denonco@transparency.com.al

Investigime

Ndryshon buxheti, shkurtohen me 34 mln euro fondet për arsimin dhe shëndetësinë

Arsimi dhe shëndetësia janë dy sektorë të nënfinancuar në vendin tonë dhe nga ana tjetër  në këto kohë kur kapitali njerëzor po shteron nga emigracioni dhe plakja financimi i tyre është jetik.

 Por në vend që të rriten fondet për arsimin dhe shëndetësinë u shkurtuan me tej në Aktin e tretë normativ për ndryshimet në buxhetin 2024 që u miratua këto ditë.

 Sipas tabelave të mëposhtme buxheti i Ministrisë së Shëndetësie u shkurtua me 2.3 miliardë lekë ose me 3%, ndërsa buxheti i Ministrisë së Arsimit u shkurtua me 1 miliardë lekë ose 2 për qind e programit total.

 Pesha e financimeve të arsimit dhe shëndetësisë në raport me buxhetin total po vjen në rënie vit pas viti. Aktualisht fondet e arsimit administrohen nga Ministria e Inovacionit e cila ka në kompetenca arsimin profesional me 3,4 miliardë lekë këtë vit dhe ministria e Arsimit me një fond 51.5 miliardë lekësh sipas ndryshimeve të fundit.

Në total fondet buxhetore për arsimin këtë vit janë 55 miliardë lekë, shumë kjo sa 7.1% e buxhetit  total. Vitin që kaloi shpenzimet  për arsimin ishin sa 9.7 % e totalit të buxhetit. Shpenzimet e arsimit në raport me të ardhurat në buxhet janë trend rënës që nga viti 2029, ku financimet në këtë zë ishin 11.4% e të ardhurave buxhetore.

Ecuri të ngjashme kane edhe shpenzimet për shëndetësinë. Në vitin 2024 shpenzimet për shëndetësinë janë programuar sipas ndryshimeve të fundit 75,9 miliardë lekë nga 77,9 miliardë lekë në aktin e dytë normativ.

Sipas programit aktual shpenzimet për shëndetësinë janë sa 9.8 të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Në vitin 2019 buxheti për shëndetësinë ishte sa 10..4% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore.

Shkurtimi i shpenzimeve për arsimin dhe shëndetësinë vjen në një kohë kur vendi ka rritur nevojat për financim për shkak të plakjes së popullsisë dhe rritjes së sëmundjeve kronike. Statistikat e shëndetit tregojnë për rritje me 5 % në vit të sëmundjeve kronike dhe Qendra Spitalore “Nënë Tereza” vuan gjithnjë nga mungesa të terapive për sëmundjet malinje dhe ato të rralla.

Nga ana tjetër rezultatet në rënie të rezultateve arsimore sipas testit “PISA” kërkojnë rritje të vëmendjes për arsimin. Në një kohë që popullsia e vendit tkurret dhe plaket, një arsim i mirë i të rinjve sot do të bëhet shkak për të çuar ekonominë në nivel tjetër në vitet në vazhdim.

Menaxhimi i financave publike prej vitesh vuan nga një shpërndarje jo e drejtë e burimeve. Teksa Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe buxheti i shtetit pothuajse janë dyfishuar në dekadën e fundit, Shqipëria ka aktualisht 42% të popullsisë së saj në rrezik të varfërisëniveli më i lartë në Europë, sipas të dhënave të Eurostat.

Gjithashtu organizatat ndërkombëtare  e rendisin vendin tonë në top listën me nivelet alarmante të emigracionit , sidomos në moshat e reja dhe në grupet e shkolluara./ B. Hoxha- Monitor

Read more

Sondazhi i KLSH: 63% e qytetarëve blenë ilaçe kontrabandë

Rreth 63 përqind e qytetarëve të anketuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit kanë pranuar se kanë blerë ilaçe pa pullë fiskale. “Ky rezultat tregon për shitjen e barnave kontrabandë në vend”, thonë audituesit shtetëror në një Raport Auditi Performance për “Efektin dhe sigurinë e barnave që qarkullojnë në Shqipëri”.

Raporti është publikuar së fundmi dhe, megjithëse nuk e përmend konkretisht, të dhënat e anketimit mbi përhapjen e barnave pa pullë fiskale, ngarkojnë me përgjegjësi Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, e drejtuar nga Gent Gazheli që prej shtatorit 2020.

Të dhënat e kronikës policore tregojnë se janë kryer herë pas here operacione për kontrabandën e ilaçeve, përfshirë edhe një hetim të zhvilluar pak muaj më parë nga Prokuroria e Tiranës.

Megjithatë, goditjet e strukturave ligjzbatuese janë tërësisht anemike, ndërkohë që rastet e zbuluara dhe të referuara për kontrabandën e barnave nga Doganat janë thuajse sa gishtat e njërës dorë.

Besimi i ulët tek cilësia e barnave

Sondazhi i KLSH-së jep edhe të dhëna të tjera problematike mbi cilësinë dhe shpërndarjen e medikamenteve në Shqipëri.

Shumica absolute e të anketuarve, rreth 98% tyre, zgjedhin barna të importuar nga jashtë, në krahasim me 2% të tyre që zgjedhin barna, të cilat prodhohen në Republikën e Shqipërisë.

Lidhur me blerjen e barnave jashtë vendit, “vetëm 9% e tyre shprehet se nuk janë detyruar ndonjëherë të blejnë barna jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër shprehen se iu është dashur të blejnë barna jashtë vendit për shkak se nuk kanë besim tek barnat që tregtohen në RSH, nuk është gjetur në farmacitë e vendit si dhe është sugjeruar nga mjeku i familjes”, thuhet në sondazhin e KLSH-së.

Po ashtu, 45% e qytetarëve shprehen se janë detyruar të shtyjnë kurën për shkak se kanë pritur t’ju sjellë ndonjë i afërm ilaçe nga jashtë vendit.

Sipas perceptimit të qytetarëve 34% e tyre mendojnë se barnat e përdorur kanë qenë pjesërisht efektiv dhe 8% e tyre mendojë se barnat nuk kanë qenë aspak efektive.

Mungesë transparence për ilaçet e refuzuara

Gjatë procedurës audituese, KLSHA ka konstatuar se Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) “nuk ka bërë transparencë dhe informim të vazhdueshëm te qytetarët dhe profesionistët e fushës në lidhje me produktet medicinale, për të cilat janë refuzuar, revokuar ose pezulluar autorizimet e tregtimit, furnizimi i të cilave është ndaluar ose janë tërhequr nga tregu”.

Gjithashtu, rezulton se AKBPM nuk ka kryer analiza laboratorike për barnat, të cilat janë konsideruar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA) apo nga institucionet homologe, si të dëmshme për shëndetin e konsumatorëve, si dhe nuk ka marr masat e duhura nëpërmjet kryerjes së inspektimeve në rastet kur është njoftuar për tërheqjen nga tregu të barnave të caktuara.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, “mungesa e transparencës me qytetarët dhe mos marrja e masave në kohë reale për njoftimet e rëndësishme të institucioneve homologe mbi barnat e konsideruara të dëmshme dëshmojnë për papërgjegjshmëri në përmbushjen me eficiencë dhe efektivitet të detyrave funksionale”./boldnews.al

Read more

Skandal me barnat nga India dhe Bangladeshi. KLSH: U hodhën në treg pa u kryer analizat fiziko-kimike

Barna të importuara nga vende si India, Bangladeshi, Kina dhe që lejohen vetëm me autorizim ministri janë hedhur në qarkullim pa iu kryer analizat fiziko-kimike.

Kontolli i Lartë i Shtetit në një auditim performance “Efektiviteti dhe siguria e barnave që qarkullojnë në Shqipëri” vlerëson se janë qindra mijëra pako barnash që janë hedhur në qarkullim në tre vite nga 2020-2023.

“Për periudhën 2020-2023, të gjitha barnat e importuara me autorizim ministri për barnat e paautorizuara janë vënë në qarkullim pa u kryer nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësorë (AKBPM) analizat fiziko kimike dhe bakteriologjike.

Nga përpunimi i të dhënave të vëna në dispozicion nga AKBPM-ja19 për barnat e pa autorizuara, rezulton që për periudhën nën auditim (vitet 2020-2023) janë importuar 48 lloj barnash nga India, Kina, Koreja e Jugut, Bangladeshi dhe Singapori nëpërmjet 75 autorizimeve të ministrit të MSHMS, nga të cilat në total janë importuar 763,721 pako barna nga vendet e mësipërme dhe 600,000 doza vaksina Covid 19” thuhet në auditim.

Ky institucion nënvizon se këto barna janë ilaçe antiretrovirale kundër HIV AIDS, vaksinë polimeliti, vaksinë COVID 19, vaksinë kundër difterisë, tetanozit dhe kollës së mire, ilaç kundër shtatzënisë së padëshiruar, vaksinë gripi sezonal (katërvalent), vaksinë hepatiti B, vaksinë kundër tërbimit, aniviral Covid 19, vaksinë rotavirus (ethe, kolle, diarre), vaksinë e indikuar për parandalimin e gastroenteritit, vaksinë për ethet e verdha, ilaç antiretrovirale HIV për fëmijë, vaksinat për fruthin.

Audisuesit vlerësojnë se pavarësisht se në vend lejohen importet e këtyre barnave me autorizim ministri sipas nevojës që ka tregu, është detyra e institucioneve shqiptare që të bëjnë analizat dhe kontrollin e tyre.

“Procesi i vënies në qarkullim për barnat e paautorizuara të cilat lejohen të hynë në Shqipëri dhe vihen në qarkullim në bazë të autorizimit të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, kryhet pa kryer nga institucionet tona analizat fiziko kimike dhe bakteriologjike.

Raporti i KLSH:https://panel.klsh.org.al/storage/php9wOQDu.pdf

Mos analizimi i mostrave për këtë kategori barnash, rrit 2-fish pasigurinë e cilësisë së barnave të vendosura në treg, në rastin e parë sepse mund të importohen nga vende jo të sigurta dhe së dyti sepse nuk është e detyrueshme kryerja e analizave, rrjedhimisht rrezikohet shëndeti i popullatës” nënvizon auditimi./Monitor/

Read more

Tetori i kuq në QSUT/ Bllokohet pajisja për zbulimin e tumorit, rrëfimi tronditës i Dritës: Nuk kryejmë dot ekzaminimet, vetëm na përcjellin

Nga Armand Kullau

Unë jam Drita, e kundërta e errësirës. Erdha engjëll në këtë botë dhe e tillë do mbërrij dhe në destinacion të përjetësisë. Quhem Drita Haxhillari, intelektuale me 21 vite punë në arsim. Krenare për aq sa punova pasi misioni im fisnik i mësimdhënies, u ndërpre për fatin tim të keq, duke u përballur me plot sfida për shëndetin.

Ishte kulmi i vapës të fund korrikut 2005 që pas disa sëmbimeve që ndjeja në gjoksin e majtë, vendosa të drejtohem në ambulancën e lagjes. Pas vizitës më drejtuan për të bërë mamografinë dhe ekon. Kur mora vesh që kisha kancer në gjoks atë çast m’u shemb qielli mbi kokë, por e mblodha veten dhe vendosa të luftoj fort për jetën.

Por…nëse deri dje lëshoja dritë, forcë, kurajë dhe buzëqeshje për të gjithë…sot gjendem në një situatë tejet të vështirë…është zbehur gjithçka…ngriu buzëqeshja ime…e shpirti më këlthet fort…sa nga dhimbjet fizike që kanë kapluar trupin tim po kaq dhe nga mënyra e jetesës në kushte të mjerueshme”, e nis rrëfimin e saj njeriu simbol i luftës kundra kancerit, Drita Haxhillari.

Për “News24”, Drita zbulon se motivi dhe mbështetja që e ka mbajtur në këmbë përballë sfidave është edhe pasioni i saj për artin poetik.

Prej 20 vitesh poetja Haxhillari ka luftuar me sëmundjen e kancerit në gji, por prej disa muajsh i duhet të luftojë me indiferencën dhe mungesën e shërbimit shëndetësor jetik në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Në pamundësi për të realizuar shintigrafinë kockore, për të cilën kishte marrë rekomandim nga reparti i Onkologjikut për ta bërë në prill 2024, Drita iu drejtua televizionit “News24”.

“Unë personalisht kam që në janar, nuk e di sa muaj, por po mbushet viti, që jam e planifikuar për të bërë shintigrafinë, por si unë janë e janë shumë të tjerë.

Dhe sa herë që paraqitemi për të bërë shintigrafinë na përcjellin me një fjalë:

“Nuk ka lëndë të parë, nuk ka lëndë reagent, prisni do t’ju marrim vetë në telefon”, tha Drita për “News24”.

Shintigrafia kockore është një pajisje mjekësore, e cila zbulon qelizat tumorale në kockë dhe rekomandohet te pacientët që kanë kryer ndërhyrje për tumorin, për të parë nëse sëmundja ka prodhuar metastaza apo është zhdukur plotësisht nga organizmit. Në QSUT pacientëve iu thuhet se kjo pajisje mungon.

“Dua të them që shintigrafia në spitalet private është, në spitale të tjera është, pse të mos jetë te spitali ynë onkologjik për ne që luftojmë me vdekjen?”, shprehet Drita për shintigrafinë.

Teksa ekranet e medias dhe institucioneve shëndetësore gjatë gjithë tetorit u mbuluan me ngjyrat rozë, nën këto pamje u kamufluan problemet e rënda që ka vet Shëndetësia.

Sipas mjekëve, ky problem e ka zanafillën nga politikat shëndetësore që ndjek Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria.

“Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria nuk pranojnë mungesat që janë dhe po s’pranove që ke një problem, nuk do të ngresh dot një strategji për ta ngritur atë problem”, tha për “News24” Dr. Ilir Alimehmeti.

Sipas organizatave jofitimprurëse që monitorojnë sektorin e shëndetësisë, buxheti është vetëm njëri nga problemet.

“Nuk kemi të bëjmë vetëm me një sistem të keqfinancuar, por kemi të bëjmë edhe me një sistem shumë të korruptuar”, deklaroi për “News24” drejtuesja e “Together For Life” Egla Bardhi.

Sipas epidemiologut Ilir Alimehmeti, Shqipëria është shteti i fundit në Europë për paratë publike që investojmë në shëndetësi pasi vetëm 2.78% e buxhetit 2024 ka kaluar në këtë sektor.

“Nga krahu tjetër, nga kompensohet kjo mungesë parash? Kompensohet nga xhepat tanë dhe ne e dimë se na e thotë organizata botërore e shëndetësisë.60% e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri dalin nga xhepat e qytetarëve”, u shpreh Dr. Alimehmeti.

Por problemet me sëmundjet tumorale kanë ndjekur vazhdimisht pacientët e Onkologjikut pasi jo vetëm që numri i pacientëve është rritur, por fondet nuk kanë ndryshuar, madje janë ulur.

Sipas drejtueses së “Together For Life”, Egla Bardhi, problemi kryesor në shëndetësi janë investimet.

“E kemi të faktuar tashmë që çdo mungesë shërbimi fillon nga një buxhet shumë i ulët në sektorin e shëndetësisë, për më tepër në sektorin e shëndetësisë në Onkologjik, i cili për hir të së vërtetës ka një kosto të jashtëzakonshme, qoftë për buxhetin e shtetit, kosto të jashtëzakonshme edhe për pacientët që e marrin këtë shërbim.

Për sa kohë nuk kemi një buxhet të mjaftueshëm për këtë shërbim, kemi edhe keqtrajtime të pacientëve për sa i takon marrjes së shërbimit cilësor “, pohoi për “News24” drejtuesja e “Together For Life”.

Por planifikimet dhe investimet në shëndetësi nuk janë diçka që mund të presin pasi ditët, orët, por edhe minutat në QSUT ndajnë jetën nga vdekja.

“Këto të miat nuk janë dëshira por janë nevoja. Nuk dua asgjë, vetëm për shëndetin të më sigurohet shintigrafia sepse dua të di a ka vajtur sëmundja në kockë?”, pyet e shqetësuar Drita Haxhillari.

Apeli për ndihmë kundër sëmundjes
Deri para disa ditësh, Drita nuk mund të fliste pasi kreu një ndërhyrje në mushkëri dhe aktualisht ka humbur njërën nga kordat e zerit. Ajo jeton në një garsonierë shumë të vogël me sipërfaqe 10 metra katrorë dhe kërkon ndihmë pasi banesa ndikon drejtpërdrejt te shëndeti i saj.

“Në qoftë se ka njerëz të mirë në këtë botë, të vënë dorën në zemër, të më ndihmojnë. Së paku të kem një strehë, të tjerat pastaj do ti përballoj vet…sa të mundem”, tha Drita.

Për shkak të sëmundjes, prej disa vitesh Drita është spostuar nga qyteti i Poliçanit në Tiranë në garsonierën pranë QSUT-së që të marri në kohë shërbimet, pa të cilat e ka të vështirë të përballojë sëmundjen.

“News24” kontaktoi QSUT-në, për arsyet e mungesës së reagentit, por deri në publikimin e këtij materiali nuk mori asnjë përgjigje nga Qendra Spitalore.

Vitin e kaluar Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi raportin e auditimit në QSUT, për periudhën 2020-2022, ku konstatohej se ishte rritur numri i pacientëve me sëmundje tumorale, por ishin ulur fondet për onkologjikun nga 17,7 % në 7, 9% në vitin 2022.

Aktualisht QSUT-ja ka si drejtoreshë Alma Cani, e cila në 25 mars zëvendësoi Albana Ficon pasi kjo e fundit dha dorëheqjen nga posti një muaj pas fillimit të hetimeve nga Prokuroi për zjarrin në Urgjencën e re të QSUT-së.

Pavarësisht ndryshimit të drejtuesve, deklarata e Dritës nxjerr në pah faktin se ky problem ka qenë, është dhe vazhdon të jetë dhe hapur po shkelet ligji për shërbimet shëndetësore, një ligj që ua garanton marrjen e shërbimeve sipas protokolleve.

Sipas mjekut Alihmehmeti, institucionet duhet të mbledhin grupet e interesit, të alokojnë fondet dhe personat që prekin këto fonde duhet të ndëshkohen.

Si Drita ka shumë pacientë të tjerë që trajtohen me kimioterapi dhe e kanë të domosdoshme të bëjnë shintigrafinë pasi lufta ndaj tumorit fillon me monitorimin e sëmundjes dhe çdo vonesë në zbulimin e vatrave të reja rrezikon drejtpërdrejt jetën e pacientit.

Read more

Familjet shqiptare shpenzuan 467 milionë euro për shëndetin më 2023

Shpenzimet e shqiptarëve për shëndetin janë duke u rritur vit pas viti. Të dhënat e INSTAT, mbi konsumin final të familjeve në vitin 2023 tregojnë se shpenzimet për shëndetin arritën një vlerë prej 46,7 miliardë lekësh, ose 467 milionë eurosh, me rritje rreth 64% në krahasim me vitin 2020 kur shpërtheu pandemia Covid-19.

Në 6 vitet e fundit, shpenzimet mesatare për shëndetin kanë rezultuar mbi 34 miliardë lekë në vit, por në vitin 2020 ato u ulën për shkak të masave të izolimit dhe shtyrjes së ekzaminimeve dhe trajtimeve për diagnozat që nuk kishin të bënin me Covid-19. Teksa popullsia e vendit po tkurret, shpenzimet e familjeve për shëndetin po rriten.

Ekspertët pohojnë se një seri faktorësh po çojnë në rritjen e shpenzimeve për shëndetin, por themelori është rritja e barrës së sëmundjeve në popullatë. Ndotja e lartë e ajrit, jeta sedentare, kequshqyerja po ndikojnë në përhapjen e sëmundjeve jo të transmetueshme. Nga ana tjetër, plakja e popullsisë rrit gjithnjë e më shumë nevojën për shërbime shëndetësore.

Studimet e mëparshme kanë treguar se, popullsia mbi 65 vjeç vuan nga më shumë se dy sëmundje kronike. Diabeti dhe sëmundjet që lidhen me qarkullimin e gjakut janë shndërruar në pandemi.

Të dhënat nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore tregojnë se barra e sëmundjeve kronike në popullatë po shënon rritje mesatare vjetore 5%.

Pandemia Covid-19 ndikoi edhe më shumë , pasi tek shumë të prekur krijoi artrite, dëmtopi veshkat dhe organe të tjera jetësore që kërkojnë trajtim gjithë jetën.

Teksa shpenzimet e familjeve shqiptare për shëndetin po rriten, politikat publike nuk po ndihmojnë në lehtësimin e barrës financiare, pasi fondet për rimbursimin e barnave nuk po ecin me të njëjtat ritme.

Gati për një dekadë, buxheti i rimbursimit të barnave ka mbetur thuajse në vendnumëro, në një kohë që të ardhurat buxhetore janë dyfishuar dhe burimet financiare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FDSKSH) janë rritur.

Në vitin 2013, shpenzimet për rimbursimin e barnave ishin sa 2,1% e shpenzimeve totale buxhetore, ndërsa në vitin 2024 ky raport u përkeqësua, pasi ato zënë vetëm 1,6% të totalit të shpenzimeve buxhetore. Nga viti 2019 deri më 2024, buxheti i FSDKSH (struktura që financon shërbimet shëndetësore publike) është rritur me rreth 40%, ndërsa zëri i rimbursimit të medikamenteve vetëm 20%, sipas të dhënave zyrtare. Në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të FSDKSH-së, ndërsa më 2024 vetëm 20.6%./B. Hoxha-Monitor

Read more

Raporti: Buxheti 2023 për shëndetësinë dhe mbrojtjes sociale, më i ulëti në gjashtë vitet e fundit

Buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2023 shënon nivelin më të ulët prej 2017 në vlerë nominale dhe në përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke rezultuar në vetëm 3.3% të PBB dhe duke zënë 11.3% të shpenzimeve të përgjithshme publike.

Kjo ulje e buxhetit për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale dëshmon që prioritetet e Qeverisë gjatë vitit 2023 janë zhvendosur nga ky sektor në fusha të tjera. Më i ‘godituri’ nga politikat buxhetore të Qeverisë duket shëndetësia, shpenzimet për të cilën gjatë viti 2023 rezultuan në 2.8% ndaj PBB, niveli më i ulët i shpenzimeve për këtë sektor në 6 vitet e fundit.

Edhe brenda buxhetit të shëndetësisë vërehen zhvendosje të pajustifikuara të prioriteteve, nga projektet për investime në infrastrukturë në programin ‘Shërbime të kujdesit parësor’, tek ato për furnizim dhe vendosje pajisjesh, ku 90% e fondit është përdorur për pajisje kompjuterike dhe vetëm 10% për pajisje për laboratorët e higjienës.

Këto janë disa nga gjetjet e Raportit “Monitorimi i Shpenzimeve të sektorit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2023”, i realizuar nga shoqata Together for Life, në kuadër të projektit “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, mbështetur nga NED – National Endowement for Democracy.

Rishikimi i buxhetit në mes të vitit buxhetor 2023, rezulton me zhvendosje të ndjeshme të burimeve financiare nga politikat shëndetësore në ato të mbrojtjes sociale, ku bie në sy ulja e paarsyetuar e buxhetit në programin Shërbimet e Kujdesit Parësor në vlerën 1.4 miliard lekë, thekson Raporti, i cili mbështetet në analizimin e të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) dhe nga Ministria e Financave.

Sipas Raportit cilësia e të dhënave të publikuara nga institucionet vazhdon të jetë e dobët dhe  shoqërohet me mungesë të theksuar transparence në përdorimin e fondeve buxhetore. 

Raporti po ashtu evidenton:

  • Mungesë e informacionit të detajuar dhe analizës për ecurinë e kontratave koncesionare;
  • Të dhëna të kufizuara rreth kategorive të pacientëve që përfitojnë barna të rimbursuara, duke e pamundësuar analizimin e eficencës dhe efektivitetit të përdorimit të fondeve publike në raport me cilësinë e barnave të rimbursueshme;
  • Mungesë informacioni mbi gjendjen e spitaleve rajonale dhe nevojat e tyre për ndërhyrje me qellim analizimin e rezultateve dhe eficensës së investimeve në to gjatë vitit 2023;
  • Mungesë qëndrueshmërie mes sasisë së planifikuar të indikatorëve dhe realizimit të tyre, duke vënë në dyshim analizimin dhe planifikimin e kostos reale të disa produkteve; 
  • Mungesë transparence në raportimin dhe analizimin e të dhënave në pjesën më të madhe të zërave buxhetorë të planifikuar, rishikuar dhe realizuar. 

TFL prej tre vitesh monitoron dhe prodhon raporte vjetore rreth shpenzimeve buxhetore të MSHMS, në kuadër të misionit të saj për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike. Raporti i fundit evidenton faktin se MSHMS vazhdon të shfaqi probleme me planifikimin e buxhetit, veçanërisht në drejtim të konsolidimit të të dhënave.

Raporti del në përfundimin se derisa MSHMS të mos i shoqërojë të dhënat e publikuara me një analizë të kostimit të produkteve dhe të rezultateve të shpenzimeve, deklarimet për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Shqipëri do të vazhdojnë të vihen në dyshim.

Është e qartë se, për të arritur përmirësime reale në sektorin e shëndetësisë dhe të mbrojtes sociale, institucionet duhet të fokusohet në rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë në planifikimin dhe shpenzimin e fondeve publike.

Për të klikuar raportin e plotë në Shqip, klikoni link-un: Monitorimi-i-shpenzimeve-te-sektorit-te-shendetesise-dhe-mbrojtjes-sociale-per-vitin-2023.pdf (togetherforlife.org.al)

To read the full report in English, click on the link: Healthcare-and-Social-Protection-Sectors-expenditures-Monitoring-Report-for-the-Year-2023.pdf (togetherforlife.org.al)

Read more

Pacientët dhe taksapaguesit paguajnë kostot shtesë të zjarrit në urgjencën e QSUNT

Qendra Universitare Spitalore “Nënë Tereza” pagoi miliona lekë shtesë për rikthimin në punë të urgjencës polivalente, godina e së cilës u shkrumbua nga zjarri pak muaj pas ndërtimit nga një kompani italiane dhe u mor në dorëzim ‘të përkohshëm’.

Nga: Esmeralda Keta

Pacientët dhe taksapaguesit paguajnë kostot shtesë të zjarrit në urgjencën e QSUNT

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu gjatë vizitës në urgjencën polivalente pas rikthimit të saj në punë. Foto: Facebook.

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu u shfaq e buzëqeshur të hënën në një photo- op në korridoret e urgjencës polivalente në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” në Tiranë – thuajse katër muaj pasi godina u përfshi nga flakët dhe shërbimi u ndërpre për mijëra pacientë.

Vizita e saj lidhej me rihapjen e dyerve të urgjencës, e paralajmëruar pak ditë më parë përmes kronikave të parapërgatitura televizive.

“Urgjenca e QSNUT është në funksion të plotë dhe në shërbim të qytetarëve, duke ofruar kujdes cilësor dhe të shpejtë për të gjithë ata që kanë nevojë,” shkroi më pas Koçiu në Facebook.

Megjithatë, ministrja e Shëndetësisë dështoi të përmendte faktin se rikthimi në punë i urgjencës solli kosto shëndetësore për pacientët dhe shpenzime shtesë për taksapaguesit.

Spitali qendror në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u ndërtua përmes një kredie të bankës së Këshillit të Europës – CEB dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë kushtoi 17.8 milionë euro në total.

Ndërtimi i spitalit zgjati mbi katër vjet dhe reparti i urgjencës i hapi dyert për pacientët në prill 2023. Por nëntë muaj më vonë u mbyll sërish për shkak të një zjarri të rënë në një kabinë elektrike në katin e nëndheshëm, duke nxjerrë jashtë funksionit të gjithë setin e aparaturave. Shkaqet e zjarrit janë aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Tiranës.

Të dhënat e siguruara përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se godina e Urgjencës u vendos në punë edhe pse QSUNT nuk e kishte marrë atë plotësisht në dorëzim nga kompania ndërtuese.

Ndonëse ishte ende brenda periudhës së garancisë, QSUNT kontraktoi pa garë një kompani të dytë private për të kryer punime pas rënies së zjarrit, me një kosto shtesë prej 27.7 milionë lekësh.

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tha në një përgjigje me shkrim se godina ishte marrë “në dorëzim të pjesshëm të përkohshëm” nga një grup pune i ngritur me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të QSUNT, për t’iu nënshtruar më pas periudhës së garancisë.

“Godina nuk është marrë në dorëzim përfundimtar,” shtoi QSUNT.

Praktika e ndjekur nga QSUNT me marrjen në dorëzim të spitalit shihet me dyshim nga ekspertët e financave publike.

“Në termonologjinë juridiko- ekonomike nuk ekziston marrje në dorëzim të pjesshëm, marrja në dorëzim është konform kontratës,” tha Zef Preçi, drejtori ekzekutiv i Institutit për Kërkime Ekonomike.

“Bëhet fjalë për një mal me para, ndaj edhe institucionet po përpiqen që të lajnë duart nga përgjegjësia,” shtoi ai.

Kosto shtesë

Urgjenca në spitalin qendror në QSUNT. Foto: Esmeralda Keta,

Spitali qendror i QSUNT, i njohur edhe si godina A2, strehon një sërë shërbimesh shëndetësore, por njihet më së shumti për urgjencën polivalente. Urgjenca është parashikuar të presë mesatarisht rreth 300 pacientë në ditë, 50 prej të cilëve me urgjenca të sëmundjeve kardiologjike.

Ndërtimi iu besua kompanisë italiane INSO dhe kontrata u firmos në maj të vitit 2018. Fondet u siguruan nga kredia e bankës së Këshillit të Europës (CEB), sipas kontratës lidhur midis Ministrisë së Shëndetësisë.

Kompania INSO është një partnere e hershme e Ministrisë së Shëndetësisë për ndërtimin e strukturave spitalore, e cila operon në Shqipëri përmes degës së saj Finso Albania.

Punimet nisën në dhjetor 2018 dhe sipas fotove të postuara në faqen e kompanisë në Facebook, në themelet e godinës 6-katëshe u ther si kurban një qengj. Megjithatë, punimet zgjatën 4.5 vite dhe vetëm pak muaj pasi u hap, godina u mbyll sërish për shkak të zjarrit.

Më i godituri ishte shërbimi i repartit të hemodinamikës, i cili doli jashtë funksioni. Në këtë repart përveçse ndihmës së parë, zhvillohen ndërhyrjet e koronarografisë, stendat, unazat dhe ndërhyrje të tjera të rëndësishme, por pas rënies së zjarrit, dy aparaturat e angiografisë nuk mund të viheshin në punë.

QSUNT nuk vuri në dispozicion kontratën me kompaninë ndërtuese dhe as ndonjë inventar të detajuar dëmesh, me pretendimin se çështja ishte në hetim penal dhe QSUNT nuk mund të shprehej pa përfunduar hetimi.

Por të dhënat e siguruara në Agjencinë e Prokurimeve Publike tregojnë se emergjenca e krijuar e shtyu QSUNT të jepte para të tjera për rikthimin e shërbimit në punë. Tenderi me vlerë 27.7 milionë lekë u zhvillua përmes procedurës së negocimit, pa shpallje paraprake të kontratës – një procedurë që kufizon konkurrencën mes kompanive.

Tenderi u fitua nga kompania Agi Kons, e cila kishte punuar në ndërtimin e spitalit si kompani e kontraktuar nga INSO.

Eksperti Zef Preçi vlerëson se dhënia e parave shtesë nga Qendra Spitalore Universitare në kohën që godina ishte ende brenda afatit të garancisë është e pajustifikuar.

“Edhe pasi merret në dorëzim një objekt, për një periudhë kohore e ka nën mirëmbajtje dhe nën monitorim firma ndërtuese,” tha ai.

Inso, një kompani italiane e njohur në ndërtimin e strukturave spitalore, po ashtu ka marrë përsipër ndërhyrje të tjera të rëndësishme në QSUNT.

Në vitin 2017, kjo kompani nisi ndërhyrjen për rikonstruksionin e godinës së mjekësisë së përgjithshme të njohur si godina A1. Investimi kushtoi 7.3 milionë euro dhe shërbeu për disa vite edhe për pritjen e urgjencave. Mirëpo prej më shumë se një viti, kjo godinë i është nënshtruar sërish rikonstruksionit me një fond shtesë prej 2.8 milionë eurosh.

Në katin përdhe që aktualisht po rikonstruktohet, ishte planifikuar të strehohej shërbimi i toksikologjisë, por mjekët thanë se ata kishin refuzuar hapjen e tij, për shkak se dhomat e pacientëve nuk plotësonin standardet.

“Nuk pranuam pasi dhomat ishin ndërtuar për një qëllim tjetër dhe nuk na përshtateshin. Më mirë rrimë tek urgjenca e vjetër se sa aty,” tha njëri prej mjekëve të shërbimit të toksikologjisë.

“Tani po bëhet shumë bukur, ashtu siç janë edhe nevojat e një shërbimi unik siç është toksikologjia,” shtoi ai.

E kontaktuar përmes emailit, kompania Finso Albania nuk iu përgjigj një kërkese për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.

Dëme kolaterale

Kantieri i ndërtimit në godinën e Mjekësisë së Përgjithshme, e njohur si godina A1. Foto: Esmeralda Keta.

Ndërsa dëmet financiare të shkaktuara nga zjarri në katin e nëndhëshëm të spitalit të ri janë ende të paqarta, kostot shëndetësore për pacientët përgjatë ndërprerjes së shërbimit janë të dukshme.

Nafije Leka është një prej pacientëve që mbërriti në urgjencën e QSUNT në fund të prillit me shqetësime në zemër. Bashkëshorti i saj, Faiku tha se pas testeve të kryera, e shoqja u dërgua në Sanatorium për koronografi.

“Ishte 29 prill, atë ditë bashkëshortja kishte ditëlindjen. Kur na dërguan në Sanatorium e morëm si një shenjë të mirë,” kujton ai.

Por pas trajtimit në Sanatorium, të shoqen e kthyen sërish në QSUNT, pasi kuptuan se ajo mund të kishte nevojë për ‘bypass’.

Ilir Alimehmeti, mjek në profesion dhe anëtar i këshillit bashkiak të Tiranës për Partinë Demokratike tha se sorollatje të tilla mund të kenë kosto të mëdha shëndetësore për pacientët.

Alimehmeti e ilustron problemin me një rast personal, kur një i afërmi i tij pati probleme shëndetësore në maj dhe pasi i telefonuan urgjencës, i orientuan në QSUNT. Por aty i pritën me këmbët e para, pasi sipas një grafiku të përcaktuar nga drejtori, trajtimi duhej bërë në spitalin e Traumës.

“Është vonesë në dhënien e ndihmës së urgjencës dhe në urgjencë, çdo minutë që të humb është problem i madh,” tha Alimehmeti. “Pacientët duhet ta kishin shërbimin e garantuar dhe pa sorrollatje, sepse çdo minutë vonesë në urgjencë mund të kushtojë jetën,” shtoi ai.

Përveç shërbimit të urgjencës, në spitalin qendror ndodhet edhe shërbimi i imazherisë dhe mjekësisë nukleare me aparatura të rëndësishme të diagnostikimit si rezonanca apo skaneri.

Rënia e zjarrit e ndërpreu punën edhe në këtë sektor dhe shërbimin për qindra pacientë. Në këtë repart në fillim të qershorit, mjekët thonë se në mungesë të pacientëve, e shpenzojnë kohën si të munden.

“Duke qenë se nuk punojnë aparaturat, nuk kemi çfarë bëjmë, shumicën e kohës rrimë. Ose shoqërojmë me ambulancë në spitalet e tjera pacientët që na vijnë,” tha njëri prej mjekëve.

Një tjetër mjek imazherist u shpreh i shqetësuar për ndërprerjen e shërbimit.

“Është e tmerrshme ajo që ka ndodhur, pacientët janë lënë rrugëve,” tha ai, duke mos pranuar të citohej me emër për shkak të pasojave që mund të kishte në punë.

“Këtu nuk funksionon asgjë, vetëm një angiografi është vënë në punë, ndërkohë rezonanca ka  muaj që nuk punon për çështje të garancisë së mirëmbajtjes,” shtoi ai.

QSUNT refuzoi të vinte në dispozicion një inventar të dëmeve të shkaktuara nga zjarri, por këmbënguli në një përgjigje me shkrim se aparaturat mjekësore ishin të sigurta.

“Aparaturat mjekësore janë jashtë funksionit si pasojë e mosfurnizimit me energji elektrike,” tha QSUNT, ndërsa shtoi se nuk kishte dëme të shkaktuara nga zjarri në pajisje mjekësore. Megjithatë, funksionimi i tyre është ende i paqartë.

Ndërsa theksoi se pajisjet kishin qenë funksionale përpara ndërprerjes së energjisë, QSUNT shtoi se “aparaturat do të testohen për funksionimin e tyre sapo të lidhet energjia”.

Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Transparenca dhe llogaridhënia në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, zbatuar nga Shoqata Together for Life dhe mbështetur nga NED- National Endowement for Democracy.  

Read more

Mjekët e Onkologjikut nën akuzë për transferimin e pacientëve drejt klinikave private

Një hetim i nisur për abuzimin me barnat spitalore zbuloi një skemë të krijuar nga mjekë, funksionarë dhe specialistë të spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për transferimin e pacientëve me tumor drejt klinikave private për qëllime përfitimi.

Nga: Edmond Hoxhaj

Drejtues dhe mjekë të spitalit Onkoligjk në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, së bashku me specialistë dhe persona të tjerë akuzohen se krijuan një skemë abuzive të transfermit të pacientëve drejt klinikave private.

“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mjekët, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT,” citohet në një njoftim të Prokurorisë së Tiranës i cili u shpërnda për mediat më 25 qershor.

Nga hetimi i kryer nga prokuroria, ka rezultuar se pacientëve të diagnostikuar me tumor nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe më pas drejtoheshin në klinika private. Po ashtu, janë konstatuar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi, nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur, duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Prokuroria thotë se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.

Në njoftim sqarohet se që të mund të përdorej kjo aparaturë, duhej të krijohej një bunker antiradioaktiv ose antiatomik, sipas kushteve të miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare, IAEA.

Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushtetve teknike. Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqiperi dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje”, citohet në njoftimin e prokurorisë.

Për këto paligjshmëri, janë kërkuar dhe caktuar masa sigurimi personal për veprën penale “Shpërdorimi detyrës” ndaj pesë personave.

Sipas vendimit të gjykatës, ndaj mjekut Edmond Gashi është caktuar masa e “arrestit shtëpiak”, ndërsa masa e detyrimit për t’u paraqitur para oficerit të Policisë Gjyqësore është caktuar ndaj koordinatorit Emiljano Lela dhe mjekes Alketa Ymeri në lidhje me transferimin e pacientëve.

Ish.nëndrejtoresha e QSUNT, Brikena Qirjazi dhe ish-specialistja Drilona Kishta janë lënë gjithashtu në masën e detyrimit për paraqitje në lidhje me masat e munguara të sigurisë për apartaturën e kobalto-terapisë.

Masa e arrestit shtëpiak është caktuar edhe ndaj administratorit të “Flori Farma”, Florian Marku për tregtimin e mallrave kontrabandë, ndërsa Halil Gashi do të paraqitet para OPGJ për veprën e dyshuar të “fshehjes së të ardhurave”. / BIRN

Read more

Si po “helmohen” shqiptarët me ilaçe të dyshimta nga Turqia

Në vitin 2015, Ministria e Shëndetësisë autorizoi importin e dy barnave nga Turqia, që quheshin Apranax Plus dhe Codeine. Por medikamentet vinin nga një kompani e panjohur, e cila nuk ishte liçencuar për prodhimin e këtyre ilaçeve. Denoncimi mbërriti pikërisht nga një kompani turke që kishte liçencën për prodhimin e Apramaxit dhe Codeinës.

Në atë kohë importet e ilaçeve nga Turqia ishin më së shumti sporadike. Por në vitet që pasuan, Turqia u shndërrua në eksportuesin më të madh të ilaçeve në Shqipëri.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se në periudhën 2018-2023, importet e ilaçeve nga Turqia u rritën me gati 2.5 herë në volum. Më saktësisht nga 490 tonë në 1200 tonë. Si rezultat, aktualisht gati 20 për qind e ilaçeve që importohen në Shqipëri vijnë nga Turqia.

Tashmë thuajse të gjitha kompanitë farmaceutike shqiptare kanë filluar të kthejnë sytë nga Turqia. Por loja e rëndë bëhet veçanërisht nga dy kompani, të cilat sjellin volumin më të madh të ilaçeve turke në tregun shqiptar. Njëra prej tyre e hetuar dhe dënuar më parë për mashtrim, ndërsa tjetra është aktualisht nën hetim nga SPAK.

Ndryshimet ligjore

Rritja e frikshme e importeve të barnave nga Turqia nuk është e rastësishme. Në vitin 2014, qeveria shqiptare ndryshoi ligjin e barnave duke i hapur rrugë importit të tyre edhe nga vendet jashtë Bashkimit Europian.

Sipas qeverisë, këto ndryshime do të ulnin kostot e mjekimit për pacientët shqiptarë duke u mundësuar atyre barna me çmime më të lira. Por kostot e ulëta sollën një efekt edhe më të rëndë: daljen nga tregu të ilaçeve me cilësi të lartë dhe vërshimin e produkteve jo cilësore apo me keq akoma ilaçeve false nga vendet jashtë BE-së.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lëshuar disa herë alarmin për ilaçet e falsifikuara në Turqi dhe Indi, ku rasti më i fundit ishte ai barit defibrotide, që shitet nën brandin defitelio dhe përdoret për trajtimin e sëmundjeve të mëlçisë.

Ndërkohë një burim i tha Kapitali.al se aktualisht prokuroria po verifikon një rast ku dyshohet se në vend mund të jenë futur edhe kimiopreparate false në farmacitë e QSUT-së të importuara pikërisht nga Turqia.

Rasti, i cili po hetohet mund të shndërrohet në një nga skandalet më të mëdha në fushën e shëndetësisë në Shqipëri. Por deri më tani prokuroria nuk ka ende përfundimet zyrtare.

Korrupsion dhe kapje tregu

Tregu i barnave në Shqipëri është një moçal i madh, i ndërtuar kryesisht me kontributin e qeverisë dhe institucioneve që duhet ta mbikqyrin atë. Në vitet 2014-2015, qeveria shqiptare fiksoi çmimet e medikamenteve përmes një vendimi absurd, i cili nuk lejon përditësimin e tyre.

Kjo masë tashmë po godet mbrapsht. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se gjatë viteve të fundit nga tregu shqiptar kanë dalë mbi 473 barna të mirënjohura, që prodhohen nga kompani të certifikuara perëndimore për kurimin e sëmundjeve të ndryshme.

Këto barna janë zëvendësuar me të tjera që vijnë nga Turqia dhe Azia, por që shpesh kanë dyshime të mëdha mbi cilësinë dhe autenticitetin e tyre. Madje kanë edhe abuzime të mëdha tek çmimet.

Shumica e ilaçeve importohen nga Turqia me çmime minimale, por në doganat shqiptare deklarohen me çmime njësoj si barnat perëndimore. Diferenca amortizohet përmes skontove në fatur ose notjave të kreditit, të cilat më vonë falen.

E gjitha është një skemë e madhe mashtrimi, lehtësisht e verifikueshme që në deklaratat doganore. Por kjo është një skemë, e cila bëhet e mundur përmes korrupsionit në sektorin shëndetësor.

Tashmë lista e barnave të rimbursueshme po mbushet gjithmonë e më shumë me barna turke dhe nga vendet e tjera të lindjes. Ato që blihen me çmime qesharake, por rimbursohen disa herë më shtrenjtë nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor.

Dhe ndërsa një grusht kompanish fitojnë miliona euro, të cilat i ndajnë me zyrtarët e korruptuar të Shëndetësisë, shqiptarët po helmohen masivisht me ilaçe pa cilësi.

Burimi: Kapitali.al

Read more

Kapitali: Klinikat private nuk iu nënshtruan akreditimit siç premtoi Manastirliu

Vdekja e një 3-vjecari pas ndërhyrjes dentare në një klinikë private të Tiranës dëshmoi mungesën e standardeve dhe garancive nga këto institucione. Normalisht të dhënat për ligshmërinë ose jo të klinikës duhej të ekzistonin të publikuara, kritere bazë këto për procesin e akreditimit. Proces ky i dështuar, sikurse premtimet e hershme se pa akreditim, institucioneve shëndetësore do t’u hiqej licenca. Por sistemi funksionon ‘anapolla’, klinika në fjalë ishte e palicencuar për kryerjen e aktivitetit dhe u pajis me të një muaj pas incidentit me pasojë vdekjen e 3-vjeçarit.

“Pas marrjes së licencës, të gjithë aktivitetet private do t’i nënshtrohen procesit të akreditimit dhe plotësimit të standardeve bazë. Në rast mosplotësimi të tyre do të revokohet licenca”, – deklaroi ish ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në komisionin parlamentar të shëndetësisë në vitin 2019, teksa prezantoi ndryshimet në ligjin e kujdesit shëndetësor.

Në faqen zyrtare të ASCSG (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë dhe Sigurisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror) shpjegohet rëndësia e akreditimit:

“Akreditimi” nënkupton vërtetim direkt të plotësimit të standardeve specifike nga institucionet shëndetësore përmes vizitës dhe vlerësimit të jashtëm në vendin e punës së institucionit  përkatës lidhur me atë se çfarë kryhet në atë institucion: produktet, proceset, sistemet, personelin ose ekipet, përfshirë këtu edhe një demonstrim formal të kompetencës së institucionit për të realizuar detyra të caktuara dhe në këtë kuptim, fjala “akreditoj” lidhet me këtë proces vizite konstatimi apo vlerësimi të jashtëm.

Rasti i 3 vjeçarit tregoi dështimin e procesit të akreditimit

Pavarësisht presionit të ministrisë së Shëndetësisë për heqje licence, institucionet shëndetësore private duken të painteresuara për procesin e akreditimit, ndonëse certifikata e akreditimit do të shërbente për të skanuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore që ofrohen në vend.

Vdekja e 3 vjeçarit në tetor 2023 pas një ndërhyrjeje dentare me narkozë në kilnikën “Splendent” të mjekes Ina Xhaxho në Tiranë ngriti pikëpyetje për monitorimin e cilësisë së kujdesit spitalor që ofrohet në spitalet apo klinikat private.

Klinika nuk ishte e pajisur me licencë, një kriter i detyrueshëm për të zhvilluar aktivitet, në momentin që i mituri u paraqit në këtë klinikë në fillim të tetorit 2023. Këtë e konfirmoi për Faktoje Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror, përmes një përgjigjeje zyrtare ku shpjegon se menjëherë pas ngjarjes, ka zhvilluar një inspektim dhe auditim klinik për verifikimin e përmbushjes së standardeve të ofrimit të shërbimit shëndetësor në klinikën “Splendent”. “ISHSH konstatoi se subjekti nuk ishte i pajisur me licencë për ushtrimin e aktivitetit shërbime mjekësore dhe/ose stomatologjike kategoria II. 6 A.3 kabinet dentar”, – thotë ISSH, e cila për këtë e ka gjobitur subjektin në fjalë me 500,000 Lekë.

Në një komunikim përmes whatsapp, vetë mjekja Ina Xhaxho dha ndër të tjera këtë shpjegim për Faktoje:

“….doja t’iu sqaroja se më imtesisht mund të pyesesh nje jurist. Ky i fundit do të të shpjegojë që unë si person juridik mund të ofroja shërbimet e stomatologjisë. Kjo për faktin se jo vetëm se jam e regjistruar pranë Urdhërit të Stomatologëve të Shqipërisë, por dhe në aspektin fiskal kam qenë e regjistruar rregullisht në QKB. Përsa is përket llojit të licensimit, kjo e fundit është një procedurë administrative formale që nuk më pengon ushtrimin e profesionit. Mjafton të lexohen dispozitat e ligjit për licensimin. Gjithsesi dua të të informoj që vendimi është kundërshtuar në rrugë gjyqësore, sepse në vlerësimin tim është i paligjshëm dhe aktualisht statusi i çështjes është në gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Tiranë”

Ministria e Shëndetësisë nga ana tjetër saktëson se nuk duhet ngatërruar licenca e institucionit me licencën profesionale të mjekut.

“Licenca e lëshuar nga Urdhëri i Stomatologut vlen për ushtrimin e profesionit dhe jo për ushtrimin e veprimtarisë, për të cilën subjekti duhet të aplikojë nëpërmjet QKL, konform parashikimeve të ligjit”, sqaron ministria e Shëndetësisë. Referuar regjistrit Kombëtar të lejeve dhe licencave, rezulton se kjo klinikë aktualisht është mbajtëse e dy licencave, por pajisja me licencë për ushtrimin e veprimtarisë, ka ndodhur thuajse një muaj pas incidentit fatal, pra më 31 tetor. Në janar 2024 klinika dentare është pajisur me një licencë të dytë, pa afat.

Dështimi i procesit të akreditimit në lupën e ekspertëve

Pavarësisht premtimeve dhe afateve, Shqipëria po dështon prej dekadash të akreditojë institucionet shëndetësore, publike dhe private.

“Shteti e zbulon problemin pasi problemi ndodh”, – komenton paaftësinë e institucioneve për të monitoruar situatën, zëvendësdekani i fakultetit të Mjekësisë, Ilir Alimehmeti.

“Parimi është i thjeshtë, licenca të jep të drejtën e ushtrimit të aktivitetit. Pa licencë, je i jashtligjshëm”, sqaron më tej ai.

“Ndryshe nga akreditimi, licencimi është proces i detyrueshëm. Pa licencë, nuk ka shërbim shëndetësor”, – thotë i befasuar nga situata, Erion Dasho.

Ndërsa Klodiana Spahiu, nënkryetare e komisionit të shëndetësisë, thotë se nuk është në dijeni të mangësive konkrete të klinikës ku ndodhi rasti i të miturit që humbi jetën pas ndërhyrjes, por këmbëngul se licencimi është A-ja e një aktiviteti shëndetësor.

“Nuk kam dijeni për pjesën stomatologjike, parimisht çdo qendër stomatologjike padyshim nuk funksionon dot pa licencë”, komenton ajo.

Duke e parë në tërësi dhe jo si një problem vetëm të një subjekti, ekspertët e konsiderojnë dështim faktin që një institucion shëndetësor i ka shpëtuar sistemit të kontrollit.

“Diskutimi është sa është dëmi këtu? Si pacient si mbrohem unë, kur shteti gjurmon çdo gjë që bën një individ, por i ‘rrëshqet’ një klinikë”? – ngre shqetësimin Alimehmeti.

Sipas tij, institucionet përgjegjëse duhet të ndërtojnë një databazë ku licencat të jenë publike. “Pse s‘i bën publike licencat, kush ka dhe kush jo?  Klinika, spitale, laboratorë dhe thua këto janë të licencuar dhe pacienti hyn e kërkon dhe e gjen”, – këmbëngul Alimehmeti.

Vetëm 17 privatë të akredituar ose 203 herë më pak nga totali

Ndryshe nga licencimi, akreditimi është ende një proces vullnetar. Qëllimi i akreditimit është të përcaktojë nivelin e pajtueshmërisë me standardet dhe protokollet, për të përmirësuar cilësinë dhe sigurinë e pacientëve.

Ndërsa institucionet publike kanë ecur me hapa më të shpejtë, privatët thuajse nuk kanë interes për t’u përfshirë në procesin e akreditimit.

Referuar listës së institucioneve të akredituar të përcjellë nga ASCK, vetëm 17 institucione shëndetësore private (spitale, klinika mjekësore dhe dentare, apo laboratorë) janë përfshirë në procesin e akreditimit. 3 institucioneve të tjera u ka përfunduar akreditimi disa vite më parë.

Ky numër institucionesh të akredituara është krejt i papërfillshëm, po të kemi parasysh se në sistemin privat numërohen 9 spitale, 122 klinika private, 408 laboratore 1416 klinika stomatologjike dhe rreth 1300 farmaci. Në total llogaritet që numri i institucioneve private të paakreditura të jetë mbi 203 herë më i madh sesa ato të akredituara.

Në mes të vitit 2022, Qendra Kombëtare e Akreditimit që merrej prej gati 20 vitesh me akreditimin e spitaleve, u reformua dhe u krijua Agjencia për Sigurimin e Cilësisë së Kujdesit shëndetësor. Në ceremoninë e rastit mori pjesë edhe ish ministrja Ogerta Manastirliu që përsëriti:

“Nuk do të tolerojmë asnjë strukturë publike apo jo publike, t’i shmanget një procesi kaq të rëndësishëm sa procesi i vetëvlerësimit dhe i akreditimit të institucionit. Kjo është një betejë për cilësinë”. Pavarësisht këtyre “kërcënimeve” shifrat tregojnë një indiferencë ndaj këtij procesi. Gjatë vitit 2023 Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka kryer 62 inspektime dhe ri-inspektime për plotësimin e standardeve të cilësisë, sigurisë dhe akreditimit të institucioneve shëndetësore.

Debati, akreditimi proces kompleks nuk funksionon pa autonomi

Klodiana Spahiu e shikon akreditimin të lidhur ngushtë me autonominë spitalore.

“Ky proces edhe pse nuk është i detyrueshëm të detyron koha që ta bësh patjetër. Akreditimi është një hap që të çon drejt autonomisë. Për pjesën spitalore po shkon drejt detyrimit, sepse nëse do të përfshihesh në autonominë spitalore nuk mund të përfshihesh pa qenë i akredituar” – sqaron ajo.

Sipas Spahiut, kemi një proces të edukimit në vazhdim të detyrueshëm për personelin, atëherë edhe për institucionet do të shkohet drejt kësaj rruge.

Edhe për Erion Dashon akreditimi duhet të shkojë paralelisht me autonominë, por ai ka kuptim në një terren autonomie të plotë.

“Kur ti shikon një check – list dhe nuk plotëson disa kritere, p.sh nëse ke mungesë stafi dhe nuk ke autonomi, atëherë nuk ke pavarësi”, – këmbëngul Dasho.

Vendimet e shumta në lidhje me procesin e akreditimit kanë sjellë një amulli në rregullimin përfundimar të këtij procesi.

“Procesi i akreditimit është vijim i detyrimit për të përmbushur standardet bazë të cilësisë për akreditim, vetëm nëse një institucion i përmbush standardet bazë, mund të vijojë procesin e akreditimit. Referuar VKM nr. 865, datë 24.12.2019 “Për mënyrën e kryerjes së procesit të akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor dhe përcaktimin e tarifave dhe afateve kohore”, – sqaron Ministria e Shëndetesisë.

Vetë ekspertët nuk janë plotësisht të qartë mbi këtë proces madje ata shprehen skeptikë për mënyrën se si u la në mes. Erion Dasho ndër të parët specialistë që u angazhua së bashku me profesor Isuf Kalon në fillim të viteve 2000, për zbatimin e procesit të akreditimt të institucioneve shëndetësore, thotë se çdo masë që nis dhe lihet përgjysmë krijon një mangësi tjetër në sistem.

“Shqipëria vuan nga masat që merren në mënyrë jo strategjike, merren dhe lihen në mes të rrugës”, – këmbëngul Dasho.

Sipas tij akreditimi është një proces që e zgjedh individualisht institucioni shëndetësor për të treguar besueshmëri dhe që ka një cilësi të caktuar. Sipas tij, në vendet e zhvilluara “detyrimi i akreditimt” është zgjidhur nga sigurimet shëndetësore.

“Disa vende e kanë bërë të detyrueshëm indirekt pasi kompanitë e sigurimeve zgjedhin të punojmë vetëm me institucione të akredituara. Nëse je i paakredituar asnjë kompani sigurimesh nuk zgjedh të punojë me ty”, – sqaron ai.

Ndërsa për Ilir Alimehmetin, akreditimi është një proces që vetëm sa i ka shtuar burokracitë.

“Çfarë u mungon sot spitaleve të licencuara, sepse përmbushja e kritereve është bazë e licencimit, që ua shton procesi i akreditimit? Për ta thjeshtuar: nëse një universitet akreditohet çfarë ka më shumë? Ka diploma më shumë njohje, ka mobilitete më shumë?? Pra çfarë ka ekstra procesi i akredimit që institucionet të kenë interes?”, – thotë skeptik ai ndërsa shton se burokracitë nuk i nxisin mjekët, pëkundrazi.

Mirëpo Erion Dasho arguementon domosdoshmërinë e procesit të akreditimit, që nxit sipas tij, përgjegjshmërinë e institucioneve shëndetësore në garantimin e standardeve të shërbimit:

“Në një vend si Shqipëria, procedurat e licencimit kanë pasur mangësi, ndaj akreditimi është një plotësim, sepse e vendos përpara përgjegjësisë institucionin shëndetësor që të rrisë sigurinë dhe cilësinë”.

Ministria e Shëndetsisë ka përcaktuar një set kriteresh bazë që janë kusht për të marrë licencën për të ushtruar aktivitetin shëndetësor, mbi këtë është edhe një set kriteresh optimale që duhet të përmbushen për t’u akredituar. Akreditimi i plotë ka një afat 5 vjeçar dhe do të thotë se institucioni shëndetësor përmbush së paku 85% të stadardeve optimale. Ajo që vihet re në listën e institucioneve të akredituara, që Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor (ASCK) ka për dërguar “Faktoje” është fakti se një pjesë e konsiderueshme e institucioneve kanë marrë akreditim të pjesshëm, pra nga 1-3 vjet që do të thotë se kanë përmbushur 70% të stadardeve optimale.

Përfundim

Procesi i akreditimit të institucioneve shëndetësore, sidomos atyre private ku qytetarët zgjedhin të drejtohen për një shërbim më të specilizuar dhe pa burokraci, ka dështuar pavarësisht angazhimeve të qeverisë. Rasti i klinikës ku u krye ndërhyrja dentare e 3 vjeçarit, është një ilustrim sesi radari i kontrollit shtetëror dështoi të identifikonte veprimtarinë në kushte paligjshmërie të një klinike në mes të Tiranës. Bazuar në verifikimin e kryer dhe konsultimin me ekspertët, angazhimin e ish ministres së Shëndetësisë Manastirliu për akreditimin e institucioneve shëndetësore do ta kategorizojmë të Pambajtur.

Burimi: Kapitali.al

Read more
sqAlbanian