrupsioni në sektorin e kujdesit shëndetësor krijon pabarazi në aksesin ndaj shërbimeve

Korrupsioni mbetet një nga sfidat më të mëdha për Shqipërinë, duke prekur në mënyrë të veçantë sektorin e shëndetësisë dhe duke ndikuar drejtëpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve. Sipas GRECO[1], korrupsioni në sektorin e kujdesit shëndetësor, jo vetëm që rrit koston e shërbimeve dhe ul cilësinë e tyre, por gjithashtu dëmton besimin e pacientëve dhe krijon pabarazi në aksesin ndaj shërbimeve. Ky fenomen konsiderohet me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale, si dhe përbën një sfidë për buxhetin e shtetit.

Në këto vite shoqata “Together for Life” mbetet një nga zërat më të fuqishëm për denoncimin e korrupsionit në sektorin e shëndetësisë. Në raportet e prodhuara prej saj, është evidentuar se procedurat korruptive kanë mbërthyer sektorin dhe shembulli tipik janë katër koncesionet  e tipit PPP – partneritet publik-privat. Katër kontratat kryesore të Partneritetit Publik Privat (PPP) për kontrollet bazë mjekësore (“check-up”), sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale, dializën dhe shërbimin laboratorik kanë krijuar një barrë të madhe për buxhetin e shtetit çdo vit.

Këto kontrata jo vetëm që kanë munguar në transparencë, por janë shoqëruar me pagesa të padrejta dhe shkelje të ligjit, duke çuar në një dëm ekonomik të përllogaritur miliarda lekë. Shkeljet me koncesionet janë evidentuar jo vetëm nga raportet e prodhuara dhe publikuara nga TFL, por edhe nga Konstrolli i Lartë i Shtetit, Kuvendi i Shqipërisë, i cili ngriti një konmision të posaçëm për hetimin e dy prej koncesioneve, si dhe nga hetimet e deritanishme të SPAK i cili ka hapur hetime për të katër koncesionaret.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetimet për kontratat PPP, duke zbuluar se korrupsioni shpesh fillon që në fazën e vendimmarrjes për fondet. Për më tepër, Transparency International ka cilësuar rastin e koncesioneve në shëndetësi si shembull të korrupsionit të lartë në Ballkanin Perëndimor.

I vënë përpara presionit jo vetëm të opozitës, por në mënyrë të veçantë të opinionit publik, pasi shumë prej ministrave dhe titullarëve të lartë në institucionet qendrore dhe në bashki kanë përfunduar te hetuar dhe disa edhe të dënuar për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv, ku vendin e parë e zenë drejtuesit dhe ish drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Kryeministri Edi Rama së fundi propozoi përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) për të luftuar korrupsionin në proceset e prokurimit publik, përfshirë ato në shëndetësi.

Megjithatë, ekspertët kanë shprehur skepticizëm mbi këtë qasje, duke argumentuar se IA nuk mund të zgjidhë problemin rrënjësor të korrupsionit pa ndërhyrje strukturore. Edhe pse IA mund të automatizojë proceset, të kryejë analiza në kohë reale dhe të adresojë rreziqet e mashtrimit dhe gabimeve, fillimisht asaj i duhen të dhëna cilësore dhe menaxhim i mirë të tyre, fusha ku Shqipëria ende ka mangësi të mëdha.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit na duhet të kujtojmë edhe një herë se lufta kundër korrupsionit kërkon përpjekje të vazhdueshme, transparencë dhe përgjegjshmëri nga institucionet shtetërore. Pa vullnet politik dhe pa reforma të thella në sistem, korrupsioni do të mbetet një sfidë madhore për Shqipërinë.

Shoqata Together for Life mbetet e angazhuar për të ngritur zërin kundër korrupsionit dhe për të siguruar një sistem shëndetësor më të drejtë dhe më të përballueshëm për të gjithë qytetarët.


[1] Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO) u themelua në vitin 1999 nga Këshilli i Evropës për të monitoruar pajtueshmërinë e shteteve me standardet kundër korrupsionit të kësaj organizate

Read more

Bashkia Kukës me performancën më të dobët në menaxhimin financiar dhe llogaridhënien

Shoqata “Together for Life”  shpreh shqetësim mbi raportin e monitorimit “Qytetarët të parët: Bashkë për një qeverisje vendore transparente!”, i cili zbulon një rënie të vazhdueshme në menaxhimin financiar, llogaridhënien dhe ofrimin e shërbimeve të pushtetit vendor.

Raporti i Monitorimit analizon shpenzimet e kryera (faktike) nga Bashkia Kukës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 (Janar – Qershor), sipas zërave të shpenzimeve dhe produkteve/projekteve të investimeve publike krahasuar me planifikimin fillestar të buxhetit të miratuar nga Këshilli Bashkiak për vitin 2024 dhe shqyrton arritjet e Bashkisë Kukës në drejtim të realizimit të objektivave të përcaktuara në buxhetin 2024, nën lupën e transparencës dhe llogaridhënies së këtyre rezultateve ndaj të gjitha palëve të interesuara, në mënyrë të veçantë ndaj qytetarëve dhe nevojave të tyre

Bashkia Kukës renditet ndër Bashkitë me rënien më të madhe të ardhurave krahas bashkisë Belsh, Skrapar dhe Memaliaj (mbi 20% rënie), referuar Raportit 2023 Financat Publike Vendore publikuar nga Ministria e Financave.

9 bashki nga totali kanë patur një rënie të shpenzimeve në vitin 2023 në raport me shpenzimet e realizuara në vitin 2022.

 Ndër bashkitë me rënien më të madhe të shpenzimeve janë renditur bashkitë Kukës, Roskovec dhe Konispol, me rënie 10 -11% në krahasim me një vit më parë. Në këtë raport, si dhe në dokumentat buxhetor të Bashkisë Kukës mungojnë analizat mbi shkaqet e kësaj performance dhe masat e marra për përmirësimin e saj.

Buxheti total i Bashkisë Kukës rezulton i planifikuar në masën 1.612 miliardë lekë dhe parashikohet të shpenzohet kryesisht për:

  • pagesat sociale si strehimi social, ndihma ekonomike dhe pagesa e paaftësisë në masën
  • 22%;
  • (për shërbimet komunitare në masën 17%;
  • dhe për shpenzime administrative të bashkisë në masën 16%.

Referuar natyrës së shpenzimeve buxheti i Bashkisë Kukës planifikohet të shpenzohet si vijon:

  • 56% për shpenzime operative, mirëmbajtje, pagesa sociale dhe shërbime të ndryshme;
  • 34% për paga dhe sigurime shoqërore për administratën e bashkisë dhe njësive administrative;
  • dhe vetëm 10% e këtij buxheti i dedikohet investimeve publike të nevojshme për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve.

Pavarësisht se objektivat e vendosur në dokumentin buxhetor afatmesëm rezultojnë të formuluar mirë dhe adresojnë nevojat dhe problematikat e bashkisë Kukës, është e vështirë të gjesh më tej në dokumentin buxhetor afatmesëm produkte konkrete për çdo program buxhetor dhe tregues performance të matshëm për të vlerësuar se si këto objektiva do të arrihen përmes buxhetit të planifikuar për vitin 2024. Cilësia e planifikimit buxhetor afatmesëm të Bashkisë Kukës rezulton e dobët dhe jo në përputhje me parashikimet ligjore dhe nënligjore të fushës së menaxhimit të sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë.

Kjo cilësi e dobët përkthehet në mungesë informacioni dhe transparance për qytetarët e Bashkisë Kukës mbi eficiencën dhe efektivitetin e përdorimit të fondeve publike në drejtim të adresimit të nevojave dhe prioriteteve të zonës. Informacioni i disponueshëm për çdo program buxhetor është i mbështetur në shpenzime dhe shumë pak në produkte. Dhe, në rastet kur është bërë përpjekje për të identifikuar produkte, ato në realitet përfaqësojnë shpenzime sipas natyrës ekonomike dhe jo rezultate konkrete të pritshme.

Në raport theksohet se ”informacioni zyrtar i publikuar nga Bashkia Kukës për pjesën e planifikimit, zbatimit dhe monitorimit të buxhetit për vitin 2024 rezulton i kufizuar, me cilësi të dobët dhe analiza bazike financiare. Raportet e publikuara të lidhura me Planifikimin Buxhetor Afatmesëm, Buxhetin dhe Monitorimin 4-mujor të tij rezultojnë ushtrime teorike e pa përmbajtje thelbësore, duke ndikuar në nivelin e transparencës në tërësi sa i përket procesit të buxhetimit të ndjekur nga Bashkia Kukës në të gjitha hallkat e tij.”

Sipas raportit, të ardhurat e Bashkisë Kukës rezultojnë të kufizuara me mesatarisht 9%, ndaj totalit të buxhetit të Bashkisë, ndërkohë që varësia nga buxheti qendror rezulton jetike për të mundësuar që të përmbushen funksionet bazë dhe ato të deleguara të pushtetit qëndror.

 Kjo prirje shqetësuese nxjerr në pah nevojën urgjente për reforma, rritjen e mbikëqyrjes dhe përmirësimin e kontrolleve financiare për të rikthyer besimin e publikut në qeverisjen vendore. 

Raportin e plotë e gjeni:https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2024/11/Raporti-Monitorimi-Buxheti-2024-B.Kukes_.pdf

*Raporti i monitorimi është përgatitur në kuadër të projektit “Qytetarët të parët: Bashkë për një qeverisje vendore transparente!”, zbatuar nga Shoqata Together for Life, me mbështetje nga skema e granteve “BAT-Shoqëria Civile”, e zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim IDM Albania, në partneritet me Qendrën për Kërkim dhe Politikë-bërje (QKPM) dhe Faktoje, mbështetur financiarisht nga European Union in Albania.

Read more

PËRGJEGJËSIT E KONCESIONARIT TË STERILIZIMIT PËRGJIGJEN JO VETËM NË SPAK, POR EDHE NË KOMISIONIN HETIMOR PARLAMENTAR

Në ditën e sotme, Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe Check-Up në Shëndetësi zhvilloi një seancë të rëndësishme ku u vazhdon të thërrasë për të dhënë shpjegime persona të akuzuar ose që kanë dijeni për lidhjen e kontratës së sterilizimit dhe implemetimin e saj. Personi i parë i thirrur sot në komision ishte biznesmeni Ilir Rrapaj, fitues i tenderit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro.  Biznesmeni Rrapaj, është një nga të arrestuarit nga SPAK së bashku me ish-zëvendësministri e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj. Nën hetim për këtë koncesion është dhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, i cili është arrestuar nga SPAK për çështjen e akuzimit me fondet e SASPAK. Rrapaj deklaroi se edhe pse ish-ministrin dhe ish zëvendësministrin e Shëndetësisë së asaj periudhe (2024-2025) i ka njohur nga larg dhe e ka’fituar’ tenderin me meritë edhe pse me një kompani të sapokrijuar dhe me fond themelimi prej vetëm 1000 eurosh.

Koncesioni i sterilizimit, një projekt 10-vjeçar i dhënë nga qeveria shqiptare, iu dha konsorciumit të drejtuar nga Rrapaj me kompaninë e tij “Investital LLC” në bashkëpunim me partnerë italianë. Rrapaj, dikur një biznesmen i panjohur, përfitoi nga njohjet me ish-ministrin Beqaj, duke fituar tenderin për sterilizim me mbështetjen e qeverisë. Kjo procedurë u mbështet me arsyetimin e rritjes së infeksioneve spitalore, por vazhdoi të krijonte kosto të rënda për buxhetin. Edhe pse kjo skemë pretendonte të ndihmonte sistemin shëndetësor, rezultoi në shpenzime të rritura dhe dyshime për pastrim parash në përfitim të qeveritarëve dhe kompanive të lidhura.

Kontrata e sterilizimit është një marrëveshje e tipit të Partneritetit Publik Privat (PPP) e vitit 2015, përmes së cilës i është dhënë koncesioni për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale kompanisë “SaniService”, ku aksionari kryesor është Investital LLC, një kompani e vogël e themeluar nga Ilir Rrapaj me kapital fillestar 1,000 euro në Kosovë.

Ky koncesion ka sjellë kosto të larta për buxhetin e shtetit, me çmime të shërbimeve që variojnë nga 16,000 deri në 45,000 lekë për çdo ndërhyrje kirurgjikale. Ky tender është bërë pjesë e hetimeve për përfitime të dyshimta dhe manipulim të të dhënave, jo vetëm nga Komisioni parlamentar, por edhe nga struktura e posacme e hetimit për rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar – SPAK. 

Më herët, në vitin 2022, Shoqata “Together for Life” ka publikuar një Analizë të “Kostove Totale të Buxhetit të Shëndetësisë për Mbulimin e Pagesave të Planifikuara për kontratat koncesionare”, ku thekson se koncesioni i sterilizimit ka pasur një ndikim të madh në buxhetin e shtetit dhe shërbimet publike shëndetësore, duke rritur përfitimet e privatit në mënyrë të padrejtë, nëpërmjet manipulimit të të dhënave dhe krijimit të një pasqyre të deformuar të shërbimeve të ofruara.

Sipas këtij raporti ‘gjatë periudhës 2019-2020, raportet e koncesionarit të sterilizimit kanë patur mospërputhje të dukshme me të dhënat që vinin nga Qendrat Spitalore, çka ka ngritur dyshime të forta mbi saktësinë e shërbimeve të ofruara. Një nga shqetësimet kryesore lidhet me raportimin e operacioneve të kompleksitetit të lartë, për të cilat kompania Sani-Service ka deklaruar se ka kryer 232 ndërhyrje, ndërkohë që verifikimet e mëpasshme kanë treguar se ato operacione ishin të nivelit të mesëm ose të ulët. Ky manipulim i të dhënave ka ndikuar në përllogaritjen e kostos së shërbimeve dhe ka krijuar një situatë ku shpenzimet publike mund të kenë qenë të fryra.” Për më tepër, setet kirurgjikale për ndërhyrjet e kompleksitetit të lartë, që kanë një kosto prej 37.700 lekë, janë përdorur për ndërhyrje që mund të kishin kosto shumë më të ulët. Ndërhyrjet me kompleksitet të mesëm kushtojnë 22.300 lekë, ndërsa ato me kompleksitet të ulët vetëm 13.900 lekë. Kjo mospërputhje në raportimet e kërkesave për shërbime dhe ato që janë ofruar ka ngritur alarmin në Komisionin Hetimor dhe ka kërkuar një analizë të thelluar të menaxhimit të këtij koncesioni.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, autoritet kontraktual i koncesionit të sterilizimit deri më sot ka dështuar të japi informacion rreth ecurisë së këtij koncesioni. Kjo është vënë në dukje edhe në raportin më të fundit të prodhuar nga TFL, për Monitorimin e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030. Shoqata Together for Life ka kërkuar nga MSHMS rritjen e transparencës për koncesionet si dhe marrjen e masave për  rishikimin dhe përmirësimin e procedurave për tenderimin e shërbimve, përfshirë edhe atë të sterilizimit që përfundon në janar 2025, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe garantimin e shpenzimeve bazuar mbi një analizë të detajuar kosto përfitim.

Read more
sqAlbanian