Një rast i ri i meningjitit ka sjellë shqetësim në qytetin e Durrësit, pasi një 14-vjeçar është shtruar me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës. Ky rast u diagnostikua me meningjit fundjavën që kaloi dhe ndodhet aktualisht nën kujdesin intensiv të mjekëve. Sipas autoriteteve mjekësore, i mituri ka marrë trajtim të shpejtë dhe është ndjekur nga urgjenca e Spitalit të Durrësit, por, për shkak të gjendjes së tij, është transferuar në QSUT për vlerësim dhe kujdes më të thelluar.
Rasti ka ngritur shqetësimin e prindërve lidhur me mungesën e masave për parandalimin dhe mbrojtjen nga ky infeksion, ndërkohë që vaksinimi kundër meningjitit nuk përfshihet në kalendarin kombëtar të vaksinimit në Shqipëri. Kjo ka krijuar një panik të shtuar, pasi fëmijët e prekur po përjetojnë vështirësi shëndetësore, dhe qytetarët ndihen të pasigurt.
Në fillim të nëntorit, Together for Life (TFL) publikoi raportin “Monitorimi i Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030”, evidentoi se kjo vaksinë, edhe pse e parashikuar për t’u përfshirë që në vitin 2023 në kalendarin kombëtar të vaksinimit, rezulton se nuk është përfshirë as për vitin 2023 dhe as për 2024.
Në tryezën e organizuar për prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit, TFL i bëri thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të planifikojnë buxhetin e nevojshëm për futjen e kësaj vaksine në kalendarin e vitit 2025, si një hap i domosdoshëm për të përmbushur objektivin e mbulimit universal shëndetësor, përfshirë aksesin në vaksina të sigurta dhe efikase për të gjithë.
Shqipëria çdo vit regjistron 20-30 raste të meningjitit, që jo rrallë rezultojnë fatale për shëndetin apo jetën e të prekurve, kryesisht fëmijë dhe të rinj.
Aplikimi i vaksinës kundër meningokokut konsiderohet si një mjet parandalues thelbësor, që rekomandohet veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë në mjedise të mbyllura, si konvikte, çerdhe dhe kopshte, dhe për ata me sistem imunitar të dobësuar.
Përfshirja e kësaj vaksine në kalendarin kombëtar, jo vetëm do të shmangte humbjen e jetëve në të ardhmen, por gjithashtu do të reduktonte barrën financiare për trajtimin e sëmundjeve të shkaktuara nga virusi meningokok.
Nga ana tjetër, Instituti i Shëndetit Publik ka bërë një reagim publik për të sqaruar situatën dhe për të informuar qytetarët për masat që janë marrë. ISHP thekson se infeksioni i shkaktuar nga Neisseria meningitis është një sëmundje infektive, e cila përhapet shpejt përmes kontaktit të ngushtë dhe mund të shfaqet në forma fulminante. Megjithatë, autoritetet sigurojnë se janë marrë masa rigoroze për profilaksinë, janë ndjekur rekomandimet për masat e profilaksisë për familjarët, personelin shëndetësor në Durrës 19 persona, personeli shëndetësor në QSUT si dhe kontaktet e ngushta në klasën e rastit, ku kanë marrë profilaksinë me antibiotikë 24 nxënës dhe 6 mësues duke ndjekur duke respektuar Udhëzuesin specifik si për çdo rast tjetër të dyshuar apo të konfirmuar me Neisseria meningitis.
Instituti i Shëndetit Publik theksoi gjithashtu se pacienti 14-vjeçar po trajtohet sipas protokolleve të mjekimit të meningjitit dhe gjendja e tij po monitorohet nga ekipet mjekësore në terapi intensive. Autoritetet kanë siguruar qytetarët se situata është nën kontroll dhe se nuk ka asnjë neglizhencë në menaxhimin e rastit, përkundrazi, po ndiqen hapat e duhur për mbrojtjen e shëndetit publik.
Kërkoni menjëherë kujdes mjekësor nëse ju ose dikush në familjen tuaj ka simptoma të meningjitit si:
Ethe
Dhimbje koke që nuk largohet
Konfuzion
Të vjella
Qafë e ngurtë
Faktorët e rrezikut për meningjitin përfshijnë:
Mosbërja e vaksinave. Rreziku rritet për këdo që nuk i ka bërë të gjitha vaksinat e fëmijërisë ose të të rriturve.
Mosha. Meningjiti viral më së shpeshti shfaqet tek fëmijët më të vegjël se 5 vjeç. Meningjiti bakterial është i zakonshëm tek ata më të rinj se 20 vjeç.
Të jetuarit në grupe. Studentët që jetojnë në konvikte, njerëzit në baza ushtarake dhe fëmijët në çerdhe dhe kopshte janë në rrezik më të madh të meningjitit meningokokal. Kjo është ndoshta sepse mikrobi përhapet shpejt nëpër grupe të mëdha.
Shtatzënia. Shtatzënia rrit rrezikun e një infeksioni të shkaktuar nga bakteret listeria, e cila gjithashtu mund të shkaktojë meningjit. Infeksioni rrit rrezikun e abortit, lindjes së vdekur dhe lindjes së parakohshme.
Sistemi imunitar i dobësuar. SIDA, çrregullimi i përdorimit të alkoolit, diabeti, ilaçet që ulin sistemin imunitar dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në sistemin imunitar rrisin rrezikun e meningjitit.
Humbja nga kontrantat koncensionare deri më 2021 arrin në 47,5 milionë euro, të mjaftueshme për ndërtimin e një spitali të ri
MUNGESA E FINANCIMIT
Nënfinacimi kronik dhe planifikimi i dobët vijon të rëndojë sistemin shëndetësor në vendin tonë vitet e fundit. Koncensionet nuk kanë përmbushur qëllimin e tyre për shërbime shëndetësore cilësore në kohë dhe me kosto të ulët, ( për mbulim universal).
“Nëse shohim investimet në infrastrukturë , për çdo 1 lekë të investuar për ndërtimin e një qendre shëndetësore, 6 lekë shkojnë për koncensione”, u shpreh, Doktor. Ilir Alimehmeti në tryezën e organizuar nga shoqata “Together for Life” ku u prezantua raporti, “Monitorimi i Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 – Arritjet dhe Sfidat”.
Sfidat e shëndetit publik të vendit tonë janë në rritje. Ne përballemi me sfidat e vazhdueshme të gripit sezonal, shpërthimet e sëmundjeve të parandalueshme me vaksina , kërcënimet e paprecedenta të pandemisë COVID-19, krizë që ka evidentuar akoma më shumë rreziqet.
Ndërkohë, shpenzimet për shëndetin publik, si pjesë e shpenzimeve totale për shëndetin, vijojnë të ulen, fakt i evidentuar edhe nga profesionistët e shëndetit.
“Sistemi jonë shëndetësor sëmundjen e ka se në rradhë të parë s’ka lek. Kjo është sëmundja. Në rradhë të parë s’ka lek. Është i nënfinancuar në një shkallë tejmase të ulët. T’i lëmë gjërat sikur funksionon gjithçka. Nuk funksionon. Shëndetësia kushton. Shëndetësisë i duhet kushtuar vëmendje financiare. Që nga financimi , më pas mirëmenaxhimi, mosabuzimi e më rradhë.
Për sa i përket strategjisë , mbulimit universal, kapilarizimit të sistemit shëndetësor, sistemi shëndetësor parësor, ka ulje. Gjetja numër 5, e raportit të TFL; financimi nga 11.4%, është në 9.1 përqind në sistemin parësor, që do të thotë heqje vëmndje nga ky sektor”, thekson Alimehmeti.
SFIDAT E SEKTORIT
Kritike për mbrojtjen e shëndetit të publikut mbetet personeli i mirëtrajnuar dhe me burime të përshtatshme.
Ilir Alimehmeti: “S’kemi menduar për geriartrinë dhe nuk njihet as si fjalë. (degë e mjekësisë që merret me trajtimin e sëmundjeve ekzistuese tek të rriturit moshuar). Numri i mjekeve të familjes është më pak se 1000, 960 rezultojnë të licensuar. Nëse nuk planifikojmë bazuar në evidenca reale, nëse nuk krijojmë protokolle mjekimi, nuk shërojmë asnjë nga këto plagë.”
Shqetësuese për sistemin shëndetësor mbeten largimet në rradhët e bluzave të bardha, të cilat sjellin mungesa, sidomos në zonat rurale.
“Ne kemi një numër të madh të profesionistëve që janë të fokusuar në Tiranë dhe kemi një mungesë të theksuar në zonat rurale. Këtu doja të theksoja që duhet të punojmë kryesisht në infermirë , të cilët duhet të bëjnë përshkrimin e medikamenteve. Pra duhet të ndryshojë strategjia. Duhet të shikojmë një ekip shëndetësor, ku infermieri bën përshkrimin e medikamenteve, sidomos të sëmundjeve kronike. Ky do të ishte kujdes më i shtuar për zonat rurale dhe do të ishte një rritje e rolit të lidershipit të infermierëve në lidhje me fuqizimin e tyre në dhënien e shërbimeve shëndetësore”, theksoi gjatë fjalës së saj Blerina Duka-PRESIDENTE E URDHRIT TË INFERMIERËVE.
Edhe znj. Duka theksoi se duhet të rishikohen politikat shëndetësore në lidhje me geriatrinë, pasi jemi një popullsi në plakje. Të moshuarit mbi 65 vjeç nga 11% ,sipas censusit të vitit 2023 rezulton se ka arritur në 20%.
Blerina Duka:“Janë katër sfida në të cilat duhet të punohet më shumë. Ne duhet të punojmë kryesisht me geriatrinë. Është një element shumë i rëndësishëm sepse jemi një popullsi në plakje. Duhet të shikojmë shumë shëndetin mendor, urgjencën dhe pediatrinë. Këto janë katër fushat që duhet të punohet kryesisht për të ndërtuar një program të specializuar për sfidat e mëtejshme.”
Sistemi shëndetësor duhet të kthehet në prioritet të çdo qeverie, si një sistem jetik, duke hartuar dhe zbatuar politika të bazuara në analiza dhe të konsultuara me të gjithë aktorët, që kanë në fokus ofrimin e shërbimeve cilësore në kohë dhe të përballueshme, veçanërisht për grupet vulnerable.
KONTRATAT KONCENSIONARE – SHUMË PARA, PAK PËRFITIME
Vitet e fundit shoqata Together For Life ka prodhuar disa raporte të fokusuara në monitorimin e eficencës së shpenzimeve publike në sektorin e shëndetësisë. Në të gjitha këto raporte është ngritur shqetësimi rreth nivelit të ulët të buxhetimit të sektorit të shëndetësisë dhe menaxhimit joefikas të fondeve të alokuara vit pas viti. Raportet janë ndalur në analizimin e koncesioneve të tipit PPP që janë aplikuar në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri, ku është evidentuar mungesë e theksuar transparence dhe llogaridhënieje. TFL ka qenë ndër të parat që ka ngritur që në fillim shqetësimin, më pas të bazuar edhe në gjetjet e raporteve për problematikat e krijuara nga aplikimi i këtyre koncesioneve. Raportet kanë evidentuar se kontratat PPP janë lidhur pa studime të qarta fizibiliteti dhe analize kosto-përfitim për buxhetin dhe marrësit e shërbimit. Po ashtu shqetësues është konsideruar fakti që kompanitë koncesionare nuk janë ‘trazuar’ nga institucionet përgjegjëse gjatë implementimit të koncesioneve dhe disa prej kompanive nuk kanë dorëzuar bilancet financiare. Aplikimi i TVSH-së në kundërshtim me ligjin dhe pagesat për shërbime të pakryera, si në rastin e Check-Up dhe Dializës, përbëjnë shkelje serioze që kanë ngarkuar buxhetin publik.
Për më tepër, korrupsioni dhe shkeljet në prokurime janë klasifikuar si raste të nivelit të lartë nga Transparency International dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. Raportet tregojnë manipulime në raportime, si në rastin e koncesionit të Sterilizimit, dhe favorizime të kompanive pa përvojë në sektor. Investimet e koncesionarëve janë minimale, duke përfaqësuar vetëm 9% të të ardhurave të tyre, ndërsa përfitimet e tyre janë të mëdha.
Mungesa e strukturave për monitorimin e kontratave dhe kanalizimi i fondeve publike në shërbime jo prioritare kanë dëmtuar financat e sektorit të shëndetësisë. PPP-të përbëjnë një barrë të rëndë për buxhetin publik, duke marrë një pjesë të madhe të fondeve që mund të ishin përdorur për shërbime prioritare dhe investime në infrastrukturë shëndetësore. Këto problematika theksojnë domosdoshmërinë për reforma të thella në menaxhimin dhe mbikëqyrjen e PPP-ve në sektorin e shëndetësisë.
Një nga gjetjet e raportit “Kostoja totale e buxhetit të Shëndetësisë për mbulimin e pagesave të planifikura për kontratat koncensionre” evidenton se dëmi i pjesshëm ekonomik nga koncesionet në shëndetësi shkaktuar deri në fund të vitit 2021 bazuar në të dhënat e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe nga Ministrisë së Financave arrin në rreth 5,6 miliardë lekë ose 47.5 milionë euro. Kjo shumë është sa 25% e shumës totale të akorduar gjithsej për këto koncesione deri në fund të vitit 2022 (projeksion). Shuma prej 47,5 milionë eurosh do të ishte e mjaftueshme për ndërtimin e një spitali të ri.
Arsimi dhe shëndetësia janë dy sektorë të nënfinancuar në vendin tonë dhe nga ana tjetër në këto kohë kur kapitali njerëzor po shteron nga emigracioni dhe plakja financimi i tyre është jetik.
Por në vend që të rriten fondet për arsimin dhe shëndetësinë u shkurtuan me tej në Aktin e tretë normativ për ndryshimet në buxhetin 2024 që u miratua këto ditë.
Sipas tabelave të mëposhtme buxheti i Ministrisë së Shëndetësie u shkurtua me 2.3 miliardë lekë ose me 3%, ndërsa buxheti i Ministrisë së Arsimit u shkurtua me 1 miliardë lekë ose 2 për qind e programit total.
Pesha e financimeve të arsimit dhe shëndetësisë në raport me buxhetin total po vjen në rënie vit pas viti. Aktualisht fondet e arsimit administrohen nga Ministria e Inovacionit e cila ka në kompetenca arsimin profesional me 3,4 miliardë lekë këtë vit dhe ministria e Arsimit me një fond 51.5 miliardë lekësh sipas ndryshimeve të fundit.
Në total fondet buxhetore për arsimin këtë vit janë 55 miliardë lekë, shumë kjo sa 7.1% e buxhetit total. Vitin që kaloi shpenzimet për arsimin ishin sa 9.7 % e totalit të buxhetit. Shpenzimet e arsimit në raport me të ardhurat në buxhet janë trend rënës që nga viti 2029, ku financimet në këtë zë ishin 11.4% e të ardhurave buxhetore.
Ecuri të ngjashme kane edhe shpenzimet për shëndetësinë. Në vitin 2024 shpenzimet për shëndetësinë janë programuar sipas ndryshimeve të fundit 75,9 miliardë lekë nga 77,9 miliardë lekë në aktin e dytë normativ.
Sipas programit aktual shpenzimet për shëndetësinë janë sa 9.8 të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Në vitin 2019 buxheti për shëndetësinë ishte sa 10..4% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore.
Shkurtimi i shpenzimeve për arsimin dhe shëndetësinë vjen në një kohë kur vendi ka rritur nevojat për financim për shkak të plakjes së popullsisë dhe rritjes së sëmundjeve kronike. Statistikat e shëndetit tregojnë për rritje me 5 % në vit të sëmundjeve kronike dhe Qendra Spitalore “Nënë Tereza” vuan gjithnjë nga mungesa të terapive për sëmundjet malinje dhe ato të rralla.
Nga ana tjetër rezultatet në rënie të rezultateve arsimore sipas testit “PISA” kërkojnë rritje të vëmendjes për arsimin. Në një kohë që popullsia e vendit tkurret dhe plaket, një arsim i mirë i të rinjve sot do të bëhet shkak për të çuar ekonominë në nivel tjetër në vitet në vazhdim.
Menaxhimi i financave publike prej vitesh vuan nga një shpërndarje jo e drejtë e burimeve. Teksa Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe buxheti i shtetit pothuajse janë dyfishuar në dekadën e fundit, Shqipëria ka aktualisht 42% të popullsisë së saj në rrezik të varfërisëniveli më i lartë në Europë, sipas të dhënave të Eurostat.
Gjithashtu organizatat ndërkombëtare e rendisin vendin tonë në top listën me nivelet alarmante të emigracionit , sidomos në moshat e reja dhe në grupet e shkolluara./ B. Hoxha- Monitor
Korrupsioni mbetet një nga sfidat më të mëdha për Shqipërinë, duke prekur në mënyrë të veçantë sektorin e shëndetësisë dhe duke ndikuar drejtëpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve. Sipas GRECO[1], korrupsioni në sektorin e kujdesit shëndetësor, jo vetëm që rrit koston e shërbimeve dhe ul cilësinë e tyre, por gjithashtu dëmton besimin e pacientëve dhe krijon pabarazi në aksesin ndaj shërbimeve. Ky fenomen konsiderohet me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale, si dhe përbën një sfidë për buxhetin e shtetit.
Në këto vite shoqata “Together for Life” mbetet një nga zërat më të fuqishëm për denoncimin e korrupsionit në sektorin e shëndetësisë. Në raportet e prodhuara prej saj, është evidentuar se procedurat korruptive kanë mbërthyer sektorin dhe shembulli tipik janë katër koncesionet e tipit PPP – partneritet publik-privat. Katër kontratat kryesore të Partneritetit Publik Privat (PPP) për kontrollet bazë mjekësore (“check-up”), sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale, dializën dhe shërbimin laboratorik kanë krijuar një barrë të madhe për buxhetin e shtetit çdo vit.
Këto kontrata jo vetëm që kanë munguar në transparencë, por janë shoqëruar me pagesa të padrejta dhe shkelje të ligjit, duke çuar në një dëm ekonomik të përllogaritur miliarda lekë. Shkeljet me koncesionet janë evidentuar jo vetëm nga raportet e prodhuara dhe publikuara nga TFL, por edhe nga Konstrolli i Lartë i Shtetit, Kuvendi i Shqipërisë, i cili ngriti një konmision të posaçëm për hetimin e dy prej koncesioneve, si dhe nga hetimet e deritanishme të SPAK i cili ka hapur hetime për të katër koncesionaret.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetimet për kontratat PPP, duke zbuluar se korrupsioni shpesh fillon që në fazën e vendimmarrjes për fondet. Për më tepër, Transparency International ka cilësuar rastin e koncesioneve në shëndetësi si shembull të korrupsionit të lartë në Ballkanin Perëndimor.
I vënë përpara presionit jo vetëm të opozitës, por në mënyrë të veçantë të opinionit publik, pasi shumë prej ministrave dhe titullarëve të lartë në institucionet qendrore dhe në bashki kanë përfunduar te hetuar dhe disa edhe të dënuar për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv, ku vendin e parë e zenë drejtuesit dhe ish drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Kryeministri Edi Rama së fundi propozoi përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) për të luftuar korrupsionin në proceset e prokurimit publik, përfshirë ato në shëndetësi.
Megjithatë, ekspertët kanë shprehur skepticizëm mbi këtë qasje, duke argumentuar se IA nuk mund të zgjidhë problemin rrënjësor të korrupsionit pa ndërhyrje strukturore. Edhe pse IA mund të automatizojë proceset, të kryejë analiza në kohë reale dhe të adresojë rreziqet e mashtrimit dhe gabimeve, fillimisht asaj i duhen të dhëna cilësore dhe menaxhim i mirë të tyre, fusha ku Shqipëria ende ka mangësi të mëdha.
Sot, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit na duhet të kujtojmë edhe një herë se lufta kundër korrupsionit kërkon përpjekje të vazhdueshme, transparencë dhe përgjegjshmëri nga institucionet shtetërore. Pa vullnet politik dhe pa reforma të thella në sistem, korrupsioni do të mbetet një sfidë madhore për Shqipërinë.
Shoqata Together for Life mbetet e angazhuar për të ngritur zërin kundër korrupsionit dhe për të siguruar një sistem shëndetësor më të drejtë dhe më të përballueshëm për të gjithë qytetarët.
[1] Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO) u themelua në vitin 1999 nga Këshilli i Evropës për të monitoruar pajtueshmërinë e shteteve me standardet kundër korrupsionit të kësaj organizate
Rreth 63 përqind e qytetarëve të anketuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë pranuar se kanë blerë ilaçe pa pullë fiskale. “Ky rezultat tregon për shitjen e barnave kontrabandë në vend”, thonë audituesit shtetëror në një Raport Auditi Performance për “Efektin dhe sigurinë e barnave që qarkullojnë në Shqipëri”.
Raporti është publikuar së fundmi dhe, megjithëse nuk e përmend konkretisht, të dhënat e anketimit mbi përhapjen e barnave pa pullë fiskale, ngarkojnë me përgjegjësi Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, e drejtuar nga Gent Gazheli që prej shtatorit 2020.
Të dhënat e kronikës policore tregojnë se janë kryer herë pas here operacione për kontrabandën e ilaçeve, përfshirë edhe një hetim të zhvilluar pak muaj më parë nga Prokuroria e Tiranës.
Megjithatë, goditjet e strukturave ligjzbatuese janë tërësisht anemike, ndërkohë që rastet e zbuluara dhe të referuara për kontrabandën e barnave nga Doganat janë thuajse sa gishtat e njërës dorë.
Besimi i ulët tek cilësia e barnave
Sondazhi i KLSH-së jep edhe të dhëna të tjera problematike mbi cilësinë dhe shpërndarjen e medikamenteve në Shqipëri.
Shumica absolute e të anketuarve, rreth 98% tyre, zgjedhin barna të importuar nga jashtë, në krahasim me 2% të tyre që zgjedhin barna, të cilat prodhohen në Republikën e Shqipërisë.
Lidhur me blerjen e barnave jashtë vendit, “vetëm 9% e tyre shprehet se nuk janë detyruar ndonjëherë të blejnë barna jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër shprehen se iu është dashur të blejnë barna jashtë vendit për shkak se nuk kanë besim tek barnat që tregtohen në RSH, nuk është gjetur në farmacitë e vendit si dhe është sugjeruar nga mjeku i familjes”, thuhet në sondazhin e KLSH-së.
Po ashtu, 45% e qytetarëve shprehen se janë detyruar të shtyjnë kurën për shkak se kanë pritur t’ju sjellë ndonjë i afërm ilaçe nga jashtë vendit.
Sipas perceptimit të qytetarëve 34% e tyre mendojnë se barnat e përdorur kanë qenë pjesërisht efektiv dhe 8% e tyre mendojë se barnat nuk kanë qenë aspak efektive.
Mungesë transparence për ilaçet e refuzuara
Gjatë procedurës audituese, KLSHA ka konstatuar se Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) “nuk ka bërë transparencë dhe informim të vazhdueshëm te qytetarët dhe profesionistët e fushës në lidhje me produktet medicinale, për të cilat janë refuzuar, revokuar ose pezulluar autorizimet e tregtimit, furnizimi i të cilave është ndaluar ose janë tërhequr nga tregu”.
Gjithashtu, rezulton se AKBPM nuk ka kryer analiza laboratorike për barnat, të cilat janë konsideruar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA) apo nga institucionet homologe, si të dëmshme për shëndetin e konsumatorëve, si dhe nuk ka marr masat e duhura nëpërmjet kryerjes së inspektimeve në rastet kur është njoftuar për tërheqjen nga tregu të barnave të caktuara.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, “mungesa e transparencës me qytetarët dhe mos marrja e masave në kohë reale për njoftimet e rëndësishme të institucioneve homologe mbi barnat e konsideruara të dëmshme dëshmojnë për papërgjegjshmëri në përmbushjen me eficiencë dhe efektivitet të detyrave funksionale”./boldnews.al
Barna të importuara nga vende si India, Bangladeshi, Kina dhe që lejohen vetëm me autorizim ministri janë hedhur në qarkullim pa iu kryer analizat fiziko-kimike.
Kontolli i Lartë i Shtetit në një auditim performance “Efektiviteti dhe siguria e barnave që qarkullojnë në Shqipëri” vlerëson se janë qindra mijëra pako barnash që janë hedhur në qarkullim në tre vite nga 2020-2023.
“Për periudhën 2020-2023, të gjitha barnat e importuara me autorizim ministri për barnat e paautorizuara janë vënë në qarkullim pa u kryer nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësorë (AKBPM) analizat fiziko kimike dhe bakteriologjike.
Nga përpunimi i të dhënave të vëna në dispozicion nga AKBPM-ja19 për barnat e pa autorizuara, rezulton që për periudhën nën auditim (vitet 2020-2023) janë importuar 48 lloj barnash nga India, Kina, Koreja e Jugut, Bangladeshi dhe Singapori nëpërmjet 75 autorizimeve të ministrit të MSHMS, nga të cilat në total janë importuar 763,721 pako barna nga vendet e mësipërme dhe 600,000 doza vaksina Covid 19” thuhet në auditim.
Ky institucion nënvizon se këto barna janë ilaçe antiretrovirale kundër HIV AIDS, vaksinë polimeliti, vaksinë COVID 19, vaksinë kundër difterisë, tetanozit dhe kollës së mire, ilaç kundër shtatzënisë së padëshiruar, vaksinë gripi sezonal (katërvalent), vaksinë hepatiti B, vaksinë kundër tërbimit, aniviral Covid 19, vaksinë rotavirus (ethe, kolle, diarre), vaksinë e indikuar për parandalimin e gastroenteritit, vaksinë për ethet e verdha, ilaç antiretrovirale HIV për fëmijë, vaksinat për fruthin.
Audisuesit vlerësojnë se pavarësisht se në vend lejohen importet e këtyre barnave me autorizim ministri sipas nevojës që ka tregu, është detyra e institucioneve shqiptare që të bëjnë analizat dhe kontrollin e tyre.
“Procesi i vënies në qarkullim për barnat e paautorizuara të cilat lejohen të hynë në Shqipëri dhe vihen në qarkullim në bazë të autorizimit të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, kryhet pa kryer nga institucionet tona analizat fiziko kimike dhe bakteriologjike.
Mos analizimi i mostrave për këtë kategori barnash, rrit 2-fish pasigurinë e cilësisë së barnave të vendosura në treg, në rastin e parë sepse mund të importohen nga vende jo të sigurta dhe së dyti sepse nuk është e detyrueshme kryerja e analizave, rrjedhimisht rrezikohet shëndeti i popullatës” nënvizon auditimi./Monitor/
Ndikimi i ndryshimeve klimatike në shëndet ishte në fokus të emisionit “EkoSkaner”. Investigimi nxjerr në pah se nevoja për kujdes shëndetësor do të rritet, për shkak të rritjes së temperaturave apo fatkeqësive natyrore, por qeveria po lëviz ngadalë në drejtim të marrjes së masave për zbutjen e efekteve negative, në shkelje të angazhimeve të ndërmarra në strategjitë e miratuara.
Ekspertët rendisin një sërë patologjish që do të jenë në rritje, ndërsa shtojnë se pasojat më të shumta do i vujanë shtresat e varfra të popullsisë. Në këto kushte ata kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme dhe marrjen e masave, për të përballuar pasojat që ndryshimet klimatike do të sjellin mbi shëndetin e popullatës, duke theksuar nevojën për rritjen e numrit të mjekëve, pajisjeve mjekësore dhe aksesit në sistemin shëndetësor.
Të ftuara në studio, Alma Lahe nga shoqata “Together for Life” dhe Enkelejda Kucaj nga Instituti i Gjeoshkencave në UPT folën më gjerësisht për temën, duke theksuar nevojën për rritjen e buxhetit për sektorin shëndetësor, si dhe ndërhyrjen edhe në sektorë të tjerë që preken nga ndryshimet klimatike.
“Është koha jo vetëm për të folur, por edhe për të vepruar. Ne para pak ditësh prezantuam raportin e fundit të themi, i cili ishte raporti parë i Monitorimit Të Strategjisë Kombëtare Të Shendetësisë 2021-2030. Kjo strategji ka sigurisht të përfshirë të gjitha politikat shëndetësore për këtë 10-vjeçar parashikuar me buxhetet përkatëse. Është shumë optimist si dokumet, është i mirëhartuar. Ajo që ka qenë gjithmonë problem në fakt në dokumentet politikë, jo vetëm në këtë fushë, por edhe në fusha të tjera ka qenë mungesa e buxhetit. Pra, buxheti ka qenë gjithmonë jo i duhuri. Ne na rezultoi nga analiza që u bë në këto tre vite e gjysmë, (nga janari i vitit 2021 deri në gusht të vitit 2024) na rezultoi se buxheti i ministrisë për sektorin e shëndetësisë në këto vite ka qenë 18% më i ulët nga parashikimet, që kemi në strategji, më i ulët nga vetë dokumenti që ka parashikuar. Ne bëjmë çdo vit edhe monitorimin e buxhetit faktik të Ministrisë së Shëndetësisë dhe na rezulton që nga viti në vit ka ulje të buxhetit, pa ju referuar vitit 2021 që ka qenë viti i COVID , pra ka qenë një vit që nuk merret në referencë, në vitet e tjera ka qenë më ulje. Në vitin 2023 buxheti faktik ka qenë 2.8 %. Jemi vendi i fundit në rajon përsa i përket buxhetit , shpenzimeve të qeverisë për shëndetësinë”, shprehet Lahe.
Ajo shton më tej se, “Një buxhet jo i përshtatshëm, jo i duhur do të thotë që impakton të gjitha shërbimet, pra edhe shërbimet bazë. Vetë ministria ka parashikuar politika të veçanta për të cilat ne ose nuk kemi gjetur informacion se çfarë bëhet me ecurinë e tyre, ose puna duket që nuk ka pasur atë ecuri që është e duhura. Ne na rezulton që në vitet e fundit buxheti i ministrisë, jo vetëm që është i ulët në parashikim, por ulet edhe në mes të vitit buxhetor. Sa herë rishikohet buxheti, po t’i referohesh buxhetit për shëndetësinë kemi pasur ulje, po t’i referohemi buxhetit për shërbimin parësor kemi pasur ulje.
Kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi problematikë shëndetësore, me ndryshimet demografike që janë shumë të shpejta, popullsia në moshë të madhe po rritet me shpejtësi, do të thotë që nevoja për shërbime është shumë e madhe, sëmundshmëria ka ndryshuar dhe përveç sëmundjeve të reja që shfaqen, edhe sëmundjet jo të transmetueshme janë problem i madh që i ndikon si mjedisi, mënyra e jetesës, edhe faktorët e klimës që po ndryshojnë. Dhe në të gjitha këto reflektohet mungesa e buxhetit në shërbime të munguara, ose në shërbimin jo të duhur që ju vete pacientëve.”
Duke ju referuar raportit të fundit të publikuar nga shoqta “Together for Life , Lahe thotë se janë ndërlidhur të dhëna sasiore dhe cilësore për të parë ndikimin që kanë tek vetë përfituesit e shërbimeve nga programet shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Ne në fakt në raportin e fundit kemi bërë përpjekje për të marrë edhe reagimin e përfitimit të shërbimeve. Ne bëjmë një analizë të buxhetit, bëjmë një analizë të programeve politike, të programeve shëndetësore të ministrisë, por duam të shohim edhe çfarë impakti kanë edhe zbatimi i politikave ose buxhet që shkojnë për shërbime të caktuara dhe na ka rezultuar se impakti nuk është i plotë tek përfituesi i shërbimit.
Grupet vulnerabël janë më të rrezikuara. Dhe duke thënë se buxheti është i ulët kjo do të përkthehet drejtëpërdrejtë në rritje të shpenzimeve nga xhepi për qytetarët. Por një qytetar, pacient që vjen nga zonat rurale që e ka më larg shërbimin, që ka të ardhura më të ulëta, që nuk e përballon dot financiarisht i bie që 2/5 ta paguajë shteti nga shpenzimet e shëndetësisë dhe 3/5 e ke ti. Dhe kjo është nga të dhënat e OBSH-së. Kemi nivelin më të lartë të pagesës nga xhepi. Pacienti kur nuk ka mundësi ta paguajë shërbimin, ose do ta shtyjë marrjen e shërbimit që do të thotë situata e tij shëndetësore do të agravojë edhe vetë sistemi në fakt duke e vënë para një presioni, sepse do të rriten shpenzimet kur të jetë edhe më e agravuar situata, ose do të heqë dorë nga marrja e shërbimeve.”
Përsa i përket largimit nga vendi të mjekëve specialist Lahe sjell në vëmendje në rast konkret, që dëshmon se vendit jo vetëm po i ikin profesionistë, por edhe ato që kanë vendosur të qëndrojnë dhe të ushtrojnë ndeshen me mungesë të infrastrukturës bazë për të ofruar shërbim
“Situata është mikse, buxheti është i ulët dhe që këtu fillon problematika. Mënyra se si ky buxhet shpenzohet, sa i jepet mundësi shëbimeve, dhe nga fokusgrupet me ofrues dhe marrës të shërbimeve kemi pasur një mjeke nga një zonë afër Tiranës dhe thotë : ‘Dëgjo unë e kam spitalin shumë të mirë. Mua më vjen pacienti, por unë nuk kam asnjë paisje çfarë t’i ofroj shërbim, kështu që si mund ta pëlqejë ai shërbimin tim, si mund të pranojë ai të vijë të marrë shërbim tek unë?!’ Pra jo vetëm na mungojnë specialistë , por edhe atje ku ka specialistë nuk arrijmë dot të ofrojmë shërbimin dhe ky është problem. Unë mendoj se Ministria duhet të jetë pak më mendjehapur, jo vetëm politika në letër dhe të bëjmë disa kalkulime. Edhe ne kemi shkuar në kalkulime, kemi bërë analizën e të dhënave që kemi marrë. Debati mes shoqërisë civile dhe institucioneve publike është edhe i shifrave. Do të thotë që nuk pranohen shifrat që ofrohen nga shoqëria civile. Në fakt ne kemi bërë shumë kujdes në raportin e fundit që për të gjitha t’i referohemi të dhënave publike zyrtare të publikuara në site-t e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shëndetësisë. I kemi artikuluar si politika dhe tani duhet të merren masa si do të zbatohen dhe kjo është shumë e rëndësishme.”
Sipas saj është “Koha është tani për të reaguar,
-E para rritja e buxhetit për shëndetësinë
-Përdorimi me efektivitet i fondeve publike
-Paralelisht me fuqizimin e institucioneve dhe të vetë ofruesve të shërbimeve duhet edhe ndërgjegjësimi i popullatës .”
Aty ku ka ofertë të kufizuar dhe kërkesë të lartë, teoria ekonomike thotë se tregu zhvillon spekulim. Por në tregje të pazhvilluara dhe me institucione rregulluese të dobëta, probabiliteti që të krijohen mekanizma abuzues në dëm të konsumatorëve dhe të bizneseve është shumë i lartë.
Shqipëria ka shumë raste të tilla, që nga monopolet e favorizuara nga qeveria, që konkurrojnë bizneset e tjera dhe mundësojnë mbajtjen e çmimeve apo shërbimeve të larta për konsumatorët, te koncesionet që shpesh nuk e ofrojnë fare produktin për të cilin paguhen me taksat e konsumatorëve.
E keqja më e madhe është kur kjo ofertë është e kufizuar nga institucionet shtetërore që shpenzojnë paratë e taksapaguesve për të ofruar një nga shërbimet më themelore të jetës së qytetarit, atë të kujdesit për shëndetin.
Hetimi i fundit i Prokurorisë së Tiranës në Spitalin Onkologjik zbuloi vetëm majën e ajsbergut të një sistemi që ka mundësuar ofrimin e një shërbimi të cunguar, si në sasi, ashtu edhe në cilësi, duke u krijuar mundësi abuzuesve të kanalizojnë shërbimet shtetërore në përfitime private.
Problemi fillon që te nënfinancimi i sektorit shëndetësor në vite. Buxheti i shtetit shpenzon rreth 2.9 % të asaj që prodhon ekonomia në një vit. (Prodhimi i Brendshëm Bruto) për shëndetin, sipas të dhënave të Bankës Botërore.
Ky nivel është sa gjysma e mesatares botërore prej 6,5% e PBB-së dhe shumë më e ulët se e vendeve të zhvilluara të Europës, që arrin deri në 10%.
Për krahasim në rajon, Bosnja, Mali i Zi e Serbia shpenzojnë nga buxheti për shëndetin e qytetarëve të tyre mbi 6% të PBB-së dhe Maqedonia e Veriut , gati 5%. Edhe numri i mjekëve (18 për 10 mijë banorë) është sërish më i ulëti në Europë.
Financimi i ulët i qeverisë, i kombinuar me mungesën e personelit, shoqërohet me shërbime të dobëta, që i detyrojnë qytetarët të harxhojnë paratë e tyre për një shërbim që ata teorikisht duhet ta merrnin falas, pasi i paguajnë një herë taksat.
Shqipëria është shteti që ka pagesat më të mëdha nga xhepi për shëndetësinë në Europë, me rreth 60% të totalit, nga 17% që është mesatarja globale e këtij treguesi, po sipas të dhënave të Bankës Botërore.
Në rang global Shqipëria renditet e 15-a, me vende si Afganistani, Guatemala, Bangladeshi etj. Rritja e peshës që qytetarët shpenzojnë vetë me gati 20 pikë përqindje në dy dekada është një tregues i qartë i përkeqësimit të cilësisë së shërbimit shëndetësor.
Edhe ato financime që janë shtuar vitet e fundit kanë shkuar për mbulimin e pagesave pë 4 koncensione të sitemit shëndetësor, që pak ose aspak kanë ndikuar në cilësinë e shërbimit , teksa disa prej tyre janë nën hetim nga SPAK.
Nga viti 2017-2023, sipas të dhënave nga Ministria e Financave janë shpenzuar gati 26 miliardë lekë për sterilizimin, dializën, check-up, laboratorë, të mjaftueshme për ndërtimin e 3-4 spitaleve të reja moderne.
Kalimi i fondeve drejt koncensioneve, që po rezultojnë problematike, me kosto të lartë për atë që realisht ofrojnë, është bërë në kurriz të rimbursimit të barnave.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, ndërsa 2024, kjo shifër vlerësohet në vetëm 20.6%.
Kontrolli i Lartë i Shtetit vërejti vitin e kaluar se nevojat për ilaçe në QSUT ishin 3-4 herë më të larta sesa buxheti që miratohet për këtë qëllim. Në rastin e barnave, mungesa e financimit sipas nevojës përkthehet në më pak jetë ose në shpenzime të larta nga xhepi i pacientëve për t’u kuruar jashtë sistemit publik.
Në të kundërt, vit pas viti, pjesa e shpenzimeve për koncesionet në shëndetësi erdhi në rritje, duke arritur në 23.7% e fondeve që u grumbulluan nga kontributet e sigurimeve për shëndetin nga të punësuarit. Është e qartë se faji nuk është vetëm i individit, por shumë më i gjerë, i një mekanizmi të tërë shtetëror që ka dështuar t’u ofrojë qytetarëve atë që u ka premtuar dhe për të cilat u merr taksat, duke detyruar qytetarët me të ardhura më të ulëta të Europës të kërkojnë rrugë alternative për të “blerë” jetën.
Pra me të drejtë është të themi që sistemi është ngritur gabim dhe në format abauziv. Por a kemi thënë të plotë konkluzionin ? Jo. Përveç sistemit, tashmë është e qartë që vullneti i qeverisë ka qenë i tillë që e ka mbështetur dhe e mban në këmbë me këmbëngulje këtë feniomen.
Arsyeja është e qartë. Atë e gjen në çështjet që janë në hetim nga organet e drejtësisë dhe Kuvendi, apo dhe në çështjet e tjera që nuk guxohet të hetohen , por tashmë janë sekret publik./Monitor
Skandali në spitalin onkologjik tregoi se pacientëve u mohoheshin barnat jetike, një dosje që zbuloi vetëm majën e ajsbergut… Si rrezikohen mijëra pacientë për mungesë medikamentesh, teksa shpërdorohen miliona për rimbursimin e recetave fiktive për pacientë të vdekur.
Nga barnat kontrabandë, te gllabërimi i parave të rimbursimit e deri te loja me çmimet. A janë rihedhur në treg sasi të mëdha medikamentesh të skaduara? Cfarë zbulojnë dokumentet ekskluzive.
Drejtoresha e Shoqata Together for Life, Eglantina Bardhi e ftuar në Inside Story për të folur mbi një nga skemat më abuzive të onkologjikut, me shërbime të mohuara që rrezikojnë jetë.
*Shoqata Together for Life po mbron prej disa vitesh të drejtat e pacientëve, me një sërë fushatash me karakter avokues, një sërë investigimesh me qëllim nxjerrjen në pah të problematikave si dhe një cikël trajnimesh, seminaresh, hapësirë mediatike për pacientët, si dhe ka ofruar ndjekje ligjore për rastet.
Qendra Universitare Spitalore “Nënë Tereza” pagoi miliona lekë shtesë për rikthimin në punë të urgjencës polivalente, godina e së cilës u shkrumbua nga zjarri pak muaj pas ndërtimit nga një kompani italiane dhe u mor në dorëzim ‘të përkohshëm’.
Nga: Esmeralda Keta
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu gjatë vizitës në urgjencën polivalente pas rikthimit të saj në punë. Foto: Facebook.
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu u shfaq e buzëqeshur të hënën në një photo- op në korridoret e urgjencës polivalente në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë – thuajse katër muaj pasi godina u përfshi nga flakët dhe shërbimi u ndërpre për mijëra pacientë.
Vizita e saj lidhej me rihapjen e dyerve të urgjencës, e paralajmëruar pak ditë më parë përmes kronikave të parapërgatitura televizive.
“Urgjenca e QSNUT është në funksion të plotë dhe në shërbim të qytetarëve, duke ofruar kujdes cilësor dhe të shpejtë për të gjithë ata që kanë nevojë,” shkroi më pas Koçiu në Facebook.
Megjithatë, ministrja e Shëndetësisë dështoi të përmendte faktin se rikthimi në punë i urgjencës solli kosto shëndetësore për pacientët dhe shpenzime shtesë për taksapaguesit.
Spitali qendror në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u ndërtua përmes një kredie të bankës së Këshillit të Europës – CEB dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë kushtoi 17.8 milionë euro në total.
Ndërtimi i spitalit zgjati mbi katër vjet dhe reparti i urgjencës i hapi dyert për pacientët në prill 2023. Por nëntë muaj më vonë u mbyll sërish për shkak të një zjarri të rënë në një kabinë elektrike në katin e nëndheshëm, duke nxjerrë jashtë funksionit të gjithë setin e aparaturave. Shkaqet e zjarrit janë aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Tiranës.
Të dhënat e siguruara përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se godina e Urgjencës u vendos në punë edhe pse QSUNT nuk e kishte marrë atë plotësisht në dorëzim nga kompania ndërtuese.
Ndonëse ishte ende brenda periudhës së garancisë, QSUNT kontraktoi pa garë një kompani të dytë private për të kryer punime pas rënies së zjarrit, me një kosto shtesë prej 27.7 milionë lekësh.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tha në një përgjigje me shkrim se godina ishte marrë “në dorëzim të pjesshëm të përkohshëm” nga një grup pune i ngritur me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të QSUNT, për t’iu nënshtruar më pas periudhës së garancisë.
“Godina nuk është marrë në dorëzim përfundimtar,” shtoi QSUNT.
Praktika e ndjekur nga QSUNT me marrjen në dorëzim të spitalit shihet me dyshim nga ekspertët e financave publike.
“Në termonologjinë juridiko- ekonomike nuk ekziston marrje në dorëzim të pjesshëm, marrja në dorëzim është konform kontratës,” tha Zef Preçi, drejtori ekzekutiv i Institutit për Kërkime Ekonomike.
“Bëhet fjalë për një mal me para, ndaj edhe institucionet po përpiqen që të lajnë duart nga përgjegjësia,” shtoi ai.
Kosto shtesë
Urgjenca në spitalin qendror në QSUNT. Foto: Esmeralda Keta,
Spitali qendror i QSUNT, i njohur edhe si godina A2, strehon një sërë shërbimesh shëndetësore, por njihet më së shumti për urgjencën polivalente. Urgjenca është parashikuar të presë mesatarisht rreth 300 pacientë në ditë, 50 prej të cilëve me urgjenca të sëmundjeve kardiologjike.
Ndërtimi iu besua kompanisë italiane INSO dhe kontrata u firmos në maj të vitit 2018. Fondet u siguruan nga kredia e bankës së Këshillit të Europës (CEB), sipas kontratës lidhur midis Ministrisë së Shëndetësisë.
Kompania INSO është një partnere e hershme e Ministrisë së Shëndetësisë për ndërtimin e strukturave spitalore, e cila operon në Shqipëri përmes degës së saj Finso Albania.
Punimet nisën në dhjetor 2018 dhe sipas fotove të postuara në faqen e kompanisë në Facebook, në themelet e godinës 6-katëshe u ther si kurban një qengj. Megjithatë, punimet zgjatën 4.5 vite dhe vetëm pak muaj pasi u hap, godina u mbyll sërish për shkak të zjarrit.
Më i godituri ishte shërbimi i repartit të hemodinamikës, i cili doli jashtë funksioni. Në këtë repart përveçse ndihmës së parë, zhvillohen ndërhyrjet e koronarografisë, stendat, unazat dhe ndërhyrje të tjera të rëndësishme, por pas rënies së zjarrit, dy aparaturat e angiografisë nuk mund të viheshin në punë.
QSUNT nuk vuri në dispozicion kontratën me kompaninë ndërtuese dhe as ndonjë inventar të detajuar dëmesh, me pretendimin se çështja ishte në hetim penal dhe QSUNT nuk mund të shprehej pa përfunduar hetimi.
Por të dhënat e siguruara në Agjencinë e Prokurimeve Publike tregojnë se emergjenca e krijuar e shtyu QSUNT të jepte para të tjera për rikthimin e shërbimit në punë. Tenderi me vlerë 27.7 milionë lekë u zhvillua përmes procedurës së negocimit, pa shpallje paraprake të kontratës – një procedurë që kufizon konkurrencën mes kompanive.
Tenderi u fitua nga kompania Agi Kons, e cila kishte punuar në ndërtimin e spitalit si kompani e kontraktuar nga INSO.
Eksperti Zef Preçi vlerëson se dhënia e parave shtesë nga Qendra Spitalore Universitare në kohën që godina ishte ende brenda afatit të garancisë është e pajustifikuar.
“Edhe pasi merret në dorëzim një objekt, për një periudhë kohore e ka nën mirëmbajtje dhe nën monitorim firma ndërtuese,” tha ai.
Inso, një kompani italiane e njohur në ndërtimin e strukturave spitalore, po ashtu ka marrë përsipër ndërhyrje të tjera të rëndësishme në QSUNT.
Në vitin 2017, kjo kompani nisi ndërhyrjen për rikonstruksionin e godinës së mjekësisë së përgjithshme të njohur si godina A1. Investimi kushtoi 7.3 milionë euro dhe shërbeu për disa vite edhe për pritjen e urgjencave. Mirëpo prej më shumë se një viti, kjo godinë i është nënshtruar sërish rikonstruksionit me një fond shtesë prej 2.8 milionë eurosh.
Në katin përdhe që aktualisht po rikonstruktohet, ishte planifikuar të strehohej shërbimi i toksikologjisë, por mjekët thanë se ata kishin refuzuar hapjen e tij, për shkak se dhomat e pacientëve nuk plotësonin standardet.
“Nuk pranuam pasi dhomat ishin ndërtuar për një qëllim tjetër dhe nuk na përshtateshin. Më mirë rrimë tek urgjenca e vjetër se sa aty,” tha njëri prej mjekëve të shërbimit të toksikologjisë.
“Tani po bëhet shumë bukur, ashtu siç janë edhe nevojat e një shërbimi unik siç është toksikologjia,” shtoi ai.
E kontaktuar përmes emailit, kompania Finso Albania nuk iu përgjigj një kërkese për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
Dëme kolaterale
Kantieri i ndërtimit në godinën e Mjekësisë së Përgjithshme, e njohur si godina A1. Foto: Esmeralda Keta.
Ndërsa dëmet financiare të shkaktuara nga zjarri në katin e nëndhëshëm të spitalit të ri janë ende të paqarta, kostot shëndetësore për pacientët përgjatë ndërprerjes së shërbimit janë të dukshme.
Nafije Leka është një prej pacientëve që mbërriti në urgjencën e QSUNT në fund të prillit me shqetësime në zemër. Bashkëshorti i saj, Faiku tha se pas testeve të kryera, e shoqja u dërgua në Sanatorium për koronografi.
“Ishte 29 prill, atë ditë bashkëshortja kishte ditëlindjen. Kur na dërguan në Sanatorium e morëm si një shenjë të mirë,” kujton ai.
Por pas trajtimit në Sanatorium, të shoqen e kthyen sërish në QSUNT, pasi kuptuan se ajo mund të kishte nevojë për ‘bypass’.
Ilir Alimehmeti, mjek në profesion dhe anëtar i këshillit bashkiak të Tiranës për Partinë Demokratike tha se sorollatje të tilla mund të kenë kosto të mëdha shëndetësore për pacientët.
Alimehmeti e ilustron problemin me një rast personal, kur një i afërmi i tij pati probleme shëndetësore në maj dhe pasi i telefonuan urgjencës, i orientuan në QSUNT. Por aty i pritën me këmbët e para, pasi sipas një grafiku të përcaktuar nga drejtori, trajtimi duhej bërë në spitalin e Traumës.
“Është vonesë në dhënien e ndihmës së urgjencës dhe në urgjencë, çdo minutë që të humb është problem i madh,” tha Alimehmeti. “Pacientët duhet ta kishin shërbimin e garantuar dhe pa sorrollatje, sepse çdo minutë vonesë në urgjencë mund të kushtojë jetën,” shtoi ai.
Përveç shërbimit të urgjencës, në spitalin qendror ndodhet edhe shërbimi i imazherisë dhe mjekësisë nukleare me aparatura të rëndësishme të diagnostikimit si rezonanca apo skaneri.
Rënia e zjarrit e ndërpreu punën edhe në këtë sektor dhe shërbimin për qindra pacientë. Në këtë repart në fillim të qershorit, mjekët thonë se në mungesë të pacientëve, e shpenzojnë kohën si të munden.
“Duke qenë se nuk punojnë aparaturat, nuk kemi çfarë bëjmë, shumicën e kohës rrimë. Ose shoqërojmë me ambulancë në spitalet e tjera pacientët që na vijnë,” tha njëri prej mjekëve.
Një tjetër mjek imazherist u shpreh i shqetësuar për ndërprerjen e shërbimit.
“Është e tmerrshme ajo që ka ndodhur, pacientët janë lënë rrugëve,” tha ai, duke mos pranuar të citohej me emër për shkak të pasojave që mund të kishte në punë.
“Këtu nuk funksionon asgjë, vetëm një angiografi është vënë në punë, ndërkohë rezonanca ka muaj që nuk punon për çështje të garancisë së mirëmbajtjes,” shtoi ai.
QSUNT refuzoi të vinte në dispozicion një inventar të dëmeve të shkaktuara nga zjarri, por këmbënguli në një përgjigje me shkrim se aparaturat mjekësore ishin të sigurta.
“Aparaturat mjekësore janë jashtë funksionit si pasojë e mosfurnizimit me energji elektrike,” tha QSUNT, ndërsa shtoi se nuk kishte dëme të shkaktuara nga zjarri në pajisje mjekësore. Megjithatë, funksionimi i tyre është ende i paqartë.
Ndërsa theksoi se pajisjet kishin qenë funksionale përpara ndërprerjes së energjisë, QSUNT shtoi se “aparaturat do të testohen për funksionimin e tyre sapo të lidhet energjia”.
Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, zbatuar nga Shoqata Together for Life dhe mbështetur nga NED- National Endowement for Democracy.